“Shqiponjat e Mëndafshta” themelojnë shkollën e gjuhës shqipe në Bari

Shoqata shqiptare në Bari të Italisë “Shqiponjat e Mëndafshta” ka arritur të realizojë një nga projektet kryesore të saj, atë të themelimit të shkollës së gjuhës shqipe.

“Shoqata jonë rritet falë objektivave që kemi vendosur që në fillim. Bëhet realitet një nga projektet tona më të rëndësishme, themelimi i shkollës së gjuhës shqipe në Bari. Prej muajsh kemi filluar përgatitjet, duke nisur nga seleksionimi i mësueseve për të vazhduar me prezantimin dhe njohjen me realitete të ngjashme nëpër vende të ndryshme në Italia, deri tek prezantimi me përfaqësues istitucional të vëndit tonë. Urojmë të japim maksimumin dhe të mos humbasim besimin, edhe pse vështirësitë për t’u përballuar nuk do jenë të pakta.

Falenderojmë motrat Nilsa dhe Viola Magjistari për lokandinën”, shkruhet në faqen zyrtare në Facebook të shoqatës Le Aquile di Seta.

Kjo shoqatë u krijua në vitin 2020 dhe synon të mbrojë dhe përmirësojë historinë dhe të kaluarën e Diasporës Shqiptare në Itali, duke parë të ardhmen e komunitetit. Të vetëdijshme se ka shumë shoqata të tjera me të cilat shpresojnë për një bashkëpunim në të ardhmen.

Gratë shqiptare të Barit duan të jenë një risi me një frymë bashkëpunimi, duke mësuar nga gabimet e së kaluarës dhe duke u përpjekur të ndërtojnë një rrjet më të mirë. / KultPlus.com

Një pikë shkollore në gjuhën shqipe hapet në Zvicër për 7 Mars

7 Marsi i vitit 2019, solli edhe një dhuratë për fëmijët shqiptare në qytetin Uster të Kantonit të Cyrihut.

Hapet edhe një pikë shkollore në gjuhën shqipe dhe natyrisht nxënësit kanë mundësinë që nga dita e enjte t’i ndjekin mësimet në gjuhën shqipe, shkruan albinfo.ch.

Pra kjo festë kombëtare nuk ishte vetëm një festë e zakonshme që i bashkëngjitet festave të tjera, por edhe një festë për të cilën u gëzuan në rend të parë prindërit sepse është një mundësi më shumë që fëmijët e tyre t`i ndjekin mësimet në gjuhën shqipe, përcjell tutje albinfo.ch.

“Prandaj, Ju ftojmë, që edhe ju të na bashkoheni në shkollën shqipe, sepse gjuha shqipe është gjuha jonë, të cilën na e kanë lënë amanet baballarët tanë”, thonë organizatorët.

Gjuha mbron flamurin, identitetin, atdheun!

Orari: çdo të enjte,paralel në dy klasë, në shkollën Freiestrasse 20, Uster:

Grupi i parë (kl.I-II) prej orës 15.30 – 17.15,

Grupi i dytë  (kl.III-IV) prej orës 17:15-19:00

Grupi i tretë  (kl.V-VI) prej orës 15.30 – 17.15,

Grupi i katërt (kl.VII-VIII) prej orës 17:15-19:00

Ju mirëpret mësuesi i shkollës shqipe:

Vaxhid Sejdiu, Tel.  076 321 26 94 / KultPlus.com