Pas 8 vitesh, ndriçohet Kalaja e Rozafës në Shkodër

Pas 8 vitesh errësirë Kalasë së Rozafës në Shkodër i rikthehet ndriçimi.

Ndriçimi i kalasë u bë i mundur nga Ministria e Kulturës, që parashikon investimin në 14 kala, mes tyre edhe në atë të Shkodrës. Falë këtij projekti janë ndriçuar ambientet e brendshme dhe të jashtme të kalasë së Shkodrës.

Prefektura e Shkodrës publikoi sot pamje nga kalaja e ndriçuar, ndërsa thekson se “rikualifikimi i kalasë së Rozafatit, përmes lojës së dritave, do ta kthejë atë në një atraksion turistik, të vizitueshëm për turistët vendas dhe të huaj edhe në mbrëmje”.Kështjella Rozafa po i kthehet qytetit, si një piknisje për rijetëzimin e kulturës dhe sinergjisëKalaja e Rozafës është monumenti historik më antik.

Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatlinjve (shek. XVIII-XIX). E ndërtuar gjatë Mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të Besës legjendare. /atsh/ KultPlus.com

Muzeu ‘Marubi’, një ndër 50-të muzetë evropianë më inovatorë të katër dekadave të fundit

“Revisiting Museums of Influence. Four decedes of Innovation and Public Quality in European Museum”, ka prezantuar së fundmi portretet e 50 muzeve europianë që kanë sjellë inovacionin, për nga trashëgimia dhe cilësia e ofertës kulturore përgjatë 40 viteve të fundit.

Pjesë e këtij klasifikimi, ishte dhe ‘Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi’.

Në këtë klasifikim ishin disa nga muzetë europianë më të njohur, si Rijksmuseum, Hollandë; MuCEM- Museum of European and Mediterranean Civilizations, Francë; The British Galleries at the Victoria and Albert Museum, Britani e Madhe; Museum of Broken Relationships, Kroaci; War Childhood Museum, Bosnjë dhe Hercegovinë.

Kujtojmë se ky muze fotografik, mban një koleksion prej më shumë se pesëqindmijë negativësh që shtrihen nga gjysma e dytë e shekullit të nëntëmbëdhjetë, e deri në fundin e shekullit njëzet.

Muzeu “Marubi” priti në 2019 më shumë se 16 mijë vizitorë, ku çdo vit e më shumë është kthyer në një pikë kryesore për turistët vendas por dhe ata të huaj.

Në lidhje me këtë klasifikim, reagoi edhe stafi i  Muzeut “Marubi”, në rrjetin social Facebook ku u shprehën ndër të tjera se ndihen mjaft të motivuar nga ky klasifikim:

“Vlerësime të tilla na shtyjnë së pari të falenderojmë stafin, bashkëpunëtorët, miqtë e muzeut, vizitorët vendas e të huaj të cilët shpesh kanë ndarë me ne edhe përshtypjet e tyre, gjë që na ka ndihmuar edhe në cilësinë e shërbimeve të ofruara.

Kjo na motivon çdo ditë e më shumë të jemi më pranë komunitetit artdashës e po ashtu një publiku të ri, të apasionuar e të vëmendshëm ndaj trashëgimisë kulturore të lënë nga brezat e që transmetohet sot përmes formave inovative e bashkëkohore.

Ju faleminderit e shihemi te Marubi “, shkruhet ndër të tjera, në faqen zyrtare të Marubit në Facebook. / KultPlus.com

133 vite nga lindja e Anton Harapit, atdhetarit dhe shkrimtarit të shquar shqiptar

133 vite më parë lindi frati françeskan, filozofi, mësuesi, sociologu, mendimtari, shkrimtari dhe politikani shqiptar, Anton Harapi. Lindi në Shirokë të Shkodrës.

Shkollën fillore e kreu në kolegjin e jezuitëve.

Rezultatet e larta në shkollë i mundësuan të vijojë klasat e larta në Salzburg, e mandej në Shvaz të Tirolit të Austrisë. Studimet teologjike i kreu në Romë. Më 1910 kthehet në atdhe dhe shugurohet meshtar duke përmbushur kushtet e fundit të Urdhrit Françeskan. Gjatë tetorit të vitit 1912 deri në prill 1913 kur Shkodra qe e rrethuar nga trupat malazeze e serbe, i përkushtohet shërbesave fetare dhe njerëzore në kishën “Zoja Rruzare” në Arrën e Madhe në Shkodër, ku ishte edhe Kuvendi Françeskan.

Gjatë kohës së takimeve që i paraprinë pavarësisë së Shqipërisë kërkohet nga nëpunësit e Ministrisë së Jashtme të Perandorisë Austro-Hungareze si përkthyes gjatë bisedimeve që u zhvilluan mes kontit Berthold dhe Ismail Qemal bej Vlorës, në mungesë morën, David Pepën. Më 6 ose 8 qershor 1945 arrestohet dhe me vendim të datës 19 shkurt 1946 të Gjykatës speciale në Tiranë, Antoni Harapi është shpallur si kriminel lufte dhe armik i popullit. U dënua me pushkatim dhe u ekzekutua. Nuk dihet vendi ku iu varros trupi.

Atë Anton Harapi shkroi veprat “Andrra e Pretashit”, “Vlerë shpirtnore”, “Shqiptari dhe bota e tij” dhe “Valë mbi valë”. / KulPlus.com

Arti kumanovar merr banim përmes një ekspozite në Galerinë Oda në Shkodër

Medina Pasoma

Frymëzimeve të 5 artistëve nga Kumanova, Shkodra ia hapi dyert nëpërmjet Galerisë Oda. Syri i publikut u ndesh me veprat artistike të ekspozitës  “Arti kumanovar në Odën Shkodrane” pikërisht në ditën e 28 Nëntorit, për të bindur edhe njëherë unifikimin që ka krijuar arti ndër vite dhe vazhdon ta bëj edhe sot, shkruan KultPlus.

Përderisa pandemia ndikoi në zbehjen e jetës në shumë drejtime, krijimtaria artistike i fali gjallëri shkodranëve për kremtimin e Ditës së Pavarësisë. Jo rastësisht u zgjodh kjo datë, e që nëpërmjet punës së Osman Demirit, Elita Halitit, Armend Ademit, Ardian Kadrijës dhe Dali Alilit u arrit bashkimi i dy qyteteve shqiptare.

Botëkuptimet dhe krijimtaria e këtyre 3 piktorëve dhe 2 fotografëve u shpalosën në forma të ndryshme të shprehjes artistike, duke lënë shenja autoriale në pikturë, skulpturë dhe fotografi.

Pronarja e Galerisë Oda, Rozafa Shpuza në hapjen e kësaj ekspozite u shpreh se ndjehej e lumtur që u bë nikoqir i artit të kumanovarëve.

“Edhe në këto kushte pandemie ne menduam të festojmë me art. Nuk ka kurrgjo ma të mirë se arti për me i ngroh shpirtrat, e Shkodrës ia shtuan një vlerë nëpërmjet ekspozitës në Galerinë Oda”, u shpreh Shpuza.

Në anën tjetër KultPlus ka zhvilluar një intervistë me Vlora Demirin, e cila përtej të qënurit një kritike e artit, është kujdesur edhe për prezantimin e artistëve dhe tekstin e katalogut të ekspozitës “Arti kumanovar në Odën Shkodrane”.

Demiri vlerëson se këta 5 artistë ishin dëshmi se as ky vit ‘i brishtë’ nuk arriti t’i mposht artistët dhe fuqinë e veprave të tyre, të cilat sipas saj gjetën “prehje” në Galerinë Oda.

“Interesi i publikut shkodran dhe më gjerë ndaj kësaj ekspozite bëri të ditur që pavarësisht çdo rrethane, nëntori vazhdon të mbetet muaji që i zhduk kufijtë fizik dhe shpirtërorë në mes trojeve shqiptare dhe shqiptarëve anembanë botës dhe se arti është e vetmja ikje e pastër nga ky realitet”, theksoi Demiri.

Vlora vazhdon tutje të thotë se arti është liri, në të cilin çdo artist e gjen veten e tij. Për të arritur deri te kjo gjetje mjafton të ekzistoj dëshira dhe qasja shpirtërore e artistit.  Ndërkaq ajo vlerëson se këta artistë nga Kumanova e Maqedonisë së Veriut e kanë arritur këtë nivel, e sidomos duke ardhur me forma të ndryshme artistike.

“Ndryshimi i shprehjes artistike tek këta artistë shkrifet dhe kthehet në një masë homogjene në momentin që ne ngelim ballë përballë me qëllimin e tyre. Secili u përfaqësua me nga një vepër dhe fakti se çdo njëri nga artistët erdhi me një triptik, na bën të kuptojmë që janë copëzat, ato të cilat krijojnë një tërësi. Dhe ky është dhe mesazhi kryesor i kësaj ekspozite”, shprehet Demiri.

Vlora Demiri beson se në periudha të ndryshme kohore arti ka promovuar gjenialitetin e kohës, e që shumë shpesh ka ekzistuar censura, duke i robëruar autorët që të mos kenë liri shprehëse. Ndërkaq pikërisht arti bashkëkohor, ia mundësoi krijuesve të shprehen ashtu siç vetë dëshirojnë, e që e tillë është edhe ekspozita “Arti kumanovar në Odën Shkodrane”.

“E bukura e kësaj ekspozite është që del nga ato që jemi mësuar t’i shohim dhe pavarësisht mënyrës së shprehjes vë pikën në qëllimin dhe mesazhin e artistëve dhe jo në mënyrën se si ata kanë ardhur deri tek ky qëllim”, shpjegoi Demiri.

Ashtu siç dallon njeriu nga njeriu, njësoj dallon edhe forma individuale e shprehjes artistike. Mirëpo, bashkimin e 5 artistëve që secili ka veçantitë e veta, Vlora Demiri dëshiron t’i sheh me një sy unifikues, ashtu edhe siç kanë ardhur në një ekspozitë të vetme.

“Kam përshtypjen që do të ishte shumë më e denjë t’i shohim në tërësi dhe jo të ndarë. Edhe fotografia e Osman Demirit dhe Dali Alilit, edhe pikturat e Elita Haliti dhe Armend Ademit, por dhe skulptura e Adrijan Kadrijës janë lutje me të cilën autorët i drejtohen shikuesit për të rindjerë dhimbjen e patologjisë tonë kolektive si popull”, vlerëson Demiri

Tutje, ajo vazhdon të besoj se e veçanta e këtyre 5 krijuesve mbetet te ikja e tyre nga shprehja narrative që zakonisht bëhet për të shënuar data të caktuara, madje edhe se nëpërmjet gjuhës së fuqishme të artit ata mishërojnë realitetin dhe problemet me veprat e tyre.

