Gratë shkollohen, burrat punësohen

Në sistemin universitar të Kosovës studentet – vajza dhe gra – përbëjnë numrin më të madh, por kur është fjala për punësimin, gjinia e kundërt përfiton.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për tregun e punës, papunësia në Kosovë është më e lartë për gratë për 25 për qind, krahasuar me burrat për 19 për qind.

E papunë është Liridona Ademi nga Fushë Kosova, e cila në vitin 2017 ka përfunduar studimet në drejtimin Menaxhim dhe Biznes në një ndër kolegjet private.

Për gjashtë vjet me radhë 31-vjeçarja tregon se ka aplikuar disa herë në kompani private, por deri më tash nuk ka arritur të sigurojë një vend pune.

“Në të gjitha kompanitë që kam aplikuar, kriter ka qenë përvoja e punës. Nuk kam arritur të kem përvojë, pasi nuk kam punuar. Ky kriter vazhdimisht më ka penalizuar. Në sektorin publik nuk kam aplikuar asnjëherë, sepse është krijuar bindja se paraprakisht duhet të kesh të afërm ose familjarë që ta sigurojnë një pozitë të tillë”, thotë Liridona.

Gjatë vitit akademik 2021/2022, numri i përgjithshëm i studentëve në të gjitha institucionet e larta arsimore ishte mbi 70.000. Më shumë se gjysma e këtij numri përbëhet nga vajzat dhe gratë – gjithsej 40.826, kurse 29.358 janë meshkuj.

Në mesin e studentëve në Fakultetin Juridik në Universitetin Publik “Hasan Prishtina” në Prishtinë, studimet bachelor i ndjekin edhe Arbenita Bytyçi dhe Shkëndije Behaj.

Ato nuk besojnë se mund t’i presë fati i Liridonës së papunë.

Shkëndije Behaj dhe Arbenita Bytyqi, studente në Universitetin Publik "Hasan Prishtina" në Prishtinë.
Shkëndije Behaj dhe Arbenita Bytyqi, studente në Universitetin Publik “Hasan Prishtina” në Prishtinë.

“Pas përfundimit të studimeve mendoj se do të ketë vende të lira të punës. Për këtë edhe jam duke u angazhuar që në të ardhmen të kem një mirëqenie për familje”, tha Arbenita.

Qasje të lehtë në tregun e punës, pas studimeve synon edhe Shkëndija nga Prishtina. Ajo dëshiron që profesionin si juriste ta ushtrojë në institucionet publike.

“Tashmë është më i lehtë sigurimi i një vendi të punës. Kanë filluar të rregullohen gjërat në Kosovë. Besoj se lehtë do të inkuadrohem në treg”, shprehet Shkëndija.

Problem për të siguruar një vend pune nuk ka pasur Gojart Mjekiqi.

Ai punon qe pesë punon në një Qendër Thirrjesh (Call Center) në Prishtinë.

“Vetëm vullneti nevojitet dhe aplikimi në çdo konkurs. Në fillim kam aplikuar në shumë vende të punës, derisa kam gjetur punë në drejtimin tim të studimeve, Letërsi dhe Gjuhë Gjermane. Dhe jam i kënaqur me punën time”, shprehet 25-vjeçari.

Në Kosovë, ai thotë se aktualisht ka mjaftueshëm vende të punës dhe nuk beson se mund të ketë dallime gjinore sa i përket punësimit.

Gojart Mjekiqi, punonjës në një Qendër të Thirrjeve në Prishtinë.

Ndryshe, gratë në Kosovë përbëjnë gati gjysmën e popullsisë. Nga rreth 1.8 milion banorë të Kosovës, më shumë se 905 mijë janë meshkuj dhe rreth 900 mijë gra.

Numri më i madh i grave paraqitet te të dhënat e popullsisë në moshë pune.

Sipas të dhënave të ASK-së për vitin 2021, prej më shumë se 1.2 milion qytetarëve në moshë pune, (nga mosha 15 deri 64 vjeçe), 613 mijë janë meshkuj dhe 618 mijë gra.

