Poezi e muzikë u mishëruan dhimbshëm në mbrëmjen e organizuar nga Artpolis

Tetë karrige në skenë, tetë njerëz për të cilët poezia ka rëndësi sa vetë jeta.

Meli Qena, Shpëtim Selmani, Ardiana Rexhepi, Sibel Halimi, Edis Galushi, Arbër Selmani, Qëndresa Kajtazi dhe Daniela Markaj mbrëmë sollën 25 poezi në një mbrëmje ku dikush qau e dikush qeshi, drejt përjetimit të emocioneve që veç poezia mund t’i zgjojë në epshet e njeriut.

‘Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 marsi’, organizuar nga ArtPolis, mbrëmë në Menzën Ramiz Sadiku mblodhi këta poetë e aktivistë për të lexuar për gruan, për fuqinë e gruas, për gruan e nënshtruar por edhe gruan e suksesshme, për gruan e përulur por asnjëherë të parëndësishme. Për një grua në jetën e gjithsecilit e gjithsecilës.

Zana Hoxha, drejtoreshë e ArtPolis dhe moderatore e natës, disa herë i rikujtoi audiencës rëndësinë e natës së poezisë në prag të 8 marsit, e cila organizohet tanimë tradicionalisht. Mbi 150 të pranishëm dëgjuan poezitë dhe u emocionuan edhe me muzikën nga ‘Dont listen to your neighbours’.

Meli Qena e nisi dhe e përfundoi mbrëmjen. Me leje nga vetë Ali Podrimja, Meli e solli poezinë ‘Unë, bija yte Kosovë’ – në versionin origjinal ‘Unë, biri yt Kosovë’, ndërsa e vazhdoi natën duke sjellë edhe poezi në gjuhën ruse, dhe magjinë e fjalëve të Rumit, shkruan KultPlus.

Secili prej të pranishmëve në skenë solli edhe tri poezi të tjera, nga dashuria për nënën, për fëmiun, për burrin, për gruan, për të vdekurit e për të gjallët. Edis Galushi lexoi edhe në gjuhën rome, ndërsa Izet Sarajlic erdhi përmes tij në gjuhën e tij amë.

Në skenë një poezi e lexoi edhe Ulrika Richardson nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, derisa më pas secili prej poetëve, aktorëve e aktivistëve për të drejtat e njeriut solli poezi personale dhe poezi të poetëve të tjerë të njohur në vend dhe botërisht, shkruan KultPlus.

Shpëtim Selmani i ‘këndoi’ poezive e vjershave që nuk janë shkruar kurrë, ndërsa Sibel Halimi gjeneratave që pafajësisht janë me faj. Arbër Selmani solli tri poezi me motiv familjen, dashurinë dhe fenë, ndërsa Ardiana Rexhepi erdhi fuqishëm me sharmin prej aktoreje me poezi për gjuetarin e dashuruar. Qëndresa Kajtazi recitoi një poezi nga Majlinda Bregasi ndërsa në gjuhën angleze, Daniela Markaj solli poezi për fuqinë e gruas dhe zemrës së mirë të saj. /KultPlus.com

Nga KultPlus, dhjetë libra si propozime për lexim gjatë janarit

Me fillimin e një viti të ri, gjithmonë ekziston dëshira edhe për të menduar për librat që do të lexoni këtë vit.

Janari gjithmonë ka shumë rëndësi, meqë po u krijua shprehia e leximit tash, do të vazhdojë e tilla gjatë tërë vitit 2020.

Plot libra në raft, pak kohë për t’i lexuar. Megjithatë, është koha të mendojmë seriozisht të lexojmë diçka.

KultPlus po ju sjellë një listë me dhjetë libra prej të cilëve mund të zgjedhni të lexoni çkado që doni, për një fillim të mbarë, dhe pse jo letrar, të këtij viti.

1.Franz Kafka – Letër babait

Kjo letër duhet lexuar e rilexuar. Mund të lexohet edhe me një frymë, e mund të reflektohet mbi të sa herë të doni. Niseni vitin 2020 duke lexuar një letër të dhimbshme dhe shumë të sinqertë nga shkrimtari, dedikuar babait të tij, një burri i cili nuk u kënaq asnjëherë me djalin e tij dhe të arriturat e këtij të fundit.

