Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Shkodër ka realizuar kartolinat e fundvitit në një bashkëpunim të veçantë me studentë të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, departamenti i Arteve në Shkodër.
Studentët pjesëmarrës në këtë projekt kanë ndërthurur talentin dhe pasionin e tyre për të sjellë një koleksion unik. Në këtë projekt, artistët e rinj kanë eksploruar dhe interpretuar pasuritë kulturore përmes një lenteje festive, duke krijuar kartolina që reflektojnë bukurinë dhe trashëgiminë tonë kombëtare.
Këto krijime janë realizuar me një qasje të larmishme artistike: disa prej tyre janë konceptuar në formatin digjital, duke kombinuar elementë bashkëkohorë dhe tradicionalë, ndërsa të tjera janë punuar me dorë duke përdorur teknika të sofistikuara si akuareli dhe akriliku. Çdo kartolinë sjell një detaj të veçantë, një histori dhe një ndjesi të ngrohtë festive, duke ruajtur një lidhje të fortë me traditën dhe artin.
DRTK Shkodër thekson se, ky koleksion është një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit mes institucioneve dhe artistëve të rinj, duke na kujtuar rëndësinë e promovimit të kulturës përmes krijimtarisë dhe inovacionit./KultPlus.com
Në Shkodër u zhvillua në javën e parë të dhjetorit Kupa e Kombit në Paragliding, një nga garat më të rëndësishme në Shqipëri dhe Kosovë.
Në këtë garë që zhvilloi edicionin e saj të parë në Shkodër morën pjesë pilotë nga rajoni dhe më gjerë.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë disa pamje nga kjo garë në Shkodër, e cila synohet të kthehet në një traditë.
“Disa nga momentet e Kupës së Kombit në Paragliding, një nga garat më të rëndësishme në Shqipëri dhe Kosovë, që solli pilotë nga rajoni dhe më gjerë në edicionin e saj të parë”, shkruan Rama.
Paragliding është fluturimi me parashutë i cilësuar si sport ekstrem. Në vendin tonë vitet e fundit po organizohen një sërë garash me parashutë, ku të rinj të pasionuar pas këtij sporti fluturojnë në vende të ndryshme të vendit.
Për të gjithë dashamirësit e kulturës dhe historisë, DRTK Shkodër në bashkëpunim të ngushtë me Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) organizuan ekspozitën fotografike “Dyer që flasin n’Gjuhadol”.
Ekspozita, e cila do të qëndrojë e hapur për disa ditë, paraqet përmes fotografive dyert e vjetra të qytetit, të cilat përcjellin historinë e tyre dhe të qytetit.
“Kjo është një mundësi për të përjetuar nga afër një pjesë të Shkodrës që ruan gjurmët e së kaluarës”, shkruan DRTK Shkodër.
Së bashku me COD, DRTK Shkodër, ka ndërmarrë një nismë të veçantë për dokumentimin e dyerve të vjetra të qytetit, duke zbuluar historitë e tyre dhe detajet arkitektonike unike. Kjo iniciativë synon të mbrojë trashëgiminë kulturore të Shkodrës, duke sjellë në jetë kujtimet dhe historitë e këtyre dyerve, lidhjet e tyre me familjet dhe identitetin historik të qytetit.
Përmes fotografive që ndau në rrjetet sociale Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, duket se ekspozita ka ngjallur kureshtjen e grupmoshave të ndryshme, përfshirë nxënësve të shkollave.
Banesat Shkodrane në shek. XVIII-XIX, për shkak të zgjerimit të qytetit në pjesën fushore, karakterizohen nga oborre të mëdhenj ku binin në sy portat e jashtme, të cilave i kushtohej kujdes në aspektin estetik, si dhe funksional, duke u dekoruar me qemere dhe elemente të tjera guri ose druri të gdhendur. Dera prej druri ndahej në dy pjesë, ku kapaku i madh hapej vetëm për qerret, ndërsa dera e instaluar në njërën prej kapakëve, funksiononte për hyrje-dalje të pjesëtarëve të familjes dhe miqve.
Element dallues në derë ishte “rezja” që zakonisht punohej tek kovaçi dhe forma më e përhapur ishte ajo e patkoit të zgjatur. Këto dyer, së bashku me këto elemente, ishin dukshëm një prezantim i rangut shoqërorë të familjeve që banonin në këto banesa, për kohën kur u ndërtuan.
Me kalimin e kohës, ndërtimet e stilit neoklasik në qendër të qytetit, nga fundi shek. XIX-fillim shek. XX, ku dyert për shkak të pozicionimit në fasadë erdhën duke u zvogëluar në forma dhe përmasa, për rrjedhojë forma dhe stilizimi i rezeve fitoi elemente të reja dekorative, duke futur motive floreale, zoomorfe dhe humanoide.
Këto elemente ruhen sot me fanatizëm nga shumë familje si kujtesë historike, por edhe si dëshmi e dijebërjes, traditës së shumë zejeve, duke i dhënë banesës shkodrane formën e një ansambli muzeor në dru, gur, hekur dhe plot pasuri të tjera etnografike./atsh/KultPlus.com
Turizmi është kryefjalë e diskutimeve, pse jo dhe debateve në tryeza mes operatorëve turistikë dhe shifrave “kokëforte” që duket se e kanë çuar turizmin, nga ai i sezonit veror, te turizmi malor apo ai në zonat e mbrojtura në vend, në një tjetër nivel. ATSH kontaktoi sot me Ergys Kavajën, këshilltar për mediet pranë bashkisë së Shkodrës, për të dhënat e turizmit për këtë vit, krahasuar me vitet pararendëse.
“Turizmi në Bashkinë Shkodër tashmë është një realitet ekonomik i prekshëm dhe një sektor i ri për ekonominë e të gjithë territorit. Për institucionin e bashkisë, treguesi më i mirë është deklarimi dhe vjelja e taksës së fjetjes, pra, sa turistë kanë fjetur në strukturat akomoduese.
