Ndërkohë që vlojnë lajmet për gjetjen e mbishkrimit Dardanus në Shkup, sakaq në kryeqytetin e sotëm të Maqedonisë bashkëkohore, dhe kryeqytetin e dikurshëm të Dardanisë së lashtë, është gjetur qysh në vitin e largët 1930, pranë lagjes Nerez dhe malit të Vodnos, më saktësisht në Gorno Sonje, një mbishkrim ku flitet saktësisht për qytetin ilir të Albanopolisit, epiqendrën e gjenezës së ilirëve sipas historianëve të lashtë me në krye Ptolemeun (arsyeja përse sot të huajt na quajnë akoma Albanians). Në këtë mbishkrim të gjetur në një çezmë të braktisur, shkruhet: “POSIS MESTYLU F(ILIUS) FL(AVIA) DELUS MUCATI F(ILIA) DOM(O) ALBANOP(OLI) IPSA DELUS”, që në shqip domethënë: “Posis Mestylu, i biri i Flavias, të bijës së Delus Mukatit, me vendbanim në Albanopolis”. Në këtë mbishkrim të datuar mes viteve 71-130 pas Krishtit, me rëndësi thelbësore për gjurmët ilire në trevat shqiptare, kemi njëherësh përmendjen e disa emrave dhe mbiemrave ilirë, krahas theksit të veçantë mbi prejardhjen nga Albanopolisi, diçka rrallëherë të hasur tjetërkund.
Për këtë arsye, Shkup nevojitet të mbetet në qendër të vëmendjes së arkeologjisë shqiptare, përkundër pengesave dhe vështirësive, që gjurmët ilire mos të humbasin përgjithmonë./ KultPlus.com
Më 19 gusht “Times “, raporton se kryengritësit shqiptarë me 12.000 burra kishin çliruar Shkupin të enjten e kaluar, kishin marshuar në Selanik.
Nga Shkupi grupe kryengritësish marshuan drejt Tetovës, Kumanovës e Preshevës dhe i çliruan edhe këto qytete, duke liruar gjithashtu të burgosurit.
Një grup kryengritësish u drejtua për në Velesh. Udhëheqësit kryesorë të kryengritjes të cilët hynë në Shkup ishin, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Zefi i Vogël, dhe Bajram Daklani.
Hasan Prishtina kishte deklaruar: “Kush qëllon një plumb vetëm për kënaqësi do të varet: ruani ata për TURQIT. Ky është urdhër”./BW / KultPlus.com
Shkupi me disa aktivitete dhe manifestime shënon 56 vite nga tërmeti katastrofal në vitin 1963, në të cilin 1.070 njerëz e humbën jetën, ndërsa 3.000 u lënduan.
“Çdo vit, 26 korriku na përkujton solidaritetin e shkupjanëve dhe solidaritetin e botës në vitin 1963 kur tërmeti katastrofal, me fuqinë e vet shkatërruese mori shumë jetë njerëzish dhe Shkupin e shndërroi në rrënojë. Kjo datë është skalitur në memorien kolektive për Shkupin si një nga momentet më të vështira në historinë e vet të ekzistimit”, informojnë nga Qyteti i Shkupit.
Delegacione zyrtare dhe përfaqësues të institucioneve sot do të vendosin kurora lulesh në Varrezat e qytetit në Butel, para Përmendores së viktimave nga tërmeti katastrofal. Aksioni tradicional i dhurimit të gjakut do të mbahet prej orës 9:00 deri në orën 17:00 në Shtëpinë e organizatave humanitare “Dare Xhambaz”.
Në parkun e qytetit, afër “Guacës”, sonte në orën 19:30, me koncert të Korit të përzier të qytetit “Vardar” do të fillojë koncerti me të cilin Qyteti i Shkupit këtë vit e shënon 26 korrikun. Më pas do të pasojnë Big Bendi nën udhëheqjen e Ljupço Mirkovskit, këngëtares Kanita Suma, mjeshtrit grek në harmonikë, Tanos Stavridis, këngëtares serbe të muzikës burimore, Bilja Kërstiq dhe Vllatko Stefanovskit.
