Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë kremtoi 20 vjetorin e themelimit

Në një ngjarje kulturore e artistike, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë në praninë e qindra dashamirëve të artit të të shkruarit ka kremtuar 20 vjetorin e themelimit të saj pikërisht në Qendrën Kulturore Shqiptare “Illyria” në New York.

Në këtë përvjetor si asnjëherë më parë kishte pjesëmarrje edhe nga shtete të ndryshme në SHBA, si dhe shkrimtarë nga Kanadaja e Meksika.

Ngjarja u nderua nga mysafirët e saj special, shkrimtari disident Visar Zhiti- Anëtar Nderi i shoqatës dhe Gjekë Marinaj, i cili është ndër themeluesit e parë të shoqatës, dhe President Nderi i saj.

Kryetari aktual i shoqatës Mëhill Velaj, i cili e drejtoi programin, në fjalën e tij theksoi “Unë si kryetar i kësaj shoqate ju shpreh mirënjohje dhe respekt të veçantë për punën e palodhshme të cilën e keni bërë dy dekada, në mënyrë që edhe këtu në Amerikën e largët të dëgjohet fjala shqipe, të zhvillohen veprimtari të ndryshme letrare e artistike edhe në kuadër të festave tona kombëtare e letrare artistike. Dinjiteti asnjëherë nuk ju mungoi, bashkë me kontributin tuaj dhe e bëtë pa hezitim e me plot vullnet. Kjo e bëri që Shoqata të funksionojë pa vështirësi, gjë që jam krenar me ju se pa ju dhe angazhimin tuaj, puna individuale nuk do të sillte suksese të cilat po i shohim sot e do t’i shohim edhe më shumë në të ardhmen e afërt e sidomos kur kjo shoqatë, po përqafon në gjirin e saj edhe shumë anëtarë të rinj të cilët po i bashkohen shoqatës sonë. Të bashkuar do të arrijmë suksese edhe më të mëdha”.

Në fjalën e tij presidenti i shoqatës Adnan Mehmeti duke i përshëndetur të pranishmit foli për arritjet e shoqatës në këto dy dekada, duke vënë theksin tek botimi i revistës periodike “Pena” dhe botimet e një pas njëshme të anëtarëve të shoqatës. Ai përmendi se librat e anëtarëve të shoqatës shpërndahen rregullisht nëpër bibliotekat e shoqatave të ndryshme shqiptare në SHBA, nëpër bibliotekat amerikane e deri tek Biblioteka e Kongresit Amerikan.

Me nga një fjalë përshëndetëse u paraqitën Visar Zhiti, anëtar nderi i shoqatës dhe shkrimtar i njohur, Gjekë Marinaj, kryetari i parë i shoqatës, Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në New York Frymëzim Isufaj, këshilltari shqiptar i New Yorkut Mark Gjonaj, kryetari i “Vatrës” Elmi Berisha, Skendër Kodra, kryetar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave, poeti nga Kanadaja Shani Pnishi, producenti Bujar Alimani, studentja Ilva Xhaferri, ndërsa Enkeleda Çelaj – Mundija, e bija e të ndjerit poetit Luigj Çekaj recitoi në kujtim të tij një poezi të poetit Luigj Çekaj. Me recitale të ndryshme u paraqitën aktorët e njohur në komunitetin shqiptar të Amerikës: Halil Tetaj, Shaban Lajçi dhe Avni Abazi.

Në këtë vit jubilar, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro- Amerikanë prezentoi para publikut edhe anëtarët e rinj të saj: Elida Rusta, Arjana Fetahu- Gaba, Ibadete Humolli- Tetaj, Monda Hamitaj, Prend Ndoja, Engjell Zerdelia, Hamide Shabani, Fjorela Forde, Merita Prenga dhe Hamit Alaj.

Në 20 vjetorin e saj Shoqata e Shkrimtarve Shqiptaro Amerikanë ndau edhe çmime:

Çmimi “Faik Konica”- Sevdai Kastrati

Çmimi “Fan Noli”- Julia Gjika

Çmimi “Peter Prifti”- Shaqir Salihu

Çmimi “Isuf Luzaj”- Kozeta Zylo

Çmimi “Arshi Pipa”- Arjeta Ferlushkaj

Çmimi “Rozi Theohari”- Ermira Mitre

Çmimi  “Agron Fico”- Bexhet Asani

Çmimi “Bilal Xhaferri”- Namik Selmani

Çmimi “Sami Repishti”- Luz Thaçi

Çmimi “Prenk Gruda”- Sabije Veseli

Çmimi “Luigj Çekaj”- Bora Balaj

Çmimi “Sotir Andoni”- Petraq Risto

Çmimi “Seladin Velaj”- Gjeto Turmalaj

Çmimi “Valter Lazeri”- Eleonora Gjoka.