“Në veprat e tyre nuk u jepet vend datave, personaliteteve dhe ngjarjeve konkrete të historisë, por ata shpalosin hapësirat që duhet mbushur, të mbetura në mes kronologjisë së arritjeve tona si popull”, thekson Demiri.

Vlora tutje shprehet se këto vepra janë thirrje ndaj publikut që të dalin “nga vegimi i dalldisur që zakonisht e shohim në këto data të veçanta dhe të kthehemi nga e ardhmja dhe të veprojmë për të”.

“Me një qasje konceptuale dhe me një shprehje bashkëkohore ata arrijnë të shtjellojnë problemet qindra vjeçare të popullit tonë”, vlerëson ajo.

Vlora e ndërlidh edhe vendin ku është shfaqur kjo ekspozitë me simbolikën e emërtimit përgjatë historisë. Kështu ajo krijon udhëkryqe mes odave shqiptare dhe Galerisë Oda.

“Kjo odë shkodrane ishte pikërisht ajo ku përsëri u shpalosen dhe ‘u diskutuan’ problemet më me zë të popullit tonë. Kumanova respektoi mikpritësen me një art të denjë ashtu siç e meriton një vend si Shkodra, i njohur për mikpritjen e saj”, sqaron Demiri.

Për Vlorën kjo ekspozitë mbetet një tentative dhe lutje për bashkim si dhe një pasqyrë e gjendjes popullore.

“Është pikërisht kjo qasje e sinqertë e artistëve ajo që i bën ata të veçantë në përzgjedhjen e ekspozimit të këtyre problemeve, pikërisht në këtë datë kaq të rëndësishme për ne”, sqaron Demiri.

Ekspozita “Arti kumanovar në Odën Shkodrane” do të mbetet e hapur për një muaj për artdashësit shkodran në Galerinë Oda. / KultPlus.com

Vermoshi, mrekullia e natyrës së Malësisë së Madhe

Vermoshi, 100 km nga qyteti i Shkodrës në një lartësi prej 1100 metra mbi nivelin e detit, është kthyer në  një prej destinacionet e reja turistike alpine.

Kryeministri i Shqipërise, Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me pamje nga ky fshat turistik, ku investimet e qeverisë shqiptare dhe ato private do ta kthejnë këtë mrekulli të natyrës së Malësisë së Madhe në një destinacion europian gjatë kësaj dekade.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje që s’janë as në Zvicër as në Austri, po në Vermoshin ku nisma jonë zhvillimore e projekti tanimë i përfunduar i Qendrës Turistike të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ka nxitur investime e plane private që do ta kthejnë këtë mrekulli të natyrës së Malësisë së Madhe në një destinacion europian gjatë kësaj dekade, ju uroj një fundjavë të bukur”, – tha Rama. 

Kryeministri Rama shprehet se “mësova se këtë perlë e kanë bërë duart e katër djemve punëtorë të zonës, dy sipërmarrës të talentuar e dy emigrantë të kthyer nga jashtë, të cilët mezi po pres t’i takoj e t’u përulem me admirim e respekt për shijen, cilësinë dhe shembullin fantastik të kësaj pune të mrekullueshme që është edhe një pasqyrë kuptimplotë për dembelat, qaramanët e kukuvajkat e Shqipërisë së klubeve politike, mediatike e internetike”.

Vermoshi gjendet në një distancë prej gati 100 km nga qyteti i Shkodrës në një lartësi prej 1100 metra mbi nivelin e detit. Është fshati më i madh i Alpeve të Shqipërisë. / KultPlus.com

Shkodres i jepet za me edicionin e katërt të Zâ Fest (VIDEO)

Vlerat shqiptare që shkojnë krah për krah me artin, kulturën dhe traditën u shfaqen edhe këtë vit në edicionin e katërt të Zâ Fest. Ky edicion që sonte pati premierën e formatit online sot, do të ketë edhe netë të tjera me muzikë, poezi por edhe aktivitete të ndryshme, shkruan KultPlus.

Në natën e parë të edicionit të katërt, Zâ Fest udhëtoi në Kalanë e Rozafës në Shkodër ku performuan Vlashent Sata, Ilire Vinca, grupi muzikor Sytë dhe Shkodra Elekronike.

Në njoftimin e bërë nga organizatorët thuhej se kjo natë do t’ju bëjë të shijoni muzikën dhe traditën shqiptare ashtu siç nuk i keni parë ndonjëherë.

KultPlus ju sjellë videon e plotë të natës së parë të Zâ Fest./ KultPlus.com

Boga, pikënisje e turizmit të aventurës mes alpeve shqiptare

Në kuadër të motos “Udhëto Shqip, Pusho Shqip”, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka sugjeruar Bogën, që ndodhet në zonën e Shkodrës, në aksin rrugor që të drejton drejt Thethit.

Ministri nënvizon se për të apasionuarit e turizmit malor, Boga është një domosdoshmëri. “Qetësi, ajër i pastër dhe male të larta përreth që të mbushin zemrën. Boga është një domosdoshmëri për ata që preferojnë turizmin malor. Pak kilometra më tej mund të gjeni një ndër panoramat më fantastike të veriut, në Qafë-Thorë”, – thekson Klosi.

Boga nga Tirana është 149 kilometra dhe realizohet për rreth dy orë rrugë me autoveturë. Ndërkohë nga qendra e Shkodrës, Boga është 47 kilometra dhe realizohet për 58 minuta. Për të apasionuarit e malit, Boga është një pikënisje e aventurës mes Alpeve shqiptare, të cilat fshehin në gjirin e tyre shtigje magjike, që mbeten për t’u zbuluar nga turistët.

Në trojet e Bogës janë gjetur dëshmi arkeologjike të vendbanimeve të hershme ilire, sipas të dhënave rezultojnë të kohës romake dhe datojnë nga fundi i shekullit II – shekullin III pas lindjes së Krishtit.

Lugina e Bogës është me origjinë akullnajore. Kjo luginë ka formën e një rrethi ku malet që e rrethojnë formojnë kolona me lartësi mbi 2000 metra. Nga malet që e rrethojnë, kur shkon për në Bogë, nga e djathta shtrihet maja e Rabës, e cila ndodhet 2 222 metra mbi nivelin e detit, vazhdon më tej me malin e Çardakut 2 250 metra mbi nivelin e detit dhe me majën e Shtegut 2 083 metra mbi nivelin e detit, ku lidhet me malin e Radohinës dhe me malin e Arapit që e ndajnë nga lugina e Thethit, ndërsa në krahun e majtë, shtrihen Mali i Pultinzes, më pas mali i Dragomirit, mali i Bridashës e pastaj maja e Vuklin ku lidhet me Radohinën.

Boga, për arsye të karstit, ka shumë shpella dhe galeri nëntokësore të cilat i plotësojnë kërkesat e eksploratorëve të ndryshëm duke ia shtuar kështu vlerat turistike kësaj zone. Boga dhe zonat përreth, shquhen në fushën e prodhimeve blegtorale, të artizanatit, të prodhimeve artistike me dru me karakter kombëtar, të cilat e pasurojnë dhe e bëjnë më të larmishme tregun e produktit turistik të kësaj zone. Po ashtu popullsia e kësaj zone trashëgon traditat më të mira shqiptare si, mikpritjen, besnikërinë, bujarinë dhe vlera të shumta morale.

Në Bogë është e mundur të zhvillohen sporte siç është alpinizmi i cili mund të aplikohet me ngjitje në majat që janë përreth kësaj zone. Larmia e relievit krijon mundësi për ngjitje alpine të kategorive të ndryshme si për fillestarë ashtu edhe për profesionistë. Po ashtu në këtë zonë mund të zhvillohen: gara ose ecje me kuaj (hipizëm), shëtitje me biçikleta… etj.

Boga ofron mjaft interes edhe për turizmin e vëzhgimit. Kjo zonë ofron interes të veçantë gjithashtu edhe për zoologët, sepse numri i shpendëve dhe i kafshëve të egra është mjaft i madh si në lloje, ashtu edhe në sasi.

Duke qenë se në afërsi të kësaj zone ndodhen edhe pika të tjera turistike, siç janë ato të Razmës dhe Thethit, ndërthurja e këtij destinacioni me zonat përreth në paketat turistike, përbën një mundësi më shumë për zhvillimin e turizmit. /atsh/ KultPlus.com

Vaskat e gurit në Ndërlysaj të Thethit, skulpturë e vërtetë natyrore

Thethi, i ndodhur në zemër të Alpeve 70 km larg nga Shkodra, po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e të apasionuarve pas natyrës.

Në Theth turistët mahniten me bukuritë natyrore të bjeshkëve të veriut, të cilin e zgjedhin për të kaluar disa ditë pushimi larg zhurmave të qytetit dhe përditshmërisë.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, publikoi sot pamje nga Vaskat në Ndërlysaj, Theth, të cilat nuk mungojnë në itenerarin e turistëve që vizitojnë këtë fshat malor.

Vaskat e Ndërlysaj ndodhen në fshatin me të njëjtin emër, 8 km larg Thethit.

Aktiviteti gërryes i ujit dhe gurët gëlqerorë kanë formuar një pamje të jashtëzakonshme dhe vende-vende edhe vaska uji.

Gjatë rrugës për te vaskat janë vendosur edhe punime druri vende për të pushuar, në mënyrë që vizitorët ta shijonin sa më shumë atë ujëvarë të vogël të Lumit të Zi dhe syrin si pus që ai formon.

Vaskat e gurit në Ndërlysë janë formacione shkëmbore të krijuara nga prurjet e bollshme të ujit të lumit të zi që zbret nga fshati Kaprre. Në fshatin Kaprre ky ujë krijon Syrin e Kaltër, një bukuri e natyrës që mahnit çdo vizitor.

Pamja e tyre është mjaft interesante dhe e bukur, pasi ka forma shumë të ndryshme e të veçanta. Në pjesën më të madhe janë të lëmuara dhe të rrumbullakëta dhe ngjasojnë si vaska të punuara nga një artist me shije perfekte. Gjatë periudhës së sezonit veror ato shfrytëzohen edhe për t’u freskuar nga vizitorët e shumtë të tyre.

Këto masive shkëmbore me bukuri përrallore shoqërohen edhe me një pishinë natyrore me ujë të kristalte ku mund të bëni edhe plazh nën urën më të bukur që bashkon dy shkëmbinjtë e malit mbi pishinën ku aventurierët mund të hidhen për t’u larë.

Vaskat janë formacione shkëmbore të rralla. Ato rrethohen nga vargmalet e gjelbëruara dhe lagen pa pushim nga ujërat e rrëmbyer të lumit dhe përrenjve të shkrirë nga bora. Mahnitesh nga format e shumta dhe të parregullta gjeometrike.

