Shkodra mbetet një nga rajonet më të rëndësishme të kërkimit shkencor arkeologjik në Shqipëri, me interes për misionet e huaja kërkimore, të cilat plot përkushtim i dedikohen kërkimit në terren vit pas viti.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër bën me dije se misioni shqiptaro-francez drejtuar nga dr. Etleva Nallbani, CNRS PARIS dhe dr. Elvana Metalla, Instituti Arkeologjik Tiranë vijojnë hulumtime të rëndësishme arkeologjike në dy vendbanime përfaqësuese të Mesjetës së Hershme: Qytetit mesjetar të Sardës në ishullin e Shurdhahut dhe vendbanimit të Komanit, si një bashkëpunim në kuadër të projektit “Lugina e Drinit”.
Ndërsa projekti kërkimor arkeologjik i misionit shqiptaro-polak drejtuar nga prof. Piotr Dyczek – arkeolog, drejtues i Qendrës për Kërkime në Antikitet për Europën Juglindore në Universitetin e Varshavës, Poloni, prof. Saimir Shpuza, Instituti i Arkeologjisë Tiranë dhe Helidon Sokoli, arkeolog pranë DRTK Shkodër, vijojnë kërkimet arkeologjike në zonën e Bushatit, ku vit pas viti po del në dritë një qytet antik i panjohur që daton kryesisht në shek. IV-II para Krishtit.
Në Ditën Ndërkombëtare të Arkeologjisë, DRTK Shkodër shpreh mirënjohje për punën e palodhur në mbledhjen e të dhënave mbi kulturën, urbanizimin, zhvillimin, zhvendosjen e popullsive, riteve dhe stadit që kishin arritur këto vendbanime./atsh/KultPlus.com
Në Ditën Ndërkombëtare të Turizmit, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër njoftoi se Kalaja e Rozafës shënoi plot 127,538 vizitorë.
Ky tregues, mes të tjerash, tregon që ky sit mbetet një nga parqet arkeologjike më të vizituara në të gjithë Shqipërinë ndërsa shton përgjegjësitë për t’u kujdesur fort për mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore e për të vazhduar punë të bukura përpara për promovimin e turizmit në Shkodër përmes thesareve të trashëgimisë.
Kalaja e Shkodrës, apo siç njihet ndryshe me emrin Kalaja e Rozafës është një prej kështjellave më të rëndësishme të Shqipërisë, emri i së cilës vjen prej një legjende të lashtë. Kalaja është ngritur mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit të Shkodrës, nga ana jug-lindore e tij. Rezulton të jetë ndërtuar qysh nga antikiteti duke ju rezistuar shekujve e duke qëndruar krenare deri në ditët tona.
Kalaja ka një pozicion të fuqishëm strategjik duke kontrolluar të gjithë territorin e gjerë përreth. Ajo përbëhet prej tre oborreve kryesore që janë në formë të shkallëve duke u ngritur njëri pas tjetrit ku dhe ndahen me porta mes tyre. Një strukturë e tillë e bën më të thjeshtë orientimin e turistëve në hapësirat e objektit./atsh/KultPlus.com
Shkodra po kthehet gjithnjë e më tërheqëse në sytë e turistëve vendas e të huaj jo vetëm për atraksionet historike, por tashmë edhe për sportet e aventurës me varka.
Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale, teksa ndau pamje nga sportet ujore që turistët po zhvillojnë në këto ditë gushti në liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna.
Rama tha se turistët po ushtrojnë sportet e aventurës me varka, kanoe, paddle boards, mbi lumin Buna dhe liqen, që pak e nga pak do të rijetësohet me mjete lundruese të të gjitha llojeve.
Drini Xhafa, themelues i “Drini Times”, tha se ky aktivitet zhvillohet në Shirokë që në vitin 2020. Kjo nuk është thjesht një mënyrë për të bërë sport, por për të bërë një eksplorim shumë të magjishëm në liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna”.
“Fillon në Shirokë dhe bëhet në një trajktore mbi 26 km, ku turistët mund të eksplorojnë pjesë të liqenit të Shkodrës, pjesën e zambakëve në liqenin e Shkodrës, të ligatinës që është e mbushur me vegjetacion të dendur me zogj të ndryshëm dhe peshq”, tha Xhafa.
Lumi Buna, vijon Xhafa, përbën një risi për turizmin e paeksploruar të Shqipërisë, ku çdo pjesëmarrës që kemi pasur deri tani është ndier i privilegjuar dhe i habitur se përse nuk eksplorohet një destinacion i tillë.
“Është një perlë, shumë shpesh e krahasuar me lumin Amazona”, tha Xhafa.
Një turist tha se “jam këtu prej 7 ditësh, kemi vizituar Kalanë, liqenin këtu, do të shkojmë në liqenin e Komanit dhe më pas do të kthehemi në Holandë”.
“Është shumë këndshëm, shumë mikpritje, sidomos nëse shkon në restorante. Çmimet? Nëse i krahason me Gjermaninë janë shumë të lira”, tha ai.
Tashmë Shkodrës me bukuri të shumta natyrore dhe historike i është shtuar dhe lundrimi me kanoe, varka, padle boards duke u kthyer në turizmin e aventurës për turistët që e vizitojnë çdo vit.
