Vjen në shqip romani ‘Puthja e bukës’

“Puthja e bukës”, romani i autores së njohur spanjolle Almudena Grandes, ka ardhur në gjuhën shqipe nën përkthimin e Namik Dokles dhe mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.

“Puthja e bukës” është romani i njërës prej shkrimtareve më të famshme të Spanjës, në të cilin përplasen dhe kryqëzohen jetët dhe fatet e shumë njerëzve, duke shkaktuar shumëllojshmëri konfliktesh, sa personale, po aq edhe shoqërore.

QKLL e përkufizon këtë roman si shumë tërheqës mbi të sotmen tonë. Në të ngrihen pyetjet: Ç’po ndodh me njerëzit e thjeshtë, të gjendur në syrin e ciklonit të krizës, si po e përballojnë të gjithë ata, çifte dhe të vetmuar, baballarë dhe fëmijë, pleq dhe të rinj, si mund të bëhet dashuria njerëzore një formë e rezistencës?

Me një delikatesë fine, por njëherësh edhe me një thellësi tronditëse, autorja shfaq të gjitha vështirësitë, mungesat dhe pasiguritë, me të cilat përballen personazhet e romanit. Të gjitha këto ndodhin vetëm në një lagje tipike të Madridit.

Namik Dokle eshtë mbështetur nga QKLL jo vetëm në rolin e përkthyesit por edhe atë të shkrimtarit. Ai ishte një prej 6 autorëve përfitues të  “Fondit të Përkthimit Letrar nga Gjuha Shqipe në Gjuhë të Huaj”, ku libri i tij “Vallëzim me hënën”, u përkthye në spanjisht nga Maria Esperanza Roces González./atsh/ KultPlus.com

‘O Margjela e malësisë, thuja kangve të çobanisë’ (VIDEO)

KultPlus ju sjellë këngën e vjetër “Margjelo” e cila i ka rezistuar kohës dhe vazhdon të këndohet nga këngëtarë të ndryshëm.

Moj margjel mori malsore
ku po shkon me at kosore
ku po shkon moj tuj vrapue
a po me pret o vash dhe mue
bashkë të shkojmë me punue
bashkë të korrim tuj këndue

Margjelo mori Margjel
çilma synin që më ke mshel
O Margjela e malësisë
thuja kangve të çobanisë

Margjelo mori Margjel
çilma syrin që m`ke mshel
O Margjela e malësisë
thuja kangve të çobanisë

Moj margjel mori fisnike
bija e malësisë kreshnike
mos t`lshoj zemra ble sonjike
trim i mirë që shkon si erë
mendjen kthyer ka gjithherë
e tash kthen sot bëhet verë

Margjelo mori Margjel
çilma syrin që m`ke mshel
O Margjela e malësisë
thuja kangve që mban ise./ KultPlus.com

Pesë libra të rinj në shqip nga letërsia bashkëkohore evropiane

1. “Kometa në luginën Mumin” e autorit Tove Jansson, përkthyer nga Virgjil Muçi

Të gjithë banorët e luginës së Muminëve janë të emocionuar ngaqë kanë marrë vesh se pranë tyre do të kalojë një kometë. Por ata alarmohen shumë kur mësojnë se ka mundësi që kometa të bjerë e të shkatërrojë gjithçka në luginën e tyre. Atëherë Mumintrolli së bashku me mikun e tij Snifin, vendosin të ngjiten te Observatori, që ndodhet tek Malet e Vetmuara, për të biseduar e marrë vesh më shumë nga profesorët që gjenden atje. Gjatë rrugës ata kalojnë aventura të shumta, të mrekullueshme, me shpella të fshehta, shtëpi të ngritura majë pemëve, e kështu me radhë. Por në fund gjithçka zgjidhet më së miri dhe dielli vazhdon të ndriçojë luginën e tyre njëlloj si më parë.

Tove Jansson, shkrimtare finlandeze, që shkruan në suedisht, duke qenë pjesë e pakicës suedeze që jeton në Finlandë. Në Finlandë ajo konsiderohet ‘monument kombëtar’. Fituese e çmimeve më të mëdha kushtuar letërsisë për fëmijë, Tove Jansson njihet në mbarë botën për librat e saj, sidomos për serinë e Muminëve, e cila konsiderohet sot pjesë e fondit të artë të letërsisë më të mirë botërore për fëmijë. Botimet IDK ka në plan botimin e gjithë serisë së Muminëve.

“Tove Jansson është padyshim një nga shkrimtaret më të mëdhaja të letërsisë për fëmijë të të gjitha kohërave. Ajo ka aftësinë e rrallë të shkruajë libra që iu pëlqejnë fëmijëve, por që ke qejf t’i lexosh me ëndje të madhe dhe kur i ke kaluar të gjashtëdhjetat, si unë.”   – Sir Terry Pratchett.

2. “Fundi i të gjitha ditëve” i autorit Jenny Erpenbeck, përkthyer nga Irena Nasi

Fitues i Çmimit “Independent Foreign Fiction” dhe “Hans Fallada”, romani “Fundi i të gjitha ditëve”, i shkrimtares së mirënjohur gjermane Jenny Erpenbeck, përbëhet në thelb nga pesë “libra”, ku secili çon në një vdekje të ndryshme të së njëjtës protagoniste femër të paidentifikuar. Por si mund të kishte shkuar gjithçka ndryshe? – pyet rrëfimtari. Kapitulli i parë fillon me vdekjen e një foshnjeje në Perandorinë Habsburge të fillimit të shekullit të njëzet. Në kapitullin tjetër, e njëjta vajzë rritet në Vjenë pas Luftës së Parë Botërore, por një pakt që ajo bën me një djalë të ri çon në një vdekje të dytë. Në skenarin tjetër, ajo i mbijeton adoleshencës dhe shkon në Rusi me burrin e saj. Të dy janë komunistë të përkushtuar, megjithatë heroina jonë përfundon në një kamp pune. Por fati i saj nuk mbaron me kaq…

“Fundi i të gjitha ditëve” ofron një pasqyrë unike të shekullit të njëzet.

