Më 25 mars do të mbahet Dita Evropiane e Autorëve, që është një iniciativë e nisur në vitin 2023 nga Komisioni Evropian, ku do të marrin pjesë 120 autorë në shkolla të ndryshme dhe përkthyes nga 40 vende të ndryshme të Evropës, në mesin e të cilëve janë pesë shqiptarë.
Turneu i shkrimtarëve dhe përkthyesve evropianë, është organizuar bashkë me Komisionin Evropian dhe organizatat anëtare, bashkë me EUPL, në mënyrë që brezat e rinj të lidhen më shumë me leximin.
Sipas njoftimit në faqen zyrtare të Këshillit të Shkrimtarëve Evropianë, në mesin e shkrimtarëve pjesëmarrës do të jenë pesë shqiptarë, tre prej të cilëve janë nga Kosova dhe dy të tjerë nga Shqipëria.
Shkrimtari Ag Apolloni do të mbajë prezantimin e tij në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë, me librin e tij “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur”.
Autorja tjetër, Vlora Konushevci, do të jetë e pranishme në gjimnazin “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë, me librin e saj “Lavdi Vetës”.
Kurse, autori Shpëtim Selmani, do të jetë në shkollën “Ali Asllani” në Doganaj të Kosovës, me librin e tij me poezi “Në kohën e gjakut dhe zhgënjimit”.
Ndërkaq, autori nga Shqipëria, Arian Leka, do të marrë pjesë në gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë me librin “Hartë Memece për të mbyturit”, dhe Entela Kasi do të paraqitet në bibliotekën “Thimi Mitko” në Korçë me veprën e saj “Rikthimi”./ KultPlus.com
Të shtunën në kuadër të Festivalit të 38-të Ndërkombëtar Letrar Vilenica u nda çmimi tradicional Kristali Vilenica për vitin 2023. Festivali është një nga festivalet më të njohur të Evropës Qendrore, që e organizon Shoqata e Shkrimtarëve te Sllovenisë, përcjell KultPlus.
Fituesi i Kristalit të Vilenicës 2023 është përzgjedhur nga juria mes autorëve të ftuar të festivalit. Juria e sivjetshme e përbërë nga Alesh Muster, Gregor Podlogar dhe Julija Potrç Shavli ka vendosur që çmimin tradicional ‘Kristalin Vilenica 2023’ t’ia dhurojë poetit Shpëtim Selmani nga Kosova.
Vlerësimi i jurisë
Shkrimtari, poeti dhe aktori Shpëtim Selmani me poezitë e tij shkund realitetin socio-politik me ndershmëri dhe humor brutal. Me një përdorim të kthjellët të ironisë dhe auto-ironisë, ai pasqyron ngjarjet historike dhe trajton me lehtësi temat që në dukje janë të vështira, duke mos rrëshqitur asnjëherë në sentimentalizëm. Me një lloj sekuencimi të ngjarjeve historike, Selmani tregon se në realitet asgjë nuk ndryshon dhe se historia përsëritet si një farsë. Kjo është gjithashtu poezi e drejtpërdrejt që fillimisht lidhet me traditën Bitnike me mënyrën e të shkruarit dhe formulimin kritik të problemeve socio-politike. Poezitë e Selmanit flasin drejtpërdrejt dhe prandaj na bëjnë që ti reflektojmë shoqëritë në të cilat jetojmë. Poezia e Selmanit nuk është predikuese por kritikë shoqërorë e në një mënyrë që çmonton realitetin. Shkurtimisht, bëhet fjalë për poezi që, pavarësisht referencave dalluese, lundron nëpër peizazhet e poezisë moderne dhe që pas leximit lë mbresa dhe kujtohet gjatë.
Në festival morën pjesë shkrimtarë nga Zvicra, Sllovenia, Polonia, Kosova, Gjermania dhe Austria.
‘Kristalin e Vilenicës’ më herët e kanë fituar edhe dy poete shqiptare, Luljeta Leshanaku më 2009 dhe Blerina Gaxha Rogova më 2015. / KultPlus.com
Kino Kosova, festivali me filma të përzgjedhur të shkurtër, dokumentarë dhe artistikë nga dhe rreth temës së Kosovës, organizohet në Zvicër dhe tregon perspektiva të ndryshme nga vendi dhe pasqyron lidhjen e veçantë mes Zvicrës dhe Kosovës, përcjellë KultPlus.
Edicioni i tretë i Kino Kosova do të mbahet nga data 14 deri më 18 shtator në Bernë. Përveç filmave, gjatë festivalit do të ketë edhe evente të tjera anësore, si lexim me autorin nga Kosova Shpëtim Selmani dhe autoren nga Zvicra me origjinë nga Kosova Meral Kureyshi, koncert me artistë nga Kosova, diskutime në podium etj.
