Numri i vizitorëve në Kalanë e Rozafës gjithnjë në rritje

Monumentet e kulturës si vende atraksion dhe historike po presin çdo ditë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj. Fillimi i sezonit të ri turistik duket premtues pasi këto vende janë ”magnet” për turistët e huaj sepse kanë brenda tyre histori, kulturë dhe detaje mistike që ngjall jo pak kuriozitet tek vizitorët.

E lashta kalaja e Rozafës, në Shkodër vizitohet çdo ditë e më tepër nga të gjitha moshat, vend atraktiv ku historia, arkitektura, peizazhi fantastik ndërthuren në mënyrë të përkryer. Numri i vizitorëve është gjithnjë në rritje në këtë atraksion turistik i cili përveç bukurive mban dhe misterin e historisë së Rozafës.

Kalaja e Shkodrës në periudhën janar-qershor 2018 në total ka tërhequr 43690 vizitorë, nga të cilët 6623 është numri i atyre që kanë përfituar hyrje falas gjatë festave zyrtare, ditëve të shënuara të Trashëgimisë dhe të dielave të fundit të çdo muaji.

Kalaja e Rozafës ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit, e rrethuar nga ujërat e tre lumenjve: Drinit, Bunës dhe Kirit. Kështjella Rozafa është monumenti historik më antik, shkruan atsh.

Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatlinjve (shek. XVIII-XIX).

E ndërtuar gjatë mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të Besës legjendare.

Objekte të tjera me vlera të mëdha kulturore e që tregojnë shumë për historitë e kaluara të popullit tonë janë ,cisternat e ujit të shek XV, katedralja e shek XIII, e cila pas pushtimit osman u kthye në xhami. Po kështu aty ndodhet edhe muzeu i Rozafës, i cili shpjegon periudhat e ndryshme të kalasë./KultPlus.com

Në Shkodër me tren shënohet Dita Ndërkombëtare e Jazzit

Muzikantë e artistë, pjesëmarrës në Ditën Ndërkombëtare të Jazzit, shkuan në Shkodër me tren. Ngjarja solli ndër të tjera një origjinalitet të kohës kur kjo muzikë kulmonte.

Ata mbërritën me tren në Shkodër. Muzika jazz, e cila thyen çdo zinxhir mbërthyes, solli në Shkodër 500 pjesëmarrës në këtë edicion të tretë të “Swing Marathon”, raporton “Abcnews”.

Klubi i fansave të Hemingway-t në Shqipëri organizuan Ditën Ndërkombëtare të Jazzit, “Swing Marathon”. Treni dhe veshjet e kohës pushtuan qytetin e Shkodrës.

Qendra e qytetit u mbush nga muzikantët e jazzit që për orë të tëra i dhanë Shkodrës muzikën e shpirtit që nuk pranon të kufizohet./ KultPlus.com

Foto të rralla të partizaneve në Shkodër (FOTO)

Ish-drejtori i Arkivës në Ministrinë e Brendshme Kastriot Dervishi, në rrjetin e tij social Facebook ka publikuar foto të vitit 1944, kur më 29 nëntor partizanët hynë e parakaluan në Shkodër.

Këto çaste përshkruhen në librin e At Zef Pllumit “Rrno për me tregue”, të cilat historiani i përcjell në postimin e tij.

Ky është publikimi i plotë:

“1944/Partizanet në Shkodër
Në librin e tij “Rrno për me tregue”, At Zef Pllumi përshkruan çastet kur partizanët hynë e parakaluan në Shkodër më 29 nëntor 1944, disa orë pasi ushtria pushtuese gjermane ishte larguar e qetë e pasulmuar nga askush. Pjesën e mëposhtme të At Zefit, kam dëshirë ta paraqes me një ilustrim në lidhje me partizanet, nxjerrë nga galeria e pafundme e fotove që kam nga këto ngjarje. At Zefit, teksa i janë shfaqur pamjet që po paraqes bashkëlidhur, shkruan në librin e tij:
“Ushtria partizane, e veshun me gjithnduer uniformash të hueja, paraqitej si një ushtri e parregullt, leckamane, me opinga dhe e untë. Çka bante ma shumë përshtypje ishin partizanet. Çfarë nanash mund të ishin ato femna me pushkë në krah?”./ KultPlus.com

