“Duhen shumë mend që të mund të shoqërohesh me njerëz pa mend”

Sami Frashëri është një autor shumë i njohur, i cili ishte një shkrimtar, filozof dhe dramaturg shqiptar, dhe një figurë kryesore e Rilindja Kombëtare, lëvizjes së Rilindjes Kombëtare Shqiptare të fundit të shekullit të 19-të, së bashku me dy vëllezërit e tij Abdyl dhe Naim. Ai fitoi një vend në historinë e letërsisë osmane si një autor i talentuar nën emrin Şemseddin Sami Efendi dhe kontribuoi në reformimin e gjuhës turke osmane, përcjell KultPlus.

KultPlus iu sjellë një prej thënieve të tij më të njohura.

“Duhen shumë mend që të mund të shoqërohesh me njerëz pa mend”. /KultPlus.com

Frika nga Covid19 do t’i ndalojë njerëzit të ri-integrohen në shoqëri

Shkencëtarët kanë shprehur shqetësimet se ankthi i mbetur si pasojë e koronavirusit do të ndikojë tek disa njerëz që të krijojnë zakone të rënda të cilat mund t’i pengojnë ata që të riintegrohen edhe pas kalimit të pandemisë.

Koncepti i “Sindromës së ankthit nga COVID” për herë të parë është teorizuar nga profesorët vitin e kaluar, kur Ana Nikčević, nga Universiteti i Kingstonit dhe Marcantonio Spada, nga Universiteti i Bankës Jugore të Londrës, kishin vërejtur se njerëzit ishin duke zhvilluar një grup të veçantë të tipareve në përgjigje të COVID-19, përcjell KultPlus.

Sipas tyre, sindromi i ankthit është i karakterizuar kryesisht nga kontrollimi i vazhdueshëm për ndonjë simptomë eventuale të COVID-19, evitimi i vendeve publike dhe pastrimi i vazhdueshëm i cili kthehet në obsesion.

Hulumtuesit kanë theksuar se këto shenja shqetësuese të sjelljes nuk do të kalojnë lehtë, madje as pasi virusi të jetë futur nën kontroll.

“Frika është normale. Të gjithë i frikësohen virusit sepse është i rrezikshëm. Mirëpo, pritjet e mija janë se pjesë të popullatës do të evitojnë ri-integrimin dhe do të kenë brenga të vazhdueshme si pasojë e virusit pavarësisht se do të jenë të vaksinuar”, ka thënë profesori Spada. / KultPlus.com

Eric Klinenberg: Për të ripërtërirë shoqërinë, filloni me bibliotekën

Nga Eric Klinenberg, profesor i Sociologjisë në Universitetin e New Yorkut

Ky institucion vendimtar po shpërfillet pikërisht atëherë kur na nevojitet më shumë.

A është jashtë mode biblioteka publike?

Zëra të fuqishëm të shoqërisë duket se ndajnë këtë mendim. Vitet e fundit, rëniet drastike të qarkullimit të librave në disa rajone të vendit, bënë që kritikë të shquar të sillnin prova se tashmë bibliotekat nuk kryejnë më atë funksion të rëndësishëm të dikurshëm. Nëpunës të panumërt këmbëngulin se në shekullin e 21-të, kur kaq shumë libra janë digjitalizuar, kur në internet mund të gjesh kaq shumë kulturë dhe njerëzit rëndom ndërveprojnë virtualisht, nuk është e nevojshme ndihma që ofronte dikur biblioteka.

Aktualisht burimet e bibliotekave thuajse po shterojnë. Në disa qytete, edhe në qytete të begata si Atlanta, degë të tëra po shkojnë drejt mbylljes. Në San Jose, Kaliforni, aplikacionet “Facebook”, “Google” dhe “Apple”, kanë bërë që buxheti i bibliotekave publike të ngushtohet jashtëzakonisht shumë.

Mirëpo, problemi me të cilin po përballen bibliotekat në ditët e sotme nuk është i parëndësishëm. Në të vërtetë, në Nju Jork, por edhe në shumë qytete të tjera, tirazhi i librave të bibliotekës, frekuentimi i programeve dhe orët që shpenzohen mesatarisht në to, janë gjithnjë në rritje. Problemi i vërtetë me të cilin po ballafaqohen bibliotekat është se po frekuentohen nga shumë njerëz, për një shumëllojshmëri të gjerë qëllimesh, ngase sistemet e bibliotekave dhe punonjësit e tyre janë të mbingarkuar.