Ato janë gdhendur në shekuj nga stërkalat e ujërave shkëmborë. Faqet e vaskave natyrale janë të lëmuara dhe shpesh gjatë muajve të nxehtë janë pishinat ideale për të freskuar trupin. Kujdes! Vaskat nuk janë të përshtatshme për fëmijët e pashoqëruar nga prindërit!

Gurët e stërmëdhenj janë kryesisht të bardhë, por dallohet në damarët e tyre edhe një tonalitet i lehtë rozë që u jep pamje edhe më të bukur. Vaskat ngrihen mbi një luginë të gjatë, thuajse të zhveshur në shtrat dhe rrethuar nga bimësi e ulët në krahët malorë. Gdhendja që u ka bërë gërryerja e ujërave të borës është e pabesueshme, i ngjan një monumenti gjigand të skalitur prej shumë skulptorëve njëherësh.

Lugina e lartë e Thethit, një nga zonat më të veçanta të këtyre alpeve, ndodhet 750 deri 950 m mbi nivelin e detit, me një sipërfaqe prej 2630 hektarësh e pyllëzuar dhe e ruajtur mirë nga dëmtimet./atsh/ KultPlus.com

Viti 1845, kur Shkodra blinte 28 piano e 30 violina

Për Sazet (si një nga formacionet muzikore popullore më të spikatura të fundshekullit XIX dhe shek. XX), për sazexhinjtë, shairët, takëmet është folur shumë dhe është shkruar pak, gjë që megjithëse e çuditshme në dukje, është më se e vërtetë.

Tek Sazet, mund të mendohet fare lehtë se përmasa artistike që ato projektojnë mund të jetë e ngjashme me një hapësirë që mund të vrojtohet shpejt e shpejt, e që për më tepër, mund të zhbirohet deri në fund. Mendoj se nuk është kaq e lehtë.

Sazet lindën për të mbajtur dhe për të trashëguar më tej një formulë unikale qindravjeçare të etnogjenezës sonë muzikore: polifoninë popullore “a capella” me iso, me në qendër korin.
Polifonia me iso ose Iso-polifonia, shfaqet si marrëdhënie e mirëstrukturuar mes zërave individualë polifonikë me zërin kolektiv-koral të ISO-s.

Zërat e përveçëm të iso-polifonisë: marrësi-zëri i parë, kthyesi-zëri i dytë dhe isoja si një sinonim i së tërës, i së përgjithshmes, ekzistojnë vetëm si një unitet të kundërtash, të cilat mbivendosen mbi një shtrat pranimi të shumicës, që është isoja anonime. Për këtë natyrë marrëdhëniesh, Ismail Kadare shkruan se:….në këngën polifonike popullore shkrirja, komunikimi, derdhja e individit në kolektive dhe anasjelltas, vërshimi i kolektivit tek individi, arrijnë pikën më të lartë.

Këndimi iso-polifonik është pasqyrim i organizimit shoqëror të jetës njerëzore dhe sigurisht i pluralizmit të të menduarit në të. Në këtë model demokratik të sjelljes, askush nuk duhet të pretendojë hierarki të njërit funksion ndaj tjetrit, ose të pretendojë se mund të ketë një realitet tjetër pa unitetin e të gjithë faktorëve.

Sazet si një fenomen urban i lidhur me gjuhën muzikore të qyteteve, erdhën natyrshëm në zhvillimet e folklorit muzikor isopolifonik për të luajtur një nga rolet më të rëndësishme në ruajtjen, propagandimin dhe zhvillimin e traditës muzikore popullore nga fundi i shek. XIX e deri në ditët tona.
Muzika popullore me saze e Shqipërisë së Jugut, vërehet në rrafshin gjeografik ku përfshihet pothuajse e gjithë pjesa jugore e vendit. Në pikëpamje etnokulturore në këtë rrafsh gjeografik dallohen dy zona të mëdha etnografike: Toskëria dhe Labëria. Gjysma jugore e këtij vendi në lashtësi quhej Epir, kurse veriorja quhej Iliri dhe se kufiri i toskërisë me gegërinë kalon nëpër lumin Shkumbin. Në këndvështrimin e sotëm të ndarjes së mirëfilltë administrative, në to bëjnë pjesë rrethet e Sarandës, Delvinës, Gjirokastrës, Përmetit, Tepelenës, Mallakastrës, Fierit, Skraparit, Beratit, Kuçovës, Lushnjës, Vlorës, Kolonjës, Korçës, Devollit, Pogradecit, Gramshit dhe Librazhdit.

Formimi i Sazeve në tërësinë gjeo-etnomuzikore jugore u bë në kohë dhe në vende të ndryshme, megjithatë jeta publike e sazeve dhe përhapja e tyre nisi aty nga fundi i shek. XIX dhe fillimi i shek. XX. Ajo çka evidentohet nga thelbi i Sazeve (në pjesën më të madhe të tyre), është se ato lindën dhe u formuan brenda së njëjtës njësi: familjes.

Si bija besnike të një organizmi të vetëm, ato përsëritën traditën e shkuar të formacioneve tradicionale, të cilat organizoheshin së bashku në bazë farefisnie e më tej. Brenda një kohe relativisht të shkurtër u gjet mënyra, e cila përcaktoi strukturën e Sazeve në të ardhmen.
E perceptuar jo vetëm si zgjidhje teknike, ajo konsistoi në zëvendësimin e veglave tradicionale me ato të temperuara dhe në implementimin e strukturës së këndimit iso-polifonik vokal “a capella”, tash e prapa përmes veglave të temperuara, proces i cili përfundoi me krijimin e formacionit të Sazeve, formacioni bazë i muzikës popullore të qyteteve tona jugore. Përpara se vendet të “ndërroheshin” (kavalli-fyelli me klarinetën, lodërtia me dajren, e veçanërisht koncepti i lojës së tyre), gjatë periudhës së bashkekzistencës, si fazë e parë e ndërrimit të roleve u bë huazimi i repertorit tradicional, ku doli në pah prirja për huazim të repertorit të mirëfilltë muzikor me vegla të fshatit.

Vetëkuptohet që kjo vinte edhe si një nevojë normale e banuesit të qytetit shqiptar të Rilindjes e këtej, i cili, kryesisht, ishte i lidhur pazgjidhshmërisht me fshatin e origjinës së tij dhe me traditat e zonës përreth. Në kushtet kur qyteti “i ri” shqiptar po ecte përkrah jetës moderne, ende nuk ishte formuar një kulturë tjetër, si të thuash, bashkëkohore, e cila të kënaqte shijet e tij, por dhe t’i bënte ballë traditës qindravjeçare të kulturës muzikore-folklorike të fshatit. Kështu që ky reaksion zinxhir, nga tradita e fshatit deri tek Sazet, provoi në një aspekt njësinë e traditës së kulturës muzikore popullore jugore.

Muzika e qyteteve që shtrihen brenda zonave etnomuzikore të Toskërisë dhe Labërisë, ruan lidhje të ndjeshme me muzikën fshatare. Këtu përfshihen pothuajse të gjitha qytetet më kryesore të muzikës me Saze si Korça, Përmeti, Leskoviku, Fieri në Toskëri, si dhe Vlora, Saranda, Tepelena, Gjirokastra e Delvina në Labëri. Zona fshatare si p.sh., ajo e Shqerisë, që shtrihet në mes të Përmetit dhe Leskovikut, apo fshatrat përreth Vlorës e Delvinës etj., kanë shërbyer si burim bazë jo vetëm për repertorin e drejtpërdrejtë muzikor të melodisë me saze, por edhe si i vetmi shtrat muzikor njësor për repertorin e tyre muzikor.

Arsyet e përzgjedhjes së zonave të veçanta si burim bazë për repertorin e Sazeve janë disa. E para lidhet me një aprovim kolektiv që me kalimin e viteve, kishte marrë ajo pjesë e folklorit muzikor me burim nga këto zona; e dyta, lidhet me faktin se, nga pikëpamja teknike, në materialin muzikor të tyre ishte përqendruar si masa universale e shprehjes së gjuhës muzikore popullore, ashtu dhe prirja e saj për evolucion. Që nga kjo pikë, çdo përpjekje e sazeve dhe çdo rezultat i punës së tyre do të lidhet përfundimisht me formimin e kulturës së muzikës popullore qytetare.

Klasifikimi i marrëdhënieve tregtare të Shqipërisë së Jugut (nga skelat e Shqipërisë së poshtme si Prevezë, Vlorë, Sarandë, Butrint, etj.), vetëm për vitin 1877, e tregon këtë. Edhe qyteti i Korçës për shumë vjet nën Perandorinë Osmane, ka qenë një qendër tregtare për një pjesë të madhe të Shqipërisë Jugore, sepse kishte lidhje me portin e Selanikut, ku merreshin mallrat industrialë nga Europa Perëndimore. Gjithashtu Korça shihej si pika nga ku përhapeshin pas kësaj prodhimet industrialë të Europës në tërë periferinë e Shqipërisë Juglindore etj.

Instrumentet e temperuara, shumë shpejt u bënë pjesë e jetës muzikore të qyteteve të atëhershme shqiptare. Dimë se në formacionet e kultivuara të muzikës qytetare të shek. XIX, si në bandën e parë shqiptare të formuar në Shkodër-1878, në atë të Frano Ndojës, themeluar më 1898 (e mbiquajtur “Daulla”), në formacionet instrumentale të tyre, krahas veglave të tjera, bënin pjesë edhe klarinetat. Komisioni i Kishës katedrale, me ndërmjetësinë e Tom Markocit, kishte sjellë veglat nga Italia, së bashku me dirigjentin Giovanni Canale.

Po në Shkodër, në vitin 1835, kemi dokumente që provojnë blerjen e 28 pianove, ashtu siç kemi informacion se në fshatin Bërdicë-Shkodër në vitin 1842 kishte rreth 30 violina që përdoreshin në muzikën popullore. Rregullorja e Shoqërisë së Muzikës “Band e Lirisë”-Korçë, Nyj i 30 përcaktonte se: “Ç’do shok që do të hyjë në muzikë të shoqërisë lypset të ketë instrumentnë të tij, si pas dëshirësë tij dhe pas nevojës që do të rëfenjë mësonjësi”; ndërsa në “Kanunin…” e shoqnies muzikore “ROZAFAT”: “…Shokë Muzikant, qi janë ata të cillt epen për vegla muzikore e qi perbajnë Orkestrën”.
Hyrja e instrumenteve të temperuara klarinetë, fisarmonikë, violinë, (instrumentet kryesore përbërëse të Sazeve dhe të çfarëdo formacioni tjetër popullor në muzikën shqiptare jugore), u bë pikërisht në momentin kur kjo muzikë kërkonte krijimin e një përmase të re të pasqyrimit të saj.