“I mrekullueshëm, elegant dhe emocionues… i egër po aq sa edhe virtuoz.” -Deborah Eisenberg, The New York Review of Books

3. “Jelgava 94” i autorit Jānis Joņevs, përkthyer nga Diana Çuli

Protagonist i romanit është katërmbëdhjetëvjeçari Jānis, një djalë nga Jelgava me rezultate mjaft të mira në shkollë, i cili mundohet të jetojë pa u vënë re. Megjithatë, duke rënë në dashuri me shoqen e tij të klasës Kristine dhe duke bërë aksidentalisht miq të rinj me nofkën Vdekja dhe Zombie, ai befas i kthehet stilit alternativ të jetesës. Fillon të kujdeset për veten, të luajë në një grup muzikor, të dëgjojë muzikë metal, të veshë rrobat e duhura.

Historia e librit është vendosur në sfondin e ngjarjeve të vitit 1994, me momente kyçe si vdekja e Kurt Cobain, liderit të grupit “Nirvana”, vdekje e cila ndikoi në jetën e të rinjve të Jelgavës, të fillojnë të dëgjojnë muzikë heavy metal, lulëzimi i tregut ilegal të disqeve muzikore dhe rifitimi së fundmi i pavarësinë së Letonisë nga Bashkimi Sovjetik çka solli trazira ekonomike dhe sociale. Libri flet për adoleshentët e viteve ‘90. Në kërkimin e tyre për veten dhe të ndryshmen, ata i drejtohen të ashtuquajturës kulturë alternative. Libri ka të bëjë me rininë e asaj periudhe kur secili përpiqet t’i rezistojë botës, të mos jetë si gjithë të tjerët. Po a funksionon kjo vallë?

Jānis Joņevs (lindur më 1980 në Jelgava) është një shkrimtar letonez. Pas studimeve në gjimnazin lokal të Jelgavës, ai shkoi në Riga ku mori një diplomë master nga Akademia Letoneze e Kulturës. Romani “Jelgava ‘94” është libri i parë i autorit, roman i cili ka marrë disa çmime, më i rëndësishmi është Çmimi i Bashkimit Evropian për Letërsinë në vitin 2014. I vlerësuar nga kritika si “një biografi e zgjuar dhe e gjallë e brezit të autorit”, pas publikimit të tij, libri shpejt fitoi popullaritet në Letoni.

4. “Biseda mes miqsh”, i autores Sally Rooney, përkthyer nga Ines Ekonomi

Dublin në ditët tona. Fransis and Bobi, dikur të dashura, tashmë janë thjesht shoqe të ngushta, studente që aspirojnë të bëhen shkrimtare, të bëra të njohura për shfaqjet, në të cilat lexojnë poezitë e tyre. Në një prej këtyre shfaqjeve ato njihen me Melisën, një fotografe profesioniste më e madhe në moshë, e martuar me Nikun, një aktor. Në takimet mes tyre ato diskutojnë për botën, për jetën e tyre, kritikojnë kapitalizmin e fenë, njëlloj siç bënin dikur personazhet e Xhojsit. E kështu nis një histori miqësie, por në të njëjtën kohë, dhe një histori dashurie, që në një farë mënyre ua përshtjellon jetën të katërve, kur Fransis bie marrëzisht në dashuri me Nikun, duke rrezikuar befas të gjithë ekuilibrin e miqësisë së tyre. Por romani “Biseda mes miqsh” nuk është thjesht një histori e lehtë dashurie e tradhtie bashkëshortore: ai është para së gjithash portreti i një brezi të tërë të të rinjve në ditët tona, që nuk arrin të gjejë vendin në botën e sotme. Zëri i Fransisit, njëherësh poetik, spontan, herë-herë naiv, por gjithnjë aq i freskët, në të vërtetë është zëri i gjithë një brezi.

Sally Rooney është një autore irlandeze, e cila sot konsiderohet nga kritika si “Salingeri i ditëve tona”, “romancierja më e madhe e viteve 2000”. E lindur në vitin 1991, ajo është autore e tre romaneve, të cilët kanë patur një sukses të jashtëzakonshëm në mbarë botën, si nga kritika ashtu dhe nga lexuesit. Romani i saj “Njerëz normalë” u kthye në film prej BBC, me 12 seri, fitues i çmimit Emmy në 2020. Po ashtu romani “Biseda mes miqsh” është duke u bërë film po nga BBC, po me 12 seri, që do të dalë gjatë vitit 2022.

5. “Peshqit nuk kanë këmbë” i autorit Jón Kalman Stefánsson, përkthyer nga Agim Doksani

Jón Kalman Stefánsson, lindur më 17 dhjetor, 1963 është një shkrimtar islande. Romani i tij “Peshqit nuk kanë këmbë”në vitin 2017 u nominua për Man Booker International Prize. Ai ka qenë gjithashtu, katër herë i nominuar për Çmimin Letrar të Këshillit Nordik.

“Peshqit nuk kanë këmbë” është në të njëjtën kohë historia e një familjeje të vetme si dhe një ep i historisë dhe kulturës islandeze. Ajo paraqet një panoramë të veçantë të Islandës moderne dhe të mënyrës se si ajo është formësuar nga ndikimet e jashtme. Keflaviku është një qytet që njihet si më i errëti i Islandës, jetesa e të cilit varet tërësisht nga një bazë ushtarake e ShBA-së, analogji me idikimin e Amerikës në kulturën dhe etikën islandike nga vitet ’50, deri në mijëvjeçarin e ri. Aty Ari, shkrimtar dhe botues, i larguar qysh para dy vitesh bashkë me familjen, kthehet nga Kopenhageni pasi i ati po i vdiste. Papritur, gjendet i rrethuar nga kujtimet e rinisë së kaluar duke dëgjuar Pink Floyd dhe Beatles. Mes gjithë tyre, është një vajzë që s’mund ta harronte, fati i saj e shoqëroi përgjithnjë. I humbur në dhimbje e nostalgji, ai kapet gjithashtu edhe nga historia se si gjyshërit i ishin dashuruar në Nordfjordur. Dashuria e tyre tragjike zbërthehet përballë sfondit të natyrës së dhunshme dhe tipareve të pafalshme islandeze./ ExLibris / KultPlus.com

140 vite nga vdekja e Dhimitër Kamarda, studiuesit arbëresh të shqipes

Dhimitër Kamarda ishte gjuhëtar e atdhetar arbëresh, botues i folklorit, me formim shkencor edhe në fushën e gjuhësisë indoevropiane.

Vepra e tij kryesore, “Sprovë e gramatologjisë krahasuese mbi gjuhën shqipe”, është vepra e parë shkencore nga një studiues shqiptar, i cili trajton faktet e gjuhës shqipe në planin historik-krahasues.

