Xhek London, nga fama e shkrimtarit te akuzat për plagjiaturë

Xhek London ishte njeriu që mishëroi plotësisht, për mirë a keq, frymën e kohës në të cilën jetoi. Ai bëri jetë boheme të një individualisti që nga mosha 14-vjeçare, të cilën e shfrytëzoi për të ndërtuar një karrierë të spikatur si shkrimtar.

Veprat e tij më e famshme dhe e dashur “Thirrja e botës së egër”, po përshtatet për herë të nëntë në një film artistik që nga botimi i tij i parë në vitin 1903. Filmi i kompanisë “20th Century FOX”, do të nisë të shfaqet në kinematë e botës këtë muaj, dhe protagonisti kryesor do të jetë aktori Herrison Ford.

Por, autori ishte shumë më tepër sesa çdo libër, film apo përvojë që mund ta përfaqësojë. Produkt i një kohe më pak tolerante se e sotmja, shkrimtari shkroi disa nga vepra më të diskutueshme, që do ta dëmtonin trashëgiminë e tij me audiencën moderne.

Edhe pse jetoi vetëm 40-vjeç, ai ishte protagonist në më shumë aventura sesa dikush tjetër mund të kishte jetuar 2 herë më shumë. Xhek London lindi Xhons Çenej më 12 janar 1876, në San Francisko të Kalifornisë. E ëma, Flora Uellman, ishte një mësuese muzike, dhe një spiritialuste që pretendonte se mishëronte frymën e shefit të madh Sauks, Skifteri i Zi. London ishte një fëmijë i paligjshëm.

Babai i tij ka të ngjarë të jetë astrologu dhe eksplurusi Uilliam Çhenej, por ai u largua nga shtëpia para se të lindte London, dhe nëna e tij u martua me një veteran invalid të Luftës Civile të quajtur Xhon London. Uellman punësoi nje grua afro-amerikane, ish-skllaven Virxhinia Prentis për ta ndihmuar të kujdeset për fëmijën e saj të vogël.

London do të kishte një lidhje të fortë më dadon e tij, dhe ajo do të luante një rol aktiv gjatë gjithë jetës së tij. Familja u transferua në Oklend, ku London nisi shkollën fillore. Kur ishte 8-vjeç, London kujton se i ra në duar një kopje e romanit “Signa” në bibliotekën e Okland. Ai u tërhoq shumë prej tij, pasi libri fliste për një personazh si ai: një fëmijë jetim jashtë martese, që detyrohet të rritet vetë.

London e cilësoi atë roman si frymëzim për karrierën e tij të mëvonshme letrare. Por ambicia e tij duhej të priste. Familja e tij e shtresës punëtore, kishte nevojë për ndihmën e tij. Ndaj në vitin 1889, kur ishte vetëm 13-vjeç, London shkoi për të punuar në një fabrikë të përpunimit të peshkut.

Kjo lloj pune, nuk është kurrë një përvojë e këndshme, por në fillim të shekullit XX-të, mungonin ligjet kundër punës së fëmijëve. Prandaj i riu London punonte 12-18 orë në ditë. Nga dëshira për të gjetur një mënyrë më të mirë për të ndihmuar familjen e tij, London i mori borxh një shumë parash Virxhinia Prentisit, dhe bleu një varkë të vogël me vela, duke u bërë një gjuetar midhjesh në Gjirin e San Franciskos.

Fitimet ishin më të mëdha, dhe ai fitoi nofkën “Pirati i Midhjeve”. Por nuk qëndroi shumë në atë punë, dhe pas disa muajsh gjuetia e fokave e çoi deri në brigjet e Japonisë. Kur u rikthye në shtëpi disa muaj më vonë në 1893, vendi ishte zhytur në një depresion të rëndë ekonomik.

Pasi u pushua nga disa punë, London u mor për gati një vit me akte vagabondazhi, për të cilat u burgos për 30 ditë në Nju Jork. Pas kthimit në Oklend, London ndoqi shkollën e mesme të zonës, dhe pas disa kohësh botoi veprën e tij të parë “Tajfuni i brigjeve të Japonisë”.

