Prishtinës i shtohet edhe një shkollë moderne nga shtatori i vitit 2018 (FOTO)

Kryetari Shpend Ahmeti bashkë me nënkryetarin Selim Pacolli, Drejtorin e Arsimit Jonuz Salihaj dhe disa asambleistë vizituan sot përfundimin e punimeve në objektin e shkollës fillore dhe të mesme të ulët në lagjen “Arbëria”.

Shkolla që do të mbajë emrin “Mehmet Gjevori” në përbërje ka gjithsej 12 dhoma mësimi, prej të cilave 2 dhoma mësimi për nivelin e arsimit parafillor, 10 dhoma mësimi për nivelin e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët dhe 4 dhoma për kabinete, kuzhinën dhe hapësirat të tjera përcjellëse sipas kërkesave dhe standardeve bashkëkohore.

Drejtoria e Arsimit pas analizës dhe vlerësimit të përgjithshëm mbi demografinë e popullsisë në lagjet apo zonimin ku shtrihen shkollat fillore, si: SHFMU “Meto Bajraktari”, SHFMU “Qamil Batalli” dhe SHFMU “Faik Konica”, konstatoi se numri i nxënësve në këto shkolla është i madh nëpër paralele prandaj rreth 17 paralele nga viti i ri shkollor 2018/19, do të transferohen në shkollën e re në lagjen “Arbëria”.

Për të siguruar një transferim të lehtë i gjithë ky proces do të realizohet në koordinim të plotë me drejtuesit e shkollave dhe organet e brendshme të shkollës.

Poashtu, javën e ardhshme do të bëhet edhe prezantimi i draft projekteve konceptuale i pesë objekteve shkollore që do të ndërtohen me programin PFI në bashkëpunim me Bankën Botërore./KultPlus.com

Ndalohet mësimi i gjuhës frënge në Prishtinë

Shoqata e Profesorëve të Frëngjishtes të Kosovës (SHPFK) përmes një komunikate ka shprehur shqetësimin e saj të thellë lidhur me braktisjen e mësimdhënies së frëngjishtes nga shkolla Elena Gjika në Prishtinë, përkundër dëshirës së stafit mësimdhënës dhe të drejtorit të institucionit, përcjellë KultPlus.

“Frëngjishtja është mësuar në këtë shkollë nga viti 2001. Çdo vit, rreth 80 nxënës tregonin interesimin e tyre të madh për mësimin e frëngjishtes dhe merrnin pjesë në mënyrë aktive në aktivitetet e ndryshme lidhur me frankofonin. Shkolla ka të gjitha mjetet e nevojshme për të siguruar një mësim cilësor falë mbështetjes materiale të konsiderueshme të Ambasadës së Francës në Kosovë. Ky vendim vështirë mund të kuptohet, duke marrë parasysh angazhimin e Kosovës për frankofonin, ndër të tjera përmes statutit të saj si anëtare vëzhguese të OIF (Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë). Kjo zgjidhje e imponuar pa konsultim paraprak dënon fillimisht nxënësit që kanë një lidhje të veçantë me gjuhën e Molierit.”, thuhet në komunikatë, ku poashtu theksohet se ky vendim është një sinjal katastrofik që i dërgohet shkollave të tjera të cilat janë thellësisht të implikuar në promovimin e gjuhës frënge ose që dëshirojnë të investojnë në këtë drejtim.

SHPFK-ja kërkon urgjentisht të takohet me organet vendimmarrëse dhe sidomos nga Komuna e Prishtinës, që këta të anulojnë këtë vendim të dëmshëm në çdo aspekt./ KultPlus.com