“Unë nuk kam nevojë të jem komuniste të dua vendin tim. E dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua përparimin e tij. Ju mburreni se keni fituar luftën, dhe tani ju jeni fituesi që doni të shuani ata që ju i quani kundërshtarë politikë. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju jeni duke më ndëshkuar për idealet e mia”!
1. Jetëshkrimi
Musine Kokalari lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adana, të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri, në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më pas, Kokalarët vendosen në Tiranë.
Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë”. “Muza” është pseudonimi letrar i përdorur nga Musine Kokalari në shtypin e këtyre viteve. Studimet në Universitetin e Romës, në Itali, i kreu shkëlqyeshëm në vitin 1941. Teza e disternacionit të saj ishte “Naim Frashëri”, një studim pak i njohur, ndonse i çmuar në literaturën naimjane.
Në vitin 1939, botoi librin e parë “Siç më thotë nëna plakë”, një rrëfim mbi jetën, doket e zakonet e qytetit të Gjirokastrës. Më 1942 punoi te shkolla “Nëna Mbretëreshë’.
Edhe pse e diplomuar në Itali, ajo nuk u pajtua me pushtimin italian të Shqipërisë. Në vitin 1943, themeloi Partinë Socialdemokrate. Aktiviteti i saj politik dëshmon se në krahun e rezistencës kundër pushtimit të vendit dhe të regjimit fashist, nuk e ishin vetëm komunistët por dhe forca të tjera të majta brenda vendit.
Një vit më vonë, nën drejtimin e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, botoi librin e dytë “Rreth vatrës”. Më 12 nëntor 1944 vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari, u pushkatuan pa gjyq bashkë me 60 intelektualë e njerëz të shquar. Gogo Nushi në Pleniumin e Beratit do ta pranonte se ishin pushkatuar pa pasur asnjë faj. Më 16 nëntor 1944 Musinenë e arrestuan, e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë “Sa u tund jeta”. Më 23 janar të vitit 1946, Musine Kokalari u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit, gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e internuan në Rrëshen, punoi në ndërtim, doli në pension me gjysmë page.
Në vitin 1981, sëmuret nga kanceri. Dy vjet më pas, më 13 gusht 1983, ndahet përgjithmonë nga jeta.
2. Kredo intelektuale
Si intelektuale antikomuniste e paepur mbetet ikona e opozitës shqiptare në kohën e diktaturës. Në gjyq me guxim qytetar e njerëzor të pazakontë ajo e ka formuluar kështu kredon e saj:
“Unë nuk kam nevojë të jem komuniste të dua vendin tim. E dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua përparimin e tij. Ju mburreni se keni fituar luftën, dhe tani ju jeni fituesi që doni të shuani ata që ju i quani kundërshtarë politikë. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju jeni duke më ndëshkuar për idealet e mia!” /KultPlus.com