Vendlindja, muzë e përjetimeve poetike

Martin Camaj – “Nji fyell ndër male”

Shkruan Shkurta Konjusha.

Me librin e parë poetik të botuar në Prishtinë më 1953, me titullin “Nji fyell ndër male” Camaj hedh hapin e parë, drejt një bote të pafundme, zot i të cilës bëhet me këmbëngulje e pa fije mëdyshje. Poezia e kësaj përmbledhje ashtu siҫ na sugjeron edhe vetë titulli është poezi e prejardhjes, është poezi e malit, e këngës, e ëndrrës, e dashurisë, e dhimbjes, e urisë, e nemës, e krejt në fund e përjetësisë. Ҫdo poezi është reflektim i reve, është kushtëzim nga hija e maleve, është klithmë e mbrame e kodeve kanunore, që shoqërohet në ҫdo varg, në ҫdo frymëmarrje me imazhe të kthjellta, të papërsëritura në vargjet e poezisë shqipe. Libri fund e krye shpalos ndjesitë e brendshme të poetit në raport me vendlindjen e shndërruar tashmë në muzën e përjetimeve poetike pa të cilën nuk gjen qetësinë shpirtërore e me të cilën tundohet deri në pafundësi. Duke pasur epiqendër të trajtimeve poetike përjetimet e kaluara ky libër lirisht mund të identifikohet si një libër i kujtimeve ku natyrshëm funksionojnë trimëria e ligështia, si ndjesi të brendshme të pashkëputura nga njëra tjetra. Dashuria mbi vendin e frymëzimit që ngadalë merr trajtën e një frymëzimi të nemun, thellohet posaҫërisht kur poeti detyrohet të mërgojë drejt një bote të panjohur, nxitur nga shteti komunist, mbi të gjitha nga mungesa e fjalës së lirë. Vendlindja nën pëlhurën e trishtimit, melankolisë, mallit që të mbyt, bëhet dashuria platonike e poetit, ajo e paarritshjma e cila e shoqëron në ҫdo vëllim poezie veҫ se ҫdo herë e më i përsosur, ҫdo herë e më i mbyllur, duke kaluar kështu në trajtën e një obsesioni poetik. Malli, ky shoqërues i përhershëm i poetit është ndjenja fillestare e kësaj mrekullie artistike që nis me poezinë “Fyellit”. Fyelli bëhet dëshmitari kryesor i një jete që nis e mbaron në mal, ai bëhet mallëngjim i një jete të tërë që ҫdo ҫast të shpie te i vetmi shteg – vendlindja:

“ Gishtat më dridhen e me t’ҫue te goja
Nuk kam guxim, tingllimin tand mos t’prishi,
Por nji dashni m’përvlon ma e fort’ se droja
Për ty, për bjeshkën, që ndër valle m’grishi.”
“At jet’ këndoje, që ti e njef aq thellë:
Dashnin ngadhnjyese, bjeshkë verë e dimën,
Dokjet e rrebta dhe shpirtin e kthiellë
Vuajtjet e mdhaja, vdekjen n’skam e dhimbën.”

E gjithë krijimtaria e Camajt, posaҫërisht shkrimet e para kanë lidhje të pashkëputur me folklorin. Largimi nga atdheu nuk e largon nga lidhjet shpirtërore me mitet e historinë e vendit të tij, përkundrazi ajo veҫ sa i forcon dëshirën për rikthimin e vlerave e traditave të lashta. Kush i di lojërat e fatit, ndoshta mërgimi i tij është fitorja e tij e madhe, ajo mbase u bë rruga e artë e një materiali të përhershëm që ҫdo herë e më tepër kalon në stadin e përsosmërisë. Kjo përmbledhje me poezi pasurohet me tituj të thjeshtë pa ndonjë ngarkesë të rëndë emocionale apo pa pëlhurën e famshme metaforike e simbolike të Camajt që më vonë bëhet veҫoria poetike e tij për kah karakteri i ashpër e shpesh i pathyeshëm.

Protagonisti kryesor i dramës jetësore të vendosur në Malësinë e Veriut, bëhet Luli i shoqëruar përherë me Zanën si simbol e motiv jete. Futja e Lulit në lojën poetike bëhet qysh në fazat e para të jetës së tij, atë e shohim të sapolindur, e shohim fëmijë të rritur i përqafuar nga një trimëri e rrallë , pastaj në vrullin e rinisë, nën zjarmin e dashurisë të shoqëruar me lot e skamje për të përfunduar me ikjen. Ikja vie në fakt atëherë kur duhej të fillonte gjithҫka, atëherë kur duhej të lindte një jetë e re, një jetë e projektuar në ëndrrat fëmijërore. Fazat jetësore të Lulit mund të prezentohen me pak vargje të cilat shërbejnë si dëshmitare direkte të një vërtetësie konkrete:

Luli
“Bjeshka e naltë flente n’terr,
Kund në qiell nuk dukej hana;
K’ndojshin bujqit nëpër djerr
N’koh’ kur djali leu ndër tbana
N’heshtim krisi zani i ti
Dhe njerzija krejt u zgjue:
“Djal’!” nji za në gzim u ndi
Sa dhe tuba n’kambë u ҫue.”
Fëmija e Malit
“Kshtu Luli u rrit me shokë,
Lojnat u a njef cdo bigë,
Kambën e zdath’ cdo bokë,
Gjarpijt nën dhe i kan’ frigë
E grethi i idh’t në zgur.”
Për të vazhduar me fazën më të rëndësishme jetësore aty ku si thamë mbaron ҫdo gjë ende pa filluar mirë:
“Si grue, un Zanën e shikjoj , o Loke
E njeri i huej kurr nuk guxon me e prekë,
E emja asht tue shkel’ zakone e doke!
Mjaft ndër dyshime deri sot jam rrekë.”

Luli është figura e të riut malësor por me vizione të mëdha për jetën, është figura e të riut simbol që nuk kënaqet me pak, ai është gjithmonë në kërkim të së resë, në kërkim të lirisë fizike e psikologjike e cila si pasojë sjellë fjalën e lirë, e artikuluar mjeshtërisht në nivel të tillë që shumëçka vret e shumëçka lartëson. Dashuria poashtu kalon në tri faza: të lindjes, realizimit, ndarjes si përfundim aspak i dëshiruar por tepër i pritur për një ndjenjë të mëndafshtë në një rreth të hekurt të ashpërsisë së maleve nga hija e të cilave nuk shpëton dot askush. Këto faza Camaj i identifikon me stinët e vitit : “Në dimën”, “Në pranverë” për të vazhduar deklarativ krejtësisht identifikues si “Zana”, “Moj e mira”, “Amaneti i dashnorit” e për të përfunduar me “Ikjen” si opsion i detyrueshëm. “Ikja” si poezia e fundit e kësaj përmbledhje shënon thyerjën e kodit tradicional në dy kuptime: ikje nga zakonet shkatërruese dhe ikje nga formulimi klasik i vargjeve, ashtu si është ndërtuar i tërë ky vëllim me poezi i shoqëruar përherë me prirje kah lirika moderne. Zana ndërkaq shpesh kalon në nivelin e shoqërueses imagjinative të poetit, me pretendimin e kujtimit të përjetshëm të saj. Mungesa e saj nxit dimrin e parakohëshëm në zemrën e Lulit, e atëherë kur mërzia kapërthen ҫdo skut, kalon ҫdo limit, nën ethet e pritjes së pafund ai klith: “Pse s’din t’mbaroj kurr ky dimën i gjatë”. Zotërojnë strofat me katër vargje që të shumtën e herëve janë njëmbëdhjetë dhe tetë rrokëshe tipike popullore ashtu si gjuha e poetit, të pasura përherë me pamje të gjalla të paartikuluara më parë në gjuhën shqipe. I ndikuar në suaza të së natyrshmes nga autorët më pikantë të kohës, poetika e tij përherë bëhet më e errët, më enigmë, kështu “Ikja” shënon hapin e madh drejt kësaj fushe, duke e thyer tradicionalitetin por duke mos e nënvlerësuar asnjëherë atë. Mali i Cukalit mbetet përherë brumi i ҫdo vargu, me të cilin gaditet një art madhështor si ky i Camajt, është po ky mal që e shoqëron edhe në shkrimet e tjera që në disa raste vie si mall ndaj të dashurës, në disa si kujtim që të ҫmend e nuk të lë të qetë , në disa si forcë për të vazhduar kërkimin e një diҫkaje tashmë të humbur. Specifike në përmbledhjet tjera poetike posaҫërisht bëhet ndenja e vetmisë, që di ta trazojë botën e mistershme të poetit. Shkrimet e fundit japin vulën e një enigme e një pakënaqësie që merr trajtën e një neme (Nema). Përderisa në përmbledhjen e dytë me titull “Kanga e Vërrinit” kemi po të njejtin vrull melankolie po të njejtin tip deklarativ veҫ se me ndryshim pozite e strukturim vargjesh që ҫdoherë shkojnë drejt ikjes nga klasikja dhe përthithjes së modernës. Ky vëllim poetik detajizohet me atë llojin e dashurisë që nuk shuhet, dhe me frikën e harrimit të vlerave të vërteta, që thuhet prerë në vargjet e poezisë “Lahuta e vjetër”. Për të vazhduar me shumë përmbledhje tjera poetike në të cilat realizon paralajmërimet mbi braktisjën e modelit shkrimor të mëparshëm, e në të cilat ҫdo herë kemi pasurim motivesh, shprehjesh që ndonjëherë janë disi më konkrete si ndodh me vëllimin poetik “Lirika mes dy moteve” e ndonjëherë më vështirë të arritshme si ndodh me dy vëllimet e fundit “Nema” dhe “Palimsest”. Përsosmëria e një arti madhështor si ky i Martin Camajt do lexuesin e vëmendshëm dhe aktiv si element i nevojshëm për të shijuar lartësinë e alpeve që reflekton poezia e tij./ KultPlus.com