Pllaka përkujtimore për Nënë Terezën në Shkup, tani e qasshme dhe në tri gjuhë

Qyteti i Shkupit e ka rregulluar Pllakën përkujtimore të Nënë Terezës në qendër të Shkupit, gjegjësisht në Sheshin Maqedonia, pasi që me vendosjen e parkut, u pamundësua qasja e njerëzve që për së afërmi ta vizitojnë apo të vendosin lule, për çka Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH), disa herë doli me kërkesë që të zgjidhet çështja. Për dallim prej të vjetrës, pllaka e re përkujtimore është në tri gjuhë, maqedonase, shqipe dhe angleze.

“Pllaka përkujtimore e Nënë Terezës në Shkup, me zgjidhje të re dinjitoze. Qasje deri te pllaka e re në Sheshin Maqedonia”, shkroi në Facebook kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.

Ai publikoi edhe disa fotografi nga fondamenti i ri i vendosur, ndërkaq komentuesit janë të ndarë në lidhje me këtë çështje. Derisa disa e urojnë për punën e kryer, disa të tjerë e kritikojnë duke i thënë “mjaft më me përmendore për Nënë Terezën”.

ITSHKSH vlerësonte se me ndryshimet e bëra në Sheshin Maqedonia, janë mbuluar gjurmët e shtëpisë së Nënës Terezë, ndërsa me parkun e vendosur para pllakës përkujtimore praktikisht është mbyllur rruga që të vendosen lule edhe te pllaka. Departamenti i ITSHKSH-së për Mbrojtjen e Trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, ka shprehur indinjatë dhe habi të thellë për këtë veprim të papërgjegjshëm të Qytetit të Shkupit.

“Në kohën që e gjithë bota mburret me emrin dhe veprën e Nënës Terezë dhe ajo është bërë identiteti dhe letërnjoftimi i vendit tonë, të mbulohen gjurmët e shtëpisë së saj dhe të pengohet mundësia e vendosjes së luleve në pllakën përkujtimore nuk ka si lexohet ndryshe, pos si një veprim i papërgjegjshëm dhe i dëmshëm për qytetin tonë, por edhe për gjithë vendin tonë”, deklaruan nga ITSHKSH. / Portalb.mk. / KultPlus.com

Pas dy muajve e gjysmë, nesër hapet Kopshti Zoologjik në Shkup

Nesër për herë të parë do të hapet Kopshti Zoologjik në Shkup me orar prej 09 deri në 18:00. Prej atje informojnë se vizitat do të zhvillohen sipas protokollit të ri.

Numri i vizitorëve do të kufizohet, ndërkaq mbajtja e maskës gjatë hyrjes dhe mbajtja e distancës gjatë shëtitjes është e obligueshme.

Kopshti Zoologjik i Shkupit është mbyllur më 11 mars, sipas rekomandimeve të Komisionit të Sëmundjeve Infektive të Ministrisë së Shëndetësisë, me qëllim të parandalimit të virusit korona. /KultPlus.com

Reagon Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve: Të mbrohen gjurmët e Nënës Terezë

Pas ndryshimeve të bëra në sheshin e Shkupit “Maqedonia”, me ç’rast janë mbuluar gjurmët e shtëpisë së Nënës Terezë, ndërsa me parkun e vendosur para pllakës përkujtimore praktikisht është mbyllur rruga që të vendosen lule edhe te pllaka, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, përkatësisht Departamenti për Mbrojtjen e Trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, shpreh indinjatë dhe habi të thellë për këtë veprim të papërgjegjshëm të Qytetit të Shkupit.

“Në kohën që gjithë bota mburret me emrin dhe veprën e Nënës Terezë dhe ajo është bërë identiteti dhe letërnjoftimi i vendit tonë, të mbulohen gjurmët e shtëpisë së saj dhe të pengohet mundësia e vendosjes së luleve në pllakën përkujtimore nuk ka si lexohet ndryshe, pos si një veprim i papërgjegjshëm dhe i dëmshëm për Qytetin tonë, por edhe për gjithë vendin tonë”, thuhet në komunikatë.

Ata tutje kërkojnë nga Qyteti i Shkupit që sa më shpejt ta korrigjojë këtë lëshim, t’i rikthejë themelet e shtëpisë së Nënës Terezë, ndërsa në të mirë të marrëdhënieve të mira ndëretnike, është koha e fundit që teksti në pllakën përkujtimore të bëhet edhe në gjuhën shqipe.

“Me shpresë se nuk do të ketë nevojë për reagime në instanca më të larta vendore dhe ndërkombëtare dhe në forma të tjera”, thotë Skender Asani, drejtor i këtij departamenti. / Koha.mk / KultPlus.com

“Nëntori i Ftohtë”, do të shfaqet edhe në Shkup

Filmi Kosovar “Nëntori i Ftohtë” pas një sërë suksesesh në festivalet ndërkombëtare do të shfaqet edhe në Shkup, këtë e ka bërë të ditur aktori Fatmir Spahiu.

Filmi “Nëntor i Ftohtë”, është produksion i shtëpive filmike “Thumbs Up” dhe “Buka” në bashkëprodhim me Albasky Film, Audiohaus dhe Ikonë. Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë.

Në rolet kryesor paraqiten aktorët: Kushtrim Hoxha, Fatmir Spahiu Bufi l, Adriana Matoshi, Emir Hadzihafizbegoviq, Gordana Boban, May-Linda Kosumovic dhe Lum Veseli. Skenarin e kanë shkruar Arian Krasniqi e Ismet Sijarina. Drejtor Fotografie: Sevdije Kastrati. Montazher: Vladimir Pavlovski; muzika: Jericho; producent: Fatmir Spahiu. Regjia: Ismet Sijarina.

Tematika e filmit të regjisorit “Nëntori i ftohtë” është një ngjarje e cila zhvillohet në fillim të viteve 90-të, në kohën e Qeverisë Jugosllave e cila e anuloi autonomin e Kosovës, shpërndau parlamentin dhe mbylli Televizionin Publik të Kosovës. / KultPlus.com

Shtëpia e Nënë Terezës në Shkup me 100 mijë vizitorë në vit

Ministri i Kulturës i Maqedonisë së Veriut, Hysni Ismaili, sot e vizitoi Institucionin nacional “Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës”, ku mbajti konferencë për shtyp bashkë me drejtorin e këtij institucioni, Arjan Asllanaj, dhe me drejtorin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Skender Asani.

Në konferencën për shtyp, drejtori Asllanaj informoi për aktivitetet e Institucionit, i cili këtë vit shënoi një përvjetor të rëndësishëm – 10 vjet të ekzistimit të tij, ndërsa u shënua edhe 40-vjetori i ndarjes së Çmimit Nobel për humanisten e madhe. Në këtë kontekst, ishte theksuar edhe vizita e fundit në arkivin në Lucern prej ku janë siguruar më shumë se 500 dokumente që lidhen me jetën dhe veprën e Nënë Terezës, dhe në kuadër të vizitës ishte nënshkruar Memorandumi i Bashkëpunimit.

Ministri Ismaili theksoi para gazetarëve se gjatë hulumtimeve të bëra në Zvicër janë siguruar 5 dokumente origjinale.

“Duke e vlerësuar punën e drejtorëve Asllanaj dhe Asani, ne si Ministri do të shqyrtojmë mundësinë që projekti për botimin e tyre të mbështetet, duke qenë të sigurt se ato janë me rëndësi jo vetëm për këtë Shtëpi Përkujtimore, por edhe për mbarë kombin shqiptar, si dhe për të gjithë të interesuarit për jetën dhe veprën e Nënë Terezës”, tha ministri i Kulturës.