Kamarda ndërroi jetë më 13 Prill 1882, në Livorno të Italisë. Ai së bashku me Jeronim De Radën (Girolamo De Rada) ishin dy iniciatorët kryesorë të lëvizjes kulturore italo-shqiptare (arbëreshe) në Itali gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX.

Puna kryesore e Kamardës “Sprovë e Gramatikës Krahasuese të Gjuhës Shqipe” është puna e parë shkencore e studimit historik krahasues mbi temën. Ai dha një kontribut të rëndësishëm me botimin e Alfabetit të përgjithshëm shqiptar në 1869.

Kamarda shkroi edhe një gramatikë të gjuhës shqipe dhe botoi një libër me poezi shqiptare kushtuar Dora d’Istrias, me titullin “A Dora d’Istria gli Albanesi” (“Dora d’Istrias, shqiptarët”)./ Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

Prodhimet më të njohura të kinemasë shqiptare tani janë online në Gjirafa ‘Prime’

Gjirafa ka njoftuar për shërbimin e tyre të ri, të quajtur “PRIME“, të cilën janë përfshirë filma shqip që kanë marrë pjesë në festivale të ndryshme ndërkobmëtare, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, GjirafaVideo ka bërë të ditur lansimin e shërbimit të ri “Prime”.

Filmat që na kanë bërë krenarë në festivalet më prestigjioze ndërkombëtare, tashmë në rehatinë e shtëpisë suaj.

Për herë të parë, prodhimet më të njohura të kinemasë shqiptare, online: Zana, Në kërkim të Venerës, Bolero në vilën e pleqve, Shtëpia e Agës, Derë e Hapur, Pranverë e paharruar në fshatin e harruar, Vozitësi, Dita zë fill, Një muaj, Salloni, Vëthi i munguar, Seriali “Snob”.

“Filma që krijuan histori. Përjeto dhe përkrah shqip”, shkruhet në postimin e Gjirafës. /KultPlus.com

Dashunija ndaj prindëve

Poezi nga Ndre Mjeda

Me sy çilun afër djepit,
Me kujdes e me dashtni,
Për vaj tem tue hjekun zi,
Tue shëndue kur m’shifshi n’shend.

Babe e nanë sa keni derdhë
Mbi shteg tem e hirë e dritë;
Ah, sa mirë m’keni gatitë
Për çdo kohë e për çdo vend.

Ju ma ndez’t nji flakë në zemër
Për punë t’nalta e për lumni
Për ju pra, o prind’t e mi,
Mend e zemra më lakmon. / KultPlus.com

Vepra e autores italiane, Elena Ferrante përkthehet në shqip

Raftave të lexuesve shqiptarë tanimë iu është shtuar edhe një vepër. “Jeta e gënjeshtër e të rriturve” nga Elena Ferrante përkthehet në shqip nga Agim Doksani, shkruan KultPlus.

Shkrimtarja italiane është romanciere e njohur dhe e përkthyer në shumë gjuhë të botës. Madje revista “Time” e ka vlerësuar në vitin 2016 Ferrante si njërën nga 100 njerëzit më me ndikim.

Fatmirësisht, vepra e saj tanimë mund të lexohet edhe në shqip falë përkthimit të Agim Doksanit. Tematika e këtij romani shtjellohet në Napoli, nga vendi ku autorja edhe ka krijuar personazhet që me kalimin e kohës nxjerr prej tyre mashtrimin dhe vetëmashtrimin që përdorin për të përligjur veprimet e veta.

Personazhi kryesor i veprës “Jeta e gënjeshtër e të rriturve” është Xhovana, një vajzë adoloshente. Në libër përshkruhet transformimi i saj fizik, gjegjësisht kalimi i fytyrës së bukur fëmijërore në një pamje të një adoloshenteje krejtësisht ndryshe. Ajo kërkon pasqyrimin e saj në dy faqe të një qyteti që e kanë frikë dhe e urrejnë njëra-tjetrën: Napoli i sipërm, i veshur me një maskë elegance dhe Napoli i poshtëm, vendi i vulgaritetit.

Dashuria është një ndër tematikat e përmendura në libër, e cila shpesh di të ngatërrohet me marrëdheniet intime, me ç’rast personazhet humbasin aftësinë e gjykimit.

Me mjeshtërinë e lapsit të saj, Ferrante vë përballë njëra-tjetrës klasin dhe vlerën, fenë dhe besimin, besnikërinë dhe sekretet, seksualitetin dhe virgjërinë si mënyra për të humbur dhe për të fituar pushtet. / KultPlus.com

Botimet shqipe në gazetat italiane, një pasuri kulturore në vete

Periodikët në gjuhën shqipe në Itali janë njëzet e pesë dhe në pjesën më të madhe, dalin edhe në gjuhën italiane.

Në Romë, Palermo, Bari e Corigliano Calabro, periodikët në gjuhën shqipe kanë pasur një jetë më të gjatë dhe kanë qenë më të shumta në numër, të shtyra nga aktiviteti i italo-shqiptarëve, të frymëzuara nga fjalët patriotike të Jeronim De Radës e Zef Skiroit, që me të drejtë, mund të cilësohen si bartësit direktë të idesë nacionale shqiptare.

Kështu shkruante më 1 shtator 1939, suplementi kulturor mujor “La Lettura”, i gazetës italiane “Corriere della Sera”, në faqen 71 të tij, në një artikull të G. Silvano Spinetti, nën titullin ”I giornali di lingua albanese stampati in Italia”. Artikulli, siç dëshmohet edhe nga vetë data e botimit, fliste nën dritën e entuziazmit fillestar të pushtimit italian të Shqipërisë, duke i bërë jehonë me këtë rast edhe propagandës fashiste, kështu që qysh në krye të herës, fjalët “kombi mik” apo “falë dëshirës së Mussolinit” janë pjesë përbërëse e tij. Por artikulli ka një vlerë të veçantë informative, pasi rendit me statistika të plota e të qarta, të gjithë historikun e periodikëve shqiptarë në Itali, duke ia nisur që nga mesi i shekullit të 19-të, kur ato nisën me “Shqiptari i Italisë” të Jeronim De Radës, e deri tek ato çka kishin mbetur, apo ishin sjellë përgjatë viteve e dekadave si prurje të reja nga komunitetet lokale apo sociale, shkencore, intelektuale e studentore shqiptare në Itali.