2. Elena Ferrante – Histori arratie e qëndrese

3. Shpëtim Selmani – Libërthi i dashurisë

4. Stephen Hawking – Përgjigjje të shkurtra për pyetje madhore

5. At Zef Pllumi – Rrno për me tregue

“Gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë për këtë vepër. Kanë nevojë, ata që kanë jetuar në atë kohë, e po aq, në mos më tepër, ata që nuk e kanë jetuar. Kanë nevojë te shtypurit e të nëpërkëmburit, e po aq, në mos më tepër, ata që shtypën të tjerët. Kanë nevojë antikomunistët, e po aq, ndoshta më tepër, komunistët. Shkurt për të ka nevojë ndërgjegjja jonë” Ismail Kadare në lidhje me veprën “Rrno vetëm për me tregue” të At Zef Pllumit.

6. Milan Kundera – Mosdija

7. George Orwell – 1984

8. Robert Elsie – Fiset Shqiptare

Ky është një nga librat më të thelluar për studimin e historisë, shoqërisë dhe kulturës shqiptare nga albanologu Robert Elsie. Është nga veprat e fundit që la autori para se të ndahej nga jeta. Në këtë libër trajtohen 69 fiset shqiptare, me një historik të shkurtër dhe me drejtuesit e tyre. Noel Malkolm shkruante: asnjëri nuk do të mund ta bënte këtë më mirë sesa Robert Elsie, i cili është i pashoq në njohjen e kësaj lënde.

9. Entela Tabaku dhe Shqiptar Oseku – ‘Enciklopedia e Mërgimit’

10. Michel Houellebecq – Serotonina

“Serotonina”, me magjinë e saj të papërsëritshme, mes ironisë thukëse dhe trishtimit të fshehur pas saj, është një vaj për jetën e vërtetë që po venitet relievit mahnitës të Francës. Houellebecq është zëri i qartë francez, që bën shpjegimin tronditës për Europën sot, por edhe të botës ku po jetojmë. Si përherë, edhe me këtë vepër, “profeti ogurzi” e parashikoi lëvizjen e “jelekëve të verdhë” disa javë përpara se ajo të shpërthente, siç ka ndodhur deri tani me veprat e tij. / KultPlus.com

Mbi shenjtërinë e çmendinës

Shpëtim Selmani

Le të shkoj në çmendinë dhe atë sa më shpejtë që të
Të jetë e mundur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës,
Le të shkoj në çmendinë dhe atë sa më shpejtë që të jetë
E mundur cari rus bashkë me egërsirën e tij të frikshme,
Le të shkojnë në çmendinë të gjithë liderët politik
Të Ballkanit, këta hundëleshë që nuk dinë asgjë
Mbi dashurinë e njeriut të thjeshtë, bekuar nga pema,
Le të shkojnë të kapur dorë për dore drejt asaj
Porte, që e hapin duart e Zotit, sa pamje mallëngjyese,
Le të shkojë në çmendinë presidenti turk dhe nga aty
Le të formuloj një kërcënim të ri mbi popujt
E vegjël, një tjetër për bukurinë e pidhit dhe një për
Gishtin që futet në syrin e së vërtetës,
Le të shkojë në çmendinë presidenti sirian dhe
Në dhomën e tij trupat e dy fëmijëve të vrarë
Nga sulmet kimike, le të jetë i lumtur,
Le të shkojnë në çmendinë dhe nga aty
Le ta kuptojnë njëherë e mirë se
Çfarë ndiejnë lepujtë në pyll*.

*sipas Louis Ferdinand Celine./ KultPlus.com

PriFilm Fest zbulon “Kosovo’s Rising Stars” të edicionit të 10-të

Alberina Haxhijaj

“Kosovo’s Rising Stars” është një program i ri në kuadër të PriFilm Fest, që ka filluar vitin e kaluar dhe që ka për qëllim promovimin e aktorëve të Kosovës, shkruan KultPlus.