Ai shtoi se në “Shtëpinë Përkujtimore të Nënë Terezës” sivjet është vendosur ndriçimi i ri, është krijuar një ekspozitë e përhershme, e cila pasurohet me fotografi të reja, dokumente origjinale dhe artifakte që lidhen me jetën dhe veprën e humanistes dhe bamirëses së madhe, ndërsa është vendosur edhe një skulpturë silikoni e Nënë Terezës në madhësi natyrore.

Institucioni “Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës” i cili ishte pjesë e agjendës së kreut të Kishës Katolike Romake, Papa Françesku, gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në vendin tonë, më 7 maj të këtij viti, me rreth 100,000 vizitorë në vjet, është njëri nga më të vizituarit në qytet. / KultPlus.com

Nën moton “Log in Theater”, së shpejti nis edicioni i 13-të i “SkupiFestival”

Në hapësirat e teatrit të Komedisë në Shkup, sot u mbajt konferenca e shtypit nga Festivali Ndërkombëtar Teatror “SkupiFestival”.

Edicioni i 13-të i këtij festivali do të fillojë më datë 21 tetor dhe do të mbaroj më datë 27 tetor nën moton “Log in Theater”.  Ky edicion do të mbahet në skenën e teatrit të Komedisë në Shkup. 

Konferencën për shtyp e hapi drejtori i FNT SkupiFestival, Muzbajdin Qamili, i cili foli për programin dhe mënyrën e organizimit, për përzgjedhjen e shfaqjeve që do defilojnë për këtë vit në “SkupiFestival”, duke bërë edhe thirrje artdashësve dhe në veçanti  publikut teatrorë për t’ a përcjellur programin e këtij edicioni.

Në vijim drejtori artistik Osman Ahmeti  foli në detaje për të sqaruar  programin e festivalit, ku theksoi se festivali fillon me “Karnevalet e Korçës” në produksion të teatrin kombëtar të Kosovës, vazhdon me “Xhaxha Vanja” e Çehovit me teatrin Vazrazhdanie  nga Sofia, pastaj me “Perëndimin e Vetmuar” të Martin Mekdona  nga teatri U Mosta nga qyteti Perm i Rusisë, nga Lublana “Gratë e Ibsenit”, nga Tirana teatri Metropol me “Natën Ma” nga autorja Marsha Norman, teatri Puls nga Beogradi me shfaqjen “Kiril dhe Klodell” dhe për në fund shfaqja nga teatri i Komedisë “Gra para sulmit nervor”, e inskenuar sipas filmit me të njëjtin titull të regjisorit të njohur spanjoll Pedro Almodovar.  

Për shfaqjen më të mirë në këtë edicion do të kujdeset juria e përbërë nga aktorja e njohur Yllka Mujo, gazetari dhe kritiku teatrorë  Emin Azemi dhe aktori nga teatri popullorë maqedonas Borçe Naçev. 

FNT SkupiFestival edhe për këtë vit i falënderon mbështetësit e tij Ministrinë e Kulturës, Qytetin e Shkupit, teatrin e Komedisë dhe falënderim të veçantë për sponsorin gjeneral Telekomin e Maqedonisë, i cili për vitin e tretë me radhë ndihmon  FNT SkupiFestival Shkup.

Hapja solemne bëhet të hënën më datë 21 tetor më ora 20:00 në teatrin e Komedisë, aty edhe ku do luhen të gjitha shfaqjet. / KultPlus.com

“Maqedonia nga antika deri te koha jonë” u promovua edhe në Shkup

 

“Vepër madhore dhe e rëndësishme e historiografisë shqiptare”, kështu e vlerësoi librin më të ri të Buxhovit historiani Qerim Lita.

Pas Tetovës dhe Strugës, “Maqedonia nga antika deri te koha jonë” arriti edhe Shkupin, promovimi i së cilës u bë në Qendrën Kulturore Informative të kryeqytetit, përcjellë KultPlus.

Me këtë rast, historiani Qerim Lita tha se studiuesi dhe historiani i mirënjohur shqiptar, Jusuf Buxhovi, pas botimit të veprës madhore në tetë vëllime, “Kosova”, historiografisë shqiptare i dhuroi edhe një vepër tjetër po aq madhore dhe të rëndësishme “Maqedonia nga antika deri te koha jonë”.

Vepra prej më shumë se një mijë faqeve tekst, krahas hyrjes dhe përfundimit ndahet në pesë pjesë kryesore dhe më shumë kapituj dhe nënkapituj. Pjesa e parë i kushtohet antikitetit, pjesa e dytë mesjetës, pjesa e tretë Perandorisë Osmane, pjesa e katërt copëtimit të Shqipërisë dhe pjesa e pestë rikthimit të Jugosllavisë, përkatësisht asaj komuniste të Titos. Në pjesën hyrëse të librit, autori duke bërë një krahasim midis Maqedonisë antike, si mbretëri ndër më të njohura të kohës dhe “Maqedonisë si shtet politik i krijuar në fund të shekullit njëzet”, me të drejtë thekson se “pos emrit dhe një takimi të vogël në një pjesë gjeografike”, jashtë çfarëdo reference historike, i lidh vetëm prania e shqiptarëve, të cilët historikisht janë trashëgimtarë të maqedonasve antikë si pjesë e botës pellazge-ilire ku kishin shtratin e tyre të barabartë mbretëria e Maqedonisë dhe mbretëria e Dardanisë”, gjë që me të drejtë autori thoshe se “në këtë aspekt, Maqedonia shfaqet emër historik i shqiptarëve, njëjtë me Epirin, Dardaninë dhe Mbretërinë Ilire”.

Për Qerim Litën, në këtë vepër voluminoze, pos trajtimit të antikitetit, të mesjetës, ku Maqedonët, Dardanët dhe Epirotët shfaqen në themelet e Bizantit, me rëndësi paraqet kapitulli i gjashtë i pjesës së tretë “Fuqitë e mëdha dhe paraloja e luftërave Ballkanike”, për të cilën autori thotë se e ashtuquajtura “Krizë e Maqedonisë” ishte një skenar ruso-sllav, për ta shuar çështjen kombëtare shqiptare. Fqinjët e shqiptarëve, serbët dhe grekët, thekson më tej autori, lëvizjet e tyre nacionale do t’i fillojnë me shpalljen e programeve kombëtare mbi baza hegjemoniste (serbët me “Naçërtanjën” dhe grekët me “Megali idenë”, me anën zë cilave parashihej zhdukja e çështjes shqiptare. Të udhëhequr nga kjo strategji, Serbia dhe Mali i Zi, do të fusin diçka nga armët e tre në pjesën veriore të vilajetit të Shkodrës dhe në veri të Kosovës. Me këtë rast do të lidhin marrëveshje të veçanta me disa nga feudalët dhe bajraktarët e këtyre viseve, që të mbroheshin pronat e serbëve dhe ato të manastireve, por ata do të bëjnë çmos që kryengritjet e tyre kundër osmanëve të mbikëqyreshin prej tyre. Ndërkohë, për shkak të presionit të madh nga ana e Fuqive të Mëdha, sulltan Hamiti kishte lejuar hapjen e konsullatave ruse dhe serbe në vilajetin e Kosovës e të Manastirit. Tërë kjo, nga ana e shqiptarëve u përjetua “si një përgatitje për aneksimet e reja sllavo-ortodokse ndaj trojeve të tyre, që këtë herë bëhej edhe me miratimin e Portës së Lartë”.

