Suedia u thotë jo tabletëve dhe kompjuterëve nëpër shkolla: “Nxënësit kanë nevojë që të mësojnë dhe përmirësojnë shkrimin e dorës”

Disa shkolla në Suedi po kufizojnë përdorimin e kompjuterëve dhe pajisjeve të tjera elektronike nëpër klasa, pasi mësuesit druhen se këto pajisje po dëmtojnë aftësitë e nxënësve për të shkruar dhe lexuar.

Megjithëse Suedia ka një shkallë më të lartë suksesi në arsim në krahasim me fqinjët e saj evropianë, statistikat e qeverisë sugjerojnë një rënie të lehtë.

Me fillimin e vitit të ri shkollor në mbarë botën, për një shkollë suedeze në qendër të Stokholmit kjo nënkupton shumë orë shkrimi me dorë dhe orë të qeta leximi, diçka e pazakontë për Suedinë. Në vitin 2017 Suedia miratoi një strategji për përdorimin e kompjuterëve dhe tabletëve nëpër klasa, madje edhe nëpër kopshte. Nëntëvjeçari, Henrik Trolle Adams, në klasën e tretë të shkollës Djurgardsskolan beson në rëndësinë e shkrimit me dorë.

“Shkrimi në kompjuter dëmton aftësinë për të shkruar mirë me dorë”.

Edhe shoqja e tij e klasës Liveon Palmer preferon që të shkruaj në letër. “Më pëlqen të shkruaj më shumë në fletore, sepse thjesht ndihem më mirë”. / KultPlus.com

SBASHK ngre alarmin: Shkollat mund të mbesin pa mësimdhënës

Nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala, tha se mësimdhënësit po kërkojnë pushim pa pagesë, për të dalë në Evropë për të punuar dhe se është shqetësuese kjo dukuri, pasi në një të ardhme të afërt mund të mbesin shkollat pa mësimdhënës.

Ajo tha se kryesisht ata mësimdhënës që kërkojnë pushim pa pagesë është arsyeja që po shkojnë diku në Evropë me qëllim që nëse mund të integrohen për një punë më të mirë atje.

“Sipas informatave që i kemi nga kryetarët e sindikatave të niveleve komunale, janë një numër i mësimdhënësve që po kërkojnë pushim pa pagesë një vit, kryesisht ata mësimdhënës që kërkojnë pushim pa pagesë është arsyeja që po shkojnë diku në Evropë me qëllim që nëse mund të integrohen për të gjetur punë më të mirë diku në Evropë. Arsyeja e ikjes besoj është e njohur për të gjithë, ngase mësimdhënësit edhe përkundër asaj që është bërë një rritje simbolike e pagesës, por një pagesë jo e dinjitetshme për ta, dhe njëherësh kushtet e punës në shkolla janë larg asaj të dëshirueshme sikurse janë në Evropë. Ngase secili mësimdhënës kërkon pushim pa pagesë një vit. Nëse ka përfunduar një fakultet, e natyrisht për të qenë mësimdhënës përveçse duhet ta ketë përfunduar fakultetin duhet ta ketë të përfunduar edhe masterin, andaj një mësimdhënës për të nuk është problematike që ta mësojë një gjuhë të huaj cilado qoftë, aq më tepër kur në Kosovë po organizohen kurse të ndryshme të gjuhëve, meqenëse një numër i madh i qytetarëve të Kosovës po ikin në Gjermani, kështu që gjuhë gjermane ka mjaftueshëm në Kosovë, që për mësimdhënësit nuk është problematike për ta mësuar gjuhën brenda 6 muajve apo edhe një viti, dhe pas asaj periudhe do të thotë kur veçse e ka mësuar gjuhën, ai mësimdhënës pa kurrfarë problemi do të integrohet dhe do të punësohet qoftë kudo në Evropë, pasi ta ketë mësuar edhe gjuhën e atij vendi ku ka emigruar”, deklaroi Shala.

Ajo tha se sipas kërkesave në drejtorinë Komunale të arsimit të atyre që kanë ikur janë diku rreth 300 mësimdhënës, ku edhe iu është aprovuar, dhe kjo është shqetësuese për këtë dukuri, ngase në një të ardhme të afërt ka mundësi që edhe shkollat tona të mbesin pa mësimdhënës.

“Nuk e dimë saktë numrin e atyre sa kanë ikur, por e dimë afërsisht numrin e atyre që kanë bërë kërkesë në drejtorinë Komunale të arsimit, edhe aty është një numër prej 300 mësimdhënës që kanë bërë kërkesë në drejtoritë Komunale të arsimit, që do të thotë në të gjithë Kosovën dhe këto informata i kemi nga kryetarët e sindikatave të niveleve Komunale, që ky numër që kanë bërë kërkesë dhe natyrisht kërkesa e tyre është aprovuar. Çka është shumë shqetësuese për këtë dukuri, ngase në një të ardhme të afërt nëse vazhdon ky trendi për kërkim të pushimit pa pagesë apo edhe largimit të shumëhershëm të mësimdhënësve është një alarm shumë shqetësues çka në një të ardhme të afërt ka mundësi që edhe shkollat tona të mbesin pa mësimdhënës, ngase për përgatitje shkollore të një mësimdhënësi duhet bukur kohë e gjatë”, theksoi ajo për Gazeta Blic.

Shalaj shprehet se edhe vitet e kaluara edhe këtë vit pritet që kushtet në shkolla të përmirësohen, por që prapë po mbesin të njëjtat, tashmë ka dalë edhe çështja e furnizimit të librave ku së paku viteve të tjera i kishin librat, kurse tani nuk është bërë shpërndarja e tyre.

“Mësimdhënësit i përkushtohen punës së tyre, janë të përgatitur për shkak të transmetimit të informatave dhe ato çka janë të parapara në planprogramin mësimor, t’i interpretojnë dhe të njëjtën kohë të arrijnë suksese sa më të larta nxënësit e tyre. Kur është çështja tek pushimet e dimë se vitin shkollor në vitin 2022-2023 mësimdhënësit i është mohuar pushimi pranveror me përjashtim kanë pasur disa ditë që i janë lidhur me festat, por jo edhe pushimi pranveror si ka qenë i paraparë, kurse pushimin vjetor dihet se duhet ta përfundojnë procesin mësimor, t’i përfundojnë të gjitha punët e tyre administrative që i kanë pasur dhe ashtu siç e parasheh ligji natyrisht që edhe mësimdhënësit kanë shkuar në pushim, mirëpo edhe vitet e kaluara edhe këtë vit pritet që kushtet në shkollat tona të përmirësohen, por që prapë po mbesin të njëjtat qa kanë qenë edhe viteve të kaluara çka i vetmi mjet mësimor akoma në shkollat tona po mbetet libri, shkumësi, shpuza dhe tabelat që kanë qenë, domethënë nuk kemi një përmirësim në kushtet e punës edhe këtë vit shkollor 2023-2024, tanimë doli edhe çështja e furnizimit të librave ku së paku viteve të tjera i kishin librat, kurse tani nuk është bërë shpërndarja e tyre çka vetëm e kemi një gjendje më të përkeqësuar sesa viteve të tjera“, përfundoi Vjollca Shala nga SBASHK. / KultPlus.com

Zgjidhet problemi i çantave të rënda të fëmijëve, nis shpërndarja e dollapëve personal nëpër shkolla

Pas ankesave të vazhdueshme të prindërve për peshat e rënda të çantave të shkollës, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besiana Musmurati, ka bërë të ditur se nga sot do të fillojë furnizimi me dollape të fëmijëve për klasat e para deri në klasat e pesta, shkruan KultPlus.

