Le të pyetemi, për t’u kthyer në zanafillë të problemit që keni parashtruar, këtij problemi global me kulturën. Çka nënkupton për ne -shqipërimi?
(Para se të ketë një përgjigje, le ta shohim problemin e gjuhës sonë një herë!!)
Në pyetjen e juaj theksohen tri nocione:
kultura
historia
politika
Në të vërtetë ky qark pushtetesh (historia dhe politika, gjë që për shkak se janë të paprekshme dhe të padyshueshme janë nën mbrojtjen e pushteteve konkrete) dhe një të kundërt të tyre si kultura, e cila në tërë qëniesimin e saj është zbërthim i po të njëjtave pushtete; ne i krijojmë shkëmbimit (kulturor) paradoksin, duke e marr edhe kulturën si të kufizueshme.
Le të nisemi edhe një herë, përmes pyetjes suaj: janë vetëm dy thekse që bartin tërë historinë e një premtimi për kulturën tonë:
Kongresi i Manastirit
Unifikimi i gjuhës sonë
dhe një ‘zbrazëti’ që prej atëherë!
Kjo shtron dilemën: nëse jemi në regres; apo, në të vërtetë, kultura është e painstitucionalizueshme, dhe me këtë pa pushtet mbi të?
Kjo në prapashënjim na bën të pyetemi si e perceptojmë kulturën ne, sot?
Janë të panumërta duetet në muzikë vetëm gjatë këtij viti, ndërmjet shoqërive të dhe brenda asaj që po e quani “kombi shqiptarë”; po ashtu publikimet letrare; etj.; por, këtë herë, këtë periudhë, këtë anë të ‘pushtetit të historisë’, bartësit janë një post-strukturë, e pa ‘Qendër’, post institucion, dhe, aq më shumë, post-institucionalizim!
Saktësisht kjo shfaqë – ankthin – tuaj, të pyetjes suaj, dhe më tutje të tërë shoqërisë/ve tonë në të jetuarit skizoid: me pushtetet në vend dhe me mision për shkëmbim të kulturës, dhe në anën tjetër kulturën e cila po ndodhë! Gjë që do të thotë se jemi duke jetuar atë – split reality – realitet të çarë ndërmjet ‘Qendrave inekzistente’ dhe, në anën tjetër, të fenomeneve brenda kulturës ndër-shqiptare/brenda-shqiptare! Gjë që do të thotë besojmë në ‘Qendrat’, por jetojmë me kulturë rrënjësisht ndryshe dhe stuhishëm të shpejtë.
Kjo do të thotë se, nuk bëhet fjalë për regres, ka edhe punë, kulturë dhe fenomene kulturore dhe shkëmbim. Ose, regresi është duke ndodhur vetëm për shkak se – besojmë – në këto ‘Qendra’, por të cilat e kanë ndaluar forcën tonë.
Këtu, pavarësisht besimit (i cili në të vërtetë është deluzion këtu!) lind dilema e radhës: nëse ‘Qendrat’ si Kongreset ishin me të vërtetë ‘Qendra’? (E me – qendër – duke nënkuptuar edhe forcën, por edhe vullnetin kolektiv.). Apo nëse përqendrimet që arritën ato, janë ‘Qendrat’ e vërteta, që janë vetë -kalimi i gjuhës sonë në fenomene të mëtutjeshme të përqendrimit, jo vetëm gjuhësor.
(Shembull: Nëse gjuha si ‘Qendër’ do të duhej të përqendronte forcën dhe vullnetin tonë mbi kulturën tonë, cili është problemi me aktualizimin e konfliktit gjuhësor toskë – gegë? A është ky deqendërzim klasik? Qoftë edhe post-qendërzim?)
Përgjigja në pyetjen e juaj, më tutje, do të mund të na kthente saktësisht tek çështjet e:
pushteteve politike si qendërzim i forcave
arkishtigjeve të këtyre forcave, dhe
aktuales së këtyre, saktësisht mbi – gjuhën!