Në kuadër të kësaj pjese, përfshihet edhe kryengritja e Ilindenit, e cila, sipas Buxhovit, ishte pjellë e autoriteteve bullgare, të cilët, duke shfrytëzuar pakënaqësinë me reformat që kishte shpallur sulltan Hamiti me rastin e “Udhëzimeve për Rumelinë” dhe krijimin e “megavilajetit” të Rumelisë, që sipas të gjitha gjasave do t’i shkonte për shtati ngritjes së çështjes shqiptare, dhe të shtyrë nga frika se mos reformat mund të shkojnë në dëm të Bullgarisë, komitetet e shumta bullgare-maqedonase në rrethet e Ohrit, Kosturit dhe Serezit, të shtyrë drejtpërdrejt nga Bullgaria dhe të frymëzua me parullat “Liri a vdekje” dhe “Maqedonia për maqedonasit”, në pranverën e vitit 1903, u ngritën në kryengritje kundër garnizoneve osmane në atë pjesë. Për Buxhovin, Ilindeni ishte një kryengritje probullgare dhe ishte në kundërshtim me interesat shqiptare, ngaqë shpërqendronte konceptin për Shqipërinë etnike të përbërë nga katër vilajetet (Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe të Janinës), duke e kthyer atë në interes të fqinjëve (bullgarëve, serbëve dhe grekëve).

Sipas Qerim Litës, edhe në kapitujt tjerë (Rilindja kombëtare, Luftërat Ballkanike, Krijimi i Jugosllavisë së Versajës dhe Krijimi i Jugosllavisë së Titos, ku shfaqet edhe Maqedonia e krijuar në kuvendin e ASNOM-it në verën e viti 1944), Buxhovi u ka dhënë përgjigje objektive këtyre zhvillimeve, duke e parë Maqedoninë në qendër të tyre, ndërsa shqiptarët në rolin e faktorit që është përpjekur të mbetet pjesë e botës shqiptare, përkundër faktit se nga Konferenca e Londrës, ajo e Parisit, Jallta e deri te shpërbërja e Jugosllavisë dhe krijimit të shtetit maqedonas në vitin 1991, ka qenë pjesë e koniunkturave të huaj, që kanë bërë përpjekje që nëpërmes politikave të ndryshme antishqiptare, siç ishin programet për shpërnguljen e tyre për në Turqi e të tjera, t’ua shuajnë qenien etnike.
Në këtë zhvillim historik, vëmendje e madhe i kushtohet edhe pozitës së shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë, si pakicë kombëtare e më vonë si kombësi nga viti 1945-1991, dhe asaj pas shpalljes së shtetit të pavarur maqedonas në vitin 1991.

Për Buxhovin, pozita e shqiptarëve në shtetin maqedonas të mbështetur mbi parimin shtet komb, shfaqet diskriminuese, ngaqë reduktohen në pakicë (minoritet), gjendje kjo që do të prodhojë edhe luftën që shpërtheu në vitin 2001 me qëllim që shqiptarët ta avancojnë pozitën e tyre kushtetuese, nga pakica tek populli shteformues. Lita vlerëson se Buxovi, luftën e vitit 2001 e konsideron “të papërfunduar”. Në kuadër të kësaj lufte ai veçon tri aspekte të rëndësishme: atë ushtarak, diplomatik dhe politik. Sa i përket aspektit të parë, përkatësisht ushtarak, Buxhovi e vlerëson se lufta, ushtarakisht ishte mirë e organizuar, me dinamikë të përhapjes dhe e suksesshme për nga arritja e qëllimeve ushtarake. Edhe aspekti diplomatik i luftës, sipas tij pati jehonë pozitive, për shkak se UÇK-ja u shtri thuajse në mbarë hapësirën shqiptare në Maqedoni. Ndërsa aspektin politik, autori e konsideron të dështuar, për shkak se siç pohon “brenda tre muajve qëndrimet e UÇK-së kishin ndryshuar në kahun e tatëpjetës: nga ai i luftës çlirimtare kombëtare – që ishte iluzor, te opsioni për shtetin federal të dy popujve për të zbritur te opsioni i barazisë, që ishte real, te shteti multietnik, për ç’gjë nuk ishte nevoja të luftohej”.

Në fund, Qerim Litaq tha se autori Buxhovi, ka arritur sukses të jashtëzakonshëm, në zbardhjen e realitetit historik të hapësirës gjeografike të quajtur “Maqedoni” si dhe prezencë e popullsisë shqiptare në të nga koha antike e deri më sot. Thënë shkurt, Jusuf Buxhovi e bëri atë që është dashur me kohë ta bënin dy akademitë e shkencave shqiptare, si dhe pesë institutet shqiptare në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup.

Në fund, autori foli rreth nevojës për neoshqiptarizmin, si një imperativ në rrethanat e reja, me ç’rast theksoi se bashkimi kombëtar si ideologji e shekullit të kaluar, duhet të zëvendësohet me formulën e unionit të shteteve shqiptare. / KultPlus.com


Ditët e Nënë Terezës në Shkup, ITSHKSH epiqendër e aktiviteteve

Për të shënuar datat që lidhen me jetën dhe veprën e Nënë Terezës, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore Shqiptare në Shkup, ka planifikuar disa aktivitete dhe evente, me qëllim që kujtesa për këtë figurë të madhe të humanizmit planetar, të rifreskohet në vazhdimësi.

Kreu i këtij institucioni, Skender Asani njofton se më 26 gusht do të promovohet kompleti i veprave të shkrimtarit nga Prishtina, Anton Nikë Berishës, një korpus i lidhur tematik që i kushtohet figurës komplekse të Nënë Terezës. Me këtë rast ITSHKSH ka ftuar emra të shquar të letrave dhe të kulturës për të shpalosur të panjohurat e jetës dhe veprës së Nënë Terezës përmes këtij projekti voluminoz të shkrimtarit Anton Nikë Berisha.

“Gonxhe Agnes Bojaxhiu , e njohur botërisht si Shën Nënë Tereza, është e lindur më 26 gusht 1910 në Shkup dhe ne si Institut kemi planifikuar që në shenjë të ditëlindjes së saj të promovojmë një komplet prej shtatë veprash, ‘NËNA TEREZE NË SHTATË VËLLIME’  të studiuesit të shquar të letrave shqipe, Anton Nikë Berisha. Me këtë komplet veprash, në shtatë vëllime, për Nënën Terezën, autori zbulon një tjetër hapësirë mundësish të pakufishme jo vetëm trajtime teologjike por edhe për kundrime eseistike, për përsiatje të përshpirtshme dhe për zbërthime meditative. Sipas optikës studimore të Anton N.Berishës del se vepra e Nënë Terezës ishte dhe mbetët një shembull i rrallë në historinë e njerëzimit për dashurinë që tregoi dhe për flijimin që bëri për tjetrin sidomos për të varfëritë, për fëmijët jetimë e për të braktisurit. Do të donim që ne si ITSHKSH të vendosim një standardizim në valorizimin e veprave që ndërlidhen me figura të shquara të kombit tone dhe njerëzimit mbarë”, i ka thënë gazetës KOHA, Skender Asani.

Gonxhja u largua më 26 shtator 1928 nga Shkupi në drejtim të Dublinit, Irlandë. Për ta rikujtuar këtë ngjarje Asani veçon një fragment të letrës që ajo kishte shkruar drejtuar tezes së saj:

“E dashura Teze Lis! Më 26 të këtij muaji po nisem prej Shkupit. S’po mund mos me ju shkrue dy tri rreshta për juve. Lamtumirë, e deshiroj që Zoti t’ju nap gjithshka që ju deshron zemna. Dua t’ju fal gjanat ma të përzemërta, Gonxhja”.

ITSHK do të jetë epiqendra e aktiviteteve që do të shënojnë ditët e Nënë Terezës, përfshi edhe 3 vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës, që bota tash më i njeh si ditë të humanizmit dhe solidaritetit njerëzor.

