Thirrje për unifikimin e shkollave shqipe në mërgatë

Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë (KKAD) përmes një thirrjeje drejtuar Lidhjes së Mësuesve ka ftuar të bashkohen forcat në shërbim të unifikimit të shkollave shqipe në mërgatën shqiptare.

“Presim nga të gjithë ju që keni punuar dhe punoni vullnetarisht në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare (deri më 5 shtator 2023) që me vërejtjet apo sugjerimet të formulojmë bashkërisht kërkesat, të cilat do t`u drejtohen zyrtarisht institucioneve tona përkatëse.
Qëllimi i KKAD-së është që në rrugëtimin tonë të përbashkët të bashkojmë forcat në unifikimin e shkollave shqipe si dhe në sensibilizimin e prindërve shqiptarë në shkallë kombëtare, me qëllim që të ndryshojmë gjendjen e vijimit simbolik të mësimit plotësues në gjuhën amtare me  moton: “Të gjithë për shkollën shqipe””, thuhet në deklaratë.

Në këtë letër shprehet falënderim për kontributin e mësimdhënësve, prindërve, shoqatave, të cilët po bëjnë përpjekje për ta mbajtur gjallë gjuhën shqipe, por ky hap nuk mjafton për të shpëtuar dhjetëra-mijëra fëmijë shqiptarë, të cilët përballen me “valët” e asimilimit të përditshëm.

“KKAD-ja me punën e saj trevjeçare ka treguar një gatishmëri të vazhdueshme, për një bashkëpunim të ndërsjellë, me shoqatat, mësimdhënësit si dhe me institucionet tona Shqipëri-Kosovë, me të vetmin qëllim që format  e bashkëpunimit dhe të veprimit të ndryshojnë në mërgatën shqiptare. KKAD-ja i është qasur këtij problemi të ndjeshëm dhe në vazhdimësi kërkon  t’i qasemi bashkërisht unifikimit të faktorit shqiptar për një organizim sa më funksional të  mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë, Sepse duke i bashkuar forcat mund të ofrojmë këshilla, sugjerime dhe vërejtje, jo vetëm profesionale, por edhe shkencore institucioneve tona përkatëse. Bashkërisht më shpejt do të realizojmë unifikimin e shkollave shqipe, kudo që janë në diasporë, me qëllim të mbrojtjes së gjuhës dhe të identitetit kombëtar”, theksohet në letër.

Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë në çdo takim me mësimdhënës, shoqata e institucione, ka shpalosur vizionin dhe misionin e tij për një bashkëpunim dhe bashkim, me ata që e shohin si primare shkollën shqipe./ albinfo.ch / KultPlus.com

Si mësohej gjuha shqipe nën fletoret e greqishtes

Unë besoj në Zot, në Abetare dhe në Komb. Këto janë “Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë” – At Irakli Pylli

Mësuesi patriot Irakli Pylli, i njohur me emrin At Isaia, lindi në prill të vitit 1872, në një familje të varfër në fshatin Shën Pjetër të rrethit të Fierit. Në popull, atë e kanë thirrur edhe me emra të tjerë. Kështu, në Vlorë ai është njohur si “prifti me kobure”, në fshatrat e Fierit si “prifti që psalmet i këndon në shqip” etj.

Irakli Pylli mësimet e para i kreu së bashku me Mësuesin e Popullit Jani Minga e atdhetarin Llazi Spiro, nën kujdesin e mësuesit Kostandin Minga. Më pas, me vështirësi të mëdha ekonomike, mbaroi arsimin e mesëm. Gjatë tërë kohës, Irakliu nuk i shkëputi lidhjet me shokun e tij të ngushtë Jani Minga. Ata i bashkonte ideali i njëjtë për përhapjen e gjuhës shqipe. “Shkronjat dhe gjuhën shqipe do t’i përhapnin medoemos, – i shkruante Jani Minga At Isaisë. Dhe vazhdonte: “Është koha që për shqipen të punojmë kudo. Tani të qoftë e mbarë! Mbështetu te populli”.