Duke qenë se Sazet e para ishin të pakta në numër, në këtë kohë (fundi i shek. XIX – rreth 1910), ato ishin të detyruara të funksiononin si saze shëtitëse, e kështu detyrimisht do t’u duhej që të shkelnin me këmbë e të preknin pothuajse gjithë territorin rreth qendrës së tyre të palëvizshme të banimit.
Sazet e Leskovikut shkonin të bënin muzikë deri në Konicë, Kostur, Janinë, Mallakastër e Tepelenë, Korçë e Përmet, në Vlorë e Sarandë, ndërkohë që Sazet e Beratit mund ta tejkalonin njësinë etno-kulturore duke shkuar deri në qytetet e Elbasanit, Fierit, Tiranës dhe Durrësit. Njihen raste kur sazexhinj nga Përmeti, Leskoviku apo Berati shpërnguleshin dhe formonin saze në qytetet e tjera të Jugut, të cilët deri më atëherë nuk kishin mundur t’i formonin ato.

Një pjesë e Sazeve u instaluan edhe pranë familjeve aristrokratike të zonave të ndryshme, gjë që ishte një ripërsëritje e traditës së Pashallëqeve, ku përmendim titullarët e tyre si bejlerët e Këlcyrës apo Ibrahim Pashë Vlora, sanxhakbeu i Beratit, i cili mbante pranë vetes formacione popullore me vegla tradicionale të përbëra nga muziktarë virtuozë.

Në fund të viteve 1920, Sazet jo vetëm që kishin mundur të përfundonin procesin e “themelimit” dhe të konsolidimit, por ndërkohë kishin arritur edhe një lloj klasifikimi. Ky klasifikim lidhet me faktin se nga tërësia konvencionale e konceptit “Saze” në popull, për shkak të veçorive të lojës dhe të repertorit përkatës, ishin përcaktuar edhe formacionet më të qarta të tyre, tregues që muzika e sazeve ishte bërë më e njohur në mjediset e gjera popullore e më tej.

Kështu që në dhjetëvjeçarët e parë të viteve 1900, ishin formuar tiparet më të përgjithshme të lojës së Sazeve të Toskërisë me emra të tillë si: Sazet e Selim dhe Hafize Leskovikut, Sazet e Demkë Hajros në Korçë, Medi Përmetit në Përmet, Cilo Qorrit në Korçë, Riza Nebatit dhe Shyqyri Fugës në Berat; të Labërisë me emra si Bilbil Vlora në Vlorë, ato të Myzeqesë megjithëse “kufijtë” ndarës mes tyre gradualisht treten njëri me tjetrin. Ndër to p.sh., gërneta e Përmetit konsiderohej “e ëmbël”, dajreja e Sazeve të Myzeqesë “e fortë” dhe Sazet e Labërisë “i bien me të qarë” etj.
Sipas të dhënave që kemi nga sazexhinjtë e vjetër të trevave të Jugut, ku u përdorën fillimisht instrumentet e temperuara në sazet e para, pati menjëherë një pëlqim masiv të tyre nga masa e popullit, gjë që mund të lidhet edhe me natyrën e afërt të këtyre instrumenteve me zërin njerëzor. Sazet ftoheshin që të merrnin pjesë në dasmat, festat e panairet fetare e tregtare ku mblidheshin qindra vetë, si dhe në hanet.

Përmendim këtu panairet fetare të Shën-Naumit në Pogradec që hapej më 23 dhjetor me rastin e festës ortodokse të Krishtlindjeve; ai i Voskopojës që hapej më 24 qershor pranë manastirit të Shën Prodhromit, i Janinës që hapej më 8 tetor, i Pogonit më 15 gusht, i Kosinës në Përmet më 14-15 gusht, i Zerecit në Përmet po në gusht etj. Nga panairet tregtare përmenden ato të Boboshticës, Frashërit dhe Këlcyrës, Voskopojës etj. Theksojmë se me saze kanë qenë festuar edhe Pashkët ortodokse në qytete si Përmeti dhe Leskoviku. Ky aprovim kolektiv tregonte se sazet e kishin kaluar provën e fillimit.
Mënyrat e veçanta të organizimit, si dhe drejtimi e jetës së tyre muzikore, bëri që veç repertorit të gjerë me vegla, Sazet të zotëronin edhe një masë të konsiderueshme të repertorit muzikor vokal e koreografik të secilës zonë etnomuzikore, të vjelur kryesisht nga dasmat dhe gëzimet e tjera që festoheshin nëpër odat e miqve. Kjo gjë qe tepër e nevojshme, si për popullaritetin që do të fitonin, po aq dhe për fitimin material që ata do të nxirrnin.

Dalja nga mjediset e mbyllura solli premisat, që edhe muzika popullore të konsiderohej një lloj “malli” me vlerë me të cilin përveçse mund të jetohej, kishte mundësi edhe të fitohej.
Zëvendësimi i veglave popullore me instrumentet e temperuara, ky moment që i dha fizionominë formacionit të Sazeve, u bë gradualisht dhe me komoditet. Këtu duhet pasur përsëri parasysh veçoria shqiptare e këtij “ndërrimi vendesh”, pasi është fjala vetëm për një ndërrim formal të instrumenteve, ndërkohë që “ndërrimi” nuk ndodhte me muziktarin, i cili në më të shumtën e rasteve ishte i njëjti njeri që luante si në fyell, kavall, bilbil por dhe në gërnetë. Kjo veçori, solli për pasojë edhe riformimin e konceptit mbi identitetin e tyre, duke i bërë sazet mekanizmin kryesor gjenerues të folklorit tradicional, por tanimë me mjetet e reja. Ky ndërrim nuk ndodhi as me veshjen popullore të muziktarëve, duke ruajtur kështu po të njëjtën veshje të dikurshme.

Vendi ku Sazet gjalluan dhe i dhanë funksionalitet formacionit të tyre ishin dasmat, dhe kjo e ka një shpjegim. Në Jug thuhet se “dasma hap këngët”, kurse “vdekja hap plagët”. Siç shprehen edhe vetë sazexhinjtë “në dasëm bëhej muhabet dhe derdhej paraja”, pasi nga viti në vit “…shpenzimet që bëheshin në këto raste jo vetëm nuk u kufizuan, por u shtuan edhe më shumë, veçanërisht në shtresat e pasura të qytetit”.

Megjithëse dasma ka qenë dhe është një produkt i shumë shekujve dhe brezave, në këtë kohë, vetë populli në folklorin gojor e ka të përcaktuar në një ekuacion të vetëm simbiozën saze-dasëm, sikur të dojë të thotë se pa njërën palë, nuk vlen as pala tjetër: Se dinja se vija në dasëm/ të sillja një palë Saze, sepse që pas formimit të Sazeve “s’bëhej më dasma me një fyell”.
Më tej, ishin Sazet që nga këngët polifonike labe më të njohura realizuan tipat homologë të muzikës me saze, tashmë të titulluara “labiko” ose “labikoçe”, që nënkupton një këngë labe “të zbutur”, ndërkohë që këngët popullore të qyteteve toske ishin krijuar më herët si rezultat i zhvillimeve të përshpejtuara urbane të tyre.

Kur Sazet përgjithësisht huazuan repertorin muzikor tradicional me vegla, ai në vetvete përfaqësonte një grumbullim shumë më të gjerë të lëndës muzikore popullore. Nga kjo masë ata patën parapëlqimet e tyre, si në rastin e llojeve të mirëfillta instrumentale të dikurshme (si “avaz”, “e qarë”, “melodi”, “valle”, “vajtim”, “logatje”, “borohite”, “ligjërim”), parapëlqim për repertorin vokal popullor dhe tipologjitë kryesore të tij, si dhe pjesë të caktuara të folklorit muziko-koreografik. Nga këto gjini tradicionale u huazuan tiparet e përgjithshme strukturore të tyre dhe u synua për një dinamizëm të ri të të gjithë parametrave. Me mundësitë e reja teknike që ofronin veglat e temperuara, realisht Sazet i dhanë një pamje e frymëmarrje tjetër repertorit tradicional, duke e përmasuar atë.

Është një fakt i pamohueshëm se Sazet kanë interpretuar edhe një pjesë të trashëgimisë popullore instrumentale të popullit grek dhe atij vllah, dhe kjo është më se e kuptueshme. Fqinjësia historikisht e detyruar, ka bërë që pjesë të caktuara të repertorit muzikor popullor të të dyja vendeve tona të qarkullonin dhe gjithashtu të njiheshin me përparësi veçanërisht në zonat e ndërmjetme, dhe jo vetëm muzika. Kështu Sazet tona kanë regjistruar në disqe edhe disa nga vallet më të njohura popullore greke, të cilat në repertorin e përgjithshëm të regjistruar, zënë një vend të caktuar.

Muzika popullore me vegla dhe sazet si pjesë e saj, janë sot simbol njësie dhe identiteti. Aktualisht kjo muzikë paraqitet si një element thelbësor i krijimtarisë, një nga rrugët e komunikimit artistik ndërshqiptar dhe faktori mbartës i traditës, si kusht për ruajtjen e karakterit kombëtar. Në këtë kuptim muzika popullore me vegla është një drejtim zhvillimi specifik, një formë ekzistence dhe vazhdimësie e folklorit muzikor shqiptar. Sazet janë sot gjuha muzikore e qyteteve, vendi ku përqafohet Perëndimi me Lindjen, instrumentet muzikore europiane me magjinë e isopolifonisë, aty ku jeta dhe vdekja bashkëjetojnë në tinguj të papërsëritshëm dhe në arkitektura formash unikale.

Përgatiti Vasil Tole. /KultPlus.com

Kur Nexhmije Pagarusha mbulohej me lule në Shkodër

Shkruan: Isa Alibali

Personaliteti i parë artistik nga Kosova, që erdhi në Shqipëri në vitet ‘70, ishte Nexhmije Pagarusha, zëri brilant i së cilës dhe emri i saj i madh qarkullonin gojë më gojë.

Ishte prilli i vitit 1971

Ardhjen e saj në Shkodër e pritëm si një ngjarje me rëndësi. Jo vetëm thjeshtë se emri dhe kënga e saj ishin kthyer në simbol, por edhe pse vinte nga Kosova jonë. Në repertorin e saj të pasur, një vend të rëndësishëm zinin këngët që ishin krijuar ose krijoheshin e këndoheshin në Shqipëri.

Ylli i këngës shqiptare, Nexhmije Pagarusha (Nexhmije domethënë yll),është lindur në vitin 1933, në Pagarushë të Malishevës. Që në fëmijëri dhe më vonë u vu re një talent i jashtëzakonshëm dhe tërhoqi vëmendjen e të gjithëve, nga zëri i bukur i saj.

