Letra pas mesnate

Fragment nga Xhabir Tabaku

Ja të të mbaj ngarkuar, dhe të të bezdis po qè. nuk shqetësohem fare për ty, derisa të shoh që ti shqetësohesh për mua. ndaj të dua. e di ti.

kisha dy ditë e net pa zenë gjumë me sy. po përgatisja një temë për në Kembrixh. pas tri javësh do e lekturoj para studentëve te ri. emocion. tani: bëhet fjalë për fillimin e fundit të Bashkimit Sovjetik. kam marrë përsipër të zbuloj sekrete shteterore. do jap hollësira për rekrutimin e Gorbaçovit nga shërbimet sekrete britanike. ti e di, të kam pas treguar dikur. babi im, ka qenë ndër ata që e kanë rekrutuar së pari gruan e tij Raisa. pastaj vetë liderin sovjet. po. e di që do më thuash se eshtë ndërmarrje e rrezikshme… por do e bëj. edhe dy vite dosja do deklasifikohet si “top secret”, mbasi kalojnë pesëdhjetë vite nga rekrutimi i Mihailit. kur mendoj se një prift si babai im e ka thyer shërbimin sekret sovjet në mes, ndihem krenare për gjenet që mbart. sinqerisht!

por kjo mënjanë;

– ja të them se me Manfredin i kemi sheshuar mosmarrëveshjet siç më rekomandoje. ai është i kollajtë. të mos ishte me atë pozitë në universitet as do ia varja fare. kupton!

më ka marrë malli për ty. përnatë më del gjumi me mendjen tek ti. oh! – dje mbasdite vonë, shkova në parkun e pëllumbave. kisha me vete një radio dore dhe ndoqa një radiodramë nga të fakultetit të arteve. u mahnita. ishte plot fantazi. e llahtarëshme po të them. m’u kujtua ajo nata me shi kur ne të dy u ndalëm përballë shtëpisë së verdhë në Beleville…

unë mora dritaren e katit të parë, ti atë të katit të dytë. të kujtohet apo jo!

sado, që fantazia ime është e pafre, atë natë më pate mahnitur me tënden.

ajo gruaja e brishtë pas dritares në dhomën me drita të zbehta që refuzonte të bënte dashuri me peshkun kinez në akuarium…

fjalët që i pëshpëriste peshku nga uji… jargët që dirdhte…

mënyra se si e shihte ajo dhe si revoltojhej peshku i kuq ishin të shkallës sipërore. kur e vura me shkrim e humbi pak shkëlqimin por kur ia treguam Sofias, ajo pat qenë tërbuar. të kujtohet si vuri dorën poshtë dhe thërriste me të lartë mes barit e ngazëllyer? – sillmani kinezin e kuq ta dashuroj! dua ta dashuroj e ta ha njëkohësisht. ja këtu, ja këtu, dhe rraste dorën te vendi poshtë barkut… ti fillimisht u mbrojte me atë botën e fshehtë, tinzare të lindjes. pastaj u dhe në gaz. qeshje e plasje kembët mbi dyshemenë e pistë. krejt klientët të shihnin e qeshnin bashkë me ty.

po kur u the mos qeshni kot? haha, ishte hata. – unë nuk e di vetë pse qeshi me budallallëqet tuaja popull i marrë… ju bëni seks me peshqit.

ata nuk donin t’ia dinin se ç’thoje ti. ata veç qeshnin e pinin. vërtetë të marrë. / KultPlus.com

Jabanxhi

Nga Xhabir Tabaku

jabanxhi

mori kodrat me vrap. ishin kodra të thata shkëmbinjsh ngjyre të murrmë. ndonjë pishë shatorre aty – këtu këpuste ndoca monotoninë dhe piklonte cikla jete mbi gurët e nxehtë gushtit. fabrika e tjegullave ishte m’at anë kodrave, pranë një katundi të vogël me emër të çuditshëm Rrenc. goja i qe tharë e trupi i djersinte çurg. herë – herë e lëshonte këmba a i rrëshqiste çakulli poshtë dhe lëshohej mbi gurë, binte. ngrihej ashtu e gjakuar e fillonte risht vrapin. Mendimi se mund ta gjente të vdekur burrin e tmerronte. i erreshin sytë e i tkurrej diçka poshtë barkut… boshllëk. kur mbërriti majë kodrës desh iu mbajt fryma. atje poshtë, shtrihej një trupë gjigante betoni. ca automobilë të mëdhej të shëmtuar parkuar në një rrethomë me mur e tela me gjëmba. ishte parku i tatrrave e ndanë tij një punishtë e mirëmbajtjes dhe riparimit të armëve. zona ishte tejet e militarizuar. bri kodrave ishin pesë a gjashtë reparte speciale ushtarake.

