Qosja, Paganini dhe xhungla kulturore

Nga: Ag Apolloni

Dje (s’e kuptoj pse jo sot) u ndanë çmimet vjetore për letërsi nga Ministria e Kulturës, çmime që jepen me rastin e Pavarësisë. Përderisa çmimet e kategorive të tjera mund t’i jepen disa herë një personi, çmimi për vepër jetësore jepet vetëm një herë, prandaj edhe kërkohet kujdes më i madh në përzgjedhjen e garuesve dhe, një kujdes maksimal në përzgjedhjen e fituesit. Por kujdesi i tillë do të duhej të fillonte nga ministri. Në mënyrë që fituesi të ndihet i nderuar, juria duhet të jetë gjithashtu e dëshmuar në fushë të letërsisë. Ku po jeton ti?, do të më thoshte ministri. Në Kosovë nuk funksionon ashtu.

Këtë vit bëra propozimin që çmimi për vepër jetësore t’i jepet shkrimtarit Rexhep Qosja. Ky propozim, mendoj, do të duhej të bëhej nga dekanja e Fakultetit të Filologjisë, por ajo lëre që nuk e shkroi, por as që e nënshkroi propozimin. Megjithatë, propozimin e nënshkroi shefi i departamentit të letërsisë shqipe. Për shkak të disa vonesave dhe pengesave që bëheshin, shtëpia botuese Bard Books ka dërguar gjithashtu propozimin për të njëjtin shkrimtar, që, nëse nuk arrinte njëri propozim (sepse për të shkuar nga fakulteti deri te ministria, duhen nja pesë minuta ecje në këmbë), të ishte tjetri si rezervë.

E vërteta është se para se ta bëja propozimin, i tregova profesor Qosjes. Ai më falënderoi për nderimin dhe më tha se s’do ta pranonte mirënjohjen (ndoshta për këtë, ministër, duhet ta shihni Rregulloren e parë dhe atë të vitit 2015). Megjithatë, përderisa nderimi është personal, ndërsa mirënjohja institucionale, e bëra propozimin dhe e dërgova. Jo pse Rexhep Qosja kishte nevojë për atë çmim, por sepse çmimi kishte nevojë për emrin e Rexhep Qosjes. Këtë provova t’ia them ministrit dhe jurisë që do të formohej (s’e dija që juria do të riciklohej) nëpërmjet atij propozimi, po kujt t’ia thuash?

Pse e propozova Rexhep Qosjen?

Vetë dhënia e përgjigjes (ashtu si edhe dhënia e arsyetimit gjatë propozimit) më duket e tepërt. Robert Elsie e ka konsideruar Rexhep Qosjen si njërin ndër kritikët më të mëdhenj të Ballkanit; Ismail Kadare (në parathënien e botimit frengjisht të romanit “Vdekja më vjen prej syve të tillë”) shkruan: “Rexhep Qosja është shkrimtari më i madh ndër shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të vendit, të cilët përbëjnë më shumë se gjysmën e kombit shqiptar”, ndërsa romanin e tij e quan kafkian, profetizues dhe një nga veprat më të mëdha të letërsisë shqiptare; Ibrahim Rugova thoshte se Rexhep Qosja “shpesh ka zgjidhur probleme vitale për letërsinë”, ndërsa Sabri Hamiti thotë se Rexhep Qosja e ka përmbysur realizmin socialist. Kritika franceze herë e ka quajtur Volter, herë Kafkë të Ballkanit.

Për kontributin e tij si prozator, dramaturg dhe studiues, janë thënë fjalët më të mira nga njohës të fushës. Por, ndoshta juria injoruesue ishte injorante. E shikova me vëmendje përbërjen e jurisë: dy ishin anëtarë të ricikluar nga viti i kaluar, një anëtare e përhershme e këshillit të librit, një mik i ministrit dhe një autore e një libri me vjersha. Pra, asnjë romancier i njohur, asnjë dramaturg dhe studiues letrar (i njohur, apo i panjohur), për ta vlerësuar romancierin, dramaturgun dhe studiuesin më të njohur të Kosovës. Ku i ke sytë, o ministër?

Në rregullore thuhet: “për vlerësimin dhe ndarjen e çmimeve ministri çdo vit formon jurinë profesionale prej pesë anëtarëve”. Ju keni bërë shkelje të rregullores, e cila ju obligon që çdo vit të formoni juri të re. Po si mund të ketë juri të re me anëtarë të vjetër (Bardhi dhe Azemi kanë qenë edhe vitin e kaluar). Gjithashtu, Bardhi është edhe kryetar i Këshillit të Bibliotekës Kombëtare, i emëruar nga ju, o ministër. Pra, do të jetë kryetar Këshilli sa t’jeni ju dhe anëtar bordi derisa të largoheni ju. Kjo nuk është mirë për shëndetin e demokracisë, plus që ai ka punë të tjera si profesor në UP, akademik në ASHAK, drejtor Seminari etj., dhe s’do të duhej ta mbingarkonit me punë.

Meqenëse prof. Qosja nuk është nderuar as nga ASHAK (Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës), as nga UP (Universiteti i Prishtinës), mendova se ju dhe juria dinjitoze (që mund të formohej), do të ishit të kënaqur me një kandidat si ai. Po ku? Në Kosovë?

Në vend se të kishim kryetar Akademie kolosin Rexhep Qosja, kemi klounin Mehmet Kraja. Në vend se të nderonim me Doctor Honoris Causa Rexhep Qosjen, kemi nderuar Recep Tayyip Erdogan-in. Gjithashtu, si profesori më i njohur i Fakultetit të Filologjisë, Qosja kurrë nuk është propozuar, as nderuar, me titullin Profesor Emeritus, as me titullin Anëtar Nderi i UP-së, as me Medalje Presidenciale. E, Rexhep Qosja në qershor i bën 88 vjet. Pra, nuk mund të themi se ende është i ri për nderime të tilla.

Rexhep Qosja ka dhënë shumë për Kosovën, por si ia ka kthyer Kosova? Duke mos e nderuar me çmime, tituj, e ndere, që janë krijuar për personalitete të tilla; duke shpifur kundër tij me dekada, duke ia thyer zyrën, duke ia hedhur librat në qese plehrash, duke e sharë, kërcënuar dhe sulmuar (në disa nga këto raste kam qenë dëshmitar okular), dhe, në fund, duke mos e konsideruar të denjë as për një çmim modest për vepër jetësore.

E di që Rexhep Qosja nuk bie aq poshtë sa për t’u marrë me jurinë. Siç ju thashë në fillim, ai sigurisht s’do ta pranonte atë çmim, por është puna juaj ta nderoni punën e tij. Unë vetëm desha që t’i japim fund mosmirënjohjes sonë institucionale karshi kësaj figure të madhe nacionale.

Nëpërmjet këtij mosvlerësimi ndaj veprës së Qosjes, ju, ministër, keni bërë dy gabime: 1. keni treguar se ata që punojnë shumë për letërsinë, kulturën dhe kombin, do të shpërblehen me mosmirënjohje; 2. keni rënë në kurthin e jurisë që ka dashur t’ju armiqësojë me Rexhep Qosjen, vepra e të cilit ka qenë model për shefin tuaj dhe për shumë intelektualë të brezave të ndryshëm, në Kosovë, Shqipëri e kudo ku ka shqiptarë.

Pra, ministër, vërtet ju kanë mashtruar keq, dhe nuk jam i sigurt nëse ndonjëherë do të mund të rehabilitoheni nga pasojat e këtij kurthi. Janë pasoja etike dhe politike, që mund t’ju reflektohen edhe në zgjedhje, sepse ky çmim, ndonëse nuk ndikon te lexuesit e Rexhep Qosjes, mund të ndikojë te votuesit tuaj.

Ju do të thoni: nuk i ndava unë çmimet, por juria. Pikërisht këtu qëndron problemi, ministër. Në kundërshtim me rregulloren, ju e ricikluat jurinë.

Mos harroni: Rexhep Qosja është shkrimtar i madh, intelektual i njohur dhe strateg i Bashkimit Kombëtar, një ide me të cilën ju keni ardhur në pushtet, dhe një profesor që ka frymëzuar shumë intelektualë dhe politikanë, përfshirë edhe disa të partisë suaj.

Rexhep Qosja në Shqipëri është nderuar me titullin Nderi i Kombit, në Kosovë as një çmim vjetor s’ia dhatë. E, nuk njoh njeri të kulturës që ka rrezikuar më shumë se ai në mbrojtje të kulturës dhe kombit në këtë shtet.

Ti, ministër, mund ta kapësh mistrinë e t’i meremetosh të gjitha shtëpitë dhe plemet; mund të bëhesh gardian i trashëgimisë materiale, por nganjëherë duhet të mendosh edhe për trashëgiminë shpirtërore dhe intelektuale.

Këshillë: Ktheju themelimit të çmimit kombëtar dhe çmimeve vjetore! Shikoje Rregulloren e parë dhe Rregulloren e vitit 2015 (qysh janë ndryshuar gjërat arbitrarisht)! Dhe, mbi të gjitha, formoni juri profesionale, se na plasët! Çfarë nderi është të të nderojë një juri e tillë?

Po e mbyll me një anekdotë: Paganini, violinisti virtuoz, u gjend në mes të xhunglës vetëm me violinën e tij. Kafshët e egra i turreshin, por ai i zbuste me tingujt e violinës. Dy majmunë në degë shikonin këtë mrekulli, derisa njëri vuri bast që luani, që po vinte me turr, do ta hante mjeshtrin. Paganini e pa luanin, dha më të mirën që mundi në violinë, por kot: luani iu hodh sipër dhe e hëngri. Majmuni që kishte vënë bast, i tha shokut: a të thashë që ky shurdhi ka me e hangër!

Morali: mos formo juri me shurdha!/ KultPlus.com

Ibrahim Rugova midis realitetit dhe ikonës

Nga Jusuf Buxhovi

Historia nuk do të ishte histori po qe se nuk do t’i kishte aktorët e saj të përhershëm, të cilët, megjithatë, në të mbesin të prekshëm.

I tillë shfaqet edhe dr. Ibrahim Rugova, lideri i lëvizjes së kundërvënies civile ndër më të mëdhatë dhe ndër më të fuqishmet mbi bazat institucionale dhe më vonë edhe president i parë i Kosovës i dalë nga zgjedhjet e lira të mbajtura në vitin 1992. President i Kosovës do të zgjidhet edhe në vitin 1998. Edhe në rrethanat e protektoratit ndërkombëtar, në vitin 2001 dhe 2004 Rugova zgjidhet president i Kosovës. Nuk do të arrijë 17 shkurtin, por askush nuk mund t’ia marrë  vendin që i takon në altarin e të merituarve të pavarësisë së saj.

Por, nëse mund të thuhet se Rugova është pjesë e historisë sonë më të re, ka edhe të tillë që nuk pajtohen me kthesën historike që ka sjellë filozofia politike e lëvizjes që ka bërë shkëputjen me komunizmin dhe ideologjinë totalitare dhe njëherësh ia ka hapur rrugën përkatësisë botës perëndimore dhe civilizimit të saj ku edhe gjendemi.

Zaten, këtu e kanë burimin edhe thyerjet për dhe kundër Rugovës të cilat mbahen sot e gjithë ditën, që në të vërtetë duhet kuptuar si ndeshje midis pikëpamjeve të së djathtës në njërën anë dhe në tjetrën anë të atyre që vinë nga bindjet majtiste  të reinkarnuara edhe me amalgamin religjioz, ku edhe më tutje manifestohen mbetjet e ngarkesave ideologjike, veçmas tek ajo pjesë e shoqërisë që ende nuk është liruar nga mentalitet patriarkale, ku vetëdija folklorike në masë të madhe ushqen prirjet totalitare.

Shikuar nga këndvështrimi historik, këto mbetje edhe janë të arsyeshme nëse kihet parasysh vendosja e diktaturës komuniste, e cila shqiptarëve në të dy anët e kufirit të dhunshëm do t’u vijë nga Lindja, e cila pas Luftës së Dytë Botërore, fuqinë do ta fitojë nga meritat në luftë kundër fashizmit.