Në tetëmujorin janar-gusht, ka një rritje prej 32% krahasuar me vitin 2023 dhe rreth 70% në raport me vitin 2022. Në periudhën qershor-gusht (sezoni veror) ka rreth 30% netqëndrimi më shumë se në vitin 2023 dhe rreth 60% më shumë se në vitin 2022. Konstatohet se rritja e netqëndrimeve në periudhën janar-maj, e quajtur si jashtë sezoni, është rritur me 75% në raport me vitin 2023 dhe 133% (më shumë se dyfishim) krahasuar me vitin 2022. Ndërsa rritja e muajve të verës është bërë nga Velipoja e Thethi, në muajt e tjerë kjo rritje i dedikohet kryesisht qytetit”, tha Ergys Kavaja, këshilltar për mediet pranë bashkisë Shkodër.
Rritja e turizmit është e shpejtë dhe e qëndrueshme në vite, sipas këshilltarit, ndërsa vihet re që turizmi po fillon ngadalë të shtrihet gjatë gjithë vitit, duke e bërë atë një biznes të qëndrueshëm për shumë bare, restorante, hotele, agjenci turistike, transport e shumë njësi që ofrojnë produkte turistike në këtë bashki.
“Së pari, kjo ecuri e mbarë u dedikohet investitorëve, bizneseve dhe ushtrisë së madhe të njerëzve që shërbejnë në këtë fushë, të cilët vit pas viti po përmirësojnë ofertën e tyre për turistët duke shtuar produktet dhe tërhequr turistë në zonat ku operojnë. Pa dyshim i dedikohet edhe rritjes së përgjithshme të turizmit në vend. Por, unë besoj se edhe politikat e bashkisë këtë vit kanë dhënë efekt në këtë drejtim. Eventet që zgjuan interesin e shqiptarëve brenda e jashtë kufijve, promovimi i territorit dhe kujdesja për shtimin e produkteve turistike e kanë sjellë në vëmendje dhe pasuruar ofertën turistike që ka territori ynë”, shtoi ai.
Zonat më të vizituara në Shkodër mbeten Velipoja, Thethi, zona e Liqenit të Shkodrës, Pedonalja e Shkodrës, Kalaja e Rozafës. Përveç pasurive natyrore, Shkodra ka edhe një ofertë të rëndësishmë kulturore ku Muzeu “Marubi”, Muzeu i Dëshmisë dhe Kujtesës, Muzeu “Oso Kuka”, Muzeu i Kalasë, të cilët ngjallin kureshtjen e turistëve./atsh/ KultPlus.com
Në Kinema “Republika”, në Shkodër çeli siparin edicioni i tretë i festivalit të filmit “Idromeno Independent Film Festival”. 58 filma nga autorë vendas dhe të huaj do të shfaqen për adhuruesit e kinematografisë.
Ky festival u konceptua nga një grup studentësh me një qëllim madhor: integrimin e ideve të reja në mentalitetin e kineastëve shqiptarë. Sipas tyre, kjo mund të arrihet me ndihmën e partnerëve dhe kineastëve të “Idromenos” në të gjithë Evropën. Qëllimi është të përmirësohet kinemaja eksperimentale dhe e pavarur duke e zgjeruar atë si një lëvizje multidisiplinare duke përfshirë shkenca të tjera që lidhen me filmin.
Ditën e djeshme përveç projeksioneve të filmave pati edhe një panel diskutimi me të ftuar si: Edon Qesari, Stefania Consigliere, Eris Agolli dhe Eno Milkani, ku tema e diskutimit ishte “Metamorfoza”.
Në sesionin Idromeno Evocative, u shfaq filmi “Kapedani” i regjisorëve Muharrem Fejzo dhe Fehmi Hoshafi. Ndërsa në sesionin Special Screenings u shfaq filmi i Pirro Milkanit, “Trishtimi i zonjës Shnajder”.
Ditën e sotme ishte Emilie Richelle e cila foli mbi sfidat e të qenit grua në industrinë e kinemasë, ndërsa Miguel Velez dha një leksion mbi temën “Të krijosh një film të shkurtër”.
“Idromeno Indipendent Film Festival” do të vazhdojë aktivitetet e tij deri më 11 tetor./atsh/ KultPlus.com
Në Bashkinë Shkodër ka nisur Java Evropiane e Lëvizshmërisë, e cila do të jetë e mbushur me aktivitete të ndryshme për fëmijë dhe të rinj.
Në kuadër të këtij eventi, do të organizohen xhiro me biçikleta me pjesëmarrësit nga shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet, performanca sportive, kënde lojërash, workshope, dhe panaire artizanati, duke arritur kulmin në “Ditën pa Makina”.
Bashkia Shkodër përmes një sondazhi në kuadër të planit të lëvizshmërisë në Shkodër, mblodhi të dhëna të cilat janë një shtysë e fortë për ta bërë Shkodrën një qytet të pastër, të gjelbër dhe me cilësi më të mirë jetese, ku banorët jetojnë në harmoni me natyrën.
Sipas të dhënave që dolën prej sondazhit, më shumë se 90% e familjeve në Shkodër kanë biçikleta, mesatarisht nga 2 për çdo familje dhe më shumë se 90% e qytetarëve mbështesin krijimin e korsive të dedikuara për biçikleta.
Për më shumë se 2/3 e banorëve, përdorimi i biçikletave është pjesë e aktiviteteve të përditshme, por problemet kryesore që qytetarët hasin janë mungesa e korsive të dedikuara dhe parkimi dyshe.
Biçikleta tashmë është bërë simbol i logos turistike të qytetit dhe suveniri zyrtar që Bashkia Shkodër promovon./atsh/KultPlus.com
Ekspozita “Muaji i Monumenteve Historike” ka mbërritur në kalanë e Shkodrës.
Kjo ndalesë përfaqëson një nga vendet më të rëndësishme historike të Shqipërisë, me një trashëgimi të pasur kulturore që shtrihet për shekuj me radhë.
Me panelet e shfaqura nga arkivi i IKTK-së, vizitorët do të kenë mundësinë të zbulojnë histori dhe vlera të jashtëzakonshme kulturore, të ilustruara me kujdes ndër vite.
