230 artistët e rinj, nxënës të Shkollës së Baletit, e kanë nisur vitin e ri shkollor në një godinë moderne dhe mjedise të rikonstruktuara. Në ceremoninë e përurimit të mjediseve të reja mori pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro Furxhi, si dhe pedagogë e nxënës që kanë frekuentuar shkollën ndër vite, të cilët me punën e tyre kanë ngritur lart emrin e shkollës shqiptare të baletit, përcjellë KultPlus.
Ministrja e Kulturës Kumbaro kujtoi se “Në vitet ’50 Moska shkollonte kuadrot e parë të baletit: Skënder Selimi, Panajot Kanaçi, Ganimet Vendresha, Zoica Haxho, Agron Aliaj, Petrit Vorpsi , Xhemil Simixhiu. Duket si avanguard mendimi për të pasur një shkollë baleti në Shqipëri, në një vend të vogël si i yni, pa përvojën e artit të kultivuar koreografik, me problem ekonomike. “Baleti i Vogël” krijuar në vitin e largët ’49 kujtohet edhe sot për pasionin, intuitën, këmbënguljen në fillesën e një bërthame artistësh që atëherë nuk e dinin, por do të kujtoheshin gjatë si fillesa e baletit në Shqipëri”.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro falënderoi kryebashkiakun Veliaj për mbajtjen e këtij premtimi, duke bërë realitet ëndrrën e artistëve të rinj për të studiuar në një shkollë me kushte moderne dhe kujtoi se “Pas dy vjetësh këta të rinj të Shkollës së Baletit do të japin shfaqje në skenën e re të rikonstruktuar të Teatrit të Operas dhe Baletit, ku po punohet me ritme të shpejta”.
Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj deklaroi se “Ky është një tjetër premtim i mbajtur ku brenda dy viteve ka përfunduar rikonstruksioni i Shkollës së Liceut Artistik dhe i Shkollës së Baletit, që janë fidanishte për artistët e rinj.
“Kjo ka qenë një javë fantastike për Tiranën në fakt. Kemi hapur disa shkolla të reja. Unë besoj se shkollat ku kemi gjasat më të mëdha që të kemi produkt të mirëfilltë ‘Made in Albania’ janë dy: Shkolla e Liceut dhe Shkolla e Baletit.
Në fund të koncertit festiv, ministrja Kumbaro dhe kryetari i Bashkisë Veliaj shpërndanë medalje mirënjohjeje për disa nga emrat më të njohur të kësaj shkolle që kanë lënë gjurmë në artin shqiptar.
Në Shkollën e Baletit është bërë rikonstruksioni i fasadës, hidroizolimi i tarracës, rikonstruksioni total i nyjeve sanitare, rrjetit hidraulik dhe i dhomave të zhveshjeve. Gjithashtu, është shtruar parketi i ri i përshtatshëm për sallat e kërcimit, si dhe është instaluar sistemi i ngrohjes dhe i ftohjes. / KultPlus.com