Vendosja e sistemit komunist në Shqipëri dhe në Jugosllavi në të njëjtën kohë do të thotë qërim hesapesh me vetëdijen “borgjeze” dhe antikomuniste, viktimë e së cilës do të jetë shtresa e inteligjencies shqiptare me bindje perëndimore, por viktimë tjetër edhe më e madhe do të jetë Partia Nacional-Demokrate Shqiptare NDSH, me orientim antikomunist, ndaj anëtarësisë së të cilës do të zhvillohet një terror i madh ku dënimi me vdekje do t’i gjejë drejtuesit e saj.

Natyrisht, se pos pastrimit sistematik nga vetëdija e NDSH-së, në vitet e para të pasluftës, komunistët jugosllavë dhe ata shqiptarë bashkarisht ndërmorën fushatën për çrrënjosjen e të gjitha vlerave kulturore të përkatësisë perëndimore të botës shqiptare, që nga heqja dhe ndalimi i veprave të Gjergj Fishtës, Lasgush Poradecit, Koliqit dhe të shkrimtarëve të tjerë në mënyrë që t’i hapej rruga edukimit socialist me anën e metodës së socrealizmit, i cili sistematikisht do të pastrojë trurin shqiptar nga “mbetjet” imperialiste dhe reaksionare për t’ua futur ato të “njeriut të ri” të shpërlarë nga vlerat e së kaluarës. Krahas dhunës ideologjike, shqiptarëve të Kosovës dhe të pjesëve të tjera në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës, do t’u rëndojë edhe shtypja e egër hegjemoniste e Beogradit, e cila deri në vitet e gjashtëdhjeta ishte në përputhje me strategjinë e memorandumeve antishqiptare të akademikëve serbë për shkatërrimin e qenies së tyre etnike.

Edhe përkundër këtyre zhvillimeve me orientime ideologjike, megjithatë nga mesi i viteve gjashtëdhjeta e tutje, në Kosovë, klima liberale politike e cila do të shfaqet pas rrëzimit të Rankoviqit, e cila do të përcillet edhe me ngritjen e autonomisë së Kosovës në shkallën e subjektit të Federatës, do të shfrytëzohet për barazi me të tjerët po edhe për kthimin kah vlerat e civilizimit perëndimor. Ky ndryshim shoqëror do të sjellë edhe një ndryshim tjetër të stereotipit të kërkesave të shqiptarëve nga ai i bashkimit me Shqipërinë dhe çlirimit, qoftë edhe nën ombrellën e shtetit stalinist shqiptar, tek barazia me të tjerët në federatën jugosllave, që do të pasqyrohet me kërkesën për Republikën e Kosovës.

Rugova mund të merret ekzemplari tipik i gjeneratës së intelektualëve shqiptarë, të cilët në saje të arsimimit dhe të ngritjes, kanë shënuar kapërcimin nga lirimi i kornizave ideologjike të sistemit kah vlerat e shoqërisë së lirë perëndimore në qendër të të cilave është liria, barazia dhe demokracia perëndimore ku janë parë rrënjët e përbashkëta dhe gjithë ajo që një popull e qet me kujtesë të formuar historike dhe ndërlidhja me të paraqet ardhmëri. Andaj, edhe kërkesa për barazi,  e ngritjes së Kosovës në Republikë në demonstratat e vitit 1968 dhe ato të vitit 1981, e parë në kuadër të  zhvillimeve progresive të shoqërisë dhe të institucioneve të saj, nuk shfaqej si çështje formale, po pjesë e hapësirës së lirisë dhe të barazisë me të tjerët, ku kornizat ekzistuese të autonomisë, duhej hapur sa më parë, ngaqë ato tashmë ishin bërë të ngushta dhe mund të krijonin edhe ngulfatje madje. Por, meqë për këtë mungonte vullneti i klasës politike shqiptare, do t’u hapet udha kërkesave institucionale dhe jashtinstitucionale në përputhje me përcaktimet civilizuese dhe postulate e saj që ngriheshin mbi barazinë dhe lirinë.

Kur do të shfaqen shenjat e para të krizës Jugosllave dhe do të shihet se klasa politike e Kosovës, nga kompromiset e shumta që kishte bërë nga viti 1981 e tutje për të ruajtur atë që ishte fituar me kushtetutën e vitit 1974 e që realisht nuk mund të mbrohej, nuk do të jetë në gjendje të marrë përsipër fatet e popullit, para intelektualëve të këtij orientimi, që edhe ashtu viteve të fundit kishin bartur gjithë barrën e kundërvënies projektit hegjemonist të intelektualëve serbë nga  Memorandumi i Akademisë Serbe i vitit 1986,  shtrohej domosdoja e marrjes me politikë si një përgjegjësi historike mbi koncepte dhe ide të qarta, që nuk mund të ishin të tjera pos në frymën e civilizimit perëndimor dhe të pluralizmit politik.

Dhe marrja me politik duhej të kishte një koordinatë të dyfishtë: lirimin nga dhuna e ideologjisë totalitare dhe kërkesën e barazisë, me emërues të përbashkët demokracinë. Këto ishin prioritete, po që e para – lirimi nga dhuna ideologjike, shfaqej si parësore, ngaqë për ata që e dinin se çfarë fatkeqësie i kishte sjellë botës shqiptare ideologjia komuniste dhe përkatësia e dhunshme asaj nga Lufta e Dytë Botërore e tutje, lirimi nga kthetrat e dhunës totalitare dhe të sistemit mbi të cilin qëndronte, paraqiste parakushtin e parë të kapërcimit tonë nga Lindja tek Perëndimi, që të bëhemi pjesë dhe interes perëndimor, e ku pastaj, mund të arrihej edhe barazia e edhe liria.

Sigurisht se këtij përcaktimi, që do të paraqesë pikënisjen e filozofisë politike të programit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të lëvizjes së cilës do t’i prijë ajo, do t’i vinë në ndihmë zhvillimet pozitive në skenën politike botërore që do të shfaqen pas rrënimit të Murit të Berlinit kur pas bashkimit gjerman do të fillojë të bie perdja e hekurt, pastaj edhe imperia e kuqe sovjetike e bashkë me të edhe bipolariteti blokist dhe konfrontimet ideologjike që për gjysmë shekulli botën e kishin mbajtur në ethët e luftës së ftohtë.

Në këto rrethana, lëvizja shqiptare do të zhvillohej në dy binarë paralelë: fillimisht të shkëputjes nga Serbia me anën e arritjes së plotë të subjektit federativ, me çka do të fitohej edhe e drejta për vetëvendosje deri te shkëputja nga Jugosllavia, dhe në atë të shkëputjes me ideologjinë komuniste.

Si do të shihet ecja nëpër këta binarë paralel nuk do të jetë aspak e lehtë, ngaqë hapte konfrontimin dykrahësh me Serbinë, e cila ishte në vlugun e unitarizmit dhe shumëkush në Jugosllavi priste që nga konflikti serbo-shqiptar të përfitohej që sa më lehtë të liroheshin nga Beogradi, ndërkohë që shqiptarët ishin të vetëdijshëm se ky zhvillim duhej të shkonte kahut të kundërt në drejtim të Kroacisë dhe të Sllovenisë, ku do të prekeshin sferat perëndimore dhe kjo doemos do ta shtynte Perëndimin që të ndërmerreshin masa që Beogradit t’i shkëputej çfarëdo mundësie që si faktor i ri force në Ballkan të rikthente ndikimin rus, pikërisht atë që Moska e kishte humbur në saje të shtrirjes ideologjike.

Por, lëvizja shqiptare, e vetëdijshme se ishte pikërisht kursi antikomunist ai që asaj do t’ia hapte perspektivën historike dhe njëherësh Beogradit do t’ia hiqte çfarëdo mundësie që “stazhin” e dhunshëm komunist të shqiptarëve ta shfrytëzonte për qëllimet e veta, do të përqendrohet tek shkëputja me komunizmin dhe si do të shihet për më pak se tre muaj do të arrijë që në Kosovë komunistët të pësojë disfatën më të madhe, me ç’rast shqiptarët do të dëshmojnë se asnjëherë nuk kanë pas bindje komuniste, por që në atë fatkeqësi kanë qenë të përfshirë dhunshëm. Dhe, njëherësh, do të bëjnë me dije se përcaktimi i tyre është perëndimor pa kurrfarë dilemash dhe hipotekash me të cilat propaganda hegjemoniste serbe ç’prej kohesh ishte munduar ta ngarkojë dhe ta anatemojë herë si “filialë staliniste e Tiranës” e herë si “mbetje e rrezikshme e fundamentalizmit islamik” dhe të ngjashme.

Dhe natyrisht se përcaktimi perëndimor, nënkuptonte edhe sjelljen perëndimore, në përputhje me vlerat civilizuese, ku kërkesa për barazi, liri dhe demokraci shfaqen si të pakapërcyeshme.

Andaj, ishte e pritshme që edhe lëvizja e shqiptarëve për pavarësi të fillonte dhe të mbështetej mbi postulatet e barazisë dhe të demokracisë.

Vënia e Rugovës në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës si lëvizje gjithëpopullore, konceptin programor të mbështetur mbi trekëndëshin strategjik: barazi, demokraci dhe përkatësi perëndimore, do ta kthejë në një filozofi politike, atë të kundërvënies civile, që do të njihet herë si rezistencë paqësore, e herë si pushtet paralel e të ndryshme, por që në të vërtetë ka paraqitur dëshmitë më të mëdha civilizuese shetformuese, me anën e të cilave prania serbe në Kosovë do të reduktohej në atë të pushtuesit ushtarak, ndërkohë që do të ndikohet që agresioni serb dhe lufta që kishte nxitur të anashkalonte sa më shumë që të ishte e mundur Kosovën, edhe pse dihej që ajo një ditë do ta gjente, por që edhe kur kjo të ndodhte atëherë, Serbia të mos ishte ajo e vitit 1990 me miq dhe përkrahës të shumtë, po një monstrum i shkallmuar me hipotekat e xhandarit të Ballkanit dhe aleatit të vetëm të Rusisë, ndaj të cilit pastaj bota do të reagonte për të mbrojtur një popull dhe një lëvizje civilizuese vendi i së cilës ishte në Europë.

Por, ishte koha dhe ishin koniukturat ndërkombëtare ato që Rugovës dhe kursit të kundërvënies civile po i qitnin telashe, meqë lëvizja shqiptare fillimisht ishte e mbikëqyrur nga amerikanët dhe disa nga vendet perëndimore në krye me Gjermaninë, dhe ajo ndiqte të gjitha “këshillat” që i vinin nga Uashingtoni dhe Boni apo edhe Brukseli, të cilat rëndom kërkonin që të evitohej lufta, të evitoheshin konfliktet dhe të pritej.

Slogani dhe më vonë refreni “durim, durim”, që Rugova e përsëriste çdo të premte në konferencat për shtyp, po edhe kudo, njëherësh ishte edhe refren amerikan dhe refren perëndimor që u drejtohej shqiptarëve, që dikur më vonë kishte filluar të keqpërdorej edhe nga Beogradi, i cili “qetësinë” e Kosovës mundohej t’ia atribuonte gjoja lojalitetit ndaj Beogradit, i cili mund të prishej vetëm nga ndonjë kryeneçësi separatiste dhe terrorizëm me prapaskenë fundamentaliste!

Pa hyrë te vlerësimi i sjelljes politike të Rugovës, ku ka se çfarë thuhet, por ato duhet të shikohen nga distanca e duhur kohore dhe në përputhje me dokumentet e shumta arkivore kur shumë prej tyre t’u hiqet embargo, megjithatë duhet ruajtur nga ngatërrim i konceptit të filozofisë politike, çfarë ishte ai i lëvizjes gjithëpopullore të dalë nga programi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga sjellja politike, e cila ishte në përputhje të plot me ato që asaj iu imponuan nga jashtë gjatë gjithë kohës sa ajo ishte e mbikëqyrur deri në hollësi, së cilës Rugova iu nënshtrua për vite të tëra, çka nuk ia ul vlerën atij, por përkundrazi e shfaq si politikan i cili e ka ditë fare mirë se çfarë mundet dhe çfarë nuk mundet, se çfarë guxon dhe çfarë nuk guxon, dhe e ka ditur se ana e zgjedhur, ajo e Perëndimit ishte e vetmja që mund të sjellë shpëtim dhe asaj duhej përmbajtur, meqë alternativa tjetër ishte gjenocidi serb.