Ajo përmes një postimi në profilin e saj në Facebook ka treguar se cilat do jenë shkollat e para që do të furnizohen, si dhe ka treguar se sipas një hulumtimi në një shkollë fillore të Prishtinës është hasur në mospërputhshmëri peshash që Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon dhe asaj që fëmijët deri më tani kanë qenë të detyruar të bartin.

Postimi i plotë i Musmuratit:

Mëngjes tejet i lumtur sepse sot po fillojmë furnizimin me dollape të fëmijëve për klasët e para deri në klasët e pesta 🎒📚. Në çdo takim me prindërit e fëmijëve të kësaj grupmoshe kam marrë ankesa për peshën e rëndë të çantave.

Sipas një hulumtimi të bërë nga një shkollë fillore e Prishtinës, nxënësi i klasës së parë, që ka peshë trupore rreth 23 kilogramë, e bart çantën mesatarisht 4 kilogramë e 170 gramë. Ndërsa sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, pesha fizike që bartin fëmijët nuk duhet të jetë mbi 10 përqindëshin e peshës trupore të fëmijëve, pra 2.3 kilogramë.

Pasojat në shëndet prej çantave të rënda janë të mëdha, prandaj edhe kemi reaguar që të ruajmë shëndetin e fëmijëve. Kemi blerë dollapë metalik që i rezistojnë kohës dhe që janë tejet të përshtatshëm për fëmijë. Po fillojmë me shkollat Hasan Prishtina, Ismail Qemaili dhe Naim Frashëri që të vazhdojmë në të gjitha shkollat e Prishtinës. #BashkëeNdreqim

Neve i urojmë nxënësit dhe prindërit e tyre për këtë lajm të gëzueshëm dhe shpresojmë që një shembull të tillë të fillojnë ta ndjekin edhe të gjitha shkollat nëpër komunat tjera të vendit. / KultPlus.com

Shteti evropian që po paralajmëron se shkollat këtë vit mund të mos kenë ngrohje

Shkollave në Austri mund t’u duhet të shkurtojnë udhëtimet me ski dhe ngrohjen për shkak të kostove të energjisë.

Drejtuesit e shkollave austriake janë të shqetësuar se mund të mos kenë para të mjaftueshme për të ngrohur shkollat ​​e tyre dhe kanë frikë se kurset e skive ose trajnimet e mëtejshme mund të anulohen.

Problemet e ngrohjes përkeqësohen nga rregullat e Covid-19, të cilat kërkojnë ajrosje të shpeshtë jashtë klasave, transmeton Albinfo.ch.

Siç raportoi The Local të mërkurën, EVN dhe Wien Energie – të dyja pjesë e grupit Energieallianz Austria (EAA) – kanë njoftuar të dy se do të rrisin çmimet e energjisë nga muaji i ardhshëm.

Në një intervistë me transmetuesin ORF, Drejtori Menaxhues i Agjencisë Austriake të Energjisë (AEA), Franz Angerer, tha se nuk ishte për t’u habitur që çmimet ishin rritur pasi çmimet e tregut ishin rritur gjatë muajve të fundit. Ka shumë pak mënyra që konsumatorët të kursejnë në fatura, përveç uljes së konsumit. Fakti që Wien Energie dhe EVN, por jo partneri i tyre në Energieallianz Austria, Burgenland Energie, po rrisin çmimet është sepse Burgenland prodhon më shumë energji të erës. Megjithatë, ekspertët besojnë se çmimet do të rriten edhe atje përfundimisht.

Në të njëjtën kohë me rritjen e çmimit, Wien Energie, shpalli një tarifë për klientët e rregullt. Si rezultat, klientët Wien Energie mund të reduktojnë rritjen në 24 për qind për energjinë elektrike dhe 50 për qind për gazin natyror, sipas një transmetimi të Wien Energie të mërkurën./ KultPlus.com

Jasharaj: Më 1 shtator i gjithë sistemi arsimor do të jetë në grevë

Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, ka paralajmëruar se me datë 1 shtator i gjithë sistemi arsimor do të jetë  në grevë nëse deri atëherë qeveria nuk reflekton karshi kërkesave të tyre. Ndërkaq, drejtues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës bënë të ditur se me 10 gusht do të mbajnë një mbledhje të jashtëzakonshme me Kryesinë e BSPK-së për të vendosur për hapat e ardhëm sindikalë. Ndërkohë, Qeveria ka  thënë se Projektligji për Paga është në fazën finale.

Pas vonesës së Projektligjit për Paga dhe mos përmbushjes së kërkesave për ndarjen e 100 eurove shtese për të gjithë të punësuarit në sektorin privat, Sindikata e Arsimit ka paralajmëruar grevë në tërë sistemin arsimor nga data 1 shtator. Ketë e bëri të ditur për Radio Kosovën  kryetari i kësaj sindikatë, Rrahman Jasharaj, i cili tha se deri me tani po mungon dialogu me qeverinë.

“Ne do të fillojmë me grevë para se të fillojë viti shkollor, pra me 24 gusht, kur mësimdhënësit do të jenë në shkolla. Ata nuk do ta kryejnë asnjë detyrë që e kanë obligim. Grevën do ta fillojmë një javë para se të fillojë mësimi e me shpresë se kjo do të ndikojë te qeveria që të ulet dhe të bisedojë për kërkesat tona 100 euro shtesë në paga që të dimë për ligjin e pagave dhe të marrim pjesë aktive në përgatitjen e tij”, thotë kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

Po ashtu,  edhe kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, i tha Radio Kosovës se  me 10 gusht do të mbahet një mbledhje e jashtëzakonshme e kryesisë së BSPK-së, ku pritet të marrin vendim për hapat e mëtutjeshëm sindikalë e që nuk përjashtohet edhe greva./KultPlus.com

SBASHK: Më 18 tetor të mos mbahet mësimi, të dezinfektohen shkollat

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë po kërkon që më datën 18 tetor të mos mbahet mësimi, por të dezinfektohen shkollat, pasi aty do të mbahet procesi zgjedhor, transmeton KultPlus.

Përmes një komunikate për media, SBASHK-u deklaron se e përkrah propozimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës që e hëna të shfrytëzohet për dezinfektimin e të gjitha ambienteve shkollore.

“SBASHK-u përkrah propozimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës që të hënën e 18 tetorit mos të mbahet mësimi në shkollat e Kosovës, por ajo ditë të shfrytëzohet për ajrosjen dhe dezinfektimin e gjithë ambienteve shkollore me qëllim që të krijohen parakushtet për ruajtjen e shëndetit të nxënësve dhe punëtorëve arsimor. Ky propozim është i qëlluar ngase të dielën e 17 tetorit ambientet e shkollave do të përdorën për t’u zhvilluar zgjedhjet lokale dhe në ambientet e tyre do të kenë prani të shumë votuesve dhe ekziston frika e arsyeshme se virusi mund të vij dhe të mbetët në shkollë dhe të rrezikojë pastaj shëndetin e nxënësve dhe gjithë personelit të shkollës dhe kjo do të bënte që të kemi edhe cenim të procesit mësimor, i cili për momentin ka rrjedhë të mbarë”, thuhet në deklaratën e SBASHK-ut.

SBASHK-u thotë se pret nga MASHTI që të merr një vendim për këtë çështje.

