Fondi i Teatrit për të Rinj sjell dramën ‘Ikja’ në Teatrin ‘Migjeni’ të Shkodrës

Teatri “Migjeni” i Shkodrës sjell sonte për publikun, shfaqjen “Ikja”. Vepra ka autorësinë e Bujar Hoxhaj dhe vjen me regji të Rafael Hoxhaj dhe muzikë nga Rafael Marinaj.

“Ikja” do të përballë spektatorin me dilemat e një largimi. Ajo vjen si një rrëfim nga qielli dhe gjithashtu si një përjetim dhe akt momental. Drama vë pikëpyetje dhe trajton ikjen si fenomen jo veç të njëkuptimtë por shumë planësh:

Ikja nga përgjegjësitë dhe detyrimet si qytetar i një vendi relativisht në zhvillim e sipër.

Ikja nga vendi në kërkim të një jete më të mirë.

Ikja e pakthyeshme, ajo e madhja, ikja nga kjo botë.

Por a është “Ikja” një zgjidhje? Apo, nuk kemi zgjidhje tjetër veç “Ikjes”?

Me këto pikëpyetje që rëndojnë të paktën një herë në jetën e një njeriu,  “Ikja” parë filozofikisht do të mundësohet nga Fondi i Teatrit për të Rinj, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Artdashësit do ta kenë hyrjen e lirë në Teatrin “Migjeni”./atsh/KultPlus.com

Pamje nga Liqeni i Shkodrës

Kryeministri Edi Rama ndau pasditen e së dielës, në rrjetet sociale pamje nga Liqeni i Shkodrës.

Rama publikoi një video nga kjo pikë turistike, ku shihen pushues të moshave të ndryshme, që janë ulur dhe sodisin pamjen piktoreske të liqenit, duke dëgjuar muzikën që luan kuarteti i harqeve në platen e vendosur në breg të liqenit.

Repertori i kuartetit të harqeve, vjen si një tjetër surprizë e këndshme për pushuesit e apasionuar pas muzikës, që frekuentojnë Liqenin e Shkodrës.

I konsideruar si një nga qendrat turistike më të rëndësishme të rajonit, ky liqen dallon për ajrin e pastër dhe bukuritë natyrore.

Liqeni i Shkodrës gjatë këtij viti ka tërhequr një numër të lartë vizitorësh vendas e të huaj.

Kjo zonë gjatë periudhës janar-shtator u vizitua nga 143 710 vizitorë, nga të cilët 78 800 vendas dhe 64 910 të huaj.

Ndër pikat turistike më të vizituara në liqen janë “Syri i Sheganit”, Shiroka, Zogaj. Ndërkohë që numri i vizitorëve është rritur edhe falë sporteve ujore si kanoet,varkat dhe gondolat veneciane që janë zhvilluar gjatë këtij sezoni turistik./atsh/KultPlus.com