Kjo shkollë ishte shkolla e parë shqiptare për vasha dhe u bë vatër e arsimit shqiptar dhe e ideve për liri e përparim kombëtar. Ajo mblodhi rreth saj patriotët më të shquar. Lindi si një ide dhe e Gjerasim Qiriazit, i cili e shihte nevojën e madhe për një institucion të tillë që do të shërbente për emancipimin e grave shqiptare.
Me dëshirën e zjarrtë për të ndihmuar sadopak popullin e tij, Gjerasimi bashkë me të shoqen, Athinanë, vendoset në Korçë në vitin 1890 dhe aty fillon të predikojë në gjuhën shqipe, ku gjeti ndër njerëzit një etje të madhe për të.
Nga ky shkak fitoi simpatinë dhe përkrahjen e shumë patriotëve shqiptarë, veçanërisht të Jovan Cico Kosturit, Orhan Pojanit, Thimi Markos, Petro Nini Luarasit e Thanas Sinës, të cilët e lutën që të predikojë shqip në ndërtesën e Mësonjëtores së Parë Shqipe. Më 23 tetor 1891 Gjerasimi dhe e motra Sevastia, e cila sapo kishte mbaruar studimet në Shkollën Amerikane për Vajza në Stamboll, (themeluar nga “Bordi Amerikan i Komisionerëve për Misionet e Huaja”) të vendosur për të përmbushur nevojën e popullit shqiptar për arsim në gjuhën amtare, çelën në Korçë të parën shkollë shqipe për vajza. Në ceremoninë e diplomimit të Sevastisë në Stamboll, kishte qenë i pranishëm dhe Naim Frashëri, si përfaqësues i Ministrisë së Arsimit.
Personeli i shkollës në vitet e para, përbëhej nga: Gjerasim Qiriazi, drejtor, Sevasti Qiriazi, Thanas Sina Postenani dhe Fanka Eftim. Mësues të tjerë që kanë dhënë mësim në këtë shkollë janë edhe patriotët e shquar Grigor e Katerina Cilka, Gjergj Qiriazi, Kristo Dako, Parashqevi Qiriazi, nxënëse të kësaj shkolle Polikseni Luarasi, Helidhona Titu (Falli), amerikanët Fineas e Violet Kenedi të Misionit Amerikan etj.
Pas vdekjes së Gjerasimit në vitin 1894, vendin e tij e zuri i vëllai Gjergj Qiriazi e më pas Thanas Sina e Grigor Cilka dhe secili dha një kontribut të shquar për përparimin e kombit shqiptar.
Mësuesit e kësaj shkolle janë ndër patriotët më të shquar të Rilindjes sonë Kombëtare. Ata qenë në ballë të luftës për liri e arsim kombëtar e në krye të ngjarjeve më të rëndësishme të atyre viteve: mësues në shkollën shqipe, përkthyes e shpërndarës librash në gjuhën amtare, propogandues të ideve kombëtare, hartues abetaresh e gramatikash, tekstesh shkollore, pjesëmarrës në Kongresin e Alfabetit, 1908, pjesëmarrës në Kongresin e Elbasanit që solli çeljen e shkollës pedagogjike (normale), luftëtarë politikë, përkrahës të shtetit shqiptar më 1912, përkrahës të qeverisë së Vidit etj. / diasporashqiptare.al / KultPlus.com