D4D: Gratë konsiderohen si kujdestaret kryesore të familjes

Dallimet gjinore në sektorin e punësimit janë të pranishme dhe mjedisi patriarkal paraqitet një ndër arsyet kryesore të pjesëmarrjes së ulët të grave në tregun e punës, thuhet në një hulumtim të realizuar vitin e kaluar nga instituti kosovar, Demokracia për Zhvillim, (D4D) i quajtur “(Pa)Fuqia ekonomike e grave në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor”.

Sipas D4D, gratë konsiderohen si kujdestaret kryesore të familjes, duke përfshirë përgjegjësinë e plotë për rritjen e fëmijëve.

Përveç kësaj, Drenushë Canolli nga kjo organizatë thotë për Radion Evropa e Lirë se arsye tjera janë pagat e ulëta, mungesa e qendrave të kujdesit ditor për fëmijë ose pamundësia për t’i përballuar çmimet e tyre, transporti publik e të tjera.

Gratë përfundojnë duke kryer mesatarisht 5-6 orë në ditë në punë përkujdesjeje dhe kjo nuk i lejon ato të përfshihen në mënyrë aktive në tregun e punës, gjë që është baras me punë të papaguar.

Kjo kategori grash quhen joaktive, sipas D4D, pasi nuk janë as të punësuara, ndërsa janë tepër të zëna për të kërkuar punë.

Një fat të tillë e ka pasur edhe Zymretja, tashme 60 vjeç. Pas përfundimit të shkollës së mesme, në vitet ‘80, për gati katër vjet kishte punuar si referente në Komunën e Skënderajt.

Pas martesës dhe lindjes së fëmijëve, kujton ajo, gjërat ndryshuan.

“Dëshira për punë ka qenë e madhe, por atëbotë mundësitë ishin të kufizuara, transporti jo i rregullt. Më pas lindën fëmijët dhe përfundova amvise duke u kujdesur për fëmijët dhe punët e shtëpisë”, shprehet ajo.

Që nga përfundimi i luftës, tregon ajo, çdo vit ka kaluar duke shpresuar se ndërkohë do të siguronte një vend pune.

“Shumë merak më ka mbetur të punoj, çfarëdo pune. Kam pasur dëshirë të jem e pavarur financiarisht-por nuk arrita, sepse çerdhe nuk ka pasur mjaftueshëm dhe çmimi ka qenë i lartë”, tha ajo.

Në Kosovë, sipas Agjencisë së Statistikave, funksionojnë 49 çerdhe publike dhe 177 private.

Numri i këtyre institucioneve parashkollore, në raport me nevojat, duket se është i pamjaftueshëm.

Pagesa mujore në çerdhet publike është 40 deri në 50 euro, ndërsa në ato private varion nga 80 deri në 250 euro.

Paga mesatare në Kosovë deri vonë ka qenë rreth 480 euro.

Në fillim të shkurtit ka hyrë në fuqi Ligji i ri për pagat, i cili u ka sjellë rritje gati të gjithë punonjësve të sektorit publik. Autoritetet kanë thënë se me këtë ligj, paga mesatare do të arrijë deri në 730 euro. /REL / KultPlus.com

UNICEF: Mbi 1 milion vajza afgane nuk kanë ndjekur shkollën e mesme

UNICEF thekson se gjatë tre viteve të fundit, më shumë se 1 milion vajza afgane kanë humbur mundësinë për të ndjekur shkollën e mesme. Në vitin 2023, nëse arsimi i mesëm mbetet i mbyllur, rreth 215,000 vajza që ndoqën klasën e gjashtë vitin e kaluar do t’u mohohet sërish e drejta për të mësuar.

Megjithatë, UNICEF thekson se “ka disa shenja pozitive pasi rreth 200,000 vajza vazhdojnë të ndjekin shkollat ​​e mesme në rreth 12 provinca”.Gjithashtu, në vitin e fundit, numri i orëve të arsimit me bazë komunitare që zhvillohen në shtëpi private/lokale është dyfishuar nga 10,000 në 20,000.