Në këtë edicioni të 10-të, Yjet e Kosovës në ngritje, të përzgjedhur nga PriFilm Fest janë: Afrim Muçaj, Armend Smajli, Bujar Ahmeti, Doresa Rexha, Fatlume Bunjaku, Florist Bajgora, May-Linda Kosumovic, Rifat Smani, Rina Krasniqi dhe Shpëtim Selmani.

Aktorët të cilët u zgjedhën në kuadër të këtij programi vlerësohen si një aset i çmuar i Kosovës në kuptimin e industrisë filmike.

Festivali përmes përzgjedhjes që bënë mundohet që të promovojë artistët dhe punën e tyre tregoi për KultPlus Fatos Berisha një ndër themeluesit e festivalit PriFilm Fest.

“Vitin e kaluar e kemi lansuar këtë projekt, kjo është hera e dytë. Do të tentojmë si festival që të ndihmojmë në promovimin e aktorëve sidomos në arenën ndërkombëtare në mënyrë që sa më shumë regjisorë dhe producent të huaj por edhe vendor të kenë mundësi që të njihen më punën e tyre, e që mund të rezultojë me angazhimin e tyre në projekte ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Në kuadër të Prifilm Fest sot në sallën e vogël të teatrit Kombëtar u dha një projeksion i veçantë, para të pranishmëve. Aty u treguan disa sekuenca nga filma të ndryshëm ku luajnë aktorët e përzgjedhur si pjesë e programit “Kosovo’s Rising Stars”.

“Në mesin e miqve të festivalit, ndërkombëtarëve por edhe para aktores Vanessa Redgrave, patëm prezantimin e aktorëve që janë pjesë e ‘Kosovo’s Rising Stars’. Ne do të vazhdojmë edhe në vitet në vijim për të përkrahur promovimin e aktorëve. E mira e gjithë kësaj është që ne kemi se çfarë të promovojmë pasi që kemi aktorë të mirë dhe dëshira jonë nuk mungon”, theksoi tutje Berisha.

Aktorët do të prezantohen përsëri në përmbyllje të edicionit të 10-të të festivalit pasi që dita e sotme mund të konsiderohet si një projeksion në hapësirë më të vogël, e që ishte i dedikuar për njerëzit të cilët janë pjesë e industrisë filmike.

“I jam shumë falënderues PriFilm Fest-it që na ka ftuar, është nder për ne të jemi këtu dhe të prezantojmë vetën tonë. Është nder të jemi pjesë e të zgjedhurve si “Yjet e Kosovës në ngritje”, u shpreh aktori Shpëtim Selmani.
Të jesh pjesë e kësaj përzgjedhje sipas aktores Fatlume Bunjaku është shumë e rëndësishëm për faktin se disa prej tyre, duke përfshirë edhe aktoren Bunjaku, janë në fillim të karrierës së tyre si aktorë.

“Besoj që rëndësia qëndron edhe te fakti se kjo bëhet pikërisht në kuadër të PriFilm Festi-it një festival i cili çdo vit e më shumë ka evoluar duke përfshirë këtu edhe mysafirët me nam botëror. Mbështetja e artistëve të ri është shumë e rëndësishme dhe ndjehem shumë e privilegjuar edhe për faktin që puna jonë është prezantuar edhe para aktores Vannesa Redgrave”, theksoi aktorja Fatlume Bunjaku për KultPlus.

Pikërisht ideja e projekti dhe përzgjedhja e vitit të kaluar ka qenë mjaft intriguese për aktoren Doresa Rexha e cila këtë vit përcolli përsëri ceremoninë e prezantimit, por tani si pjesë e ekipit të përzgjedhur nga festivali.

“Vitin e kaluar vetëm e kam përcjellë këtë program si shikuese dhe e kam vlerësuar shumë idenë e këtij programi. PriFilm Fest çdo herë është befasuese me përkrahjen që ua jep aktorëve. Kur mora lajmin që këtë vit unë jam pjesë e përzgjedhjes ishte një privilegj i madh”, u shpreh ajo për KultPlus.

