Gjatë fundjavës u mbajt në Korçë edicioni i 6-të i festivalit “Shpirti i Ballkanit”, festivali më i madh folklorik në rajon. Ansamblet nga Maqedonia e Veriut, Greqia, Mali i Zi, Bullgaria, Shqipëria krijuan në këtë festival një atmosferë elektrizuese.
Së bashku me turistë vendas e të huaj, artistët u bënë pjesë e një feste plot ngjyra në Korçë, me paradat e tyre në Zonën këmbësore dhe performancat te Pazari i vjetër. Grupet e ftuara kanë sjellë traditat e tyre, vallëzimin e melodinë, duke u bërë promovues të kulturës ballkanike. Për herë të parë në Korçë ka qenë i ftuar edhe një ansambël nga Maroku.
Festivali u organizua nga bashkia e Korçës si dhe Qendra e Kulturës dhe Inovacionit, të cilët ishin kujdesur për të ftuar ansamble me cilësi të lartë artistike.
Qëllimi i “Shpirtit të Ballkanit” është ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë jomateriale, si dhe nxjerrja në pah e vlerave që mbart rajoni i Ballkanit./atsh/KultPlus.com
Në qytetin e Korçës u zhvillua edicioni i tretë i festivalit “Shpirti i Ballkanit” ku trupa të ndryshme nga vende të rajonit performuan valle dhe muzikë folklorike.
Drejtoresha e Teatrit të Korçës, Zamira Kita, njëkohësisht organizatore e festivalit tha se kjo nismë synon të ruajë folklorin si dhe është mënyra më e mirë për tu rikthyer në normalitet pas më shumë se një viti në pandemi
Ndryshe nga edicioni i parë këtë vit COVID-19 diktoi një formë tjetër organizimi në të cilën morën pjesë vetëm 3 ansamble, Ansambli i Bitolës së Maqedonisë, Ansambli i Skëndërbeut dhe ai i Shqiperisë së Mesme.
Kita tha se “ky festival synon të ruajë traditën e këmbimin e eksperiencave dhe ruajtjen e urave të bashkëpunimit mes vendeve të rajonit”.
“Ne dëshirojmë që të ruajmë në vazhdimësi vlerat e folklorit tonë dhe prandaj e kemi marrë këtë iniciativë. Vjet u përpoqëm në një formë virtuale që të realizonim disa bashkëpunime me disa nga vendet e Ballkanit, ndërsa sivjet u rikthyem në skenë. Shpresojmë që pandemia do të marrë fund dhe ne vitin tjetër do të kemi një festival edhe më të madh në numrin e trupave pjesëmarrëse”, tha Kita.
Këngët popullore folklorike, vallet dhe muzika instrumentale u duartrokiten nga artdashësit korçarë, por dhe turistët e pranishëm në skenën e Pazarit të Vjetër të Korçës.
Një prej anëtarëve të ansamblit “Skënderbeu”, Ines Sulenjis, rrëfeu emocionet e një shfaqje përpara publikut pas një viti pandemi.
“Ishte një ndjesi e papërshkrueshme pasi gjithë trupat nuk ishin mbledhur kurrë pas kësaj kohe pandemie dhe mezi po prisnim të vinim në skenë”, tha ajo.
Një ndër artistët e ansamblit Bitola të Maqedonisë vlerësoi festivalin dhe uroi që vitin tjetër ai të organizohet më i madh.
“Festivali ka qenë i mrekullueshëm, organizimi gjithashtu. Jemi të lumtur që jemi pjesë e tij dhe shpresojmë që vitin tjetër të jetë më i madh”, tha një ndër artistët e Ansamblit Bitola.
Vitin e ardhshëm ky festival pritet të vijë me një program më të zgjeruar dhe pjesëmarrje më të madhe të shteteve të Ballkanit. /atsh/ KultPlus.com
“Shpirti i Ballkanit” vjen për herë të parë në juglindje të vendit, në “Korca folk fest Balkan”. Festival që ka ngjallur një interesim të jashtëzakonshëm tek artdashësit e këtij qyteti dhe jo vetëm.
Organizatorët e festivalit kanë menduar që Shpirtin e
Ballkanit ta kenë për dy net në qytetin e Korçës. Në natën e parë sipas
drejtores së Teatrit, Zamira Kita, folku ballkanik do të ngjitej në skenën e
këtij teatri, ndërkohë që në natën e dytë ballkanasit do të performojnë në
pazarin e vjetër të qytetit. Atje ku edhe për Kitën, përzjehet fort mirë folku,
tradita me vlerat e trashëgimnisë kulturore.
Në natën e parë të “Shpirtit të Ballkanit” janë ngjitur në
skenë trupat nga Bullgaria, Greqia, Kosova, Turqia, Maqedonia e Veriut dhe
Shqipëria. Trupa që sollën në skenë tabanin e valleve të tyre tradicionale.
Valle të cilat por edhe muzika, në një pjesë të konsiderueshme ngjanin fort me
njëra-tjetrën. Aq shumë sa të dukej se po shikoje valle maqedonase pa çka se në
skenë ishin bullgarët apo nga trevat greke. Për muzikologun e njohur Pandi
Bello, pak gjëra i ndajnë fqinjët me njëri-tjetrin, edhe në folk. Ndarje që
bëhet më e vogël me afërsinë gjeografike të shteteve.
Të gjitha trupat në natën e dytë do të ngjiten në një skenë të madhe në sheshin e pazarit të vjetër. Aty ku do të ndahen edhe çmimet për grupin më të mirë, valltarin më të mirë dhe kostumografinë./KultPlus.com