Këtu, në të vërtetë del në pah se Rugova nuk ka pasur probleme me zbatimin e konceptit të kundërvënies civile me pushtetin paralel dhe institucionet e saj, dhe nuk ka pasur probleme as me blanko besimin ndaj aleatëve perëndimorë në krye me SHBA-të dhe rolin e tyre të madh në këtë zhvillim, por probleme i kanë dalë dhe vazhdojnë t’i dalin me sjelljen ndaj filozofisë politike të tij nga ana e një pjese të mirë të atyre që dikur i kishin takuar, e kishin mbështetur, por që pasi ai të ketë luajtur misionin historik siç ishte shkëputjes nga komunizmi dhe dhënia e dëshmive e përkatësisë civilizimit perëndimor dhe kundërvënia civile me pushtetin paralel, në një kohë kur tashmë ishin përmbushur rrethanat që të kalohej nga kundërvënia civile dhe gjendja e statusquos në atë të rezistencës së armatosur bartës i së cilës do të shfaqet Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kishin filluar ta anatemonin lëvizjen së cilës i kishin takuar për vite të tëra, anatemë kjo që më pak qet në pah qëndrimin ndaj një individi, qoftë ai i një rëndësie si të Rugovës, e më shumë flet për problemet që ka një shoqëri me vetveten nga shkaku i konvertimeve me anën e të cilave ngatërrohet kompasi i orientimit historik që botës sonë i ka kushtuar aq shumë dhe mund t’i kushtojë edhe me shumë në një të ardhme nëse përkatësinë perëndimore e ngatërron me atë lindore dhe nëse përcaktimin antikomunist e ngatërron me atë ideologjik…

Dhe për fund, për ta ilustruar frikën e reinkarnimit të disa proceseve, gjithsesi se nga kujtesa ime do të thërras në ndihmesë dy shembuj të dy bisedave të bëra me Ibrahim Rugovën në Bon, në dhjetorin e vitit 1995 dhe atë në maj të vitit 1999, të  domethënëse për të kuptuar pse Rugova nuk mund të mbetet “i qetë” si pjesë e historisë, ku e ka vendin dhe pa marrë parasysh ato që i përplasen ai mbetet në histori dhe në një farë mënyre konfrontimi me të paraqet mospajtim me ato zhvillime historike dhe proceset nëpër të cilat është kaluar, ku dëshira për t’i rikthyer ato është e dukshme madje.

Si herën e parë, dhe  herën e dytë, Rugova do të ketë shqetësimin se lëvizja shtetformuese mund të mos rrumbullakohet në përputhje me filozofinë politike dhe konceptet mbi të cilat është vendosur nga shkaku i dy arsyeve: i koniukturave ndërkombëtare dhe lojërave të tyre në njërën anë dhe në tjetër anë nga mosgatishmëria e shqiptarëve që këtyre proceseve historike – shkëputjes nga komunizmi dhe përkatësisë Perëndimit – t’u përkushtohen sa duhet.

Rreth kësaj të dytës, madje, kishte dyshime se retardimet e vetëdijes totalitare dhe humbja e kompasit midis lindjes dhe perëndimit në dobi të ngatërrimit të së parës, mund të jenë tepër të rrezikshme sa të vihet në sprovë gjithë koncepti i fitores historike të kohës sonë, që për pasojë do të kishte kthimin e saj pikërisht aty ku ishte që nga Kriza Lindor e tutje, për t’u parë në dritën e faktorit negativ të Ballkanit dhe të stabilitetit të saj, pikërisht ashtu siç e kishte dëshiruar Beogradi, i cili aq shumë kishte investuar në të.

Por, t’i kthehem takimit të parë, atij të dhjetorit të vitit 1995 në Petersberg te Bonit, ku pas katër vitesh do të mbahen takimet e Grupit të Kontaktit për Kosovën dhe do t’u jepen edhe parafet e fundit marrëveshjeve të Kumanovës, me anën e të cilave do të bëhet tërheqja e forcave jugosllave nga Kosova, me çka do të krijohen kushtet për futjen e forcave ndërkombëtare të kryesuara nga ato amerikane në përputhje me rezolutën 1244 të OKB-së.

Ditë më parë Rugova kishte ardhur në një vizitë në Gjermani. Zoti Hase, nga Ministria e Jashtme më njoftoi se Rugova ishte pritur në Ministrinë e Jashtme zyrtarisht nga ministri Kinkel. Tha se  për dy ditë lideri i shqiptarëve të Kosovës, i vendosur në rezidencën qeveritare në Petersberg të Bonit, ishte  mysafir i qeverisë gjermane. Marrja e Rugovës në mbikëqyrje nga qeveria gjermane pamëdyshje se paraqiste një shkallë tjetër të trajtimit politik të Rugovës nga ana e gjermanëve krahasuar me sjelljen e deriatëhershme që ishte përherë “jozyrtare”.  Pas njoftimit zyrtar, Has më ftoi në darkën e përbashkët me Rugovën në Petersberg, që shtronte ministria e jashtme.

Sinqerisht i gëzohesha takimit me Rugovën, jo pse nuk e kisha takuar prej më shumë se dy vitesh, me rastin e largimit në Gjermani dhe aty personalisht ia kisha shpjeguar arsyet e këtij veprimi, po pse ndjeja nevojë për një shfrim intelektual të tillë, që aty më mungonte në ato rrethana shtresimi të madh profesional. Në mbrëmje, në orën 20 do të ngjitem në majën e Petersbergut, dhe në verandën e madhe të kthyer me shikim nga Rajna dhe Bad Godesbergu, takova Rugovën e qetë dhe të mendueshëm, siç e kisha lënë në zyrën e tymosur të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Nuk patëm mundësi të çmalleshim gjithaq meqë pas pak do të vijë nikoqiri, Hase me një bashkëpunëtor dhe edhe Bujar Bukoshi, me të cilin Rugova do të përshëndetet ftohtas pa luajtur nga vendi fare. Ishte e qartë se takimi i tyre thuajse i detyrueshëm ishte bërë nga Ministria e Jashtme gjermane, dhe ata kishin pasur arsye për një gjë të tillë.

Darka kaloi në një atmosferë të ftohtë, me ndonjë ndërhyrje të lehtë të zyrtarit të lartë gjerman rreth shijes së verës, apo panoramës së Rajnës e mbërthyer nga dritat që e përshkonin, e cila nga ajo pikë dukej impozante. Ndërkohë që Rugova ia kthente me ndonjë përshtypje nga panoramat e Senës së Parisit natën. Herë pas herë Rugova ma shtronte ndonjë pyetje rreth krijimtarisë letrare, që thoshte se duhej ta vazhdoja, duke e ndërlidhur shkëputshëm me ndonjë përshtypje nga romani im “Prapë vdekja” (ato ditë i ishte ndarë çmimi vjetor i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës), që thoshte se pjesa e dytë dhe e tretë i kishte lënë përshtypje dhe fliste se një ditë, kur të gjente kohë, do të shkruante një studim pak më të gjerë, siç kishte vepruar edhe me romanin “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”.

Pas nja dy orësh darka kishte kaluar dhe në ishim ndarë ftohta me përshtypjen e ndërsjellë se ajo ndoshta as që ia kishte vleftë, sepse kishte shpërfillur përfytyrimin e atyre që midis nesh, qoftë si kujtime duhej të ruheshin të paprekura. Por, diku nga mesnata do të bjerë telefoni dhe nga ana tjetër e kufjes do të dëgjoj zërin e Rugovës. Më tha se po të kisha mundësi do ta vazhdonim takimin.

“Ka edhe pak verë të mirë këtu që nuk ka mbaruar”, foli si me mahi.

Pas gjysmë ore takova Rugovën që po më priste në verandën e madhe ku darkuam. Tha se mirë ishte të kalonim në pjesën tjetër, por pas pak ndërroi mendjen dhe u vendosëm aty ku ishim. Me të shpejtë hetova një njeri tjetër. Të tillë siç e mbaja mend nga bisedat që herë pas herë bënim te “Eni” i Neshetit kur ai mbyllte lokalin në orët e vona të natës dhe ne mbeteshim vetëm aty deri në orët e hershme të mëngjesit.

Nisi të fliste me shqetësim dhe ndrojtje rreth Dejtonit. Duket se këtë e kishte edhe nga biseda që kishte pasur atë ditë me Kinkelin në Ministrinë e Jashtme dhe kisha informata se si ministri i jashtëm gjerman i kishte thënë se edhe më tutje duhej të vazhdonte kursin e rezistencës civile, por që ia kishte bërë me dije se duhej të ishte i gatshëm për biseda të drejtpërdrejta me Beogradin rreth zgjidhjes së problemeve që kishin, por Rugova ia kishte kthyer se nuk mund të kishte biseda për çështje problemesh, por rreth ndarjes përfundimtare nga Serbia në përputhje me vullnetin politik të shprehur të popullit të Kosovës që nga dy korriku, kushtetuta e Kaçanikut, referendumin për pavarësi dhe të tjerat. Madje, Rugova i kishte thënë ministrit gjerman se edhe po qe se do të detyrohej të hynte në bisedime me Beogradin, do të bisedohej për statusin, ku garant do të ishte faktori ndërkombëtar e assesi ndryshe. Meqë Kinkeli i kishte thënë se vullneti i shprehur i shqiptarëve ishte një dhe koniukturat ndërkombëtare diç tjetër, që kurrë s’u dihet, por aty është fjala e fundit, shihej qartë se Rugova edhe më tutje nuk ishte liruar nga trysnia e atyre që kishte dëgjuar nga ministri i jashtëm gjerman. Haptas tha se druante se mund të mbeteshim viktima të disa hesapeve nga shkaku se Perëndimi edhe më tutje dëshironte ta mbante Serbinë partner të rëndësishëm rajonal. Brengosej pra se premtimet që i ishin dhënë popullit të Kosovës se kishim amerikanët me vete dhe Perëndimin, mund të dukeshin vetëm premtime.

Nuk dija se çfarë t’i thosha tjetër pos të shtoja se përkundër asaj që ishte arritur në Dejton, megjithatë nuk kishte përfunduar drama e Ballkanit. Sepse, edhe më parë kishte pasur marrëveshje, por ato shpejt kishin rënë në ujë.

“Nuk ma thotë mendja se amerikanët mbesin në gjysmë të rrugës. Ata kanë interesa gjeopolitike dhe gjeostrategjike në Ballkan, ku faktori shqiptar luan rol”.

Ia përkujtova ato që senatori Robert Dol na i kishte thënë në prillin e vitit 1990 në Uashington kur na kishte ulur bashkarisht me Qosiqin dhe, pas asaj bisedë,  i fascinuar, kishte zënë ngojë kunjat e mëdhenj që lëviznin botën…

Edhe pse Rugova i dinte këto dhe ishte shumë mirë i informuar nga të gjitha anët, megjithatë ishte njëfarë rënie depresive e çastit që e kishte mbërthyer aty ku njeriu duket si pikë e vogël uji në detin e madh. Pas pak kjo edhe do të hetohej, kur sërish do t’i kthehet qerja do të thotë se ia kishim dalë të bëhemi interes i Perëndimit. Kjo do të kishte rëndësi që të mos kthehemi më në tutelën e Beogradit. Më përcolli me fjalët, që mezi i thoshte:

“Nuk ka kthim prapa, por ne edhe më tutje do të mbesim peng i sferave të interesit. Sikur i kemi fat?… Megjithatë, duhet bërë çmos që të mbesim në perëndim dhe jo në lindje”.

Edhe takimi i dytë dhe i fundit që do ta kemi, në maj të vitit 1999 në Bon,  filloi ftohtas në një pasdite kur do t’i drejtohem hotelit “Kënigshof” skaj Rajnës, ku ishte vendosur pas largimit nga Roma, për të vazhduar pas gjysmës së natës, kur do të më drejtohej me telefon që të bisedonim paksa, siç kishte kërkuar para katër vitesh nga rezidenca e qeverisë në Petersberg skaj Bonit dhe kokën e kishte me brengat e të panjohurave të Dejtonit.

Në të vërtetë, gjatë takimit të pasdites, ne kishim pirë kafe në terasën e rrethuar me xhama skaj Rajnës dhe ai kishte bërë përpjekje që disi t’i ikte tollovisë që e ndiqte nga prania e madhe e atyre që kishte me vete dhe e vizitorëve të shumtë që pareshtur vinin nga të gjitha anët e Gjermanisë dhe dëshironin ta takonin. Dhe kjo si duket e kishte lodhur po edhe bezdisur si shumë. Këtë ma tha sapo u takuam pas gjysmës së natës dhe vazhduam të bisedonim nga pjesa e djathtë e barit që shikonte pjesën e Rajnës në drejtim të Bad Godesbergut, ku pirgu i ndriçuar i kullës së kështjellës, dukej si mrekullitë e Babilonit.