Në lundrimin me kanoe në lumin Buna mund të vëzhgosh shpendët të cilët ndodhen anës lumit. Në kallamishte ka disa lloje: çafka e vogël të bardhë (Egretta garzetta); pula e ujit (Gallinula chloropus); kllinza e zallit (Tringa glareola) apo shumë baltakë të tjerë që mund të vrojtohen lehtësisht me sy ose me mjete optike, teleskop apo dylbi.
Liqeni i Shkodrës ofron mundësi argëtimi dhe kënaqësie për të gjithë turistët që dëshirojnë të shijojnë turizmin aktiv. Ai është liqeni më i madh në Gadishullin e Ballkanit dhe shtrihet në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ekosistemi i liqenit ushqen faunën dhe florën e pasur dhe unike, duke e shndërruar atë në një qendër të rëndësishme biodiversiteti në Evropë./atsh/KultPlus.com
Shkodra do të vishet këtë fundjavë me ngjyrat e festivalit “Retro”, ku admiruesit e mjeteve klasike do të kenë mundësi të prekin nga afër magjinë e mjeteve të viteve 60-‘70-’80, me targa të personalizuara.
Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje këtë event, i cili do t’i shtojë ngjyrat festive qytetit të Shkodrës me mjetet klasike “Retro” që tërheqin më shumë turistë dhe vizitorë.
“Magjike pritet të jetë e shtuna Retro në Shkodër”, shkruan Kryeministri, ndërsa ndan pamje nga atmosfera e krijuar në festivalet e mëparshme “Retro” në Shkodër.
Festivali “Retro”sjell një ndjesi të veçantë dhe nostalgji për të apasionuarit pas makinave, por edhe interes të veçantë nga vizitorët vendas dhe të huaj.
Përtej paradës së automjeteve “Retro”, gjatë orëve të mbrëmjes do të zhvillohen po ashtu edhe aktivitete festive me tingujt e muzikës “Jazz”, që do t’i shtojnë gjallërinë qytetit të Shkodrës./atsh/KultPlus.com
“Të çelen arkapijat” është një projekt që sjell vëmendjen te monumentet e kulturës në qytetin e Shkodrës.
Projekti po zbatohet nga Shoqata M.I.R.A dhe mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në kuadër të thirrjes për mbështetje financiare të projekt-propozimeve në fushën art-kulturë-trashëgimi kulturore.
“Të çelen arkapijat” solli në vëmendje banesën shkodrane të familjes Muhamet Shurdha, Monument Kulture, Kategoria I, shpallur në vitin 1977. Kjo banesë është mbi 200 vjeçare dhe përfaqëson tipologjinë e banesës së fund shek XVIII, fillim shek XIX, ku spikat zbukurimorja e ornamentikës së brendësisë së mjedisit, tavan oktagonal me rozetë rrethore, mure të pikturuara të ruajtura pa u lyer deri në ditët tona, me vlera të rralla arkitekturore.
Banesa, sot ruan të patjetërsueshme objekte dhe dokumenta që faktojnë ngjarje historike dhe kulturore të familjes e ngjarjeve të kohës të lidhura ngushtësisht me tregtinë dhe detarinë.
Familja e Muhamet Shurdhës është një ndër të shumtat familje shkodrane që në kohën e luftës së dytë botërore kanë strehuar familje hebreje.
Projekti “Të çelen arkapijat” frymëzohet nga deriçkat që bashkonin kopshtet e shtëpive të hershme shkodrane.
Zakonisht ato lidhnin kopshtet prapa shtëpive, duke lidhur në këtë mënyrë edhe fqinjët me njëri-tjetrin./atsh/KultPlus.com
26 deputetë të kryesuar nga Luigj Gurakuqi, kreu i opozitës dhe peshkopi Fan Noli, nuk e donin Tiranën por Shkodrën si kryeqytetin e tyre.
Ky fakt interesant vjen nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e cila ruan dokumente që vërtetojnë sa më sipër, shkruar edhe në mediet ndërkombëtare më 23 maj të vitit 1924, pra 100 vjet më parë.
Shkodra u kishte bërë ballë pushtuesve për një kohë të gjatë, e po ashtu kishte dëshmuar se ndonëse ishin përpjekur të përçanin shqiptarët për shkak të ndryshimeve në besimin fetar, popullsia e Shkodrës kishte rrëfyer kurdoherë se feja e shqiptarit ishte shqiptaria dhe se bashkëjetesa dhe unifikimi kishin më tepër vlerë.
Në këtë këndvështrim, idea që Shkodra të shpallej kryeqytet, u artikulua edhe në mbledhjet e bëra nga organizatorët e kryengritjes. Kushti ishte që pas fitores, të kërkohej që Shkodra të ishte kryeqyteti i vendit./atsh/KultPlus.com
Nëse ka një qytet që lidhet me historinë e biçikletave në Shqipëri, si pjesë e trashëgimisë, ky qytet është Shkodra.
Ishte viti 1907, më shumë se një shekull, kur në Shkodër u pa të lëvizte një i huaj. Ai përdorte një mjet që askush nuk e kishte parë më parë. Ky burrë ishte Konsulli i Nderit i Suedisë, ndaj edhe kureshtja për ta parë ishte mjaft e madhe. Dëshmitë e kohës rrëfejnë se kush e dëgjoi, u dynd andej nga rruga kryesore ku ai lëvizte që ta shihte me sy atë mjet që ecte mbi dy rrota pa u tërhequr nga kafshët.