Sabahet Meta është bashkëthemeluesi i organizatës Kulturalink dhe iniciator i festivalit të filmit Kino Kosova. / KultPlus.com
Më 1 Maj në ambientet e Muzeut të Pergjimeve të Sigurimit të Shtetit “SHTËPIA E GJETHEVE” do të shfaqet premiera e shfaqjes “ÇIMKA”, një krijim unik dhe bashkëproduksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Tiranë dhe Qendrës për Art dhe komunitet – Artpolis, me autor Shpëtim Selmani dhe regjinë e Zana Hoxha, përcjell KultPlus.
“Çimka” është një shfaqje që hedh dritë mbi dy botë paralele të përgjimit të shqiptarëve në të dyja anët e kufirit, gjatë periudhës komuniste në Shqipëri dhe asaj të regjimit jugosllav në Kosovë. E bazuar në personalitete historike sikurse disidentja Musine Kokalari dhe rapsodi Dervish Shaqa si dhe në fiksion, “ÇIMKA” dekonstrukton kontrollin e ideologjive të caktuara politike mbi vullnetin e lirë të njeriut, si e drejtë e patjetërsueshme e tij/saj.
E konceptuar nga regjisorja Zana Hoxha më shumë si një eksperiencë e cila buron nga vet “SHTËPIA E GJETHEVE”, personazhet dhe skenat e krijuara përmes një qasjeje eksperiementale synojnë që të nxisin emocione, reflektim dhe edukim të përbashkët për këtë periudhë të errët të viteve 1960.
Kjo shfaqje si rrallëherë bën bashkë një kastë impresive të artistëve nga Shqipëria dhe Kosova, dhe është pjesë e kalendarit të përbashkët kulturor.
Aktorë: Lulzim Zeqja, Loredana Gjeçi, Myzafer Zifla, Xhulia Musagalliu, Mikel Markaj, Edlir Gashi, Urim Aliaj dhe Altea Dulellari.
Kompozitor: Liburn Jupolli
Skenografia dhe Kostumet: Youliana Voykova – Najman
Asistentë regjie: Greta Baci & Kevin Rrapaj / KultPlus.com
mbi të gjitha kënaqem kur gjej tituj librash të lezetshëm
p.sh. Natalia Ginzburg apo shkrimtar të panjohur me kalorës në kopertinë
shitësit në të shumtën e rasteve janë serioz të mbyllur dhe agresiv
nëse ju thua se je nga Kosova sillen mirë dhe të thonë eja prapë
kënaqem kur shoh tituj të lezetshëm e ekzemplarë të rrallë shkrihem nga qejfi
por Ben Andoni më thotë në vesh shsh mos ju thuaj se janë kopje të rralla
mbi të gjitha kënaqem në Tiranë kur gjej libra të rrallë, kur Xhevat Caushi ma ngul në çmim dhe kur shoh gruan time se me sa pasion ha akulloren me arra gjysmë të karamelizuar pa ja ndier fare për letërsinë. / KultPlus.com
mbushni xhepat e pantollonave me vjershat e bëra shuk dhe gjuajeni çdo ndërtesë qeveritare, sulmoni me vargun e lirë, ndërtesën e organizatës së kombeve të bashkuara ta poshtëroni me fjalët më të ndyra, nuk ka kombe të bashkuara ka poet të bashkuar, ëndërrimtar të bashkuar që nuk i duhen askujt, futini vjershat e juaja të mjera brenda ndërtesës së Nato në Bruksel, rrini të hidhëruar para carit të tërbuar, çdo hidhërim është i nevojshëm, digjini të gjitha traktatet që i gjeni dhe me pas lexojeni Holderlinin si një kor antik dhe deklarojeni atë që është, nga lashtësia e deri tash sall lakmi, barbarizëm dhe gjak gjelash, kudo në sheshet e botës, poet, bashkohuni, para shtëpisë së bardhë ju jeni rus, para kremlinit jeni amerikan, para amerikanëve dhe rusëve jeni poet, para identiteteve kombëtare jeni njerëz, para njerëzve jeni fëmijë, luftoni me biberonet e juaj të përgjakur dhe akuzojeni me zë të lartë, atë që ka krijuar mendjen. / KultPlus.com
Publikohet në formatin video-poezi, poezia e Shpëtim Selmanit, ‘Mbi mundësinë e një dëshire për të thënë diçka të hajrit’, poezi kjo e shkruar gjatë kohës së studimeve të poetit, përcjell KultPlus.
Njoftimin e ka bërë aktori Afrim Muçaj përmes një postimi në rrjetin soical Facebook, duke e shpërndarë videon së bashku me një mbishkrim.
