Kur një ekip shpëtimtarësh gjeti dy unaza martese në një çantë shpine që qëndronte mbi ujin e Mesdheut, pati frikë se pronarët ishin të vdekur.
E mbuluar me krijesa të vogla deti, çanta ndodhej në një anije pothuajse të përmbytur, e cila disa javë më parë kishte lënë pesë të vdekur.
Për befasinë e tyre, shpëtimtarët i gjetën pronarët e unazave – një çift i ri nga Algjeria, shkruan BBC.
Ndonëse kishin menduar se unazat u kishin humbur përgjithmonë, dhëndri Ahmedi dhe nusja Doudou pritet të bashkohen përsëri me shenjën e tyre të martesës – unazat që i mbajnë të gdhendur emrat e tyre.
“Kur e publikova fotografinë, kurrë nuk mendova se do ta gjeja personin që ishte pronar i çantës. Njëkohësisht, mendoja se bëhej fjalë për dikë që ka vdekur në Mesdhe”, tha Amad Al Rousan, që është pjesë e një organizate bamirëse italiane.
Çifti ishte duke jetuar në Libi, por u detyrua ta merrte rrugën e vështirë drejt Evropës për shkak të mungesës së sigurisë në atdhe.
Vetëm 48 orë pasi kishin hipur në barkë, ajo u përmbys. Pesë persona, përfshirë një foshnjë 18-muajshe, vdiqën.
Ahmedi dhe Boudou u shpëtuan nga peshkatarët. Më pas, ata u dërguan në një qendër pranimi në Sicili, ku e panë fotografinë e çantës së tyre./ KultPlus.com