Asani njofton se tash së fundmi ai dhe ekipi që drejton kanë siguruar dokumente shtesë nga arkiva të ndryshme evropiane që ndriçojnë historinë e sagës familjare të Gonxhe Bojaxhiut, e njohur në Shkup si strumbullari i vetëdijes kombëtare shqiptare të fillimshekullit të kaluar, kurse babai i Gonxhes, Kolë Bojaxhiu, ishte bartësi kryesor i kësaj vetëdije. Në këtë kontekst janë bërë edhe disa hulumtime në arkivat e Beogradit, prej nga Asani ka sjellur në Shkup dhjetëra dokumente e fotografi që plotësojnë mozaikun e njohurive mbi familjet katolike shqiptare të Shkupit, por edhe të familjeve katolike shqiptare të Shkupit.

Për një shënim sa më dinjitoz të Ditëve të Nënë Terezës në Shkup, Skender Asani apelon dhe fton të gjithë intelektualët, mediat, universitetet, shkollat të jenë bashkë me ITSHKSH që të dëshmojnë në praktikë përkushtimin ndaj kësaj nëne të madhe që shqiptaria i dha njerëzimit. /Koha.mk/ KultPlus.com

Adem Dermaku me ekspozitë në Shkup, tema politiko-sociale gërshetohet me fëmijërinë e autorit

Xhemile Hysenaj

”Kujtimet e mia, janë dhe tuat” është ekspozita e piktorit Adem Dermakut e cila ka zënë vend në Galerinë Kombëtare “Çifte Hamam” në Shkup.

Tema e kësaj ekspozitë ka ardhur si pasojë e ngjarjeve politike e sociale që zënë vend në Evropë, kryesisht në trojet shqiptare, me fokus më të madh në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Temë kjo që, e gërshetuar edhe me fëmijërinë e autorit ka ardhur si një kombinimin mjaft mirë i realizuar, duke ndërlidhur ngushtë përvojën personale të fëmijërisë së autorit dhe ndikimin që politika dhe shoqëria ka në formimin individual e më vonë edhe në atë kolektiv, shkruan KultPlus.

 Ekspozita e hapur më 8 gusht do të zgjasë deri më 15 të po këtij muaji, duke vazhduar më pas në Zvicër në shtator të këtij viti.

Të shfaqura nëpër muret e Galerisë Kombëtare,35 punimet e kësaj ekspozite përmbajnë tri lloje të teknikave të ndryshme të letrës, duke filluar nga litografia, monotopia dhe vizatimi, me një kombinim në mes të këtyre tre teknikave të shtypit të rrafshët.

‘Ekspozita asnjëherë nuk është e njëjtë, herë pas herë ajo merr formë tjetër por koncepti kryesisht do të jetë i njëjti, tema politike-sociale do të shfaqet çdoherë”, deklaroi Dermaku për KultPlus.

 Realizmi i projektit ka marrë tre vite kohë, pasiqë sipas autorit të veprave, pikturat janë një punë që ka kërkuar përkushtim.

 Adem Dermaku lindi në 31 korrik 1978 në Kamenicë të Kosovës. Jeton dhe punon në studion e njohur të litografisë J.E Wolfensberger në Zvicër. / KultPlus.com

Në Shkup themelohet Qendra Përkujtimore e Eksodit “Bllacë 1999”

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, në prag të shënimit të 20-vjetorit të eksodit masiv të shqiptarëve nga Kosova drejt Maqedonisë, themeloi Qendrën Përkujtimore të Eksodit „Bllacë 1999” – Shkup. Ky subjekt i ri, i cili do të funksionojë në kuadër të Departamentit të Muzeologjisë, u themelua nga Këshilli i Institutit, me propozim të drejtorit Skender Asani.

Vitin e kaluar, Instituti kishte përgatitur një elaborat të cilin ua dorëzoi dy qeverive, asaj të Maqedonisë dhe të Kosovës, që përvjetori në fjalë të shënohet me inaugurimin e një qendre përkujtimore dinjitoze në pikën ku ndodhi katastrofa humanitare në Bllacë.

“Bllaca, atëbotë, u bë kufi jo ndërmjet shteteve, por ndërmjet jetës dhe vdekjes! Duke qenë kjo katastrofë humanitare pikërisht në fund të shekullit XX, Bllaca mund të jetë metaforë edhe e të gjitha vuajtjeve të shqiptarëve nga viti 1913 e këndej. Në Bllacë vuloset vuajtja e vaji dhe aty personifikohen shpërnguljet e shqiptarëve që kanë ndodhur gjatë gjithë shekullit. Aty është ‘Muri i vajtimit’ të shqiptarëve për eksodin që e përjetuan”, u shpreh drejtori Asani.

Sipas tij, vendosja e kësaj qendre përkujtimore në Bllacë, do të duhet të shërbejë edhe si gurthemel i marrëdhënieve të mira të Maqedonisë dhe Kosovës, si peng kujtimi për atë ngjarje. Ajo pikë është jo vetëm guri i kufirit, por është edhe kujtesë se atëbotë Maqedonia – e gjetur ngushtë nga vala e madhe e refugjatëve, pas ndihmës ndërkombëtare – i hapi dyert dhe pranoi gati gjysmë milion njerëz. / KultPlus.com

Eros Ramazzotti me koncert në Shkup

Pas koncertit të Sting, Shkupi do të ketë edhe një ngjarje të madhe muzikore.

Në kuadër të turneut të tij botërore “Vita ce n’e” që do të përfshijë gjitha kontinentet, Eros Ramazzotti më 30 shtator do të mbajë koncert në “VIP Arena” në Shkup, njofton Telegrafi Maqedoni.

Koncertet dhe shfaqet e tij janë të njohura si më emocionueset në histori të muzikës pop.
Ramazzotti në Shkup do të vijë me produksionin e tij dhe Maqedonia do ta ketë mundësinë të sheh 100 për qind përjetimet nga koncertet e Eros Ramazzotti.

Koncerti i Ramazzottit në Maqedoni do të jetë më ekskluzivi në Evropë, siç ishte koncerti i Sting, duke pasur parasysh edhe kapacitetin e sallës.

Detajet tjera rreth këtij koncerti do të dalin gjatë ditës së sotme./KultPlus.com

Dita e Alfabetit, në Shkup apo në Manastir

Kryeqendra e aktiviteteve me rastin e 110 vjetorit të Ditës së Alfabetit do të jetë Shkupi.

Ngjarjet kryesore parashikohen të zhvendosen këtë vit në Shkup, ndërsa në Manastir manifestimet do të zhvillohen gjatë një javë, ditëve kur ka nisur dhe është mbyllur kongresi, shkruan gazeta KOHA. Në Sekretariatin për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, ku prej disa vitesh kujdesen për organizimin e kësaj date, janë duke bërë gati programin për këtë ditë, që duhet të miratohet nga Qeveria.

Gjasat janë që këtë vit, Parlamenti të jetë një prej destinacioneve ku do të zhvillohen një pjesë e aktiviteteve. Disa muaj më parë, nën patronazhin e kreut të Parlamentit, Talat Xhaferi u ngrit një Këshill i posaçëm, i angazhuar për të hartuar kalendarin e aktiviteteve me të cilat Maqedonia i bashkëngjitet ftesës për shënimet mbarëkombëtare. Ndërsa në Manastir shënimet zgjasin një javë. Nga Muzeu i Alfabetit apelojnë që në përvjetorë të tillë qytetit ku u mbajt Kongresi duhet t’i jepet rëndësia që e meriton.

“Ne jemi duke u përgatitur për të shënuar këtë datë me aktivitete që do të zgjasin nga 12-22 nëntor. Përveç Akademisë solemne, konferencave, do të ketë edhe manifestimeve me karakter artistik, si ekspozita, koloni, koncerte. Gjithsesi mendoj se kjo datë duhet që si pikë kryesore duhet të ketë Manastirin. Viteve të kaluara ishte traditë që vëmendja të përqendrohej në Shkup, por është mirë që Manastiri të mos rrijë në hije. Është e drejtë e shqiptarëve të festojnë në çdo qytet, por manifestimi kryesor duhet të mbahet këtu, në Manastir”, thotë për KOHA, drejtori Nuer Arsllani. Edhe Instituti i Trashëgimisë është pjesë e aktiviteteve për 22 nëntorin, por edhe të Vitit të Gjergjit.