fabrika e tjegullave ishte tej, më të djathtë… larg. fabrika ishte me seksione ngrehinash, si stalla bagëtish. ndër ato gërmadha prodhoheshin tjegullat e nxehta.

këmbët zunë t’i dalin jashtë kontrollit e rreziku i theqafjes ndër shkrepat e thatë e të nxehtë rritej. po i afrohej fabrikës. sa më shumë afrohej, më tepër i rritej ankthi, frika. o Zot i madh jo! – thirri me zë, kur pau një grumbull njerëzish në rrugë pranë një autoambulance lyer me të verdhë e të kuqe, si të ishte qerre kineze. nga fabrika drejt rrugës, një karvan me njerëz që nxitonin me shkalca në duar drejt automobilit spitalor. thua të kenë qenë shumë të dëmtuar? të kenë vdekur vallë?

***

mbas vorrimit të burrit, Lena shkoi në katund të vet diku në jug të vendit… nuk u kthye më. atje gjeti një burrë vejan që e kishte dashur në rini. më vonë të dy thuhet se vdiqen në Greqi në aksident me motor. askush nuk dinte gjë me siguri.

Lena nuk u kujtua kurrë për burrin e vorruar në atë katund të Shkodrës ku nuk kishin asnjë të njohur. askush nuk ia vizitonte vorrin burrit të vetmuar…

***

katundarët pyesnin njëri – tjetrin: – kush qenë vallë këta njerëz? pse i sollën nga jugu në këto anë? ca thoshin se qenë grekë minoritarë të internuar… disa të tjerë, mendonin se ishin spijunë të policisë sekrete. kishte nga të dy llojet në atë katund përzierjesh. një fëmijë i mbrapshtë iu thoshte të gjithëve se e kishte parë Lenen sa e sa herë me operativin e sigurimit te zonës duke u puthur e duke bërë turpe tek ullishta, poshtë moknave me mrina bri Kirit, pranë urës me tela… roja i vreshtave përdridhte musteqet kur flitej për Lenen dhe lironte një nënqeshje prej bandilli. / KultPlus.com

Aromë molle

Shkruan: Xhabir Tabaku

Kur isha fëmijë, i kam pas kaluar një pjesë të mirë të pushimeve verore e dimnore në krahinën e Matit. Kryesisht në nji katund me emnin Pleshë, në Guri Bardhë dhe Klos. Kishim shumë miq atje. Ishin miqt e babës. Baba ka pas punue në Mat për gjashtë vite rresht pothuaj. Ka qenë mësues në Burrel, Klos e Guri Bardhë. Baba banonte atje dhe e vizitonte shtëpine një herë në gjashtë muaj. Atje ai s’kishte shtëpi, banonte në shtëpinë e Ymer Efendi Hoxhës. Ata kurrë s’i morën qira babës, je djali jonë i thonin. Kishte miq krejt fshatin por shtëpitë ku ndjehej si në shpinë e tij përveç Hoxhejve ishin shtëpia e Kaçelit, Baletës, Laskut, Musa Karajt, Dezhgiut etj. Akoma sot mbajmë lidhje familjarisht me të gjithë. Kurse unë e motra dhe vëllau, ndjeheshim ma mirë në Pleshë e Klos. Në Pleshë miqtë tanë ishin Balejt, në Klos familja Laçi. Bedriu i biri i Ismailit ishte shoku im si vëlla. Sadiku, i zoti i shpisë i ka pas bâ babës tim vend në një nga odat e kullës, ku flinin krejt familja e tij. Pra si bir të vetin. Ma vonë edhe baba si mirënjohës i mirë që ka qenë mundohej me sa mundte me iu gjend prane bijve e bijave të tyre që vinin me studime në Shkodër. Dihet arsimdashja e matjanëve. Vetëm në Mat kam pa biblioteka në pothuaj çdo shpi të miqve në fshat. E veçantë ishte ke Baleta (shpia e të mirënjohurit Abdi Baleta, baba i ka dhanë mësim dhe e donte shumë), ke Tahir e Selman Hoxha muret dyshem e tavan mbushë sergjenët me libra. Ke Hazizi i Balejve etj. Ke shpija e Balejve në Pleshë pra dhe te shpia e Ismail Laçit në Klos rehatoheshim për pushime ne femijët, sidomos unë. Mama e Izetit (kështu e thirrnin gruan e shpise te Balejt), ishte shpirt njeriu. Zojë e pakrahasueshme. Na donte ne fëmijëve e sidomos mua më llastonte si s’ka ma. Na bënte banjë në mes t’oborrit me ujë kroi, finjë kazani mes avllisë. Mbrëmjeve na lante kambët me duart e saj në një legen bakri të kallaisur.