Pak dite më parë, kjo ekspozitë ishte edhe në qytetin e Beratit, ku shfaqi materiale grafike të trashëgimisë kulturore nga e gjithë Shqipëria.
Ky aktivitet shëtitës, vijon të sjellë në vëmendjen e publikut rëndësinë e mbrojtjes dhe promovimit të këtyre monumenteve historike./atsh/KultPlus.com
Ekspozita “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” vjen në Shkodër.
Në kuadër të sezonit turistik 2024, më datë 10 shtator, pranë sheshit përpara Bashkisë Shkodër, Muzeu Historik Kombëtar hap ekspozitën fotografike “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër dhe Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër.
Ekspozita përbëhet nga 27 stenda që shfaqin fotografi të objekteve të rralla nga pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar. Kjo ekspozitë do të jetë si një udhëtim në kohë dhe një mundësi për t’u njohur nga afër me thesaret e trashëgimisë sonë kulturore.
Muzeu, bashkia dhe organizatorët e tjerë të aktivitetit ftuan artdashësit të marrin pjesë dhe të zbulojnë historinë dhe pasurinë kulturore të Shqipërisë./atsh/KultPlus.com
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Shkodër ftoi sot qytetarët dhe turistët që të vizitojnë këtë fundjavë Kishën e Kuklit dhe shtëpinë e Dom Ndre Mjedës, një kompleks unik që ndodhet në fshatin Kukël, 30 minuta larg qytetit të Shkodrës.
Kompleksi, Kisha dhe shtëpia, ndërtuar nga vetë dora e poetit, në stilin neoklasik i kanë mbijetuar kohës së komunizmit duke u bërë një nga qendrat unike të turizmit historik e kulturor në Shqipëri.
E ndërtuar në vitin 1906, banesa e Mjedës u kthye në shtëpi-muze ku ekspozohen sende personale të poetit, materiale fotografike, shkrime studimore, libra e shumë objekte të tij. Shtëpia dykatëshe është shndërruar në ekspozitë, ku ndër sendet më të rëndësishme është tavolina e punës së poetit, me jetë mbi 100 vjeçare, ku shkroi veprat më të bukura shqip.
Qendra Muzeore “Ndre Mjeda” ne Kukël, që nga viti 2012 mban statusin Monument Kulture i Kategorisë l./atsh/ KultPlus.com
Ura e Mesit në Shkodër, pas ndërhyrjes restauruese dhe vendosjes së ndriçimit, ka marrë një tjetër pamje.
Kryeministri Edi Rama, duke ndarë pamje nga Ura e Mesit, shprehet se ajo ka rilindur.
Me një bukuri shekullore, ajo është kthyer në një nga atraksionet më mbresëlënëse për turistët vendas dhe të huaj.
E ndërtuar në vitin 1768 nga Mehmet Pashë Bushati, ura me kurriz që ndodhet mbi lumin Kir, shërbente për të lidhur Drishtin me Shkodrën.
Duke qenë një monument me vlera të mëdha arkitektonike e teknike, Ura e Mesit është një objekt që tërheq vizitorë të shumtë.
Ura ka gjatësi 108 metra, gjerësi 3.40 metra dhe me 13 harqe josimetrike, e për ndërtimin e saj janë përdorur gurë të latuar, ndërsa traseja është bërë me pllaka guri. Vlerat e kësaj ure shtohen dhe nga terreni piktoresk pranë saj me shkëmbinj dhe ujin e pastër.
“Ernest Koliqi, kthehet në shtëpi”. Me këto fjalë mund të përkufizohet aktiviteti i sotëm i mbajtur në bibliotekën e qytetit të Shkodrës “Marin Barleti” ku rreth 500 tituj nga biblioteka personale Koliqit, janë vendosur në një pavion të veçantë në bibliotekën e Shkodrës.
Kjo nisëm, është realizuar falë bashkëpunimit të Bibliotekës së Shkodrës, Bashkisë dhe Organizatës “Shejzat”.
Për studiuesin dhe drejtuesin e organizatës “Shejzat”, vendosja e këtyre 500 titujve të librave dhe mbi 300 botimesh të gazetave dhe revistave janë një pasuri e çmuar që i vjen Shkodrës.
Të pranishëm në ceremoninë e hapjes së sallës “Ernest Koliqi” në bibliotekësn e Shkodrës ka qënë edhe Kryetari i Bashkisë Shkodër Benet Beci, së bashku me Ministren e Shtetit Elisa Spiropali.
Ernest Koliqi lindi në Shkodër më 20 maj 1903, në familjen e famshme fisnike qytetare të Koliqëve. Mësimet e mesme i kreu në Bergamo e Milano, studimet e larta – në fakultetin e letërsisë pranë Universitetit të Padovës.
Ernest Koliqi botoi disa revista, ndërmjet të cilave “Shkëndija” – në Shqipëri dhe “Shęjzat” në Romë.
Tek Shęjzat ai bashkoi penat më të forta të mërgimtarëve shqiptarë, të arbëreshëve e të shqiptarëve të Kosovës: poetë, prozatorë e studiues të talentuar, që krijuan një pasuri të vërtetë letrare, kulturore e historike, në një kohë kur në Shqipëri kishin heshtur muzat. Ernest Koliqi shkroi e përktheu shumë, në prozë e poezi. Krijime poetike të tij janë “Gjurmët e stinëve”, “Simfonia e shqipeve”, “Kangjellat e Rilindjes” e shumë vjersha, botuar ndër revista të ndryshme.
Si kryevepra të tij poetike njihen “Ditë Shëngjergjash”; “Kova” e “Bijës sime”. Sidoqoftë majat e krijimit i arriti në prozën e mesme, duke i dhuruar letërsisë shqipe përmbledhjet me tregime e novela, ” Tregtar flamujsh” dhe “Hija Maleve”./topchannel/KultPlus.com
Në kuadër të edicionit të parë të programit “Të çelen Arkapijat”, në qytetin e Shkodrës dyert e familjeve Shurdha, Zekaj, Çekaj, Jubani e Markagjoni, shtëpi-monumente kulture të kategorisë i pritën vizitorë, që u njohën nga afër me pinjollët e familjeve dhe historitë e tyre familjare. Priti vizitorë edhe kisha e Shën Rrokut në Shirokë.