Ky takim, megjithatë, ishte tjetër  nga ai i Petersbergut, ngaqë Rugova kishte kaluar nëpër shumë sfida, ndër të cilat më e vështira pa mëdyshje ishte ajo e Beogradit, kur për disa javë ishte mbajtur peng i Millosheviqit, dhe ai ishte munduar ta shfrytëzonte për qëllime të caktuara politike. Mendja ma merrte se Rugova kishte këtë gur në zemër dhe barrën e tij, që mund ta ngarkonte përjetshëm. Andaj, prisja që nga ai paksa të zbrazej. Por, për habi, preokupim nuk e kishte kohën e Beogradit. Si edhe me rastin e takimit në Petersberg kur më kishte folur për dilemën e sferave të interesit dhe pengun e tyre me preokupimin jetik që të mbeteshim në atë të Perëndimit dhe jo në të Lindjes, këtë herë më foli për frikën nga reinkarnimi ideologjik i vetëdijes totalitare.

Kisha përshtypjen se nga ai po fliste një frikë e madhe, e brendshme dhe tejet e thellë, e cila nuk shfaqej vetëm si dyshim, por si ndjekje, që nganjëherë i përngjan paranojës.

“I druaj hakmarrjes komuniste”, do të më thotë një çast me aso shqetësimi, sa më shkoi mendja se mund të ndodhej para ndonjë thyerje të rëndë psikike dhe mendja më shkoi tek pasojat e Beogradit.

“Nuk mund të çrrënjosen bindjet totalitare. Ato preokupojnë shpirtin dhe mendjen njësoj…”

Çfarë t’i thosha kur e dija se kishte të drejtë, por nuk ma merrte mendja se ai tashmë ishte mbërthyer i tëri nga ajo druajtje.

Prapë përmendi hakmarrjen komuniste, dhe si për çudit, kaloi te Xhojsi dhe Uliksi i famshëm, i cili shumë herë na kishte ardhur në ndihmë gjatë bisedave me diplomatët e huaj. Mendja ma tha se ky do të ishte një shkas të ndërronim temën e rëndë, po ai prapë e ktheu tek hakmarrja dhe frika prej saj. Më pyeti se a e dija pse Xhojsi nuk kishte dashur të vdiste në Dublin?

Edhe pse e dija se ishte njëfarë paranoje së cilës ai kohëve të fundit i ishte nënshtruar kur kishte vendosur që të mbetej në Paris dhe aty të vdesë, përgjigjes i bishtnova me atë që thashë se Parisi mund ta kishte fascinuar siç ka fascinuar gjithë botën.

“Ku ka më mirë se të vdiset në Paris”, fola pak si me shaka.

“Ka!” m’u drejtua me një zë tejet tingëllues. “Vdekja më e mirë është në Dublin!”

Pas pak midis nesh mbërtheu një heshtje shurdhe. Hetova se ishte në një gjendje të rëndë, por që kishte nevojë prej saj disi të lirohej. Kishte nevojë të fliste me dike nga shpirti. I thashë se mund të vdisej edhe në Dublin. Pse jo?…

“Në Dublin është madhështi të vdiset, por është mallkim të vritesh… Nuk e dua vrasjen në Dublin… Nuk e dua…”

“Kush do ta donte…?” – ia ktheva pasi më drejtohej që t’i thosha diç.

Pak më vonë, tha se Xhojsi ka pasur parandjenjën se mund ta vrasin në Dublin dhe kjo do të jetë vrasje shpirti, që nuk do të mund ta duronte, ngaqë ajo vrasje do ta ngarkonte me mallkim të përhershëm çdo irlandez dhe vetë Irlandën.

“Xhojsi kishte hallin e mallkimit irlandez. Kësaj i frikësohej… Kishte mallkimin e shpirtit…”

Kur po largohesha, më dukej se fjalët për mallkimin e shpirtit dhe atë të hakmarrjes komuniste, nga ajo e sojit stalinist, m’u kishin vu pas dhe po më ndiqnin nga të gjitha anët..

(Shhkëputje nga libri “Kthesa historike” 1 Vitet e Gjermanisë dhe epoka e LDKs-ë, 2008).

…./KultPlus.com

Dita e Ditëve

Nga Ag Apolloni

Kjo është dita që e festojnë të gjithë shqiptarët; dita kur të gjithë jemi një.

Përtej pompozitetit patriotik, Shqipëria dhe Kosova nuk bëjnë asgjë për të treguar që janë një, ose bëjnë gjithçka për të treguar që janë një … gjë që kundërmon.

Dita e 28 nëntorit 2023, na gjen pa asnjë plan të përbashkët kombëtar.

Në planin politik, Shqipëria më mirë i ka punët me Serbinë sesa me Kosovën.

Në planin arsimor, Shqipëria dhe Kosova kanë mbetë në klasë të parë (mburren veç me abetaren, për të cilën, me të njofshëm, mund t’ua japim një notë kaluese). Ministria e Arsimit në Shqipëri nuk quhet rastësisht Ministri e Arsimit dhe e Sportit (i pëlqen të luajë topa me arsimin), kurse Ministria e Arsimit në Kosovë tashmë është kthyer në OJQ. Për akademitë mos të flasim. Ato po katandisen në nevojtore për të cilat s’kemi nevojë.

Në planin kulturor, Shqipëria, krahas javës kineze, organizon edhe javën kosovare (pra, vazhdojmë me “vëllezërit kinezë dhe fqinjtë kosovarë”). Edhe kjo Ministri luan topa me kulturën tonë, ngjashëm më Ministrinë e Kulturës dhe Sportit (kjo edhe nga emërtimi, e arsyeton lojën e saj) të Kosovës. (Parantezë: nuk ka gjë më të kundërt në botë sesa Kultura dhe Sporti. Besomëni që shumë më normale do të ishte Ministria e Shëndetësisë dhe Sportit, apo e cilësdo ministër tjetër. Vetëm Ministria e Kulturës, ashtu si edhe Ministria e Arsimit, nuk duhet të lidhet me sport).

Kultura, që do të duhej të na bashkonte, sot vetëm na ndan.

Libri që do të duhej të na bashkonte, na ndan, gjithashtu.

Nuk kemi një panair kombëtar, por kemi dy panaire shtetërore, që janë, në thelb, zhvatëse të botuesve, të cilët paguajnë shuma marramendëse (sidomos në Shqipëri), dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, ato panaire sponzorohen edhe nga Ministritë e Kulturës. Pra, çka bëjnë ministrat? Favorizojnë organizatorët (mashat e tyre) dhe ndëshkojnë botuesit.

Nuk kemi një Qendër Kombëtare të Librit, as Agjenci të Librit, por kemi Qendër Kombëtare të Librit dhe të Leximit (pra, libri nuk e nënkupton leximin!), që vepron vetëm brenda Shqipërisë (edhe pse kombi/kombëtarja nuk do të duhej të kufizoheshin me kufij shtetërorë). Kosova nuk ka fare Qendër të Librit. E, në vend që të bëhej një Qendër e Librit për të dy shtetet, tash do t’i duhet Kosovës t’i kundërpërgjigjet Shqipërisë, duke themeluar Qendrën e vet.

Çmimet letrare vazhdojnë të jenë shtetërore, klanore, kurrë kombëtare. Edhe një çmim që ishte kombëtar (për dramën shqipe), para gjashtë-shtatë vitesh Kosova e ktheu në çmim shtetëror.

Çmimi Poeti Laureat, që do të duhej të ishte kombëtar, jepet vetëm për shkrimtarët e Shqipërisë (madje herën e parë, ia dhanë “yllit të xhaxhit”, shokut Rudolf, që kishte shkruar vargun lapidar: “Me Enverin malet bëhen më të lartë”). Meqë unë nuk dyshoj në vlerësimet që bën Qendra e Librit, sot jam ulur dhe po e shijoj poezinë e bukur të poetit të parë laureat të Shqipërisë. Ja dy vargje të tij për të cilat e meritoi kurorën prej dafine:

Është dita e ditëve kjo ditë nëntori,

Dita kur linde ti Parti.

Urime, urime, shokë dhe shoqe! Nuk di a t’jua uroj ditën e Pavarësisë, apo të Partisë, por gjithsesi urime!

Jemi një. Një…, për besë./KultPlus.com

Pse fiton Kombëtarja e Shqipërisë

Nga Ben Blushi

Shqiptarët luajnë futboll prej gati 100 vitesh, por asnjëherë ata nuk kanë fituar kaq shpesh dhe kaq lehtësisht, si kohët e fundit. Lojtarë të mëdhenj, ndoshta edhe më të mëdhenj se këta që luajnë sot, Shqipëria ka patur disa, por ekip të madh, nuk ka patur asnjëherë.

Futbolli i ditëve tona nuk është vetëm sport. Historia nuk njeh asnjë ekip të madh që ka fituar, kur vendi që përfaqëson është i izoluar, është i pushtuar apo vuan nga krizat. Nëse 11 lojtarët e Shqipërisë do kishin luajtur për Afganistanin që është një vend anormal, nuk do kishin fituar dot kaq shumë. Nëse të njëjtët lojtarë do kishin veshur bluzat e Ukrainës, ndërkohë që baballarët dhe vëllezërit gjakosen në luftë, nuk do kishin shkuar dot në Kampionatin Evropian.

Zakonisht Kombëtaret vrapojnë me hapin e kombit. Historia e futbollit provon se ajo që ndodh jashtë fushës ndikon shumë në fushë. Arsyet josportive janë po aq të rëndësishme sa arsyet sportive për të fituar. Po kush janë këto arsye në rastin e Kombëtares së Shqipërisë?

Në vitet 50’ deri në vitet 90’, kur Shqipëria ishte një vend i mbyllur, sportistët, si të gjithë shqiptarët kishin kompleks ndaj të huajve. Kufizimet në ushqim, veshje, teknologji, art, në lëvizje si dhe ndalimet e pronës private dhe fjalës së lirë i detyronin shqiptarët të ishin inferiorë në përgjithësi. Cdo shqiptar besonte se cdo i huaj ishte më i lirë, më i ushqyer, më i fortë, më i shpejtë, më inteligjent dhe më i pasur se ai. Me këtë mentalitet hynin në fushë edhe futbollistët e atyre viteve. Ata luanin të bindur se do mundeshin. Ata ishin të burgosur brenda fanellës që mbronin. Ajo fanellë nuk u kujtonte kombin që donin, por shtetin që nuk donin. Ai shtet u kishte ndaluar cdo gjë të cilën kundërshtarët e tyre e kishin. Kur ata dilnin jashtë, hutoheshin, sepse vendi i tyre ishte një ferr në krahasim me vendet ku shkonin për të luajtur. Dalja jashtë këtij ferri ishte traumatike dhe u bënte më keq, se mirë. Nëse në fushë ishin të barabartë me futbollistët e huaj, jashtë fushës ishin fatalisht të pabarabartë.

Sot natyrisht është ndryshe. Shqiptarët i kanë kapërcyer komplekset e izolimit. Më shumë se 1 milion jetojnë jashtë dhe pavarësisht nga punët që bëjnë, janë të barabratë me ata të huaj që bëjnë të njëjtën punë. Në Shqipëri vijnë të paktën 5 milion të huaj që ushqehen, vishen dhe jetojnë si ne. Nëpër lokale janë të barabartë, në hotele janë të barabartë, në konsum janë të barabartë, në gjuhë janë të barabartë, në mëkate dhe inate janë të barabartë. Barazia jashtë stadiumit ndihmon stadiumin.

Shqipëria sot është në përgjithësi një vend normal. Ajo është shumë më e hapur se Shqipëria e viteve 80, më e kamur se Shqipëria e viteve 90 dhe më e qetë se Shqipëria e viteve 2000. Duke u pasuruar shqiptarët kanë mësuar si ti bëjnë më pak dëm vetes. Në mes të viteve 90’ ne kishim një Kombëtare të mirë e cila fatkeqësisht mundej gjithmonë në minutëtn e fundit. Aq e shpeshtë u bë kjo rastësi, saqë u kthye në rregull. Dhe meqë u kthye në rregull përsëritej. Ne mundeshim gjithmonë edhe kur shënonim të parët. Lojtarët nuk besonin se mund të fitonin edhe kur ishin në avantazh, prandaj e lëshonin lojën në fund sikur iu humbte durimi.