Plotësisht, institucionet e qytetit çdo vit përfshihen në shënimin e 26 korrikut.
Qendra rinore kulturore (QRK) e përgatitë ngjarjen “QRK prë Shkupin” me program tërëditor. Krahas dy punëtorive kreative për fëmijë të cilat do të fillojnë në orën 18:30 për shkrim kreativ, ilustrim dhe vizatim dhe programit të pasur muzikor, vizitorët saktë në mesnatë do të kenë mundësi ta shohin edhe projeksionin e realizimit më të ri të regjisorit Rade Sherbexhija “Çlirimi i Shkupit”.
Në Muzeun e Qytetit të Shkupit në rrjedhë është ekspozita e freskokopjeve nga rajoni i Shkupit.
Nesër në orën 19:00 në Parkun e qytetit, tek “Guaca” do të mbahet edhe punëtori për fëmijë “Ngjyrose Shkupin”, inspiruar nga “Shkupi 091”.
Shënimi i kësaj dite është përkujtues për të gjithë ne për dorën e shtrirë nga njerëzit human dhe për atë se çka bëri bota për ne në ato momente të rënda dhe tragjike.
Tërmeti katastrofal ndodhi më 26 korrik të vitit 1963 në orën 05:17, ndërkaq goditje më të vogla pati deri në orën 05:43. Tërmeti i Shkupit u ndje në hapësirë prej rreth 50.000 metrash katror. Nga goditja u rrënuan 15.800 banesa, ndërkaq u dëmtuan 28.000. Mbi 200.000 njerëz mbetën pa kulm mbi kokë.
Nga tragjedia në Shkup u shqetësua dhe u angazhua mbarë bota. Kryqi i Kuq ndërkombëtar u bëri thirrje të gjitha organizatave nacionale të organizojnë ushqim për fëmijët e Shkupit. Unioni interparlamentar dërgoi rekomandim të gjitha parlamenteve dhe qeverive të ndihmojnë në riparimin e qytetit. organizatat humanitare në shumë vende iu qasën grumbullimit të ndihmave për Shkupin. Kështu Shkupi u bë qytet i solidaritetit ndërkombëtar.
Kombet e Bashkuara menjëherë pas katastrofës ndërmorën aktivitete që në mënyrë planifikuese dhe afatgjate t’i ndihmohet qytetit të shkatërruar. Në kohën kur ekipe ekspertësh të KB-së filluan të arrijnë në Shkup, në selinë e organizatës ndërkombëtare u tha se Shkupi do të jetë përmendore e solidaritetit njerëzor. Më 23 shtator të vitit 1963 35 vende kërkuan që Asamblea e Përgjithshme të vendosë në rend dite të mbledhjes së vet pikë për ndërmarrjen e masave me rastin e tërmetit në Shkup. Pas katër ditësh, më 27 shtator, Asambleja e përgjithshme i dha prioritet aksionit ndërkombëtar për ofrim të ndihmës për Shkupin.
Më 14 tetor, pas diskutimit dyorësh, Asamblea e përgjithshme e KB-së, unanimisht miratoi Rezolutë për ofrim të ndihmës qeverisë jugosllave gjatë rikonstruimit të Shkupit. Në Rezolutë shprehet keqardhja me rastin e katastrofës së madhe. Në debatin për ofrimin e ndihmës për Shkupin, Asamblea e përgjithshme e dëgjoi fjalimin e përfaqësuesve nga mbi 20 vende nga të gjitha kontinentet. Ajo ditë hyri në analet e Kombeve të Bashkuara si dita e Shkupit.