Grupe vizitorësh patën rastin të vizitonin nga afër për herë të parë disa nga këto shtëpi, që janë monumente kulture të kategorisë I. Nisëm me shtëpinë e familjes Shurdha, që trashëgimtari i saj i dha një përmasë të papërsëritshme çdo detaji. Dhoma-muze e kësaj shtëpie përbën në vetvete një pasuri historike të kësaj familjeje, përpos asaj arkitektonike. Vizita vijoi në familjen Zekja, e cila me fanatizëm ka ruajtur “odën e miqve”.
Pasditja ka vijuar në sarajet e Markagjonëve, një prej shtëpive legjendë të qytetit të Shkodrës. Vizitat janë mbyllur në shtëpinë e famijes Çeka, që, përpos historisë, të ofron edhe freskinë e saj, të menduar me aq kujdes nga të parët e kësaj familjeje. Këto shtëpi mbi 200-vjeçare, përtej peripecive gjatë dekadave, kanë ruajtur me fanatizëm atë çfarë është trashëguar në breza.
Disa nga elementet më tipike janë tavanet e varura me drunj të gdhendur, trapazani, musandra, oxhaku, muret e pikturuara etj. Falenderojmë familjen Çeka, Shurdha, Zekja dhe Markagjoni për mikpritjen, por mbi të gjitha gadishmërinë e treguar nga DRTK Shkodër, drejtuesen znj. Besara Podgorica dhe guiden arkeologun Helidon Sokoli.
Muzeu Historik i Shkodrës është monumenti i radhës i përfshirë në projektin “Të çelen arkapijat”, që synon të risjellë në vëmendje objekte të trashëgimisë kulturore.
Muzeu Historik i Shkodrës nisi të organizohet që në vitin 1947, nën emërtimin “Muzeu Popullor” dhe mori formë të plotë në vitin 1949. Ai u vendos në qendër të qytetit, në një ndërtesë monumentale të shekullit XIX, vlerat e së cilës ia shtonte “Kulla e Sahatit” pranë tij.
Fillimisht u ngrit mbi bazën e koleksioneve të vjetra të kuvendeve të Jezuitëve dhe Franceskanëve themeluar që nga fundi i shekullit të XIX, si dhe nga koleksionet e familjeve shkodrane.
Në vitin 1996, Muzeu Historik i Shkodrës u transferua në shtëpi karakteristike shkodrane që mban emrin “Oso Kuka” ku ndodhet edhe sot.
Ky muze përbëhet nga seksionet e etnografisë, arkeologjisë, artit pamor dhe bibliotekës. Si muze lokal, bën pjesë në rrjetin e institucioneve kulturore në vartësi të Bashkisë Shkodër.
“Të çelen arkapijat” është një projekt që sjell në kujtesën e qytetarëve shkodranë deriçkat që zakonisht gjendeshin në murin e kopshtit prapa shtëpive, e që shërbenin për t’u lidhur me fqinjët. Kjo traditë deri para disa dekadash mbante të lidhur njerëzit me njëri-tjetrin. Projekti synon të trokasë në portat shkodrane që t’u hapen të rinjve dhe fëmijëve dhe jo vetëm për të dëshmuar një trashëgimi kulturore që ështe ngulitur fort në shoqërinë tonë./atsh/KultPlus.com
Projekti “Të çelen arkapijat”, frymëzuar nga proza e Migjenit me të njëjtin titull, prezanton një tjetër banesë të vjetër të Shkodrës, si mundësi unike për të eksploruar dhe festuar trashëgiminë tonë kulturore.
Kësaj here është përzgjedhur banesa e familjes Çeka, Monument Kulture, Kategoria I, shpallur në vitin 1963. Banesa ruhet mjaft mirë, përsa i përket strukturës ndërtimore, ku spikasin elemente me vlerë historike, arkitektonike dhe artistike, në pjesën e brendshme dhe të jashtme të banesës.
Banesa e familjes Çeka, gëzon një strukturë solide 250-vjeçare, ndërtuar nga dy ushtarë dibranë, ku si në katin përdhes ashtu edhe në murin rrethues mbizotëron muri prej guri. Me stil oriental, kjo banesë ruan tre mjedise karakteristike me ornamente tradicionale, trapazan, musandër, sënduk paje, tavan i punuar prej druri, oxhak stolisur me ornamente dhe elemente të tjerë përbëres të mjedisit që i përkasin “odës së miqve” të periudhës së shek XVIII-XX. Ky projekt po zbatohet nga Shoqata M.I.R.A dhe mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në kuadër të thirrjes për mbështetje financiare të projekt-propozimeve në fushën art-kulturë-trashëgimi kulturore.
Projekti shihet si një kthim pas në historinë e qytetit të Shkodrës, në kohën kur nis emancipimi në shoqërinë shqiptare, në fillim-shekullin XX. Çelja e arkapijave shënon një kthesë për shoqërinë e kohës, ndryshim që synon lehtësimin e lidhjeve sociale dhe promovimin e lirisë së grave e vajzave.
“Të çelen arkapijat” është një projekt i shoqatës M.I.R.A, që sjell nga kujtesa në realitet disa nga dyert e familjeve shkodrane. Dyer që jo vetëm fshehin histori, por art, kulturë, trashëgimi, arkitekturë, qytetari, etj./atsh/KultPlus.com
Arkeologët shqiptarë dhe polakë kanë zbuluar gjurmë të reja dhe të dhëna për një qytet ilir në Bushat të Shkodrës.
Gërmimet u drejtuan nga Saimir Shpuza i Institutit të Arkeologjisë në Tiranë dhe Piotr Dyczek nga Universiteti i Varshavës në Poloni, në bashkëpunim me arkeologun e DRTK Shkodër, Helidon Sokoli.
