Shoqëria civile kërkon vetting në arsim dhe përjashtimin e plagjiatorëve nga UP

35 organizata të shoqërisë civile në Kosovë kanë dalë me një deklaratë të përbashkët për situatën në Universitetin e Prishtinës.

Në këtë deklaratë thuhet se “procesi i fundit i zgjedhjes së anëtarëve jokredibilë në Këshillin Drejtues të Universitetit të Prishtinës është vetëm një pjesë e shpërfaqjes së përmbajtjes jocilësore të institucioneve publike të arsimit të lartë në vend”.

Këto organizata kanë kërkuar vetting në arsim përmes projektligjit për Arsimin e Lartë që aktualisht është në procedurat e Kuvendit dhe përjashtimin e plagjiatorëve nga Universiteti i Prishtinës.

“Ne organizatat nënshkruese të kësaj deklarate, i bëjmë thirrje Qeverisë që të shfrytëzojë mundësinë përmes projektligjit për Arsimin e Lartë i cili tashmë është në procedura të miratimit dhe të ndërtojë mekanizma kontrolli për integritetin akademik, verifikimin e kredencialeve akademike dhe rritjen e rigorozitetit të rregullave për marrjen e titujve akademike e gradave shkencore”, thuhet në komunikatë.

DEKLARATA E PËRBASHKËT E SHOQËRISË CIVILE PËR SITUATËN NË UNIVERSITETIN E PRISHTINËS:

Procesi i fundit i zgjedhjes së anëtarëve jokredibilë në Këshillin Drejtues të Universitetin e Prishtinës është vetëm një pjesë e shpërfaqjes së përmbajtjes jocilësore të institucioneve publike të arsimit të lartë në vend.

Tash e dy dekada angazhim dhe përpjekje të strukturuara nga organizatat e shoqërisë civile për universitete publike, si dhe angazhimi i përgjithshëm i që pasluftës i të gjitha organizatave, nismave, organizimeve të shoqërisë civile dhe sektorëve të tjerë, po tregohen të padobishme për shkak të një numri dominues të stafit akademik pa kredenciale akademike. Procesi i fundit zgjedhor në Universitetit e Prishtinës ishte në njërën anë manifestim i një situate brenda UP-së ku grupet e brendshme të interesit po kontrollojnë proceset, dhe në anën tjetër alarm për gjithë shoqërinë që gjendja brenda këtyre institucioneve duhet të ndryshojë rrënjësisht.

Në një proces zgjedhor ku senatorë të UP-së mund të jenë dhe janë: plagjiatorë tashmë të shpallur edhe nga Këshilli i Etikës, apo persona pa kredenciale akademike, persona pa integritet për pozitat që i mbajnë, nuk ka asnjë mundësi që rezultati i vet atij procesi të prodhojë një kualitet tjetër. Rrjedhimisht, përzgjedhja në Këshillin Drejtues e të personave me probleme të theksuara të integritetit akademik, e dëshmon në mënyrë të qartë se institucioni ka probleme serioze me cilësinë dhe integritetin akademik, dy nocione themelore në saje të së cilave ekziston universiteti.

Edhe pas kaq vitesh rezistencë për universitet cilësor nga akterët e ndryshëm të kësaj shoqërie, gjithnjë ekziston tendenca, jo që proceset progresive të kthehen në pikën zero, por që këto procese të degradojnë në shkallë të paimagjinueshme.

Në këto rrethana, verifikimi i kredencialeve akademike me theks – tezave të doktoraturës dhe punimeve shkencore, është bërë domosdoshmëri. Është koha që institucionet e shtetit të fillojnë një proces kombëtar të verifikimit të kredencialeve akademike me qëllim pastrimin e strukturës së stafit akademik ashtuqë situata si të ditëve të fundit të mos jenë të mundura më.

Ne organizatat nënshkruese të kësaj deklarate, i bëjmë thirrje Qeverisë që të shfrytëzojë mundësinë përmes projektligjit për Arsimin e Lartë i cili tashmë është në procedura të miratimit dhe të ndërtojë mekanizma kontrolli për integritetin akademik, verifikimin e kredencialeve akademike dhe rritjen e rigorozitetit të rregullave për marrjen e titujve akademike e gradave shkencore.

Ne organizatat nënshkruese të kësaj deklarate, i shprehim universitetit zhgënjimin tonë të thellë që edhe në rastet kur nga vet organet e tij verifikohet plagjiatura e personave të caktuar, dënimet janë vetëm simbolike dhe në shpërputhje me praktikat globale. Prandaj, i thërrasim Universitetit të Prishtinës dhe institucioneve tjera relevante të Arsimit të Kosovë që plagjiatura të lihet jashtë cilitdo institucion kur verifikohet ajo.