Edhe ish- editori i gazetës “Dielli” Dalip Greca, i cili për vite ka qenë bashkëpunëtori i ngushtë i tyre, ka uruar shkrimtarët e kësaj shoqate për përvjetorin e saj: “Ndjehem mirë që në këto dy dekada të udhëtimit të shoqatës kam qenë bashkë me shoqatën në shumicën e veprimtarive të organizuara, në panaire, në promovimet e shumta, madje dhe bashkë organizator me “Vatrën” e “Diellin” në disa prej promovimeve siç ndjehem mirë që në bibliotekën më të pasur të komunitetit, në bibliotekën e “Vatrës” është krijuar këndi i krijueseve të Diasporës sonë në SHBA. Ndërkohë gazeta “Dielli” ka qenë e hapur online dhe në shtyp për shoqatën siç ka qenë “Vatra” një shtëpi libri me dyer të hapura për promovime”- thuhet ndër të tjera në urimin e tij. / KultPlus.com

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë organizoi “Panairin e librit 2021”

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë organizoi Panairin e librit New York 2021.

Në këtë event morrën pjesë shkrimtarë nga Amerika, Kanadaja, Shqipëri, Italia. Gjithashtu pjesë e këtij panairi ishin edhe shkrimtarët Visar Zhiti dhe Gjekë Marinaj.

Panairi u organizua në orën 13:30, pranë Qendrës Kulturore Shqiptare Illyria.

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është shtëpia e shkrimtarëve, ku vlerësohet fjala e tij e bukur, e ngrohtë, me një art tepër origjinal të rrëfimit. / KultPlus.com

Hapet ekspozita e librit “20 vite krijimtari letrare në SHBA”

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë hap ekspozitën e librit “20 vite krijimtari letrare në SHBA”. Është një ditë e madhe gati si një festë. Në këtë ditë do të ekspozohen botimet që lidhen me 20-vjetorin e historisë së saj si dhe anëtarëve të shumtë anembanë Amerikës. Është gjë e bukur që të njihemi dhe t’i prekim me dorë ose të sigurojmë kopje të krijimtarisë së botuar në këto vite.

Në këtë zyrë të përkohshme, në qytetin e Stamfordit, do të promovohet monografia voluminoze në dy vëllim e “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (2001-2011)” dhe “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (2012-2021)”, si dhe “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (Autorë dhe vepra)”. Do të prezantohet revista “PENA” me të gjitha numrat e saj, botimet nga Shtëpia Botuese “Adriatic Press” si dhe botimet që lidhen me Shoqatën dhe anëtarët e saj.

Ekspozita do të jetë e hapur nga 25 shtator deri më 10 tetor 2021, për fundjavë, duke filluar nga ora 12.00 ose sipas kohës së përshtatshme të shkrimtarëve, ndërsa zyra do të vazhdojë e hapur për takimet me anëtarët. (113 Broad Street, Stamford CT 06901)

Kjo zyrë është e përkohshme dhe modeste, me rafte të vegjël, por me botime me vlerë. Ajo do të jetë një portë e re për të hapur një ditë selinë e saj “Shtëpia e Librit Shqip”. Është një dëshirë e kahmotshme për shkrimtarët që botojnë libra, por që iu mungon një vatër institucionale.

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë tashmë është elita e shoqërisë në Diasporë. Ajo sjell me librin shqip në Amerikë për publikun amerikan kulturën dhe civilizimin e shqiptarëve. Ekspozita e librit “20 vite krijimtari letrare në SHBA” është jo larg bibliotekës së njohur të qytetit. Këtë bibliotekë e kemi pasuruar me libra shqip. Këtë mision do të vazhdojmë dhe në kohët që do të vijnë. “Gjithmonë e kam përfytyruar parajsën si një farë biblioteke”, – shprehet Jorge Luis Borges, një nga personalitetet më të njohur të letrave të shekullit XX.

Si asnjë herë tjetër do të jemi për një kohë të gjatë me lexuesin këto ditë. Madje disa kanë shprehur vullnetin dhe dëshirën për të punuar vullnetarë, për të qenë sa më afër librit dhe shkrimtarëve. Kjo nismë nuk do të ndalet, por do të vazhdojë deri në festimin solemn të 20-vjetorit të Shoqatës së Shkrimtarëve, të frymëzuar nga bekimi nolian.

Një falenderim për të gjithë anëtarët që në këto vite nuk pushuan me penën dhe mendjen e ndritur.

Qoftë me jetë të gjatë libri shqip në Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

* Autori është Presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë / KultPlus.com