Pas fushatave të mëparshme ku u zbuluan dy porta hyrëse të qytetit dhe u lejua të kuptohej shtrirja e tij, gërmimet e këtij viti janë përqendruar në qytetin e sipërm dhe kanë për qëllim zbulimin e organizimit të brendshëm të urbanistikës së këtij qyteti, shkruan “ATSH”.
Misioni kërkimor po nxjerr në dritë se kjo pjesë e qytetit të sipërm ka qenë e ndërtuar masivisht që në gjysmën e shek 4 (p.e.s), sipas datimeve paraprake.
Aktiviteti në terren ka për qëllim zbulimin e plotë të planimetrisë së këtyre ndërtimeve dhe më pas të arrijë të identifikojë rolin që ato kanë pasur.
Kërkimet shqiptaro-polake në Bushat janë parashikuar të vazhdojnë për disa vite, në përpjekje për të zbuluar sa më shumë nga forma dhe historia e këtij qyteti.
Falë bashkëpunimit mes Misionit Arkeologjik dhe DRTK Shkodër, po hartohet dosja teknike për shpalljen “Zonë e mbrojtur arkeologjike” A dhe B, duke plotësuar kështu hartën arkeologjike të arealit të Shkodrës edhe me një qytet antik dhe sit arkeologjik të vizitueshëm në të ardhmen.
Misioni shqiptaro-polak, i cili që nga viti 2011 hulumton në gjurmët e Shkodrës antike, ndër vite ka nxjerrë në dritë zbulime dhe artefakte të rëndësishme mbi shtrirjen e qytetit, urbanizimin e sistemin mbrojtës të qytetit në pjesën e ulët të tij./tema/KultPlus.com
Nga data 5 deri më 9 qershor, Shkodra do të mirëpresë edicionin e shtatë të festivalit të filmit “Ekrani i Artit” me vepra të videoartit, filmit të shkurtër e të gjatë, dokumentar e fiksion, punime nga artistë vendas dhe ndërkombëtarë që do të shfaqen në Kinema Republika, Art House, Galerinë e Arteve, Vendin e Dëshmisë e Kujtesës, Qendrën Rinore Arka, Auditorin Françeskan, Galerinë Oda dhe në Kalanë e Rozafës.
Nën titullin Solitude and Multitude filmat e edicionit të sivjetshëm eksplorojnë këto skaje të pandashme të ekzistencës njerëzore ku vetmia dhe shumësia, individi dhe komuniteti, thjeshtësia dhe kompleksiteti, intimiteti privat dhe dimensioni publik përvijohen mes nuancash, kalimesh e sfumaturash të panumërta.
Ndryshe nga vitet e tjera, një ekspozitë e kuruar nga Lek M.Gjeloshi e Zef Paci sjell në Galerinë e Arteve pesë artistë me instalacione video e audio, ndërsa Art House mirëpret të parën ekspozitë personale të artistes Nora Bzheta.
Në Art House do të zhvillohen gjatë ditëve të festivalit programe të ndryshme duke filluar nga “Personal narratives, family myths” të kuruar nga Sylvia Schedelbauer e duke vijuar me një përzgjedhje me videoart nga koleksioni i Fondacionit In Between Art Film të kuruar nga Edi Muka. Me 8 qershor do kemi një fokus në tre vepra video të William Kentridge nga koleksioni Moschini e Fischetti ndërsa të dielën me datë 9 një program me videoart shqiptar të kuruar nga Elsamina Musiq e Xhulian Millaj.
Ndërkohë Auditori Françeskan do të mirëpresë një program të sjellë nga Roland Sejko me nëntë filma të shkurtër të prodhuar nga nëntë regjisorë italianë ekskluzivisht me materiale të Arkivit të Instituto Luce në Romë. Programi mbledh filma nga Claudio Giovannesi, Alina Marazzi, Pietro Marcello e Sara Fgaier, Roland Sejko, Alice Rohrwacher, Giovanni Piperno, Marco Bonfanti, Paola Randi e Costanza Quatriglio. Te ky Auditor do të shfaqet ditën e diel me datë 9 edhe filmi i Eneos Çarka Another Day.
Në Vendin e Dëshmisë e Kujtesës, Santiago Sierra sjell videon e tij më të fundit The Maelström ndërsa Gentian Doda me grupin Was Bleibt Kollektiv prezantojnë filmin koreografik Gjurmë.
Qendra Rinore Arka do të mirëpresë për tre ditë shfaqjen e tre filmave të shkurtër që vijnë nga festivali i mirënjohur italian Concorto Film Festival. Të tre filmat, Night Shift, Sardine dhe Lovers ishin fitues të edicionit të vjetshëm të këtij festivali.
Dalja nga qyteti, që në dy vitet e fundit e kishte parë programin e festivalit të shpalosej buzë liqenit, këtë vit do t’i drejtohet Kalasë së Shkodrës me instalime video e projeksione fotografike nga Lek M.Gjeloshi e Sara Passerini dhe me projektimin në natën e datës 8 qershor të filmit të Wael Shawky, I am Hymns of the New Temples.
Kalaja e Shkodrës do të jetë për dy netë edhe arenë e një programi muzikor të përzgjedhur nga Rubin Beqo e Nita Deda, program i cili do përfshijë gjatë ditëve të festivalit edhe Bed Station si dhe hapësirat e ish Konsullatës italiane në Shkodër.
Qendra e festivalit mbetet Kinema Republika e cila mirëpret një seri me filma të gjatë e të shkurtër duke filluar me dy filmat e natës së hapjes nga Driant Zeneli e Roland Sejko e duke vazhduar me një program të kuruar nga Tea Paci ku përmendim filma nga regjisorë e artistë si Cecilia Vicuña, Noor Abed, Evi Gjoni, Hoda Taheri, Fabrizio Bellomo, Emilien Dubuc, Helena Wittmann, Vasilis Katsoupis, Bo Wang e Ilir Hasanaj.