Me ndihmën e një miku, London nisi studimet në Universitetin e Berklit me synimin për t‘u bërë shkrimtar. Por pas rreth 1 viti në universitet, mungesa e parave e detyroi ta braktiste shkollën, dhe ai nuk do të rikthehej më kurrë për t’u diplomuar. Po atë vit e gjithë Kalifornia nisi të ziente për zbulimin e rezervave të mëdha të arit në territorin kanadez Jukon.

London tashmë 21-vjeçar, shkoi atje së bashku me vëllanë e gruas së tij, bashkë me rreth 100.000 kërkues ari, duke shpresuar të bëhej i pasur. London do të kalonte rreth një vit në Jukon, para se të kthehej në SHBA me thuajse duart në xhepa. Ai kurrë nuk gjeti asnjë copë ar në Jukon, por 11 muajt e kaluar atje do t’i linin mbresa të pashlyeshme. Aty Xhek do të njihte vëllezërit Luis dhe Marshall Bond dhe qenin e tyre, Xhek.

Pasi u rikthye duarbosh nga Jukon, Xhek London u bind se synimi i tij i vetëm drejt suksesit, do të ishte vetëm si një shkrimtar. Ai iu përkushtua plotësisht këtij profesioni, dhe iu përmbajt një regjimi të rreptë personal për të shkruar 1.500 fjalë çdo mëngjes.

Ai botoi disa tregime të shkurtra, por në fillim pati pak sukses. Kur “The Overland Monthly” i ofroi një shumë modeste për librin e tij “Në gjurmë të njeriut”, dhe më pas e vonoi pagesën, London ishte gati të hiqte dorë nga shkrimet.

Por gjërat ndryshuan kur një revistë tjetër “The Black Cat”, i dha 40 dollarë për tregimin e tij “Një mijë vdekje”. Në vitin 1900, kostoja e shtypjes së një botimi kishte rënë ndjeshëm, për shkak të teknologjisë së re më të efektshme. Për pasojë në SHBA, nisi të zhvillohej shumë industria e revistave.

Në nevojë të dëshpëruar për të mbushur faqet, revistat kërkonin me ngulm tregime të shkurtra, London shkroi në atë kohë shumë tregime, bazuar në përvojat e tij në det dhe në Jukon. Po atë vit ai fitoi 2.500 dollarë me shitjen e historive të tij, ose rreth 76.000 dollarë me kursin e sotëm.

Ai u martua zyrtarisht me gruan e tij të parë, Elizabet Madern, dhe së bashku patën 2 vajza. Përvoja në Jukon e bëri një socialist. Ai do të mbetej përherë i tillë. Garoi për kreun e Bashkisë së Oklendit në vitet 1901 dhe 1905, duke humbur në të dyja rastet. Suksesi më i madh i Xhek London, do të vinte vetëm 3 vjet më vonë kur ai shiti romanin e tij “Thirrja e botës së egër” gazetës “The Saturday Evening Post” për 750 dollarë.

Po atë vit, shtëpia botuese “Macmillan”, bleu të drejtat e plota të librit për 2.000 dollarë dhe e promovoi, duke e shndërruar në një bestseller ndërkombëtar. Gati brenda natës, London u bë i famshëm si në SHBA, ashtu edhe në Evropë. Veprat e tij, përshkruheshin shpesh si modele që binin ndesh me idetë dhe ndikimet e epokës.

Ai përzjeu etikën e mbijetesës me darvinizmit social dhe idealizmin socialist, duke kombinuar në mënyrë efektive idenë e një shoqërie të barabartë për të gjithë, por duke ruajtur ndërkohë pikëpamjet raciste. Pikëpamjet e London mbi racën ishin të njëjtat me ato të çdo intelektuali të bardhë në Amerikën e fillimit të viteve 1900.

Por racizmi i tij, ishte disi më i nuancar, ndoshta për shkak të afërsisë së tij me Virginia Prentis. Një tjetër akuzë që e përndoqi Londonin gjatë gjithë karrierës së tij ishte ajo e plagjiaturës. Ai u akuzua se romani “Thirrja e botës së egër”, ishte frymëzuar nga udhëtimet e misionarit metodist Egerton Jang.