Pra, për përfundim, si monolog skizofren kolektiv (gjë që po ndodhë në tërë botën ndaj konstruksioneve të Publikes/shoqërisë) të pyetemi: Kush/Çka po e ndalon gjuhën tonë?
Duke iu kthyer pyetjes së zanafillës së kësaj skizofrenie: Çka është shqipërimi? Unë do të marr shembull vetëm një pyetje tjetër:
Nëse pushtetin, e cila ka zhvleftësuar çdo gjë, e shohim si Vetëdije (forcë reaktive natyrore) tonën, apo si vullnet tonin? Sepse ka edhe një shtresë në këtë skizofreni:
–kalimi i kognicionit, e me këtë, jeta në skizofreninë globale!! /HEJZA/ KultPlus.com
Bon Vivant është një nga ato ambientet të cilat edhe është shumë vështirë shmangen apo të injorohen, e po ashtu edhe shumë vështirë ‘barten’ (pranohen) në kuptimin e estetikës që ofron.
Nuk ka njeri në Prishtinë që jo vetëm nuk di për këtë ambient, por edhe orientimi në këtë lagje bëhet duke iu referuar atij. Por dhe nuk ka njeri i cili nuk ‘ankohet’ për – ekskluziven – e tij (përjashtimin). Por, duhet ditur një gjë, Bon Vivant edhe e ka krijuar vetë ambientin e tij, duke nisur nga asgjëja, e edhe është ambient rrënjësisht i përgjegjshëm për kulturën në të cilën dhe të cilën e ofron me shërbimet e veta. Aq më shumë që e ndërton atë vetë. Me një fjalë, Bon Vivant përmes punës dhe pasionit të tij, është me të vërtetë më i madh, se vetë shpirtngushtësia (lexo: të qenit ‘underdog’!) e shumë qytetarëve të Prishtinës.
Thënë thjeshtë, Bon Vivant në Prishtinë është ajo çka do të thotë të jesh punëtor dhe kopshtar i pasionit tënd. Njihemi si njerëz dembelë e jo-punëtorë, por është dëshmuar kushedi sa herë se jemi njerëz me të gjitha të këqijat e të mirat e njeriut, si të gjithë; e jemi shumë punëtorë kur e gjejmë si të fuzionojmë nevojën dhe pasionin. Bon Vivant, jo që e ka gjetur këtë, por ai ka krijuar një kulturë dhe estetikë të tërë dhe unike në këtë domen.
Hapur në një prej rrugëve më të gjalla dhe më në qendër të Prishtinës, është ambient që primare e ka shërbimin. Por jo në kuptimin e restoranteve serioze apo të “kravatave”, por duke krijuar atmosferë, kujdes dhe duke komunikuar shpirt, shpirt dhe frymë bashkësie dhe ndër-njerëzoreje.
Shërbimi i Bon Vivant në Prishtinë është detajist, i ndjeshëm dhe sidomos dhe saktësisht ‘preciz’ deri në imtësinë më të vogël e që mund të jetë shërbimi i ujit. Në të vërtetë shërbimi i Bon Vivant është preciziteti në mundësimin e shijimit të krijimeve të tij, preciziteti në shërbimin e tyre, dhe pasioni i të ruajturit të një shpirti të veçantë dhe unik të vetë tyre, por edhe të Prishtinës po ashtu.
Sigurisht, duke përfshirë edhe namin e shpirtngushtësinë e atyre ‘jashtë’ Bon Vivant, kjo kafiteri ruan me kujdes dhe mjeshtëri krejtësisht xheloze dhe të pasionuar ambientin e saj.
Dhe pikërisht këtu, fillon tregimi dhe historia e Bon Vivant, në veçantinë dhe uniken e ndërtimit të këtij ‘ambienti’. Sa për të ilustruar, për ata që e njohin muzikën e cila është dominuese në Bon Vivant, aty kombinohet kjo prej bendit të njohur – re:jazz -, i cili është i specializuar për mishërimin e muzikës bashkëkohore në jazz, pastaj tek Gotan Project, e edhe të duos daneze Koop, etj. Gjë që do të thotë se muzika është një prej gardianëve më të fuqishëm të këtij ambienti. Është një prej shërbimeve më të mjeshtëruar dhe aq më shumë të kujdesshme të tij.