Në historinë e vet të gjatë, qyteti disa herë është shkatërruar dhe sërish ka rilindur. Në hapësirën ndërmjet fshatrave Zllokuqan dhe Bardovc ka ekzistuar qyteti Skupi, metropol i Dardanisë. Ky qytet romak në vitin 518 ishte shkatërruar nga tërmeti. Atëherë në Dardani ishin rrënuar 24 kështjella të qytetit. Fuqia e atij tërmeti ishte 10 – 11 ballë. Tërmeti katastrofal tërësisht e shkatërroi Shkupin. Gjatë goditjes ishin krijuar shumë të çara në tokë. Nga kodrat përreth u rrënuan masa të mëdha shkëmbinjsh. Shkupi më pas u ndërtua në vendin e sotëm.
Edhe qyteti i ri nuk u kursye nga dukuritë sizmike. Tërmeti tjetër katastrofal ndodhi në vitin 1555. Fuqia e tij ishte rreth 10 ballë, pas çka qyteti sërish ishte shkatërruar.
Shkatërrimi i tretë i madh katatrofal i Shkupit ndodhi para saktë 55 viteve, në mëngjesin e 26 korrikut të vitit 1963 në orën 05:17 minuta./MIA / KultPlus.com
Mbrëmë me shfaqjen “Im atë donte Adolfin” nga Teatri i Qytetit- Gjilan, u mbyll edicioni i 48-të i Festivalit të Teatrove në Ferizaj, ku për tetë netë me radhë në skenën e Teatrit “Adriana” në Ferizaj u ngjitën trupa teatrore nga Shkupi, Korça, Prishtina, Prizreni, Gjilani, Kumanova, Ferizaj, dhe shfaqja mysafire “Le Pont” nga Franca me dy aktorët e kalibrit botëror, Rexhep Mitrovica dhe Arben Bajraktaraj.
E veçanta e këtij edicioni të 48-të Festivalit të Teatrove në Ferizaj ishte konkurrimi me katër drama shqipe si dhe pjesëmarrja e shfaqjes mysafire nga Franca. Sipas komunikatës së Komunës së Ferizajt, mijëra artdashës zunë vendet e tyre për të përcjellur çdo natë shfaqjet e programit të sivjemë të Festivalit.
Pas tetë netësh shfaqje teatrore të produksioneve ndër më të mira të sivjemë, juria e festivalit e përbërë nga Fadil Hysaj, Blerta Rrustemi-Neziraj dhe Nexhat Xhokli dhanë këtë vlerësim:
1. Çmimi i gazetarëve ferizajas, Shfaqja “Gratë”, Teatri Shqiptar- Shkup;
2. Skenografia më e mirë: Mentor BERISHA, për shfaqjen, “Ata që ikin”, Teatri “Bekim Fehmiu”-Prizren;
3. Kostumografia më e mirë: Samka FERRI, për shfaqjen, “Ata që ikin”, Teatri “Bekim Fehmiu” – Prizren;
4. Roli më i mirë episodik: Vjosa ABAZI, Teatri “Adriana” -Ferizaj;
5. Roli dytësor më i mirë (Femër): Armenis Jovanovska Nokshiqi, Teatri Shqiptar -Shkup
6. Roli dytësor më i mirë (Mashkull): Avni Shkodra, Teatri Qytetit-Gjilan
7. Aktorja më e mirë – Çmimi “Adriana”: Elia ZAHARIA, Teatri ”Andon Zako Çajupi” – Korçë;
8. Aktori më i mirë – Çmimi “Ismail Rama”: Shpëtim Selmani, Teatri Kombëtar i Kosovës
9. Regjia më e mirë: Qëndrim RIJANI, Teatri Shqiptar-Shkup
10. Çmimi për shfaqjen më të mirë të festivalit: shfaqja “Gratë” Teatri Shqiptar-Shkup.