“SBASHK-u beson se edhe MASHTI do ta analizojë drejt çështjen dhe do të sjell vendim meritor lidhur me të hënën e 18 tetorit dhe do të mbështes Drejtoritë Arsimore që ato ta monitorojnë situatën dhe të kontribuojnë që shkollat të jenë të përgatitura e të sigurta për të vazhduar me procesin mësimor”, thuhet në deklaratën e SBASHK-ut. / KultPlus.com

Shkollat në Australi u mësojnë vajzave si të ndërrojnë gomat e makinës

Shkollat ​​australiane po u mësojnë vajzave aftësi që nuk janë tipike shtëpiake, Kolegji “Stella Maris” këto aftësi po ua mëson nxënëseve të klasës së 11 -të, transmeton KultPlus.

Studentët mësojnë se si të kontrollojnë gomat, të monitorojnë nivelet e ftohësit dhe vajit si dhe si të reagojnë në rast aksidenti me makinë.

Ekipi Galmatik i të gjitha femrave, i rrethuar nga katër gra, i specializuar për të ndihmuar gratë dhe adoleshentët australianë ka për qëllim t’i bëjë të ndihen rehat në timon përmes punëtorive praktike të mirëmbajtjes së makinave dhe kurseve online.

Elani Mitakos është udhëheqës i “Galmatic” për 13 vjet dhe vuri në dukje se këto punëtori nuk janë vetëm për studentët, por edhe për të gjithë.Me 13 vjet përvojë në mësimin e më shumë se 100 mijë adoleshentëve dhe nxënësve të shkollave, kompania ka zhvilluar punëtori të mbushura me pajisje për të përsosur aftësitë e tyre, transmeton tutje KultPlus.

Ata ngasin automjete të mëdha që janë të shtrenjta dhe nuk mirëmbahen.

“Ne u themi studentëve tanë që  kurrë nuk duhet të injoroni një problem me makinën tuaj, por duhet ta adresoni atë për sigurinë tuaj”, u shpreh udhëheqësi i “Galmatic”.

Këto mësime janë rreth dy orë dhe përfshijnë njohuri themelore praktike të mirëmbajtjes së automjeteve. / KultPlus.com

Vitia: Shkollat e çerdhet fillojnë punën nga 27 shtatori

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se nga e hëna do të fillojë viti i ri shkollor.

Ai tha se punën do ta fillojnë shkollat dhe çerdhet, mirëpo me kapacitete të kufizuara.

Ministri Vitia deklaroi se në një klasë nuk lejohet të jenë më shumë se 20 nxënës.

“Shkollat dhe çerdhet do të fillojnë punën nga dita e hënë. Maksimumi i nxënësve të ledhuar në klasë do të jetë 20”, ka thënë Vitia.

Vitia tha se këto masa do të votohen nesër në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës. /KultPlus.com

MASHTI dhe DKA-të diskutuan për përgatitjet për periudhën e tretë të vitit shkollor 2020/21

Për të diskutuar gjendjen aktuale në arsim dhe hapat që do të ndërmerren, është mbajtur sot një takim virtual, ku kanë marrë pjesë ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, zyrtarë të Ministrisë dhe drejtorët komunal të arsimit, përcjellë KultPlus.

Ministrja Nagavci i ka njoftuar drejtorët e arsimit për mbarëvajtjen e mëtutjeshme të procesit mësimor, referuar vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për masat e reja anti COVID-19, sipas të cilit prej datës 12-16 prill 2021, mësimi me praninë fizike të fëmijëve në institucionet edukative arsimore do të organizohet për edukimin e hershëm dhe arsimin fillor, që përfshinë:

Niveli zero (çerdhet dhe kopshtet), klasa përgatitore që mbajnë mësim në shkolla fillore, si dhe klasat 1 deri 5, duke respektuar rekomandimet e institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen nga COVID-19.

Ndërkaq për klasat 6 deri 9 nga shkollimi i mesëm i ulët, si dhe klasat 10 deri 12 nga shkollimi i mesëm i lartë, mësimi do të mbahet me platformat online, ku edhe duhet të realizohen përgatitjet e duhura për periudhën e tretë të vitit shkollor 2020/2021.

Komunat kërkuan që të shqyrtohet mundësia e organizimit të mësimit sipas specifikave dhe rekomandimeve të Task Forcave Komunale.

Komunat shprehën edhe shqetësimin për tërheqjen e mjeteve nga buxheti i komunave prej përmbaruesve privat, duke u thirr në obligime të Kontratës Kolektive.

Shqetësim tjetër është që DKA-të, nuk po arrijnë të kryejnë obligimet e parapara sipas Master Planit për zhvillimin e mësimit në kushte pandemie, ku ndër të tjera përfshihet edhe mirëmbajtja, dezinfektimi dhe pastërtia, pasi buxhetin prej 5 milion euro, qeveria e kaluar e ka shfrytëzuar për pagesën shtesë të mësimdhënësve. / KultPlus.com

MASH merr vendim, publikon datat e pushimit pranveror

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se ka nënshkruar sot propozim-vendimin, për pushim pranveror për të gjitha shkollat në vend.

Sipas saj, pushimi pranveror realizohet me 6-8 prill, përfshirë ditët e pushimit, ku më pas mësimi do të rifillojë me 12 prill.

”Sot kam nënshkruar Vendimin që pushimi pranveror të realizohet me 6-8 prill, pra përfshirë ditët e pushimit, mësimi do të rifillojë me 12 prill.

Uroj që ky pushim të ndikojë në ruajtjen e shëndetit publik, uljen e rasteve të reja të infektimit me COVID/19, në mirëqenien fizike dhe mendore të nxënësve dhe prindërve të tyre, mësimdhënësve dhe stafit tjetër në shkolla.

Kjo periudhë do të shfrytëzohet për dezinfektimin e plotë të hapësirave shkollore.

Mësimdhënësit dhe udhëheqësit në shkolla do të reflektojnë dhe analizojnë punën e tyre në periudhën e parë dhe të dytë, ashtu si dhe do të pregatiten për përfundimin sa më të suksesshëm të vitit shkollor.

Në takimet që kam pasur këtyre ditëve me përfaqësues të të gjithë akterëve të përfshirë në arsim, kemi arritur një pajtueshmëri të plotë jo vetëm për këtë pushim, por edhe për zëvendësimin e ditëve të humbura në fillim të vitit shkollor.

Në takimet e punës shpreha dhe brengat e mia për cilësinë e mësimdhënies dhe mësimnxënies gjatë këtij viti të vështirë dhe sfidues shkollor, pabarazive që mund të jenë shtuar tek nxënësit dhe arritjes së rezultateve të pritura. Në këtë drejtim, shumë shpejtë do të nxjerrim dhe Vendimin për organizimin e mësimit plotësues dhe shtesë për nxënësit që mund të kenë pasur ngecje, sidomos për filloristët, për çfarë pat mbështetje të plotë nga të gjitha palët”./ KultPlus.com

Indonezia ndalon detyrimin e veshjeve fetare nëpër shkolla

Vendi që ka popullsinë më të madhe me myslimanë, Indonezia, ka ndaluar që shkollat publike të bëjnë të detyrueshme veshjen fetare, pasi u bë virale historia e një studenteje të krishterë të cilës iu bë presion për të mbajtur shami në klasë.

Vajza po ndiqte shkollën që kishte një rregull që të gjithë studentët duhet të mbanin shaminë islame.

Qeveria u ka dhënë shkollave 30 ditë afat kohor që të revokojnë rregullat ekzistuese lidhur me këtë çështje, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Indonezia, edhe pse një vend me shumicë myslimane, njeh zyrtarisht fetë e tjera, por ka shqetësime të mëdha rreth rritjes së intolerancës fetare.