“Mbi mundësinë e një dëshire për të thënë diçka të hajrit.
poezi e Shpetim Selmani“, ka shkruar ai. / KultPlus.com
Në Teatrin Adriana në Ferizaj, të shtunën u dha premiera e shfaqjes Fuego me autor Shpëtim Selmani, regjisor Fadil Hysaj dhe aktorë Bajrush Mjaku e Shpëtim Selmani.
“Shfaqja synon së paku të prek burimet e negativitetit të akumuluar pa pretendimin e gjetjes së shkakut fillestar, pa pretendimin që të japë përgjigje se si duhet të çlirohemi prej atij vreri. Mjafton të evidentohet problemi. Kjo është e pakta që mund të bëhet përmes një vepre arti”, ka shkruar MKRS-ja.
KultPlus ju sjell njoftimin e plotë të tyre:
U dha premierë shfaqja FUEGO
Në Teatrin Adriana në Ferizaj, të shtunën u dha premiera e shfaqjes Fuego me autor Shpëtim Selmani, regjisor Fadil Hysaj dhe aktorë Bajrush Mjaku e Shpëtim Selmani.
“Fuego” është ndër dramat e pakta në dramaturgjinë bashkëkohore shqiptare, e cila trajton problematika të mëdha me qasje minimaliste dramaturgjike. Ngjarja e kësaj drame ndodhë në një dyqan servisi të pajisjeve të prishura shtëpiake. Një burrë dhe një djalë bien në konflikt rreth kusurit të një pagese prej 3 eurosh, të cilat nuk ka t’ia kthejë burri i cili e ka riparuar ngrohësen FUEGO.
Shfaqja synon së paku të prek burimet e negativitetit të akumuluar pa pretendimin e gjetjes së shkakut fillestar, pa pretendimin që të japë përgjigje se si duhet të çlirohemi prej atij vreri. Mjafton të evidentohet problemi. Kjo është e pakta që mund të bëhet përmes një vepre arti. Në premierën e kësaj shfaqje që u prit shumë mirë nga publiku, ishte i pranishëm edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku./ KultPlus.com
Kosova është laborator moral, politik dhe religjioz, sundimtarët duan vica të urtë, mutsihanet e tyre gdhenden në qaforet e votuesve, askush nuk e do Kosovën, as politikanët e saj, e as Europa, bota është koncept, një popull i mjerë që për dy dekada mëson formulen e durimit të pafund, i persekutuar nga vlerat, nga imitimi, shpresa dhe e ardhmja që e mashtron, ashpër dhe egër, egër dhe ashpër, kombet e mëdha na kontrollojnë lëvizjet, ejakulimet dhe me gishtin e tyre të frikshëm në kokën tonë të butë, na tregojnë definicionin e solidaritetit , dikur kishim kërkuar ndihmë, tani lëpijmë çizmet e çdo urdhëri. ky është fati, historia është gjakpirëse në tregun e popujve të vegjël, ajo nuk ngopet me heronjë, përmes të vegjëlve ajo e mban veten në fron, kombet e mëdha adhurojnë deklaratat dhe vendimet primitive, kështu ata grabisin lumturi dhe të drejta, egocentrizmi përkufizon flamujtë, magjistarët dështojnë në Kosovë, profetët hidhen nga urat, humanistet qëllojnë me kokë murin, nënat qajnë kur shohin fytyrat e pikëlluara të bijve të tyre që adhurojnë humorin, në horizont duken ca dinosaur që na tregojnë se çdo gjë është e thjeshtë, e lehtë, nuk ka nevojë për kaq shumë dhunë, gjak dhe kaq shumë marrëveshje, dhe pastaj çdo gjë shkëputet, ndalet dhe shuhet. / KultPlus.com
“N’dry”, titullohet shfaqja nga Arta Arifi me regji të Iliriana Arifit nga “Tana Production” & “Sythi”, e që vjen premierë në Etno Fest, shkruan KultPlus.
“N’dry” përcjell fijen e fatit të një gruaje, në rrethana të jashtëzakonshme, me identitete të ndryshme, dhe sekrete të mëdha.
“Pasi i rrëzojne shtëpinë dhe e largojnë me forcë nga muri, Dushkaja mbledh eshtrat e Hanes dhe rikthehet në shtëpinë e vjetër, nga e cila ishte larguar dikur e përndjekur nga vrasjet dhe fantazmat. Kësaj radhe ajo ritakohet me veten, vrasësit, të vrarët dhe të vdekurit në jetën e saj.”
Aktorët të cilët do të sjellin këtë shfaqje para publikut janë: Sheqerije Buqaj, Shpëtim Selmani, Alketa Syla dhe Edona Vatoci.