Në artikull veçohet fakti se kundrejt kontributeve të komuniteteve të tjera patriotike shqiptare në Stamboll, Bukuresht, Sofie e Egjipt, ai i komunitetit shqiptar në Itali kishte qenë më domethënësi dhe vinte në dukje edhe ndihmën që shteti italian i kishte vënë në dispozicion këtij të fundit për të arritur qëllimet e veta. Sigurisht, se në këtë kontekst, për ta nxjerrë edhe më në pah kontributin italian, roli negativ i osmanëve, serbëve e grekëve për ta bllokuar përhapjen e gjuhës shqipe e botimeve që do të duhej të pasonin në dekadat e fundit të pushtimit osman, barazohet edhe me atë të austro-hungarezëve, çka nuk është se përkon me të vërtetë, ose të paktën jo tërësisht.

Botimet shqip, nga Napoli në Trieste

Thelbin e artikullit e përbën lista e periodikëve në gjuhën shqipe, të botuar deri në atë kohë në Itali, të cilëve u bashkangjiteshin emrat e themeluesve, apo të drejtuesve të tyre dhe lokaliteteve ku ishin nxjerrë për botim. Kështu, sipas autorit italian, ato ishin:

Në Napoli: “Shqiptari i Italisë” (“L’Albanese d’Italia”), 1848, drejtuar nga Jeronim De Rada.

  • “Shqipëria e Re” (“La Nuova Albania”), 1898-1904, drejtuar nga Gennaro Lusi.
  • “Flamuri i Shqipëris (“La Bandiera Albanese”), 1904, drejtuar nga Zef Skiroi.
  • Në Corigliano Calabro: “Fiamuri Arbrit” (La Bandieras d’Albania), 1883-1887, drejtuar nga Jeronim De Rada. Revista që u publikua pas saj, doli në Cosenza.
  • “Illi i Arbëreshëvet”; 1896, drejtuar nga arkipeshk Antonio Argondizza.
  • “L’Albania letteraria”, 1897, drejtuar nga Cosmo Serembe.
  • “La Nazione Albanese”, 1987-1924, drejtuar nga Anselmo Loreçhio.
  • Në Palermo: “Arbri i Rii”( La Giovane Albania), 1887, drejtuar nga  Zef Skiroi.
  • “Rassegna italo-albanese”, 1919-1921 dhe 1927, drejtuar nga Rosolino Petrotta.
  • “Cronache italo-albanesi”, 1926, drejtuar nga Francesco Matranga.
  • Në Romë: “Zani Shqipënisë” ( L’Echo d’Albanie), 1899, në gjuhën shqipe e franceze, nxjerrë në botim nga një grup studiuesish.
  • “La Gazzetta Albanese”, 1904, drejtuar nga Terenc Toçi.
  • “Laimtari i Shqypenies” ( L’araldo d’Albania), 1905, drejtuar nga kont Vladani.
  • “La rivista dei Balcani”, 1912 – 1913, drejtuar nga Terenc Toçi.
  • “Kuvendi” ( Il Convegno); 1918, drejtuar nga Sotir Gjika.
  • “Shpresa e atdheut”, 1922, drejtuar nga studentët shqiptarë.
  • Në Trieste: “Dashamiri”, 1907, në  dialektin gegë, drejtuar nga Mati Logoreci.
  • Në Piana del Greci ( Palermo): “Fiala e t’in Zoti” ( La Parola del Signore), 1912-1915, drejtuar nga Monsinjor Pal Skiroi ( Paolo Schiro).
  • Në Bari: “Corriere delle Puglie”, 1914-1918, me një faqe në shqip nga Sotir Gjoka.
  • “Zana”, 1914, drejtuar nga Lulo Malësori.
  • “Gazeta Shqiptare”, nga 1927, drejtuar nga Raffaele Gorjoux.
  • Në Reggio Calabria: “Albania”, 1920, drejtuar nga Antonio Rogneta Caffarelli.
  • Në Torino: “Studenti Shqiptar”, 1929, drejtuar nga Odhise Paskali.
  • Përveç tyre, në vitet 1905-1907, Nikolla Ivanaj, nuk e dimë mirë se në cilin qytet, publikoi periodikun “Shpresa e Shqypniis” ( La speranza dell’ Albania)

Liria e Shqipërisë, fryt edhe i Italisë

Më tej, Spinetti theksonte se: Rëndësia e periodikëve në gjuhën shqipe të shtypura në Itali është e madhe, sepse pavarësia dhe liria e popullit shqiptar janë frut, përveçse i aksionit këmbëngulës dhe bujar të Italisë, të rilindjes së ndjenjës kombëtare, bërë e mundur në pjesën më të madhe, nga aktiviteti politik inteligjent dhe operacional i patriotëve shqiptarë, rezidentë në Itali, të cilët, nën dritën e Romës, jo vetëm do të përfitonin në publikimet e studimet e tyre në  gjuhën shqipe, por do u siguronin atdheut, manifestime më përfaqësuese të artit dhe të letërsisë së tyre popullore, duke kontribuar në një pjesë të madhe, në ngritjen shpirtërore të bashkëatdhetarëve të shtypur në atdhe apo të shpërndarë nëpër botë.

“Shqiptari i Italisë”, e para shqipe në botë

Përsa i përket kontributeve personale të figurave të shquara nga bota arbëreshe e shqiptare në Itali, në këtë kontekst, në artikull shkruhet se: Ia vlen të kujtojmë jo vetëm “Shqiptari i Italisë”, shtypur në Napoli në vitin 1848 nga Jeronim De Rada – që u bë kësisoj e para gazetë në botë, e publikuar në gjuhën shqipe, por se kontributi madhor në çështjen e kombit mik, u çua përpara nga gazetarë të shquar, të cilët një herë e një kohë kishin qenë edhe studiues të përkushtuar, ku përveç De Radës, ia vlen të përmendim: Skiroin, Lorekion, Beniçin, Toçin, Cosmo Serembe-n, L’Argondizza-n dhe vëllezërit Gaetano e Rosolino Petrotta.

Diferencat me kolonitë e tjera shqiptare

Përballë aktivitetit të tyre, vepra e shqiptarëve rezidentë në Stamboll, Bukuresht, Sofie, Greqi, Egjipt, Amerikë, e gjetkë, mund të thuhet se është mëse modeste, sepse gazetat dhe periodikët e nxjerrë nga shqiptarët në vitet më të vështira të jetës politike të atdheut të tyre, nuk kanë pasur influencën e atyre të publikuara në Itali, për të zgjuar ndjenjën kombëtare të shqiptarëve dhe që ta bënin kësisoj të interesohej botën e civilizuar për kauzën e tyre.