Vitin e kaluar pjesë e përzgjedhjes në kuadër të “Yjet e Kosovës në ngritje”, ishin aktorët: Andi Bajgora, Blerta Ismaili, Dukagjin Podrimaj, Lum Veseli, Lyra Xhoci dhe Tristan Halilaj./ KultPlus.com

Vjershë Babait

Shpëtim Selmani

Babai im ishte një lum i rrëmbyeshëm
Që derdhej në hënë. Por para
Se të gjithash ishte punëtor i madh.
Gjatë tërë jetës së tij kishte punuar me home phone,
Duke dashuruar paqebërësit, gjumin dhe
Lajmet e mbrëmjes në Tv.
Ai shpëtoi në luftë,
Kur bashkë me ushtarët sërb kishin bërë një marrëveshje,
Që ta hapin një varr të madh. Me duar.
Si kafshë të cuditshme. Për të. Por.
Nganjëherë zogjtë janë cool dhe zoti i ngjan
Një njeriu që na ndihmon. Dhe për këtë arsye
Babai im ndonjëherë fliste me mjegullën, me shiun
Dhe me stuhitë dhe me vesën e mëngjesit,
Faleminderit, faleminderit, faleminderit,
Kur kthehej nga puna dukej si një gjigant i lodhur,
Hante, I bërtiste nënës time sepse ishte shumë nazeli,
Eh, jetë o jetë,
Tash që ka vdekur, shihja shtëpinë e vjetër në mënyrë
Që ta kujtoja ngase për mua është e shumë e vështirë
Të mendojë mbi dicka nëse nuk gjej një shkak,
Dhe po. Një kapelë e vjetër. Varur në mur.
Në dhomën e tij ku dikur ishte martuar.
Një kapelë e vjetër. Mbushur me myk.
Dhe me merimanga.
Kapelja e babait tim.
Vetë ai.
Dhe zoti që qesh.

Mbi turpin

Shpëtim Selmani

Kudo që të shkosh dhe kudo që të jesh,
do ta kesh me vete edhe atë,
të ngujuar thellë në zemër, turpin madhështor,
turpin e pashlyeshëm, turpin e parrëzueshëm,
turpin e të qenit njeri.

Sa të duash, pi nga uji i kulluar i dashurive
për atdhetë, për gratë, për burrat,
për kombet, fetë e shpirtërat,
përsëri do të biesh në çastet kur bashkë
me ty do të bie nata dhe një tjetër
njeri brenda teje, do ta ujisë me gjak,
kopshtin e madh të turpit.

Sa të duash, përbuzi kafshët jopaqësore
dhe sa të duash, qëllo mbi to, po pate mundësi,
qiju me të gjitha llojet e luleve dhe sa të duash,
lëshoja zërin asaj kënge mbi zemra të lumtura,
konstruktet e liruara nga kafazi i një mendjeje të
dobët, do të përdhosin çfarëdo lirie që
ti, e ke krijuar shtyrë nga nevoja morale, për
ta mbuluar atë turp që të rrjedh nga goja.

Sa të duash, shkruaj poema mbi çlirimin e
popujve, futja vetes flakën në bulevardin
e Zotërave të Luftës, po munde,
çoje deri tek retë gishtin e mesëm dhe me të
turbulloje heshtjen jokorrekte të engjëjve,
mundohu sa të duash, duart
do t’i kesh të mbushura me turp.

Kudo që të shkosh dhe kudo që të jesh,
do ta kesh me vete dhe atë,
si një thikë e lashtë në ballë,
turpin e mjerë, turpin mizor,
turpin e asaj se çfarë je.

Beograd, 15. 07. 2014.

Poezi në kohën e gjakut dhe zhgënjimit
(2010 – 2017)

sh.s.

Shpëtim Selmani, kryetar i Kuvendit në Qendrën Multimedia

Shpëtim Selmani është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Qendrës Multimedia më shumicë votash për një mandat 3 vjeçar, shkruan KultPlus.

Gjatë takimit, me shumicë votash, Shpetim Selmani është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Anëtarëve të Qendrës Multimedia, në një mandat prej 3 vjetësh. Punimet e Kuvendit të Anëtarëve i ka përcjellur dhe monitoruar edhe Visar Morina, përfaqësues ligjor i INDEP-it. Qendra Multimedia mbështetet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Shpëtim Selmani është njëri ndër autorët më të spikatur të brezit të ri letrar në Kosovë. Shkruan poezi, prozë dhe drama. Me formim është aktor dhe ka luajtur role të ndryshme në teatrot e Kosovës. /KultPlus.com

Poezi e kangë të zemrës për regjisorin Bekim Lumi

Për regjisorin Bekim Lumi po vazhdon solidarizimi i artistëve dhe qytetarëve, në mënyrë që ai të gjejë shërimin e tij nga kanceri.