Por jashtë stadiumit edhe Shqipërisë së atyre viteve i kishte sosur durimi. Megjithëse e hapur ndaj botës, Shqipëria që doli nga komunizmi ishte shumë e varfër dhe shumë e egër. Kombëtarja ishte një mix futbollistësh që kishin ikur si emigrantë dhe kur ktheheshin këtu, gjenin një vend të tmerrshëm, të ashpër dhe të ndarë në copa nga viti 1997. Kush mund tu kërkonte atyre të qëndronin në fushë kur gjithë vendi po binte sic edhe ra? Prandaj Kombëtarja vetëm mundej edhe kur fitonte.

Si rregull, kur vendet vuajnë, Kombëtaret munden sepse humori i vendit ndikon tek lojtarët dhe gjithë ambjenti sportiv. Kombëtarja e Spanjës doli kampione e Botës atëherë kur Spanja arriti zhvillimin më të madh ekonomik në Evropë, në vitin 2010. Suksesi i saj nuk ishte vetëm sportiv. Gjermania doli kampione e Botës në 2014, kur udhëhiqte gjithë botën me eksportet e saj dhe teknologji. Më parë kishte dalë kampione në vitin 1974 dhe 1990 kur e kishte marrë veten nga rrënimi i luftës dhe ishte kthyer në një superfuqi. Sot Gjermania e ngathët dhe e futur në recesion nuk do dilte dot kurrë Kampione e Botës edhe nëse do kishte marrë borxh 11 lojtarë luftarakë shqiptarë. Njëlloj ka ndodhur edhe me Francën, Italinë, Kroacinë, Greqinë apo Kombëtare të tjera më të vogla. Kur vendet janë mirë, me shëndet ekonomik dhe optimizëm, kombëtaret shkëlqejnë.

Por në rastin e Kombëtares sonë ka edhe një arsye tjëtër, të ndryshme nga rregullat që ndikojnë te Kombëtaret e tjera.

Në historinë e Botës nuk ka asnjë Kombëtare që furnizohet nga tre shtete fqinje si kjo Kombëtare që furnizohet njëkohësisht nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Kjo që nuk ndodh askund, ndodh në Shqipëri. Prandaj kjo është një kombëtare e cuditshme si përbërje, e panjohur si rast dhe unike si eksperiment. Kombëtaret e mëdha të botës kanë futbollistë nga ish kolonitë e tyre apo nga emigrantët që janë natyralizuar. Por ama një belg që flet frengjisht nuk luan për Francën sepse ai nuk kërkon që Belgjika të bashkohet me Franëcn, një austriak nuk luan për Gjermaninë sepse asnjë nga këto dy vende nuk do që Austria të jetë Gjermani dhe asnjë argjentinas nuk luan për Spanjën sepse këto janë dy vende të ndryshme që flasin të njëjtën gjuhë.

Ndërsa Kombëtarja e Shqipërisë është unike në planet sepse luan për një shpagim historik. Tifozët kërkojnë nga ajo të bëjë drejtësi historike duke i mundur armiqtë në fushë. Kombëtarja është një ushtri e vogël shqiptarësh të bashkuar në një qëllim : të korrigjojë historinë duke vrapuar pas një topi. Ajo bashkon në fushë copat e një vendi të ndarë para 100 vitesh. Prandaj mbledh kaq shumë pasion, nerv, djersë, gjak, lot, energji, demografi, skenografi, koreografi, arkitekturë patriotike dhe epsh për revansh kombëtar. Ajo është e vetmja kombëtare që ka për himn, këngë për njerëz që janë vrarë 30 vjet më parë duke luftuar me armë për ndryshimin e historisë. Këto këngë që vijnë nga lufta dhe ndoshta shkojë drejt luftës, njihen më mirë, këndohen më shumë dhe eksitojnë më fort se vetë himni i Shqipërisë.

Sepse Kombëtarja nuk është vetëm e Shqipërisë.

Kjo është arsyeja që mijëra tifozë kosovarë e braktisin kombëtaren e tyre që përfaqson një shtet dhe ndjekin kombëtaren e Shqipërisë që përfaqëson një komb. Kombëtarja e Shqipërisë është në fakt Kombëtarja e tre shteteve, ose më saktë kombëtarja që mund të shkatërrojë dy shtetet ku shqiptarët nuk do donin të ishin. Kosovën dhe Maqedoninë. Patriotizmi, pra nevoja për një shtet të përbashkët, është trajneri kryesor i Kombëtares. Ai e drejton, e zbut, e ngut, e ngre, e bashkon, e ndërsen, e zmadhon, e harbon, e tërbon, e shkul, e ul, e ngul,e sul dhe e vërsul. Kombëtarja luan dhe fiton në një fushë jeshile që shqiptarëve u duket gjithmonë e kuqe. Bashkimi është fusha e saj. Kundërshtarët janë armiqtë e saj. Topi është arma e saj. Përbërja është shpirti i saj. Nëse Kombëtarja do kishte vetëm futbollistë nga Shqipëria ajo nuk do kishte patur kurrë këtë sukses dhe këtë përkrahje. Shqipëria do kishte një ekip por jo një Kombëtare, por historia kërkon që shqiptarët të kenë dhe ekip dhe Kombëtare.

Kjo është arsyeja që Kombëtarja fiton dhe do fitojë. Edhe nëse ndonjëherë humb. Prapë fiton./KultPlus.com

22 vjetori i Marrëveshjes së Ohrit/Marrëveshja për Mosmarrëveshje

Gjeneza e një lufte të sukseshme të shqiptarëve në Maqedoni që u kthye në një kompromis të padobishëm politik

Nga Jusuf Buxhovi

Rruga e bisedimeve “ndërmjetëse” midis subjekteve politike maqedonase që kishin përfaqësuar institucionet shtetërore dhe ato parlamentare dhe liderëve ushtarakë të UÇK-së, që kishin folur në emër të “Shtabit të Përgjithshëm”, kishte kaluar nëpër një marrëveshje politike që ishte arritur në Prizren. Me këtë marrë-veshje, UÇK-ja do të bëhet pjesë e procesit politik, për ç’gjë ishin angazhuar faktorët meritorë ndërkombëtarë. Por, duhet thënë se përfshirjen e UÇK-së në procesin politik, ndonëse me naze,e kishin dëshiruar edhe maqedonasit, të cilët e dinin se ishte shtabi i Tetovës ai që duhej ta thoshte fjalën e fundit, fjalë kjo që sipas Komunikatës 6 të marsit, kur mbrohej integriteti territorial dhe ai shtetëror i Maqedonisë dhe Projekt-Planit të Paqes së UÇK-së të 14 qershorit, në kuadër të reformave kushtetuese kërkohej shteti multietnik, për maqedonasit ishte e mirëseardhur, ngaqë me anën e tyre, edhe më tutje do t’i ruanin pozitat dominuese në institucionet e vendit. Ndërsa pozita e shqiptarëve, paçka se kishin luftuar, mund të ndryshohej paksa, por jo që të arrinin te limitet, ngaqë vetë karakteri i demokracisë me fuqinë e shumicës, pengon këtë.

Sidoqoftë, marrëveshja e Prizrenit, duhej t’ia hapte rrugën një zgjidhje politike për të cilën ishin pajtuar që të gjithë, që do të arrihej me palën shqiptare me anën e një marrëveshje për ndërprerjen e armiqësive (luftës). Meqë këtë punë kishte marrë përsipër qeveria e koalicionit e zgjedhur më 15 maj, Trajkovski kish-te kërkuar nga ndërmjetësuesi Robert Frowick, i emëruar i veçantë i OSBE-së për Maqedoninë, një “fushatë” për ndërprerjen e luftimeve të armatosura, që duhej të shkonte nëpërmes një marrëveshjeje te faktorëve politikë shqiptarë në rajon – në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri me çka Maqedonia fitonte garanci “gjithëshqiptare” për opsionin e multietnicitetit në Maqedoni, që përjashtonte atë më të rrezikshmin për Shkupin – shtetin dy-kombesh, siç ishte kërkuar fillimisht nga UÇK-ja.

Marrëveshja e faktorëve politikë shqiptarë në rajon, atyre në Maqedoni dhe Shqipëri, për Frowickun si iniciues të saj dhe faktorin ndërkombëtar në përgjithësi nuk duhej të paraqiste ndonjë vështirësi. Edhe pse faktorët politikë shqiptarë vinin nga tri realitete të ndryshme politike dhe shtetërore dhe përkatësi të ndryshme intelektuale, megjithatë, pjesa më e madhe e tyre (ata nga Kosova dhe Maqedonia) kishin të përbashkët veprimtarinë në rrethanat e shpërbërjes së ish Jugosllavisë dhe angazhimin për çështjen e Kosovës në kuadër të rezistencës institucionale dhe të asaj të armatosur në radhët e luftës së UÇK-së, veprimtari kjo që në vitet e fundit (1989-1999), në shumë aspekte ishte zhvilluar në Shqipëri dhe e gjitha kishte kaluar nëpër një emancipim të përbashkët politik rreth asaj që shfaqej si interesa i përbashkët shqiptar në rrethanat e reja, e ku shteti maqedonas, edhe si interes i shqiptarëve, kishte mbështetje unanime.

Vegëza politike e liderëve shqiptarë në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkupit, në raport me Maqedoninë dhe rolin e shqiptarëve në arritjen e marrëveshjes paqësore atje duhej t’ua kthente “kohezionin e brendshëm”, siç kishte ndodhur edhe gjatë bisedimeve të Rambujesë në shkurt dhe mars 1999, gjithsesi se shfaqej Veton Surroi.

Surroi kishte pranuar të ndërmjetësonte me kusht që bisedimet të mos çonin te ndarja e Maqedonisë, meqë kjo ishte kundër bindjeve të tij.

Por, ky kusht as që i duhej, ngaqë, UÇK-ja, qysh në Komunikatën numër 6, kishte theksuar mbrojtjen e integritetit territorial si dhe sovranitetin shtetëror të Maqedonisë dhe gjithnjë e më shpesh theksonte reformat kushtetuese me anën e të cilave në shtetin multietnik realizohej barazia e plotë e të gjithëve.

Ideja për t’u takuar në Prizren nuk ishte e rastësishme. Kishte arsyet praktike-teknike (Ali Ahmeti mund të lëvizte lirisht nga shtabi i tij afër Tetovës për në Prizren, nëpër brezin deri te kufiri me Kosovën ngaqë e mbikëqyrnin forcat e tij)edhe pse ajo pjesë mbikëqyrje nga KFOR-i amerikan dhe britanik, por kishte edhe simbolikë historike, meqë Prizreni ishte qendra politike e nacionalizmit shqiptar, që kishte ushqyer të gjitha lëvizjet shqiptare për liri dhe pavarësi, që si e tillë nga shumëkush shihej edhe lufta e UÇK-së në Maqedoni. Andaj, marrëveshja shqiptare në Prizren, pos pajtimit të brendshëm, dërgonte edhe mesazhe bashkimi jashtë, të cila edhe në këto rrethana kishin rëndësi të veçantë, që gjërave që quheshin “historike”, paçka se nuk ishin të tilla, t’ua jepte grimin e duhur “patriotik”.

Siç pritej, AliAhmeti kishte disa kërkesa, të cilat duhej plotësuar për t’u filluar procesi politik. Ndër to ishte prania si dhe vendosja e trupave të NATO-s në Maqedoni, ngaqë shqiptarët kishin humbur besimin në demokracinë e njëanshme dhe të shpërdorur si dhe në aparatin policor dhe ushtarak të shtetit maqedonas, i cili kishe qenë në shërbim të represionit dhe dhunës kundër shqiptarëve, siç ishte parë edhe gjatë konfliktit të fundit, kur pas dështimeve në vijat e fronteve, në shenjë hakmarrje, kishin sulmuar vendbanimet e shqiptarëve. Ndër këto kushte ishin edhe ato që lidheshin me demilitarizimin e Maqedonisë, amnesitimin e pjesëtarëve të UÇK-së si dhe disa të tjera të natyrës teknike.