Në kuadrin historik duhet të përmendim edhe një foto të dy burrave me biçikleta, të nxjerrë nga fototeka “Marubi” e vitit 1897, me veshje kombëtare shqiptare, por që nuk janë të evidentuar se kush janë.
Por Shkodra shënon edhe një rekord tjetër që lidhet me biçikletën. Gruaja e parë që nisi një biçikletë ishte sërish një grua, e kësaj radhe, vinte nga konsullata austriake. Njerëzit sërish u dyndën nëpër rrugë për ta parë atë dhe kuptuan se dyrrotaku nuk ishte pronësi vetëm e meshkujve, por se edhe femrat mund ta ngisnin një të tillë.
Kështu biçikleta fitoi qytetarinë e saj. Është fakt interesant se në vitin 1915, policia e qytetit u pajis me biçikleta dhe ushtronte detyrën e saj duke përshkuar rrugët me to.
Me shtimin e numrit të biçikletave, një grup qytetarësh shkodranë, në vitin 1920 vendosën të krijonin sportin e çiklizmit. Rrethi i parë çiklistik, që është edhe i treti në Europë për nga vjetërsia, pas Francës e Italisë, është organizuar pikërisht në Shkodër. Ndaj dhe në vazhdimësi Shkodra ia ka dhënë tonin këtij sporti, aq sa jo vetëm të rriturit, por nuk ka fëmijë që të mos dijë të ngasë biçikletën.
Nga fundi i viteve ’50 të shekullit të kaluar, kur Shkodra kishte rreth 60.000 banorë, ka të dhëna të plota se në qytet numëroheshin mbi 10.000 biçikleta. Ishte koha kur edhe biçikletat regjistroheshin dhe çdo qytetar, ndaj një pagese simbolike merrte një llamarinë me fushë të bardhë sa një celular mesatar, ku kishte të stampuar numrin, që ishte i detyruar ta vendoste nën shalën e biçikletës.
Shkodra ka disa rekorde sa i takon biçikletës, p.sh., biçikleta e parë dyshe hyri në Shkodër, sikundër pati edhe numrin më të madh të dyqaneve të shërbimit për riparimin e tyre./atsh/ KultPlus.com
Një grup studentësh të Arkitekturës i janë bashkuar nismës së bashkëpunimit midis Drejtorise Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër, Universitetit Polis e Bashkisë Shkodër, me në fokus rilevimin e godinave që janë klasifikuar si pjesë e trashëgimisë historike e Shkodrës.
Grupi i studentëve zhvilloi rikonicionin dhe njohjen paraprake me 20 pasuri kulturore të integruara në Qendrën Historike si dhe bënë një përcaktim paraprak të dimensioneve dhe gabariteve teknike të tyre, që do pasohen në një fazë të dytë nga hartimi i projekteve të restaurimit.
Në terren u trajtua përdorimi i fotogrametrisë, programeve “Meshroom” dhe “Cloudcompare” dhe i instrumentave specifike si nivelues lazer apo meter lazer, si pjesë e rëndësishme e procesit teknik.
Organizatorët e këtij aktiviteti falënderuan për bashkëpunimin e mbështetjen të gjithë pronarët e pasurive kulturore, të cilët mikpritën me durim e kujdes grupin e arkitektëve të ardhshëm./atsh/KultPlus.com
Zgjerimi i Shkodrës gjatë shekujve ka pasur faza të ndryshme deri në ditët e sotme. Drejtoria rajonale e trashëgimisë kulturore e Shkodrës në një postim në rrjetet sociale publikoi gravurën që tregon fortesën e Shkodrës, ruajtur në Bibliotekën Ambrosiana të Firences, e vitit 1877.
Sipas DRTK Shkodër, qyteti ruajti truallin e vet antiko- mesjetar me një zhvendosje më në lindje, në pjesën fushore deri në fillim të shek.XIX. Lagjet e reja kryesisht merrnin emrin e ofiqarëve osmanë, pozicionit gjeografik apo zejeve që ushtronin banorët.
Topat e Hafiz Pashës në 1835 dhe tërmetet e viteve 1815, 1837, 1852, 1905 ndikuan në shpërnguljen e banorëve nga qyteti vjetër, për në perëndim drejt pazarit dhe fushave të liqenit të Shkodrës. Devijimi i Drinit pas vitit 1858, shënoi deklinin e qendrës që mori hov në periudhën e Pashallekut të Shkodrës.
Nga të paktat gjurmë që ruhen sot janë vetëm toponimia e lagjeve Tabake, Bexhene, Ajasem rrënojat e xhamisë Tabake, dhe të asaj Qafë-Kala, çinari shekullor monument natyre./atsh/KultPlus.com
Ditën e sotme ka hapur siparin e aktiviteteve Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) Shkodër.
Kjo datë përkon me 105-vjetorin e themelimit të klubit shumësportësh “Vllaznia”.
“Personazh në Fokus” kishte të ftuar atletin rekordmen në garat e 200 dhe 400 metrave, Franko Burraj.