Në vazhdën e plot ngjarjeve që po mbahen për të ngritur fonde për regjisorin e njohur, me datë 13 mars do të organizohet një mbrëmje kulturore me artistë të ndryshëm.

Me fillim prej orës 20:00, me datë 13 mars, në Qendrën Multimedia vjen një organizim me muzikë e poezi. Shpëtim Selmani do ta promovojë librin e tij më të ri, dhe do të lexojë poezitë e tij, ndërsa Rona Nishliu e Ilir Bajri do të vazhdojnë me këngët e zemrës për Bekën.

Hyrja në organizimin kulturor është 3 euro, ndërsa gjithçka po organizohet në kuadër të fushatës humanitare për të ndihmuar Bekim Lumin. / KultPlus.com

Në Festivalin e Poezisë në Zvicër edhe Sibel Halimi, Jeton Neziraj dhe Shpëtim Selmani

Një rrugëtim poetik – Kosova prezantohet në festivalin e njohur të poezisë në St Gallen të Zvicrës, shkruan KultPlus. Me shkrimet e tyre në këtë festival do të paraqiten nga Kosova: Sibel Halimi, Jeton Neziraj dhe Shpëtim Selmani, shkruan KultPlus.

“Bern është kudo” është një grup prej dymbëdhjetë autorësh dhe muzikantë zviceranë të cilët i ndërlidhin së bashku tekstin dhe muzikën, duke i sjellë së bashku në skenë. Ndërsa me “Kosova është kudo”, pas shtatë performancave në Kosovë, artistët nga Kosova do të paraqiten edhe në Zvicër.
Mbrëmja do të sjellë së bashku performuesit nga Zvicra: Laurence Boissier, Guy Krneta dhe Gerhard Meister kurse nga Kosova: Sibel Halimi, Jeton Naziraj dhe Shpëtim Selmani.

Në kuadër të prezantimeve Sibel Halimi do të paraqitet me poezinë “Copë” e cila trajton fatin e grave/viktima të dhunës seksuale gjatë luftës. Si dhe me poezitë: Zoti më dashuron mu, Shtëpia qenësia ime dhe Vdekja e bardhë. Festivali nisë më 22
dhe përfundon më 25 mars./KultPlus.com

Fatos Berisha inskenon shfaqjen e parë për 2018-të në TKK, sjellë dramë për ‘peshqit e vegjël’

Sarandë Selimi

Pak kohë pas publikimit të katër projekteve që do të inskenohen në skenën e vogël të vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës, kanë nisë provat për shfaqjen “Bardh”, të autorit kroat Dubravko Mihanovic, e që në skenë do të vijë me regji të regjisorit kosovar Fatos Berisha.

Shfaqja, e cila ka filluar me prova në muajin janar, tashmë është thuajse në përfundim dhe shumë shpejt pritet të dalë para audiencës kosovare. Për të folur më shumë rreth tekstit, inskenimit, kastës së aktorëve e poashtu edhe për datën e premierës, KultPlus, sjellë një rrëfim të shkurtër më regjisorin Fatos Berisha.

“Bëhet fjalë për dramën ‘Bardh’ të autorit bashkëkohor kroat Dubravko Mihanovic. Është një dramë minimaliste, e cila më bëri përshtypje për stilin e shkrimit, dialogët dhe mënyrën e trajtimit të vet strukturës dramatike. Unë kisha lexuar më parë një dramë tjetër të tij, dhe në kontakt e sipër me autorin, më ra në duar edhe kjo dramë e tij e cila më pëlqeu shumë dhe më është dukur e përshtatshme për skenën e vogël të TKK”, tha fillimisht për KultPlus, Berisha, i cili vazhdoi tutje të tregoi për veçantitë që do të sjellë kjo shfaqje sa i përket inskenimit.