“Numrat janë alarmante. Më shumë se 1 milion vajza që duhet të kishin ndjekur shkollën e mesme, kanë humbur mësimin për 3 vjet. Filliisht për shkak të Covid-19 dhe më pas, nga shtatori 2021, për shkak të ndalimit për të ndjekur shkollën e mesme”, tha zëvendësdrejtori i përgjithshëm i UNICEF, Omar Abdi.

“Me njoftimin e fundit, më 20 dhjetor, që i ndalon gratë nga universitetet dhe qendrat arsimore, shpresat e vajzave dhe grave afgane për të mësuar dhe për të punuar janë shtypur përsëri. Ne jemi shumë të shqetësuar për zhvillimin e vajzave dhe grave, dhe veçanërisht shëndetin e tyre mendor.”/abcnews.al / KultPlus.com

Gruaja italiane përgatitet që të fillojë shkollën e mesme në moshën 90 vjeçare

Një grua italiane 90 vjeçare, që nuk mundi ta vijoj shkollimin për shkak të Luftës së Dytë Botërore, është kthyer në klasë për të studiuar, në mënyrë që të pranohet në shkollë të mesme.

Annunziata Murgia është personi më i vjetër në klasën e saj që ndjek mësime për t’u pranuar më pas në shkollë të mesme.

“Më pëlqen të studioj, më ka pëlqyer gjithmonë. Por kur shpërtheu lufta, gjithçka ndryshoi për mua. Më duhej të shkoja dhe të punoja, pasi familja ime kishte vështirësi dhe unë duhej të luaja rolin tim. Njëherë e një kohë, vetëm ata që kishin para mund të studionin”, thotë ajo.

Murgia tha se mësoi të qepte kur ishte fëmijë dhe vazhdoi të bëhej rrobaqepëse. Por ajo lexoi shumë libra dhe tha se studionte vetëm, sa herë t’i jepej mundësia.

Pasionet e saj janë historia dhe muzika.

“Unë i kam dashur gjithmonë librat e historisë, edhe sepse kam përjetuar një pjesë të mirë të historisë së shkruar në libra – kam parë pasojat e Luftës së Parë Botërore dhe kam përjetuar të dytën”, u shpreh 90 vjeçarja.

Kalimi i provimit, i cili përfshin teste për shkrim e këndim dhe matematikë italiane, kërkohet për të pranuar në arsimin e mesëm të lartë, i cili në Itali përfundon në moshën 18 vjeçare.

Marina Pilia, mësuese e letërsisë në shkollë, e përshkroi Murgian si një nxënëse shumë të pasionuar dhe të angazhuar, shkruan Guardian, transmeton Klankosova.tv.

“Edhe pse ka disa vështirësi në dëgjim, ajo është aktive në orët e mësimit, veçanërisht në histori”, tha Pilia.

Shkolla kryesisht kujdeset për mësimin e të rriturve, dhe ata të moshës 16-20 vjeç që kanë nevojë të mësojnë përsëri. Mosha mesatare e nxënësve në klasën e Murgias është mbi 40 vjeç, disa prej të cilëve po përgatiten edhe për diplomën e shkollës së mesme.

“Shpesh ato janë gra që rikuperojnë arsimin pasi kanë lindur fëmijë, ose njerëz që nuk e kanë marrë kurrë diplomën dhe kanë nevojë për punë, pasi është kërkesa minimale e arsimit”, tha Pilia.

Personi i fundit në grupmoshën e Murgias që u ul për provimin në shkollë ishte një grua 87-vjeçare, në vitin 2016.

“Disa më shoqërojnë në shtëpi në mbrëmje, kur është errësirë, shokët e klasës janë si nipërit e mi”, shtoi ajo. / Klan Kosova / KultPlus.com

Vajzat afgane do të studiojnë në klasa të ndara dhe do të mësohen nga gratë

Talibanët kanë njoftuar se gratë në Afganistan do të lejohen të studiojnë vetëm në universitet në klasa të ndara sipas gjinisë dhe veshja islame do të jetë e detyrueshme, duke nxitur frikën se një ndarje gjinore do t’i imponohet vendit nën regjimin e ri.