Drejtori i ITSHKSH dhe zëvendëskryetar i Këshillit, Skënder Asani, thotë se instituti është bartës i aktiviteteve që janë zhvilluar deri tani dhe do të vijojnë deri në fund të vitit. Sipas Hasanit, krahasuar me Shqipërinë apo Kosovën, shqiptarët në Maqedoni kanë arritur të kenë aktivitete shumë ambicioze, siç është promovimi i librit për Skënderbeun, Java e Kulturës shqiptare, dokumente të pabotuara për familjet katolike në kuadër të 90 vjetorit të largimit të Nënë Terezës nga Shkupi, e të tjera.

“Në Parlament do të zhvillohet një ceremoni solemne, këtë vit kemi përputhje mes këtij përvjetori, por edhe ngjarjeve të tjera të rëndësishme për ne shqiptarët, si ligji për gjuhën shqipe. ne si Këshill jemi duke vazhduar me realizimin e programit të parashikuar, që deri në fund të vitit do të ketë edhe shumë ngjarje të tjera interesante”, thotë zëvendëskryetari i Këshillit, Asani.

Edhe pse “Viti i Skënderbeut” u shpall si një vit i aktiviteteve mbarëshqiptare, koordinimi mes tre vendeve për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta ka qenë i vogël. Në Maqedoni Viti i Gjergjit nisi më 17 janar, me shënimin e përvjetorit të 550 të vdekjes së Skënderbeut dhe promovimin e pullës postare me imazhin e heroit kombëtar./ KultPlus.com

Sean Paul me koncert në Shkup

Këngëtari i njohur, Sean Paul pritet të vijë në Maqedoni, ku do edhe mbajë një koncert për adhuruesit e tij.

Sipas paralajmërimit, ky koncert pritet të mbahet në stadiumin e kryeqytetit, në Shkup.

Ardhja e tij është paralajmëruar për datën 23 gusht, dhe do jetë mundësi e mirë edhe për adhuruesit e tij që jetojnë në Kosovë.

Ndryshe, duhet cekur se Sean Paul ka edhe një duet me këngëtaren shqiptare, Dua Lipa, e titulluar: “No lie”. /KultPlus.com

Turmat e njerëzve nga Kosova dërgohen në Shkup përmes artit

Alberina Haxhijaj

Dy ditë më parë artisti nga Kosova, Faton Mazreku ka dërguar 14 punime të tij në Shkup, punime këto të cilat përmbajnë turma të njerëzve, nëpër lokacione të ndryshme në Kosovë e që piktori i ka ngërthyer në piktura e tij. Gjithë kjo është bërë për të hapur ekspozitën e dytë personale të artisti të titulluar “Piktura”, shkruan KultPlus.

Secila nga pikturat e ekspozuar ngërthen në vete nga një tematikë, prandaj pikërisht ky fakt e ka bërë të vështirë për artistin edhe titullimin e ekspozitë. Ekspozitë kjo, në të cilën pjesa dërrmuese e pikturave, shfaqë turma të njerëzve. Artisti Faton Mazreku në një intervistë për KultPlus, ka treguar se si pikënisje për pikturimin e turmave dhe ngërthimin e tyre në punën e tij, ka qenë tregu.

“Tregu është pikënisja e motivi kryesor në pikturën time e që vazhdon të jetë prezent edhe në këtë ekspozitë ku nëpërmjet figurave që qëndrojnë aty shpalos kohën moderne. Pjesa tjetër e turmave të këtyre figurave janë afër Xhamisë ku kam reflektuar që të përshkruaj në mënyrë vizuale ngjarjet në shoqërinë dhe aktualitetin tonë. Pra një derë e cila shërben që këto figura të dalin me kokulur ku shihet si një problem social- shoqëror”, tregoi artisti për KultPlus.

Kjo ekspozitë përfshinë 14 punime, prej të cilave 13 janë piktura dhe 1 vizatim. Teknika e tyre është vaj në pëlhurë. Këto punime janë realizuar për një periudhë 3 vjeçare nga viti 2016 e deri më sot.

“Materialet apo teknika shpresë për mua mbetet piktura dhe si e tillë ndjeje kënaqësi që të bëjë një pikturë bashkëkohore dhe ti qëndrojë besnik pikturës klasike përkrah medieve të reja të artit”, tregon artisti, i cili shprehet i lumtur që puna e tij ka arritur që të ekspozohet edhe në Shkup.

“Sigurisht që është kënaqësi me ekspozu në Shkup ku si artist mirëpres kritika të reja nga një shtet tjetër. Kjo ishte një mundësi e artë e imja që të rinisë artin për ekspozita të tjera dhe si e tillë të më shërbejë si motiv i vazhdueshëm për tregimet, e që më duket se nuk më mbarojnë asnjëherë”, tregon ai.

Të gjitha punimet e prezantuara në ekspozitë ishin të reja përveç dy punimeve të cilat tregonin se artisti tashmë ka një bagazh artistik prapa tij. Dy nga pikturat e ekspozuara kanë qenë pjesë e ekspozitës në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, në Prishtinë.

Faton Mazreku studimet i ka mbaru në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Së fundi ka qenë pjesëmarrës në ekspozitën “ Artistët e së Nesërmes”, Qendra për Art Bashkëkohor Stacion, “ Artistet e rinj“ në Galerinë e Arteve të Kosovës si dhe pjesë e Rezidencës në Firence dhe Venecia e cila ishte mbështetur nga Fondacioni “HAJDE “ dhe STACION.

Në Qendrën Informative Kulturore, KIC Qik, në Shkup artdashësit do të kenë mundësi që ta vizitojnë këtë ekspozitë deri më datën 28 prill./ KultPlus.com

Me koncertin e tij recital “Mes Yjesh”, Dren Abazi ‘ndezi’ Shkupin (VIDEO)

Dren Abazi këngëtari i mirënjohur nga Kosova dërgoi në Shkup koncertin e tij “Mes Yjesh” për të promovuar njëherazi albumin e tij më të njëjtin titull dhe për të festuar 10 vjetorin e karrierës së tij muzikore, përcjell KultPlus.

Në sallën e Teatrit Popullor të Maqedonisë, i shoqëruar edhe nga Zig Zag Orkestra, ai dhuroi emocione të mëdha për publikun i cili mbushi sallën plot për të ndjekur këngë të reja dhe të vjetra të këngëtarit.

Ndërsa nuk mungonin edhe këngët qytetare të cilat erdhën të përpunuar me stilin e veçantë të këngëtarit dhe të orkestrës.

Këngëtari Dren Abazi është shprehur entuziast për këtë koncert gjersa u sqaroi të pranishmëve më shumë mbi koncertin dhe albumin e tij.

“Jam shumë i lumtur që kam realizuar një nga dëshirat e mia e që ka qenë të sjellë një koncert recital këtu në Shkup”, është shprehur ai për TV 21 të Maqedonisë./KultPlus.com

Muzika shqiptare do të përfaqësohet në festivalin “Ditët e Muzikës Maqedonase”

Artistë shqiptarë do të performojnë sonte në Days of Macedonian Music Festival Shkup, që do të mbahet në Muzeun e Shkupit, shkruan KultPlus.