“A thua lindi një yll i këngës” pëshpëritnin njerëzit kur e dëgjonin duke kënduar. Dhe i admironin bukurinë e pamjes, të shpirtit dhe të zërit. E lindur artiste, në fillim u mor edhe me teatër dhe është ndër femrat e para në Kosovë në këtë gjini të artit,

krahas Meribane Shalës dhe Katerina Josipit, të dyja aktore të shquara kosovare. Por ndryshe prej tyre, ajo kishte edhe një aftësi tjetër: kishte zërin e mrekullueshëm. Kishte lindur për t’u bërë këngëtare dhe iu kushtua këngës, që ta këndonte e ta interpretonte atë me mjeshtri. Vetëm 15 vjeçe, me ndrojtje dhe e pasigurt në vetvete, ajo u fut në studion e Radio-Prishtinës.

Hyri në atë sallë të mbyllur e të vogël për t’u bërë e madhe, për të mbetur përjetësisht besnike e këngës. Me zërin e saj të ëmbël, të çiltër dhe kumbues, shpejt i bëri për vete të gjithë admiruesit e këngës shqiptare.

-Nuk kam parë shkëlqim më të bukur që del nga shpirti i njeriut, se sa tek ajo.

-Ka zë të artë e të kristaltë…

-Kur këndon Nexhmija, heshtin edhe zogjtë këngëtarë.

Kjo jehonë e zërit të saj të veçantë bëri që të quhet me meritë “Bilbili i Kosovës”

Kënga e saj

Kënga e saj jehoi nëpër botë, në Izrael, SHBA, Gjermani, Austri, Itali, Bullgari, Tunizi, Francë, Çekosllovaki dhe, vonë, shumë vonë edhe në Shqipëri. U bë shpejt ambasadore e miqësisë midis popujve, ambasadore e këngës shqipe. Kudo sillte mallin e vendlindjes. Shqiptarët e Kosovës i përtërinte, i mallëngjente, i mbushte me jetë.

…Në hollin e Shtëpisë së Kulturës dhe të Krijimtarisë Popullore të Shkodrës, atë mbasdreke të prillit 1971, ishin mbledhur shumë artistë, për të pritur këngëtaren e madhe.

Nexhmije Pagarusha hyri qetë – qetë në tempullin e kulturës shkodrane, në atë institucion ku prej dekadash kishte ushtuar zëri i qindra artistëve të talentuar, aty ku ishin përgatitur dhe kishin ecur në hapat e tyre të para shumë nga artistët më të shquar të artit tonë kombëtar.

Gjatë përshëndetjes shihej në fytyrën e saj një buzëqeshje e ngrohtë, e çiltër, me lëvizje plot finesë, që shoqërohej me një zë të ëmbël. Edhe kur fliste, sikur këndonte. Ndoshta na dukej ne kështu, nga që e shikonim me adhurim dhe me kënaqësi të veçantë.

Ajo u ndal te secili në veçanti, duke i thënë nga ndonjë fjalë të ngrohtë e të ëmbël. Kaluan vetëm pak çaste dhe ajo na u bë më e afërt, sikur të kishte qenë prej kohësh mes nesh.

Atë natë të ardhjes së Nexhmije Pagarushës në Shkodër të gjithë përjetonim një gjendje të veçantë kënaqësie. Ajo fliste qetë, bukur, këndshëm, hareshëm. Dhe buzëqeshte. Ndiente kënaqësi edhe ajo se ndodhej mes artistëve shkodranë. Na foli, na tregoi shumë gjëra, për veten, por edhe për të tjerët.

– Mbeta jetime nga nëna që në moshën katër vjeçe. Babai im ishte ndër mësuesit e parë të zonës. Kishte dëshirë që edhe unë të bëhesha shembulli i femrës së shkolluar shqiptare…

Kënga e bukur kosovare, shqiptare dhe, në këtë vështrim edhe ajo shkodrane, vulosi fatin tim…. Në vitin 1950 shkova në Beograd, ku këndova këngën “Dashnor t’u bana”, këngën e bukur shkodrane. Kalova me sukses konkursin dhe hyra në rrugën e afirmimit.

Këndoja vetëm shqip, vetëm këngë shqiptare, ashtu si: Marije Kraja e Tefta Tashko Koço, ashtu si Vaçe Zela, Luçije Miloti, Naile Hoxha e Drita Papajani e sa e sa të tjera, ashtu si Bik Ndoja e Xhevdet Hafizi, që i dëgjonim me ëndje e me kënaqësi të veçantë.

Bëri një pauzë, hodhi një vështrim drejt nesh, me sa dukej për të verifikuar në se kishte tërhequr si duhej vëmendjen tonë. Në fakt ne ishim përqendruar aq shumë në fjalët e saj, sa që i përpinim ato me një ndjenjë ngazëllimi. Ajo vazhdoi:

– Dëgjoja këngën e bilbilit. Dëshiroja të bëhesha bilbil… Dëgjoja gurgullimën e përroit, zemrën dëshiroja ta gdhend për atë shushurimë, që vetëm natyra di të na dhurojë…Kur dëgjova zërin tim, nxënëse e gjimnazit, u befasova, u frikësova, këndova edhe një herë, edhe dhjetë herë.

Frika më pështillte, mos vallë është një burim i rastit, do të shteret shpejt? Dhe nisa të këndoj para shoqeve e shokëve, në shkollë e jashtë saj. Njerëzit pas këngës sime duartrokisnin dhe kërkonin të këndoja edhe më!…

Jam munduar ndonjëherë ta fikë atë zjarr vetë, në momente të vështira, që t’i ikë këngës, por thonë se kur e mëson bilbili këngën e tij, të vetmen, nuk i ndahet gjer në vde.kje, e njeriu di aq shumë këngë, të dashura, secila si kënga e bilbilit, si mund të ndahet prej këngëve, si?!… Këndoja sikur kisha në fyt dhjetë, një mijë bilbila…

Fjalë zemre

Ishin fjalë zemre, prandaj ne duartrokitëm fort, gjatë. Ishte një krahasim shumë i gjetur, që na pëlqeu e na bëri përshtypje të madhe.

– Kënga ime është e imja, deri sa gjendet në mua, në zemrën time. Kur niset në udhëtim, ajo është e secilit njeri. Unë humbas e ata fitojnë…Jam e kënaqur kur më falin një lule të vogël dhe një buzëqeshje të madhe. Jam e kënaqur kur dy e tri herë rresht sillet disku me këngën time.

Më pëlqen kur dëgjoj atë fjalën magjike: “Bis, bis, bis” dhe këndoj edhe aq sa nuk mundem. Kënga edhe më lodh edhe është pushim për mua. Kur është e bukur kënga, kur pështillet në zëmrën time, kur ma ndez fytin, dua një minutë e më parë ta hedh prej kraharorit, si një flakë që s’fiket dot, si zjarr e llavë vullkani.

E t’i ndez zemrat e njerëzve, sepse melhem është kënga.( Shih për më gjatë intervistën e bërë nga Maksut Shehu, botuar në Prishtinë në gazetën “RILINDJA”, 14.6.1970) Fliste me emocion, por bukur, qartë dhe kuptueshëm. Fjala e saj e këndshme dhe e ngrohtë të bindte se talenti nuk mësohet, ai është i lindur.

– Kështu ecëm ne, kështu u rritëm, me ju në zemër e në shpirt dhe u bëmë këta që jemi, së bashku me krijuesit tanë që sapo filluan të kompozonin. Ju keni mundësi të shprehni kënaqësinë tuaj, unë…jo, – dhe një lëmsh emocioni e pushtoi në grykë, kurse në sytë e saj të bukur u duken lot. Pastaj, duke e marrë disi veten, shtoi: – Bilbili duhet të këndojë i lirë, s’e duron kafazin…

Nënkuptimi ishte i qartë. Por ende nuk e njihte sa duhet mirë realitetin tonë.

– E ëndërroja ardhjen në Shqipëri. Dhe ja, erdha, së bashku me mikun tim Zef Tupeci. Jam e nderuar që më shoqëron në Shkodër artisti i madh Avni Mula, tek i cili edhe ne, shqiptarët e Kosovës kemi pjesën tonë…

Dhe qeshi, Ne duartrokitëm me entuziazëm.

-Kur isha në Tiranë, më ftuan në koncertin e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, në një koncert të mrekullueshëm, ku e ndjeva veten të lumturuar. Këndova “Bareshën” time të preferuar për mua dhe dëgjuesit e shumtë të saj.

Kur këndova këngën “Unë ty, moj, të kam dashtë”, këngë e mirëfilltë dashurie, më dukej sikur shprehja dashurinë e madhe që kam për Shqipërinë tonë amë, të cilën e kemi të gjithë në mendje e në zemër. /KultPlus.com

Hapet Galeria “Oda” në Shkodër, të ardhurat e ekspozitës së parë i dedikohen të prekurve nga tërmeti

Dje në qytetin e Shkodrës është hapur galeria më e re e qytetit. Në promovim është hapur edhe një ekspozitë e përbashkët e 18 fotografëve nga e gjithë hapësira shqiptare dhe diaspora. Artistja shkodrane Rozafa Shpuza, shtëpinë e prindërve të saj, të cilët nuk jetojnë, e kthehu në një galeri arti.

Me iniciativën e Rozafa Shpuzës fotografitë e ekspozitës do të dalin në shitje për t’iu bashkangjitur solidaritetit për të prekurit nga tërmeti. Tv 21 Shkodër / KultPlus.com

Çfarë tekstilesh përdoreshin në veshjet shqiptare të mesjetës

Kur flasim për historinë e veshjes në periudhën e feudalizmit duhet të kemi parasysh karakterin e prodhimit në këtë kohë.

Pjesët e veshjes për masat e gjëra fshatare në këta shekuj punoheshin krzesisht brenda kuadrit të ekonomisë shtëpiake, me lëndë që nxirrej nga prodhimet buqësore e blegtorale, si ishin lëkura, leshi, liri, kërpi e mëndafshi.

Pëlhura më e vjetër prej kërpi e ruajtur deri më sot në vendin tonë është e vitit 1373, por dihet mirë se pëlhura prej liri e kërpi kanë vijuar të përdoren gjërësisht në veshjet popullore deri në fillim të shekullit XX, e në disa krahina edhe më vonë.

Kultivimi i mëndafshit gjatë shekujve të mesjetës përmendet në disa dokumente duke filluar që nga vitet 1335, 1348 etj. Madje në fund të shekullit XIV përmenden dogana të mëndafshit në Shkodër, gjë që dëshmon se mëndafshi eksportohej. Krahinat ku lulëzonte më shumë kjo kulturë gjatë mesjetës ishin rrethet e Vlorës, Beratit Shkodrës etj.

Përsa u përket ngjyrave, duhet patur parasysh se përgjithsisht në tekstilet e punuara në shtëpi nga gratë fshatare, mbiyotëronin ngjzra natyrore të leshit (pra e bardhë, e zezë, e murme dhe bojë kafe), por përdoreshin edhe ngjyrosësit bimorë.

