Në Queens të Nju-Jorkut hapet shkolla “Fol Shqip”, me mbi 60 nxënës

Në Queens të Nju-Jorkut është hapur shkolla “Fol Shqip”.

Mbi 60 fëmijë të regjistuar nga mosha 4 deri në 21 vjeç shfaqën interes për të mësuar dhe përvetësuar gjuhën shqipe. Iniciativën për këtë nismë e mori “Shoqata Besi”, e cila shërben si qendër kulturore dhe mbështetëse për komunitetin shqiptar me origjinë nga fshati Besa në Mal të Zi, shkruan albinfo.ch.

Për të ruajtur traditën dhe kulturën, përveç orëve të mësimit të shqipes – “Shkolla Fol Shqip” ofron edhe klasat e kërcimit, ku fëmijët shqiptarë mësojnë të kërcejnë vallet e njohura shqiptare.

Kurrikula e shkollës, e përqendruar në gjuhën shqipe dhe vallet tradicionale, synon të lidhë brezat e rinj të shqiptarëve në New York me trashëgiminë e tyre. Këto klasa nuk janë vetëm për mësimin; ato janë për të përjetuar dhe ruajtur një trashëgimi kulturore të pasur, duke nxitur një ndjenjë identiteti dhe bashkësisë midis të rinjve shqiptarë në diasporë. / KultPlus.com

Hapet shkolla e re e mësimit të gjuhës shqipe në Kaufbeuren, Gjermani

“Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë” në Bavari (LAPSH), me mbështetjen e Konsullatave Shqiptare në Mynih, si dhe në bashkëpunim të ngushtë me “Shoqatën ILIRIA” Kaufbeuren organizon  ceremoninë e hapjes së Shkollës Shqipe në Kaufbeuren, ditën e shtunë, më 24.09.2022 në ora 12:00.

Mësimi në kë shkollë shqipe do të zhvillohet me mësuese Eva Krypca çdo të premte nga ora 14:30 deri në 16:30, në adresën: Beethovenschule, Gartenzwerg 22, 87600 Kaufbeuren.

Për më tepër informacion mund të kontaktoni në: [email protected] ose në faqen e internetit: www.shkolla-shqipe.de. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com

Hapet Shkolla Shqipe në qytetin Drammen në Norvegji

Shqiptarët e Norvegjisë të organizuar mirë dhe drejtë hapjes së Shkollave Shqipe në qytete të ndryshme të banuara me shqiptarë.

Dita e hënë i gjeti të bashkuar shqiptarët në Drammen, ku të tubuarit në Shkollën Danvik shpallën zyrtarisht të hapur këtë Shkollë në gjuhën Shqipe.

Tani kësaj mësonjëtore do t`i gëzohen fëmijët e kësaj ane dhe nga kjo shkollë bashkë me mësuesit do të arrijnë të përfitojnë shumë duke mësuar të shkruarit e të lexuarit e në fund të folurit e gjuhës tonë më të bukur shqipe.

Në këtë ditë, u kërkua që prindërit mos të hezitojnë për t`i sjellë fëmijët e tyre në këtë shkollë me mësim plotësues në gjuhën shqipe.

Për fjalë rasti u ftuan në skenë, përfaqësuesit e shume organizatave prezente në këtë takim duke filluar nga vetë nismëtarët apo iniciuesit kryesor për hapjen e një shkolle të tillë, veteranë të arsimit, dhe më madhështore ishte prania e diplomates nga Ambasada e Republikës së Kosovës, Blerta Vehapi e cila ju solli prap edhe disa ekzemplarë nga kompleti i librave dedikuar shkollave të diasporës.

Ky takim solemn u përmbyll me një koktej rasti dhe vizitën miqësore në shtëpinë e bashkatdhetarit dhe aktivistit të dalluar, Adrian Hoti. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

Shkollë shqipe edhe në Bronx, SHBA


“Shkolla shqipe “Alba Life” së shpejti me një shkollë tjetër shqipe në Bronx, SHBA”, tha sot ministri i Shtetit për Disporën, Pandeli Majko.

Shkolla Shqipe “Alba Life” në 11 vitet e shkuara e ka ushtruar aktivitetin e saj në Staten Island, Brooklyn, Manhatan e Queens dhe këtë vit parashikon të fillojë aktivitetin edhe në Bronx, në New York.

Misioni i shkollës shqipe “Alba Life” e themeluar nga Qemal Zylo është zhvillimi dhe ruajtja e identitetit kombëtar përmes mësimit të gjuhës, kulturës së origjinës si dhe njohja me trashëgiminë dhe thesarin kulturor, natyror dhe historik kombëtar.

Programet e shkollës janë mbështetur në programet e përgatitura nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë dhe Ministria e Arsimit të Kosovës. / atsh / KultPlus.com