Turqit, grekët, serbët dhe austriakët penguan shqipen

Dhe kur në vitin 1909, pas hyrjes në fuqi të kushtetutës së re turke, në vitin 1908, e cila u jepte grupeve etnike të shtetit osman të drejtën për të shtypur e publikuar gazetat në gjuhën e tyre amë, nisën edhe në Shqipëri të lindnin gazeta e broshura të ndryshme periodike, të cilat nuk arritën dot të kishin kontributin e efektin e dëshiruar pasi u bojkotuan nga Turqia, apo u penguan të penetronin nga Austria, Greqia, Serbia, por edhe sepse pjesa më e madhe nuk kishin – ashtusikurse ato të shtypura në Itali – një program të qartë aksioni dhe penetrimi.

Publicisti shqiptar në A. Cikosi, rezident në Rumani, i cili sigurisht se nuk mund të akuzohet se ushqen ndjenja të veçanta miqësore ndaj Italisë, shkruante kështu në 1896 në “Mesagerul” të Bukureshtit: “Pikënisja e çështjes kombëtare shqiptare, ka qenë shtysa e dhënë nga Italia”…

Aktualisht ekziston një periodik i vetëm në gjuhën shqipe i shtypur në Itali, “Gazeta Shqiptare”, e përditshmja për Shqipërinë në “Gazzeta del Mezzogiorno”, drejtuar nga Raffaele Gorjoux.

“Gazeta Shqiptare”, e vetmja e mbetur

Gjithë pjesa tjetër e artikullit i kushtohet më pas thuajse tërësisht “Gazetës Shqiptare” që në atë kohë gëzonte privilegjet e të qenurit pranë pushtetit dhe përdorej kështu gjerësisht si mjet i fortë propagandistik i regjimit fashist. Sipas autorit, “Gazeta Shqiptare” nisi të publikohet në Bari më 10 korrik 1927, si një supplement i “Gazzetta di Puglia”, dhe më vonë u transformua në “Gazzetta della Mezzogirono”. Ndër bashkëpunëtorët e vet – thuhej më tej në atë material – njerëzit më të shquar me kompetencë profesionale e kulturore, përveç të ndjerit Luigj Gurakuqi, ish-Ministri shqiptar i Financave, – Sekretari i Partisë Fashiste shqiptare, Tefik Mbrorja, Senatori Mustafa Merlika Kruja, Prof. Doktor Ernest Koliqi, Ministër i Punëve Botore, Doktor Nicola Lorusso Attoma, Drejtor i Përgjithshëm i Shtypit, Propagandës dhe Turizmit pranë Mëkëmbësisë së Përgjithshme të Shqipërisë. “Gazeta Shqiptare”, që mund të definohet si shprehja më e mirë dhe më e plotë e mendimit italo-shqiptar, duke e vlerësuar nga mjetet e saj të gjëra teknike dhe nga organizimi i saj i madh gazetaresk, është sot vazhduesja më e denjë e së shkuarës së lavdishme të periodikëve të panumërt italo-shqiptare, të cilët qysh nga kohët e hershme.

Botime edhe jashtë Italisë

Në paragrafet e fundit autori flet për kontributet që kishin sjellë në këtë drejtim shqiptarët e Italisë edhe jashtë saj, në komunitetet e Amerikës Latine e në SHBA. Kështu, aty thuhet se: Përveçse në Itali, shqiptarët e Italisë u bënë promovues të ideve kombëtare shqiptare edhe jashtë vendit të tyre, në dy Amerikat, me botimet e tyre si “La Questione albanese”, 1905 dhe “La Lega Albanese”, 1906, në Buenos Aires, drejtuar nga Orazio Iranni, lindur në Lungo, dhe “Afrimi”, 1922-1926, “Albania” në Nju Jork,drejtuar nga Pietro Scaglione. Lindur në Piana dei Greci. Periodiku “Albania”, themeluar në 1929, vijon të botohet në mënyrë të rregullt edhe sot e kësaj dite.

“Shqiptari” i De Radës

Origjinali u gjet shumë vonë një familje arbëreshe

 

Ndërsa artikulli origjinal i vitit 1939, shoqërohet me një faksimile të gazetës “Shqiptari i Italisë”, fati i versionit origjinal të kësaj gazete, e cila edhe sipas artikullshkruesit përmbushte dy rekorde më vete, do të mësohej shumë dekada më vonë, kur profesori i mirënjohur i katedrës së albanologjisë në Kalabri, Francesco Altimari, do të shprehej vetëm pak muaj më parë ( shih: Gazeta Shqip, Altimari: “Shqiptarin” e De Radës e gjetëm në një familje arbëreshe, 19 nëntor 2012) në një aktivitet të zhvilluar nga Instituti Italian i Kulturës  gjatë ditëve të panairit të librit në Tiranë se: “Kopjet origjinale të kësaj gazete, nuk i kemi gjetur dot në asnjë bibliotekë, përveç dy numrave që ruheshin në Bibliotekën Campobasso. Ishte e mrekullueshme t’i gjenim në një familje intelektuale arbëreshe, që jetojnë në një fshat të Kalabrisë, të cilët kanë një  koleksion të jashtëzakonshëm të revistave dhe ruajnë pothuajse të gjithë numrat e ‘Shqiptarit të Italisë”. Nga 29 numrat e kësaj gazette, na mungojnë vetëm dy, numri i katërt dhe i 16-të”, ka treguar Altimari, i cili kishte sjellë me vete një numër origjinal të kësaj gazete. /DITA/ KultPlus.com

Presidenti i Maqedonisë së Veriut uron Ditën e Alfabetit në gjuhën shqipe

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka uruar Ditën e Alfabetit shqip, duke përdorur pikërisht këtë gjuhë, shkruan KultPlus.

Presidenti i vendit me një përqindje të lartë të popullsisë shqiptare ka shpërndarë urimin presidencial në gjuhën maqedonase në facebook, teksa mbishkrimin e ka lënë në gjuhën shqipe.

‘’Gjuha dhe kultura janë themele të çdo populli dhe mohimi i tyre do të thotë përpjekje për të shkatërruar origjinën kombëtare. Në shekullin 21 përpjekjeve të tilla nuk u duhet hapur dera, në mënyrë që kurrë të mos triumfojnë mbi vlerat e vërteta.

Të gjithë bashkëqytetarëve të mi shqiptarë ju uroj Ditën e Alfabetit’’, ka shkruar President Pendarovski.