Tregimi për Bon Vivant është tregimi i hapjes dhe kulturëzimit të Prishtinës, jo pse ajo nuk e ka pasur atë, por (së paku) nuk ka qenë aq i arritur dhe i qëmtuar. Por aq më shumë, ky kulturëzim në këtë fushë të kulturës, nuk është arritur nga jashtë, ai është ndërtuar dhe arritur prej së brendshmi dhe prej vetë Prishtinës. Është Prishtina duke gjetur rrugën e krijimit të ambientit dhe të ndërtimit të pasionit të socializimit dhe të argëtimit e të shijuarit të të bukurës qoftë në ushqim, kafe tejet preciz të kultivuar dhe koktejeve shumë interesante.
Për dallim prej shumë ambienteve të tjera të cilat kanë krijuar dhe mundësuar hapjen e Prishtinës në arkitekturë e kulturë globale dhe bashkëkohore, por që kurrë nuk kanë arritur të ndër-kumunikojnë as shijen e tyre dhe as shërbimin e tyre, Bon Vivant e ndërton dhe e kultivon edhe klientelën e saj duke krijuar raport dhe socializim tejet të afërt.
Tregimi i Bon Vivant në Prishtinë është tregimi i pasionit që është ndërtuar në një kopsht të përbashkët të shijuesve dhe të vetë atij, një histori relativisht e shkurtë por me nam e impakt tejet të rëndësishëm në kulturën e Prishtinës.
Dhe, për fund, të gjitha inferioritetet në pranim të Bon Vivant, ashtu siç është: i paarritshëm në pasionin e tij, janë vetëm “shortfall” i shpirtngushtësisë (lexo: të qenit nën presionin e mbijetesës!) së vetë të njëjtëve. Ai, megjithatë, është pikërisht ashtu siç e shohim, pasion i pastër në kulturën e kësaj fushe./KultPlus.com
Le ta marrim në konsideratë, muzikën e një prej yjeve të kulturës sonë sot. Muzikën e Dafina Zeqirit, e cila, thënë shkurt, është çdo muzikë tjetër, por edhe shqip; por që në të vërtetë është shumë më e hapur, apo më e – çarë – se muzika e Bregoviq, apo edhe shija dhe festa e “Shqiptarëve të Shqipërisë”. Është vetë muzika globale dhe aktuale sot!
Por le të nisemi nga të qenit e Zeqirit ‘a woman with a plan’ (një grua me plan!)! A mund të ketë grua shqiptare sot me plan? Jo për shkak të tyre, por për shkak të konstelacionit të ankthit tonë kolektiv, ankthit tonë njerëzorë, dhe të dinamikës së të qenit shqiptar?
Pavarësisht patriarkalizmave dhe gjendjes në mbijetesë të kolektivit/kolektiveve tona. Të jetuarit në zonën e instinkteve për të mbetur gjallë, dhe aq më shumë për të vazhduar llojin (Freud). A mund të ketë grua sot? Apo, për ta bërë këtë pyetje aq më të pabesueshme: a mund të ketë grua me plan sot? Kosovare? Pavarësisht sukseseve prej Majlindës e Blerta Bashollit, etj. Ngjanë çdo gjë kjo e thënë, prej tendenciozes mashkullore, e deri tek rrënim i shpresës dhe fuqizimit të gruas. Në të vërtetë e tëra përmbytet dhe kalon në – çarje – nga vetë konstelacionet që u cekën; asnjë njeri sot nuk ka një plan, asnjë njeri nuk mund të ketë plan, dhe asnjë njeri nuk e di udhën e saj/tij. Jo për shkak të paaftësisë sonë, por ekzakt për shkak të – çarjes – së të vërtetës sonë. E në këtë kemi Dafina Zeqirin si grua me plan!?