Të shtunën, talibanët ngritën flamurin e tyre mbi pallatin presidencial në 20 vjetorin e sulmeve të 11 Shtatorit, duke sinjalizuar se puna e tyre për të qeverisur emiratin islamik të sapoformuar kishte filluar. Flamuri i bardhë u ngrit nga Mulla Mohammad Hassan Akhund, kryeministri i qeverisë së përkohshme talibane, transmeton KultPlus.

Ministri i Arsimit të Lartë, Abdul Baqi Haqqani, vendosi një sërë rregullash që do të qeverisin qasjen e grave në arsimin e lartë në Afganistan. Duke folur në një konferencë për shtyp, Haqqani tha se gratë do të lejoheshin të vazhdonin arsimin e tyre universitar, por do të ishte e detyrueshme të mbanin një hixhab. Ishte e paqartë nëse kjo nënkuptonte një shami apo se fytyrat e grave do të duhej të mbuloheshin plotësisht.

Ndarja gjinore gjithashtu do të zbatohet në të gjitha universitetet, që do të thotë se burrat dhe gratë do të duhet të mësohen në klasa të veçanta.

“Ne nuk do të lejojmë që djemtë dhe vajzat të studiojnë së bashku, ne nuk do të lejojmë bashkë-edukim,” tha ai. Studentët femra gjithashtu do të lejohen të mësohen vetëm nga gratë. Haqqani tha gjithashtu se lëndët që mësohen në universitete do të rishikohen.

Talibanët kanë premtuar se qeveria e tyre e re do të jetë më përfaqësuese dhe respektuese e të drejtave të grave dhe vajzave, edhe pse akoma brenda një “kornize islame”, sesa kur ata më parë mbajtën pushtetin midis 1996 dhe 2001.

Atëherë, gratë u penguan të shkonin në shkolla dhe puna, nuk u lejuan të dilnin nga shtëpia pa një udhëheqës mashkull dhe u detyruan të respektonin ligjet që qeverisnin “virtytin femëror”.

Axhenda e plotë e talibanëve ende nuk është shpallur. Sidoqoftë, si në regjimin e mëparshëm, nuk ka asnjë grua të vetme në kabinet, pavarësisht premtimeve për një qeveri “gjithëpërfshirëse” dhe gratë janë ndaluar nga sportet.

Në një intervistë të fundit në kanalin televiziv “Tolo News”, zëdhënësi i talebanëve Sayed Zekrullah Hashimi tha se roli i grave ishte të lindnin dhe të rritnin fëmijë, duke shtuar se “nuk ishte e nevojshme që gratë të ishin në kabinet”.

Politikat e reja arsimore shënojnë një largim domethënës nga mënyra se si universitetet funksiononin më parë. Para rënies së Kabulit në duart e talebanëve më 15 gusht, universitetet në të gjithë Afganistanin kishin qenë bashkë-edukative dhe gratë nuk duhej të përputheshin me asnjë kod veshjeje.

Numri i studenteve femra në arsimin e mëtejshëm kishte arritur nivele rekord, dhe institucionet si Universiteti Herat dhe Universiteti Ghalib në Kabul kishin më shumë studente femra sesa meshkuj.

Që në momentin që talebanët morën pushtetin, shumë studente femra kanë qëndruar në shtëpi nga pasiguria dhe frika, dhe gratë që dolën në rrugë në protestë ditët e fundit duke kërkuar të drejta të barabarta u pritën me dhunë dhe armë zjarri.

Megjithatë, shumë kanë vënë në dyshim realizueshmërinë e rregullave të reja të arsimit, në veçanti sesi universitetet dhe zyrat do të ishin në gjendje të përballonin koston e ndarjes dhe të ndanin mësimet dhe hapësirat vetëm për gratë.

Mungesa e objekteve dhe mësueseve femra tashmë po shkakton probleme në universitete, me disa institucione që u thonë studentëve se nuk do të kenë mundësi tjetër veçse të ndalojnë drejtimin e kurseve të caktuara për gratë.

Heather Barr, bashkëdrejtore e divizionit të të drejtave të grave në Human Rights Watch, tha se qasja e talebanëve ishte ajo “ku gratë, në teori, lejohen të vazhdojnë disa nga funksionet e tyre të përditshme, por vetëm nën kufizime që në thelb i bëjnë ata të veprojnë në një botë që është krejtësisht e ndarë nga djemtë dhe burrat ”, transmeton tutje KultPlus.