Bibliotekat po nënçmohen dhe braktisen pikërisht në momentin kur ato janë më të vlerësuara dhe të nevojshme. Përse kjo ndërprerje? Pjesërisht vjen për shkak të parimit themelor të bibliotekës publike – që të gjithë njerëzit meritojnë shërbim falas, një hyrje të lirë në kulturën dhe trashëgiminë tonë të përbashkët – çka nuk përputhet me logjikën e tregut që sundon shoqërinë tonë. Po ashtu, edhe për faktin se shumë pak njerëz me ndikim e kuptojnë funksionin e rëndësishëm që luajnë bibliotekat në komunitetet moderne.

Bibliotekat janë shembulli i asaj çfarë unë e quaj “infrastrukturë sociale”: hapësirat fizike dhe organizimet, të cilat modelojnë mënyrën se si bashkëveprojnë njerëzit. Bibliotekat jo vetëm që sigurojnë qasje të lirë tek librat dhe materialet e tjera kulturore, por ofrojnë gjithashtu edhe shërbime të tilla, si shoqëri të reja për të rriturit, de fakto shërbim për fëmijët e prindërve të punësuar, mësimdhënie për emigrantët dhe hapësira publike në shërbim të të varfërve, të pastrehëve dhe të rinjve.

Së fundmi kalova gati një vit duke bërë hulumtime etnografike në bibliotekat e qytetit të Nju Jorkut. Gjithnjë më sillej ndërmend, se sa të rëndësishme janë bibliotekat, jo vetëm sa i përket gjallërisë në lagje, por edhe për ndihmesën në trajtimin e gjithfarëlloj problemesh personale.
Për të moshuarit, sidomos vejushave, vejanëve dhe ata që jetojnë vetëm, bibliotekat janë hapësira për kulturë dhe shoqëri, përmes klubeve të librit, netëve të filmave, kurset e qepjes dhe klasave të artit, ngjarjeve aktuale dhe informatikë. Për shumë njerëz biblioteka është vendi kryesor ku ata ndërveprojnë me persona të brezave të tjerë.

Për fëmijët dhe adoleshentët, bibliotekat ndihmojnë në rrënjosjen e etikës së përgjegjësisë, për veten dhe fqinjët e tyre, duke u mësuar se ç’do të thotë të marrësh hua dhe të kujdesesh për diçka publike, mandej ta rikthesh atë në mënyrë që ta marrin edhe të tjerë pas teje. Për prindërit e rinj, gjyshërit dhe kujdestarët që ndihen të tensionuar, kur shikojnë një të mitur ose një foshnjë pranë vetes, bibliotekat janë një dhuratë hyjnore.

Në shumë lagje, veçanërisht në ato ku të rinjtë nuk janë të listuar në programe zyrtare pas-shkollore, bibliotekat janë tejet të kërkuara nga të rinjtë dhe adoleshentët që duan të kalojnë kohë me moshatarë të tyre. Një prej arsyeve mbetet fakti, se ato qëndrojnë hapur, mund ta përdorë kushdo dhe falas. Arsyeja tjetër është se anëtarët e stafit të bibliotekës i mirëpresin; madje në shumë degë caktojnë hapësira të veçanta që adoleshentët të rrinë me njëri-tjetrin.

Për të vlerësuar rëndësinë e mirëfilltë të bibliotekave, mjafton të krahasoni hapësirën shoqërore të bibliotekës me hapësirën shoqërore të qendrave tregtare. Vërtet janë pjesë të vlefshme të infrastrukturës sociale, por jo gjithkush mund t’ia lejoj vetes frekuentimin e tyre dhe jo të gjithë klientët që paguajnë janë të mirëpritur të qëndrojnë për një kohë të gjatë.

