AGK: Sulmi ndaj veturës së gazetarit është sulm ndaj interesit publik dhe demokracisë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka dënuar ashpër sulmin me armë zjarri ndaj veturës së gazetarit të gazetës Reporteri, Shkumbin Kajtazit.

AGK vlerëson se ky sulm rëndon jo vetëm klimën e të bërit gazetari, por edhe jetën e gazetarëve, ndërsa fton organet kompetente që ta hetojnë sa më shpejt këtë rast.

“Për AGK-në, sulmi me armë zjarri në veturën e gazetarit Kajtazi është tejet shqetësues dhe rëndon jo vetëm klimën e të bërit gazetari, por rrezikon edhe jetën e kolegëve tanë. AGK fton organet kompetente që ta hetojnë sa më shpejtë këtë rast, në mënyrë që personat që kanë kryer këtë akt të dalin para drejtësisë.  Është shqetësues fakti se si brenda një periudhe prej katër muajsh kanë ndodhur dy sulme në drejtim të gazetarit, Shkumbin Kajtazi.   Secili sulm në drejtim të gazetarëve është sulm ndaj interesit publik dhe demokracisë në vend”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Asociacioni i Gazetarëve thotë se e ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës që ka konfirmuar se janë duke e hetuar ngjarjen.

Mbrëmjen e së shtunës, vetura e gazetarit Shkumbin Kajtazi është bërë cak i një sulmi me armë zjarri.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti ka thënë për Express se në vendngjarje janë gjetur gëzhoja plumbash.

Zahiti tha se prokurori ka iniciuar rastin si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe se po punohet për zbardhjen e rastit./ KultPlus.com

Sulmohet vetura e gazetarit Shkumbin Kajtazi: Jam i dëshpëruar me shtetin tim dhe njerëzit e tij

Mbrëmjen e kaluar është sulmuar vetura e gazetarit Shkumbin Kajtazi.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë gazetari, i cili ka publikuar edhe fotografitë dhe siç ka shkruar ai në mbishkrimin e fotografive, vetura ishte qëlluar me pesë ose gjashtë pluma.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Kajtazit.

Miq,

Mbrëmë u përballa me një sulm të rrezikshëm: vetura ime u qëllua me 5 ose 6 plumba.

Ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës, kur vetura ishte e parkuar në qendër të Mitrovicës.

Unë isha afër dhe kam dëgjuar krisma arme, por si njeri naiv që beson se Kosova është vend normal, nuk e kam lejuar mendjen të më thotë se mund të jetë sulm i tillë. Isha gabim.

Kur u afrova tek vendi ku e kisha parkuar, pashë se vetura ishte dëmtuar në masë të madhe. Në fillim pata bindjen se ishte goditur me diçka të fortë, mirëpo më pas u vërejten gjithandej vrima dhe predha të plumbave: në ulësen e shoferit, në tavan e në pjesën e prapme.

Edhe në Polici deklarova se rasti lidhet me punën, pasi problem personal me dikë nuk kam pasur që nga shkolla e mesme.

Rasti është në Polici dhe shpejt do ta marrin në dorë hetuesit e krimeve të rënda. Zbardhja e tij duhet të bëhet shpejt, ose rrezikon të mbetet zhag si i mëparshmi.

Nuk ndihem i frikësuar, që është qëllim i personave që më vihen pas. Jam thjesht i dëshpëruar me shtetin tim dhe njerëzit e tij. / KultPlus.com

Po, unë e quajta Mitrovicën Arabi

Shkumbin Kajtazi

Artikulli i djeshëm që qarkulloi nëpër të gjitha mediat kosovare, është shkruajtur nga gishtat e mi. S’jam pishman asnjë pikë. Mitrovica po bëhet si Arabia me të vërtetë. Më lini t’jua sqaroj…

Por para se ta trajtoj këtë detajisht, mund të them se dëshmi më e freskët e kesaj shoqërie të mbyllur, të cilën po e kritikoj, është pikërisht sulmi i ashpër pas shkrimit tim. Fyerjet e lincimet ndaj mendimit tim, dhe jo veç timit, që ngjan të jetë ndryshe, shërbejnë si alarm për shoqërinë tonë ku secili pritet të mos e prekë vijën e përgjithshme të besimeve, ideve e qëndrimeve. Andaj, qëndrimi im s’mëton të jetë kundër fesë e fetarëve, por kundër mendjeve primitive të mbyllura ku secilit individ i mohohet liria e shprehjes veç për hir të lirisë së tyre.