Ky vit shënon edhe edicionin e tretë të punëtorisë së koordinuar nga Melisa Paci që sheh nxënësit e shkollave 9 vjeçare të dialogojnë me punën e një artisteje bashkëkohore. Këtë vit nxënësit e shkollave “Ismail Qemali” e “Miqësia”, kanë punuar për një periudhë gjashtë mujore në dialog me veprën e artistes Claudia Losi dhe punimet e tyre do të shfaqen në Galerinë Oda me datë 7 në ora 17.00.
Ish Konsullata Italiane në Shkodër do mirëpresë një program të kuruar nga Ajola Xoxa me tri vepra në video të Anri Salës, Anna Ehrenstein dhe Lek M. Gjeloshit.
Një seri bisedash e takimesh do të shoqërojne ditët e festivalit ku veçojmë prezantimin e Pavjonit shqiptar në Biennalen e Venecias me protagoniste artisten Iva Lulashi dhe kuratorin Antonio Grulli i cili do mbahet në Qendrën Rinore Arka me datë 6 Qershor, ora 16.00./ KultPlus.com
Ishte viti 1938. Ky vit shënonte 30-vjetorin e veprimtarisë si Ordinar Universiteti të Profesor Ernest Koliqit. Me këtë rast u botua edhe kjo foto në të përkohëshmen, “Përpjekja Shqiptare” që, sipas revistës “Shëjzat”, (10-12, 1969) përgjithmonë kujton takimin e katër poetëve, më të njohur të Shqipërisë të asaj kohe, dy breza letrarësh – dy nga jugu e dy nga veriu – At Gjergj Fishta, Asdreni, Lasgush Poradeci dhe Ernest Koliqi.
Ata kishin udhëtuar në Shkodër, të ftuar nga Ernest Koliqi me rastin e kujtimit të 30-vjetorit të tij si Ordinar Universiteti. Në revistën Shëjzat shënohet se me atë rast, poetët u pritën nga banorët e Shkodrës me, “shfaqje të nxheta simpatije e admirimi”, për ta dhe thuhet se para një numri jashtzakonisht të madh qytetarësh, të mbledhur në Sallën e Kinema Rozafat, Poeti Kombëtar At Gjergj Fishta u dha “mirëseardhjen dy poetëve toskë me nji fjalim të shkëlqyeshëm si Ai e kishte zanatë”.
Në revistën “Shëjzat” shënohet, shkurtimisht, në kujtim të kësaj fotografie, se asaj radhe Asdreni e Poradeci qëndruan në Shkodër për pesë ditë, kur edhe u muar kjo fotografi e ku paraqiten të bashkuar katër poetët më të njohur shqiptarë të asaj kohe, e të cilët njiheshin gjtihashtu si, “përfaqsuesit ma të cilësuem të Parnazit shqiptar”.
Ashtu siç shënohet edhe në fotografi, ajo është së pari botuar në të përkohëshmen e dalluar të asaj periudhe të historisë së Shqipërisë, “Përpjekja Shqiptare”, e që drejtohej nga “shkrimtari shumë me vlerë dhe nji njeri i pajisun me kulturë të gjanë historike e sociologjike, Branko Merzhani”, theksohet në shënimin e revistës “Shëjzat” të Ernest Koliqit.
Është kjo një fotografi historike që tregon përfaqësinë intelektuale më të denjë të Kombit shqiptar, por nepërmjet tyre tregon edhe unitetin kombëtar në fushën e gjuhës e të letërsisë, të politikës dhe të diplomacisë shqiptare të asaj kohe. Këta të katër përfaqsues unik të kombit shqiptar me të cilët do krenohej çdo popull i qytetëruar – Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, At Gjergj Fishta dhe Asdreni — shpesh janë cilësuar edhe si, “katër gur themelet e binasë sonë kombëtare, qytetnuese, letrare, politike dhe diplomatike.”
Vet Lasgush Poradeci në një analizë rreth jetës dhe veprës së At Gjergj Fishtës, e ka quajtur Poetin e Madh si “Shkëmb i Tokës dhe Shkëmb i Shpirtit Shqiptar”. Në një shkrim botuar tre muaj pasi kishte ndërruar jetë Gjergj Fishta, në Mars të vitit 1941, Lasgush Poradeci vlerëson lartë veprën dhe figurën e At Gjergj Fishtës. Ja një fragment të shkurtër nga vlerësimi i Poradecit, ndaj punës fetare dhe atdhetare të Fishtës:
“Gjithë vepra poetike dhe shoqërore e At Gjergj Fishtës u pat zhvilluar rreth postulatit fetar dhe kombëtar. Me të vërtetë, ku ka ide dhe ndjenjë më të madhe, më të denjëshme për t’a derdhur dhe kënduar në art, sesa ideja e Zotit, ideja e Atdheut! Këto thema Fishta i përlavduroj si artist dhe si njeri dyke realizuar të dy atributet e përjetëshme, luftonjësinë dhe mendonjësinë të besimit fetar ku ish kushtuar, të cilin ay e rrethonte përhera me fytyrën mistikërisht të adhuruar të Atdheut.
Thua se gjithë vepra e tij, në krye të së cilës dhe veçanërisht për sa po mirremi ne këtu përmi çdo tjetër konsiderim Lahuta është konceptuar dhe trajtuar nga një frymëzim i realitetit të prerë shqiptar. Shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar – ky është si të thesha monopolariteti gjenetik i artit të Fishtës, kështu do t’i thesha me dy krahasime paralele gjithë poezisë që na ka falur ky vigan i kombit: në të cilën duket sikur këndon ose lufton vëndi dhe jo fjala, dhe e cila duket sikur është mbërthyer ose shpërthyer prej tokës dhe jo prej fjalës.