Shfaqja vjen premierë me datë 21.08.2021, duke filluar nga ora 20:00 në Ento Fest në Kukaj. / KultPlus.com
Pas sukseseve të filmave shqiptarë, një film tjetër që është prodhim vendor ka nisur shfaqjen në kinema në Kosovë. Eshtë fjala për filmin e ri të regjisorit Fatos Berisha, Cirku Fluturues, i cili pas sukseseve në arenën ndërkombëtare, ju drejtua kinemave vendore dhe nga 1 korriku po shfaqet në Cineplexx.
Cirku Fluturues, me regji të Fatos Berisha dhe me një kast të mrekullueshëm aktorësh që përfshijnë emra të njohur si Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Muçaj, Shpetim Selmani, Luan Jaha, etj, nga 1 korriku ka nisur të shfaqet edhe në kinemanë më të madhe në vend, Cineplexx.
Filmi flet për katër aktorë që tentojnë të kalojnë ilegalisht përmes kufijve të Ballkanit në kohë lufte, për në Festivalin e Teatrit. Por misioni i tyre i vërtetë, është që ta gjejnë dhe takojnë idolin e tyre, Michael Palin.
Historia e ballafaqimit të dy shokëve të fëmijërisë, që ndryshonin shumë nga njëri tjetri, natën e mbrëmshme kishte marrë jetë në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Stirkoff, një idealist që përfaqësonte rezistencën intelektuale, përballë mikut të tij, një detektivi që përfaqësonte rezistencën fizike, shkruan KultPlus.
Gjithçka dukej se filloi si lojë, me hyrjen më të pazakontë, ku dhe vetë regjisori i shfaqjes, Shpëtim Selmani, ishte prezent në skenë gjatë sekondave të parë kur dhe kishte filluar loja e aktorëve. Gjuha e drejtpërdrejtë, përkonte pikërisht mbi bazën në të cilën ishte ngritur shfaqja ‘Stirkoff’ që përmbante artikujt e Charles Bukowski, njëri ndër shkrimtarët më me influencë në letërsinë underground kudo në botë, të cilat në kohën e atëhershme ai i kishte botuar në gazetën Open City.
Me një publik të madh në numër, reagimet e së cilit ishin po aq të paparashikuara, njëlloj si vetë shfaqja, por në fund me një duartrokitje disa minutëshe, si një shpërfaqje për kënaqësinë dhe emocionet e përjetuara për sa kohë ‘Stirkoff’ i mbante sa të qeshur, po aq dhe nën ethe.
Në një prononcim për KultPlus regjisori i kësaj shfaqje Shpëtim Selmani tha se kishte zgjedhur pikërisht artikujt e Bukowksit si bazë të shfaqjes së tij pikërisht për faktin se ai dallohet për një gjuhë të drejtpërdrejtë, të ashpër e direkte.
“Mendoj që Bukowski dallohet për veçoritë e tij të drejtpërdrejta, për një gjuhë më të ashpër pak më direkte dhe e konsideroj që në Kosovë duhet të kemi njëfarë njohurie mbi rezistencën dhe të përballemi me pushtetin pa ndërruar formë”, pohoi ai.
Për aktorin Blend Sadiku i cili në shfaqje luante rolin e detektivit, nuk ka qenë dhe aq e vështirë të përshtatet me rolin, sepse për të ishte mjaft e lehtë të shfaqte forcën fizike dhe një detektiv, ardhja në pushtet e së cilit kishte ndodhur më gllabërime të ndryshme.
Ndërkaq për aktorin Gentrit Shala, bashkëpunimi me regjisorin ka qenë mjaft i lehtë për faktin se ai ka qenë aty gjithë kohës për të ju ndihmuar dhe për t’ju shpjeguar në detaje se si duhet të silleshin.
Tutje ai ka shtuar se është çdo herë një ndjenjë e papërshkrueshme të shfaqësh premierën përballë një publiku të madh në numër, ngase të bënë që të japësh maksimumin nga vetja.
“Kur vie koha e premierës dhe ti sheh një sallë të mbushur me njerëz, atëherë ti bënë të pamundurën për të dhënë maksimumin, me qëllimin e vetëm që publiku të arrijë kënaqësinë më të madhe”, ka pohuar ai.
‘Stirkoff’, ndonëse filloi në një formë komike që bëri publikun të shpërthej në gaz që në sekondat e parë, pati një përfundim tragjik, të pritshëm, por dhe të habitshëm njëkohësisht, sepse shtangu publiku për disa sekonda, para duartrokitjes së madhe. / KultPlus.com
Të martën më 30 mars vjen premiera e shfaqjes “Stirkoff” me regji të Shpëtim Selmanit, shkruan KultPlus.
‘Stirkoff’ që shfaqet në Teatrin Kombëtar të Kosovës bazohet tek ‘Shënimet e një plaku të ndyrë’, e cila përmbanë artikuj që Charles Bukoëski, njëri ndër shkrimtarët më me influencë në letërsinë underground kudo në botë, i kishte shkruar në gazetën e atëhershme Open City.
