Eurodram, rrjeti evropian për dramë në përkthim, ka shpallur përzgjedhjen e tij për vitin 2024 të shfaqjeve të rekomanduara për përkthim, në mesin e tyre edhe shfaqja “Fajet i ka Bill Gates” e Shpetim Selmanit.
Në kategorinë e gjuhës shqipe lista mbanë tre emra: Shpetim Selmanin, Fadil Hysajn dhe Fijona Hysenin.
Fajin e ka Bill Gates (It is Bill Gate’s fault) – Shpëtim Selmani Fausti (Faust) – Fadil Hysaj Antigona (Kosovo’s Antigone) – Fijona Hyseni
Eurodram është një rrjet evropian për dramë në përkthim, i përbërë nga rreth 300 anëtarë të organizuar si rreth 30 komitete. Objektivi i tij kryesor është të promovojë dramë të re në përkthim nga Evropa, Azia Qendrore dhe Mesdheu, duke e bërë atë të disponueshme si për profesionistët e teatrit ashtu edhe për publikun në rajon, në frymën e pavarësisë, barazisë dhe diversitetit gjuhësor.
Eurodram funksionon sipas një orari dyvjeçar. Në vitet çift, çdo komitet zgjedh tre drama origjinale të shkruara në gjuhën e komitetit dhe i rekomandon ato për përkthim në gjuhë të tjera evropiane. Në vite me numra tek, komitetet zgjedhin tre pjesë nga veprat e përkthyera në gjuhën e komitetit, me synimin që ato të botohen dhe/ose të vihen në skenë.
Rrjeti Eurodram u themelua në vitin 2001 nga Maison d’Europe et d’Orient (Shtëpia e Evropës dhe Orientit), drejtuar nga Céline Barcq dhe Dominique Dolmieu, dhe fillimisht iu kushtua përkthimeve nga gjuhët e Evropës Lindore në frëngjisht. Që nga viti 2011, ai është shtrirë në Evropën Perëndimore, Azinë Qendrore dhe Mesdheun dhe është bërë shumëpalësh (nga të gjitha gjuhët në të gjitha gjuhët). / KultPlus.com
Libri “Balada e buburrecit” vjen si përmbledhje e elementeve personale dhe autobiografike që përmban kujtimet dhe projeksionet autoriale. Autori kushtimisht e emërton librin e tij, nga një këngë e realizuar nga grupi shqiptar i rokut “Lindja”, me titull të njëjtë “Balada e buburrecit”. Ky titull ndërfutet si pjesë intertekstuale; autori mishërohet më këngën, kuetizmi i tij dhe grumbullimi i brendshëm vjen si një nevojë për të shpërthyer përmes mediumit të letërsisë.
Libri përbëhet nga tre kapituj: PostLove,Whitman dhe Karadzic apo Letër për Radmilën, Lavigny dhe ndërtohet nga 51 tregime gjithsej.
Tregimet kanë fragmentaritet sipas sistemit narrativ, por fundamentalisht kanë një pikë logjike kur takohen më njëra-tjetrën. Në këtë libër kemi të bëjmë më stilin diskursiv, pra autori, përmes këtij stili, paraqet problemet, shpërthimet, deklaratat dhe momentet ekzaltuese nga jeta e tij.
PostLove
Kapitulli i parë përbëhet prej 19 tregimeve të shkurtra. Ne këto tregime kemi të bëjmë me narrator protagonist. Pra, rrëfimi bëhet në vetën e parë, e cila në planin montazhist realizohet dhe del si një dualitet mes veprimit dhe mendimit të një përditshmërie në rrafshin socio-kulturor të autorit. Botëkuptimet autoriale karakterizohen më një shumësi informacionesh në fusha të shumta të kulturës dhe artit. Pra, sinkretizohen vlerat dhe informacionet të cilat vijnë si pasojë e një qasjeje ambivalente kulturore dhe në këtë mënyrë autori shpalos përbrendësinë e tij.
Pra, përmes një dere të absurdit, sheh mes këtij dualiteti: pakuptueshmërinë e jetës dhe nevojën për riprodhim si element zinxhiror dhe konvencional.