Në prani të sportistëve dhe të studentëve të Universitetit të Sporteve – Shkodër, Franko u fokusua tek fitoret dhe stërvitja e tij, e sidomos tek gara e fundit, ku zuri vendin e tretë në Kampionatin Ballkanik.
Sot, Franko identifikohet si xhevahir i Shkodrës dhe i gjithë Shqipërisë, që nuk di të ndalet me fitoret e tij, kombëtare e ndërkombëtare.
Ai është modeli i të rinjve që tregon se sporti është vlerë universale e edukative e shoqërisë njerëzore. Motoja e tij është: “Punë shumë e fjalë pak”.
Qendra për Hapje dhe Dialog COD Shkodër i ka uruar suksese Frankos në kampionatin botëror në Glasgow./KultPlus.com
Shkodra i është bashkuar festimeve në Komunën e Tuzit në Malin e Zi, në festën e Karnavaleve.
Banda e qytetit dhe artistët shkodranë janë bërë pjesë e karvanit në qendër të komunë.
Artistët shkodranë janë pritur nga Kryetari i Komunës Tuz, Liridon Gjelaj.
Në emër të bashkisë Shkodër, Nënkryetari Rudin Beka, vlerësoi këtë bashkëpunim mes dy qyteteve Tuzit dhe Shkodrës, ndërkohë që i ftoi ata në javën e ardhshme në festimet 3 ditore të karnavaleve në Shkodër.
Festa e karnavaleve në Komunën e Tuzit është kthyer në një traditë të përvitshme që ka nisur që nga viti 1996. Artistët kanë interpretuar në qendër të komunës duke tërhequr interesin e banorëve të zonës të cilët kanë marrë pjesë në këtë ngjarje festive. Në Shkodër, Karnavalet do të mbahen për 3 ditë me radhë ku përveç ekipit të Tuzit që do të marrë pjesë do të ketë shumë surpriza në datat 23-24-25 Shkurt./TopChanel/KultPlus.com
DRTK Shkodër në rubrikën e saj Amarcord, publikoi në rrjetet sociale një foto të hershme nga festimi i karnavaleve prej komunitetit të krishterë, në këtë qytet.
Qyteti që e ka festuar më herët Karnavalen është Shkodra. Fesimet e para i përkasin gjysmës së dytë të shekullit të XIX, saktësisht vitit 1860, duke krijuar një traditë solide që vazhdoi deri në vitin 1946, ku për shkak të regjimit komunist, u ndalua së festuari për t’u rikthyer sërish si traditë pas viteve `90.
Megjithëse mendohet të ketë origjinë pagane, në qytetërimin e krishterë perëndimor, festa e Karnevaleve njihet si festë fetare. Vetë emri i saj, në latinisht, nënkupton privimin nga ushqyerja me mish (carnem-levamen ose levare) në 40 ditët që i paraprijnë Pashkëve. Për këtë arsye, nuk ka një datë të caktuar për fillimin e festimeve pasi ajo ndryshon nga viti në vit, sipas Pashkëve.
Karnavalet njihen edhe për ironizimin që i bëjnë fenomeneve të pakëndshëm shoqërore dhe nga ana tjetër Shkodra ka primatin e humorit intelektual, goditës dhe therrës. Kjo është një nga arsyet që Karnavalet për shkodranët njihen si “festa e syrretënve” të cilat kanë gjetur një terren të përshtatshëm për të hedhur rrënjë e për të lulëzuar në këtë qytet, ku festohen më bukur se kudo. / atsh / KultPlus.com
Në Shkodër vijon puna për ndërtimin e moleve në lumin Buna. Ky projekt, përfitues i të cilit është bashkia Shkodër, synon të rikthejë lundrimin në lumin Buna dhe gjithashtu të zhvillojë turizmin ndërkufitar mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Sipas nënkryetarit të Bashkisë Shkodër, Onid Bejleri, projekti parashikohet të përfundojë në vjeshtën e këtij viti dhe pritet ta shndërrojë Shkodrën në një pol të rëndësishëm të zhvillimit turistik, ku këtij projekti i bashkëngjitet dhe muzeu i lundrimit dhe të paktën 20 varka turistike të cilat do të ankorohen në këto mole.
Molet turistike “Almonit” në liqenin e Shkodrës synojnë të krijojnë infrastrukturën e nevojshme për lundrimin turistik në liqen midis Shkodrës-Shirokës-Zogajt dhe Vir Pazarit. Molet që do ndërtohen do të jenë një vlerë të shtuar në krijimin e mundësive të reja të bashkëpunimit, në zhvillimin e paketave të integruara turistike midis dy vendeve.
Bashkia e Shkodrës është e angazhuar që këto mole të jenë jo vetëm pika për ankorimin e varkave të lehta dhe nxitjes së lundrueshmerisë në liqen, por edhe si qendra rekracionale në të cilat do të jetë e mundur të zhvillohen aktivitete sportive, kulturore e mjedisore që nxisin turizmin. / Klan News / KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ndau mëngjesin e sotëm pamje nga festimet në qytetin e Shkodrës.