Dy shokë të dikurshëm fëmijërie pas shumë vitesh ballafaqohen me njëri-tjetrin. Jeta i ka dhënë secilit diçka ndryshe. Një idealist i pashoq, përfaqësues i rezistencës intelektuale përballë një detektivi të egër që ka pushtetin në duar, përfaqësues i rezistencës fizike. Një situatë e re që shpërfaqë anën e egër të pushtetit dhe mjerimin e romantikëve të fundit që dashurojnë poezinë, të vërtetën dhe muzikën. Impulsi do të jetë fatal dhe kujtesa e padobishme.
Shfaqja vjen nën lojën e aktorëve: Blend Sadiku dhe Gentrit Shala.
‘Stirkoff’ shfaqet të martën me fillim nga ora 19:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës./ KultPlus.com
Dashuria për poezinë, përhumbja mes vargjeve rrëqethëse në brendësinë e shpirtit unik të secilit njeri dhe dëshira për trashëgiminë e traditës gojore mblodhi mbrëmë dashamirësit e poezisë si: Halil Matoshi, Nora Prekazi dhe Shpëtim Selmani në Ditën Ndërkombëtare të Poezisë, një debat ky i organizuar nga Social Creativity, Vlora Ademi dhe Valbona Raifi, shkruan KultPlus.
Kjo ditë e cila është shpallur nga UNSECO si dita botërore e poezisë që nga viti 1999, synon që të nderojë poetët, leximin, shkrimin e po ashtu edhe ndërlidhjen e saj me artet e tjera. Ndonëse poezia është e pakrahasueshme në artin e saj, lidhja e poezisë me artet e tjera vlerësohet si lidhje e veçantë, qofshin lidhjet ato që i shpalosin ndjenjat e përbashkëta mes njerëzve apo edhe ato të kundërtat.
Mbrëmë, shprehja lirike la gjurmë në tryezën e KultPlus Caffe Gallery, më së miri edhe nga vetë të pranishmit e sidomos nga humori i njohur i Halil Matoshit, i cili nisi mbrëmjen me arsyen se pse ai shkruan.
“Poezia nuk ka definicion, por më kujtohet një regjisor i madh rus, Andrei Tarkovsky, i cili thotë se arti e poezia nuk mësohen dhe nuk ka shkollë për to, sepse ato vetëm përjetohen e janë dhuratë nga Zoti. Por mbi të gjitha, poezinë e shoh si befasi dhe për të shkruar poezi të mirë duhet të futesh në një univers në vete. Kush mundet brravo i qoftë. Ndonëse edhe novelistët nganjëherë më zhgënjejnë sepse nuk kanë krijuar atë universin paralel, një kozmogoni unike. Por përpjekja është e barabartë me arritjen”, thotë ai.
Ndërsa me një modesti të jashtëzakonshme, ajo e cila njihej si vogëlushja e urtë, Nora Prekazi, por që shpërtheu fillimisht në pikturë e pastaj në poezi dhe e cila vjen nga një familje e zhurmshme me identitet dhe opinione të forta, poezinë e sheh si një moment individual, një rrëfim ndaj vetes, prandaj edhe shkruan. Ndonjëherë më pak e ndonjëherë më shumë, por që vërtetë u inspirua edhe nga shoku i saj, Shpëtim Selmani, me ç’rast edhe ajo filloi të shkruante përsëri pasi që e kishte lënë një kohë. Ajo filloi të shkruante të vërtetën e saj.
“Poezia duhet të krijojë emocion dhe ndjenjë. Ndjeshmëria, komunikimi, mesazhi, identiteti ynë është ajo çka e rrumbullakon gjuhën tonë. Gjuha është hapësira jonë e të shprehurit”, lë mesazhin Prekazi e cila mbrëmë interpretoi disa nga poezitë e saj siç ishin: ‘Janar’, ‘Më pas’ dhe ‘Deti’, poezi kjo e cila u dallua mjaft shumë edhe nga ambienti në të cilin të pranishmit po e vështronin borën por njëkohësisht ëndërruan për detin.
Fuqia e poezisë dhe emocioni që ajo përcjell së pari dallohet tek komunikimi indirekt, tek ato mesazhet e vogla, të fshehura në një vend të posaçëm për njerëzit e dashur apo ndoshta edhe tek reflektimet personale drejt atyre që nuk kanë guxim të shprehen apo mbase poezia nuk ka efekt fare përderisa nuk mund ta përjetosh atë. Poezia ka lëvizë botën e njeriut duke e tundur atë sa në një emocion në tjetrin. E në natën e mbrëmshme, në mesin e larmive të emocioneve, ishte Shpëtim Selmani, i njohur edhe për Çmimin fitues të European Union Prize for Literature, që solli një sërë poezi që as duart e tij nuk po mund ti mbanin dot.