“Të them të drejtën, unë tentoj që gjithmonë të sjellë risi në projektet e mia, por kjo gjë nuk është e lehtë natyrisht. Në anën tjetër, në vazhdimësi më preokupojnë temat sociale dhe fatet e njerëzve nga margjina e shoqërisë, dhe ky tekst më ka ofruar pikërisht atë. Është një dramë për ‘peshqit e vegjël’”, tha regjisori.

Kasta e aktorëve të “Bardh” përbehët nga Shpëtim Selmani dhe Tristan Halilaj. Dy emra të aktorëve kosovar të cilët jo rrallë herë i kemi parë në shfaqjet e regjisorit Berisha.

“Me të dy aktorët kam punuar më parë në projekte tjera teatrore dhe i njoh shumë mirë. Vlerësova se personazhet e shkruara në dramë u përshtaten atyre si aktorë. Poashtu edhe ata njohin stilin dhe metodën time të punës, andaj vendimi për të punuar së bashku ishte i lehtë për të gjithë ne”, u shpreh Fatos Berisha, duke thënë tutje se janë një ekip e vogël dhe kjo ua lehtëson pak punën logjistike, megjithëse sipas tij, nga ana artistike kjo nuk përbën ndonjë lehtësi, përkundrazi.

“Si proces i punës deri tani ishte vërtet i këndshëm, në një atmosferë relaksuese që na jep të gjithëve një hapësirë të domosdoshme për punë kreative”, pohoi ai.

“Bardh” është përkthyer nga gjuha kroate nga vetë Fatos Berisha ndërkaq për skenografinë dhe kostumet është përkujdesur Arben Shala.

“Bardh”, është premiera e parë e vitit 2018-të që ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Premiera shfaqet më 14 shkurt ndërsa reprizat e para vijnë më 23 dhe 24 shkurt./ KultPlus.com

“Zoti i Masakrës” të hënën në Prishtinë

Me tekst të Jasmina Reza e regji të Besfort Idrizit, të hënën do të prezantohet premiera e shfaqjes “Zoti i masakrës”, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Në këtë shfaqje me rolet e tyre luajnë aktorët: Donikë Ahmeti, Shpëtim Selmani, May-Linda Kosumovic dhe Labinot Raci.

Jasmina Reza është një nga dramaturgët më të famshme bashkëkohore në botë. Përveç që shfaqjet e saja janë inskenuar me sukses në mbarë botën, ajo është fituese e çmimeve të mëdha, mes të cilave vlen të përmenden Molier, Laurence Olivier dhe Tony Award për autor më të mirë, nga të cilat çmimet Laurence Olivier dhe Tony janë pikërisht për dramën “Zoti i masakrës”.

Në shfaqje bëhet fjalë për dy familje të shtresës së lartë shoqërore, apo më saktësisht për dy çifte të prindërve, fëmijët e të cilëve janë rrahur në shkollë. Sjellja e fëmijëve është motivi që prindërit të takohen dhe t’i diskutojnë shkaqet dhe problemet e mundshme që mund të dalin nga një sjellje e tillë e papërshtatshme të fëmijëve të tyre. Pasi prindërit do të takohet dhe të njohin njëri-tjetrin, pavarësisht pritjes së tyre që do të gjejnë zgjidhje të shpejtë dhe racionale, ndodh krejt e kundërta.
Shfaqja është kamertale dhe fokusohet më tepër në lojën e aktorëve dhe përpjekjeve të gjetjes së zgjidhjeve të problemeve të personazheve, sesa në elementet dhe efektet tjera skenike deskriptive. Sa për zhanrin e shfaqjes, do të jetë tragjikomike, apo si që thotë autorja, komedi e zezë./KultPlus.com

