Fragment nga kryevepra “Këshilla për jetën”

“Ashtu sikurse kafsha, e cila në të gjitha rrethanat ku gjendet, qëndron e kufizuar brenda rrethit të vogël që natyra pakthyeshmërisht ka përvijuar rreth qenies së saj, edhe masa e lumturisë së mundshme të njeriut është e përcaktuar a priori nga individualiteti, ndërsa qëndrimi i tij i natyrshëm ndaj kënaqësive të larta, mbetet i përcaktuar një herë e përgjithmonë nga gjerësia e tij shpirtërore.

Nëse dikush është shpirtngushtë, të gjitha përkujdesjet e mundshme, të gjitha përpjekjet që mund të bëhen nga jashtë, gjithë çfarë do të guxojë njeriu dhe fati për të, nuk do të mund ta ndihmojnë kurrë të kapërcejë masën e zakonshme të një kënaqësie ose të një lumturie akoma kafshërore.

Njeriu do të mbetet i lidhur ndaj kënaqësive seksuale, ndaj jetës familjare, ndaj shoqërisë së keqe dhe argëtimeve vulgare. As studimi, megjithë hapsirat e tij, nuk do të mjaftojnë për ta zgjeruar këtë rreth, sepse kënaqësitë më të larta, më të shumëllojshme, më të qëndrueshme janë ato të shpirtit, sado që gënjejmë veten për të kundërtën kur jemi të rinj, ato varen kryesisht nga forca intelektuale.

Nga kjo duket qartë se lumturia jonë varet nga ajo se çka jemi, nga individualiteti ynë. Ndërsa në shumicën e rasteve, vlerësojmë vetëm fatin, për atë çka kemi dhe çfarë paraqesim. Kush është i pasur në brendinë e vet, nuk do të ketë nevojë të kërkojë shumë nga fati, ndërsa torollaku dhe teveqeli do të mbeten të tillë deri në fund.”

– Arthur Schopenhauer, “Këshilla për jetën”

“Asgjë nuk mund të jetë e bukur, pa të vërtetën”

Filozofi gjerman Artur Shopenhauer fitoi famë vetëm në fund të jetës së tij. Në tekstin më të rëndësishëm që ai shkroi: “Bota si vullnet dhe përfaqësim”, botuar në 1819, pohonte se ajo çfarë ne shohim nuk është ajo që ekziston në të vërtetë. Në fakt, pas gjërave, në thellësinë e tyre, në esencën e tyre, fshihet një forcë e vetme që në mënyrë të vazhdueshme kondensohet dhe materializohet, duke i dhënë asaj zanafillën, që, në të vërtetë, na shfaqet në përvojën e përditshme. Kjo forcë, sipas Shopenhauerit, është vullneti. Përmes një shtegtimi skandinav nga një sërë ndalesash, njeriu, filozofi mund të arrijë të çlirojë veten nga vullneti dhe të bëhet padroni i saj, pasi ka njohur realitetin e vërtetë. Këtë gjendje Shopenhaueri, i frymëzuar nga Orienti, e quante Nirvana.

Bota do të shkojë shpeshherë drejt kalbëzimit. Bota nuk është gjë tjetër veçse paraqitja jonë. Kur ne paraqesim diçka, ne jemi, si në çdo veprim tonin, veçse organ zbatimi i një dashjeje për të jetuar të errët, që i vidhet pushtetit të vetëdijes. Nuk donte t’ia dinte nëse do ta botonin. Të themi të drejtën, Shopenhaueri, duhet theksuar, nuk ishte një tip i lehtë. E kaloi jetën në vetmi, duke studiuar, duke shëtitur, duke u grindur, shkruan Konica.al. Parapëlqente të rrinte më shumë me kafshët sesa me njerëzit. Kishte një qen qimedredhur, të quajtur Atma, në sanskrishte do të thotë shpirti i botës. Kur e qortonte, nuk i drejtoj me qen, por e quante atë “njeri”. Iu ngarkua për një vit, të mbante një kurs në Universitetin e Berlinit, kohë kur jepte mësim filozofi më i rëndësishëm gjerman, madje, ende i gjallë, Hegeli.

Shopenhaueri i planifikoi kurset e veta që të përkonin me ato të Hegelit, me qëllim që ta gjente klasën bosh. Për Hegelin, thoshte se ishte një “kokëshkëmb” dhe se askush nuk e kuptonte vërtet, madje dhe ata që thoshin se e kuptuan atë, realisht e keqkuptuan. Pati vetëm një pasues të gjallë, Philippe Mainlander, i cili, bëri vetëvrasje në moshën 35-vjeçare.