Përgjatë atmosferës së ngrohtë dhe nën hijen e vargjeve të interpretuara nga Selmani, e sidomos nga ato të fundit të cilat të lënë me gojë hapur ishte edhe poezia e tij, ‘Rrugës për tek Danjela’, e cila tundi audiencën me fjalët ‘fus gishtat në gojë dhe nga aty e heq vetëvrasjen’, që la pas jehonën e saj. Teksa tutje ai vazhdoi edhe me poezitë, ‘Çfarë shoh në mëngjes’ dhe ‘Në dhomën e ditës’, ku publikut i dhuroi vizione me përmbajtje kafshësh të mbështjella në kokë.
“Shkruaj sepse mendoj se askush nuk më kupton”, ndonëse jo plotësisht e vërtetë, këto fjalë padyshim që njihen si fjalë të Selmanit, i cili nuk ka një konstatim specifik se pse ai shkruan. Ai ende nuk e ka gjetur arsyejen.
Teksa moderatorja nisi ta hap diskutimin rreth rëndësisë së poezisë, Halil Matoshi potencoi se ai kishte rizbuluar rëndësinë e poezisë në vargjet e Martin Camajt të cilat buronin nga rrënjët e Ndre Mjedës, për të vazhduar me dy poetë modernistë, dhe përmbyllur me thënien: “Nëse poezia nuk është tiranike, nëse poezia nuk vendos pushtet total absolut, ajo nuk është poezi fare”.
“Përjetimi i poezisë duhet të dërgojë në emocione sikur ato të cilat të vdekurin e rrotullojnë, e ringjallin, ku edhe e përmbysin malin. Poezia është një realizim magjik. Nëse lexon dy strofa e për të tretën herë bie në gjumë, edhe kjo është poezi për mua. Poezia së pari është gjuhë e cila e zbulon qenien sikurse edhe lëvorja prej së cilës del lajthia, njëjtë është edhe gjuha shqipe me të cilën ne shkruajmë. Nga pluhuri i fjalëve të moçme shqipe del një filozofi e tërë. Gjuha e përditshme fatkeqësisht është shndërruar në një aktualitet me shumë pak fjalë por gjuha shqipe shtrihet në një thellësi të cilën shumë pak nga ne nuk e dimë. Duhet të gërvishtesh dheun e do të të dalë gjuha” u shpreh Matoshi nën dritën e qiriut dhe nën sytë adhurues të metaforës.
E kështu nuk munguan të qeshurat e publikut të cilat burojnë thellë nga shpirti i tyre teksa dëgjonin interpretimin e poezive të Matoshit siç ishin: ‘Traktat estetik’ dhe vazhdimi i saj ‘Ra ora e të vërtetës’, ku epiqendër e tyre u bë fjala ‘shtojzovalle’, me të cilën publiku do mbajë mend edhe këtë natë sa poetike po aq edhe argëtuese.
Shpeshherë fryma poetike nga vullkani i ndjenjave të përvëluara nga secila jetë që sot frymon, ndodh që ajo frymë të humbet brenda rrjeteve sociale dhe vorbullës të cilën shkaktojnë ato. Natyrisht që poezia ka vlerë, por sa vlerësohet ajo nga falsiteti i njerëzve që lënë kokën për like e komente, tregohet edhe nga Matoshi i cili foli për një ngjarje ku ai e përfundoi një ese dhe mendonte se e kishte formuar mirë ku pasoi me 40 like, por pas një krahasimi ai e pa që nuk ishte ashtu. Prandaj vizioni dhe pamja e jashtme me trillime dëmton poezinë tej mase. Mirëqenia e saj gjithmonë shihet nga brenda prandaj edhe zemra nuk sheh por ndjen.
Ndërsa në anën tjetër kur temë bëhen Çmimet dhe rëndësia e tyre, poeti Selmani potencon se ai më para do të zgjidhte Çmimin Pulitzer sesa Çmimin Oscar për një rol, sepse poezia për të veçohet si një shpëtim nga një gjendje e çfarëdo lloji.
“Nëse nuk dhuron ndjeshmëri, atëherë nuk e quaj poezi”, shprehet Selmani duke uruar se një ditë ti arrijë ato.
Ndërkohë duke pranuar se poeti ka një cikël ku ai i shkruan letra autorëve ku vetëm dy prej tyre janë shqiptarë, pikërisht i pari është Halil Matoshi, të cilit iu interpretua poezia e pa lexuar më parë, me një përfundim: “Nuk njoh një të dalë mendsh më të bukur se ti”. Një përmbyllje kjo mjaft e lezetshme dhe unike, siç di edhe vet poeti ta sjellë në formën e tij. Ndërsa shqiptari tjetër që iu kushtua poezia është Armend Mazregut, miku i tij i afërt i cili momentalisht jeton në Kanada.