Një prej problemeve më të mëdha të muzikës kosovare (e edhe asaj që i shkon prapa, pra muzikës Shqipe në përgjithësi!) është problemi i të ashtuquajturave – roots – (rrënjët). Që është edhe kërkimi dhe edhe trendi i krijimit muzikor sot, në frymën dhe skemën – back to the roots -. Ajo që ndodhë zakonisht në këtë eksplorim në muzikën shqipe, është se pikërisht duke përcjellë këtë skemë, muzika shqipe përmbytet, apo krijon paradoksin e kthimit në – the roots – të Reggae muzikës!
Një problem tjetër, është ai i të menduarit rreth muzikës si kjo e Dafina Zeqirit. Duke qenë se ky shkrim është në vazhdën e shkrimeve për “The Weeping Song”, apo “Killing an Arab”; Urban FM, e Kurrizin e Prishtinës gjatë kohës së luftës në Kosovë, të gjitha fenomene apo shenja kur Dafina Zeqiri as nuk ka qenë e lindur! Dhe që muzika e saj as nuk ka të bëjë me to.
Por mbi këto probleme, dhe të gjitha të tjerat të mundshme, është problemi se kur dikush niset të – çmojë – së paku muzikë kosovare dhe atë shqiptare, del si “entuziast” thënë butë, e deri tek i shitur, apo edhe injorant, etj. Është mentaliteti ynë, shpirtngushtësia jonë ‘estetike’ në raport me ballafaqimin e shijes, zgjedhjes dhe edhe arritjes/devijimit në këto fusha. Apo, thënë ndryshe, nuk ka njeri në Kosovë që nuk ka dëgjuar për Dafina Zeqirin, por, përpos masivitetit të turistëve/gërnaçave/diasporës që e shijojnë krijimtarinë e Dafinës, të tjerët e bëjnë këtë tinëz, apo edhe duke e ndarë personalitetin e saj me muzikën e saj, dhe këtë të dytën duke e marrë show – biz klasik etj.
Problemi është pikërisht në këtë të fundit: mosnjohjen, apo edhe druajtjen nga muzika e Dafinës. Duke iu kthyer problemit të parë të renduar këtu, asaj të – kthimit në rrënjët – (skemës muzikore – back to the roots –), dhe gjithherë kthimit të muzikës shqiptare në – the roots – të Reggae, Dafina është speciale dhe tejet e veçantë. Ajo, nuk është a business woman, vetëm. Ajo është artiste, edhe me famë botërore, por e dalë dhe pjekur profesionalisht, prej kësaj grope të mentalitetit e shpirtngushtësisë sonë. Sigurisht, deri këtu kam komprometuar çdo “intelektual”, e rreth “Intelektual”, e posaçërisht “Njohësit” e muzikës, me këtë që është thënë. Por, ta shohim këtë më ndryshe se zakonisht.
Muzikën e Dafina Zeqirit mund ta shohësh në dy perspektiva:
1. si trend e skemë – back to the roots –
2. si (intertekst postmodernizmi) asimilim i masave muzikore, aktuale, dhe sidomos, të të shkuarës. Mishërimit të tyre në një kompozicion tërësisht origjinal. Për të cilën pak rëndësi ka nëse Dafina është teorikisht e vetëdijshme, derisa është tejet e veçantë në këtë!
Muzika e Dafinës si skemë – back to the roots – është kompozicion, rrënjësisht i vetëdijshëm për këtë teknikë dhe skemë, nëse jo teorikisht, është së paku artistikisht. Por, për dallim prej të pavetëdijshmes dhe kompozimit inferior kosovar e shqiptarë në këtë teknikë, e cila gjithherë përfundon në roots të Reggae (siç u cek më lartë), muzika dhe krijimi artistik i Dafinës shkon tutje, duke kompozuar reggae, me muzikën lindore. Por sigurisht, muzika, apo thënë saktë shprehja – root – e shqipes duke qenë edhe parësore në këtë krijimtari të saj, e deri tek eksplorim më thellë, dhe aq më shumë më i guximshëm se zakonisht në artin tonë.
