Alberina Haxhijaj
Në Qendrën Mulmedia në Prishtinë sot është diskutuar për temën “Gjeografia kulturore e Ballkanit Perëndimor: Bashkëveprimi midis estetikës dhe politikës”. Ky diskutim ka ardhur në kuadër të “Showcase”-it të parë të këtij formati në Kosovës, të cilin është duke e organizuar kjo qendër, shkruan KultPlus.
Paneli solli shembuj të praktikave nga akterët e pavarur kulturore të Ballkanit Perëndimor të cilët mund të ofrojnë pikëpamje për ndryshimin e mundshëm të paradigmës e cila do të nënkuptonte para së gjithash bashkëveprimin më efikas të veprimtarisë estetike dhe politike. Një mënyrë më efikase e integrimit kulturor brenda dimensionit të ri-vjetër rajonal – përmes teatrit, filmit, letërsisë apo artit vizual.
Në këtë panel diskutimi të moderuar nga Janko Ljumović, Drejtori i Fondacionit Lumbardhi, Ares Shporta tregoi për iniciativën për shpëtimin e kinemasë “Lumbardhi” në Prizren si dhe për hapa nëpër të cilat ata kanë kaluar. Sipas tij kinemaja ka pasur periudha të ndryshme . Ajo në një kohë ka qenë hapësira e preferuar e njerëzve ndërsa në një periudhë tjetër është parë si objekt komunistë, për shkak se ka qenë pjesë e trashëgimisë jugosllave që është barazuar me trashëgimin e Millosheviçit duke krijuar një distancim nga qytetarët. Për të pikërisht kjo ka qenë sfidë, pra bindja e qytetarëve se çfarë ka mbetur nga ajo kohë është Tutje ai tha se nuk mund të ketë shumë diskutime as në aspektin lokal as në atë në atë qendrore për politikat kulturore.
“Komunat janë me shumë të interesuara që me organizu vet aktivitet dhe me prodhu jetë kulturore për me kremtu ditë të rëndësishme që janë pjesë e agjendave të tyre. Nuk po krijohet përshtypja që ka ndonjë hapësirë për ndonjë transformim revolucionar të mënyrës sesi kjo funksion, për arsye politike por edhe për arsye ligjore dhe fiskale. Ndërsa në nivelin qendrore raporti me ministrinë është i kufizuar në aplikimin dhe pritjen për marrje të subvencionit”, u shpreh ai duke shtuar se realizimi i aktivitete kulturore bazohet në gjetje të përkrahësve apo në marrje të mbështetjes nga ndonjë ambasadë e cila ka një buxhet të caktuar edhe për aktivitete kulturore.
Tutje si pjesë e platfomës “Koperativa” e cila ka disa organizata të pavarura nga shtetet e ish-Jugosllavisë e cila synon me kriju struktura të bashkëpunimit në rajon, Ares Shporta u shpreh se pikërisht kjo po është në kundërshtim të plotë me politikat nacionale të këtyre shteteve dhe tentativat për bashkëpunime me ministritë e kulturës të këtyre shteteve nuk kanë pasur ndonjë rezultat pozitiv.
Në anën tjetër Sasa Ilic nga Serbia u shpreh se në aspektin kulturor më parë në ish-Jugosllavi ka ekzistuar një energji pozitive për bashkëpunim kulturorë diçka që nuk gjendet sot, sidomos në Serbi.
“Kemi humbur atë ndjenjën e kulturës dhe të artit. Gjatë gjithë kohës shohim mbrapa të kaluarën dhe nuk shohim përpara. Si praktikë kulturore, kur flasim për të ardhmen, besoj lidhja kulturore dhe bashkëpunimet kulturore mes vendeve duhet që të ndodhin dhe të ndryshojnë atë që politika mos të kontrollojë kulturën. Është e rëndësishme t’i përmirësojmë marrëdhëniet në mes të vendeve në mënyrë që të stabilizojmë gjendjen kulturore”, tha ai duke shtuar se nëse i pyesim politikanët atë thonë se kanë pikëpamje evropiane për kulturën mirëpo realiteti është i kundërt.
“Sot kryeministri apo ministri i kulturës sot janë kurator, politikanët janë bërë kurator të cilët përshembull thonë ky artistë ka marrë kaq para, ky artistë do të ekspozojë, pra kemi humbur ato vlerat e artit dhe të kulturës dhe është transformuar në këtë kulturë brutale e cila vetëm merr para për të qenë vetstabile”, u shpreh ai.
Drita Llolla tha se për të arrtitur ndryshimin kulturorë është shumë e rëndësishme që popujt e rajonit të pranojnë njëri-tjetrin dhe të mos stereotipizojnë kulturat e njëri-tjetrit. “Dëshira jonë ka qenë e thjeshtë që të kthejmë kinemanë në Ulqin e cila nuk ka funksionuar për më shumë se 20 vite”, tregoi ajo në fillim duke shtuar tutje se kanë hasur në vështirë gjatë rrugëtimit të tyre mirëpo i kanë tejkaluar sfidat.
“Mendoj që shoqëritë tona duhet që të maturohen deri në atë pikë që realisht të pranojnë njëri-tjetrin, të pranojnë ekzistencën e njëri-tjetrit, kulturat e njëri-tjetrit pasi që promovimi i vlerave kulturore të njëri-tjetrit mund të jetë pikënisje për një bashkëpunim real”, u shpreh ajo.
Në kuadër të ‘Qendra. Multimedia. Theater. Showcase. 2018” sot është mbajtur edhe panel diskutimi me temën “Shoqëritë evropiane reflektojnë për novelat kritike të krimit”. Më shumë për aktivitetet që do të mbahen nesër mund të klikoni këtu./Kultplus.com