Koncerti me muzikë kamertale do të interpretohet nga trio e instrumentistëve Merita Rexha- piano, Arben Llozi- violë dhe Jonela Golemi- flaut. Artistët do të interpretojnë vepra nga kompozitorët shqiptarë dhe maqedonas: Endri Sina, Goce Kolarovski, Tome Manchev, Shpëtim Kushta, Dorian Cene Çene, Boris Svetiev, Arbana Fejzo.

Pjesëmarrja e artistëve shqiptarë në këtë festival realizohet falë bashkëpunimit të Shoqatës së Kompozitorëve Shqiptarë (A.C.A) dhe Shoqatës së Kompozitorëve Maqedonas SOKOM. Ky bashkëpunim ka nisur në vitin 2016, në Balkan Contemporary Music Festival, mbështetur nga Ministria e Kulturës . Koncerti i artistëve shqiptarë është vazhdim i shkëmbimeve dhe pjesëmarrjeve të përbashkëta.

Koncerti do të filloi sonte nga ora 20: 00, në Museum of the City of Skopje./ KultPlus.com

U hap ekspozita personale e Burhan Ahmetit në Çifte Hamam

Në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë, të premten u hap ekspozita personale e artistit figurativ Burhan Ahmeti.

Artisti gostivaras, në këtë ekspozitë u prezantua me tetëdhjetë vepra – grafikë dhe pikturë. Pikturat janë të punuara në teknikën akril në pëlhurë, ndërsa grafikat në teknikat gjilpërë e thatë, akuatintë, drugdhendje, litografi, bakërshkrim, monotipi de grafikë digjitale.

Drejtoresha e IK Galeria Kombëtare e Maqedonisë, Dita Starova tha se në këtë galeri ekspozojnë artistë figurativë me kurrikulë të pasur dhe se i tillë është edhe Burhan Ahmeti.

“Në ekspozitën e mbajtur në Muzeun e Qytetit të Shkupit në vitin 2008, konstatuam se Burhan Ahmeti do të ngrihet në një artist me vlera të mëdha. Kur vitin e kaluar shprehu dëshirë që sivjet të ekspozojë këtu në Çifte Hamam, me shumë vullnet u pajtuam që t’ia mundësojmë këtë”, tha para të pranishmëve drejtoresha Starova.

Kuratorja Tanja Bundalevka tha se veprat e Burhan Ahmetit karakterizohen me një afirmim burimor të teknikave të grafikës, si dhe me një intelektualizëm të theksuar drejt artit vizual.
“Veprat e Burhan Ahemtit, të pastruara nga konceptet, na zbulojnë anën tjetër të tyre, forma të dizajnuara me efekte dekorative me ngjyra dhe një shije të veçantë të renditjes në hapësirë. Mes simbolikës dhe asoocimit, të së atëhershmes dhe të tashmes, gjurmët e së kaluarës dhe nxitjes së të resë, elemenete figurative të shenjave, simboleve, materialeve e përcaktojnë dhe transformojnë hapësirën si forma të reja për përdorimin e të vjetrave si të reja”, nënvizoi kuratorja Tanja Bundalevska.

Ekspozitën e shpalli të hapur profesoresha Nora Halimi e cila me këtë rast theksoi se Burhan Ahemti ka qenë gjithmonë krijues proaktiv, me kurajë dhe guxim për të ndjekur instiktin e tij, për të eksploruar gjini, teknika dhe subjekte te ndryshme artistike, i udhëhequr emocionalisht herë më shumë nga imagjinata, e herë nga dija dhe përvoja, por gjithmonë i udhëhequr nga pasioni për të transmetuar përmes veprës së tij energjitë e tij me të mira krijuese.

“Një artist shumë-dimensional sonte vjen si grafist dhe piktor. Përndryshe, është dhe pedagog dhe studiues arti, por mbi te gjitha është profil i artistit shumë të pranishëm gjithandej e kudo ku kryefjala është Arti. Filli që i bashkon veprat e tij, është padyshim ndjeshmëria e tij dhe shija e kultivuar estetike. Ekspozitat vijnë gjithmonë në forme të zbaticës me prurje të reja artistike, ndërsa ajo që unë i uroj Burhanit, është që periudha e baticës, ajo e tërheqjes dhe krijimit të sërishëm, të jetë e frytshme dhe të mos vonojë me prurjet e radhës”, tha ndërmjet tjerash profesoresha Nora Halimi.

Për të qenë e veçantë kjo ekspozitë, sodisja e veprave të Ahmetit kaloi nën tingujt e bukur të saksafonit, interpretuar Aleksandra Ilieva – saksafoniste me famë botërore, si dhe mysafirëve artisti u dhuroi nga një grafikë.

Është kjo ekspozita e njëmbëdhjetë individuale e Burhan Ahmetit. Ndryshe, ai ka marrë pjesë edhe në mbi njëqind ekspozita kolektive dhe koloni artistike në vend dhe jashtë.

Burhan Ahmeti ka diplomuar në vitin 2001 në Fakultetin e Arteve në Tetovë – dega e grafikës, ka magjistruar në Fakultetitn e Arteve të Bukura në Prishtinë në vitin 2005, ndërsa doktoroi në Novi Pazar në vitin 2016. Aktualisht punon në Fakultetin Pedagogjik në Shkup ku ligjëron metodikën e artit figurativ.

Ekspozitën e Burhan Ahmetit në galerinë Çifte Hamam, artdashësit do të mund ta vizitojnë deri më 17 dhjetor. Shkruajti Agim Mustafai. /KultPlus.com

U hap ekspozita e piktorit Bashkim Mexhiti në Shkup (FOTO)

Në Qendrën Kulturore Informative në Shkup, mbrëmë u hap ekspozita personale, e katërmbëdhjeta me radhë, e piktorit të mirënjohur nga Gostivari, Bashkim Mexhiti. Në këtë ekspozitë Mexhiti u prezantua me rreth 30 piktura në teknikën akril, të realizuar kryesisht në dy vitet e fundit dhe i përkasin ciklit të titulluar “Dimensione kohore”.

“Në botën artistike të Bashkimit lindin tinguj ku vjen në shprehje shenjtërimi i gjuhës dhe shkrimit të lashtë si dhe kompozicione të imagjinuara me sensacione të ngjyrës dhe sfondit ku ajo hidhet . Tërë ai narracion pamor vjen në shprehje nëpërmjet një ekspresiviteti dhe potezi gestual të fuqishëm artistik. Tradicionalja dhe universalja janë dy koncepte thelbësore që vërehen në opusin e tij, koncepte këto që në mënyrë mjeshtërore harmonizohen si në aspektin figurativ poashtu edhe në atë koloristik. Piktura e tij në shikim të parë duket si e pakontrolluar, ngjyrat si të hedhura, mirëpo prapavija është përplot me simbole dhe metafora të harmonisë dhe disharmonisë. Në një pjesë të madhe ngjyrat janë të konceptuara brenda një rrethi të imagjinuar, që e tregon në një mënyrë rrotullimin e qenësisë, ardhjen dhe vajtjen e të qenit dhe ontologjinë ekzistenciale”, tha profesoresha e historisë së artit Jelldëz Asani, në hapjen solemne para artdashësve të shumtë në Galerinë Imperial 1 të Qendrës Kulturore Informative në Shkup.

Dekani i Fakultetit të Arteve pranë Universitetit të Tetovës, Miftar Memeti, në fjalimin e tij përshëndetës, tha se nuk do të flasë për veprat e Bashkim Mexhitit, por për atë si personazh tejet i përkushtuar në çdo punë që e bën dhe për modestinë e tij.

“Bashkimin e njoh që nga vitet e tetëdhjeta, kur ishte shumë i ri. Ai gjithmonë ka qenë tejet i përkushtuar në punë dhe pjesëmarrës në shumë procese. Por, nga modestia ai gjithmonë qëndron një hap prapa të gjithëve, edhe pse kontribuon shumë. Bashkimi është jo vetëm një piktor i shkëlqyer, por edhe skulptor, vizatues dhe grafist i spikatur. Ai arrin që prej një realisti të përpiktë, të transformohet në një omodernist ekspresionist”, theksoi ndër të tjera dekani Memeti.