Mbas takimit të parë me Ali Ahmetin në Prizren, Surroi kishte nxituar të takohej me Frowickun në Shkup për ta njoftuar rreth kërkesave të UÇK-së.

Në bisedën e dytë në Prizren, Surroi ia kishte përcjellë Ali Ahmetit qëndrimet e Frowickut, duke ia bërë me dije se dy prej tri objektivave mund të arrihen:filimi i procesit politik, me kërkesat e ndërtuara edhe të UÇK-së si dhe ky proces të ndërlidhet me atë të amnestisë së ushtarëve të UÇK-së dhe të demilitarizimit të UÇK-së. Ajo çfarë duke se nuk mund të arrihet ishte vendosja e trupave të NATO-s në Maqedoni si forcë sigurie, pas së cilës do të fillonte procesi negociator, ngaqë dihej se një vendim i tillë, së pari kërkonte qëndrimin unanim të Asamblesë Veriatlantike, gjë që vështirë të arrihej, dhe së dyti, kërkonte edhe mandatin e KS të OKB-së, që varej nga qëndrimi i Rusisë dhe Kinës aty.

Takimi i përbashkët i Surroit me Ali Ahmetin dhe Arben Xhaferin ishte mbajtur në furrën e Prizrenit, aty ku kishin filluar takimet e para. Surroi thekson se “qëllimi i takimit ishte unifikimi i qëndrimeve ndërmjet Aliut dhe Arbenit për të përgatitur një platformë për negociata për përfundimin e luftës me realizimin e kërkesave të shqiptarëve, mapë-kornizë, që do të shprehte qëndrimet e UÇK-së dhe do të ishte konsensual për UÇK-në dhe partitë politike, dhe njëkohësisht një proces që do ta nxjerrë UÇK-në prej pozitës së tanishme të pamundshme për negociatat, te një ‘organizatë terroriste’ drejt një pozicionimi të legjitimitetit politik”.

Në takim u sollën edhe këto konkluzione:

-Shlyerja e preambulës së Kushtetutës;

-Përdorimi i pakufizuar i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoni;

-Përfaqësimi përpjesëtimor etnik në institucionet e shtetit;

-Zgjerimi i kompetencave të komunave;

-Shekullarizimi i plotë i Kushtetutës së shtetit;

-Vendosja e demokracisë konsenzuale në fushat që kanë të bëjnë me të drejtat etnike; do me thënë, pengimi i mbivotimit mazhoritar në fushat që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me të drejtat etnike.

U vendos që vëmendje t’i kushtohet edhe amnistisë së përgjithshme për të gjithë të përfshirit në konfliktin e armatosur si dhe çështja e shërbimit ushtarak në ARM brenda territorit të komunës së vendlindjes.

Kërkesat që kishin dalë nga takimi i përbashkët midis Ali Ahmetit dhe Arben Xhaferit me Surroin, që do t’i dorëzohen në Shkup Frowikcukt, nuk ishin të reja e as të panjohura. Si të tilla ato tashmë ishin shfaqur në Kumtesën numër 6 të UÇK-së, në Memorandumin e Ali Ahmetit drejtuar faktorit ndërkombëtar si dhe në prononcimet e ngjashme që vinin nga Shtabi i UÇK-së.

Në këtë pako, e re ishte vetëm kërkesa rreth përfshirjes së plotë të NATO-s në procesin e implementimit të paqes, që nënkuptonte edhe demilitarizimin e Maqedonisë, kërkesë kjo që ishte jo reale, megjithatë mund të përdorej për koordi-nata të tjera.

Frowick kërkoi nga UÇK-ja që me shkrim të operacionalizohen pikat e përmbajtjes, duke bërë me dije se me to mund të shkojë te Trajkovski për të filluar procesin e paqes dhe pajtohen që të kenë një tekst të shkurtër sapo ai të ketë biseduar me Trajkoskin.

Më 21 maj, Surroi ia dorëzon Frowickut, ofertat e shkruara nga lidershipi i UÇK-së të përmbledhura në shtatë pika:

1. Shpallja e përfundimit të operacioneve luftarake të UÇK-së dhe fillimi i dialogut në nivel politik përmes institucioneve të shtetit me lehtësim ndërko-mbëtar, të përcjellë me deklarata të ngjashme nga autoritetet maqedonase;

2. Shpallja e amnistisë (me afat përfundimtar prej një muaji) nga autoritetet maqedonase, me përjashtim të të dyshuarve dhe kryerësve të krimeve dhe të krimeve kundër njerëzimit;

3. Vendosja e menjëhershme e vëzhguesve të paarmatosur të OSBE-së (opsioni: të armatosur me revole) në rajonin kritik të Kumanovës (opsioni B: të gjitha zonat ku është luftuar, duke përfshirë edhe Tetovën);

4. Vendosjen e pranisë së paarmatosur institucionale të shtetit maqedonas (prefekti i Likovës, institucionet shëndetësore etj.) në kohëzgjatje prej dy muajve, në mënyrë identike me qëndrimin e vëzhguesve të OSBE-së);

5. Dorëzimin e armëve të UÇK-së para komisionit të udhëhequr nga pushteti lokal i Likovës dhe OSBE-së, dhe me pas dorëzimin nga ana e OSBE-së deri te strukturat maqedonase të sigurisë;

6. Shpallja e deklaratës së përbashkët të liderëve politikë shqiptarë për qëllime të përbashkëta, të cilat duhet të arrihen me procesin reformues. Deklaratë e nënshkruar edhe nga AliAhmeti dhe

7. Shpallja nga an e kryetarit Trajkovski të datës së fillimit të negociatave për reformimin e Maqedonisë.

Kërkesat e përfaqësuesve shqiptarë, nga Frowicku do të revidohen dukshëm duke i zbërthyer në njëfarë plani aksional thuajse njëanshëm, me të cilin do të merrej kryesisht qeveria maqedonase, ndërsa pala shqiptare, ndonëse pjesëmarrëse e konfliktit, mbete jashtë ndikimit. Kjo u pa edhe me refuzimin kategorik që Ali Ahmetit t’i përmendet emri në konkluzione si dhe pjesëmarrja e luftëtarëve në bisedime. Sipas Frowickut, luftëtarët shqiptarë mund të merrnin pjesë në bisedime, në kuadër të ndonjërit nga subjektet politike (PDSH ose PPD), vetëm pa-si që UÇK-ja të pushojë me veprimet dhe të rehabilitohet, gjë që e gjitha lente përshtypjen e një marrëveshjeje për kapitullim.

Edhe sa u përket çështjeve të tjera, sidomos atyre që kanë të bëjë me reformat, Frowick, thuajse anashkalohet esenca e problemit, pra ndryshimi i preambulës së kushtetutës, me të cilën duhet të ndryshohet koncepti shteti-komb në shtet të barabartë qytetar. Me këtë rast, Frowick insiston që në vend të ndryshimit të kushtetutës, siç kërkojnë shqiptarët të ketë reforma kushtetuese, dhe ato të shkojnë në drejtim të barabarësisë së të drejtave individuale dhe qytetare dhe barabarësisë së përgjegjësive individuale qytetare, si mundësi për mënjanimin e jostabiltetit kronik për shkak të refuzimit shqiptar, që të pranohet Kushtetuta e vitit 1991.

Edhe formulimi “jostabilitet kronik”, i parë nga këndvështrimi i “refuzimit të shqiptarëve që të pranohet Kushtetuta” nxjerr në pah “fajësinë” e shqiptarëve dhe jo shkaktarin kryesor – Kushtetutën që ata i diskriminon dhe rolin e hartuesve dhe miratuesve të saj – klasës së gjithëmbarshme politike maqedonase.

Përkundër përpjekjeve të Frovickut që bisedimet e Prizrenit me ndërmjetësimin e Surroit si dhe qëndrimet nga aty të “zbuteshin” sa më shumë, nuk do të pëlqehen nga pala maqedonase, e cila bisedimet e ardhshme i kushtëzonte me ndërprerjen e menjëhershme të luftimeve nga ana e UÇK-së si dhe dorëzimin e armë-ve. Kryetari Trajkovski ishte thuajse kategorik në kërkesën e tij që të mos hiqet cilësimi “terroristë” për luftëtarët e UÇK-së si dhe të përjashtohet çfarëdo pjesëmarrje e Ali Ahmetit në bisedimet e ardhshme. Trajkovski, po ashtu, kërkonte nga Frowicku që UÇK-së t’i jepej një afat prej disa ditësh t’i pranojë kërkesat (ultimative), ose t’i nënshtrohet sulmeve ushtarake, me ç’rast kërcënohej me një ofensivë të përgjithshme deri në shkatërrim.

Por, Frowick, që e dinte takatin e forcave policore dhe ushtarake maqedonase si dhe gatishmërinë e UÇK-së që të përparojë edhe në zona të tjera, pasi që e kishte më se të qartë se nga do të silleshin shqiptarët dhe deri ku mund të shkonin me kompromise, siç e kishte të qartë edhe pozicionin e qeveritarëve maqedonas, gjithnjë duke u mbështetur edhe në ato që kishte marrë nga Surroi dhe nga tabori maqedonas, doli me një plan operativ prej tri fazash, që duhej t’u shërbente palëve në konflikt si platformë për ndërprerjen e konflikteve si dhe bisedimet e paqes, që duhej të fillonin menjëherë.

Plani kishte tri faza.

E para parashihte vendosjen e paqes, kohë kjo që parashihej që luftëtarët e UÇK-së t’i dorëzonin të gjitha armët dhe uniformat vëzhguesve të OSBE-së. Luftëtarët, pasi t’i dorëzojnë armët mund t’i kthehen jetës së përditshme dhe pu-nëve që kishin. Qeveria do të shpallë amnisti.

Faza e dytë, parashihet si kohë mirëbesimi, për t’u përforcuar dialogu. Në këtë fazë parashihet hapja e universitetit të Shtulit dhe lëshimi i kanali të tretë televiziv për pakicat.

Në fazën e tretë do të negociohej për çështjet me rëndësi të veçantë, si ndryshimi i preambulës së kushtetutës, për përdorimin e gjuhës shqipe e të tjera.

Ndihmësi Foley, bën të ditur se qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare për ndryshimin e preambulës së Kushtetutës është i prerë:

“Krejt do të shkojë në konceptin qytetar, gjegjësisht definimi i Maqedonisë si shtet i të gjithë qytetarëve, e jo si shtet i popullit maqedonas dhe shqiptar, siç kërkojnë shqiptarët.”

Foley, po ashtu pranon se tri fazat e pakos së paqes, mund të mbeteshin në letër, po qe se nuk arrihet një marrëveshje për çarmatosjen e UÇK-së, me të cilën ajo do të pajtohej, që nënkuptonte edhe pranimin e kushteve që parashtronte ajo.

Krahasuar me gjuhën përjashtuese që vinte nga zyrtarët maqedonas, Foley ishte më e matur dhe pranë realitetit, ngaqë e dinte se ndërprerja e konfliktit, siç kërkohej nga faktori ndërkombëtar, nuk mund të arrihej me trysni të njëanshme (ndaj luftëtarëve shqiptarë), por me kompromise nga të dyja palët, rreth një marrëveshje të re midis dy popujve për shtetin e përbashkët mbi konceptim e barazisë qytetare, pra shtetit-multietnik, që ishe opsion edhe i bashkësisë ndërkombëtare. Marrëveshja e re, pa marrë parasysh si do të quhej, kushtëzohej nga marrëveshja paraprake për ndërprerjen e konflikteve, pra të luftës, e cila, po ashtu, nuk mund të ishte as e njëanshme, siç kërkonin maqedonasit, e as pa implementimin e ku-shteve të luftëtarëve shqiptarë. Si e tillë, kjo marrëveshje, nëse nënkuptonte çar-matosjen e UÇK-së, ajo duhej t’u jepte përgjigje edhe shumë çështjeve të tjera që lidheshin me këtë proces (nga amnistia, rehabilitimi, punësimi, pakoja sociale e të tjera veprime) dhe assesi “falje” ose “lirim nga përgjegjësia” për një vepër penale!

