Ndërron jetë Shpresa Vreto, autorja e njohur e Letërsisë për Fëmijë

Sot, Letërsia për Fëmijë humbi një nga autoret më përfaqësuese të saj.

Lajmi u bë i ditur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, e cila e konsideronte veprën e Vretos si një vepër që do të mbetet gjithnjë pjesë e Bibliotekës së Librit Shqip.

”QKLL u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve!”, thuhet tutje në njoftim.

Vreto ishte autore e disa librave për fëmijë. Ajo ka bërë disa skenarë për filmat artistikë dhe për filmat e animuar. Në vitin 1978 ka shkruar skenarin e filmit vizatimor “Mirela”. Në vitin 1981 së bashku me Xhanfizé Kekon kanë realizuar skenarin e filmit “Kur xhirohej një film”. Pas pesë vjetësh vjen e vetme si autore në realizimin e filmit “ Fillim i vështirë”.

Vreto poashtu me Petrit Rukën ka bashkëpunuar edhe në filmin “Një djalë dhe një vajzë” në vitin 1990.

Disa nga librat që ka shkruar Vreto janë: “Shokë Shkolle”, “Vit i paharruar” etj. Pas viteve 1990 ka ideuar “Sirena e vogël” dhe “Bota ime”. Gjithashtu ka drejtuar një bibliotekë për fëmijë, për 12 vjet rresht. / KultPlus.com