Por ai thoshte se përdorimi i materialit burimor në raste të ngjashme nga vepra të ndryshme, nuk përbënte plagjiaturë. Xhek London ndodhej në fermën e tij, kur vdiq në vitin 1916, nga helmimi uremik, pasi ishte përballur ndër vite me sëmundje të ndryshme nga dizenteria, deri tek reumatizmi. Pas një karriere prej vetëm 18 vjetësh, ai kishte shkruar 20 romane dhe shumë tregime të shkurtra. /KultPlus.com

Shkrimtari i “Game of Thrones”: Nuk do të ndryshojë asgjë në librat e ardhshëm

Shkrimtari George R.R. Martin tha se pavarësisht nga reagimet negative rreth përfundimit të serialit televiziv, “Game of Thrones”, nuk do të ndryshojë asgjë në librat e ardhshme të “A Song of Ice and Fire”.

Katër sezonet e para të “Game of Thrones” në masë të madhe janë bazuar në pesë prej romaneve të Martinit.

Për zhgënjimin e fansave, Martini në një intervistë për revistën Entertaiment Weekly tha se fati i personazheve kryesore do të mbetet i njëjtë, për shkak se dëshiron të shkruajë një libër siç e kishte menduar më parë.

“Unë jam i tunduar për të ndryshuar atë -” Oh, Zot, jo. Unë duhet të mendoj për diçka të ndryshme, por kjo është e gabuar, sepse kisha planifikuar një vend të caktuar. Dhe nëse e ndryshoni atë vetëm për shkak se dikush e kuptoi ndryshe, atëherë ajo do ta shkatërron tërë strukturën”, tha Martin.

Shkrimtari tha se ishte nën presion të madh për të përfunduar librin para fundit të serialit, por tani është nuk do të nxitohet pas përfundimit të serialit.

“Ajo do të jetë gati kur është gati”, ka thënë Martin duke folur për botimin e librit të ardhshëm. /Telegrafi/ KultPlus.com

Shkrimtari më nuk përbën lajm!

Dialogu me Sylvia Iparraguirren – ndër shkrimtaret më të mëdha të sotme në Amerikën Latine – është i “pafundmë”. Ajo nuk është veç shkrimtare e madhe; është një femër që ka përshkuar periudhën më të ndritshme e më të errët të historisë argjentinase. Ka jetuar diktaturën ushtarake dhe ka qenë nxënëse e Jorge Luis Borgesit; ka shkruar kur të shkruarit në  vitet 1970 ishte një gjest rebel dhe ka njohur Cortazarin… Bujaria e saj, sa e pastër dhe çarmatosëse, nuk resht së habituri në këtë kohë që edhe budallenjtë e besojnë veten se janë diva.

Cili ka qenë raporti juaj me shkrimtarët argjentinas, si për shembull me Borges dhe Cortazar?

Borxhi im me traditën letrare argjentinase do të mbushte një bibliotekë të tërë. Ka një linjë e cila nis në shekullin XIX – e kaluara e të gjithëve neve – që përbën ADN-në e të gjithë shkrimtarëve argjentinas. Në epokën bashkëkohore: avantgardistët e viteve 1920, kur nisin të shkruajnë mjeshtrit e mëdhenj, si Borges, Roberto Arlt dhe Leopoldo Marechal. Më pas, në vitet 1940, kur nisin të botojnë Ernesto Sabato, Adolfo Bioy Casares, Silvina Ocampo dhe Cortazar.

Kjo është yjësia më e ndritshme e shkrimtarëve të mëdhenj argjentinas…

Si adoleshente, ajo që më goditi vërtet nga veprat e Borgesit dhe Cortazarit, ashtu si edhe të Sabatos, qe nxjerrja në plan të parë e një gjuhe: gjuhës letrare të argjentinasve. Qe një zbulim vendimtar. Një bashkëbisedim i lidhur me përditshmërinë… Dhe, një humor tipik argjentinas…

Përjashto letërsinë argjentinase dhe të gjitha degët e saj, në gjenealogjinë time letrare kanë luajtur një rol domethënës letërsia e Amerikës Veriore (Faulkner, Hemingway, Carson McCullers, Flannery O’Connor, Salinger, Capote, Thomas Wolfe) dhe ajo angleze, për të mos thënë irlandeze: Woolf, Joyce, motrat Brontë, Katherine Mansfield, Dylan Thomas, William Trevor… Letërsia japoneze është e pranishme edhe në leximet e mia, si Mishima, Kenzaburo Oé, Akutagawa. Si rregull, kam një adhurim edhe për rusët, nga Pushkini tek Çehovi.