Për tetë netë të festivalit, pas çdo shfaqje u mbajtën diskutime për shfaqjen të udhëhequra nga Haqif Mulliqi. Në këtë edicion të Festivalit në dërrasat e Teatrit “Adriana” u ngjitën mbi 100 aktorë dhe pati mbi 2000 shikues./ KultPlus.com
Maqedonia dhe Greqia kanë arritur marrëveshje sa i përket ndryshimit të emrit të Maqedonisë.
Kryeministri maqedon, Zoran Zaev dhe ai grek, Alexis Tsipras janë pajtuar në Samitin e Sofjes që emri i ri i Maqedonisë, të jetë “Republika e Maqedonisë së Ilindenit”, njofton Klan Kosova.
Ilindeni është Dita e Republikës së Maqedonisë.
Me këtë marrëveshje që ende nuk është konfirmuar, do t’i hapet rrugë anëtarësimit të Maqedonisë së BE dhe Aleancën Veri-atlantike.
Përveç “Republika e Maqedonisë së Ilindenit” opsion kanë qenë edhe emra tjerë si “Maqedonia e Epërme” ose “Republika e Maqedonisë së Shkupit”.
Analisti, Ylber Sela, ka thënë për Zona B direkt nga Sofja se mes Zaev dhe Tsipras është përmbyllur pjesa e parë e finales. Ai ka shtuar se edhe shqiptarët e Maqedonisë janë pjesë përbërëse e kësaj zgjidhjeje të arritur.
“Sot është ditë historike për Maqedoninë pasi interesi i shqiptarëvë është që Maqedonia të bëhet anëtare e NATO-s dhe të hyjë në BE”.
“Janë parë interesat bullgare dhe duhet të shihen edhe interesat e shqiptarëve sa i përket çështjes së emrit”.
“Besoj që më në fund Maqedonia të zgjedhë këtë kontest. Ardhja jo vetëm e Theresa May por këta muajt e fundit kemi pasur shumë liderë evropianë që kanë ardhë në Shkup. Roli i Bullgarisë është mjaft i rëndësishsëm dhe Sofja dha maksimumin dhe ky është fat që duhet të shfrytëzohet dhe po ia arrijnë qëllimit. Shpresoj që në vitin 2018 do të shkruhet me shkronja të arta për Maqedoninë”
Kurse analisti tjetër, Qashif Bakiu, ka thënë se Zaev dhe Tsipras janë përkujdesur që ta mbajnë të fshehtë këtë marrëveshje të arritur e cila sipas tij do të diskutohet edhe në të dy vendet përkatëse.
Ai ka thënë se në rastin e emrit të ri të Maqedonisë edhe historianët duhet ta bëjnë punën e tyre./Klan Kosova/
Ansambli i këngëve dhe valleve “Gjilani” po radhit suksese te njëpasnjëshme nëpër festivale kombëtare dhe ndërkombëtare. Kështu ndodhi edhe në festivalin ndërkombëtar “Shkupi Folk-Fest 2018”, ku zuri vendin e parë.
AKV “Gjilani” këtu u paraqit me potpuri këngësh të kombinuara nga të gjitha trevat shqiptare. Me këtë rast interpretuan këngëtaret tashmë të njohur: Avni Latifi, Qemajl Musliu, Afrim Haziri, Nazim Gagica, Adnan Leka, Nehat Ferati, Kaltrina Hajdari, Eronita Qerimi dhe Rinesa Zahiri, nën përcjelljen e orkestrës profesionale të artistëve gjilanas me përzgjedhjen e këngëve dhe udhëhequr nga maestro Murat Ismajli, në bashkëpunim me këshillin artistik te Ansamblit.
Gjithashtu AKV “Gjilani” u paraqit me “Kolazh vallesh” nga grupi i mrekullueshëm i valltarëve me koreografi të Qemajl Musliut.
Festivali “Shkupi Folk-Fest2018” është organizuar nga SHKA “Shqiponja” dhe komuna Saraj – Shkup. Është hera e dytë që mbahet dhe, sipas organizatorit, pritet të jetë tradicional. Ka karakter garues. Këso here në të morën pjesë mbi 20 ansamble dhe grupeve të tjera.
