Shkruan Jusuf Buxhovi
Diktaturat, tiranitë, pafuqinë e tyre përherë e kanë treguar në luftë kundër mendimit të lirë. Shkrimtarët, jo rastësisht janë gjendur në shenjestër të ndjekjeve, përsekutimeve, linçimeve e madje edhe vrasjeve, që të pengohet fjala e lirë, mendimi i lirë dhe, sidomos, gjuha e metaforave dhe e ironisë, që është mjet i krijuesit…
Historia e njerëzit ngahera është me plot e përplot viktima të diktatorëve, tiranëve dhe inkvizitorëve të fjalës së lirë dhe të mendimit ndryshe…
Ndër ne, këto ditë, u përkujtua edhe viktima e fundit e regjimit komunsit, varja e poetit kuksjan Havzi Nela në gusht të vitit 1988 pse kishte ironizue me diktaturën.
Se mbetjet e mentaliteteve të diktaturave dhe metodat e tyre, nuk i ka larguar as demokracia dhe pluralizmi, se edhe më tutje gjyqësori keqpërdorët nga “policia politike”, që si duket edhe më tutje funksionon në kuadër të sistemit, këtë e tregoi burgosja e padjeshme e një poeti nën akuzën e “përhapjes së urrejtjes dhe përçarjes”, ndonëse ai përdori gjuhën e ironisë si shprehje!
Kështu, prokurorët tanë, që kanë heshtë dhe heshtin para shumë e shumë krimeve të rënda nga të gjitha anët që i janë bërë vendit në mënyrë të organizuar e të hapur edhe me ndihmën e institucioneve të shtetit, kanë gjetë si kurban një poet të panjohur dhe disa vargje ironike për të dëshmuar “fuqinë e ligjit”!
Burgosja e poetit, pa marrë parasysh metaforat që përdori ai dhe pa marrë parasysh si tingëllojnë ato për realitetin tonë të stërmbushur me probleme të shumta të shkaktuara nga politika ditore,është ogur i zi për shoqërinë tonë! Ndërsa, heshtja ose anashkalimi i këtij rasti nga krijues dhe intelektualë, do të thotë pajtim me reinkarnimin e “cenzorëve dhe cenzurave”dhe të pushtetit të tyre të njohur nga koha e ideologjisë totalitare dhe të regjimeve obskurantiste, do të thotë humbje e mendimit të lirë dhe lirisë së shpreshjes, dorëzim para çfarëdo prirje që i shkon për shtati diktaturës dhe tiranisë!…/KultPlus.com