Në të vërtetë, ajo që është shqipe në muzikën e Dafinës, del të jetë muzikë, si pandashmëri dhe brikolazh i masave shpirtërore ballkanase. E cila më tutje thellohet, deri në Hindu e lindore.
Në anën tjetër, muzika e Dafinës si ndërthurje e dromcave dhe masave muzikore, aktuale dhe të të shkuarës, mishërimit të tyre në një kompozicion, (si intertekst postmodern, për të cilën ndoshta Dafina nuk ka një informatë, por ka një vetëdije dhe intuitë muzikore dhe artistike.)
Por, kësaj duhet shtuar, pikërisht dhe më me rëndësi shpirtin e muzikës dhe artit të saj, vetë aftësinë për të asimiluar dhe për të manovruar artistikisht në krijimtarinë e saj. Pikërisht të kësaj teknike dhe trendi muzikorë e artistik, e që është fuqizimi i femrës; feminizmi; por aq më shumë – çarja – e shtjellës së vetëdijesuar thellë dhe prapa në femërore; në – the root – të shprehjes e të shpirtit femëror, sipas vetë artit të Dafinës. Sigurisht, me ndihmën e skemave krijuese muzikore të trendëve globale.
Këtu, nuk është më çështja e shijes, apo preferencës muzikore, është ajo që Zeqiri ndërton si qëndrim, vetëdije, shpirt e shprehje të nxjerrë dhe të aktualizuar, qoftë globalisht e në vend, si frymë femërore, dhe përpjekje origjinare femërore.
Por, për fund, cila është ajo – root – e të gjitha këtyre, apo çka është – root – e artit të Dafinës? Është shpirti femëror, i cili të shumtën e krijimtarisë së saj është gërmim dhe – çarje – e prezentes, në vetë shprehjen shpirtërore të femrës, e cila është e nxënë nën patriarkalizëm, e të gjitha parakalimet e ideologjive, dhe të origjinares së kësaj në kulturën tonë. Nuk është gërmim dhe – çarje – në etniken, apo në të fundmen e shqiptares, shpirtit shqiptar, sidomos të femrës shqiptare, por është eksplorim në ndërthurjen dhe intertekstin artistik. Apo thënë saktë të shprehjes shpirtërore të femrës më gjerë.
Kjo – root – në krijimtarinë e Zeqirit është pikërisht ura e zërit femëror në kohë. Dhe është përpjekje për të nxjerrë masat dhe dromcat e zërit të parë femëror, shprehjet e para femërore në shpirtin dhe frymën tonë, po e përsëris, si trend dhe si kërkim artistik i saj. Dhe, megjithëse nuk është etnike, apo e pastër shqiptare, kjo shprehje është globale dhe aq më shumë kompozim dhe krijim në frymën e skemës muzikore globale – back to the roots -.
Dafina është një nga eksplorueset më të thella dhe më të guximshme të këtij shpirti, të kësaj fryme dhe të kësaj shprehjeje. Pavarësisht se e njohim veten autokton e të ‘padyshimtë’ në shpirtin tonë e kulturën tonë, në të vërtetë ne jemi krejtësisht, apo vetë muzika është krejtësisht dhe rrënjësisht frymë dhe amalgamim i shkëmbimit kulturor dhe ndër-kulturor, gjë që do të thotë se Dafina, është shumë para muzikës dhe përkufizimeve tona, si për veten e po ashtu edhe për muzikën tonë.
Dhe prej këtu, ndoshta, na duhet kohë të bluajmë, të përpijmë, dhe të shijojmë në fund, muzikën e Dafina Zeqirit, si fuqizimin i kolektiveve të shtypura e të ringjallura jashtë bërthamës së lindjes së tyre, siç është diaspora shqiptare!
Sigurisht, ky është shkrim dhe vlerësim pozitiv, pavarësisht -trap – të muzikës së saj, dhe të biznesit brenda muzikës së saj, por shumë më shumë është ngacmim i reflektimit tonë ndaj muzikës së saj, dhe aq më shumë përmes po të njëjtit të ngacmojë reflektimin për qëniesimin tonë!/KultPlus.com