Ishte sakrifica ajo që dje solli të vërtetat ndaj familjarëve të pranishëm, një moment i këndshëm ku Nora Prekazi thotë “E kam sakrifikuar veten një kohë pa shkruar, një sakrificë e keqe që mohon Çlirimin brendësor. Do i sakrifikoja të gjitha, që të gjitha për tu ndjerë më së miri”, teksa duke buzëqeshur ajo iu drejtohet familjarëve në publik.
Prekazi për fund i shoqëroi pjesëmarrësit me poezitë e saj si: ‘‘Zell’, ‘Tymi’ dhe me poezinë e papërfunduar të titulluar ‘Njeri’ e cila flet për vuajtjen, zvarritjen e njeriut dhe se si është që të jesh njeri e të përtypësh hekur, po ashtu ajo krahason vështirësitë edhe me të vrapuarit nën ujë, pastaj e shfaq edhe si një flirtim me vdekjen.
Pas përmbylljes së veçantë të saj, po i vinte fundi edhe dy protagonistëve të tjerë ku Selmani për në fund shpalosi poezinë me domethënie enigmatike të titulluar ‘Amerikë’, ndërsa Matoshi na rikujtoi pandeminë, nga e cila edhe është frymëzuar të titullonte poezinë e tij ‘Stërkala drite’. Ai po ashtu rrëfeu se kërkimi adekuat dhe poetik e edhe shfletimi i fjalorit është i domosdoshëm për krijime poetike.
“Nëse duhet të harxhosh energji për poezinë atëherë shkruaj për vdekjen por për atdheun dhe poezinë duhet të jetosh e jo të vdesësh”, kështu Matoshi përmbylli natën poetike e cila përfundoi me duartrokitje të zjarrta që edhe dëborën që po binte jashtë, do ta shkrinte plotësisht.
Në mbrëmjen e organizuar në KultPlus, i pranishëm ishte edhe maestro, Primo Shllaku, që me madhështinë e tij shpalosi një rrëfim që publikun e la pa fjalë.
“Të flasësh për poezinë në Kosovën tonë e cila po ringjallet nga të gjitha pikëpamjet, kryesisht edhe nga ajo shpirtërore, treguesi autentik i ringjalljes është vetë poezia. Si njeri letrar kam qenë i orientuar në ngjarjet në Kosovë para viteve 90, ku kam konstatuar se Kosova është djepi i një shpirti autentik e poetik. Kam parë poetë të mëdhenj me presion të brendshëm që mezi përmbaheshin për të shpërthyer lavën e tyre. Si në rastin e Azem Shkreli, Rrahman Dedaj dhe Ali Podrimja ku në kushtet e trysnisë së madhe, në një pushtim real, poezia ishte e pa pushtueshme”, tha Shllaku.
Ai tutje u shpreh se në një pjesë kaq speciale shqiptare siç është Kosova, ka qenë i shëndetshëm fati ku poezia, arti, filmi e teatri nuk u bënë kurrë shkalla për ngjitjen në pushtet, përkundër në anën tjetër të Alpeve Shqiptare ku fati ishte shkatërrues dhe la shenja të cilat nuk mund të rikuperohen.
“Në Kosovë ka grupe të mira poeteshash të cilat unë i quaj ‘Amazone’, ku përmes artit poetik arrijnë të thonë shumë më tepër seç arrin të thonë burrat. Pra, ka një transferim të çuditshëm të revolucionit gjinor, e po ndodh pikërisht në terrenin e artit.”
Për Shllakun, poezia është momenti kur ne biem në shtrat, zëmë rahat mes çarçafëve, fikim dritën dhe mbesim me veten tonë. Aty është momenti i së vërtetës. Në atë moment askush nuk është aq i fuqishëm sa të gënjejë vetën e vet.
“Sonte këta njerëz të mrekullueshëm që ishin epiqendra e mbrëmjes, kanë bërë rrëfime konfesionale jashtëzakonisht të thella. Pra kanë pranuar për tu zhveshur në publik për të thënë se ‘ky jam, më shikoni nudo’, dhe ne e kemi parë, jo me mëshirë por me konkursin e brendshëm se ‘a mund të zhveshëm edhe unë si ky’?. Në qoftë se ne arrijmë me kriju këtë, ta dini se i kemi ata që mund të na prijnë”, përfundon ai.