*
Kujt i ka rënë të kalojë nga Mitrovica dhe të flas me dhjetëra të rinj, e kupton se ata mendojnë fetarisht. Pra, të kërkosh një të ri mitrovicas që mendon racionalisht dhe i pandikuar nga feja, është bast me rrezik të lartë. Kjo gjendje nuk mund të themi se është shfaqur tani. Për të jemi fajtorë të gjithë, e sidomos partitë që për hatër të votave u kanë servuar populizëm qytetarëve të saj.
Kujt i ka rënë të debatojë me të rinjtë mitrovicas, a një grua a burrë në moshë deri 35 vjeçare, e ka parë që ekziston një diskurs fetar. Kjo nuk ka ardhur krejt rastësisht. Kjo është pjellë, sidomos e partive politike, e në mënyrë sistematike edhe nga hoxhallarët që s’i kontrollon kush.

Kujt i ka rënë të kalojë nëpër Mitrovicë ditën e premte në mesditë, e ka parë që fetarizimi i Mitrovicës është në masë gati të pakontrollueshme, dhe për këtë kanë faj të gjithë, e sidomos partitë politike që jepnin shembull shkuarjen nëpër faltore sa për t’u dukur të moralshëm e për të fituar një grusht vota. Në Mitrovicë, pra, nuk shkohet në faltore vetëm për besim. Aty shkohet për politikë, për trend e për ‘obligim shoqëror’.

*
Këto shpërfaqje arabizmash, dhe jo vetëm kaq (mund të rri gjithë ditën duke dhënë shembuj të tillë), e tregojnë se Mitrovica është një Arabi, nëse jo në funksionim institucional, në atë kulturor e fetar gjithsesi. E ndikimi kulturor është premisë kryesore që shtron shtratin e ideologjisë fetare deri në kufijtë e joracionales, që në rastin e fundit është krijimi i gjendjes që lokalet të mos servojnë pije alkoolike.

E kur jemi tek përdorimi i pijeve alkoolike, më duhet të them se është argument kryesor i sipërfaqësisë së të menduarit në Mitrovicë, e që e vërteton arabizimin e saj. Në një botë ku feja dhe dallimi konceptual mbi zotin sjellin mijëra të vdekur çdo ditë, mitrovicasit vendosin që në emër të këtyre koncepteve të shkelin lirinë individuale të njerëzve për të përdorur cilën pije të duan.

*
Për fund, më duhet të them se dhuna sistematike e një aparati kulturor të arabizuar, ka sjellë në Mitrovicë një gjendje të tillë që është zor të quhet edhe Arabi, pasi zor se është mjaftueshëm ilustruese.

Mitrovica, mbase mund të quhet Afganistan: Ai Afganistani që paraqitet në librat e Khaleed Hussein që shkatërrohet nga talibanët, dhe jo ai i Kairos së bukur të para luftës. Mitrovica mbase mund të quhet edhe Liban: Ai Libani që paraqitet në veprën ‘Hotel Bejruti” të Nehat Islamit, që tregon se si shkatërrohet një vend nga dallimet fetare, e jo ai i bukuri i paraluftës që kishte mbi 700 filiale bankash botërore.

Pra, Mitrovica mund të quhet me çfarëdo emri të Lindjes së Mesme që është sinonim i shkatërrimit shoqëror dhe degradimit kulturor. Por, vetëm me disa emra nuk mund të quhet: Unë s’mund ta durojë më kurrë që dikush para syve të mi t’i thotë këtij qyteti: Mitrovica e personaliteteve të shquara, Mitrovica e kulturës, e rokut…