Le të vijmë tani tek pjesa tjetër e pyetjes tuaj. Borges ka qenë pedagogu im i Letërsisë Angleze në Universitetin e Buenos Airesit. Kisha lexuar “Ethe Buenos Airesi” (Fervor de Buenos Aires) në shkollë. Toni delikat, intim, i ngrohtë i të gjitha vargjeve të Borgesit bëri që në moshën 15-vjeçare iu afrova atij dhe veprës së tij me natyrshmëri absolute.

Pas universitetit, e takova shumë herë Borgesin në shtëpinë e tij në Rrugën Maipu. Në vitin 1983, unë, Borgesi dhe Abelardo ndamë një natë të paharrueshme. Si shkrimtare, shembulli i Borgesit ka qenë themelor: vullneti i tij stilistik ishte që të lëvizte drejt thjeshtësisë. Të jetuarit e tij për letërsinë ishte një modus operandi; përkushtimi i tij në përdorimin e fjalëve, në shprehjet idiomatike, në humorizmin anakronik të shprehjeve të caktuara, dhe semantika e spikatur e tij kanë qenë shembuj të përkushtimit për artin e të shkruarit. Konstatimi se letërsia ishte tema e pandashme – në pikën që çdo bashkëbisedues, sado absurde që të ishte pyetja, gjendej menjëherë i zhytur në universin e Borges – dhe afirmimi i përsëritur për t’u ndjerë, më parë se shkrimtar, një lexues krenar, e kanë forcuar në mënyrë të zjarrtë admirimin tim për veprën e tij.

Si lexuese, Borgesi ishte mjeshtër i vërtetë, me arbitraritenin e tij të vërtetë dhe shpërfillës. I shtohen modestia autentike, shembullore, që e njoh prej përvojës së drejtpërdrejtë; një thjeshtësi thuajse e habitshme dhe të qenit totalisht i ndershëm kur argumenti ishte i tipit letrar. Posedonte një ironi dhe një sarkazëm vdekjeprurës. Mendoj se Borgesi, ashtu si Almotasimi, në mos shenjtëri, rrezatonte letërsi dhe që ne, shkrimtarët argjentinas, në një mënyrë apo në një tjetër kemi dëshiruar të gjithë që t’i afrohemi atij vezullimi.

Gjithmonë në ato vite, kur isha midis 15 dhe 16 vjeçëve, lexova për herë të parë Cortazarin, “Udhëtimi premio” (Los premios). Më pas lexova “Loja e botës” (Rayuela), një revolucion për lexuesin argjentinas, por që ka qenë libri i parë që më ka shënuar më shumë, si edhe tregimet e tij fantastike.

Cortazari e ka paraqitur tregimin fantastik (një traditë argjentinase) në terma të pazakontë: një e çarë në mes të ditës… Cortazar ishte një njeri magjepsës, jashtëzakonisht i sjellshëm, që fliste me zë si të mbytur, në një raport çuditërisht të përmbysur me gjatësinë e tij prej pothuajse dy metrash. Ishte i mbështjellë nga një aureolë e caktuar prej të pambrojturi, gjë që përtej adhurimit që ngjallte bënte që ta doje menjëherë. Unë e kam dashur menjëherë.

Kërkimi juaj letrar është zhvilluar në vetmi?

Për nga natyra, puna e shkrimtarit është vetmitare. Kam pasur fatin që ta ndaj jetën me një shkrimtar tjetër, gjë që e ka vënë letërsinë në qendër të bisedave dhe të diskutimeve tona të çdo lloji: lidhur me stilet, preferencat, autorët dhe veprat. Siç e kam thënë më parë, ia lexonim njëri-tjetrit tekstet, dorëshkrimet me dashuri, por ama pa indulgjencë.