Të pranishmit, të emocionuar pafund nga ky rrëfim, vazhduan bisedat rreth poezisë nën shoqërimin e melodive shqipe që ku më mirë tingëllojnë se në KultPlus Caffe Gallery. / KultPlus.com
budallallepsja është stil. të jetuarit në botën paralele të famës, është një marrëzi. të gjithë po e bëjnë. jeta është në celular. jashtë saj është realiteti që askush nuk e honeps. të gjithë jetojnë sipas parimeve që burojnë nga ego dhe kokëfortësi të ulura në divanin e mbijetesës. nuk ka përkatësi të përbashkët. çdo qenie njerëzore sot është e të gjithëve, çdo qenie njerëzore sot nuk është e askujt. të gjithë qeshin në shesh, të gjithë janë të lumtur nëpër kafene, vetëm muret e shtëpive të tyre e dinë të vërtetën. të gjithë janë vetmitar ndërkohë secila natë i përplasë në shtretër të ndryshëm. ballkonet janë vende të shenjta, nga ku mund të qajnë dhe të thithin cigaret e tyre, një luftë e pambarimtë në mes një metafizike të përgjakur dhe në mes një post-modernizmi të egër deluziv. edhe ajo që është e përsosur është e padurueshme*
Në bashkëpunimin e sivjetëm me Spotlight, PriFest ka mundësuar anëtarësimin për pesë aktorët Kosovarë, për 1 vit falas, në njërën nga kompanitë më të njohura për shërbime kastingu në Evropë, përcjellë KultPlus.
Aktorët e përzgjedhur janë: May Linda Kosumovic, Rozafa Çelaj, Shkumbin Istrefi, Kushtrim Hoxha dhe Shpëtim Selmani.
Spotlight është shërbim kastingu që lidh aktorët me role në teatër, televizion dhe projekte filmike. Profesionistēt e kastingut përmes Spotlight bëjnë përzgjedhjen e aktorëve për projektet e veta pasi Spotlight njihet si kompania më e mirë në këtë industry. Me studiot e veta në West End të Londrës si dhe ekipet e stafit në çdo kënd të Evropës, Spotlight ndodhet mu në qendër të industrisë së arteve skenike.
Përkrah partnerëve në Evropë, Amerikë e Australi, moto e Spotlight në të cilën besojnë fuqishëm është se casting është një punë me të vërtetë globale dhe një aktor që mund të përshtatet për një rol apo punë mund të vijë nga kudo në botë.
Aktorët e përzgjedhur do t’i nënshtrohen një workshopi (punëtorie) parapregatitor me datën 5 nëntor, për të mësuar se si mund të perdoret platforma Spotlight në mënyrë më efektive për aplikim në projekte filmike apo të teatrit jashtë Kosovës.
Të pesë aktorët kanë fituar anëtarësimin falas në këtë platformë falë bashkëpunimit të PriFest me Spotlight, bashkëpunim ky që do të zhvillohet edhe më shumë në vitet në vazhdim.
Poashtu, javën e kaluar, PriFest kishte organizuar një masterclass me Spotlight për të gjithë aktorët dhe filmbërësit e Kosovës brenda javës së edicionit të 12-të të festivalit.
Edicioni i ardhshëm i PriFest, i 13-ti me rradhë, do të mbahet nga 13-18 korrik 2021. / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, priti sot në takim Shpëtim Selmanin, prozator e poet dhe së fundmi laureat i çmimit të Bashkimit Evropian për letërsi, për vitin 2020.
Shkrimtari Selmani ka fituar edicionin e dymbëdhjetë të ndarjes së çmimeve të BE-së për letërsi (EUPL) i cili njeh shkrimtarët nga e gjithë Evropa dhe përfshin 31 vende.
Ky çmim i është ndarë autorit nga Kosova me motivacionin një rrëfim që trajton një larmi temash nga e zakonshmja, e botshmja dhe shpirtërorja duke ndërtuar monologje të brendshme të cilat demonstrojnë transformime njerëzore në mes personazhesh.
Ministrja Dumoshi, si drejtuese e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit i ndau mirënjohje shkrimtarit Selmani për të arriturat në përmasa ndërkombëtare, në fushën e letërsisë si dhe i bëri dhuratë okarinën – instrumentin e lashtë ilir.
Ministrja u shpreh e lumtur që emrat e shkrimtarëve e artistëve shqiptarë çdo ditë e më tepër po tejkalojnë kufijtë shqipfolës e po njihen ndërkombëtarisht.
Ky është jo vetëm sukses personal por sukses dhe përforcim i imazhit të Kosovës në Evropë e botë – theksoi ministrja Dumoshi. Ajo u zotua se do të mbështesë gjithmonë shkrimtarë që kanë suksese ndërkombëtare të cilët janë ambasadorët më të mirë të vendit.
Shkrimtari Selmani e falënderoi Ministren Dumoshi për pritjen dhe për mirënjohjen e cila është një njohje e kontributit të tij dhe njëkohësisht shtysë për rrugëtimin e tij të mëtejmë letrar. / KultPlus.com