Të moshuarit dhe të varfrit shpesh do t’i shmangin absolutisht qendrat tregtare, sepse ushqimi është tepër i shtrenjtë dhe u duket sikur nuk i përkasin atij ambienti. Frekuentuesit e kahmotshëm të bibliotekave që njoha në Nju Jork më kumtuan, se po ashtu nuk ndjeheshin të mirëpritur në kafenetë e reja në modë, bare dhe restorante që janë kaq të zakonshme në lagjet e mëdha të qytetit. Të varfrit dhe të pastrehët dashamirës të librit, as që u vete në mendje të futen në këto vende. Përvoja u ka mësuar se thjesht qëndrimi jashtë një restoranti luksoz mund të nxisë menaxherët të thërrasin policinë. Gjithsesi, rrallëherë shohim një oficer policie të futet në një bibliotekë.

Kjo nuk nënkupton që bibliotekat janë gjithmonë vende të paqta dhe të qeta. Gjatë rrugëtimit të kërkimit tim, përjetova një sërë debatesh të nxehta, përplasje fizike dhe situata të tjera të pakëndshme, ndonjëherë përfshiheshin persona me probleme mendore ose nën ndikimin e drogës.

Mirëpo, probleme të tilla janë të pashmangshme në një institucion publik, për më tepër kur lejohet hyrja për të gjithë, veçanërisht kur klinikat e drogës, strehët e të pastrehëve dhe bankat e ushqimit u largohen vazhdimisht – dhe shpesh i referohen bibliotekës! – këta kanë më shumë nevojë për ndihmë. Të mrekullon fakti se sa rrallë ndodhin këto ndërprerje, se si menaxhohen në mënyrë civile dhe sa shpejt e rimerr tempin e saj biblioteka.

Çiltërsia dhe shumëllojshmëria që demonstrohet në bibliotekat e lagjes, dikur konsiderohej si shenjë dalluese e kulturës urbane. Por kjo ka ndryshuar. Edhe pse qytetet amerikanë po rriten gjithnjë e më shumë etnikisht, nga pikëpamja racore dhe nga ana kulturore, rëndom mbeten të ndara dhe të pabarabarta, me disa lagje që po i largohen ndryshimit – nganjëherë qëllimisht, nganjëherë vetëm për shkak të rritjes së shpenzimeve – veçanërisht kur bëhet fjalë për racën dhe klasën sociale.

Bibliotekat janë llojet e vendeve ku njerëzit me prejardhje, pasione dhe interesa të ndryshme mund të përfshihen në gëlimin e kulturës demokratike. Ato janë vendet ku sektorët publikë, privatë dhe filantropikë mund të punojnë së bashku, për të arritur diçka më shumë sesa linja e kuqe.

Këtë verë, revista “Forbes” botoi një artikull, ku argumentonte se bibliotekat nuk kishin një qëllim të përcaktuar dhe nuk meritonin mbështetje publike. Autori, një ekonomist, sugjeronte që “Amazon” të zëvendësonte bibliotekat me dyqanet e shitjes me pakicë dhe pretendonte se shumica e amerikanëve do të preferonin një opsion të tregut të lirë. Përgjigja e publikut, veçanërisht nga bibliotekarët, por edhe nga zyrtarë publikë dhe qytetarët e zakonshëm, u kundërshtua kaq fort saqë “Forbes” e fshiu artikullin nga faqja e internetit.

Duhet të kemi kujdes. Sot, si qytetet, ashtu edhe rrethinat po vazhdojnë të ripërtërijnë veten, kërkesa e tyre cinike pohon se qeveria nuk ka asgjë të mirë për të kontribuar në këtë proces, si rrjedhojë është e rëndësishme që institucionet si bibliotekat të marrin vlerësimin që meritojnë. Vlen të përmendet, se “liber”, rrënja e fjalës nga latinishtja “bibliotekë” nënkupton njëherazi “libër” dhe “të lirë”. Bibliotekat përfaqësojnë dhe shërbejnë si shembulli i diçkaje që i lypet mbrojtje: institucionet publike që – madje edhe në epokën e atomizmit, polarizimit dhe pabarazisë – shërbejnë si shtylla të shoqërisë civile.

Nëse kemi ndonjë shans për të ristrukturuar një shoqëri më të mirë, biblioteka si infrastrukturë sociale është pikërisht ajo që na nevojitet. / KultPlus.com

Familja dhe ndikimi i saj tek fëmijët dhe shoqëria!