Çfarë roli ka sot shkrimtari në shoqërinë argjentinase? Trajtohet me indiferencë, me respekt, ka ndonjë rol “publik”?

Asnjë rol ose, gjithsesi, një rol të kufizuar, gjithnjë e më shumë të kufizuar. Vendi i tij është zënë nga personazhet televizive, nga modelet apo nga sportistët. Mjafton të shikohet nga shpejtësia me të cilën riprodhohet realiteti në të ashtuquajturat “media” për të kuptuar se shkrimtari jo vetëm që nuk përbën lajm, por se nuk ka as një vend në to.

Një libër i mirë, ashtu si një libër i madh, duket se në këtë kontekst bien si një pikë uji në shkretëtirë. Vendi i shkrimtarit sot është ai që i caktojnë suplementet letrare, revistat dhe tryezat e rrumbullakëta. Shkrimtari nuk e ka një rol publik dhe me peshë të madhe siç e ka pasur në gjeneratën e viteve 1960, ku (të paktën disa shkrimtarë) përfaqësonte një rezervë etike.

Tani ka pushuar së interesuari si personazh, si dikush që ka diçka për të thënë. Prania e shkrimtarit zgjat në mënyrë anësore, në mënyrë më pak të dukshme, nëpërmjet intervistave dhe artikujve të gazetave.

Ka programe të shkëlqyera televizive ku shkrimtari apo shkrimtarja mund t’ia thonë botës atë që mendojnë dhe të arsyetojnë mbi çështje të caktuara të estetikës letrare që nuk zbresin në veprën e tyre. Megjithatë, mendoj se sot është e shëndetshme për shkrimtarin kjo gjendje kaotike. Në shtëpi, në kafene, në mbledhje midis shkrimtarësh miq, letërsia dhe poezia ndjekin rrugën e tyre. /Pangea/Përgatiti: Armin Tirana/bota.al/ KultPlus.com

Shkrimtari francez Eric Faye në Tiranë për romanin Nagasaki

Shkruar nga Eric Faye “Nagasaki”, romani që i dha çmimin e madh për romanin nga Akademia Franceze në vitin 2010 tashmë flet shqip.

Botimi në shqipërimin e Blerta Hyskës e ka sjellë shkrimtarin francez Eric Faye në Tiranë. Në stendën e botimeve Toena, shkrimtare dhe gazetare shqiptare kanë zhvilluar një bisedë mbi romanin dhe lidhjet e shkrimtarit francez me Shqipërinë dhe letërsinë e saj. Romancieri francez i cili e ka njohur Shqipërinë përmes letërsisë së Kadaresë dhe miqësisë me të si edhe me të madhin Jusuf Vrioni, në romanin “Nagasaki” flet për izolimin dhe vetëizolimin e shoqërive të sotme.

I konsideruar një nga studiuesit kryesore të letërsisë së Kadaresë në Francë e po aq një shkrimtar shumë i talentuar Nagasaki që e sjell atë në shqip konsiderohet një kryevepër melankolie, një tregim therës për vetëizolimin. Le figaro e cilëson veprën si një dhuratë nga autori “Një nga ato fabulat e çuditshme, të cilave ua di sekretin, duke shtjelluar tema të rëndësishme, ndjenjën e fajit, turpin, vetmin, brejtjen e ndërgjegjes”, shkruan RTSH./ KultPlus.com

Ka vdekur shkrimtari Kasëm Trebeshina

Shkrimtari i njohur shqiptar Kasëm Trebeshina ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare në Ankara të Turqisë në shtëpinë e vajzës së tij nga ku jetonte prej kohësh.

Bëhet e ditur se trupi i tij i pajetë ka mbërritur sot në Shqipëri dhe është përcjellë në orën 14.00 për në banesën e fundit te varrezat e Tiranës. Kasëm Trebeshina u njoh si shkrimtar në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit 20. Ky fakt lidhet fillimisht me rebelimin e tij të hapur politik, e më pas me disidencën letrare.