Në këtë pjesë, autori nxjerr në pah pjesën sentimentale të tij ku flet për institucionin e familjes, nocionin e martesës, për jetën e tij si prind, duke krijuar një urë lidhëse me letërsinë, artin dhe muzikën. Kjo pjesë karakterizohet me një përshkrim të thjeshtë dhe një jetë të rëndomtë: ku vë në pah jetën e një artisti si një pasqyrim të një realiteti bashkëkohor.
Përmes një përditshmërie jetësore, ai, gjithashtu, trajton edhe tema universale, të cilat e preokupojnë; flet për jetën, vdekjen, vetëvrasjen dhe letërsinë. Këto fenomene i eksplikon në një formë aksiomatike ku shprehet:
“Asnjë stil nuk mund ta përvetësosh. Nuk mund të jesh i pari në vetëvrasje. I pari në luftë. I pari në paqe. Koha për të qenë i vetmi ka marrë fund.”
Pra, autori shprehet që origjinaliteti nuk ekziston më si një fenomen, që domethënë çdo gjë ndërtohet mbi një skemë të paracaktuar dhe nuk ka hapësirë për të krijuar skema të reja. E vetmja mënyrë është se si ne reagojmë brenda skemave me elementet e përdorura me parë, se si ne e shpalosim botëkuptimin personal të ndërtuar nga kognicioni ynë. Në këtë mënyrë, forma e reagimit do të na ndihmojë më lidhjen mes njerëzimit
“Të gjithë duhet të kthehemi te pika e nisjes, nëse dëshirojmë të çlirohemi nga njëri-tjetri. Bota është shumësi duarsh hedhur mbi qafën e njëri-tjetrit…”
Pra, duke u nisur nga forma primordiale humane, një njeri i zhveshur prej koncepteve të krijuara dhe të pranuara si të mirëqena nga raca njerëzore, vetëm në këtë mënyrë mund ta njohim njëri-tjetrin, edhe pse autori paraprakisht thekson se “livadhi për ta njohur njëri-tjetrin është i djegur“. Është tejet e vështirë që njeriu t’i kapërcejë ideologjitë të cilat na predeterminojnë në lëvizjen tonë në një botë të tillë të “mirërregulluar” ose “kaotike”.
E kaluara në formë reminishence
Për dallim nga kapitulli i parë ku është i mbushur me aktualitetin e autorit, në këtë kapitull hasim një shpërfaqje të së kaluarës në formë reminishence. Ky kapitull përbëhet nga 17 tregime, të cilat krijojnë një bashkëdyzim mes së kaluarës dhe së tashmes, zhvillimin si individ, duke ndjekur modele të shumta nga fushat e ndryshme të artit dhe kulturës, mënyra se si bashkëveprojnë më njëra-tjetrën në kuadrin e formimit personal.
Në fillim të këtij kapitulli kemi të bëjmë më tregimin Wuhan, mon amour; duke u bazuar në titull e shohim që kemi të bëjmë më një dukuri mjaft të përfolur në vitet e fundit, pra autori këtu flet për pjesën periodizuese të pandemisë, ku thekson së për herë të parë “bota ndan diçka të përbashkët” dhe “është viti ku lejohet çdo mendim.” Barazohen mendimet, konspiracionet, arsyetimet si nevoja njerëzore për të folur për të padukshmen. “Viti ku të gjithë bekohemi më të njëjtat brenga” duke barazuar çdo qytetar të botës, gjë e cila kauzalisht na lidh si një tërësi të vetme, NJERËZIMIN në qendër duke luftuar ndaj një “armiku të padukshëm”, pra është një kohë ku brenga kolektive arrin të tejkalojë çdo kufi nacional dhe të gjeneralizohet si një brengë globale për gjithë njerëzimin
Gjatë kësaj periudhe, autori flet për pamundësinë e takimeve fizike dhe zëvendësimin e tyre me ato virtuale, që rrugët i kryqëzohen më një autore të re serbe në një nga platformat elektronike. Si vijim kemi të bëjmë me tregimin “Srebrenica”, pra pavarësisht çështjes globaliste të ngritur më lart, në këtë pjesë autori tregon për çështjen e ngritur nga autorja serbe, pra pavarësisht problemit global që po kalonim në atë periudhë, ajo shprehet më ironi të flasë për Srebrenicën si temë dhe, madje, duke barazuar agresorin me viktimën.