  1. ORCA
  2. Arben Hajrullahu
  3. ANIBAR
  4. Balkan Art Zone
  5. CEL Kosova
  6. Center for Political Courage – CPC
  7. Community Development Fund – KCDF
  8. DardanaPress
  9. DokuFest
  10. EC Ma Ndryshe
  11. Iniciativa për Histori Gojore
  12. Instituti për Liri dhe Drejtësi
  13. Instituti GAP
  14. Junior Chamber International Prizren (JCI-Prizren)
  15. Kino ARMATA
  16. Kosovo Civil Society Foundation – KCSF
  17. Lëvizja Fol
  18. OJQ Admovere
  19. OJQ Syri i Vizionit
  20. OJQ Toka
  21. OJQ Zana
  22. Organizata Center for Education and Training Prizren – CETPrizren
  23. Organizata CIPOF/Childproof
  24. Organizata Çohu
  25. Organizata EcoZ
  26. Organizata Etea
  27. Organizata Germin
  28. Programi për të Drejtat Civile në Kosovë (CRP/K)
  29. Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)
  30. Qendra për Arsim e Kosovës – KEC
  31. Shoqata e Grave në Sektorin e Energjisë në Kosovë – AËESK
  32. Shkelzen Gashi
  33. Shoqata Afariste e Gruas She-ERA
  34. Shoqata e Intelektualëve të Pavarur në Deçan
  35. Youth Initiative for Human Rights – Kosovo. / KultPlus.com

Si u prit largimi i shkrimtarit Ismail Kadare nga Tirana dhe Shoqëria civile

Nga Aurenc Bebja, Francë – 24 Qershor 2021

Prestigjozja “Le Monde” ka botuar, të shtunën e 27 tetorit 1990, në faqen n°8, një shkrim në lidhje me largimin e shkrimtarit Ismail Kadare nga Shqipëria dhe marrjen e azilit politik në Francë.

Shqipëri: Largimi i Ismail Kadaresë

Habi dhe zemërim në qarqet zyrtare në Tiranë

Burimi : Le Monde, 27 tetor 1990, f.8

Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare mori azil politik në Francë të enjten e 25 tetorit. Ai shkoi menjëherë, së bashku me familjen e tij, në një vendbanim të qetë (të fshehtë) ku, sipas editorit (botuesit) të tij, z. Claude Durand, pronar i Fayard, ai do të mbrohet për disa kohë nga policia.

Megjithëse nuk u njoftua nga mediat zyrtare shqiptare, vendimi i Ismail Kadaresë për të qëndruar në Francë (Le Monde, 26 tetor) u bë pothuajse i njohur menjëherë në Tiranë, për arsye të pranisë – së jashtëzakonshme – të një numri të madh të gazetarëve të huaj që shkuan për të ndjekur konferencën e ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit të mërkurën dhe të enjten në kryeqytetin shqiptar.

Kushte jetese milioneri

Të informuar, ata, nga transmetimi në mbrëmje i Zërit të Amerikës, të rinjtë e Tiranës, pa u trembur nga policia, u shprehën të huajve kalimtarë mbështetjen e tyre për shkrimtarin. Në qarqet zyrtare shqiptare, nga ana tjetër, pas momentit të parë të habisë, vendimi i Kadaresë provokoi një farë ndjenje zemërimi ndaj një njeriu që ishte pjesë e aparatit dhe përfitonte nga një pozitë e privilegjuar në krahasim me pjesën tjetër të bashkatdhetarëve të tij.

“Kadare pati folur për refugjatët në ambasada si mbetje të shoqërisë shqiptare, tani ai veproi si ata,” i tha AFP-së një përfaqësues i ministrisë së jashtme shqiptare. “Nuk kuptoj. Ai kishte gjithçka, kushte jetese milioneri, ne botonim librat e tij, ai shkonte jashtë vendit kur të donte”, shtoi sekretari i përgjithshëm i Unionit të Gazetarëve, z. Ymer Minxhozi. Reagimet nuk ishin më pak të ashpra në qarqet letrare: “Edhe Vaclav Havel nuk u largua nga vendi i tij kur situata e tij ishte e vështirë, pas daljes nga burgu,” vuri në dukje një mik i Kadaresë, poeti Rudolf Marku.

Shqiptarë të tjerë të intervistuar nga gazetarë të huaj theksuan se lajmet për largimin e Kadaresë ndërsa Tirana organizonte një konferencë ndërkombëtare rrezikonin të zhbënin të gjitha përpjekjet e Shqipërisë për të dalë nga izolimi diplomatik. Sipas Elisabeth Champseix, mësuese (pedagoge) që kaloi gjashtë vjet në Tiranë dhe bashkëautore e një libri mbi Shqipërinë, largimi i Kadaresë, “është vitrina e vendit që po thyhet (shembet)”.

Nënkryetari i Frontit Demokratik, një organizatë masive e regjimit e udhëhequr nga e veja e ish-udhëheqësit Enver Hoxha, Ismail Kadare kishte marrë pjesë aktivisht në pranverë dhe në fillim të verës, së bashku me intelektualë të tjerë shqiptarë, në një ofensivë ndaj reformatorëve të partisë kundër konservatorëve, veçanërisht në një intervistë shumë të veçantë në të përjavshmen e Unionit të Shkrimtarëve, Drita. Ai po largohet nga vendi i tij në një kohë kur, sipas vëzhguesve të huaj të vendosur në Tiranë, regjimi komunist përballet me një popullsi gjithnjë e më të irrituar dhe gjithnjë e më pak të prirur nga frika.

https://www.darsiani.com/la-gazette/le-monde-1990-si-u-prit-largimi-i-shkrimtarit-ismail-kadare-nga-tirana-zyrtare-dhe-shoqeria-civile/