Pjesëmarrës aktiv në Luftën Nacionalçlirimtare që në moshë fare të re, ai nuk u pajtua me politikën moniste të numrit një të partisë ku bënte pjesë; e kundërshtoi atë në mënyrë të drejtpërdrejtë, veçanërisht, për orientimin që po i jepte letërsisë dhe arteve. Për këtë qëndrim u burgos dhe veprat i mbetën në dorëshkrim.

Letra e tij “Promemorje” për Enver Hoxhën, shkruar më 5 tetor 1953, dhe e botuar pas rënies së komunizmit, denoncon vendosjen e pushtetit “njëdorësh” në Shqipërinë e Pasluftës së Dytë Botërore dhe instalimin e Metodës së realizmit socialist të cilën vetë Kasëm Trebeshina e identifikon me një censurë nga më të çuditshmet, shkruan Shekulli, transmeton Klan Kosova.

Kush ishte Kasëm Trebeshina:

Kasëm Trebeshina (Berat, 8 gusht 1926) është shkrimtar shqiptar. Pas rënies së komunizmit filloi të proklamohej si disident duke marrë për bazë një promemorie që thuhej t’ia kishte dërguar Enver Hoxhës në vitin 1953, ku e kritikonte metodën e realizmit socialist. Megjithatë vërtetësia e këtij pretendimi është vënë në pikëpyetje dhe promemoria është quajtur shpikje, e bërë me qëllimin e vetëm të shpalljes së Trebeshinës disident dhe të dëmtimit të imazhit të shkrimtarit Ismail Kadare i cili refuzonte të quhej disident.

Biografia:

Trebeshina filloi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, por i ndërpreu më 1942, kur u aktivizua në Luftën Nacionalçlirimtare. Pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, ai shërbeu si oficer i Drejtorisë së Mbrojtjes Popullore, që ishte homologe e OZN-së jugosllave, dhe që drejtohej nga Koçi Xoxe.

Trebeshina ndërpreu edhe studimet e larta në Institutin e Teatrit “Ostrovski” të Leningradit dhe iu kushtua tërësisht krijimtarisë letrare.

Në vitin 1961 arrin të botojë poemën “Artani dhe Min’ja ose hijet e fundit të maleve” dhe një përkthim pa emër të Garsia Lorkës.

Kasëm Trebeshina u njoh si shkrimtar në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit 20. Ky fakt lidhet fillimisht me rebelimin e tij të hapur politik, e më pas me disidencën letrare. Pjesëmarrës aktiv në Luftën Nacionalçlirimtare që në moshë fare të re, ai nuk u pajtua me politikën moniste të numrit një të partisë ku bënte pjesë; e kundërshtoi atë në mënyrë të drejtpërdrejtë, veçanërisht, për orientimin që po i jepte letërsisë dhe arteve. Për këtë qëndrim u burgos dhe veprat i mbetën në dorëshkrim. Letra e tij “Promemorje” për Enver Hoxhën, shkruar më 5 tetor 1953, dhe e botuar pas rënies së komunizmit, denoncon vendosjen e pushtetit “njëdorësh” në Shqipërinë e Pasluftës së Dytë Botërore dhe instalimin e Metodës së realismit socialist të cilën vetë Kasëm Trebeshina e identifikon me një censurë nga më të çuditshmet.

Pjesa më e madhe e veprave të Trebeshinës kanë nisur të botohen në fillim të viteve ’90 në Prishtinë: Stina e stinëve, 1991; Mekami, melodi turke, 1994; Historia e atyre që s’janë, dramë, 1995, Tregtari i skeleteve, 2006, Këngë për Kosovën, 2007, Shtigjet e shekujve, 2007 dhe në Tiranë: Legjenda e asaj që iku (ribotim i Stina e stinëve), 1992; Koha tani, vendi këtu, 1992; Qezari niset për në luftë, 1993; Rruga e Golgotës, 1993; Lirika dhe satirë 1994: Hijet e shekujve, 1996; Ëndrra dhe hije drama; 1996 etj. Megjithatë pjesa më e madhe e veprës së Kasëm Trebeshinës është ende në dorëshkrim: 18 vëllime me poezi, 42 pjesë teatrore, 21 romane e vëllime me tregime etj.

