Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Berat, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale njoftoi se specialistët e AdZM Berat kanë kryer një monitorim tek monumentet e natyrës “Kanionet e Gradecit” dhe “Shpella e Pirogoshit”.
“Këto monumente kanë një veçanti”, thuhet në postim. Në brendësi të monumentit “Kanionet e Gradecit” gjendet edhe monumenti “Shpella e Pirogoshit”.
Shpella e Pirogoshit ka një hyrje të gjerë 12 m dhe me lartësi 4-5 m. Gjatësia e eksploruar deri më tani është 1853 m. Shpella, përgjithësisht është lehtësisht e kalueshme dhe në brendësi të saj gjenden stalaktite e stalagmite. Gjithashtu kjo shpellë është strehë për një koloni lakuriqësh nate.
Shpella e Pirogoshit është më e madhja në Skrapar e ndër më të veçantat në Shqipëri.
Kjo shpellë është vizituar nga shumë grupe speleologjike të huaja franceze dhe holandeze. Eksplorimi i plotë i saj, u krye në vitin 1995 nga speleologët italianë të grupeve “Puglia Grotte dhe Dauno”./ atsh /KultPlus.com