Dhe, do të jetë pikërisht çështja e arritjes së armëpushimit e me të edhe e implementimit të paqes, pika thyese e gjithë çështjes, që do të varej jo nga fjalët e mëdha dhe “kërcënimet” që vinin nga kryetari Trajkovski dhe ushtarakët e tij që nuk ishin në gjendje të arrinin asgjë me ofensivat që ditë për ditë i shpallnin në shtyp, por nga qëndrimi i faktorit ndërkombëtar, konkretisht SHBA-ve dhe NATO-s si duhej lidhur kryet konfliktit, gjithnjë duke pasur parasysh që e gjitha të përfshihet në një pako për marrëveshje dhe assesi ultimatum drejtuar shqiptarëve për kapitullim.

Duke ditë këtë gjë, përfaqësuesit politikë dhe ushtarakë shqiptarë në Prizren ishin përqendruar te një marrëveshje e tyre rreth planit të paqes, që do të justifikonte luftën dhe gjakun që ishte derdhur gjatë atyre muajve nëpër vijat e shumta të fronte, por në të njëjtën kohë do të pranonte edhe realitetet politike dhe ato të sferave të interesit që lidheshin me ekzistencën e shtetit maqedonas, i cili duhej të nxirrej nga “pronësia maqedonase” dhe “tapitë kombëtare”, që ia kishte dhënë Kushtetuta e vitit 1991, qoftë edhe mbi parimin e shtetit multietnik, për të cilin tashmë mbretëronte ujdi e përgjithshme.

Në përputhje me këto qëndrime dhe pavarësisht gjuhës së ultimatumeve që përdorte qeveria maqedonase, duke i ndërlidhur ato edhe me operacionet ushtarake (“Ogan” në Runicë dhe, “Vaksince”, që sapo kishte filluar dhe përdorej si trysni ndaj faktorit politik dhe ushtarak shqiptar), përfaqësuesi politik i UÇK-së – AliAhmeti, liderët e parive politike – i Partisë Demokratike Shqiptare, Arben Xhaferi dhe i Prosperitetit Demokratik, Imer Imeri, më 22 maj 2001, nënshkruan deklaratën lidhur me procesin paqësor e reformues në Republikën e Maqedonisë, të njohur si “Marrëveshja e Prizrenit”.

Pajtimi i arritur në mes liderëve shqiptarë mbështetet mbi këto parime:

-njohjen e faktit se reformat, për të cilat angazhohen shqiptarët, kanë qëllim ruajtjen e integritetit dhe karakterit multietnik të Maqedonisë,

-njohjen e faktit se nuk ka zgjidhje “etnike territoriale” për problemet në Republikën e Maqedonisë dhe se çdo përpjekje për të copëtuar etnikisht territoret e u sjell dëm vetë qytetarëve të Maqedonisë,

-njohjen e faktit se nuk ka zgjidhje ushtarake për problemet në RM,

-njohjen e faktit se procesi i transformimeve të RM-së duhet të shkojë drejtë integrimeve euroatlantike,

-njohjen e faktit se zgjidhja do të gjendet brenda një procesi vendor politik me lehtësimin e SHBA-ve dhe BE-së.

Në bazë të këtyre parimeve, liderët shqiptarë të Maqedonisë janë të vendosur që të marrin pjesë në procesin e dialogut reformist, duke trajtuar këto çështje:

-amendamentet në Kushtetutën e Maqedonisë,

-përdorimi i papenguar i gjuhës shqipe, si njëra prej gjuhëve zyrtare të Maqedonisë,

-përfaqësimi përpjesëtimor etnik në institucionet e shtetit,

-zgjerim i kompetencave të pushtetit komunal,

-shekullarizim i plotë i Kushtetutës-shtet,

-vendosja e demokracisë konsenzuale për çështjet, që kanë të bëjnë me të drejtat kombëtare, që do të thotë, kufizim i procesit të mbivotimi në fushat që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me të drejtat etnike,

-e drejta për komunikim të lirë e të papenguar në hapësirën kulturore shqiptare.

Në marrëveshje përfshihen edhe masat për transformimin e jetës së anëtarëve të UÇK-së në profesione të ndryshme civile, duke përfshirë edhe ato brenda institucioneve qeveritare.

Për nga kërkesat, “Marrëveshja e Prizrenit” mbetet në kornizat e Komunikatës numër 6 të UÇK-së nga 9 marsi 2001. Theksohet ruajtja e integritetit shtetëror të Maqedonisë dhe karakteri multietnik i Maqedonisë. Karakteri multietnik i Maqedonisë duhet të arrihet me anën e një dialogu reformues, ku do të ndryshohen amendamentet në Kushtetutën e Maqedonisë, me çka, koncepti i ndryshimeve kushtetuese si dhe kërkesa për to do të zbutet në reformë kushtetuese.

Kërkesat tjera, si ajo për përdorimin e papenguar të gjuhës shqipe, si njërës prej gjuhëve zyrtare në Maqedoni, shekullarizimit të shtetit, përfaqësimit përpjesëtimor etnik në institucionet e shtetit e deri të e drejta për komunikim të papenguar në hapësirën kulturore shqiptare, që u takojnë të drejtave dhe lirive elementare njerëzore universale, janë të vetëkuptueshme në secilën demokraci parlamentare, gjë që tregon, në njërën anë absurdin e ndërtimit të shteteve mbi konceptet shtet-komb, siç ishte ai maqedonas, që doli nga shpërbërja e ish Jugosllavisë në një realitetet shumetnik dhe, në tjetrën anë, të pranimit ndërkombëtar jashtë kritereve elementare demokratike dhe civilizues, që kthehet në çështje krize deri te lufta.

Këtë më së miri do ta pasqyrojnë reagimet e ashpra, që erdhën rreth Marrëveshjes së Prizrenit nga ana e liderëve shtetëror maqedonas si dhe elitës intelektuale maqedonase, po edhe ato nga faktori ndërkombëtar.

Reagimet nga liderët maqedonas sado që refuzuese dukeshin ishin edhe të pritshme dhe të natyrës së koniunkturave dhe për nevoja të brendshme për vetë faktin se nga trysnia e kryengritjes së shqiptarëve, binte koncepti i shtetit-komb, mbi të cilin ishte shpallur pavarësia e Maqedonisë në vitin 1991, paçka se edhe koncepti i multietnik, që shfaqej i pashmangshëm, edhe në rrethanat të krijuara nga trysnia e luftës së shqiptarëve, në segmentet kryesore (gjuha zyrtare, simbolet shtetërore, himni e deri te emërtimi zyrtar), shtetit ia ruante karakterin maqedonas.

Të kësaj natyre duhet kuptuar edhe reagimet që erdhën nga faktori ndërkombëtar, që ndonëse shfaqeshin refuzuese ndaj Marrëveshje së Prizrenit dhe atyre që ajo përmbante, më shumë i referoheshin formës se sa përmbajtjes. Madje, kjo e fundit, me ndonjë përjashtim, në pikat kryesore (ruajtja e integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror, reformat kushtetuese me të cilat shteti maqedonas trans-formohet nga shteti-komb te shteti qytetar-multietnik) ruante në tërësi qasjen e ndërkombëtarëve ndaj krizës në Maqedoni si dhe zgjidhjes që duhej dhënë, të shpalosura në forumet kryesore ndërkombëtare nga KS i OKB-së, OSBE-ja, BE-ja e deri te NATO-ja, dhe po ashtu, që njëherësh ishin edhe qëndrime zyrtare të SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera, të cilat ishin elaboruar edhe në takimet me zyrtarët më të lartë të shteti maqedonas, po edhe me takimet e herë pas hershme me liderët politikë shqiptarë në Maqedoni. Këto qëndrime, po ashtu, vinin edhe nga Shqipëria dhe nga Kosova, ndonëse në rolin e spektatorit të thjeshtë.

Edhe pse SHBA-të, Franca, Gjermania si dhe përfaqësuesit e BE-së sa për sy e faqe, kërkuan nga A. Xhaferi dhe I. Imeri që të heqin dorë nga Marrëveshja e Prizrenit, meqë ajo “kthente në subjekt të marrëveshjes ata që kishin marrë armët”, megjithatë, ata dëshironin që liderët shqiptarë të mbeteshin në koalicionin qeverisës, i cili, shfaqej si garantues i bisedimeve për paqen dhe marrëveshjeve të ardhme. Ky konstalacion ishte i vetmi që pengonte alternativën e luftës.

Këtë e dinin edhe maqedonasit, që ndonëse sulmonin A. Xhaferin dhe I. Imerin si “bashkëpunëtorë të terroristëve” e të ngjashme, ishin të vetëdijshëm se ata ishin të pashmangshëm dhe madje, edhe të dobishëm për vetë çështjen, ngaqë vetëm me anën e tyre, pengonin shfaqjen e Ali Ahmeti në bisedime të drejtpërdrejta si dhe legjitimimin e faktorit luftë, që për opinionin maqedonas ishte i papranueshëm, ndonëse edhe luftëtarët ashtu siç flisnin paralajmëronin se do të merreshin me politikë. Maqedonasit, po ashtu e dinin, se me deklarimin e UÇK-së për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovraniteti shtetëror të Maqedonisë si dhe tërheqjen e tyre nga kërkesa për shtetin dy-kombesh, pra për federalizimin, ia kishin dalë që disfatën në planin ushtarak ta kthejnë në një fitore politike, edhe për vetë faktin se slogani i diskriminimit kombëtar, i dhunës shtetërore ndaj shqiptarëve, “i terrorit demokratik”, e mbi të gjitha i degradimit të shqiptarëve në pakicë dhe të tjera me të cilat kishte filluar kryengritja shqiptare në Tanushë dhe ishte përhapur me të shpejtë në pjesët tjera, ishte rrudhur në atë se “në Maqedoni po luftohet për reforma, luftohet për barazi”, gjë që gjithë çështjes i jep dimensionin e “gabimeve gjatë procesit të shtetndërtimit”, që mund të korrigjohen me marrëveshje, siç do të ndodhëm me atë të Ohrit.

Dhe, meqë ishte arritur deri te një modus që “reformat demokratike” të shërojnë “gabimet e tranzicioneve demokratike”, siç kishe filluar të fliste propaganda mediatike e Shkupit, pra kur UÇK-ja gjithë çështjen e shihte te “receta e reformave dhe shteti multietnik”, dhe jo të ndryshimet kushtetuese, atëherë ishte e pritshme, që nga maqedonasit, “intermexoja” midis “luftës dhe paqes” të shfrytëzohet që faktori ushtarak shqiptar, meqë kishte hequr dorë nga kërkesat që do ta rrezikonin shtetin maqedonas dhe nuk paraqiste më kërcënim për copëtimin e tij e të tjera rreziqe që mund t’i vinin, të dobësohet sa më shumë, e me ta edhe faktorët politikë shqiptarë, që do të flisnin me gjuhën e tyre gjatë bisedimeve për paqen.

Kjo në të vërtetë do të shihet me operacionet ushtarake që do të vazhdojnë sapo të jetë shpallur “Marrëveshja e Prizrenit”, me “Vaksince” në katundin Vaksince, më 24 maj 2001 dhe luftimet në Mateç gjatë tri ditëve të ardhshme dhe tëtje-rat gjatë ditëve në vazhdimi kur do të sulmohen Sllupçani, Hotëk dhe Orizore.

Në këto operacione lufte, ndonëse pa pasoja për UÇK-në, e cila edhe më tutje kishte ruajtur pozicionet dhe në disa pjesë edhe kishte përparuar, kishte pë-suar popullata. Forcat policore dhe ushtarake maqedonase, me anën e artilerisë qëllimisht kishin bombarduar vendbanimet e shqiptarëve, shtëpitë dhe pronat e tyre madje edhe bagëtia. Nuk ishin kursyer as infrastruktura publike. Rreziku që u vinte nga shtrirja e luftës nëpër pjesët urbane, operacionet “spastruese” që kryheshin, kishte detyruar shumë prej banorëve të largoheshin prej zonave të luftës në pjesët tjera të vendit, po edhe në drejtim të Kosovës.

Kundërpërgjigjja e UÇK-së ndaj këtyre veprimeve luftarake kishte qenë e natyrës mbrojtëse dhe e matur, me lëvizje përpara në drejtimet strategjike pa rrezikuar popullatën dhe pronat e tyre. Të tilla ishin ato në rajonin e Dervenit dhe në Shkup, veçmas në drejtim të Haraçinës, prej nga do të vihen nën mbikëqyrje pikat kryesore përreth Shkupi dhe në drejtim të Kosovës, me çka duhej të ush-trohej trysni e mëtutjeshme edhe ndaj faktorit ndërkombëtar që mbështeste forcat maqedonase.