Në parathënien e katalogut, profesori Mixhait Pollozhani thekson se Bashkim Mexhit me takt të gërshetuar përvojat e enformelit, ekspresionizmit abstrakt dhe abstraksionit lirik, dhe duke ofruar një variant të kombinuar abstrakt i cili mban vulën ekzistenciale dhe artistike të kohës (post)moderne, ka arritur specifikat etnike dhe kulturore të proveniencës së tij.

Piktori Bashkim Mexhiti, në këtë ekspozitë aplikoi një formë të re të komunikimit me konsumuesit e artit. Në hyrje të galerisë vendosi një tabelë me përshkrim të motivit të veprave të ekspozuara.

“Motivi etimologjik i veprave pasqyron rrugëtimin e gjatë historik të trojeve tona nëpër kohëra, qëndresat shumëshekullore të periudhave të ndryshme, hyjnizimin e gjuhës, shkrimin e lashtë, si dhe lavdinë e të parëve tanë. Të gjitha këto motive të lartpërmendura, shtresohen në piktura abstrakte ekspresioniste dhe me shumë simbolikë. Elementet dhe parimet figurative, si dhe vetë procesi i veprimit në pikturë janë nën ombrellën e semiotikës dhe flasin me gjuhën e simbolikës që përfundojnë në kompozicione të dimensionit shpirtëror, duke shprehur lirikën e dhimbjes, shpresës dhe dashurisë“, ka shpjeguar Mexhiti.

Ndryshe, Bashkim Mexhiti që nga viti 1994 punon në Fakultetin e Arteve Figurative pranë Universitetit të Tetovës, ku prej vitit 2013 mban thirrjen Inordinar në lëndën Akti i mbrëmjes.

Krahas 13 ekspozitave personale të realizuara deri më tani, ai ka marrë pjesë edhe në shumë ekspozita kolektive dhe koloni artistike në vend dhe jashtë.

Ndonëse i specializuar në pikturë, Mexhiti ka realizuar edhe shumë skulptura, ndër të cilat shquhen shtatoret e Xhemë Hasës, Haqif Krosit dhe Komandant Tigrit.

Ekspozita do të jetë e hapur deri më 9 dhjetor./ KultPlus.com

Shkupi nderon Faik Konicën me pullë postare, autore një maqedonase

Në prag të Kongresit të Manastirit, Shkupi promovoi pullë postare me figurën e Faik Konicës. 75 vite nga vdekja e këtij personaliteti shqiptar, në tirazh prej 6000 ekzemplarësh dhe me vlerë nominale prej 18 denarësh, do të jetë pulla e re postale.

Promovimi u bë nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në bashkëpunim me Postën e Maqedonisë. Me këtë rast u hap edhe ekspozita e përhershme me figurat e kombit shqiptar.

Skënder Asani nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve theksoi se është bërë një punë e madhe bashkë me filatelinë, si organ i brendshëm i postave. Sipas tij, kjo duhet të jetë shembull edhe për institucionet tjera shtetërore.

“Është një punë kolosale, që institucionalizon historinë, traditën dhe kulturën shqiptare, në këto treva. Dhe do të jetë shembull për shumë institucione tjera se si duhet vepruar, në pozicion që e merr një opozionar, se si duhet punuar”, tha Asani.

Autore i kësaj pulle postale është Larisa Zhivkovska-Donev nga Byroja e Filatelisë.

Sipas drejtorit të Postave të Maqedonisë, Faadis Rexhepi, pullat postale janë ambasadorë të cilët përfaqësojnë historinë dhe kulturën e kombeve nëpër botë, përcjell TeSheshi.com.

“Pullat postale në vetvete ngërthejnë dy komponenta të rëndësishme: e para është me karakter komerical dhe e dyta komponentë jo më pak e rëndësishme, është se përfaqëson medium të llojit të vet, si për operatorin postar, ashtu edhe për shtetin”, u shpreh drejtori i Postave të Maqedonisë, Faadis Rexhepi./ KultPlus.com

Fillon Festivali i 11-të teatror ndërkombëtar “Skupi”

Me shfaqen “Shtëpia e Bernarda Albas” nga Frederiko Garsia Lorka në interpretim të Teatrit “Andon Çajupi” nga Korça, në Suli Han, sonte fillon Festivali i 11-të teatror ndërkombëtar “Skupi”.

Edicioni i sivjetmë i festivalit që do të zgjat deri më 18 tetor, është nën moton “Për frymë të shëndoshë”, ndërsa të gjitha shfaqet, përveç asaj së sontme, do të jenë në kinema “Frosina” në Qendrën Kulturore Rinore (QKR).

Përveç nga Shqipëria, në festivalin “Skupi” do të marrin pjesë edhe teatro nga Kosova, Rusia Izraeli, Serbia, Irani dhe Bullgaria.

Programi vazhdon nesër me shfaqen “Bisha” e teatrit “U Mosta” nga Permi, Rusi, ndërsa pasnesër është drama “Martiri” në realizim të Teatrit të qytetit nga Gjakova.

Të dielën shfaqe do të realizojë Teatri nga Beogradi, ndërsa më 17 tetor ai nga Teherani.

Festivali përfundon me shfaqen bullgare “Shërbëtoret” e Teatrit kombëtar “Ivan Vazov” nga Sofja. / KultPlus.com

‘SkupiFestival’ sjellë në edicionin e 11-të, shtatë shfaqje nga vende të ndryshme

Më 12 tetor në Shkup nis edicioni i njëmbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove ‘SkupiFestival’, shkruan KultPlus.

Ky festival i cili sivjet nis rrugëtimin e njëmbëdhjetë përgjatë tetë ditëve sa do të zgjasë do të sjellë shfaqje nga Shqipëria, Rusia, Kosova, Izraeli, Serbia, Irani dhe Bulgaria. Festivali nisë më 12 tetor dhe mbahet deri më 18 tetor në Qendrën Kulturore për të Rinj në Shkup.

Në vijim po i sjellim shfaqjet që do të prezantohen në festival bashkë me sinopsiset e tyre duke nisë nga shfaqja e cila hapë ‘SkupiFestival’:

Më 12 tetor me fillim nga ora 20:00 në Suli An – Çarshia e Vjetër prezantohet Teatri “Andon Zako Cajupi” nga Korca-Shqipëri. “Shtëpia e Bernarda Albës” nga autori Federiko Garcia Lorka është një ‘Spektakël Eksterier’. Jemi përpjekur që të gjithë përrallën ta përshtatim me vendin e veprimit, ndërkohë që publiku bëhet bashkëvuajtës me personazhet, ndihmuar kjo edhe nga vetë vendi i veprimit. Si rrallë herë ai në këtë rast do të ketë mundësinë për të parë një shfaqje në një shtëpi reale gjegjësisht në ‘Shtëpinë e Bernardës’.

13 tetori në QKR (MKC)-Salla Frosina me fillim nga ora 20:00 do të vjen teatri “U Mosdta” nga Premi-Rusi. “Bisha”, është shfaqja që u bë legjendare sepse shkaktoi bujë të madhe, duke e bërë këtë teatër mjaftë të popullarizuar në Rusi dhe jashtë saj. Aksioni i shfaqjes zhvillohet në rrënojat e civilizimit të zhdukur. Babai, Nëna dhe Vajza e tyre, janë të vetmit që kanë mbetur gjallë në Tokë. Ata enden në shkretëtirë, të djegur nga katastrofa atomike, në kërkim të njerëzve tjerë për ta shpëtuar jetën e Universit. Pos atmosferës së ftohtë të jetës pas Armagedonit botëror, shfaqja lë përshtypje të dritës dhe katarsës.