Përjashtimi i grave nga të folurit me burrat në zyra dhe universitete do të kontribuonte në përjashtimin e tyre nga jeta publike më gjerë, tha Barr.

“Ka shtresa të ndryshme diskriminimi për këtë, që do të thotë se do të ketë një ndikim vërtet shkatërrues tek gratë dhe vajzat,” shtoi ajo. / KultPlus.com

Shkollimi rrit jetëgjatësinë

Përfundimi i shkollimit primar dhe studimi në universitet mund të shtojë vite në jetën tuaj, ka treguar një hulumtim i ri.

Studiuesit analizuan të dhënat e më shumë se 5,000 njerëzve amerikanë dhe zbuluan se ata që vazhdojnë ngritjet akademike priren të jetonin më gjatë.

Çdo kualifikim – siç është diploma apo përfundimi i studimeve master – shton rreth një vit dhe katër muaj në jetën e një personi.

Ekipi gjithashtu theksoi që raca dhe paratë nuk dëshmojnë se janë indikatorë të jetëgjatësisë, siç janë kualifikimet.

Sa vjet jeton një person lidhet me një listë të gjatë faktorësh, përfshirë vendin ku jeton, përkatësinë etnike dhe mundësitë e punësimit.

Studimi u realizua nën udhëheqjen e Shkollës së Mjekësisë Yale dhe Universitetit Alabama-Birmingham. /KultPlus.com

UNICEF: Në Kosovë rreth 38.000 fëmijë më aftësi të kufizuar nuk e vijojnë shkollimin

Fondi për Fëmijë i Kombeve të Bashkuara (UNICEF) vlerëson se rreth 38.000 fëmijë me aftësi të kufizuara në Kosovë, nuk do të vijojnë mësimin më 1 shtator.

Nga gjithsej, 43.000 fëmijë me aftësi të kufizuara, sa vlerësohet të jenë në Kosovë, vetëm 5.300 prej tyre vijojnë mësimet në shkollat e rregullta, thotë organizata.

“Meqenëse arsimi ndërlidhet ngushtë me vende më të mira pune, jetë të shëndetshme, siguri sociale dhe ekonomike dhe mundësi për pjesëmarrje të plotë në shoqëri, ne e dimë që fëmijët me aftësi të kufizuara, të cilëve iu mohohet e drejta për arsim, kanë gjasa të përjashtohen edhe nga shoqëria”, thuhet në një komunikatë të UNICEF-it.

Organizata thotë se “pavarësisht ndërtimit të vazhdueshëm të objekteve shkollore që janë të përshtatshme për personat me aftësi të kufizuara, një grup i konsiderueshëm i objekteve të vjetra pa tualete të duhura, me laboratorë në katin e dytë dhe pa pjerrina, mbeten pengesë për realizimin e të drejtës për arsim të fëmijëve me aftësi të kufizuara”.

Shefi i Zyrës së UNICEF në Prishtinë, Murat Sahin, i ftoi institucionet e Kosovës që të ndajnë burime të mjaftueshme për punësimin dhe trajnimin e më shumë mësimdhënësve dhe asistentëve, duke ofruar mbështetje shtesë për pajisje dhe hapësira të specializuara dhe përfundimisht duke lehtësuar hyrjen e personave me aftësi të kufizuara në tregun e punës.

UNICEF-i ka zhvilluar një anketim me më shumë se 5.000 të rinjë nga e gjithë Kosova mbi perceptimin e tyre për bërjen e arsimit të qasshëm dhe gjithëpërfshirës për fëmijët.

“59 përqind e të rinjve u përgjigjen se: shoqëria në Kosovë përgjithësisht nuk është gjithëpërfshirëse. Po ashtu, 39 përqind e të rinjve identifikuan mentalitetin përjashtues të shoqërisë si barriera më e madhe për gjithëpërfshirjen”, thuhet në komunikatën e UNICEF-it. / KultPlus.com