Nga Batjar HALILI (psikolog)

Në realitetin familjar të ditëve të sotme që po kalojmë ngrihen shumë pyetje të natyrës: Pse fëmija im sillet keq? Pse po ka korrupsion shoqëror? Pse ka rënë cilësia e arsimit? Si dhe shumë pse-he të tjera të cilave pasojat ua shohim po shkakun nuk e dimë dhe e kërkojmë. Dhe vërtetë ka shumë arsye që ndikojnë në këto procese jetësore. Por ajo nëtë cilën duhet të fokusohemi për parandalimin e të gjitha dukurive negative është familja, aty ku individi rritet dhe zhvillohet.

Shfaqja e institucionit familjar përkon me historinë e njerëzimit. Megjithëse familja ka pësuar ndryshime strukturore përgjatë historisë, ajo ka mbijetuar deri në ditët e sotme.Edhe pse familja ndryshon në strukturë, ajo kryen funksione të ngjashme për të gjitha shoqëritë. Nëse ky institucion i përmbush pritjet e tij, do të dalë një shoqëri miqësore, kulturore, ekonomike dhe morale. Janë prindërit ata që formojnë themelin e institucionit familjar. Për këtë arsye, nëse roli prindëror është i rregullt, kjo është shumë e rëndësishme sepse ajo familje do të jetë paqësore dhe e lumtur që nga momenti që u krijuan dhe do t’i shërbejnë shoqërisë me dinjitet.

Edhe pse familja është blloku më i vogël i shoqërisë, apo thënë ndryshe siç e ka konceptuar Honore de Balzak, bërthama e shoqërisë, ajo rrjedhimisht ka një vend të rëndësishëm, jo vetëm për shoqërinë, por edhe për vetë jetën e individit.

Individi ka nevojë për një mjedis familjar, jo vetëm gjatë fëmijërisë dhe foshnjërisë, por në çdo fazë të jetës së tij. Sepse ai ka nevojë për një fole familjare ku do të gjejë paqe dhe ku ai mund t’i eliminojë streset dhe problemet. Njerëzit që rriten pa familje, në komunitet ose që nuk marrin mbështetje të mjaftueshme financiare, morale dhe edukative nga familjet e tyre ndjejnë thellë mungesën e mbështetjes familjare gjatë gjithë jetës së tyre dhe mungesa e një familje pa nivel reflektohet edhe në shumë fusha të tjera jetëesore.

Sa i përket shoqërisë, dhe kombeve të qytetëruar, ndodh shpesh që ne të pyesim pse kanë përparuar?! Kjo nënkupton që ata popuj, ato kombe kanë përparuar sepse përbëhen nga individë të arsimuar mirë në familje dhe me tradita edukimi. Sepse kombet janë të përbërë nga shumë bashkime familjare. Nëse struktura më e vogël që përbën bërthamën e shoqërisë është e shëndetshme, ajo shoqëri ka mundësi të shikojë me besim në të ardhmen. Individët e arsimuar që edukohen nga familje të sigurta, të lumtura dhe paqësore mund të japin një kontribut material dhe moral për familjen, mjedisin, kombin dhe shtetin e tyre.Ekzistenca e njerëzve dhe mbijetesa e shteteve mund të jetë e mundur vetëm nëse familjet e përmbushin këtë detyrë në një mënyrë të shëndetshme. Prandaj, zhvillimi i vetëbesimit të fëmijës varet nga marrëdhënia e shëndoshë dhe ndërveprimi midis fëmijës dhe prindërve.

Portrait Of Happy Family In Garden

Familja është institucioni më i rëndësishëm dhe i parë arsimor pasi edukatori dhe mësuesi i parë i fëmijës konsiderohen si prindërit e tij. Gjetjet e bazuara në përvojat personale dhe vëzhgimet e kontrolluara, tregojnë se foshnjat fillojnë të fitojnë zakone që nga ditët e para. Sipas teorisë së të mësuarit social, të mësuarit njerëzor realizohet, duke shikuar dhe duke dëgjuar më shumë. Kur e zbatojmë atë në teorinë e të mësuarit shoqëror në fëmijërinë e hershme, zbulojmë se mësimi, jo vetëm që përjetohet nga fëmija, por edhe nga vëzhgimi ose dëgjimi i asaj që po ndodh rreth tij. Është një rezultat i pranueshëm që fëmijët të arrijnë modelet më të shpejta të të nxënit duke imituar ose duke vëzhguar atë që po ndodh rreth tyre. Kjo do të thotë që fëmijët mësojnëshpejt që nga momenti që i hapin sytë në botë. Kjo situatë zbulon se koncepti se “një fëmije nuk kupton asgjë” është gabim.

