Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci sot ka ndarë dy çmimet si: “Shkencëtar i vitit” për Ibadete Bytyçin dhe “Shkencëtar i ri i vitit” për Fjolla Kaçanikun, përcjell KultPlus.
“Këto dy studiuese të dëshmuara me punën e tyre shkencore do të motivojnë shumë studiues e hulumtues të tjerë. Për më tepër, ato janë një dëshmi se gratë në Kosovë, ndër të tjera, janë edhe shkencëtare të zonjat”, ka shkruar ajo.
Më poshtë KultPlus ju sjell postimin e saj të plotë:
Kënaqësi e veçantë që sot ndava çmimin “Shkencëtar i vitit” për znj. Ibadete Bytyçi dhe “Shkencëtar i ri i vitit” për znj. Fjolla Kaçaniku.
Me një biografi të pasur shkencore, këto dy studiuese, janë rekomanduar për këto çmime për vitin 2021 nga Këshilli Shkencor i MAShTI.
• Ibadete Bytyçi është Doktore e shkencave mjekësore/kardiolog. Është anëtare e shumë shoqatave kardiologjike ndërkombëtare, ka 8 mirënjohje në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar për arritje profesionale shkencore, 4 libra, në kuadër të tyre janë 3 udhërrëfyes vendor dhe një ndërkombëtar, po ashtu ka 44 punime shkencore dhe 17 punime si autore e parë. Në konferneca shkencore ndërkombëtare është paraqitur me gjithesej 72 abstrakte, prej tyre 42 si autore e parë.
• Fjolla Kaçaniku është Doktore në fushën e shkencave të edukimit. Puna e saj shkencore është prezantuar përmes punimeve të paraqitura në databaza të cilat janë të indeksuara në Scoppus në kuartalin e dytë Q2 dhe Q3, të njohura ndërkombëtarisht si platforma shumë cilësore ku është bërë prezantimi i punës shkencore.
Këto dy studiuese të dëshmuara me punën e tyre shkencore do të motivojnë shumë studiues e hulumtues të tjerë. Për më tepër, ato janë një dëshmi se gratë në Kosovë, ndër të tjera, janë edhe shkencëtare të zonjat.
Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të hapë rrugë për studiuesit duke i avancuar politikat për zhvillimin e shkencës dhe në këtë mënyrë Kosova të jetë një kontribuese e rëndësishme e shkencës në botë!
Urime e suksese! / KultPlus.com