Vendimi u nënshkrua në dekret të mërkurën dhe shkollat që nuk i përmbahen mund të përballen me sanksione. / KultPlus.com

Probleme me ngrohje, mësimi dështon në dy shkolla të Prishtinës

Shkolla “Zenel Hajdini” në Prishtinë ka kthyer prapa nxënësit në paraditen e sotme. Një problem me kaldajën në këtë shkollë ka pamundësuar ngrohjen, për çka është marrë vendimi që mësimi të pezullohet paraditen e sotme.

Drejtuesit e shkollës kanë intervenuar menjëherë, duke zgjidhur ndërkohë problemin me kaldajën.

“Ka qenë një problem me kaldajë, i cili është rregulluar më pas. Mësimi do të fillojë sot në orën 13:00, andaj ftojmë të gjithë nxënësit që të vazhdojnë mësimin në këtë orar që nga dita e sotme”, ka thënë koordinatori i shkollës, Afrim Gërbeshi.

Mësimi nuk është mbajtur dhe nuk do të mbahet fare gjatë ditës së sotme në shkollën “Mehmet Xhevori”.

Një prishje e trafos ka lënë shkollën pa energji elektrike, duke pamundësuar ngrohjen në temperaturat e ulëta të dimrit. Me vendim të drejtorit të shkollës, mësimi ka kaluar në sistemin online në këtë shkollë./Indeksonline/ KultPlus.com

Ramë Likaj: Prej nesër mësimi zhvillohet në mënyrë të kombinuar

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, ka njoftuar përmes një statusi në rrjetin social Facebook, se prej nesër më datë 21 shtator, nxënësit do të kthehen në shkollë me mësim të kombinuar, edhe nxënësit e klasave të shtata, teta, nënta dhe njëmbëdhjeta e dymbëdhjeta, përcjellë KultPlus.

Përveçse nëse menaxhmenti i shkollës dhe task forca e secilit institucion, pasi të ketë vlerësuar situatën, mund të vendosin për ndonjë skenar tjetër, në mënyrë që të respektohen strikt rregullat e Udhëzuesit për organizimin e mësimit në kushte pandemie’, njofton tutje Likaj.

Likaj poashtu apelon që nxënësit të jenë më të vëmendshëm dhe të respektojnë rregullat dhe rekomandimet për mbrojtje nga Covid.

‘’Ministria e Arsimit dhe të gjitha institucionet tjera relevante do të jenë në çdo kohë afër juve.
Të gjithë bashkë, mund t’ia dalim që të mbajmë shkollat hapur për Ju, për Kosovën!’’ thuhet ndër të tjera në njoftimin e ministrit. / KultPlus.com

Avdullah Hoti: Opsionet e organizimit të mësimin nga 1 shtatori janë drejt finalizimit

Kryeministri, Avdullah Hoti ka bërë të ditur se ka zhvilluar bisedë me ministrin e arsimit, Rame Likaj por dhe institucionet tjera relevante, kurse janë duke finalizuar opsionet për organizimin e mësimit nga 1 shatori.

Hoti nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se janë duke zhvilluar udhëzuesit dhe rregullat të veprimit për cilëndo situatë që mund të paraqitet. Më poshtë gjeni statusin e tij të plotë:

“Sot, bashkë me zëvendëskryeministrat, diskutuam me Ministrin Likaj dhe bashkëpunëtorët e tij për fillimin e vitit shkollor. Ministri Likaj, me ekspertë të fushës, si dhe në konsultim me komunat, SBASHK-un, Këshillin e Prindërve dhe akterët e tjerë, është duke finalizuar opsionet për organizimin e mësimit nga data 1 shtator.
– Komunat dhe drejtorët e shkollave do të kenë udhëzime të qarta se si duhet të organizohet mësimi varësisht nga kushtet që kanë në shkollat e tyre.
– Mësimi online do të jetë gjithmonë aktiv.
– Janë duke u zhvilluar protokolle të veprimit se çfarë masa duhet të ndërmerren në çdo situatë që paraqitet.
– Do të ndërmerret një fushatë informuese për nxënësit dhe arsimtarët për masat mbrojtëse që duhet të zbatojnë.
– Mësimdhënësit janë duke u trajnuar për mësimin online, si dhe po punohet që të kemi listë rezervë të mësimdhënësve që mund të angazhohen sipas nevojës.
– Inspeksioni i arsimit do të jetë në mbështetje të shkollave për t’i udhëzuar për masat që duhet ndërmarrë, por edhe për të mbikëqyrë zbatimin e atyre masave.” / KultPlus.com

KB: Gati gjysma e shkollave në botë kanë mungesë të ujit dhe sapunit për duar

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se 43% e shkollave në mbarë botën nuk kanë qasje në ujë dhe sapun për larjen e duarve.

Raporti i ri publikohet në kohën kur vendet po shqyrtojnë mundësitë se si të bëjnë hapjen e shkollave në mënyrë të sigurtë për shkak të pandemisë së COVID-19, raporton AP.

Raporti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Agjencisë për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara (UNICEF) thotë se më shumë se një e treta e 818 milionë fëmijëve në mbarë globin, të cilët kishin mungesë të pajisjeve themelore për larjen e duarve në shkollat e tyre, janë në Afrikën sub-Sahariane.

Raporti thotë se autoritetet duhet të balancojnë shqetësimet shëndetësore me ato ekonomike dhe sociale kur marrin vendim për hapjen e shkollave.

Raporti vë në dukje edhe efektet negative që ka tek fëmijët mbyllja e shkollave.

Raporti gjithashtu thotë se një në tre shkolla në të gjithë botën, ka furnizim të kufizuar ose nuk ka fare ujë të pijshëm.

Larja e duarve, sipas ekspertëve shëndetësorë është një ndër masat për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Numri i të infektuarve në botë ka arritur në mbi 20 milionë, ndërsa 749,372 kanë vdekur. / KultPlus.com

Letër MASHT-it nga nxënësit e klasës së katërt: Ju lutemi na lejoni të kthehemi në bankat tona

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, në komisionin për Arsim ka thënë se klasa e parë dhe e dytë do të kthehen në objektet shkollore. Gjithashtu përparësi i është dhënë edhe nxënësve të klasave të gjashta pasi kanë kaluar nga sistemi me një mësimdhënës në atë me shumë mësimdhënës, si dhe nxënësit e klasës së dhjetë.

Pas këtij konfirmimi nga ana e ministrit Likaj, kanë reaguar përmes një letre, nxënësit e klasës së katërt të cilët kërkojnë kthimin në shkolla.

KultPlus ju sjell letrën e plotë:

Letër MASHTIT nga nxënësit e klasës së katërt!

Ju përshëndesim nga zemra, ju Ministër i nderuar por edhe po ju lusim nga zemra, keni mëshirë për ne nxënësit e klasës së katërt, të cilët të ardhmen e kemi në duart e juaja! Mos na leni të gjymtë, mos na i theni ëndrrat, mos na shuani shpresën. Edhe ne jemi shkollarë të vegjël, edhe ne kemi të drejtë të ulemi nëpër bankat tona. Ju lutem mos filloni prapë me skena aktrimi. Ju lutem mos na detyroni të luajmë shfaqje teatrale, mos na detyroni të dëgjojmë rekomandime (gjysmë të gabuara e të përqeshura nga shoqëria), vetë ju t’i zgjidhni model dhe ti paguani shtesë. Po na e humbni durimin. Besoni nuk është tjetër veçse një shfaqje teatrale amatore me një tufë akterësh amaterë. Po u infektuan shkalla e parë le të infektohemi edhe ne, por ju lutemi na lejoni të kthehemi në bankat tona! Kemi shumë punë për të bërë. Jemi lodhur nga skenat e rreme, jemi lodhur nga dekorimet e rreme. Na lejoni të mësojmë, ju premtojmë që do t’i ndjekim të gjitha rregullat. Kësaj radhe ju lutem mos përfitoni! Bëjeni për ne kinse jemi fëmijët tuaj. Shëndet! Klasa 4/B . / Nga mësuesja Arguriana Alaj / KultPlus.com

Konfirmohet: Klasat e para dhe të dyta do të kthehen më 1 shtator në shkolla

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, në komisionin për Arsim ka thënë se klasa e parë dhe e dytë do të kthehen në objektet shkollore.