Më 14 tetor në orën 20:00 në QKR (MKC)-Salla Frosina do të ngjitët Teatri i Qytetit të Gjakovës “Hadi Shehu” nga Gjakova-Kosovë. “Martir” drama kontraverse nga autori Marous Von Mayenburg flet për jetën e një djali të ri Benjamin Sinclair që përqafon fundamentalizmin e krishterë , duke i turbulluar jetët e të rriturve të pafuqishëm rreth tij. Si një bombë me sahat,tregimi i Benjamin-it është shqetësueses për publikun. Por, njëkohësisht edhe tregim sfidues dhe tërheqës,jo vetëm për audiencën e re, dhe reflekton më së miri konfuzionin e botes sot,ku presioni e të qenit politikisht korrekt,tolerant ndaj paragjykimeve ndeshet me debatin e pafund rreth, religjionit,dogmës dhe shkencës. Drama e Mayenburg-ut nuk është vetëm një thumbim cinik për fobinë ndaj radikalizmit fetar në botën perëndimore. Drama në mënyrë groteske shpalosë frikën universale nga “të tjerët”, si një konstante e pavetëdijshme të shoqërive që supozohen të jenë tolerante.

15 tetor me fillim nga ora 20:00 poashtu në Sallën Frosina do të prezantohet ‘Artist Solo’ nga Tel Aviv, Izrael. “Tymos si një burrë” është një monodramë e inspiruar nga jeta e Frida Kalos. Kjo performancë teatrore, zbulon aspekte nga jeta e një grua komplekse dhe kryengritëse, grua që i thyen kodet e normës sociale, përballet me identitetin dhe çështjet gjinore, nga politika deri te arti, guximshëm e hap rrugën për shumë gra dhe për të ardhmen e tyre në vitet që do të pasojnë. Momenti kur mjekët e njoftojnë se këmba e saj duhet të amputohet, Frida ik në dhomën e saj dhe mbyllet brenda. Duke kaluar përmes dhembjes fizike dhe emocionale, ajo ndjen sesi muret e dhomës ngushtohen, duke e shtrënguar atë. Derisa mjekët trokasin në derë, Frida mentalisht ik në rrugën e shërimit të trupit të saj të sëmurë dhe në konventat sociale ku ajo u ngrit.

Ndërsa më 16 tetor QKR (MKC) – Salla Frosina me fillim nga ora 20:00 sjellë Qendrën për Dekontaminim Kulturor nga Beogradi-Serbia. “Vizione nga shekulli i argjendtë” është një rrëfim për të paparamenduarën. Fatimja u takon atyre që shpëtuan. Por, të keqes nuk i shpëtuan djali dhe burri i saj. Përfituesit e luftës arrijnë të kenë sukses që lufta të mos përfundojë. Trupat paqësore shikojnë dhe nuk ndërmarrin asgjë. Atyre që e pësojnë, nuk ka mundësi t’u ndihmohet. Ata, me vetminë e tyre bëhen të paprekshëm. Teatri nuk është e thënë të merret me politike dhe me siguri se nuk mund të ofrojë zgjidhje. Mund vetëm të parashtrojë pyetje për njerëzit që janë të ngatërruar në ngjarjet historike, për ata që shpëtuan dhe për atë që ndodh, për ata që duhet edhe më tej të jetojnë.

17 tetori në po të njëjtën sallë e po të njëjtën orë sjellë Kompaninë Teatrore Jirjirak nga Teherani, Iran. “Fol Medea” është një përmbledhje e impresionove dhe mendimeve të ndryshme për “Medean”. Ky është tregim për një grua të fuqishme, e cila ndjehet e lënë anash dhe e papërkrahur. Në vetminë e saj, ajo i hakmerret burrit të saj, kurse kjo vuajtjet e saja i bën si vuajtjet e Prometeut. Kjo pjesë shpreh respektin e të gjitha grave të të gjitha kohëve, që vuajtën nga shtypjet dhe mosrespektimi.

E krejt në fund, ky festival do të përmbyllet më 18 tetor me fillim nga ora 20:00 ku në sallën Sallën Frosina do të paraqitet Teatri Kombëtar “Ivan Vazov” nga Sofja-Bulgaria. Është shfaqja “Shërbëtorët” ku Sollanzh dhe Klara janë dy shërbëtore që krijojnë ritual sadomazohiste të elaboruara, sa herë që pronarja e tyre (Madam), nuk është prezent në shtëpi. Fokusi i lojës së tyre aktoriale është vrasja e Madam dhe ata ndryshojnë, duke i treguar të dy anët e ndarjes së fuqisë. Këmbëngulësia e tyre dhe përkushtimi i detajeve garantojnë se ata përgjithmonë nuk kanë mundësi t’i aktualizojnë fazat e tyre përmes “vrasjes” solemne e Madam në ritualin e shthurjes./ KultPlus.com

Në Shkup protestë kundër propozim-legjislacionit për gjuhën shqipe

Më se 100 vetë janë tubuar mbrëmë para Parlamentit të Maqedonisë për të protestuar kundër propozim-legjislacionit për zgjerimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në gjithë Maqedoninë, derisa ligjvënësit e kanë filluar debatin për këtë dokument.

Protesta ishte organizuar nga disa organizata nacionaliste të linjës së fortë, përfshirë Kongresin Botëror Maqedonas.
Protestuesit mbanin parulla me mbishkrimin “Tradhtia nuk është demokraci” dhe kërkuan që qeveria ta tërheq këtë propozim.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ka premtuar miratimin e këtij legjislacioni kur e ka arritur marrëveshjen për koalicion qeveritar me partitë shqiptare, më herët këtë vit.

Legjislacioni aktual e definon shqipen si gjuhë zyrtare, por këtë status e ka vetëm në hapësirat ku shqiptarët e përbëjnë së paku 20% të popullatës.

Shqiptarët e përbëjnë pothuajse një të katërtën e popullatës së përgjithshme të Maqedonisë, që i ka më tepër se dy milionë banorë./ KultPlus.com

Etno Fest “Tradita vazhdon” vjen me edicionin e shtatë

Etno Fest “Tradita vazhdon” vjen me edicionin e shtatë me radhë, ku edhe kësaj radhe pritet të ketë pjesëmarrës të shumtë dhe nga vende të ndryshme, përcjellë KultPlus.

Ky manifestimin ndërkombëtar kulturoro-sportiv në mundje tradicionale i cili organizohet nga Shoqata qytetare për arsim, kulturë, sport dhe ekologji “AKSI”, vjen më datë 17 shtator në Qendrën rekreative – sportive në Studeniçan.

Në këtë manifestim, pritet të marrin pjesë mbi dyqind mundës (pehlivanë) nga Kosova, Shqipëria, Bullgaria, Greqia, Turqia dhe Maqedonia, ku garuesit do të ndahen në pesë kategori.

Meqenëse manifestimi ka edhe karakter kulturor, AKV Emin Duraku, SH.K.A Yeni Yol dhe SH.K.A Kitka do të prezantohen me valle të ndryshme. Të gjithë ata që duan për së afërmi të shohin dhe të ndjejnë traditën e vjetër shqiptare të Karshiakës së Shkupit, do të jenë të mirëseardhur në këtë manifestim ndërkombëtar që është pjesë specifike e etnologjisë së kësaj treve.

Manifestimin financiarisht e mbështet Ministria e Kulturës së Republikës së Maqedonisë, TIKA-Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, Konfederata Botërore e Etnosporteve si dhe Federata Botërore e Organizatave Ballkanike.

Studeniçan mirëpret mundësit nga Ballkani. / KultPlus.com