Krahas prodhimeve të ekonomisë shtëpiake, një sasi përlhurash silleshin dhe jashtë. Ato më të lirat ishin pëlhura liri, që destinoheshin kryesisht për njerzit e shërbimit, “pro servientibus”,si thuhet shprehimisht në dokumentet përkatëse të periudhës mesjetare para turke.

I tillë është ai “panno lineo” pëlhurë liri, si edhe pëlhura e Bergamos të cilat i takojmë në dokumente që në fund të shekullit XIII. Ato silleshin kryesisht nga Puglia.

Dihet gjithashtu se në shekullin XIV, për shërbetorët, lajmëtarët etj. janë përdorur pëlhura me vija ngjyrash të ndryshme “pani vergati”, të cilat silleshin me anë të Raguzës, në Shkodër dhe Tivar.

E një cilësie gjithashtu modeste ishte dhe një pëlhurë e quajtur fustan imprtimi i së cilës përmendet përmendet me një varg dokumentash, duke filluar që nga fundi i shekullit XIII (1297). Gjatë gjithë shekullit XIV ajo sillej më fort me anë të Raguzës, por më vonë nga shekulli XV sillej nga Venediku.

Veshja e kësaj gruaja shkodrane e kapur robinjë nga osmanët gjatë Rrethimi të Shkodrës 1479, paraqitet në afreskun e Paolo Veroneses. Mendohet se këto kanë qënë veshjet e fisnikërisë Shkodrane para pushtimit osman

“Fustani” ishte një pëlhurë pambuku ose pambuku të përzier me lin, e punuar dendur, me qëndrushmëri të madhe dhe kështu përshtatej edhe për veshjet e njerëzve të punës e të shërbimit. Një dokument i vitit 1403 e përcakton qartë se për cilën shtresë shoqërore destinohej kjo pëlhurë në atë kohë.

Mendohej se me këtë lloj pëlhure bëhej në këtë kohë fustani (apo fustanella) edhe nga e mori emrin, si ka ndodhur shumë herë në historinë e veshjeve, jo vetëm tek ne, por edhe te popujt e tjerë.

Dokumente të shumta të shekujve XIV dhe XV përmendin stofa të ndryshme që u jepen nga ana e Venedikut në Raguzës, jo vetëm krerëve të vendit, për të cilët rezervohen stofat më të shtrejta, por edhe cohërat më të lira për fisnikërit e vegjël. Ndër to përmendim në radhë të parë cohërat me ngjyrë të kuqe, gjithmonë të shtrejta, por edhe shumë të kërkuara nga fisnikët e kohës.

Dihej se në këta shekuj edhe ngjyrat e stofave edhe ngjyrat e stofave të përmendura ishin të përcaktuara sipas shtresave shoqërore; kështu e kuqja, e gjelbra dhe manushaqja e mbyllët ishin ngjyrat e rezervuara për fisnikët. Shumë të preferuara prej tyre ishin edhe pëlhurat e mëndafsha të qëndisura me ar.

Të gjitha këto stofra silleshin përgjithsisht nëpërmjet Venedikut. Në shek. XVI, për shkak të pushtimit osman, u ndërpre për një kohë tregtia me Venedikun në vende të tjera të perëndimit, por nga fundi i këtij shekulli shohim se kraha mallrav që vijnë nga Lindja rifillon sjellja e mallrave dhe nga perëndimi.

Gjatë kësaj periudhe prodhoheshin në vend, jo vetëm për nevoja shtëpiake, por edhe për treg, një sasi e mirë pëlhurash të mëndafshta, shajak dhe veshje, të cilat dilnin i shisnin në treg vetë gratë, sikurse thuhet shprehemisht në Kanunamenë e Shkodrës të vitit 1570.

Pra në kuadrin e përgjithshëm të veshjeve të përdorura në Shqipëri në shekujt XIV-XVI duhet të mendojmë se krahas masës së gjërë të veshjeve të konfeksionuara me material të punuar në vend ,një numër jo shumë i kufizuar njerëzish përdorte vehjen e vet, në mos të përditshmen, në atë të festave, pjesë veshjeje të konfeksionuara me stofa të importuara, prodhime të modës për atë kohë.

(Buletin për shkencat shoqërore” Tiranë, 1957, nr. 2) /KultPlus.com

Biblioteka e Arshi Pipës ngjall interesin e studiuesve

Në fundin e jetës, profesori shqiptaro–amerikan Arshi Pipa, i dhuroi bibliotekën dhe arkivën e familjes Pipa, Muzeut Historik të qytetit të Shkodrës. Drejtues të këtij institucioni thonë se ajo është një pasuri me vlera të veçanta jo vetëm për qytetin e Shkodrës.

Arshi Pipa (Shkodër, 28 korrik 1920 – Washington, 20 korrik 1997) ka qenë arsimtar, publicist, poet, gjuhëtar, kritik letrar, përkthyes dhe pedagog shqiptar.

Me artikujt e tij i ofroi Perëndimit të dhëna të dorës së parë mbi gjendjen e shkrimtarëve dhe intelektualëve në vitet e para të Shqipërisë staliniste/Zëri i Amrikës/ KultPlus.com

Biblioteka “Marin Barleti” në Shkodër, dyfishon katalogun online me vepra të rralla

Në kuadër të “Festës Ndërkombëtare të Librit”, në ambientet e Bibliotekës Publike ‘Marin Barleti’ në Shkodër, këtë fundjavë u hap ekspozita e librit të shtypur shoqëruar me versione të librit audio dhe digjital realizuar nga Violeta Volumi dhe Siditë Halluni.

Ishin të pranishëm figura të njohura të letërsisë në qytetin e Shkodrës.

Me këtë  rast u përurua hapja për publikun e pjesës së dytë të koleksionit on-line te veprave të rralla të kësaj biblioteke. Pas 10 viteve pune të pandërprerë, Biblioteka Shkoder numëron tashmë dhjetra mijë faqe të digjituara.

Në vijim të koleksionit të mëparshëm, katalogu i ri është një tjetër dhuratë që biblioteka i bën studiuesve e miqve të librit.

Biblioteka “Marin Barleti” e Shkodrës është e para bibliotekë publike dhe ndër të parat në rang kombëtar që filloi procesin e digjitalizimit, të cilin shumë vende të botës e udhëheqin nga programe kombëtare shtetërore apo donatorë ndërkombëtar.

“Me dëshirën për ndryshim, rreth vitit 2007 filloi digjitalizimi, pavarësisht mungesave në teknikë. Arritën të përfundonim fillimisht koleksionin e njohur të françeskanëve, “Hylli i Dritës”, – thote drejtori i kësaj biblioteke, Gjovalin Çuni.

Po ashtu ekzemplarë të rrallë si ‘Meshari’ i Gjon Buzukut (kopje e origjinalit), ‘Doktrina Kristiane’ e Pjetër Budit (Origjinali), apo dorëshkrimi i ‘Lahuta e Malcisë’ e Fishtës janë tashmë onlinë qe prej 2010.

Qëllimi ishte ruajtja dhe promovimi i koleksioneve që për shumë arsye nuk lejoheshin të konsultoheshin nga publiku i gjërë; të reklamoheshin asetet e mjaft të pasura të bibliotekës, por edhe do të shtohej numri e frekuentuesve dhe përdoruesve duke i dhënë atyre kënaqësinë e përjetimit të burimit të konsultuar në të njëjtën mënyrë si origjinali.

Deri sot janë dixhitalizuar libra, revista, gazeta, harta, Albume dhe dorëshkrime gjithsej me shume se 55 mijë faqe. Në këtë katalog bëjnë pjesë koleksione të plota si ‘Hylli i Dritës’, ‘Kultura Islame’, ‘Fryma’, ‘Visaret e Kombit’, apo ‘Përlindja e Shqipënies’.

Katalogu i ri, i cili mund të gjendet në adresën bibliotekashkoder.com, përveç shfletimit ju jep mundësinë e shkarkimit të materialit dhe leximit offline./atsh/ KultPlus.com

Qarku i Shkodrës, 168 festa për provimin e potencialeve turistike

Me qëllim promovimin e Shkodrës si destinacion turistik, jo vetëm për vizitorët vendas, por edhe për turistët e huaj, shoqatat e turizmit kanë realizuar kalendarin e parë me 168 festa lokale, që do të organizohen gjatë 2019-s.

Një iniciativë, që pritet ta shndërrojë Shkodrën në një festival vlerash, traditash, për të pritur shumë më shumë turistë. Ky ishte një nga qëllimet e aktivitetit, që ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi realizoi me operatorë turistikë, banorë, përfaqësues të shoqatave të mjedisit dhe të turizmit, në praninë e prefektit të qarkut Shkodër dhe deputetit socialist Ditmir Bushati, në liqenin e Shirokës. Aktivitet i zhvilluar në kuadër të diskutimit që ministri Klosi ka nisur në të gjitha zonat e mbrojtura të Shqipërisë, ka si qëllim sigurimin e një pasaporte për çdo zonë të mbrojtur dhe shndërrimin e tyre në destinacione turistike.

”Zona e liqenit të Shkodrës padyshim mund të shndërrohet fare lehtë në një destinacion të vërtetë turistik, që është jo vetëm i bukur, jo vetëm mikpritës, por që ka edhe rregulla menaxhimi. E kush më mirë se komuniteti që jeton me liqenin, që e shfrytëzon atë, do duhej të ishte disktutanti i parë për këtë temë. Pra, çfarë mund të bëjmë që ky liqen të jetë një destinacion turistik? Ku jemi ne që të kemi mundësinë që t’i afrojmë një ofertë tjetër turistike? A e kemi ne këtë në Shirokë? Padyshim që e kemi mundësinë që këtu të jetë një pikë ku të gjithë të ndalojnë. Dhe investimet që po bën buxheti i shtetit nëpërmjet fondit shqiptar të zhvillimit me një projekt transformues të zonës, për ta bërë atë një qytet karakteristik të gjithë rajonit të Mesdheut”, tha ministri Klosi.

Ministri tha se gjatë këtij viti turistik, do të organizohen mbi 200 festa lokale, që nuk do të shtrihen vetëm në sezon, por gjatë gjithë vitit.