Stevo Pendarovski që nga 12 maji i vitit 2019 mban pozitën e kryesuesit të presidencës së këtij vendi. / KultPlus.com

Ava Max për herë të parë flet për mediat shqiptare, shprehet edhe në gjuhën shqipe

Këngëtarja shqiptare me famë botërore që tashmë ka arritur suksese të mëdha, Ava Max ka dhënë intervistën e parë për mediat shqiptare, ku flet edhe shqip, përcjellë KultPlus.

Përgjatë intervistës Ava Max foli për rrënjët e saja ku tregoi se pavarësisht se ka lindur dhe është rritur në SHBA, babai i saj është shqiptar me prejardhje nga Qeparoi kurse nëna nga Saranda.

Ajo kishte bërë plane që këtë vit të vizitonte Shqipërinë, mirëpo për shkak të pandemisë ajo u detyrua që ta anulonte këtë vizitë.

Këngëtarja shqiptare ka thënë që asnjëherë nuk e ka vizituar Shqipërinë, mirëpo shpreson që kjo të ndodhë sa më shpejtë që të jetë e mundur.

“Dua të vij shumë, kam shumë familjarë atje që po më presin. Me të gjithë gjyshërit e mi kam pasur një lidhje shumë të fortë. Gjyshja që jetonte me mua, ndërroi jetë në 2011, ajo ishte nga Qeparoi. Unë u mërzita kur ajo ndërroi jetë. Kur prindërit e mi erdhën në Amerikë nuk dinin gjuhën, nuk kishin para dhe vërtet mundoheshin të na siguronin jetesën. Kështu që unë kaloja vërtetë shumë kohë me gjyshen time”- u shpreh ndër të tjera Ava Max duke shtuar se nga Shqipëria i pëlqen byreku me petë. / KultPlus.com

Vepra e Peter Handkes përkthehet në shqip

Ishte polemik disa muaj më parë fituesi i çmimit Nobel për vitin 2019. Ishte përkthyer në shqip dhe kush kishte pasur mundësi ta njihte veprën e tij, ishte me fat.

Ribotimi i tij në shqip do të ngjallte shumë debate në Panairin e Librit, por kërshëria për ta njohur Peter Handken ishte e madhe. Tani, lexuesit kanë mundësi ta njohin edhe më shumë Handken me një histori personale.

Botuesi Petrit Ymeri thotë: “Është një autor që ka ngjallur shumë diskutime, por ne do t’ia japim lexuesit librat e tij. Përveç diskutimeve, është një shkrimtar i madh”.

Është historia e një nëne që vendos të vetëvritet në moshën 50-vjeçare, një ngjarje që lë shenjë në jetën e autorit austriak e që e bën këtë një rrëfim të jashtëzakonshëm të nobelistit.

Por, ky nuk është titulli i vetëm që zbulojmë mes veprave të reja në zyrën e botuesit Ymeri: “Kemi edhe “Gruaja midis nesh”, një roman dashurie dhe intrige”. /Gazeta Sinjali / KultPlus.com

Fëmijët e kthyer nga Siria mësojnë të shkruajnë dhe të lexojnë shqip

Në një klasë të vogël me pak banka, pesë vajza dhe dy djem të kthyer nga Siria në Kosovë në prill të këtij, mësuan shkronjat e para shqipe.

Ndonëse gjatës kohës sa ishin në zonat e luftës, nuk ishin takuar me njëri-tjetrin, mësimi i bëri bashkë në Kosovë këta shtatë fëmijë.

Mosha e tyre është prej nëntë deri në 14 vjeç dhe pasi që janë të moshave të ndryshme, ata nuk mund të dërgohen në klasat përkatëse, kështu që ka tre muaj që ata kanë mësuar në një klasë të ndarë nga nxënësit e tjerë.

Në klasë ata qëndrojnë çdo ditë nga tri orë e gjysmë.

Prej shtatë nxënësve sa ishin në klasën që ka vizituar Radio Evropa e Lirë, vetëm njëri kishte qenë në shkollë, para se familja e tij të shkonte në Siri dhe ta merrnin me vete.

Kthimi në bankat e shkollës, për ta ishte si një ëndërr, tregon arsimtari, emri i të cilit është i njohur për redaksinë, por nuk mund të publikohet, me qëllim që të mos bëhet publik identiteti i fëmijëve dhe shkollës.

“Në fillim, mos të them me futjen në shkollë, por vetëm në oborr të shkollës, iu është dukur si ëndërr, nuk po e them prej vetes, por atë që ma kanë thënë fëmijët. E kam parë te ata, atë dëshirën shumë të madhe për të pasur shoqëri, për t’i dhënë mësuesi dashuri”, tregon arsimtari.

Ai ka treguar se që nga fillimi, fëmijët kanë shprehur dëshirë që të mësojnë sa më shumë.

Arsimtari që ua mësoi Alfabetin e gjuhës shqipe këtyre fëmijëve, tregon për Radion Evropa e Lirë, se ata kanë ditur vetëm të komunikojnë, por jo edhe të shkruajnë e të lexojnë shqip.

“Të flasin gjuhën shqipe nuk kanë pasur problem, kanë pasur problem në të shkruar dhe të lexuar, pasi që nuk kanë pasur njohuri rreth shkronjave, rreth alfabetit, rreth mësimit në gjuhën shqipe, por vetëm duke i dëgjuar prindërit duke folur shqip në vendet ku kanë qenë. Kanë mësuar vetëm të komunikojnë, por përndryshe nuk kanë pasur njohuri rreth mësimit. Kemi filluar me konkretisht, prej zeros me ta, me mësimin e shkronjave”, tregon arsimtari, i cili ka zhvilluar mësimet intensive me këta fëmijë.

Ai tregon se kjo është java e fundit që këta nxënës mbajnë mësim në këtë klasë, pasi ndërkohë do të shikojnë së bashku me Ministrinë e Arsimit, se a janë këta fëmijë vërtetë të gatshëm për të vazhduar në klasën që i përkasin.

Por, ekziston rreziku që këta fëmijë të paragjykohen dhe të mos pranohen në shoqëri, thotë Rinor Qehaja, drejtor në Institutin për Studime të Arsimit “EdGuard”.

Sipas tij, inkuadrimi i tyre fillon me eliminimin e çfarëdo paragjykimi nga komuniteti i shkollës.

“Paragjykimet krijohen nëse këta fëmijë etiketohet si të kthyer apo të rrezikshëm – kjo duhet të eliminohet dhe rikthimi i tyre në banka shkollore duhet të jetë sa më i natyrshëm, pikësëpari, duke ofruar rahati dhe siguri për vet fëmijët e kthyer dhe rrethin e tyre në klasë dhe shkollë”, thotë Qehaja.