“Tartufi” i Molierit korr sukses nën interpretimin e aktorëve shkodranë të “Migjenit”

Me komedinë e famshme “Tartufi” të Molierit, e ardhur nën regjinë e Kushtrim Bekteshit, trupa e teatrit “Migjeni” të Shkodrës hapi sezonin artistik.

Kjo komedi klasike, ngjarjet e se cilës zhvillohen brenda një shtëpie, asaj të Orgonit ku brenda atyre mureve vishet por edhe bie maska e hipokritit dhe mashtruesit, rrëmbeu duartrokitjet e spektatorit dhe solli një lojë brilante të trupës së aktoreve.

Një gjetje regjisoriale me ndërhyrje të kujdesshme nga vepra origjinale ka bërë regjisori Bekteshi, duke i veshur kësaj komedie aktualitetin e sotëm siç është mania e rrjeteve sociale, apo bombardimi me informacione të shumëllojshme nga shtypi i shkruar. Misioni është i qartë, përmes të qeshurës spektatori duhet në të njëjtën kohë të vetëkorigjohet.

Në role të tjera në këtë pjesë erdhën aktoret: Pjerin Vlashi, Merita Smaja, Enver Hyseni, Simon Shkreli, Jozef Shiroka, Sara Smaja, Krist Lleshi, Kristiana Dodaj, Nikolin Ferketa, Astrit Fani, Divni Gushta, Fritz Selmani.

Tema e kësaj komedie është hipokrizia e shtresës klerikale, që mundohet të pasurohet në mënyrë shumë të shpejtë, duke shfrytëzuar besimin që kanë të tjerët për profesionin e tyre të shenjtë dhe mendjelehtësinë e shtresës borgjeze që një kohë bëhet viktimë e hipokrizisë klerikale.

“Tartufi” do të vazhdojë të shfaqet sonte dhe nesër në orën 19:00. / KultPlus.com

“Tartufi” bën bashkë shqiptarët nga të gjitha trojet në skenën e teatrit “Migjeni” në Shkodër

Me 15 shtator në skenën e Teatrit “Migjeni” do të shfaqet komedia “Tartufi” nga Molieri në regji të regjisorit shqiptar nga Maqedonia, Kushtrim Bekteshi.

Një tekst i cili në thelb të kritikës së tij ka luftën ndaj hipokrizisë e fshehur në shumë shtresa shoqërore, si ato fetare, politike, akademike.

Regjisori i shfaqjes, Kushtrim Bekteshi shprehet se shfaqja ndodh sot dhe sa herë që të jepet ajo ndodh pikërisht atë ditë. Për drejtoreshën e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, bashkëpunimi me regjisorin Bekteshi ka qenë shumë i mirë dhe sipas saj, shfaqja premton shume. Kostumografia e shfaqjes erdhi nga kostumografja e njohur e teatrit Samka Ferri, e cila ka mbi 40 vite karrierë në fushën e kostumografisë në teatër dhe në film kryesisht në ish-jugosllavi. Teksti ka pësuar adoptime të lehta, e ndërsa hipokrizia është një dukuri e rëndomtë në shoqërinë njerëzore. Besfort Berberi nga Kosova do luajë rolin e Tartufit, Elmira i është besuar aktores Kristi Lleshi, që janë edhe dy aktorët jashtë trupës permanente të teatrit “Migjeni”.

Ndërsa në këtë komedi janë pothuajse pjesa më e madhe e aktorëve të teatrit si Rita Gjeka, Merita Smaja, Pjerin Vlashi, Enver Hyseni, Jozef Shiroka, Simon Shkreli, Nikolin Ferketa, Sara Smaja, Kristjana Dodaj, si dhe figurantet Astrit Fani, Divni Gushta dhe Fritz Selmani. Komedia “Tartufi” sjell për herë të parë në Shkodër një bashkëpunim të gjerë kombëtar duke bashkuar gjithë trojet shqiptare, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi dhe do shfaqet premierë me 15 shtator në Teatrin “Migjeni” të Shkodër.