Në këtë kontekst, mjedisi familjar ku fëmijët i hapin sytë jetës, është shumë e rëndësishme. Sepse familja është vendi ku hidhen themelet e zhvillimit kognitiv, afektiv, psiko – motorik dhe socio – kulturor të fëmijëve. Hulumtimet kanë treguar se shumica e sjelljeve të fituara në fëmijëri formojnë strukturën e personalitetit, zakonet, besimet dhe vlerat e individit në moshë madhore. Për këtë arsyenga familja e tij, fëmija mund të mësojë shumë njohuri, shkathtësi, sjellje dhe aftësi që nuk mund t’i mësojë në shkollë.

Nësë kundrojmë gjithë këto aspekte të thëna mbi zhvillimin e familjes atëherë kuptojmë që çdo aspekt ku kjo shoqëri është duke çaluar tregon që hallka e parë dhe më e rënësishmjaështë familja, e veçanarisht, mosgadishmëria e prindërve për të marrë përgjegjësitë qëju takojnë dhë kjo quhet kriza e prindërimit, që është determinues i të gjitha funksioneve që pasojnë në shoqërinë tonë./KultPlus.com

Mirush Kabashi: Shoqëria ka harruar besimin e vlerat e moralit

Artisti i merituar, aktori i madh Mirush Kabashi i ka drejtuar një mesazh të fortë shoqërisë shqiptare nga një aktivitet fetar në qytetin e Fierit. Ai ka qenë i ftuar në një aktivitet për muajin e Ramazanit të organizuar nga Myftinia Fier dhe ka folur për besimin e vlerat e moralit.

Kabashi tha se shoqërisë shqiptare i mungon besimi dhe pikërisht mungesa e besimit ka bërë që të harrojë vlerat shpirtërore e të moralit. Artisti i njohur dha edhe një mesazh për politikën në vend.

“Nuk jam një besimtar në kuptimin e rregullave që ka besimi. Por jam kaq i sinqertë kur ju them se dhe unë kam mënyrën time të besimit. I çmoj dhe i vlerësoj shumë ata që besojnë. Besimi nuk është vetëm për besimtarët por është edhe për laikët. Nuk mund të jesh njeri, nuk mund të kesh fisnikëri dhe të jesh i denjë për shoqërinë në qoftë se nuk beson së pari tek vetvetja, tek familja së dyti, tek shoqëria, tek e ardhmja, e pastaj besimi në nivelin më të lartë të tij, te Zoti. Kam bindjen që sot shoqëria shqiptare është e ngërthyer me konfliktualitet, edhe me agresivitet për hir krejtësisht të përfitimeve dhe fshihen pas ideologjive, kjo është thembra e Akilit. Sepse shoqërisë sonë i mungon besimi dhe janë shumë të paktë ata që besojnë. Dhe unë gjykoj që në mënyrë të veçantë, tamam mungesa e besimit e ka bërë shoqërinë tonë të harrojë vlerat shpirtërore, të harroje vlerat e moralit pa të cilat nuk mund të futemi atje ku ne aderojmë të futemi në shoqërinë europiane, pa moral. Nuk është ligji, është morali ai që e mban shoqërinë dhe ligji është vetëm për raste ekstreme…Nuk ka të ardhme pa besimin”, ishte mesazhi i gjigandit të skenës shqiptare.

Aktori i madh ka lexuar më pas një poezi të Andon Zako Çajupit, “Amaneti i Skënderbeut” për të cilën tha se është shumë aktuale për gjendjen politike që ka vendi sot.

“Ajo me të cilën fshihen politikanët tanë, duke treguar unitetin e fesë, ata për vete nuk e zbatojnë. Janë të parët që kanë zgjedhur konfliktualitetin”, tha më tej aktori i madh shqiptar./KultPlus.com