Ai ka thënë se do të dezinfektohen hapësirat shkollore dhe do të zbatohen masat tjera.

Ndryshe edhe drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi në takim me kryeministrin është dakorduar që nxënësit e klasës së parë të kenë prioritet në shfrytëzimin e bankave shkollore pasi sipas tij ata kanë nevojë të familjarizohen edhe me mësimdhënësin.

“Edhe nxënësit e klasës së dytë duhet të jenë të favorizuar në këtë drejtim pasi gjysmë vjetorin e dytë ata nuk kanë pasur mundësi t’i ndjekin mësimet në shkolla. Edhe nxënësit e klasave të gjashtë do të kenë përparësi për shfrytëzimin e bankave shkollore pasi kanë kaluar nga sistemi me një mësimdhënës në atë me shumë mësimdhënës. Edhe nxënësit e klasës së dhjetë do të kenë të njëjtën përparësi pasi kalojnë nga shkolla fillore në atë të mesme”, tha Ibrahimi. / KultPlus.com

Dilemat për kthim në shkolla në kohë të koronavirusit

Shtetet në gjithë botën janë duke u përballur me dilema rreth mënyrës së kthimit të fëmijëve nëpër shkolla, teksa vazhdon të ketë raportime për shpërthime të reja të koronavirusit.

Në Shtetet e Bashkuara, vendin e prekur më së keqi në botë nga ky virus, me më shumë se 4.7 milionë persona të infektuar, udhëheqësit e distrikeve shkollore janë duke analizuar një varg qasjesh.

Eksperti i Qeverisë amerikane për Sëmundje Infektuese, Anthony Fauci, ka thënë përgjatë një interviste më 3 gusht se dëshiron që fëmijët të kthehen në shkollë, mirëpo një gjë e tillë duhet të bazohet në kushtet lokale.

“Pozicioni fillestar është që të tentoni sa më shumë për hapje të shkollave”, ka thënë Fauci.

“Mund të jenë disa zona kur shkalla e virusit është aq e lartë andaj kthimi i fëmijëve në shkollë nuk do të ishte praktik”, ka thënë Fauci.

“Prandaj nuk mund të kemi një deklaratë për kthim të fëmijëve në shkollë në SHBA. Varet ku jeni”.

Presidenti amerikan, Donald Trump është duke bërë presion për rihapje të shkollave, duke e bërë këtë një prej çështjeve kyçe para zgjedhjeve të muajit nëntor, pavarësisht pse territori amerikan ka regjistruar rreth 155,000 vdekje.

Kthimi i fëmijëve në shkolla konsiderohet kusht edhe për kthim të prindërve në punë, ndonëse ka shqetësime se nxënësit mund të infektohen dhe të dërgojnë virusin nëpër shtëpi.

Viti i ri shkollor fillon këtë javë në disa shtete, duke përfshirë Xhorxhian, Luizianan, Misisipin dhe Tenesin.

Në mesin e mundësive të ofruara për vitin e ri shkollor janë: shkuarja në klasa, mundësia e mësimit në distancë përmes platformave online, apo kombinimi i të dyja qasjeve.

Megjithatë rritja e numrit të rasteve me koronavirus ka nxitur disa zona që të shtyjnë mësimin nëpër klasa, të paktën në javët e para të fillimit të mësimit, duke përfshirë Llos Angjellesin, Filadelfian dhe Uashingtonin.

Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo ka thënë se do të njoftojë më vonë gjatë kësaj jave, nëse do të rihapen shkollat në këtë shtet.

Në Indiana, ku shkollat janë rihapur javën e kaluar, rritja e numrit të të infektuarve ka ndikuar në mbylljen e dy institucioneve shkollore, duke vënë në pah edhe një herë sesa i vështirë është kthimi në normalitet.

Ndërkohë që shkollat bëjnë plane, shumë mësues kanë dyshime për kthim në klasa.

Mësimdhënësit e dhjetëra shkollave kanë protestuar nga makinat e tyre rreth planeve të disa guvernatorëve për kthim në klasa gjatë kohës së pandemisë.

Për dallim nga SHBA-ja, pavarësisht pse shqetësimet për shpërthime të reja të koronavirusit janë në rritje në Evropë, dhjetëra mijëra nxënës gjermanë janë kthyer të hënën në shkollë, pas përfundimit të pushimeve verore në landin verior, Mecklenburg-Vorpommern.

Ky është landi i parë, nga 16 sa janë në total, që ka rihapur shkollat prej kur ka nisur përhapja e sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi, në mesin e muajit mars.

Në Amerikën Latine, pothuajse i gjithë procesi mësimor është duke u kryer përmes platformave online, apo televizionit, meqë pandemia vazhdon të rëndojë gjendjen në këtë rajon.

Meksika ka njoftuar që më shumë se 30 milionë fëmijë meksikanë do të nisin mësimin në distancë më 24 gusht, ndërkohë që ky shtet regjistron mbi 48,000 të vdekur nga COVID-19.

Sekretari për Edukim, Esteban Moctezuma Barragan, ka thënë se nxënësit do të mësojnë nga televizioni sepse 96 për qind e familjeve kanë nga një pajisje të tillë dhe se mësimi në ambiente shkollore është shumë i rrezikshëm në këtë pikë.

Në zonat rurale, nxënësit do të mësojnë përmes radios.

Moctezuma ka thënë se shumë shkolla që janë hapur, janë detyruar të mbyllen shpejt për shkak të infektimeve në rritje me koronavirus. Në Bolivi, qeveria ka njoftuar për dhënie fund të vitit shkollor, duke thënë se ka qenë i pamundshëm garantimi i edukimit në shtetin ku zonat rurale kanë probleme me qasjen në internet./REL/ KultPlus.com

Britania duhet të vendosë në mes kafeneve ose shkollave

Britania do të duhet të vendosë në mes kafeneve të hapura ose lejimin e hapjes së shkollave nëse dëshiron të mbajë numrat e infektimeve me koronavirus të ulëta, ka thënë për mediat britanike një anëtar i grupit këshillues për Covid-19 në qeveri.

“Duhet t’i mbyllim disa aktivitete tjera në mënyrë që të mund t’i hapim shkollat. Duhet t’i japim prioritet njërës ose tjetrës. A mendojmë se kafenetë janë më të rëndësishme se sa shkollat?”, tha profesori Graham Medley, i cili është në krye të Grupit Këshillues Shkencor për Emergjenca (SAGE) për BBC-në të shtunën.

Komentet e Medley u bënë një ditë pasi që u panë turma të mëdha nëpër kafene në disa pjesë të Anglisë veriore pavarësisht rritjes së numrit të rasteve dhe kthimit të disa kufizimeve në disa rajone, transmeton KOHA.

Kafenetë u rihapën më 4 korrik në Britani.

“Mendoj se jemi në një situatë ku shumica e njerëzve pajtohen se hapja e shkollave është prioritet për shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve”, tha Medley.

Të premten kryeministri i Britanisë Boris Johnson tha se do të “shkelë frenën” për fazën e ardhshme të rihapjes si përpjekje për të zvogëluar numrat në rritje të infektimeve me koronavirus.