”Qarku i Shkodrës ka evidentuar plot 168 festa fetare, lokale, të turizmit, agroturizmit të cilat mund të jenë një spunto e vërtetë që në qoftë se kemi mundësinë që këtë ta promovojmë të kemi se ku të çojmë turistët apo ku t’i çojmë pushuesit shkodranë, lezhjanë tiranasit. Vjet ne tentuam për të organizuar festën e Krapit këtu në liqenin e Shkodrës. Është një ide që do ta mbështesim këtë vit për të pasur mundësinë që jo vetëm të vijnë dhe të kemi një ekspoze të gjithë këtyre lokaleve që prodhojnë këtë produkt kaq interesant dhe me kaq emër në të gjithë Shqipërinë saqë ne të kemi një lidhje, por të kemi një garanci dhe kjo garanci na duhet dhënë që sot nga operatorët e hoteleve dhe restoranteve të gjithë qarkut që në qoftë se caktojmë disa ditë në sezonin turistik apo dy tre herë ta bëjmë këtë gjatë sezonit turistik, tur operatorët sjellin këtu autobusët me turistë që jo vetëm të shikojnë bukurinë e liqenit, por të testojnë produktin tuaj dhe të bëjnë biznes”, u shpreh ministri Klosi, i cili pranoi se megjithëse Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme turistike, ka ende plazhe si Velipoja apo Rrjolli, ku ujërat e zeza derdhen në det.

“Pra këtu janë disa kontradikta që koha do t’i përmirësojë, por ne duhet që t’i japim më shumë vrull dhe për këtë duhet të kemi më shumë ekonomi, më shumë biznes, të kemi më shumë turizëm dhe t’ju kemi të gjithë së bashku në këtë përpjekje të mirëstrukturuar”, tha ministri Klosi. /a.a/ /a.g/

Shkodra feston me orkestrën frymore

Qyteti i Shkodrës në këto prag festash po sjell një atmosferë ndryshe për qytetarët e saj dhe vizitorët e shumtë që e vizitojnë.

Aktivitete të shumta po zhvillohen këto ditë në Shkodër ku qyteti është veshur me petkun e festave dhe është zbukuruar me motivet tradicionale të festave të Fundvitit , shkruan ata.

Shkodra n’Fest” vazhdon.Orkestra Frymore e bashkisë Shkodër, krijoi atmosferë festive sot pranë shtëpizave të vendosura në qendër të qytetit, në kuadër të aktiviteteve të fundvitit.

Orkestra frymore demostroi në rrugët e qytetit duke krijuar një atmosferë të veçantë për të gjithë qytetarët e Shkodrës. Shkodra feston gjithmonë siç i ka hije me art dhe kulturë.

“Arti kundër dhunës”, koncert kundër dhunës gjinore në Shkodër

Në kuadër të projektit “Arti kundër dhunës”, në hollin e Bashkisë së Shkodrës, u mbajt koncerti “Së bashku për një jetë më të mirë”.

Në sloganin “Më dëgjo edhe mua”, për të kontribuar në zbutjen e dhunës ndaj grave në këtë koncert performoi kori dhe solistët e shoqatës “Rozafa Expression”.

Ky aktivitet i është bashkëngjitur nismës së Bashkisë së Shkodrës, në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore me synim ndërgjegjësimin e mbarë komunitetit, nëpërmjet artit.

Projekti zbatohet në kuadër të Programit Rajonal mbi Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD), dhe financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Bashkia Shkodër, si një ndër 12 bashkitë partnere të Programit ReLOaD në Shqipëri, është bashkëfinancuese dhe bashkëzbatuese e programit, për projektet që po zbatohen në territorin e saj./m.m/j.p/A.T.SH/ KultPlus.com

Në Shkodër, zhvillohet sfilata me veshje tradicionale frymëzuar nga Marubi

Katër stilistë të huaj janë frymëzuar nga krijimet e Marubit. Përmes kësaj, ata realizuan një sfilatë të veshjeve tradicionale të sjella në kohën e sotme.

“Marubi” është frymëzues. Nxit imagjinatën e të sjell në kohë etnosin tonë përmes veshjeve. Katër stilistë nga vendet e ndryshme të botës, me një sfilatë veshjesh tradicionale në rrugën Kole Idromeno. Organizatorja e aktivitetit Klodi Mengri thotë se kush më mirë se Marubi mund të të frymëzojë.

Klodi Mengri, organizatore, u shpreh: “Shumë e kënaqur, e lumtur. Tani do të doja që të gjithë ta përcjelli e gjithë Shkodra këtë kënaqësi që unë ndjej në shpirt”.

Për Luçjan Bedenin, Marubi ka joshur arkitektët e inxhinierët, pse jo edhe për stilistët. Ajo që synohet është kthimi i kësaj sfilatë në një traditë.

“Unë besoj që Marubi prej 2 vitesh po e ndryshon bindshëm qytetin”, tha Bedeni, shkruan Abcnews.

Me burim nga etnografia shqiptare e pasqyruar në veshjet e personazheve të fotografuar nga Marubët dhe e riparë sot nga stilistë të rinj që frymëzohen prej saj, ku përmes stilit, e kaluara dhe e tashmja vijnë së bashku në përfaqësimin e trashëgimisë e identitetit tonë kulturor.

Sfilata u shfaq në pedonalen e Shkodrës dhe vjen si bashkëpunim i Muzeut Marubi, Ti Institut dhe me mbështetje të Ministrisë së Kulturës./KultPlus.com

Xhubleta prezantohet në “Ditët Europiane të Trashëgimisë”

Tipologjia e xhubletës si veshje, konsiderohet si nga më të vjetrat. Studiues, etnografë dhe të apasionuar të etnografisë do të pasqyrojnë gjithë larminë, artin, simbolikat e saj në aktivitetin që do të mbahet sot në qytetin e Shkodrës, shkruan ATSH.

Në gjithë pellgun e Mesdheut e gjejmë ende gjallë të ruajtur në Shqipërinë e Veriut.

Atë e gjejmë në Kelmend e Dukagjin, brigjet e Drinit, Pukë, Zadrimë, rrafshin e Dukagjinit, Has e Gjakovë. Gjithë kjo shpërndarje, tipologji dhe vlera, do të prezantohen në seminarin kushtuar xhubletës.

Aktiviteti vjen në kuadër të Ditëve Europiane të Trashëgimisë që sot në Shkodër./KultPlus.com

Projekt për restaurimin e banesës së Oso Kukës në Shkodër

Drejtoria Rajonale Kulturore Shkodër zhvilloi një takim pune me bashkinë Shkodër si dhe me përfaqësues të Muzeut Historik për hartimin e një projekti për restaurimin e banesës së Oso Kukës, sot Muzeu Historik i qytetit.

Banesa e patriotit të famshëm shqiptar, Oso Kuka qëndron si Muze Historik që prej vitit 1947. Në hyrje të portës së madhe, nis udhëtimi nëpër histori, që praj neolitit, antikitetit, Luftës së Parë e të Dytë Botërore, deri në periudhën e komunizmit në Shqipëri.

Shtëpia përmban një kompleks muzeor që rrallëherë e gjen në ndonjë qytet tjetër, me objekte dhe ambiente të cilat tregojnë mënyrën e jetesës në veri të Shqipërisë./KultPlus.com

“Kafja e Madhe” odiseja e një monumenti në Shkodër

Ishte fundi i shekullit XIX kur në Shkodër vazhdonte të lulëzonte tregtia e për rrjedhojë, shumë familje të kamura nga jashtë vitin dhe e vizitonin Skutën e Arit (sipas prof.. David Lluka, emërtimi në i italisht i Shkodrës Scutari shpjegohet etimologjikisht prej fjalës skutë dhe ar.

Familja Ashiku e pa të udhës të investonte në infrastrukturën e mirëpritjes së vizitorëve, prandaj i kërkoi arkitektit të njohur Kolë Idromeno të skiconte një vend që do të ishte i përshtatshëm për to. Menjëherë Idromeno filloi punën dhe përgatiti këtë skicë e cila edhe sot gjendet në Arkivin Qëndror të Shtetit.

Me të përfunduar ndërtimin, Kafja e Madhe filloi të frekuentohej jo vetëm prej të huajve, por edhe prej shkodranëve duke u kthyer shumë shpejt në strehën ku takoheshin intelektualë. Nëse vërtet Shkodra është djepi i kulturës, Kafja e Madhe është vendi ku kultura u diskutua më së shumti.

Debate të forta intelektuale nën sfondin e një muzike të lehtë klasike me nuanca baroke. Diskutime mbi libra e shkrimtarë që ndoshta pjesa më e madhe e shoqërisë as që i njihte. Anekdoda që i dhanë Shkodrës edhe titullin “Nana e Humorit” me të cilat akoma edhe sot vazhdojmë të qeshim. Biseda rreth muzikës dhe operave më të famshme. Kjo ishte ajo që përbënte Kafen e Madhe, vendtakimin e kulturës me aristokracinë.

Ndërtesa ndahej në dy kate ku i pari kishte ambient të bollshëm me kapacitet deri në 200 persona dhe 50 tavolina, plot me dritare dhe pasqyra ku pranë tyre mund të luaje bilardo apo të pije një kafe në një kënd dedikuar vetëm kafesë. Vend me një joshje të veçantë për të huajt të cilët nuk kalonin asnjëherë pa u ndalur. Në katin e dytë ishin 9 dhoma gjumi dhe dy banjo të përbashkëta ku turistët apo të huajt që vinin për punë kalonin ditët.

Sipas një shkrimi të Flora Nepravishtës dhe Andi Çeudarit botuar në revistën “Monumentet”, 2009-2010, në vitin 1920 Ndoc Luka, konsulli i Italisë në Shkodër e bleu Kafen e Madhe. Me vdekjen e tij, gjithçka i kalon së bijës e cila martohet me Muzale (Muzhalë) që trashëguan atë godinë.

Para se të quhej “Kafja e Madhe”, godina pati tre emra: Fillimisht quhej Kafe “Adriatik”. Më pas u quajt Kafe – Hotel “Park” dhe në fund, me ardhjen e malazezëve “Grand Hotel Savija”. Por gjithnjë, prej përmasave që për kohën nuk mund të imagjinoheshin, për të gjithë ruajti emrin Kafja e Madhe.

Me ardhjen e komunizmit, Kafja u shtetëzua dhe ndryshoi disu fizionominë e saj ndërsa funksioni u ruajt. Në vitin 1960, me vendim të Ministrisë së Kulturës, Kafja e Madhe shpallet “Monument Kulture”. “Konkurenti” i saj i vetëm në Shkodër ishte Kafe – Hotel “Turizmi” i cili nuk gjendej larg, por në të cilin asnjëherë nuk përjetoje klasin e Kafes së Madhe.

Me ardhjen e demokracisë në vitet ’90, godina duhej t’u kthehej pronarëve. Nga një që kishte qenë dikur, tani të shumë në numër, trashëgimtarët e rinj nuk ranë dakord për ta ndarë, e për këtë arsye, ajo mbeti e braktisur dhe askush nuk u kujdes për të. Aq i madh qe mjerimi i saj, sa prej vendit ku pinte kafe Tefta Tashko u kthye në vend reklamash për muzikë tallava.