Tashi jemi në Qëndrën e artit të tij. Një fjalë, një shprehje, na tërheqin përnjëheresh vërrejtjen t’onë. Sepse ajo fjalë s’ është fjalë po element, ajo shprehje s’ është shprehje po prapë element, element i pandarë dhe integrant i naturës që është Dhënësja e madhe e përjetëshme e frymëzimit të tij. Natura i jep Fishtës copa nga gjiri i saj, jo ekspresione. Dhe kur themi naturë duhet të kuptojmë gjithnjë Shqipërinë, ky është urdhëri i çasit dhe i ditës dhe i kohës dhe i jetës së At Gjergj Fishtës që domethënë jeta e Shqipërisë, e Atdheut të shkëmbshëm dhe të shtërgatshëm të burrave të dheut. Prej asaj shtërgate dhe mi ata shkëmbenj dhe përmi krye të kësij burrave këputen dhe përplasen shkrepjet e elementeve, të ndrydhura me vështirësi ndër prangat e gjuhës së hekurt, në lëndën e stilit fizik të Fishtës:
Fishta e ka veshur lirizmën e tij të vërtetë si tërë kryeveprën epike në një stil thelbësisht origjinal të shkulur për rrënje nga trupi dhe nga truri i racës, dyke fituar me këtë atavizmë artistike gjithë të drejtat e përjetësisë ndaj Kombit — anasjelltas dyke i dhënë Kombit privilegjin e mburrjes dhe të mbështetjes së kurdoherëshme mi Këngëtorin e math të fateve të tija. Sikundër e pat lënë shprehursisht për trashëgim me verbin solemn të gojës së vet përmes shokut të pandarë At Pal Dodajt dy ditë përpara vdekjes, të Premten më 27 Dhjetor 1940, ora 3.30′ pas mesdite, në Spitalin e Shtetit në Shkodër: trashëgim i shqiptuar për kuptim të math në gjuhën paralajmëronjëse dhe të djegur për Atdhe të Dantes: fundi i fundit, edhè Kombi ka të drejta mbi mua”, ka shkruar Poradeci për jetën dhe veprën e mikut të tij At Gjergj Fishtës.
Me këtë citim të Poradecit të amanetit të fundit të mikut të tij të shtrenjtë — dy të mëdhejve të Kombit — na lë të kuptohet se Fishta ishte i vetdijshëm për kontributin ndaj Atdheut dhe si i tillë mendonte se me të drejtë edhe Atdheu, anasjelltas, në fund të jetës së tij kishte të drejta mbi të, pasi me lapidarian që kishte lënë pas, ai tani i përkiste mbarë Kombit. Fati i keq e tragjik i At Gjergj Fishtës nën regjimin komunist të Enver Hoxhës dihet mirë, aq sa që as varri nuk i dihet dhe eshtrat ia kanë tretur, i cilësuar si “armik i popullit”, “tradhëtar” dhe “kolaboracionist”.
Po sot, pothuaj 30-vjet post-komunizëm në Shqipëri dhe në trojet shqiptare, cili është kujtimi dhe trajtimi i këtyre katër të mëdhëjve të Kombit, përfshirë mikun e ngushtë Lagush Poradecit, At Gjergj Fishtën, që në një libër dhuruar Poetit të madh kishte e cilësuar atë si, “Njeriun e Zotit meditans dhe militans, burrin shqiptar përfaqësonjës më të madhit epik të shekullit”.
Në këtë 80-vjetor, e botojmë këtë fotografi jo vetëm në shenjë kujtimi e falënderimi për punën e këtyre katër të mëdhejve të Kombit, por edhe si shpërblim fisnikërie ndaj këtyre dhe veprës së tyre të madhe ndaj Kombit dhe për trashëgiminë lënë pas, të shembullit të tyre të bashkpunimit vëllazëror për të mirën e Atdheut të përbashkët, dashurisë e miqësisë me njëri tjetrin, si shqiptarë të vërtetë — mbrojtës të mëdhej të Shqipërisë dhe të drejtave të shqiptarëve në trojet e veta shekullore. I kujtojmë edhe si përfaqsues të përjetëshëm të “fshehtësisë e forcës dhe të fuqisë së racës shqiptare, atavizma dhe dinamizma e gjakut shqiptar”, siç është shprehur, ndër të tjera, Lasgush Poradeci për At Gjergj Fishtën. /frankshkreliKultPlus.com
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër dha lajmin e mirë të rritjes së vizitueshmërisë së kalasë së Rozafës. Vetëm gjatë muajit prill ajo është vizituar prej më shumë se 12 mijë personash. Kjo shifër rezulton të jetë 3668 vizitorë më shumë se gjatë muajit prill të një viti më parë.
DRTK Shkodër fton vizitorët për një fundjavë të pasur me histori dhe një rrugëtim të mahnitshëm plot aventura të paharrueshme në gjirin e kalasë.
Në muajin mars të këtij viti kjo kala u vizitua nga 7025 vizitorë.
Investimet e kryera në kala e kanë kthyer atë në një atraksion turistik të vizitueshëm për turistët vendas dhe të huaj. Ata shfaqin interes edhe për muzeun, ku janë të ekspozuara objekte që i përkasin Antikitetit dhe Mesjetës, si dhe mozaikun romak të shek. IV pas Krishtit zbuluar në vitet ’78-79 në pjesën e poshtme të qytetit.
Kalaja e Rozafës është monument historik. Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatllinjve (shek. XVIII-XIX). E ndërtuar gjatë mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të besës legjendare./ atsh/ KultPlus.com
Në ditën ndërkombëtare të muzikës xhaz është mbajtur edicioni i 6 i “Suing Maratone”. Me veshje të viteve 1950 dhe muzikë xhaz, treni i linjës Vorë-Shkodër ka shënuar edhe këtë vit një festë ndryshe organizuar nga Hemingui Tirana.
Me veshje të viteve ‘50, njësoj si në filma bardhezi, me muzikë, kërcime e hare mbërriti në Shkodër treni që udhëtoi nga Tirana në ditën ndërkombëtare të muzikës Jazz….
Swing Maratonë zhvilloi edicionin e gjashtë të saj që është kthyer tashmë në një festë traditë. Të apasionuarit pas muzikës Jazz dhe stileve të veshjeve të para 80 viteve shijuan udhëtimin “Andrra N’Tren”…..
Festës ju bashkua edhe kreu i bashkisë Shkodër Benet Beci.