Rama uroi ditë të mbarë “me zemrën e hapur dritash për festa të Shkodrës, ku hapen para njerëzisë edhe lidhjet e dashnisë”, siç shkroi ai në rrjetet sociale.
Edhe kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci ndau pamje nga festa ku të pranishmit shijuan muzikën e këngëtarëve Kamela Islamaj dhe Keli Band.
Në këtë festë nuk mungoi edhe një propozim për martesë, ku Egzoni dhe Elesa kurorëzuan dashurinë e tyre në Shkodër. Ajo i tha po, në mes të festës./atsh/KultPlus.com
“Qyteti si pëlhurë” titullohet nisma për të rijetësuar godinat e vjetra të Shkodrës.
Artistët e muraleve në Shkodër e shumë nxënës nga shkollat 9-vjeçare kanë punuar së bashku për realizimin e kësaj nisme, mundësuar nga bashkia Shkodër.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga puna që po kryhet për rijetësimin e kësaj godine.
Rama tha se “Shkodra merr ngjyra çdo ditë, ku siç e shihni në këto pamje, artistë, nxënës e qytetarë, me dashurinë për qytetin kanë marrë furçat dhe penelat, për t’i dhënë jetë godinave të vjetra”.
Ish-Thertorja pranë Urës së Bunës është objekti i parë që po gjallërohet plot ngjyra me motive tradicionale.
Bashkia e Shkodrës po kryen një sërë investimesh në qytet si rikonstruksioni i rrugëve, vendosja e ndriçimit LED, vendosja e konteinerëve për mbeturinat, etj.
Shkodra tërheq një numër të lartë turistësh gjatë gjithë stinëve të vitit, për të shijuar plazhet e Velipojës dhe sitet kulturore, ushqimin fantastik dhe natyrën e pashoqe. /ATSH /KultPlus.com
Kalaja e Hotit është Monument Kulture, Kategoria I. Ajo ngrihet në jugperëndim të fshatit Hot, Malësi e Madhe, mbi një kodër 170 m të lartë.
DRTK Shkodër kujton se dikur ky fortifikim mesjetar, mjaft mirë i pozicionuar, kontrollonte rrugët tregtare të Shkodrës me viset përgjatë liqenit si dhe kalimin për në brendësi të territorit. Ajo u gjurmua për herë të parë nga Franz Nopsca në vitin 1912 dhe vite më vonë nga arkeologët austriak C.Praschniker dhe A.Schober në 1918.
Fortifikimi me formë përafërsisht vezake zë një sipërfaqe rreth 0.5 ha. Muri rrethues me trashësi 1.60-1.70 m ruhet më mirë në anën veriore dhe perëndimore ku arrin lartësinë deri në 3.5 m. Ndërtimi i fortifikimit është bërë duke respektuar teknikën “opus incertum”.
Në anën veriore ruhen ende dhe 3 kulla, 2 në formë katërkëndore dhe tjetra ovale, ndërsa në anën perëndimore 2 kulla, njëra në trajtën e U-së dhe tjetra katërkëndore. Perimetri i mureve rrethuese shkon deri në 263 m. /ATSH /KultPlus.com
Në Javën Kulturore të Kombeve të Bashkuara, Shkodra priti ekspertë të trashëgimisë jomateriale nga e gjithë bota, pjesë e programeve të trajnimit të UNESCO-s.
Gjatë vizitës së tyre në Shkodër ata patën mundësinë të njiheshin me qytetin si dhe me traditën e bukur familjare të ndërmarrjeve artizanale si një pjesë e pasurisë kulturore dhe trashëgimisë shkodrane. Së bashku panë nga afër mënyrën sesi prodhohen dhe promovohen produkte të artizanatit si dhe ndikimin e tyre në kulturën dhe ekonominë lokale.
U diskutua gjithashtu mbi rëndësinë dhe vemendjen që UNESCO i kushton mbrojtjes dhe promovimit të artizanatit si një pjesë të trashëgimisë kulturore të njerëzimit si dhe mundësitë e bashkëpunimit në asistimin e specialistëve në ruajtjen e teknikave tradicionale dhe aftësive të lidhura me artizanatin.
Specialitët e DRTK Shkodër e kanë shoqëruar grupin e ekspertëve ndërkombëtarë në disa punishte si psh në argjendarinë “Gjonej” dhe në tezgjah “Gjino Mjeda”, mjeshtrat e të cilëve i kanë mikpritur me dashamirësi. / atsh / KultPlus.com
Shkodra mbetet një nga rajonet më të rëndësishme të kërkimit shkencor arkeologjik në Shqipëri për vitin 2023 me interes për misionet e huaja kërkimore, të cilat plot përkushtim i dedikohen kërkimit në terren vit pas viti.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër bën me dije se misioni shqiptaro-francez drejtuar nga Dr. Etleva Nallbani, CNRS PARIS dhe Dr. Elvana Metalla, Instituti Arkeologjik, Tiranë vijojnë hulumtime të rëndësishme arkeologjike në dy vendbanime përfaqësuese të mesjetës së hershme: qytetit mesjetar të Sardës në ishullin e Shurdhahut dhe vendbanimit të Komanit si një bashkëpunim në kuadër të projektit “Lugina e Drinit”.