Kufizime të reja u lajmëruan për Anglinë veriore të enjten mbrëma në përpjekjen për të ndalur përhapjen e Covid-19. Përgjatë shtetit, disa hapësira të cilat duhej të hapeshin të shtunën, përfshirë kazinotë, sportet në hapësira të mbyllura dhe “shërbimet tjera që kanë kontakt të afërt mes njerëzve, do të mbesin të mbyllura deri së paku më 15 gusht”.

Mësimi në shkollat shqipe të Zvicrës do të rifillojë më 8 qershor

LAPSH në Cyrih ka njoftuar të gjithë ata që ndjekin mësim plotësues në gjuhën shqipe Katonin e Cyrihut se mësimi do të rifillojë më 8 qershor.

“Njoftohen nxënësit shqiptarë që e vijojnë shkollën shqipe të mësimit plotësues në Kantonin e Cyrihut se më 8 qershor do të rifillojë mësimi në gjuhën shqipe sipas orarit të paraparë”, thuhet në njoftimin e Këshillit të Arsimtarëve të LAPSH-së “Naim Frashëri” për Kantonin e Cyrihut. /KultPlus.com

Studimi nga Australia ndez dritën e gjelbër për rihapjen e shkollave

Drita e gjelbër është ndezur nga një studim nga New South Wales, Australi, mbi çështjen e shqetësuar të rihapjes së shkollave.

Qëllimi i studimit ishte të ekzaminonte transmetimin e COVID-19 në 15 shkolla dhe qendra të kujdesit për fëmijë shkruan Mirror.

Raporti nga Qendra Kombëtare e Kërkimit dhe Mbikëqyrjes së Imunizimit (NCIRS) hetoi të gjitha rastet COVID-19 në shkollat ​​e NSW nga 5 Mars – 3 Prill 2020.

Nëntë fëmijë dhe nëntë mësues nga 15 shkolla u konfirmuan raste dhe të gjithë kishin mundësinë për të infektuar të tjerët në shkollat ​​e tyre. Nga ato 18 raste, gjurmimet e kontaktit identifikuan 735 fëmijë dhe 128 mësues që mund të kishin kontraktuar me COVID-19.

Asnjë mësues nuk kontraktoi virusin nga ndonjë prej fëmijëve të shkollës fillore. / KultPlus.com

Vitia: Shkollat dhe çerdhet do hapen, por masat e higjiena do të jenë të domsodoshme

Ministri në  detyrë i Shëndetësisë, Arben Viti, ka thënë sot se shkollat dhe çerdhet do të hapen por nuk ka bërë të ditur datën kur do të rifillojë procesi mësimor.

Ai tha se në lehtësimin e masave do të përfshihen edhe çerdhet dhe shkollat. Ministri Vitia nuk ka caktuar datën, por ka premtuar kthimin në normalitet brenda ditëve të ardhshme.

“Unë do të doja shumë që t’i heqim të gjitha masat dhe të kthehemi në normalitetin që e kemi njohur më herët, por derisa kufizimet po hiqen gradualisht, masat mbrojtëse duhet të forcohen vazhdimisht .Shkollat dhe çerdhet do të hapen, por maskat, distance dhe higjiena duhet të bëhen pjesë e domosdoshme” , u shpreh Vitia.

“Shkollat dhe cerdhet do hapen por masat e higjiena do të jenë të domsodoshme. Objektet fetare po hapen por duhen masat domosdoshmërisht. Kufijtë do hapen por masat mborjtëse sigurisht do shtohen. Përgjegjësi individuale dhe kolektive, kjo është përgjigja më e mirë që mund t’i japim virusit”, ka deklaruar ministri.

Vitia po ashtu ka paralajmëruar mbylljen e karantinës në Qendrën e Studentëve në fundin e këtij muaji. /KultPlus.com

Ernest Koliqi, atdhetari që hapi 200 shkolla shqipe në Kosovën e robëruar

Ernest Koliqi ka qenë njëri ndër personalitetet e njohura të letërsisë e kulturës shqiptare në përgjithësi.

Një kontribut të veçantë i ka dhënë arsimimit në Kosovë, në vitin 1941, kur forcat italo-shqiptare kishin depërtuar në vendin tonë dhe kishin dëbuar forcat ushtarake e policore të Mbretërinë famëkeqe jugosllave, e cila gjatë tërë kohës së sundimit nga vitit 1913 e deri në vitin 1941 nuk kishte lejuar asnjë shkollë shqipe por as edhe një libër në gjuhën shqipe.

Ata shqiptarë që mësonin ilegalisht gjuhën e tyre ndiqeshin e dënoheshin nga regjimi deri më 20 vjet burg.

Dërgimi në Kosovë i më shumë se 200 mësuesve, hapja për herë të parë e qindra shkollave shqipe në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, ishte dhurata më e madhe që mund t i jepej një kombi të ndarë padrejtësisht dhe të persekutuar mizorisht vetëm për shkak të përkatësisë së tij kombëtare e fetare.

Pavarësisht se Koliqi i mbeti besnik Italisë, nuk mund të thuhet se ka qenë besnik i fashizmit, me faktin se ai gjatë asaj kohe ka ndihmuar, aq sa ka pasur mundësi edhe intelektualët shqiptarë, të cilët regjimi i trajtonte si armiq.

Pas çlirimit nga Italia, Koliqi u anatemua se bashkëpunëtor i regjimit italo-shqiptar dhe vepra e tij nuk u vlerësua. Megjithatë, Koliqi me punën dhe veprën e tij, me kontributin që i ka dhënë letërsisë, kulturës, albanologjisë, sidomos hapjes së shkollave shqipe në Kosovë e më gjerë, është një kontribut madhor, që nuk e zbeh aspak përkatësia e tij partiake në një kohë të caktuar. Koliqi meriton ta ketë një përmendore në qendër të Prizrenit apo të Prishtinës. ( A. Q.)

Ernest Koliqi u lind në Shkodër më 20 maj të vitit 1903. Ishte i biri i Shan Koliqit dhe i Ages së Cuk Simonit, nip Parrucejsh, familje shkodrane fort e kamur. Ndërsa nga babai kishte origjinën prej Lotajve të Shalës së Dukagjinit, të cilët kishin rënë në krahinën e Anamalit.

Pas mësimeve të para në Kolegjin Saverian të Jezuitëve, i ati e dërgoi për të studiuar në Itali më 1918. Së pari në kolegjin jezuit “Cesare Arici” në Breshia e pastaj në Bergamo. Bashkë me nxënës të tjerë hap gazetën “Noi giovani” (“Ne të rinjtë”), ku boton poezitë e para në italisht.

Kthehet në Shqipëri pasi që gjendja futet në hulli pas Kongresit të Lushnjës, nxë shqipen dhe falë njohjes me Luigj Gurakuqin njihet edhe me shumë intelektualë të kohës. Më 1921 mbahet një konkurs për himnin kombëtar, ku Ernesti merr pjesë me një poezi e cila fitoi çmimin e parë të dhënë nga juria e përbërë prej Gjergj Fishtës, Fan Nolit, Mit-hat Frashërit e Liugj. Gurakuqit

Në mars-prill merr pjesë si përfaqësues i shoqërisë kulturore “Rozafa” në një mbledhje me Harapin nga shoqëria “Bogdani” dhe P. A. Harapin në takimin që formoi grupimin “Ora e Maleve” nën dorën e Imzot Llazër Mjedës. Pas Revolucionit Demokratik të Qershorit, Luigj Gurakuqi e thërret në Tiranë dhe e emëron sekretar personal. Aderon në shoqërinë “Bashkimi” të themeluar prej patriotit Avni Rustemi. Më pas emërohet sekretar në Ministrinë e Brendshme, ku ministër ishte kolonel Rexhep Shala.