Në Kinemanë Jusuf Gërvalla sonte shfaqet filmi “SK2014” i cili e ndjekë ndryshimin e identitetit në qytetin e Shkupit. Prezent do të jetë edhe regjisorja Kumjana Novakova. Përveç shfaqjes së filmit do diskutohet edhe për ndryshimin e identitetit të qyteteve, shkruan KultPlus.
Si pjesë e Hacking Urban Space, të premten në ora 16:00 në kinemanë “Jusuf Gërvalla” organizohet shfaqja e filmit „SK2014“ dhe debati me regjisoren e filmit Kumjana Novakova me temë Identitetin e Qyteteve.
SK 2014 është një portret estetik i riorganizimit të madh të kryeqytetit të Maqedonisë, i nisur në vitin 2010 nga qeveria e krahut të djathtë, i njohur si “Shkupi 2014”. Qëllimi i projektit është ndryshimi i karakterit urban të qytetit nga ndërtimet moderne realiste të socializimit në pothuajse stil të ri ekskluziv të barokut dhe neoklasikes. Kurse në debat gjithashtu do të marrin pjesë edhe përfaqësues të Komunës së Pejës, dhe aktivistë të mbrojtjes së identitetit të qytetit të Pejës.
Filmi shfaqet në ora 16:00 në kinemanë “Jusuf Gërvalla, në kuadër të iniciativës HACKING URBAN SPACE me një seri të jashtëzakonshme të filmave që përqendrohen kryesisht në sfidat e efikasitetit në strategjitë urbane, rritjen e popullsisë, transportin e ngulfatur, mjedisin dhe problemet e tjera të veçanta me të cilat ballafaqohen 3 qytetet më të mëdha të Kosovës: Prishtina, Prizreni dhe Peja.
Hyrja është pa pagesë./KultPlus.com
Komuna e Çairit në Shkup planifikon te sheshi “Skenderbej” të organizojë orën letrare me pjesëmarrjen e poetëve nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria e mërgata.
Poetët që konkurrojnë për pjesëmarrje në këtë orë letrare duhet që tekstet e tyre t’i kenë të shkruara në gjuhën shqipe ose në ndonjë gjuhë tjetër, por edhe me variantin e përkthimit në shqip. Poezitë ose prozat e shkurtra nuk duhet të jenë më të gjta se 40 vargje ose prozat jo më shumë se një faqe shkrimi, të jenë të shkruara pa gabime të konsiderueshme gjuhësore, me porosi e qëndrueshmëri ideore e artistike. Tematikisht poezitë duhet të lidhen për figurat e ngjarjet me rëndësi historike shqiptare dhe frymëzime të tjera poetike. Juria letrare nuk lejon vargje që më vete ngërthejnë urrejtje, shund letrar dhe mangësi strukturimi poetik, tematik, refleksiv e motivues për dashamirët e vargërimit poetik.
Juria letrare ka vendosur që pjesëmarrësit duhet të paraqiten me krijimet e tyre deri më 28 gusht 2017, që të ketë lehtësi t’i përzgjedhë poezitë dhe t’ua bëjë me dije pjesëmarrësve të lejuar nga juri deri më 30 gusht 2017 se cilët do të marrin pjesë në orën letrare. Adresa elektronike ku duhet t’i dërgojnë krijimet letrare janë: [email protected], ose në FB e Fadil L. Curri, [email protected] ose në FB e Ahmet Selmani, [email protected] apo dhe në FB e Rexhep Bajrami. Të gjitha shkrimet dërgohen në rubrikat interne (inbox).
Mbrëmja letrare do të mbahet më 2 shtator në ora 20:00.
Me kërkesën e jurisë letrare, Komuna e Çairit e motivon financiarisht pjesëmarrjen e autorëve, gjegjësisht heq shpenzimet e udhëtimit. / KultPlus.com