Ndërsa projekti kërkimor arkeologjik i misionit shqiptaro-polak drejtuar nga Prof. Piotr Dyczek- Arkeolog, Drejtues i Qendrës për Kërkime në Antikitet për Europën Juglindore në Universitetin e Varshavës- Poloni, Prof.Saimir Shpuza, Instituti i Arkeologjisë, Tiranë dhe Helidon Sokoli, arkeolog, DRTK Shkodër, vijojnë kërkimet arkeologjike në zonën e Bushatit, ku vit pas viti po del në dritë një qytet antik i panjohur që daton kryesisht në shek.IV-II para erës sonë.
Në Ditën Ndërkombëtare të Arkeologjisë, DRTK Shkodër shpreh mirënjohje për punën e palodhur në mbledhjen e të dhënave mbi kulturën, urbanizimin, zhvillimin, zhvendosjen e popullsive, riteve dhe stadit që kishin arritur këto vendbanime./atsh/KultPlus.com
Ura e Mesit, monument kulture dhe simbol i qytetërimit të lashtë, është një nga pikat më tërheqëse për turistët vendas dhe të huaj që vizitojnë Shkodrën.
Artitektura e urës mbi lumin Kir, si dhe legjenda e ndërtimit të saj janë shumë intriguese për vizitorët.
Ura e Mesit, 8 km larg qytetit të Shkodrës mbi lumin Kir, është një monument kulture me vlera të mëdha dhe simbol i qytetërimit të lashtë. E ndërtuar në vitin 1768 nga Mehmet Pashë Bushati, ura me kurriz që ndodhet mbi lumin Kir shërbente për të lidhur Drishtin me Shkodrën. Duke qenë një monument me vlera të mëdha arkitektonike e teknike, kjo urë është një objekt që tërheq vizitorë të shumtë. Me gjatësi 108 metër, gjerësi 3.40 metër dhe me 13 harqe jo simetrike, për ndërtimin e saj janë përdorur gurë të latuar, ndërsa traseja është bërë me pllaka guri. Vlerat e kësaj ure shtohen dhe nga terreni piktoresk pranë saj me shkëmbinj dhe ujin e pastër.
Ekziston një legjendë për Urën e Mesit, sipas të cilës, një tregtar turk në ndihmë të disa banorëve të zonës hapi disa gropa për të shuar gëlqeren. Për gati 20 vjet, fshatarët e pritën tregtarin për të ndërtuar urën. Më në fund ai erdhi, mblodhi banorët e filloi ndërtimin e urës. Gëlqerja, që kishte qëndruar për 20 vjet në gropa, kishte një fortësi të tillë sa i lidhi mjaft mirë gurët e urës. Sipas legjendës, kjo urë është ndërtuar me gurë dhe gëlqere të shuar, pa çimento e hekur./atsh/KultPlus.com
Më 15 gusht 1860 lindi në Shkodër artisti Nikollë Idromeno.
I njohur ndryshe me emrin Kolë Idromeno, ishte piktor, arkitekt, urbanist, fotograf, skenograf, siparist, muzikant e kompozitor këngësh shkodrane. Mban titullin “Piktor i Popullit”.
Ishte i pari që realizoi shfaqjet kinematografike në Shqipëri, në 1919. Është themeluesi i shkollës realiste të pikturës shqiptare të shekullit XIX-XX. Në vitin 1883 realizoi tablonë “Motra Tone” që është dhe vepra e parë e rëndësishme realiste në pikturën shqiptare të periudhës së Rilindjes dhe Pavarësisë.
Kolë Idromeno rrjedh prej një familjeje çame të ardhur nga Parga e Greqisë e të vendosur në Shkodër. Mësimet e para të artit i mori në studion e Pietro Marubbi-t, gjë që e vuri në kontakt me mediumin më të ri të kohës, fotografinë. Në moshën 16 vjeçare më 1875, ai shkon në Venecia ku kalon një periudhë të shkurtër studimi në Akademinë e Arteve të Bukura e më pas pranë studios së një artisti venecian. Pas kësaj përvoje, më 1878 ai kthehet në Shkodër ku shfaq interesat e dhuntitë e tij në disa fusha. U bë i njohur për projektet arkitektonike të një sërë ndërtesash publike e private në Shkodër si Kafja e Madhe, Banka Kombëtare, disa shtëpi në dy rrugët kryesore të qytetit. Arkitektura që propozon ai sjell disa tipare perëndimore kundrejt arkitekturës orientale që kishte depërtuar ndër shekuj.
Fondi i tij fotografik numëron 1300 negativë në xham në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë dhe rreth 100 në Muzeun “Marubi”. / atsh / KultPlus.com
Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi në qytetin verior të Shkodrës, konsiderohet një pasuri e madhe dhe me shumë vlerë për vendin.
Kryeministri Edi Rama, publikoi sot në rrjete sociale, foto nga ky muze, teksa ftoi vizitorët dhe turistët e huaj, që frekuentojnë Shkodrën në këtë sezon veror, të mos e lënë pa e parë, koleksionin e rrallë fotografik të Dinastisë së Marubëve.
“Nëse jeni në Shkodër, mos e lini pa parë koleksionin e rrallë fotografik të Dinastisë së Marubëve”, shkroi Rama.
Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi, ka në fototekën e saj, fotografi me origjinë italiane. Pietro Marubi hapi studion e parë të fotografisë në Shqipëri, në mesin e shekullit të 19-të, kur vendi ishte nën sundimin osman.
Gjatë tre brezave ai, çiraku i tij Kel dhe djali i Kelit, Gegë, dokumentuan një periudhë magjepsëse të historisë shqiptare, që nga fillimet e lëvizjes për pavarësinë e Shqipërisë, përmes luftës Ballkanike dhe Luftës së Dytë Botërore, deri në regjimin komunist të Enver Hoxhës.
Koleksioni i fotografive të ekspozuara tregojnë bukur të gjitha sferat e jetës – revolucionarë, fermerë, politikanë, muzikantë, fe, shumëllojshmërinë e mahnitshme të veshjeve tradicionale shqiptare, etj./atsh/KultPlus.com
Të jetosh buzë detit është diçka e këndshme për këdo, por të shndërrohesh në nomad digjital është akoma më emocionuese, shkruan faqja euronews.
Kthimi i plazhit në zyrën tuaj dhe dërgimi i emaileve nga bregdeti është diçka jashtë ëndrrës. Ndërsa më shumë vende se kurrë fillojnë të ofrojnë viza nomade digjitale, puna në distancë nga deti mund të jetë realitet.
Nga qytetet e zhurmshme për festa deri tek zonat e qeta me rërë, Evropa ka një gamë të tërë qytetesh dhe qytetesh të ndryshme bregdetare.
Midis detit Adriatik dhe Alpeve, ndodhet qyteti i Shkodrës, më i madhi në Shqipërinë Veriperëndimore dhe një nga më të vjetrit në vend.
Ndërsa shumë zgjedhin të shkojnë drejt kryeqytetit Tiranë, ritmi i jetës në Shkodër është shumë më i qetë.
Shumica e njerëzve ngasin biçikleta në vend që të ngasin një makinë, pasi Shkodra ka një histori të gjatë të transportit me dy rrota.
Gjithashtu, ka më shumë gjasa të jeni në gjendje të përballoni të merrni me qira një pronë me pak më shumë hapësirë, pasi një apartament i mobiluar plotësisht me pamje të mirë mund t’ju kushtojë deri në 200 euro.
Shkodra ka një pasuri të vendeve të bukura natyrore dhe njihet si porta për në Alpet Shqiptare.
Shqipëria ka 14 parqe kombëtare dhe 450 kilometra vijë bregdetare, kështu që nuk do të jeni kurrë larg detit dhe maleve.
Dhe, nëse doni të vizitoni më shumë se një shtet në aventurën tuaj si nomadë digjitalë, Shkodra është vetëm 30 minuta me makinë nga kufiri me Malin e Zi./KultPlus.com
Një ecje nëpër sheshin e bukur të Shkodrës, të mbetet gjatë në mendje. Ajo që të tërheqë më shumë këtu është pamja e bukur e sheshit e rrethuar nga katër anët me malet e bukura shqiptare, me pikë vrojtimi nga kalaja e Rozafës.
Ndërsa një thënie që e gjen pothuajse pranë çdo dyqani, dhe e dëgjon shpesh nga vendasit është “Me ken shkodran të tana i ban”.
Flamuri i përkufizimit “Me ken shkodran, të tana i ban”, më shumë se një valvitës mburrjeje mbetet një detyrë për t’i bërë të gjitha, si shkodran, me sa më shumë modesti.
Shkodra ishte qendër e madhe dhe plot jetë. Një nga qytetet më të lashta në krejt gadishullin, bashkëkohëse e Romës antike. Shkodra me gjithë furtunat që i kishtin kaluar përsipër e ruante peshën dhe hijen e saj. Hijen e pushtetit të dikurshëm të padronëve të saj, derës së famshme të Bushatllinjve, shpatëndëshkuese e krejt sulltanëve në Gadishullin e Ballkanit, madje më larg, gjer në Hungari e në Kretë, hijen e fesë katolike, kuvendet e kishat e së cilës nuk ishin më pak të fuqishme, dhe së fundi hijen e maleve, atë hije të rëndë tragjike që me mijëra kanale e udhë misterioze zbriste nga Malësia e Madhe, nga Bjeshkët e Nemuna, nga krejt Rrafshi verior i Shqipërisë, për të plotësuar, për të zëvendësuar apo për të korrigjuar diçka në statusin shpirtëror të këtij qyteti. Por nuk ishin vetëm këto.
Përveç kështjellës dhe kishave, kullave, kambanoreve dhe minareve, Shkodra kishte jetë kulturore, biblioteka, arkiva mesjetare, zyra konsujsh, revista letrare që shpërndaheshin në të gjithë vendin.
Ajo kishte intelektualë, sallone ku fliteshin e diskutoheshin gjithfarë problemesh, gra të bukura dhe histori të ndërlikuara dashurie, dyqane ku shiteshin libra, disqe e parfume të Parisit, aventurierë, skandale, maniakë nga ato që pjell qytetërimi etj. /KultPlus.com
Nëse ka një qytet që lidhet me historinë e biçikletave në Shqipëri, ky qytet është Shkodra. Prandaj, nëse flasim për historinë e biçikletave të para në vendin tonë, kjo histori duhet të nisë nga qyteti në veriperëndim, që shtrihet në ultësirë, e ndoshta, kjo shtrirje gjeografike ka ndikuar edhe më shumë që biçikleta, pasi hyri për herë të parë, të gjejë shtëpinë e saj në Shkodër.