Në vitin 2007, Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve e shpalli “Monument Kulture të Kategorisë së Parë”, por përveç vendosjes së një pllake, nuk bëri asgjë që të mund të ndalte degradimin e godinës simbol. Shkodranët në të nuk shohin veç nja kafe apo klub. Ajo godinë është pjesë e trinomit të krenarisë së qytetit. Nëse pyet dikë se çfarë ka të madhe Shkodra, menjëherë do të përgjigjet “Kafen e Madhe, Kishën e Madhe dhe Arrën e Madhe”.

Nëse ajo godinë do të shembej apo do të ndërronte identitet, Shkodrës do t’i humbiste një pjesë e rëndësishme.

Sot godina i është nënshtruar një restaurimi i cili do ta kthejë në identitet me shpresën për të mos qenë një tjetër kafe në Shkodër, por për t’u shndërruar sërish në vendin ku puqet aristokracia dhe kultura./ Konica.al

Publikohet projekti për restaurimin e Kalasë së “Rozafës” në Shkodër

Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar projektin për: “Ndërhyrje restauruese në Kalanë e Shkodrës”. Projekti i hartuar nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Shkodër parashikon ndërhyrje konservuese dhe restauruese në muret e kalasë.

Kalaja e Rozafës në Shkodër është një vend atraktiv ku historia, arkitektura, peizazhi fantastik ndërthuren në mënyrë të përkryer, po mahnit gjithnjë e më shumë turistët e huaj dhe ata vendas dhe këto ndërhyrje janë të nevojshme, pasi i kthejnë këto vende në atraksione të denja për turistët.

Kjo Kala ngrihet mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit, e rrethuar nga ujërat e tre lumenjve: Drinit, Bunës dhe Kirit. Mbi faqet e pjerrëta të kodrës ngrihen muret rrethuese të cilat zënë një sipërfaqe rreth 9 hektarë tokë. Kalaja hyrjen kryesore e ka nga verilindja.

Java News raporton se projekti përfshin të gjithë hapësirën e Kalasë, ku do të restaurohen dhe vihen në dukje rrëzë saj në anën jugore gjurmët arkeologjike që fillojnë nga Bronxi i hershëm. Në mes shek.V-IV p.e.r filloj ndërtimi i Kalasë me gurë ciklopike të puthitur pa llaç, gjurmë të të cilave ruhen edhe sot. Në antikitet zona përreth banohej nga fisi Ilir i Labeatëve dhe jo rastësisht historiani Tit Livi e quan “vendi më i fortë i labeatëve”.

Në këtë kohë qyteti merr hov të madh zhvillimi dhe si fakt për këtë përparim është monedha e përdorur qysh në vitin 230 p.e.s. Nga monedha mësojmë se Qyteti në këtë kohë është quajtur Scodrinon. Në vitin 181 p.e.s qyteti ishte kryeqendër e Mbretërisë Ilire me mbretin Genti në krye. Në këtë periudhë qyteti shtrihej në pjesën jugore të kodrës, i rrethuar me mure dhe porte hyrëse ndërsa mbi kodrën ku sot ngrihet Kalaja ishte ndërtuar Akropoli ilir.
Gjurmët më të dukshme të periudhës ilire në Kala i gjejmë në oborrin e vogël mes Barbakanës dhe portës së dytë si dhe në të majtë të kthesës hyrëse tek porta e dytë. Pikërisht në Kala dhe përreth saj gjatë shek.II p.e.s u zhvilluan luftërat me perandorin romake dhe në vitin 168 p.e.s, pushtohet nga ushtrija perandorake. Në periudhën e Dioklecianit qyteti (nga reformat e tij) bëhet qendër administrative e provincës së Prevalit.

Me dyndjet sllave qyteti pushtohet dhe gjatë shek.XI bëhet kryeqendër e shtetit të Zetës (në vitin 1040). Më vonë qyteti pushtohet një kohë të shkurtër nga bullgarët, por deri me sot nuk janë zbuluar gjurmë ndërtimesh të kësaj periudhe në Kala. Në shek.XIV qyteti bëhet qendër e rëndësishme autonome, madje më 1360 bëhet kryeqendër e Principatës së Balshajve. Më 1396 kalon nën sundimin e Venedikut dhe në këtë kohë qyteti quhet me emërtimin Scutari.

Në këtë periudhë, mes sundimit të Balshajve dhe pushtimit Venedikas Kalaja merr formën që ka dhe sot. Kullat mbrojtëse në oborrin e parë i përkasin kësaj kohe. Pas Balshajve ishin Venedikasit që vunë dorë në Kala, kryesisht në fortifikime dhe ndërtime me karakter ushtarako-administrativ. Me 1407-1414 ndërtohet Barbakania me qëllim mbrojtjen e hyrjes në kështjellë. I gjithë kompleksi i hyrjes përfundoi më 1468 kur pasi përballoi kryengritjet e popullsisë vendase në vitet 1405-1410 kundër sundimit Venedikas, kështjella po bëhej gati të përballonte pushtimin osman. Venedikasve i përket dhe një ndërtesë monumentale në oborrin e tretë me tre kate dhe e pajisur me frengji topash e njohur si Kapiteneria./ KultPlus.com

BBC, reportazh për gratë e Shkodrës që prodhojnë reçipeta për Evropën

Media botërore ka bërë një reportazh për të gjitha femrat shqiptare që prodhojnë reçipeta për të gjithë femrat e Europës. Në këto pamje shihet puna e të gjitha femrave shqiptare që bëjnë për 8 orë në ditë në fabrikat ku ato punojnë, për të bërë gati mallin që do të eksportohet në të gjithë Europën.

Shkrimi i plotë

Pak njerëz në Europë u kushtojnë vëmendje prejardhjes së veshjeve të brendshemev të tyre. Kështu ndodhi edhe për Elizabeth Gowing, deri në momentin që ajo bëri një vizitë në një fabrikë të prodhimit të veshjeve të brendshme për gra në Shqipëri. Sutjenat në një tavolinë dhe ca copëza mëndafshi. “A jam në një bordello apo dhomën e gjumit të një të riu,”- pyeti ajo.

“Kur erdha në Shqipëri më paralajmëruan se mund të përfundojë në një nëntokë lehtësisht, por kjo nuk ishte ajo çka unë kam pritur. Është një hapësirë e ajrosur dhe e ndriçuar industriale ku 40 punëtorë kanë për qëllim kombinimin e detajeve intime që përbëjnë ndërresa të përsosura,”- thotë Gowing për BBC.

Një tavolinë është e mbushur me lule për sutjena. Një thes në afërsi ka trëndafil ngjyrë rozë për t’u qepur si dekoratë mbi to. Një grua po kontrollon elastiken e thurur në një mënyrë që në çdo kontekst tjetër të mund të konsiderohet shumë e papërshtatshme për veshje. Ajo është një ndër 3,000 punëtorët në industrinë e tekstilit në veriun e Shqipërisë.

“Pavarësisht se imponon kulturën e saj kishtare dhe ilire, pak romake, pastaj veneciane, Shkodra ka një të kaluar të shquar letrare. Por megjithë trashëgiminë e saj të lartë kulturore dhe reputacionin për intelektualitetin në bulevardet e pemëve të qytetit, tani është në krye të prodhimit të veshjeve të brendshme,”- shkruan BBC.

Shkodra ka një traditë të gjatë të katolicizmit të devotshëm dhe kjo lidhje kulturore me Italinë forcon marrëdhënien me konsumatorin kryesor të Shqipërisë. Mirela, pronarja e fabrikës që po viziton, flet rrjedhshëm italishten. “Nëntëdhjetë e pesë përqind e tyre janë gra,”- thotë ajo duke folur për punëtoret e saj, dhe shton me një qesh: “Njerëzit nuk mund ta shohin veten duke bërë këtë lloj pune”. Më shumë se gjysma e bizneseve në Shqipëri janë në pronësi të femrave si kjo./ vizore.al

Arkeologë polakë dhe shqiptarë zbulojnë qytetin e panjohur 2 mijë vjeçar

Ndonjëherë, gurët janë më shumë se sa thjesht copëza të shkërmoqura toke. Ndonjëherë ata japin detaje mbi të kaluarën apo të ardhmen e planetit tonë.

”Arkeologët e antikitetit të Qendrës së Kërkimit për Europën Juglindore në Universitetin e Varshavës, zbuluan se gurët në Shkodër ishin rrënojat e qytetit 2 000-vjeçar të Basanias”, shkruan Christina Ayele Djossa në blogun “Atlas Obscura” që i dedikohet zbulimeve nëpër botë.

Në atë kohë, Bassania ishte një fortesë ushtarake dhe ekonomike, pjesë e mbretërisë së Ilirisë, që ka ekzistuar nga viti 400 deri në 100 para Krishtit.

Qyteti antik ka në përbërje shumë banesa dhe fortesa, një prej të cilave arkeologët arritën të zbulojnë.

Ajo që ata gjetën ishin gurë antikë të një fortese të ruajtur nga kulla të mëdha dhe mure prej guri dhe dyer të gjera afërsisht tre metra. Këto ndërtesa mbrojtëse, sipas profesorit Piotr Dyczek të Universitetit të Varshavës, i përkasin arkitekturës helenistike.

Ekipi konfirmoi epokën e rrënojave duke analizuar monedhat e gjetura aty rrotull dhe fragmente të enëve të qeramikës, që i përkasin epokës së mbretërisë Ilire.

Por, nga gurët dolën më shumë informacione në lidhje me qytetin. Muret e gjera prej guri rrethojnë një zonë prej 200 000 metrash katrorë, që do të thotë se Basania ishte tre herë më e gjerë se Shkodra antike, që ishte 70 000 metra katrorë.

Por, ky qytet dhe mbretëria Ilire, u pushtuan nga romakët në fillim të shekullit të parë. Kjo është edhe arsyeja përse arkeologëve iu desh kaq shumë për të gjetur Basanian.

“Arsyeja mund të jetë se qyteti pushoi së ekzistuari për një kohë aq të gjatë sa që emri i tij u harrua”, shkruan Dyczek.

“Arkeologët polakë dhe shqiptarë spekuluan gjithashtu se edhe infrastruktura gjeologjike e vendndodhjes ka lidhje me këtë harresë. Rrënojat janë gjetur në një kodër, që nga banorët e zonës quhet buzët e nepërkës, në fshatin Bushat, pak kilometra larg Shkodrës”, thotë Dyczek.

Pas shumë vitesh erozion, gurët e mbetur dukeshin si pjesë e gurëve që përbëjnë kodrën. Kështu për një kalimtar, mund të dukej si një grumbull me gurë, jo një strukturë e përbërë nga njerëzit.

Tani që qyteti i zbuluar është i dukshëm, do të jetë e mundur që këto rrënojat të vizitohen./G.S/ a.jor./ KultPlus.com