Dita e shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 ishte një moment historik për popullin shqiptar. Kosova u bë Republikë, duke shkaktuar festime të mëdha në të gjithë vendin. Mediumet ndërkombëtare raportuan drejtpërdrejt ngjarjen, duke e prezantuar si një hap të rëndësishëm në historinë e Ballkanit.
Njohja e pavarësisë nga shumë vende dhe reagimi i Serbisë dhe aleatëve të saj solli debat global. Kjo deklaratë e pavarësisë u përshkrua si një epokë e re për rajonin, duke sjellë shpresë për stabilitet dhe zhvillim.
Ishte dita më e rëndësishme për mbarë popullin shqiptar. 17 shkurti i 2008-s do të mbetet ngjarja dhe lajmi më i madh në histori.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës ndodhi. Kosova u bë Republikë. Festa ishte e madhe e gëzimi që aq gjatë njerëzit e kishin pritur, ishte i jashtëzakonshëm.
Gjithçka ndodhi në këtë ditë, u pasqyrua drejtpërdrejt në çdo moment në Radiotelevizionin e Kosovës. Nga komunat e vendit, jashtë tij e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes Televizionit Publik u pasqyrua në kohë reale Dita e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Lajmi i Kosovës shtet i pavarur dhe sovran zuri vend në televizionet dhe ballinat e mediumeve më të mëdha ndërkombëtare.
Në raportimin e tij, medium anglez BBC, shkruante se Kosova shpalli zyrtarisht pavarësinë e saj nga Serbia në shkurt të vitit 2008. Ajo kishte qenë nën kontrollin e OKB-së që nga viti 1999, kur NATO-ja dëboi milicinë serbe. Fuqitë e mëdha evropiane dhe Shtetet e Bashkuara e njohën pavarësinë e Kosovës, por deklarata hasi në një përgjigje armiqësore nga Serbia dhe aleati i saj Rusia, thuhej ndër të tjera në këtë medium.
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, ishte titulli i prestigjiozes amerikane The New York Times, në shkrimin e publikuar një ditë pas shpalljes së Kosovës shtet të pavarur dhe sovran. Në të shkruhej se përpjekja e Kosovës për t’u njohur si vendi më i ri i Evropës, pas një lufte civile që vrau 10,000 persona një dekadë më parë dhe më pas viteve të harresës nën sundimin e Kombeve të Bashkuara, ishte episodi i fundit në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, 17 vjet pas fillimit të shpërbërjes së saj.
NBC NEWS për këtë ditë shkroi se në Prishtinë, humori ishte plot gëzim. Mijëra shqiptarë etnikë u përballën me temperaturat e ulëta për të hipur në çatitë e makinave të tyre, duke kënduar këngë
patriotike dhe duke brohoritur akronimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata valëvitën flamuj amerikanë krahas flamurit të kuq shqiptar me një shqiponjë të zezë dykrenare.
Në këtë ditë, The Guardian, ballinën e saj e kishte mbuluar me flamurin kombëtar. Në të shkruhej se Kosova shapll pavarësinë. Përmes fotografive të ndryshme të festimit e gëzimit të qytetarëve, ajo e ka përshkruar shpalljen e Kosovës Republikë.
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia të dielën, ishte shkrimi i radhës i të përditshmes Reuters. Në këtë shkrim ajo renditi pikat kyçe të deklaratës së pavarësisë së Kosovës, në të cilin veçohet pika ku thuhet se kjo deklaratë pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në përputhje të plotë me rekomandimet e të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Martti Ahtisaari dhe propozimin e tij gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës.
Kosova bën shpalljen historike të pavarësisë nga Serbia, ishte shkrimi i të përditshmes britanike Independente. Në mes tjerash, në këtë shkrim thuhej se deklarata e së dielës ishte orkestruar me kujdes me SHBA-në dhe fuqitë kryesore evropiane, dhe se Kosova po llogariste në njohjen e shpejtë ndërkombëtare që mund të vinin që të hënën, kur ministrat e Jashtëm të BE-së të takoheshin në Bruksel.
“Një seancë speciale e parlamentit të Kosovës ka votuar për ta shpallur pavarësinë nga Serbia, me mijëra shqiptarë etnikë që bllokuan rrugët e Prishtinës, qytetit kryesor, për momentin historik”, pasqyrohet dita e shpalljes së pavarësisë në shkrimin e mediumit AL Jazeera.
Edhe mediumi gjerman DW e pasqyroi këtë ditë duke cituar se dhjetë vjet pasi Beogradi shtypi një rebelim në Kosovë, parlamentarët shpallën Republikën e Kosovës dhe shtetin sovran. Më tej thuhej se Parlamenti i Kosovës votoi pro pavarësisë nga Serbia, duke ulur perden e një kapitulli të gjatë të shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë.rtk/KultPlus.com