Ishte viti 1907, më shumë se një shekull, kur në Shkodër u pa të lëvizte një i huaj. Ai përdorte një mjet që askush nuk e kishte parë më parë. Ky burrë ishte konsulli i nderit i Suedisë, ndaj edhe kureshtja për ta parë ishte mjaft e madhe. Dëshmitë e kohës rrëfejnë se kush e dëgjoi , u dynd andej nga rruga kryesore ku ai lëvizte që ta shihte me sy atë mjet që ecte mbi dy rrota pa u tërhequr nga kafshët.
Me kaq, kurioziteti u shua, po s’u shua lakmia për ta pasur. Kush ishte më i pasur dhe që kishte mundësi të dilte jashtë shtetit, e solli një të tillë. Biçikletat që nisën të hynn në Shkodër ishin të markave të ndryshme, më së shumti italiane. Por në kuadrin historik duhet të përmendim edhe një foto të dy burrave me biçikleta, të nxjerrë nga fototeka “Marubi” e vitit 1897, me veshje kombëtare shqiptare, por që nuk janë të evidentuar se kush janë.
Por Shkodra shënon edhe një rekord tjetër që lidhet me biçikletën. Gruaja e parë që nisi një biçikletë ishte sërish një grua, e kësaj radhe, vinte nga konsullata austriake. Njerëzit sërish u dyndën nëpër rrugë për ta parë atë dhe kuptuan se dyrrotaku nuk ishte pronësi vetëm e meshkujve, por se edhe femrat mund ta nisnin një të tillë.
Kështu biçikleta fitoi qytetarinë e saj. Është fakt interesant se në vitin 1915, policia e qytetit u pajis me biçikleta dhe ushtronte detyrën e saj duke përshkruar rrugët me biçikleta.
Me shtimin e numrit të biçikletave, një grup qytetarësh shkodranë, në vitin 1920 vendosën të krijonin sportin e çiklizmit. Rrethi i parë çiklistik, që është edhe i treti në Europë për nga vjetërsia, pas Francës e Italisë, është organizuar pikërisht në Shkodër. Ndaj dhe në vazhdimësi Shkodra ia ka dhënë tonin këtij sporti, aq sa jo vetëm të rriturit, por nuk ka fëmijë që të mos dijë të ngasë biçikletën.
Duke pasur parasysh se shtëpitë shkodrane ishin një dhe dykatëshe dhe se shumica prej tyre kishin oborre për t’i mbajtur, duke pasur parasysh edhe faktin se Skodra është një qytet që pozicionohet në ultësirë dhe të jep mundësi pedalimi të mirë, nga viti në vit numri i biçikletave erdhi duke u shtuar.
Pas çilirimit të vendit, zhvillimi i Shkodrës, krijimi i një zone industriale jashtë vijës së verdhë të qytetit, e bëri biçikletën një mjet pune të domosdoshëm, jo vetëm për burrat, por edhe për vajzat e për gratë. Biçikleta qe zgjidhja e vetme për të përshkruar në mungesë të makinës, 12 km gjatësi dhe 6 km gjërësi qytet, për të shkuar në punë, për të bërë shëtitje buzë liqenit, për të shkuar në periferi, për të dalë në Pjacë, apo për të takuar miq. Kërkesa për biçkleta po rritej dhe nuk po përballohej dot. Çdo shtëpi kishte dy ose tre të tilla. Kërkesat në rritje shtuan importin e tyre, fillimisht nga vendet e Lindjes e më pas nga Kina. Me biçikleta dilnin në punë mjekët e mësuesit, mjeshtrit e çirakët, inxhinierët e artistët, nëpunësit e ushtarakët, etj.
Nga fundi i viteve ’50 të shekullit të kaluar, kur Shkodra rreth 60.000 banorë, ka të dhëna të plota se në qytet numëroheshin mbi 10.000 biçikleta. Ishte koha kur edhe biçikletat regjistroheshin dhe çdo qytetar, ndaj një pagese simbolike merrte një llamarinë me fushë të bardhë sa një celular mesatar ku kishte të stampuar numrin, që ishte i detyruar ta vendoste nën shalën e biçikletës.
Shkodra ka disa rekorda sa i takon biçikletës, psh biçikleta e parë dyshe hyri në Shkodër, sikundër pati edhe numrin më të madh të dyqaneve të shërbimit për riparimin e tyre.
Pas ndryshimeve të vitit 1991, me mbylljen e shumë ndërmarrjeve dhe hyrjen e makinave private, duket sikur ra edhe numri i madh i përdorimit të biçikletave. E nëse deri dje qyteti ecte plotësisht mbi dy rrota, sot ai ndoshta në të njëjtat raporte ecën mbi katër rrota, mbi makina të markave të ndryshme, por prapseprap askush nuk ka mundur t’ia heqë nga koka kurorën e kampiones së biçikletave. Pasi përditë me mijëra të tilla qarkullojnë rrugëve të qytetit. /atvlive.tv/KultPlus.com