Më kujtohet si tash kur vinin ca grekër nga jugu dhe kallaisnin enët prej bakri të krejt katundit. Thërrisnin t’madhe: – kallaisi bakri! kallaisi bakri! Jorgo e i vëllai ishin mjeshtra për ketë punen e kallajit.
Kur na shtronte me fjetë Shemja, (mama e Izetit) na puthte krenat ne fëmijëve dhe shtrihej poshtë këmbëve tona derisa na shihte fjetë. Më vjen në hundë akoma sot aroma e mollës që u vinte çarçafëve të bardhë si biluri. Shemja kujdesej për ketë, fuste mollë në turrën me jorganë e çarçafa.

Sigurisht që ditët kulmore kanë qenë përveç vajtjeve ne shé (përrua), dhe lodrimi hurdhave me shokë e shoqe edhe vajtjet ne qytetin e Burrelit. Burreli asht qytet i vogël dhe shtrihet në një rrafsh me rrugë të drejta. Më bante përshtypje që atje ndryshe nga likustrat e blijt që kishim ne në Shkodër, ata e kishin hijeshuar bulevardin e tyre me pemë molle. Mbanin duke u thyer degësh mollat e Burrelit, dhe lëshonin aromë të kandshme. Edhe fakti që askush s’i prekte me dorë ma tërhiqte vemëndjen. Çuditesha si ishin aq të mirë e të ndershëm matjanët.

***

Mbas një mungese të madhe, vjet shkova për vizitë në Mat. Mbajta frymën në Pleshë ke Bala. Aty na prisnin Hazizi me zojen e tij Naimen, Aliu, Isufi e Izeti me zojat e tyre. Nuk ishin fëmijët. Kanë emigruar në Angli, na thanë disi të pikëlluar. Hangrëm drekë. E kush shtron bukë ma bukur se matjanët! Në Klos shkuam bri lumit ke rrapi në një restorant-kafé të dorës së parë, e në Guri Bardhë as u ngjitëm fare. Është boshatisur fshati na thanë. Do do në Tiranë e Durrës e do tjerë jashtë shteti. Mbasdite u shtrimë ndër petka me pushue pak. Nuk u vinte era mollë mâ. Shemja kishte ndërrue jetë, tradita ishte këputur. Në kthim për Shkodër ndaluam në Burrel. Gjithçka kishte ndryshue. Nuk kisha derë me trokit mâ. Të gjithë miqt e babës kishin ndërrue jetë. Mollat i kishin prerë. As aty nuk kishte ma aromen e dikurshme. Tek zbrisnim rrafshnaltës poshtë për kah Shkodra, ma pat qejfi të mbyllja sytë si në të dremitur e si në andërr bashkë. Pashë veten me babën dorëpërdore duke këputun rrugën Klos-Guri Bardh për shkurt nga qaf shkoza tek më tregonte për kohët e shkuara atje. I fola Raufit, djalit të hallës që po grahte makinën në kthim, të më zgjonte kur të mbërrinim te ura e Zogut. Nga ana e Mirditës e urës më kujtohet ka pas qenë një klub. Aty ndalnim me babën dhe më blente gjithçka doja vetë. Baba e merrte ngadalë me Jakun. Jaku ishte banakjer aty për tri dekada. Baba e kishte mik. Me siguri edhe Jaku do ketë vdekur, mendova, e më ra mall. / KultPlus.com