Autorit, duke e parë një absurditet të tillë, i shërben si një shpërthim dhe nevojë e brendshme për një pikënisje të rrëfimeve personale të ngarkuara me disa elemente nostalgjike dhe të një fakticiteti kombëtar dhe personal në të cilën shërben si një nevojë e brendshme autoriale për të rrëfyer të vërtetën; autori gjendet para pikëpyetjeve, dilemave dhe udhëkryqeve të shumta, mendimi se mos është duke u parë si një nacionalist apo ta lërë artin të rrjedhë në mënyrën e vet. Si mund të jetë arti ndryshe përveç se një paraqitje e një të vërtete. Çdo pjesë tjetër e shtrembëruar, a mund të konsiderohet si diçka artistike apo vetëm si frymë propagandiste të nacionalizmit të shfaqur për të barazuar luftën dhe dëmet e saj. Këto pikëpyetje të ngritura nuk mund të kalojnë, duke zgjedhur heshtjen dhe në këtë mënyrë, autori shprehet:
“Një dinozaur brenda meje ulëriu dhe me tha: ‘Shkruaj për Srebrenicën tënde. ‘Për luftën. Për të vërtetën. Për vrasjen e letërsisë.”…”Për Srebrenicën e të gjithëve”…”Bir i traumës postjugosllave. Fëmijë i shpërbërë. I lënë nën terrorin e zhurmës së kallashnikovit. I rritur mes ushtarëve nihilistë. Që hedonizmin e tyre e ushtronin duke pshurrur kokat e prera të zogjve.”
Kemi të bëjmë më një rebelizëm të brendshëm, ku autori nuk mund thjesht t’i harrojë këto ngjarje të cilat shfaqen si një ndërtim konstruktiv në aspektin karakterizues të personalitetit të tij, pra në këtë kapitull autori shfaqet më nostalgjik dhe më i rrëmbyeshëm, udhëhiqet nga një frustrim i brendshëm i përbërë nga problemet, traumat në fëmijërinë e tij si një pasqyrim i një realiteti të një gjendjeje mbarëpopullore të kohës së luftës. A posteriori, rrëfen mbi Srebrenicën e tij.
Duke paraqitur krimet barbare dhe antinjerëzore, autori vazhdon gjithashtu më një fenomen tjetër, ku gjithashtu i shfaqen paqartësi për pjesën e humanizmit në periudha të tilla. Më tregimin Shitësit e cigareve jetojnë të lumtur, paraqitet një shtresë tjetër në kohën e luftës, kemi të bëjmë më një fenomen ku materializmi ngrihet mbi jetën dhe opurtunistët zhvillojnë “caprice” dhe në këtë formë arrijnë t’i përmbushin nevojat e tyre duke shfrytëzuar fatkeqësinë e tjetrit. Pra, autori e parcializon këtë gjë në kontekstin të cilin rrëfen, por nëse shihet në “free context”, mund të përgjithësohet dhe të relativizohet në shumë fusha të ndryshme, ku materialja tejkalon njerëzoren dhe arrin të krijohet një paradoks varësisht prej këndvështrimit human.
Duke qëndruar te lidhja e ngushtë mes artit dhe njerëzores, autori ironikisht flet për artin, për popujt, për gjenocidin, për njerëzimin. Ai ngrit çështjen se si mund të jetë i mundur koekzistimi mes këtyre gjërave, pra se si mundet një absurditet i tillë të mbizotërojë. Si është e mundur që një njeri i cili merret më art të arrijë njëkohësisht shkallën më të lartë çnjerëzore. Duke tërhequr një paralele midis Hitlerit dhe udhëheqësve të ushtrisë serbe Ratko Mladiç dhe Radovan Karaxhiq, arrin ta portretizojë më së miri dilemën e tij. Në jetë, sipas tij, ekzistojnë momente që as arti nuk mund ta përshkruajë dhimbjen, vuajtjen, keqbërjen, vrasjet, pasi irracionaliteti arrin kulmin madje duke ia kaluar edhe instinktit vrasës shtazor. Duke grumbulluar fakte të tilla dhe duke i materializuar në një formë të tillë, i kundërpërgjigjet autores së re serbe, e cila kishte munguar në takimin pasues në platformën virtuale.