Veprat

Për kritikët, veprat e Trebeshinës qëndrojnë ndërmjet traditës kuteliane dhe surrealizmit, por atij vetë i pëlqen ta quajë realizëm simbolik. Kasëm Trebeshina profet e quan Robert Elsie në një artikull të vitit 1992. Nisur nga fakti se pjesa më e madhe e veprës së Kasëm Trebeshines është e pabotuar, si pasojë e nje klime armiqësore dhe censure. Vendi i veprës së Trebeshinës ne letersine shqipe ,mbetet ende I papercaktuar perfundimisht. Pjesa me e madhe e vepres se Trebeshines eshte ne doreshkrim, numër që mendohet të arrijë deri në 140 doreshkrime, permbledhje poezish, tregime, novela, romane, drama, komedi, tragjikomedi, shkrime kritike, eseistike dhe publicistike. Që në vitet ’50, ai filloi të shkruajë ndryshe nga veprat qe botoheshin në atë kohë.

“Stina e stinëve”, është vepra më përfaqësuese e atyre që janë botuar deri më sot e Kasëm Trebeshinës, e cila ka tërhequr vëmendjen e kritikëve dhe të studiuesve të letërsisë. Në këtë vëllim janë përfshirë tri novela: “Stina e stinëve”, “Odin Mondvalsen” dhe “Fshati mbi shtatë kodrina” apo “Kapriçio shqiptare”. Ndërsa novela e parë dhe e tretë bëjnë objekt fëmijërinë në një rrëfim jashtë tabuve që zakonisht identifikohen me këtë moshë (Stina e stinëve) dhe me ngarkesa historiko-filozofike që e tejkalojnë fëmijërinë (Fshati mbi shtatë kodra), novela tjetër, “Odin Mondvalsen” përbën një cilësi të veçantë si për sa i përket objektit të pasqyrimit, ashtu edhe për nga teknikat e rrëfimit.

Lista e veprave

Kruja e çliruar, 1953
Artani dhe Min’ja, 1961
Stina e Stinëve, 1991
Legjenda e asaj që iku, 1992
Qezari niset për luftë, 1993
Koha tani, vendi këtu, 1992
Rruga e Golgotës, 1993
Mekami, melodi turke, 1994
Lirika dhe satira, 1994
Historia e atyre që s’janë, 1994
Ëndrra dhe hije, 1996
Hijet e shekujve”, 1996
Nata para apokalipsit, 1998
Ku bie Iliria, 2000
Kënga Shqiptare, 1-5, 2001
Më përtej kohërave, 2004
Drama, 2006
Polimnia dhe Melpomena, 1-2, 2006
Tregtari i skeleteve, 2006
Këngë për Kosovën, 2007
Shtigjet e shekujve, 2007
Një ditë në natën pa fund (Dafinat e thara), 2016

Publikohen foto të fëmijërisë së Ismail Kadaresë (FOTO)

I veshur me një kostum të bardhë, pantallona të shkurtra dhe bluzë, djaloshi që nuk duhet të jetë më shumë se 4 vjeç sheh nga aparati fotografik.

Në duar mban diçka, ndërsa në kokë ka një qeleshe karakteristike të zonës. Duket sikur që fëmijë në fytyrë i është ravijëzuar një tis serioziteti, që paralajmëron atë çfarë fati kishte rezervuar për të.

Ky fëmijë është pikërisht shkrimtari Ismail Kadare dhe fotoja gjendet në odën e miqve në shtëpinë e tij në Gjirokastër.

Janë dy foto të shkrimtarit, të dyja të bërë në moshë të vogël. Në foton tjetër ai është ende vogëlush, dhe prindërit e kanë ulur në një karrige për të pozuar. Sërish i veshur me një kostum simpatik, fytyra i buzëqesh drejt kamerës.

Këto janë fotot e vetme të vegjëlisë së shkrimtarit në shtëpinë muze të tij në qytetin e Gjirokastrës, shkruan albeu.com./ KultPlus.com