Artur Shopenhaueri, filozofi që ndërgjegjësoi njeriun për forcën e vullnetit, si zanafillë e veprimtarisë krijuese dhe asgjësuese iu përkushtua edhe shkencave të të gjallëve. Ai e donte zoologjinë, botanikën, mjekësinë. Në Sesionet e tij, rrëfente se kalonte ditë të tëra në kopshtin botanik në qytetin e tij. Një herë, ndërsa shëtiste midis bimëve ekzotike, ai u ndal para një luleje veçanërisht të harlisur. Nuk e përmbante dot veten së bëri gjeste, njëlloj siç bëjnë italianët kur duan të shfaqin habi dhe admirim. Po kalonte atypari kujdestari, i cili e pa Shopenahauerin në kumin e tij ndijimor. Iu afrua dhe me dy gishta e goditi lehtë mbi sup: “Po ti, kush je?” – e pyeti. Shopehanueri u qetësua, buzëqeshi dhe u përgjigj: “Po e dite, ma thuaj, i dashur zotëri, do të të isha vërtet mirënjohës”. /Konica.al /KultPlus.com

Letra e Joana Shopenhauer drejtuar të birit Artur Shopenhauer

I dashur Artur,

Toni serioz dhe i qetë i letrës tënde, më datë 28 mars, që shkoi nga mendja jote tek e imja, më zgjoi dhe zbuloi se mund të jesh duke marrë një rrugë në drejtim të kundërt me prirjen tënde! Prandaj unë nuk duhet të lë gurë pa lëvizur që të të shpëtoj, sado e mundur që të jetë kjo; unë e di çfarë do të thotë të jetosh një jetë të pështirë për shpirtin dhe, nëse është e mundur, dua të ta kursej, bir i dashur, këtë fatkeqësi.

Oh i dashur, i dashur Artur, përse zëri im pati kaq pak peshë, ajo që ti dëshiron tani ishte, në fakt, dëshira ime më e flaktë, sa shumë u përpoqa që ta bëja realitet, pavarsisht të gjitha atyre që u thanë kundër meje… nëse ti nuk dëshiron të ndjekësh rregullin e nderuar filistin, unë, Arturi im i dashur, vërtet që nuk dua të vendos ndonjë pengesë në rrugën tënde; vetëm ty të takon që të kërkosh rrugën tënde dhe ta zgjedhësh atë.

Më pas, unë do të të këshilloj dhe të ndihmoj aty ku është e mundur dhe si të mundem. Në fillim, përpiqu që të bësh paqe me veten…mbaj mend duhet të zgjedhësh studime që të premtojnë një rrogë të mirë, jo vetëm sepse është e vetmja mënyrë me të cilën ti mund të jetosh, pasi ti nuk do jesh ndonjëherë aq i pasur, saqë të mund të jetosh vetëm në saje të trashëgimisë.

Nëse e kë bërë zgjedhjen tënde, më trego cila është, por ti duhet që ta marrësh këtë vendim vetë…nëse ndjen se ke fuqinë dhe zemrën për ta bërë këtë, unë me dëshirë do të të jap një dorë. Por mos imagjino që jeta e një njeriu tepër të mësuar është shumë e këndshme. Unë e shoh tani përreth meje Artur. Është një jetë e lodhshme, me probleme, një jetë plot punë; bukuria qëndron vetëm në kënaqësinë që ajo sjell si punë; njeri nuk pasurohet me të; si shkrimtar, njeriu merr me vështirësi atë që nevojitet për mbijetesë…që të jesh në gjendje të nxjerrësh jetesën duke qenë shkrimtar, duhet që të jesh në gjendje që të nxjerrësh diçka të shkëlqyer.. tani më tepër se kurrë ka nevojë për mendje të shkëlqyera.

Artur, mendo për këtë gjë me kujdes dhe zgjidh, por më pas qëndro i vendosur; lër që këmbëngulja jote të mos tepet asnjëherë dhe ti me siguri që do ta arrish qëllimin tënd. Zgjidh atë që dëshiron.. por me lot në sy të përgjërohem, që mos ta gënjesh veten. Trajtoje veten me seriozitet dhe ndershmëri. Mbarvajtja e jetës tënde është në rrezik, sikurse dhe lumturia e ditëve të mia të fundit, sepse kam shpresë, që vetëm ti dhe Adela mund të zëvëndësoni rininë time të humbur. Nuk mund të duroj që ti të mos jesh i lumtur, veçanërisht nëse duhet të fajësoj veten që e lashë këtë fatkeqësi të ndodhte, për shkak të përultësisë time.

Më kupton, Artur i dashur, që ti je i shtrejtë për mua dhe unë dua të të ndihmoj me çdo gjë. Më shpërble me vetëbesimin tënd dhe që pasi të kesh ndarë mendjen të ndjekësh këshillen time në përmbushjen e zgjedhjes tënde. Dhe mos më lëndo duke u treguar rebel. Ti e di që unë jam kokëfortë. Unë i kuptoj argumentet dhe nuk do të kërkojë ndonjë gjë nga ty, që nuk do jem në gjendje ta mbështes me argumente..
Adieu, i dashur Artur, posta është urgjente dhe gishtat po më dhëmbin. Mendohu për të gjjitha gjërat që të dërgoj dhe të shkruaj dhe m’u përgjigj shpejt.

Nëna jote,
J. Shopenhauer

KultPlus.com