“Home” dhe “Shpat Deda Band” mahnitën mbrëmë Parisin (FOTO)

Mbrëmë në Paris, në kuadër të Organizimeve Kulturore “Parantezë kosovare”, u shfaq filmi “Home” dhe u mbajt koncerti “Shpat Deda Band”, shkruan KultPlus.

Ky organizim erdhi nga Ambasada e Kosovës në Francë në bashkëpunim me Bashkinë e Parisit 4, me mbështetjen dhe nën përkujdesjen e kryetarit të Bashkisë, Christophe Girard.

“Krenar me arritjet e fundit të kinematografisë kosovare dhe të artit kosovar në përgjithësi. Filmi « Home » është ko-produksion anglez dhe kosovar, dhe fitues i çmimit BAFTA 2017 për filmin më të mirë të metrazhit të shkurtë”, ka shkruar në rrjetin social Facebook, Qëndrim Gashi ambasadori i Kosovës në Francë.

Në koncertin pas filmit, Shpat Deda me anëtarët e grupit Nesim Maxhuni, Fatjon Miftari dhe Art Lokaj interpretoi këngë origjinale nga dy albumet e tij, “Molla e Parë” (2010) et “Shkëndijë” (2014)./ KultPlus.com

Ekspozita e Simon Shirokës e hapë ‘Parenthèse kosovare’ në Paris

Parisi do të mirëpresë këtë muaj një pjesë të kulturës shqiptare, në një organizim që quhet “Parenthèse kosovare”.

Nga data 10 deri me 25 nëntor, një ekspozitë, një shfaqje filmi dhe një koncert vijnë në kryeqytetin e Francës.
Salle Jean Mouly mirëpret ekspozitën e artistit të njohur Simon Shiroka, shkruan KultPlus.

Simon Shiroka u lind më 20 mars 1927 në Prizren, në qytetin me thesarin më të lashtë dhe më të larmishëm të artizanateve të traditës së përpunimit të metaleve të çmueshme. Mori dorë të mjeshtrit nga filigranistët më të shquar prizrenas dhe, duke pasuar ambicie më të madhe se shansi për t’u bërë një zanatçi i dalluar, vazhdoi ushtrimin dhe shkollimin e mëtejmë së pari në Beograd e pastaj në Zagreb, për t’u kthyer në Prishtinë dhe për të nisur një veprimtari tepër të pasur aplikative dhe artistike. Duhet theksuar se interesi i Shirokës për të aplikuar argjendin dhe materialet tjera fisnike në pikturë apo skulpturë artistike nuk ishte as i rastësishëm as i sforcuar.

Ai buronte nga një shpirt tejet i gjallë dhe i shqetësuar që hidhej në kërkime të vazhdueshme nga një entuziazëm çfarë rrallë mund të gjendet te artistët tjerë, edhe atëherë kur piktorët dhe skulptorët shqiptarë ishin mjaft të rrallë.

Simon Shiroka, jo vetëm që e avancoi artin e filigranit, por në të njëjtën kohë, edhe krijon vizione të reja me fantazinë e vet shpirtërore, duke shprehur ndjeshmëri për një art të lartë artistik. Talenti i mirëfilltë, përvoja dhe dashuria e zjarrtë për diçka të re, në artin e filigranit, gjurmon rrugë të teja sensitive, për ta sintetizuar artin kreativ dhe shprehjen e lartë artistike. Shiroka ka ndërruar jetë në vitin 1994.

Pos ekspozitës së Simon Shirokës, vjen edhe filmi “Home” me regji nga Daniel Mulloy.
“Home”, me aktorët Holliday Grainger dhe Jack O’Connell, fitues i çmimit BAFTA, flet për refugjatët. Arta Dobroshi, aktorja nga Kosova, është në mesin e ekipit që e ka realizuar filmin.

Filmi “Home” gjegjësisht trajton vuajtjet e refugjatëve dhe fatin e një familjeje e cila bëhet viktimë e zhvillimeve pa fajin e saj, duke u gjendur në situatë të njëjtë me refugjatët e vendeve të Lindjes. Familja në fjalë është angleze. Filmi është xhiruar kryesisht në Kosovë, përkatësisht në Janjevë dhe Graqanicë. Ai është kooproduksion i Kosovës dhe Britanisë së Madhe.

Pas shfaqjes së filmit, me 15 nëntor në ora 19:00 në Mairie du 4ème à Paris, këngëtari Shpat Deda, një prej producentëve të filmit, do të jetë i pranishëm për përgjigje ndaj pyetjeve të të interesuarve.

Deda në anën tjetër do të mbajë edhe një koncert, bashkë me artistët Nesim Maxhuni, Fatjon Miftari dhe Art Lokaj. / KultPlus.com

Për fëmijët e Kosovës koncert humanitar në Londër, këndon Shpat Deda

Shtabi i EBRD me mbështetjen e Ambasadës së Kosovës në Londër dhe Ibis London City Shoreditch do të organizojnë nesër një mbrëmje muzikore për të mbledhur fonde për fëmijët me kancer në Kosovë, shkruan KultPlus.