Një poezi

Jam Shpëtim Selmani.
Motherfucker i shkencës së njohjes njerëzore.
Endacak bastard i rrugëve ku u vra shpirti.
Dhe nderi. Dhe turpi. Dhe faji. Dhe arsyeja.
Po endem atypari.
Unë dhe macja
Pa sy e Edgar Allan Po-esë.
Ende kam mundësi të bëj marrëveshje
Të fshehura me veten.
E vetmja lumturi në duar.
Po merrem me teatër. Teatri
Tjetër, dhuratë nga perënditë
Është një shfaqje pa shije
E mbipopulluar nga aktorët e këqinjë.
Jam kundër të gjitha qeverive.
Jam kundër të gjitha bashkësive atdhetare.
Dhe lirisht mund ta përdhosni
Idenë time sakate, e cila qëndron e varur
Nëpër shtyllat elektrike.
Shkruaj poezi. Kohëve të fundit
Më duket se të gjitha janë të njëjta
Dhe habitem me veten pse nuk
Heq dorë nga kjo gjë.
Por kur ndalem e mendoj.
Mendja e qenies njerëzore
Është një shkëmb fanatik
Që duhet të cahet në dysh.
Kam vibrime të frikshme kur
Gjëra të liga më rrethojnë.
Në mes errësirës rri i heshtur,
Vështroj dhe ha thonjët.
Jam romantiku i fundit
Hedhur si copë trëndafili
Në planetin e pajetueshëm.
Shel Silverstein është
Miku im më besnik,
Ngase nuk e njoha kurrë.
Jam Shpëtim Selmani.
Edhe nëse nuk do të isha
Nuk do të kishte farë rëndësi.
Fund e krye i rrahur nga
Grushtat e realitetit.
I dëbuar politikisht.
I urryer nga bombëkurdisësit.
I bekuar nga një grua
Dhe tragjikisht i zbathur në
Fushën e madhe të prushit.
Përgjithmonë hajvan vetmitar duke i dhënë
Botës dicka, për të cilën ajo nuk
Ka fare nevojë.
Një poezi.

Shpëtim Selmani, shkrimtari i muajit gusht në rezidencën letrare në Tiranë

Shpëtim Selmani (Kosovë, 1986) është mik gjatë muajit gusht në Programin “POETEKA – Tirana in Between”.

Kjo rezidencë, që fton shkrimtarë dhe përkthyes letrarë nga rajoni dhe Europa, organizohet prej pesë vjetësh nga Poeteka me mbështetjen e rrjetit evropian për letërsinë dhe librat TRADUKI, Ministrisë së Kulturës, Ambasadave të Gjermanisë, Austrisë dhe partnerëve të tjerë vendas.

Shpëtim Selmani ka studiuar sociologji në Universitetin e Prishtinës, ka përfunduar studimet Master në Fakultetin e Arteve – Aktrim. Ai shkruan poezi, prozë, dramë dhe publicistikë dhe luan gjithashtu në teatër. Më 2006 Shpëtim Selmani botoi librin me poezi “Brenda Gucës”, në 2011 botoi edhe përmbledhjen tjetër me titullin “Poezi”, ndërsa “Shënimet e një Grindaveci” u botuan nga “Qendra Multimedia” në vitin 2015 dhe u përurua në Tiranë, në qendrën kulturore “Tulla”.

Shpëtim Selmani është një nga autorët më të spikatur të brezit të ri letrar të Kosovës. Në tekstet e tij ai ndjek një frymë avangardiste, që shkëputet në përmbajtje dhe stil nga kanonet e letërsisë tradicionale, e cila orientohej ose me ide iluministe, romantike e progresiste të jetës kombëtare, ose me një modernizëm të tipit hermetik dhe simbolist.

Duke qenë i frymëzuar nga letërsia bitnike dhe adoptimi i saj për nën qiellin e Kosovës që e ka bërë Arben Idrizi në fillim të këtij shekulli, Selmani në shkrimet e tija sjell fjali, ide dhe pamje të drejtpërdrejta të përditshmërisë së vrazhdë dhe shumëfish sfiduese për individin dhe kolektivitetin, me një zë herë thellësisht shpotitës, herë ironik e sarkastik, por që në instancën e fundit synon një katarsis shëlbyes të lirisë së shprehjes.

“Unë e admiroj këtë zhabë unike në një pellg të harruar. Unë e admiroj kreativitetin, inteligjencën dhe vecantinë e tij, pa dyshim. Unë e admiroj disiplinën e tij, njohuritë dhe shumëllojshmërinë e talentit të tij, natyrisht. Por para së gjithash – unë e admirojë atë si një qenie me të vërtetë të mrekullueshme”
Vladimir Arsenijevic , Shkrimtar.