Shpella e “Kaurit”, 40 km larg qytetit të Pukës, vijon të befasojë me bukurinë dhe misterin e saj, turistët vendas e të huaj.
Ky vendstrehim natyror që të mahnit me misteret e saj është zbuluar nga banorët e trevës, të cilët thyhen heshtjen e misterin që mbarte kjo shpellë, duke provuar të hynin në brendësi të saj e të shuanin kuriozitetin.
Ajo që habit të huajt është fakti se në këtë shpellë, shekuj më parë, banorët katolikë të zonës turreshin të fshiheshin në labirintet e saj për t’i shpëtuar ndërrimit të fesë së tyre duke u kthyer në myslimanë nga pushtuesit turq.
Shpella e Kaurit dikur e panjohur është një objekt me vlera të rralla dhe kohët e fundit ka ngjallur interesimin e shumë studiuesve vizitorëve vendas e të huaj.
Emanuel Pjetri, guidë turistike në Pukë, tha për ATSH-në se “shpella e Kaurrit është një ndër destinacionet e preferuara të turistëve vendas, por sidomos të huajve që kryesisht janë polakë, gjermanë, por edhe nga vende të tjera. Gjatë sezonit veror pothuajse çdo ditë shoqëroj grupe me turistë në këtë shpellë, të cilët mahniten nga pamja që ofron ky vendstrehim shekullor, por edhe me bukuritë e rralla të natyrës që të shoqërojnë deri në vendin ku ndodhet shpella”.
Sipas tij, për të mbërritur tek Shpella e Kaurit, duhet të udhëtosh fillimisht me makinë e më pas me varkat e banorëve të zonës i afrohesh vendit ku gjendet ajo, në buzë të Liqenit të Komanit.
Banorët dhe gojëdhënat thonë se Shpella e Kaurit daton që para lindjes së Krishtit dhe ka pasur si funksion mbrojtjen e malësorëve nga okupatori turk që detyronte malësorët që të ndërronin fe. Që në hyrje të shpellës gjenden shumë gjurmë të krishtërimit me vizatimet murale, ndërsa nuk mungojnë edhe disa prej almisçeve (vegla dhe enë prej guri të përdorura nga banorët e zonës) që e vërtetojnë këtë.
E pozicionuar vetëm 40 km larg qytetit të Pukës, kjo shpellë prej shumë vitesh ka qenë e panjohur për banorët. Ndodhet afër fshatit Lëvrushk, në malin e Kollatës dhe është një monument kulture i denjë për t’u vizituar nga afër. E formuar si shpellë karstike në formacionet e gëlqerorëve të periudhës së trias–jurasit, kjo shpellë është e gjatë 110 m.
Dallohet si një shpellë tipike karstike me stalaktite dhe stalagmite që i japin më tepër bukuri. Shpella e Kaurit ka qenë e banuar që në lashtësinë e hershme. Por edhe më pas, gjatë periudhës bizantine ka gjurmë jete. Kjo shpellë ka qenë një vend ideal për murgjit, të cilët më të qetë dhe më të vetmuar se aty nuk kishin ku të gjenin vend tjetër. Sot ajo tërheq shumë turistë për karakteristikat e saj, si edhe për natyrën që e rrethon. /ATSH/ KultPlus.com