Mbrëmja do të mbahet tek Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ndërsa në këtë mbrëmje do të përformoj këngëtari Shpat Deda. Të gjitha donacionet do të shkojnë tek Kujdesi për Fondacionin e Fëmijëve të Kosovës për të siguruar që të gjithë fëmijët me kancer në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës të kenë qasje në barnat e nevojshme për trajtimet.

Kjo ngjarje është pjesë e një fushate për mbledhjen e fondeve e cila mbështetet nga Iniciativa e Komunitetit të EBRD, deri më tani kanë ngritur një fond rreth 20,000 €), EBRD ndërsa me kërkesë për ta mbështetur me tutje synon të ngrit një fond prej 50,000 € ./KultPlus.com

‘M’tha t’thashë’ vjen nga 5Ponca dhe Shpat Deda

5Ponca dhe Shpat Deda publikojnë projektin muzikor ‘M’tha t’thashë’, shkruan KultPlus.

Kjo këngë është muzikë elektronike në zhanrin trip, hop dhe IDM dhe është prodhim i Labinot Sponcës ndërsa teksti dhe melodia vokale janë krijuar nga Shpat Deda.

Regjinë dhe skenarin e videoklipit e ka bërë Noar Sahiti, e në klip luajnë Dukagjin Podrimaj dhe Sadie Suhodolli. / KultPlus.com

Koncerti humanitar me Shpat Dedën mblodhi 2,200 euro për fëmijët me kancer

Në një ambient të ngrohtë dhe me muzikën e veçantë të këngëtarit Shpat Deda, mbrëmë është mbajtur një koncert humanitar në Soma Book Station në Prishtinë. Të gjitha donacionet janë mbledhur përmes Fondacionit Kujdesi për Fëmijët e Kosovës (Care for Kosovo Kids) që në baza vullnetare, përkujdeset që të gjithë fëmijët me kancer në QKUK të kenë ilaçet e nevojshme dhe të domosdoshme për trajtim, shkruan KultPlus.

Në këtë koncert janë mbledhur 2,200€ dhe BERZH do ta dyfishojë këtë shumë.

“Sonte, me ndihmen tuaj, per femijet e prekur me kancer, mblodhem 2,200€ dhe BERZH do ta dyfishoje kete shume. Fondet e mbledhura do te transferohen menjehere nga Soma ne llogarine bankare te Fondacionit Care for Kosovo Kids qe perkujdeset qe te gjithe femijet me kancer ne QKUK te marrin ilaqet e nevojshme per trajtim. Falenderojme Soma Book Station qe na kane perkrahur per te zhvilluar kete aktivitet dhe kane dhene edhe donacion per kete iniciative”, kanë shkruar organizatorët në facebook, duke vazhduar tutje të falënderojnë Shpat Dedën dhe anëtarët e bendit: Ilir Bajrin, Nesim Maxhunin, Fatjon Miftarin dhe Art Lokaj, që i janë bashkangjitur kësaj iniciative me qëllim për të kontribuuar për këtë kauzë të ndjeshme.

“Faleminderit shume te gjithëve qe keni ardhur dhe keni kontribuar per te siguruar ilaqet per femijet e prekur me kancer ne QKUK. Shpresojme te ju shohim prape ne aktivitetet e radhes”, kanë shkruar tutje organizatorë duke na lënë të kuptojmë që organizime të tilla do të ketë edhe në vazhdimësi. / KultPlus.com

“Zâ Festival” sjellë katër artistë shqiptarë

Në ditët më të nxehta të vitit, nga kurora më e lartë e natyrës shqiptare, do të kumbojë muzikë dhe rrëfenja nën hijen e malit, shkruan KultPlus.

Më 26 gusht, edicioni i parë i Zâ Festival mbledh në Theth kantautorët më të mirë të muzikës shqipe: Elina Duni, Shpat Deda e Vlashent Sata do të performojnë në të parin festival që i dedikohet trashgimisë natyrore të Alpeve Shqiptare.

“Shpirti i Zâ Festival është i gjithë thesari gojor i “Bjeshkëve të Nâmuna”. Në skenën e festivalit, aktori i njohur edhe në nivel ndërkombëtare Arben Bajraktaraj do të na rrëfejë gojëdhënat, tregimet, legjendat dhe përrallat e moçme, si trashgimia më e vyer e paraardhësve tanë në këto vise”, thuhet nga organizatorët.

Ky festival premton të krijojë atmosferën e duhur për të shijuar traditën dhe natyrën e rrallë të Thethit. Një event që zhvesh nga harresa bukuritë e paçmuara të Alpeve. Zâ Festival, Theth, 26 gusht – Muzikë dhe rrëfenja nën hijen e malit. Festivali do të zhvillohet pranë Kishës në Theth.
Hyrja është e lirë për të gjithë pjesëmarrësit./KultPlus.com