Qehaja thotë se fëmijët e familjeve të kthyera nga Siria paraqesin shqetësim që kërkon zgjidhje dhe përkrahje institucionale.

“MASHT duhet të strukturojë inkuadrimin e tyre në sistem gjithmonë duke garantuar përfshirje të barabartë në shkollimin – çfarëdo lloj segregimi i tyre, padrejtësisht do të ndikojë në përkeqësim të adaptimit të fëmijëve nga kthimi”, thotë Qehaja.

Nga Siria në Kosovë, në prill të këtij viti, u kthyen 110 persona, prej tyre katër luftëtarë të huaj, 32 gra dhe 74 fëmijë.

Prej këtyre fëmijëve, dhjetë i përkasin nivelit të kopshteve, pesë nivelit parashkollor, 25 të nivelit fillor dhe 34 nivelit të mesëm dhe të lartë të arsimimit/REL / KultPlus.com

Vjen në shqip romani “Fizika e Trishtimit”

 

“Fizika e Trishtimit” tashmë është në libraritë shqiptare shqipëruar nga Milena Selimi, botim i shtëpisë botuese Albas. Kjo është vepra e dytë në gjuhën shqipe e Georgi Gospodinovit – e para është “Romani Natyral”, i sjellë për publikun shqiptar nga Janka Selimi Trifonova. Botimi në shqip vjen me kopertinën e realizuar nga Theodore Ushev, kineast i filmit të shkurtër të animuar me të njëjtin titull. Përkthimi në shqip është ai i shtatëmbëdhjetë i këtij romani dhe vjen pas çmimit të radhës prestigjioz që ky libër e mori – çmimi “Angelus” për roman më të mirë evropian të përkthyer në polonisht.

Prezantimi i librit “Fizika e Trishtimit” u zhvillua në kuadrin e “Panairit të Librit” në Tiranë

Ngjarja në kryeqytetin shqiptar përkoi me promovimin e filmit të Theodore Ushevit në Pallatin Kombëtar të Kulturës në Sofje.

“Fizika e trishtimit” heq dyllin e nxehtë në kujtimet e të gjithë neve – ajo sjell përsëri aroma, kujtime , një dritë të caktuar, emocione të harruara. Sepse- Unë Jemi – është diku thellë në shpirtrat tanë, një shkëndijë që është e njëjtë për të gjithë.

“Ky është një roman, i cili është shkruar në një kapsulë kohore – thotë Milena Selimi në një intervistë televizive. Në fillim të librit autori thotë “Unë jemi” dhe në fund të librit thotë “Unë ishim”. Janë shumë të forta këto të dyja fraza, sepse kjo kapsulë kohore i përket një brezi, i përket gjeneratës ’68 të autorit, shkruar për ata, të cilët enden në botë, duke kërkuar vetveten”.

“Fizika e Trishtimit” është një labirinth. Një fëmijë që bëhet burrë në kërkim të identitetit të tij, lumturisë. Kështu që ai thjesht përpiqet të kapë trishtimin e tij, ta bëjë atë më të menjëhershëm, të prekshëm, në mënyrë që të mund ta varrosë.

Në kohën tonë, kur të gjithë po lëvizin, njeriu mendon të krijojë një bazë, një tokë të fortë nën këmbët tona. Njerëzit nga vendet e Lindjes ish-komuniste në këtë lëvizje të madhe globale duken si  pa rrënjë, duket sikur se jeni diku por jo saktësisht, trupi juaj është i ndarë nga shpirti juaj. Ndihesh mirë, por gjithmonë mungon diçka. Në fund të fundit protagonisti  po përpiqet të tregojë një histori pikërisht për këtë vend, Bullgarinë, vendin më të trishtuar në botë dhe të përballojë trishtimet e tij. Ose të paktën për t’i rregulluar dhe përshkruar ato.

Fizika e Trishtimit ka shumë mbarime (pasi ka shumë fillime) sepse si Gospodinov ashtu edhe narratori i tij e kanë bërë të qartë se ata pëlqejnë të lënë histori të hapura për kthesat e tjera të mundshme (si labirinth).

Të dhëna për librin

Titulli origjinal: Fizika na tagata

Autori: Georgi Gospodinov

Titulli në shqip: Fizika e trishtimit

Përkthyes: Milena Selimi

Imazhi I kopertinës: Theodore Ushev

Lloji i botimit:  Paperback

Fletët: 306

ISBN 978-9928-311-00-9

Botues: Albas

Viti i botimit: 2019

Tema

 Duke përdorur mitin e Minotaurit si vorbullën e të gjithë veprës, e cila mund të quhet edhe roman, autori ndërton një labirinth rrëfimesh rreth personazhit kryesor, familjes dhe miqve të tij. Rrëfimi kapërcen nga epoka në epokë dhe nga pikëpamja në pikëpamje, duke na shpërfaqur kështu pa filtra mendësinë dhe estetikën e europianolindorëve. Nëpërmjet empatisë patologjike, personazhi arrin të trupëzohet në historitë e të tjerëve, duke na sjellë një larmi ngjarjesh, që zënë fill që nga periudhat parahistorike.

Informacione

Georgi Gospodinov fitoi njohje ndërkombëtare me romanin e tij të parë Roman natyral. Romani Fizika e trishtimit është vepra e tij më e njohur dhe e vlerësuar me shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, si: çmimi Jan Michalski, si dhe çmimi prestigjioz Angelus. Gospodinovi shkruan skenarë dhe drama. Shumë prej veprave të tij janë ekranizuar.

Milena Selimi ka përvojë të pasur si gazetare, përkthyese, shkrimtare, si dhe në menaxhimin e medies. Ka bashkëpunuar me organizata kombëtare e ndërkombëtare si korrespondente, koordinatore, moderatore dhe anëtare jurie në fushën e gazetarisë dhe të filmit. Ka sjellë në shqip autorë bashkëkohorë ballkanas si Milen Ruskov, Alek Popov, Nikola Madzirov, Ognjen Spahic, etj.

Theodore Ushev është një kineast bullgar i filmit të animuar, grafik dizajn, artist multimedia. Nga viti 1999 ai jeton e punon në Kanada. Në karrierën e tij artistike numëron më shumë se 16 filma të animuar. Fitues i shumë çmimeve ndërkombëtarë për filmin e animuar. Në vitin 2016 filmi “Vajsha e verbër” u nominua pë Çmimin Oscar në kategorinë e filmit të animuar me metrazh të shkurtër. 