Lavigny
Kapitulli i tretë emërtohet “Lavigny”. Në këtë mënyrë përcaktohet dimensioni hapësinor, ku rrëfehen përjetimet e tij në aspektin tematik dhe atë semantik; kemi të bëjmë më një paraqitje të realiteteve të ndryshme mes vendeve në të njëjtën hapësirë kohore. Në këtë pjesë theksohen problemet administrative të një qytetari të Republikës se Kosovës: pritjet para ambasadave, trajtimi nga punonjësit, procedurat e shumta, të cilat shkaktojnë një frustrim të brendshëm. Pra, autori shpreh brengat që e preokupojnë një shoqëri që e përbën shtetin tonë. Këtu nuanca e shprehjes kalon në dimensionin socio-kulturor për një barazi si shoqëri që i përkasim planetit Tokë.
Megjithëse këtu linja kryesore e kësaj pjesë janë përvojat e tij personale në udhëtime, qëllimisht e emërton këtë kapitull si “Lavigny”, me ç’rast esencialisht flet për koekzistimin midis letërsisë dhe njeriut. Si mundet letërsia të rrjedhë varësisht nga popujt; ai krahason veten me Dupontin, nuk kemi të bëjmë vetëm me një krahasim të fatit të 2 individëve, kemi të bëjmë më një krahasim mes fatit kolektiv të të dyja shoqërive që janë të organizuara në forma të ndryshme nga njëra-tjetra. Multidiferencializimi kulturor si rrjedhojë e vetëdijes kolektive të ndikuar nga faktorët historik në përbërjen sociale dhe paraqitjen e problemeve ditore i ndërlidh si elemente të një pan-determinzmi.
Forma se si shihen gjërat nga këndvështrime të ndryshme, neutraliteti i mikut të tij shihet si një absurditet sui generis, me ç’rast thekson se si mundet të veprojë më një indiferencë të tillë ndaj një “të kaluare e cila ishte e mbushur me kufoma dhe pa kërkim-falje”. Është e paarritshme të kontestohet “një përvojë” më “një raport ndërkombëtar. Pra, tërë kohën, pavarësisht arritjes në një vend të tillë ku ishte një kështjellë shkrimtarësh dhe dhomat e emërtuara sipas “Hemingway, Rowolt, Nabokov, Faulkner,Camus etj.”, ishte përjetimi dhe paraqitja e një realiteti që nuk mund assesi ta tejkalonte. Pra, duke qëndruar mes kujtimesh dhe një pranie për të cilën kishte ëndërruar tërë jetën, ai zgjedh të parën, pasi vetëm kështu arrin ta ruajë atë pjesën njerëzore.
Kjo pjesë flet për një aventurë ku, përveç asaj fizike, vjen në pah edhe aventura metafizike, autori udhëton nëpër lloj-lloj gjendjesh të përfshira nga ekzaltimi, malli, dhimbja, kujtimi për orarin e punës se babait dhe malli për djalin; pra ai gjendet në një ambivalencë metafizike ku e drejton drejt rrugës së “Kthimit”, ku fillon sërish ajo pjesa e një përditshmërie në rrugët e Prishtinës.
Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën “Letërsi aktuale shqipe”, që ligjërohet nga prof. dr. Sali Bashota, në studimet e nivelit master, Dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë. / KultPlus.com
Pemët fërkojnë fytyrën dhe qeshin, Atdheu më i bukur është i errët, Drita shtëpish kudo, Darka të begatshme në kuzhina, Rrushi pret të piqet, Adhuron gojën e pangopshme njerëzore, Simfonia e xixëllonjave argëton Yjet që shfaqjen një nga një, Qielli nuk pikturohet dot Thotë një vogëlush që qan I mashtruar nga arti, Ca karamele në tavolinën e një Shtëpie bëjnë kamping Ndërkohë fare pranë tyre Një shalqi ndahet në dy Pjesë, thika pikon kuq, Plaku shtrihet dhe thotë një lutje, Një grua afër një pishe kafshon Domaten, e lumtur. /KultPlus.com
Kapitalistët dhe problemet e tyre le të shkruajnë Poetët kapitalist, Për të varfërit dhe hallet e tyre le të shkruajnë Poetët e varfër, Për epshin e ushtarit në frontin e lindjes Le të shkruajë poeti me snajper në duar, Për artin bashkëkohor dhe rruazat ne penjë, Le të shkruajnë vetë ata, Për paqen dhe rrezikun e përjetshëm, Le të shkruajnë poetët e paqes, nëse ka, Për dashurinë, le të shkruajnë kërmijtë E ngjitur njëri me tjetrin, Për politikën, jo faleminderit, nuk ka nevojë, Për kuptimin e jetës, ndonjë fjalë aty këtu Nga secili prej nesh, Për seksin le të shkruajnë lisat e pranverës Që gjallërohen, Për vdekjen, nuk është e nevojshme asnjë poezi, Le të shkruajnë të gjithë për atë që është e tyrja, Nuk ka nevojë të ngatërrohen gjërat dhe Të shqetësohen kot, Ka mjaft preokupime të vërteta Për secilin prej nesh, Mjafton ta gjeni atë dhe të jeni Si një nëndetëse që ulërin nëpër Ujëra. / KultPlus.com
Më 1 Maj në ambientet e Muzeut të Pergjimeve të Sigurimit të Shtetit “SHTËPIA E GJETHEVE” do të shfaqet premiera e shfaqjes “ÇIMKA”, një krijim unik dhe bashkëproduksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Tiranë dhe Qendrës për Art dhe komunitet – Artpolis, me autor Shpëtim Selmani dhe regjinë e Zana Hoxha, përcjell KultPlus.
“Çimka” është një shfaqje që hedh dritë mbi dy botë paralele të përgjimit të shqiptarëve në të dyja anët e kufirit, gjatë periudhës komuniste në Shqipëri dhe asaj të regjimit jugosllav në Kosovë. E bazuar në personalitete historike sikurse disidentja Musine Kokalari dhe rapsodi Dervish Shaqa si dhe në fiksion, “ÇIMKA” dekonstrukton kontrollin e ideologjive të caktuara politike mbi vullnetin e lirë të njeriut, si e drejtë e patjetërsueshme e tij/saj.
E konceptuar nga regjisorja Zana Hoxha më shumë si një eksperiencë e cila buron nga vet “SHTËPIA E GJETHEVE”, personazhet dhe skenat e krijuara përmes një qasjeje eksperiementale synojnë që të nxisin emocione, reflektim dhe edukim të përbashkët për këtë periudhë të errët të viteve 1960.
Kjo shfaqje si rrallëherë bën bashkë një kastë impresive të artistëve nga Shqipëria dhe Kosova, dhe është pjesë e kalendarit të përbashkët kulturor.
Aktorë: Lulzim Zeqja, Loredana Gjeçi, Myzafer Zifla, Xhulia Musagalliu, Mikel Markaj, Edlir Gashi, Urim Aliaj dhe Altea Dulellari.
Kompozitor: Liburn Jupolli
Skenografia dhe Kostumet: Youliana Voykova – Najman
Asistentë regjie: Greta Baci & Kevin Rrapaj / KultPlus.com
mbi të gjitha kënaqem kur gjej tituj librash të lezetshëm
p.sh. Natalia Ginzburg apo shkrimtar të panjohur me kalorës në kopertinë
shitësit në të shumtën e rasteve janë serioz të mbyllur dhe agresiv
nëse ju thua se je nga Kosova sillen mirë dhe të thonë eja prapë
kënaqem kur shoh tituj të lezetshëm e ekzemplarë të rrallë shkrihem nga qejfi
por Ben Andoni më thotë në vesh shsh mos ju thuaj se janë kopje të rralla
mbi të gjitha kënaqem në Tiranë kur gjej libra të rrallë, kur Xhevat Caushi ma ngul në çmim dhe kur shoh gruan time se me sa pasion ha akulloren me arra gjysmë të karamelizuar pa ja ndier fare për letërsinë. / KultPlus.com