Edicioni i dhjetë i Festivalit Ndërkombëtarë të Filmit të Animuar – “Anibar”, është mbyllur sonte. Ai është mbajtur nga 15 – 21 korrik në qytetin e Pejës.
Në këtë edicion jubilar, Anibar u bë nikoqir i mijëra mysafirëve nga mbarë bota dhe nga vendi, shfaqi 300 filma të animuar në pesë kinematë: Jusuf Gërvalla, Kinemaja për fëmijë e të ri në teatrin “Istref Begolli”, Kinemanë “Urban”, te Liqeni dhe te Kubat; po ashtu shfaqi 15 programe speciale, dy prezantime speciale nga regjisorët e serialit “Rick dhe Morty”, mbajti 5 punëtori për fëmijë dhe të rinj, si dhe dy masterklasa për studentë të artit dhe gazetarisë dhe katër panele diskutimi për rolin e artit në avancimin e të drejtave të njeriut dhe aktivizmit.
Anibar, po ashtu, shfaqi filmat që ishin në garë për filmin më të mirë të animuar të metrazhit të gjatë, ndërkombëtarë, nga Ballkani, filmin më të mirë të animuar me muzikë, dhe filmin më të mirë të animuar nga studentët.
Në vijim po ju sjellim fituesit e këtij festivali:
1. Në kategorinë e filmit më të mirë të animuar ndërkombëtarë fitues është:
Filmi “And then the bear” nga Agnès Patron;
Falënderim special për filmin “I’m going out for cigarettes”, nga Osman Cerfon dhe “Egg” nga Martina Scarpelli.
2. Garën për kategorinë e studentëve e fitoi filmi:
“Applesauce” nga Alexander Gratzer;
Falënderime speciale për “Hide N Seek” nga Barbora Halířová.
3. Nga kategoria e Filmit më të mirë të metrazhit të gjatë fitoi:
“The Tower”, nga Mats Grorud;
4. Nga gara për Filmin më të mirë të Ballkanit e fitoi:
“Imbued Life”, nga Thomas Johnson dhe Ivana Bosnjak;
Falënderime speciale për “N’korniz” nga Gëzim Ramizi.
5. Filmi muzikor i animuar më i mirë shpallet:
“Siamés – Mr. Fear”, nga Pablo Rafael Roldán dhe Ezequiel Torres;
6. Çmimi i Publikut iu dha:
“Toomas Beneath the Valley of the Wild Wolves”, nga Chintis Lundgren.
Juria kryesore e festivalit që përzgjodhi fituesit në katër kategori ishte në përbërje të: Koji Yamamura, Agotta Vegso, Annette Schinlder, Jeremiah Dickey, Lise Fearnley. Ndërsa filmin më të mire të studentëve e ka vlerësuar juria në përbërje të: Hana Arapit, Jon Mithi, Lum Radoniqi, Qëndrim Spahija, Rigon Kurteshi. / Koha.net / KultPlus.com