Me Triumfin e Legalitetit shtrëngohet të dalë në mërgim, doli në veri drejt Mbretërisë SKS, ku studion gjuhën dhe kundron letërsinë serbo-kroate. Qëndron për dy vjet në Tuzla të Bosnjës me shumë nga krerët e maleve. Më 1928 gjendet në Bari të Italisë mes Bahri Omarit, Sotir Pecit, Sheh Karbunarës dhe Kostë Paftalit. Në Zara të Dalmacisë botoi edhe përmbledhjen e parë me novela, në vitin 1929 ku ishte edhe miku i tij në ideale e në punë gjuhe, Mustafa Kruja. Kthehet në atdhe dhe nis punë si mësues në Shkollën Italiane Tregtare në Vlorë dhe mandej në Gjimnazin e Shkodrës (1930-’33) ku mes të tjerëve do t’iu jepte mësim Petro Markos dhe Liugj. Radit. Nis të verojë ndër bjeshkët e Dukagjinit ata vite ku përpos ndodhive shënonte edhe kangët e buta – siç i thonë në Dukagjin këngëve erotike – kujtime të cilat do t’i shkruante mbas ’70 me pseudonimin “Hilushi”. Ndërkohë miku i tij Mustafa Kruja i kërkon me mbledhë librat e bibliotekës së tij të cilat qenë shpërndarë ndër françeskanë e jezuitë mbas lëshuan Shqipërinë në dhjetorin e 1924.

Më 1933 jep dorëheqjen nga mësimdhënia për të nisur studimet universitare në Padova. Gjatë periudhës 1934- 1936 ishte pjesëtar i grupit botues të përkohshmes “Illyria”, ku botoi poemthin në prozë “Quattuor”. Në po të njëjtën të përkohshme, në vitin 1935 Migjeni botoi vjershën “Të lindet Njeriu” me nxitje të Koliqit. Më 1936 e emërojnë Lektor të Shqipes në katedrën e Albanologjisë të drejtuar nga gjuhëtari Carlo Tagliavini. Më 1937 doktoron po në Padova me tezën “Epica popolare albanese” (“Epika popullore shqipe”) falë mbledhjeve që kishte bërë P. B. Palaj, tezë doktorate e cila u vlerësua nga shumë albanologë si N. Jokli, M. Lambertz etj. Transferohet nga Padova në Romë tetorin e 1937 si lektor i shqipes. Më 1939 hapet në Universitetin Shtetëror të Romës Selia e Albanologjisë, ku Koliqi emërohet ordinar dhe qëndron i tillë derisa doli në pension. Ndërprerja e vetme disi e gjatë qe kur u emërua ministër Arsimi në vitet 1939-1941

Ministër Arsimi në qeverinë Vërlaci nën pushtimin italian

Pavarësisht rrethanave, Koliqi shfrytëzoi deri në skaj mundësitë që i jepte zyra e tij. Panë dritën e botimit tekste shkollore shqipe e libra më shumë se ç’qenë botuar prej vitit 1912 e deri atëherë: botimi i historisë së letërsisë në dy vëllime “Shkrimtarët shqiptarë” më, nën kujdesin e Namik Resulit e Karl Gurakuqit; vijoi botimi i përmbledhjeve të folklorit “Visaret e kombit” me v. IV prej H. Reçit, Spiro Çomorës e A. Palucës dhe shumë arsimtarëve të tjerë, duke e çuar deri në XIV vëllime – punim në aq pak kohë dhe me rëndësi për themelin e studimit të folklorit. Tok me Mustafa Krujën dhe Zef Valentinin thirri në Tiranë Kongresin Ndërkombëtar të Studimeve Shqiptare në vitin 1940 prej ku lindi Institutin i Studimeve Shqiptare me qendër në Tiranë, pararendës i Akademisë së Shkencave. Themeloi e drejtoi të përkohshmen “Shkëndija” në korrik të 1940, e cila qe palestër e mendimtarëve dhe shkrimtarëve të kohës. Në shtatorin e vitit 1941 nis mbi 200 arsimtarë normalistë drejt Kosovës. Në një letër dërguar më 16 tetor 1941 nga ministri i arsimit të Qeverisë së atëhershme shqiptare Ernest Koliqi konsullit shqiptar Nikollë Rrota në Vjenë thuhet se ka angazhuar N. Joklin si organizator të bibliotekave të Shqipërisë me një rrogë mujore prej 600 frangash ari. Përpjekje kjo, si shumë të tjera për ta shpëtuar studiuesin e shumë çmuar, që nuk dha rezultat

Më 1943 vajti në Romë të vazhdonte punën si ordinar në universitet dhe u emërua ambasador në Vatikan, i fundit para regjimit që do të vinte. Nga një telefonatë merr vesh për kapjen e Petro Markos nga ana e gjermanëve, të cilit i shpëton jetën. Më 6 nëntor 1946 krijohet partia Blloku Kombëtar Indipendent me bërthamën krijuese e drejtuese të përbërë nga vetë Koliqi, dr. Ismail Vërlaci, Gjon Marka Gjoni dhe Ndue Gjon Marku – duke i ndenjtur veprës së Mark Gjon Markut. Në mars të 1947 themelon dhe kujdeset të botojë të përkohshmen “L’Albanie Libre” që ndali më 1959, e më pas “Lajmëtari i të Mërguemit”.

Me dekret të Presidentit të Republikës së Italisë, më 2 shtator 1957, për njohje të prestigjit, Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe e Universitetit të Romës, nderohet duke u bërë Institut i Studimeve Shqiptare dhe Koliqi u emëruar presidenti.

Themelon të përkohshmen “Shêjzat” (it. “Le Pleiadi”) që e drejtoi për 18 vjet, e përkohshmja kryesore letraro-kulturore e asokohe. Vijimësi e traditës publicistike që la n’atdhe me “Shkëndijat”, penat e hershme dhe ato të reja gjetën të satin log ku të kultivonin kulturën shqiptare në mërgim të pandotur nga ideologjia me të cilën përlyhej në atdhe. Ndihmon talente të shumë fushave të ikur nga ish-Jugosllavia duke iu dhënë hapsirë ndër faqet e revistës, ndër ta piktori L. Delija, shkrimtarët M. Camaj e F. Karakaçi dhe etnologu V. Malaj

“Shêjzat shërbyen si tribunë dhe dritare informimi mbi aktivitetet shkencore albanologjike në botë. Ato regjistruen në kroniken e tyne edhe ngjarje shoqnore që në të ardhmen do të vlejnë sadopak si dokumentacion historik e kultural për nji periudhë rreth njizet vjeçare”. Martin Camaj Më 4 Maj të 1969 i vdes bashkëshortja Vangjelija. Zhdukja e saj i shkaktoi një mungesë të pazëvëndësueshme e ndoshta shpejtoi edhe humbjen e tij. 1975 – Vdes në shtëpinë e tij në Romë më 15 Janar 1975 dhe u varros në qytetin e amshuar me datën 18 të atij muaji i nderuar nga i gjithë komuniteti shqiptar në mërgim, por i mohuar nga vendi i tij. Në ceremoninë e asaj dite kishin ardhur personalitete të ndryshëm, kolegë, shqiptarë, arbëreshë, miq të ardhur nga vende të ndryshme.