Dhe At Isaia, kudo dhe kurdoherë thoshte në popull: “Të mësojmë gjuhën tonë. Jemi shqiptarë dhe nuk na duhet gjuha e huaj, kur gjuhën e kemi aq të ëmbël, aq të mirë. Gjuha jonë është më e ëmbla ndër më të ëmblat”. Me shumë kujdes, At Isaia futi gjuhën shqipe edhe në kishë, ai i këndonte psalmet ne gjuhën shqipe, që atëherë populli filloi ta thërriste: “Prifti që psalmet i këndon shqip”. E kishte të qartë, se armiqtë, agjentët e Patrikanës, për të penguar përhapjen e gjuhës shqipe, thurnin plane djallëzore kundër atyre që bënin përpjekje, sado të vogla, për gjuhën amtare, por ai nuk trembej nga kërcënimet./

At Isaia, në fshehtësi, në njërën nga ndërtesat e kishës në Shën Pjetër hapi të parën shkollë shqipe në fshat. Mësimin shqip në shkollën e fshatit, ai vazhdonte ta zhvillonte pa ndërprerje. Për të shmangur rrezikun e zbulimit të mësimit të shqipes, ai i kishte pajisur nxënësit me dy palë fletore: në një palë shkruanin shqip dhe në tjetrën greqisht.

Por pushtuesit osmanë ranë në gjurmë të veprimtarisë së tij. Aty rreth vitit 1908, e kapën dhe e arrestuan. E ç’nuk i bënë, që të hiqte dorë nga rruga e nisur. Të moshuarit, ata që e panë ato ditë, tregojnë se si e torturuan, si i varën një këmborë në qafë dhe e tërhoqën përmes pazarit të Fierit dhe brigjeve të lumit Gjanicë.

E rrahën pa mëshirë, por ai nuk u tërhoq nga rruga e nisur. Nuk u mjaftuan vetëm me kaq, por dogjën edhe ndërtesën e shkollës. Pas shumë kohëve, atë e mbajtën nën tortura në burg. Kur u lirua, At Isaia, me pasion të madh, vazhdoi t’u mësonte fëmijëve të fshatit shkrimin e këndimin e gjuhës amtare.

At Isaia shkoi në Korçë, ku qëndroi në krye të manifestimeve për shkëputjen e Kishës Ortodokse Shqiptare nga kisha greke. Ai u ngarkua t’i njoftonte dhespotit vendimin e mbledhjes, që të largohej nga territori shqiptar brenda 24-orëve, si person i padëshirueshëm. Për veprimtarinë e tij patriotike dhe për punën e përhapjes së gjuhës shqipe, At Isaia u mallkua nga Patrikana. Në fundin e vitit 1919, ai çeli përsëri shkollën shqipe në fshat. Si ndërtesë u shfrytëzua shtëpia e një fshatari. Po kështu, ky mësues hapi edhe një shkollë tjetër në afërsi të fshatit Seman, në pyllin e Janjit. Pas Kongresit të Lushnjës, në mars të vitit 1920, At Isaia u vendos në Vlorë. Reaksioni e ndiqte këmba-këmbës. Mori pjesë gjallërisht në epopenë e lavdishme të Luftës së Vlorës dhe u dallua si një propagandist i flaktë i çështjes kombëtare.

Edhe pas fitores së Luftës së Vlorës, At Isaia nuk rreshti së punuari për të mirën e vendit. Ishte përkrahësi i flaktë i Halim Xhelos dhe i Avni Rustemit. Prifti atdhetar qëndronte në çdo kohë i armatosur. Gjatë Luftës së lavdishme Antifashiste Nacionalçlirimtare, At Isaia qëndroi përkrah “bijve të popullit që jepnin jetën për Shqipërinë”. Për veprimtarinë e tij, si edhe të nipit 15-vjeçar, Filipit, me urdhër të Prefektit të Vlorës, u arrestuan dhe u internuan në kampin e përqendrimit në Zemun të Jugosllavisë. Koço Faudi, një shok i internuar së bashku me At Isainë, i cili u kthye i gjallë, tregon: “Në kampin e internimit përdoreshin tortura nga më barbaret, nëpër këto tortura kaloi edhe At Isaia, i cili në moshën 72-vjeçare, nga një barbarizëm i rëndë, ra ashtu siç do të dëshironte të binte çdo trim”. / konica/ KultPlus.com