Veprimet luftarake të forcave policore dhe ushtarake maqedonase të trumbetuara si ofensivë përfundimtare ndaj pozicioneve të UÇK-së për rrënimin e saj, të cilave nuk u besonte kush, në të vërtetë dëmtonin popullatën shqiptare të viseve të shpallura si zona lufte në mënyrë që prej andej të shpërnguleshin me çka ata do t’i paguanin “koston” rebelimit me armë. Por, tymi që vinte nga andej si dhe pamjet e luftës propaganduese, do t’i shërbejnë Trajkovskit për shpalljen e “Planit për paqe”, që shprehte idenë “se zhvillimet e mëtutjeshme duhej të drejtohen në dy kahe: Në marrëveshjen për reformat politike, sipas kërkesave të UÇK-së, që duhet bërë me partitë politike shqiptare PPD-në dhe PDSH-në, me kushte që ato të ndiqnin rrugën e veprimit kundër UÇK-së dhe në idenë për zhdukjen e UÇK-së me përdorimin e forcës”. Ky plan, në katër faza, duhej të zgjaste jo më shumë se një muaj e gjysmë.

Në këto rrethana, pra kur Shkupi kishte filluar të keqpërdorte gatishmërinë e shqiptarëve për kompromise të dhimbshme, çfarë kishin bërë në të vërtetë me Marrëveshjen e Prizrenit, më 11 qershor, kemi edhe futjen e njësive të UÇK-së në Haraçinë, vendbanim në hyrje të Shkupit.

Ishin këto operacione spkektakultare të luftëtarëve shqiptarë, që për pak iu kthyen strategjisë së luftës, me çka, faktori ndërkombëtar përfundimisht u bind se shteti maqedonas, përkundër fjalëve të mëdha, nuk ishte në gjendje që konfliktit të armatosur me UÇK-në t’i jepte përgjigje ushtarake, pra të fitonte luftën, siç fliste pareshtur. Përkundrazi, u pa qartë, se UÇK-ja ishte në gjendje që ta vazhdonte luftën me sukses dhe në përputhje me të, sipas nevojës, serish t’u kthehej kërkesave maksimaliste: federalizimit të Maqedonisë mbi parimet e shtetit dy-kombesh, ose të kantonizimit.

Haraçina, pra, kur u pa qartë se luftëtarët shqiptarë ishin në gjendje që luftën ta kthenin në mjet të politikës edhe me kërkesat nismëtare që do të mbështeteshin me fakte të kryera (ndarja e brendshme Maqedonisë në përputhje me “Iliridën”), e gjitha i dha përgjigje fundit të luftës dhe fillimit të bisedimeve për paqen, që do të përmbyllen me “Marrëveshjen e kornizës së Ohrit”, e nënshkruar në Shkup, më 13 gusht 2001.

Ato që ndodhën nga mesi i qershorit deri nga fillimi i gushtit e deri te nënshkrimi përfundimtar, ishin vetëm pjesë e një skenari kryekreje ndërkombëtar (NATO-BE), që i duheshin një epilogu, ku lufta nuk duhej të kthehej në sukses, e as paqja në disfatë, por në një normalitet politik të dobishëm “për të gjithë”.

Nga ky këndvështrim duhet parë edhe ato që ndodhen në Maqedoni brenda shtatë muajsh me çka iu hapën dyert tri zhvillimeve:

a) Hyrjes së NATO-s në Maqedoni

b) Ridefinimit të shtetit maqedonas nga shteti kombëtar, në shtet qytetar multietnik, sado që ky formulim shtetit do t’ia ruajë karakterin maqedonas me riformulimin në Kuvendin e Maqedonisë, dhe

c) Pajtimit të shqiptarëve me realitetet e reja politike në shtetin maqedonas,

të cilat mbetën thuajse të njëjta me ato të para luftës.

Si do të shihet, përfituesi më i madh do të jenë liderët ushtarakë të UÇK-së, nga trashëgimia e “Lëvizjes Popullore të Kosovës” (LPK), dega e Zvicrës, që siç kishte ndodhur edhe me rastin e luftës së Kosovës, armët e dorëzuara do t’i zëvendësojnë me ato të posteve të partive politike, do të kyçen në jetën politike të vendit.

“Partia e Demokratike e Integrimeve” (PDI) e Ali Ahmetit, do t’i fitojë zgjedhjet e para “të shteti multietnik” dhe në këtë mënyrë ia doli, që me oreolin “e partisë së luftës”, t’ia marrë primatin politik edhe Arben Xhaferit për të vazhduar ku kishte mbetur ai – kthimit në pjesë të mekanizmave institucional të drejtuar nga politikanët maqedonas pa ia dalë që të ndryshojë gjendjen për të cilën edhe ishte luftuar, gjë që nga ky këndvështrim, kjo luftë, mbetet e papërfunduar.

( Fragment nga librit “Maqedonia nga antika deri te koha jonë”, Prishtinë, 2019)/KultPlus.com

8 shtatori, Dita Ndërkombëtare e shkrim-leximit

Sot është Dita Ndërkombëtare e Shkrim-Leximit, e cila ka për qëllim të nxjerrë në pah rëndësinë e leximit për individët, komunitetet dhe shoqëritë.

Dita Ndërkombëtare për avancim të shkrim-leximit e cila shënohet çdo vit më 8 shtator ka për qëllim që të ngritë vëmendjen e opinionit ndërkombëtar në lidhje me problemin e analfabetizmit i cili fatkeqësisht si proces është prezent në shumë shoqëri.

Iniciativa e shënimit të Ditës Ndërkombëtare për avancimin e shkrim-leximit rrjedh nga Konferenca botërore e ministrave të arsimit e organizuar në muajin shtator të vitit 1965 në Teheran e cila temë si bazë e kishte zhdukjen e analfabetizmit, ndërsa UNESCO si ditë ndërkombëtare e shënon nga viti 1966 me qëllim të promovimit të rëndësisë së arsimimit të fëmijëve dhe të rriturve.

Sipas të dhënave të UNESCO, rreth 775 milionë persona të rritur në planet nuk kanë as minimumin e nivelit të shkollimit, 1 në 5 persona të rritur janë analfabet nga të cilët 2/3 janë femra. Rreth 75 milionë fëmijë nuk vijojnë shkollimin, nuk ndjekin rregullisht shkollimin ose e kanë braktisur tërësisht atë./ KultPlus.com

Rreth 750 milionë njerëz në botë nuk dinë shkrim-lexim

Edhe pse numri i personave që shkruajnë e lexojnë është rritur ndjeshëm në 50 vitet e fundit, në mbarë botën ndodhen ende 750 milionë njerëz, dy të tretat e të cilëve janë gra, që ende nuk dinë të shkruajnë e lexojnë.

Sipas të dhënave të Organizatës Arsimore, Shkencore dhe Kulturore të Kombeve të Bashkuara (UNESCO), gjatë 50 viteve të fundit shkalla e shkrim-leximit në mbarë botën është rritur ndjeshëm, sidomos në popullatën me moshë të re. Megjithatë, UNESCO ka tërhequr vëmendjen se 750 milionë njerëz në botë ende nuk e kanë këtë formim.

Teksa vihet theksi se gratë përbëjnë dy të tretat e personave që nuk dinë shkrim-lexim, bëhet e ditur se 45 përqind e personave që nuk dinë shkrim-lexim jetojnë në Azinë Jugore, 27 përqind në Afrikën Sub-Sahariane, 10 përqind në Azinë Lindore dhe Juglindore, 9 përqind në Afrikën Veriore dhe Azinë Perëndimore dhe 4 përqind në Amerikën Latine dhe Karaibe, shkruan Anadolu Agency (AA).

Rritje në normat e shkrim-leximit

Sipas Institutit Statistikor të UNESCO-s, rritja më e madhe në normat e shkrim-leximit në vitet e fundit është arritur në Azinë Lindore dhe Jugore dhe Afrikën Veriore dhe Perëndimore, ku shkrim-leximi është shumë prapa.

Në Azinë Jugore, shkalla e shkrim-leximit për periudhën 1990-2016 u rrit nga 46 për qind në 72 për qind, ndërsa në Afrikën e Veriut dhe Azinë Perëndimore u rrit nga 64 për qind në 81 përqind.

Kjo normë është rritur nga 82 përqind në 96 përqind në Azinë Lindore dhe Juglindore dhe nga 52 përqind në 65 përqind në Afrikën Sub-Sahariane. Ndërkohë shkalla e shkrim-leximit u rrit nga 85 për qind në 94 për qind edhe në Amerikën Latine.

Në disa vende niveli i shkrim-leximit nuk është në nivelin e dëshiruar

Me rritjen e mundësive arsimore sot më shumë të rinj janë në gjendje të lexojnë dhe të shkruajnë.

Instituti Statistikor i UNESCO-s ka theksuar se shkalla e shkrim-leximit në mesin e të rinjve është rritur nga 83 për qind në 91 për qind dhe se numri i të rinjve analfabetë, i cili ishte 170 milionë në vitin 1996, është ulur në 102 milionë në vitin 2016.

Sipas UNESCO-s, 50 vjet më parë, teksa një e katërta e të rinjve 15-24 vjeç nuk dinin shkrim e lexim, theksohet se sot kjo shifër është më pak se 10 përqind e kësaj grupmoshe. Përkundër kësaj, shkalla e shkrim-leximit në mesin e të rinjve në disa vende, veçanërisht në Afrikën Sub-Sahariane dhe Azinë Jugore, ende nuk është në nivelin e dëshiruar.

Pothuajse të gjithë të rriturit në Azinë Qendrore dhe Lindore, në Evropë dhe Amerikën e Veriut dinë të shkrujnë dhe lexojnë. Krahas këtyre rajoneve, shkrim-leximi i të rinjve në Amerikën Latine dhe në Karaibe është gjithashtu i avancuar.

Në disa vende afrikane, shkalla e leximit në popullsinë e moshës së re është më pak se 50 për qind. Ky problem zakonisht është për shkak të mungesës së shkollimit dhe disa problemeve arsimore. Pavarsisht se në vende të tilla si Malavi dhe Zambia, e drejta për arsim është siguruar për të gjithë, niveli i shkrim leximit ende vazhdon të jetë në nivele të ulëta. Besohet se kjo situatë është shkaktuar nga problemet në lidhje me cilësinë e arsimit dhe marrëdhënien e vendosur me arsimin.

Numri i femrave që lexojnë dhe shkruajnë është më i pakët

Vlen të përmendet se numri i shkrim-leximit te femrave në botë është më i ulët se ai i meshkujve. Sipas të dhënave të viteve të fundit, gratë e reja përbëjnë 59 për qind të njerëzve që nuk dinë shkrim-lexim.

Teksa është i pakët dallimi i shkrim-leximit mes meshkujve dhe femrave në Azinë Qendrore dhe Lindore, Europë, Amerikën e Veriut, Amerikën Latine dhe Karaibet theksohet në Afrikën e Veriut, Azinë Perëndimore dhe Jugore si dhe Afrikën Subsahariane, dallimi në normat e shkrim-leximit midis gjinive është më i madh.

Megjithëse në gjysmën e fundit të shekullit të kaluar ka pasur një progres të konsiderueshëm në botë, numri i shkrim-leximit të femrave nga 5 vende në njërin prej tyre është ende nën numrin e shkrim-leximit të meshkujve. Kjo konsiderohet si një problem i rëndësishëm që duhet të kapërcehet si në aspektin e mundësisë së barazisë ashtu edhe nga ajo e problemeve me të cilat përballen gratë në botën e sotme.

Dita Botërore e shkrim leximit

UNESCO në vitin 1967 vendosi që 8 shtatori të festohet si Dita Botërore e shkrim leximit. Në Ditën Botërore të shkrim leximit, që festohet çdo vit më 8 shtator, organizohen aktivitete të ndryshme për të theksuar rëndësinë e shkrim-leximit të individëve dhe shoqërive dhe për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet që lidhen me këtë temë.

Në vitin 2018, përveç tërheqjes së vëmendjes ndaj mungesës së punësimit të fokusuar në aftësi, pavarësisht nga përparimi i arritur në shkrim-lexim, Dita Botërore e shkrim leximit do të festohet në temën e “shkrim leximi dhe zhvillimi i talenteve”, me qëllim të përmirësimit të kushteve të jetesës dhe të punës veçanërisht për të rinjtë./ KultPlus.com