Vepra

Siç u përmend, qasjen e parë që pati me letrat e përshfaqi në revistën që hapën gjatë nxënjeve të para në Itali, të cilat i bëri në gjuhë italishte. Mbasi fitoi konkursin për himn kombëtar, Koliqi nxitet nga Gurakuqi të shkruaj atë që do të bëhej poemthi i tij i parë dramatik, “Kushtrimi i Skanderbegut” botuar në shtypshkronjën “Nikaj”, Tiranë më 1924 – e cila mbarështohej nga vëllau i Dom N. Nikajt. Gjatë mërgimit të parë ndërsa bluante ndjesitë e përftuara nga kurbeti dhe malli për vatrën familjare dhe klimën morale që e rrethonte shkruan me pseudonimin Borizani në të përkohshmen e Omer Nishanit. Nxjerr përmbledhjen e dymbëdhjetë novelave “Hija e Maleve”, botuar në Zara më 1929. Përmbledhja pasqyron suazën mjaftueshëm harmonike të mjedisit me taban patriarkal, mesdhetar e oriental ku kishte kaluar fëmininë – trung ky që përshkohej nga një shije e hollë perëndimizimi. Fryma qytetare gjithnjë në dialog me atë malësore dëshmon tharmin e formësimit të autorit përmes prozës psikologjike të stilizuar me ëndje, e selitur me themelet dokësore të shpirtit shqiptar.

Boton më 1932 vëllimin e parë të antologjisë “Poetët e mëdhenj të Italisë” me parathënie të Fishtës, një antologji me 280 faqe që u përdor menjëherë si tekst letërsie në gjimnazin klerik të Shkodrës dhe përmban katër poetët më të mëdhenj të Italisë: Danten, Petrarkën, Arioston, Tason. Vjershat e veta i përmbledh në vëllimin “Gjurmat e stinve” më 1933, ku paraqiten me një frymë krejt të re skenat e jetës shkodrane. Ndërsa, autodafeja e vendosur në krye të këtij libri vlerësohet si një ndër aktet më të rëndësishme në fushë të mendimit estetik shqiptar. 1935, Itali – Pas suksesit të vëllimit të parë me tregime, boton një libër me 16 novela me titull “Tregtar flamujsh” me lëndë të nxjerrë nga mënyra e jetesës së popullit tonë, sidomos të atij të qytetit të Shkodrës. Ngjarjet dhe problematikat sociale që prekin veprën gjithnjë i nënshtrohen një analize të thellë psikologjike. Boton vëllimin e dytë të antologjisë “Poetët e mëdhenj të Italisë” me parathënie nga Tagliavini. Ky vëllim përfshin vjersha të përkthyera të katër italianëve të tjerë: Parini, Monti, Foskolo, Manxoni. Personalisht çmonte Giosuè Carducci, Giovanni Pascoli, dhe Gabriele D’Annunzio-n. Edhe vëllimi i tretë ishte i përgatitur por nuk u botua. Tregtar flamujsh (1935) dhe Pasqyrat e Narçizit (1936), Koliqi sjell një botë krejt unike shpirtërore shqiptare, ndërsa gjuha e tij dhe stili i japin frymëmarrje të re letrave shqipe.

Bashkëpunoi me revistat “Hylli i Dritës” e françeskanëve, “Leka” e jezuitëve, “Përpjekja shqiptare” e Branko Merxhanit , “Minerva”, “Besa” etj. Poezitë më të mira të këtij vëllimi janë ato të shkruara në formë të tingëllimit (sonetit).

Nis të botojë nga viti 1954 deri më 1961, studimin krahasues “Dy shkollat letrare shkodrane – e Etënve jezuitë dhe e Etënve françeskanë”. Në këtë studim të tij vërehet përpjekja për të hartuar një histori të mirëfilltë të letërsisë shqiptare, jashtë ngjyrimeve ideologjike. Në Firenze boton vëllimin “Poesia popolare albanese”(“Poezia popullore shqiptare”) ku spikat si studiues i merituar i traditave artistike dhe folkloristike të atdheut të tij. 1959 – Boton vëllimin “Kangjelet e Rilindjes” (“I canti della Rinascita”) me përkthimin në italisht, kushtuar arbëreshëve të Italisë, ku i nxit ata të ruajnë gjuhën e zakonet e të kenë besim në pavdekësinë e fisit. 1960 – Boton romanin “Shija e bukës së mbrûme” për të cilin Koliqi vetë shprehet: “Ky tregim parashtron edhe përpiqet imtësisht të hulumtojë dramin shpirtnuer të nji të riut shqiptar flakrue jashta atdheut nga pasojat e së dytës luftë botnore.” (Paraqitje në “Shija e bukës së mbrûme”, Shkodër, 1996) Boton studimin “Gabriele D’Annunzio e gli Albanesi” (“Gabriel D’Anuncio dhe Shqiptarët”). 1963 – Boton “Antologia della lirica albanese” (“Antologjia e lirikës shqiptare”) ku për herë të parë paraqiten në një gjuhë evropiane përkthimet e lirikat më të mira të autorëve shqiptarë të vjetër e të rinj ku theksohen autorët kosovarë me qëllim që të njihen më mirë. Riboton “Shtatë Pasqyrat e Narçizit” (që e kishte botuar së pari në fletoren Gazeta Shqiptare të Bari-t më 1936) ku paraqiten shtatë copa proze poetike që përshkruajnë gjendjen shpirtërore të shkrimtarit. 1965 – Del në dritë “Albania”, një monografi italisht, botuar në “Enciclopedia dei popoli d’Europa”, Milano ku paraqet një pasqyrë të gjërë mbi Shqipërinë si në pikëpamjen gjeografike, ashtu edhe letrare e historike. 1970 – Riboton poemthin “Simfonia e Shqipeve” (që e kishte botuar për herë të parë në fletoren “Gazeta Shqiptare” të Bari-t më 1936), që është si një testament poetik që nënvizon trashëgiminë kombëtare, lashtësinë dhe traditat e popullit. Kjo vepër ka për argument lartësimin e kohës së kaluar të fisit tonë. 1972 – Botohet vëllimi “Saggi di Letteratura Albanese”, Firenze. Një përmbledhje e mirë shkrimesh e konferencash përpunuar gjatë disa vjetëve. 1973 – Vazhdon të përkthejë në italisht pjesë nga Lahuta e Malcís, këngët II-III-IV-V (punë kjo e nisur që në vitin 1961 kur përktheu këngën XXVI; më 1971 këngët XII-XIII-XIV dhe XV)./medialmk/ KultPlus.com

Ahmeti: Nga 4 maji, prindërit e mësimdhënësit do të jenë më afër mësimit e shkollave

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka ndarë sot një lajm të mirë me qytetarët e vendit. Ai është shprehur se një ndryshim i madh po vjen në arsim këtë javë për Komunën e Prishtinës, shkruan KultPlus.

Sipas tij, prindërit, mësimdhënësit, menaxheret e drejtoria e arsimit do të jenë shumë më afër mësimit, shkollave, dhe suksesit të nxënësve.

Krejt kjo planifikohet të fillojë më datë 4 maj.

“Ndryshim i madh në arsim këtë javë në Komunën e Prishtinës. Prindërit, mësimdhënësit, menaxheret e drejtoria e arsimit do të jenë shumë më afër mësimit, shkollave, dhe suksesit të nxënësve. Planifikojmë të fillojmë me 4 Maj. Stay tuned!”, ka shkruar Ahmeti.

Tutje ai është sqaruar që përmes këtij ndryshimi, arsimi, qeverisja e shkollave e komunikimi po dixhitalizohet komplet.

Për më shumë informata do të ju njoftojmë gjatë javës ka thënë Ahmeti. / KultPlus.com