Molieri me “Tartufin”

Tartufi është personifikimi i hipokrizisë. Shpesh në jetën e përditshme, kur kemi të bëjmë me njerëz gënjeshtarë e hipokritë themi; “Ai është një Tartuf”. Hipokrizia është edhe problemi kryesor që trajtohet në këtë vepër. Te “Tartufi” historia është e thjeshtë. Orgoni, një aristokrat me emër dhe me reputacion të lartë në shoqëri, gënjehet nga Tartufi, një hipokrit e sharlatan, i cili shtiret si i shenjt e njeri fetar. Ai kërkoi t’i marrë pasurinë, shtëpinë e madje edhe gruan e tij të dytë. Orgonit i janë zënë sytë aq shumë, sa nuk e shikon dot se ç’njeri është Tartufi.
Por më në fund, Tartufi e zbulon fytyrën e vet mizore dhe është gati t’i marrë shtëpinë, por është “shpirtmadhësia” dhe “mençuria” e mbretit që shpëton Orgonin dhe familjarët e tij nga makinacionet dhe dredhitë që ishin përgatitur kundër tij. Fundi është një “Deux Ex Machina”, ku zgjidhja vjen nga mbreti. Me lajka të pabesueshme e pa lidhje me historinë e temat e veprës. Por, për Molierin, ka qenë e vetmja mënyrë që t’i shpëtonte censurës nga ana e kishës. Por, një fund i tillë nga ana e autorit, është një armë e mirë për të thënë disa të vërteta të realitetit, të aktualitetit tonë. A është problem “Hipokrizia” në këtë vend? Ka njerëz të tillë këtu? Vepra na bën thirrje të jemi të përmbajtur dhe të hapur. Të dëgjojmë e të shohim të tjerët, por edhe thellë brenda vetes sonë.(Shkruan SotNews)./ KultPlus.com

Thatësira nxjerr anijen e shekullit të 19-të në liqenin e Shkodrës

Ulja e nivelit të liqenit të Shkodrës për shkak të thatësirës ka nxjerrë në sipërfaqe një anije avullore austro –hungareze, e cila mendohet se i përket shekullit të 19-të.

Ky mjet lundrimi me gjatësi 20 metra dhe 4 metra i gjerë dëshmon se rreth 100 vjet më parë ujërat e liqenit të Shkodrës kanë qenë të lundrueshëm edhe nga mjete të mëdha, raporton ATSH.
Në gjuhën teknike ky mjet quhet Pirroskaf. Nxjerrja e saj nga uji dhe ekspozimi në bregun e liqenit, do të ishte një vlerë e shtuar për turizmin e Shirokës.

Anija është ruajtur në gjendje të mirë nën ujë dhe i vetmi dëmtim që ka pësuar është në pjesën e poshtme aty ku ka marrë edhe goditje nga një mjet shpërthyes, që i ka shkaktuar edhe mbytjen. Anija ndodhet prej vitesh nën pushtetin e barishteve dhe mbetjeve të tjera, por gjithçka është gjetur në këtë anije, i është dërguar me një raport të saktë, Ministrisë së Kulturës.

Mendohet se ajo ka qenë anije ushtarake, ndërsa prania e një avulloreje të tillë është një rast i rrallë e ndoshta unik në Ballkan. Sipas historianëve, në Itali janë disa që ruhen për turizëm. Anija avullore ushtarake që banorët e Shirokës e quajnë anija austriake, nuk është prekur asnjëherë prej tyre. Ajo ruhet në ujërat e liqenit si diçka me vlerë për të cilën duhet të kujdesen organizmat përkatës për ta kthyer në një objekt të vizitueshëm dhe me vlera historike./ KultPlus.com