Në udhëtimin që zgjat rreth 5 orë me trenin e linjës Vorë-Shkodër, pjesëmarrësit nga e gjithë Shqipëria por edhe shumë të huaj festuan nën ritmet e muzikës dhe shijuan ndalesat gjatë rrugës. Përgjatë qytetit të shoqëruar nga banda muzikore mbërritën në pedonale …
Festa nën ritmet e muzikës Jazz vijoi deri në orët e vona ndërsa iu bashkuan edhe shumë qytetarë shkodran që shijuan maratonën e Jazzit organizuar për të gjashtin vit nga Hemingëay Tirana./balkanweb/KultPlus.com
Nëse në rajonin e Shkodrës, atë fushor dhe bregliqenor, ka një fshat që dallon për nga vendndodhja dhe organizimi i tij, ai është fshati Zogaj.
Vlera arkitektonike dhe mënyra e urbanizimit të fshatit, mbetet karakteristik, pasi thuajse çdo 30-50 metra nga rruga kryesore, ngrihen rrugica të tëra që gjarpërojnë rrëzë malit, për të kapur edhe shtëpinë më të largët në mal.
DRTK Shkodër thotë se, këto rrugica të ngushta, ndërtuar në gurë dhe rrethuar me avlli të ulta po në gurë, mirëmbahen çdo ditë nga banorët e fshatit, ndaj janë përherë të pastra dhe plot lule shumëngjyrëshe, si pjesë e traditës së Zogajt.
Rrugicat e kalldrëmta, ndërtuar shekuj më parë, pa ardhur rruga e makinës zbrisnin deri në bregun e liqenit. Ato kujtohen me shumë nostalgji e dashuri ndër breza, duke e sjellë të freskët kujtimin e tyre deri në ditët e sotme.
Zogaj gjendet 3-4 km përtej Shirokës dhe është i njohur për peshkimin, bimët mjekësore e klimën alpine.
Ky fshat kufizohet nga veriu me liqenin e Shkodrës, nga jugu me malin e Taraboshit, nga lindja me lumin Buna dhe nga perëndimi me kufirin shtetëror me Malin e Zi.
Zogaj është i njohur si një fshat i vjetër peshkimi dhe së bashku me Shirokën janë ndër zonat më të bukura të Shqipërisë së Veriut. Kjo zonë shquhet edhe për prodhimin e qilimave tradicionalë, traditë e cila vijon të ruhet me fanatizëm nga gratë e zonës. Punimet me endje me kalimin e viteve janë kthyer në të preferuar nga turistët./atsh/KultPlus.com
Bashkia e Shkodrës nisi zbatimin e projektit për rivitalizimin kulturor të hapësirave publike.
Lajmin e bëri të ditur kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci i cili postoi në rrjetet sociale elementin e parë të vendosur në rrugë.
“Kemi nisur zbatimin e një projekti kompleks si “Rivitalizimi Kulturor i Hapësirave Publike”. Është vendosur elementi i parë kompozues, një “prekje artistike”, e kuruar me kujdes dhe e instaluar nga skulptori Petrit Bilali dhe disa studentë të departamentit të arteve, Shkodër”, u shpreh Beci.
Sipas tij, ky është vetëm hapi i parë i zbatimit të këtij projekti që i kthen hapësirat publike në hapësira kulturore./KultPlus.com
Një pasuri arkeologjike e zonës së Shkodrës është dhe Fortifikimi i Marshejt.
Fortifikimi prehistorik gjendet në fshatin me të njëjtin emër e ngrihet në një kodër shkëmbore, ku rrëzë së cilës gjarpëron dhe kanioni i Përroit të Thatë, i cili me shtratin e tij të thellë dhe brinjët vertikale, përbën një mbrojtje natyrore për vendbanimin.
Në majën e kodrës ruhen gjurmët e një muri prehistorik, që e rrethonte atë nga të gjitha anët, duke krijuar një planimetri eliptike. Pikërisht këtu ruhet ende një segment muri prej rreth 150 metrash, me trashësi prej 2,70 metrash dhe në një lartësi prej rreth 1 metri. Përbëhet nga dy faqe të ndërtuara me gurë të papunuar, të vendosur pa rregull. Brendësia është mbushur me gurë më të vegjël dhe çakull të trashë. DRTK Shkodër shprehet se për nga teknika e ndërtimit, Fortifikimi i Marshejt duket më primitive se muret e vendbanimit të Gajtanit./ atsh / KultPlus.com
Pas 30 vitesh mungesë, Shkodra, do të riktheje Festivalin Mbarëkombëtar të Humorit.
Puna ka nisur për përzgjedhjen e talenteve të reja në të gjitha qytetet e Shqipërisë, ndërsa pjese e trupës së humorit do të jenë edhe shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Diasporës.
Drejtori Arian Çuliqi, thotë se rikthimi i këtij aktiviteti madhor synon krijimin e një trupe të re humorit mbarëkombëtar që do të jetë e ardhmja.
Festivali i konceptuar si një festë e madhe humori, në muajin maj, nuk do të zhvillohet vetëm në skenën e teatrit, por do të shtrihet në të gjithë qytetin. Pjese e këtij aktiviteti do të jenë edhe “Mjeshtrat e Mëdhenj” të humorit shqiptar. /Top Channel /KultPlus.com
Numri i lartë i turistëve që vizituan Shqipërinë u reflektua në të gjitha muzetë dhe uebsajtet arkeologjike të cilat pritën shifra rekord vizitorësh.
Muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” në Shkodër e vlerëson vitin që lamë pas si më të suksesshmin që nga ndërtimi i këtij muzeu .
Drejtuesi Luçian Bedeni tha se mbi 18-të mijë turistë vizituan muzeun, shifër kjo më e larta e regjistruar ndonjëherë. Risi këtë vit është shtimi i numrit të rinjve të cilët vizituan muzeun.
Nëse viti 2023 u mbyll me shumë sukses, viti ri 2024 premton shumë surpriza për dashamirësit e fotografisë të cilët do kenë mundësinë të shijojnë koleksione të famshme ndërkombëtare duke e renditur kështu muzeun e vetëm kombëtar të fotografisë në vend mes muzeve më të rëndësishëm në Evropë./euronewsalbania/KultPlus.com