“The Physics of Sorrow”- “Fizika e Trishtimit” – filmi më i ri i animuar i Theodore Ushevit. Është krijuar në bazë të romanit me të njëjtin emër të autorit Georgi Gospodinov . Në të interpretojnë zërat e Donald Sutherlandit dhe Rossif Sutherlandit. Në SHBA dhe Kanada filmi ka fituar tashmë gjashtë çmime ndërkombëtare. Ndër to është dhe çmimi “Filmi më i mirë” në festivalin Toronto International Film Festival. / KultPlus.com

Në Doha të Katarit sot promovohet botimi shqip i “Kusarit”

Me ftesë të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Katar,dhe në bashkëpunim me Forumin e Marrëdhënieve Arabe e Ndërkmbëtare në Doha, promovohet sot në orën 18 botimi shqip i romanit “Kusari” i autorit nga Katari, Abdulaziz Mahmud.

Romani u botua para një muaji nga shtëpia botuese Buzuku në bashkëpunim me Institutin për Studime orientale (ISO) në Prishtinë .

Në promovim do të maarin pjesë ambasadori i Republikës së Kosovës në Doh,a Amir Ahmeti, drejtori i Institutit për Studimet Orientale në Prishtinë, Muhamed Mufaku,shkrimtari Ibrahim Kadriu ,përkthyesi i romanit Ejup Ramadani dhe autori Abdulaziz Al Mahmud.

Vlen të përmendet se romani “Kusari” trajton me një narrativë magjepse ndryshimet e mëdha politike dhe shoqërore në vendet e Gjirit gjatë shek. XIX, duke përfshirë edhe paraqitjen e lëvizjes vehabiste në atë rajon dhe paraqitjen e ushtarëve shqiptarë të Mehmet Ali Pashës në beteja të përgjakshme kundër forcave të kësaj lëvizje. Romani në fjalë gëzoi sukses me shumë botime në arabisht dhe me përkthimin në anglisht.

Me rastin e qendrimit të intektualëve kosovarë në Doha, Ministria për Kulturë në Katar mori incjativën për një takim me shkrimtarët e Katarit nesër, të martën, në orën 11 dhe një drekë në shenjë ndermi për ardhjen e tyre në Katar dhe për kontaktin e parë kulturor të këtij niveli minis dy vendeve. / KultPlus.com

Bebe Rexha ndezë atmosferën me këngë shqipe

Bebe Rexha gjithmonë e ka vënë në pah lidhjen e saj me traditën shqiptare dhe këtë e ka bërë publike përmes rrjeteve sociale dhe intervistave të ndryshme.

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare e pëlqen shumë muzikën shqipe, e në veçanti atë popullore.

Ajo nuk heq dorë nga vallëzimi nën ritmet e muzikës shqiptare dhe e shijon këtë gjë sa herë që i jepet mundësia.

29-vjeçarja i ka publikuar disa video në InstaStory ku shfaqet duke vallëzuar me këngë popullore shqipe.

Ndryshe, Bebe Rexha, emri i vërtetë i të cilës është Bleta, ka lindur në Brooklyn të New Yorkut nga prindër shqiptarë me origjinë nga Maqedonia.

 https://www.facebook.com/watch/?v=315555682664888 

Gjurmë Shqiptare: Lekovo në Greqi, ku shqipja nuk ka humbur

Shqiptarët autoktonë të një fshati në Greqi pranojnë edhe sot traditat e tyre shqiptare, gjuhën, muzikën, trashëgiminë brez pas brezi nga të parët e tyre…

Çfarë thonë sot banorët për rrënjët e tyre? Përse heshtet për këtë histori?

Dokumentari “Gjurmë Shqiptare” përcjell historinë e dhimbshme të shqiptarëve në Greqinë fqinje./ KultPlus.com

Protestë në Shkup kundër “Dygjuhësisë dhe shqiptarizimit të Maqedonisë”

Forcat e Bashkuara Maqedonase (FBM) edhe shoqata “Tvrdokorni”, përfshi disa shoqata tjera, për sot në ora 13:00 në Shkup, kanë paralajmëruar protestë para Kuvendit të Maqedonisë.

Protesta e thirrur është kundër, siç thonë, “dygjuhësisë dhe shqiptarizimit të Maqedonisë”.

Sipas tyre, dygjuhësia është humbje e karakterit maqedonas të shtetit dhe se humbet vetë shteti. Ata akuzojnë se me dygjuhësi Maqedonia bëhet shteti i tretë shqiptar në Ballkan, shkruan “Zhurnal”.

Ndërkaq, VMRO-DPMNE ka reaguar ndaj shkrimeve në media lidhur me kundërshtimet e liderit të saj për gjuhën shqipe.

Në reagimin e kësaj partie dje drejtuar mediave thuhet se, lideri Hristian Mickovski nuk është kundër shqiptarëve, por se, Ligji për gjuhët nuk është kushtetues dhe se dëmton maqedonasit, shqiptarët por edhe etnitetet tjera.

“Deklarata lidhur me Ligjin për Gjuhët është dhënë mbi bazën e analizave të bëra për dëmet që mund të sjell ky akt ligjor, si dhe në raport të jo kushtetutshmërisë, poashtu edhe në raport me rrezikun e kohezitetit në Republikën e Maqedonisë. Ky Ligj, definitivisht nuk do të jetë në dobi të shqiptarëve, kurse do të shkaktoj implikime të rëndësishme financiare. Ky Ligj është jo kushtetues, e ndryshon karakterin e shtetëror dhe është vështirë i zbatueshëm. Kjo do të sjellë pasoja që institucionet e vendet të mos jenë funksionale, si për maqedonasit, shqiptarët, turqit, romët dhe të gjithë qytetarët që jetojnë në Maqedoni kanë nevojë për institucione funksionale”, thuhet në reagimin e VMRO-së./ KultPlus.com

Arilena Ara këndon “Nëntori” shqip në Rumani (VIDEO)

Mbrëmjen e kaluar është mbajtur finalja e madhe e kompeticionit, The Voice of Romania, ku është shpallur zëri më i mirë i Rumanisë.

E ftuar në këtë event ishte edhe këngëtarja shqiptare, Arilena Ara, e cila ka korrur mjaft sukses në Europën Lindore me “Nëntori”. Për t’i thënë mirupafshim nëntorit për këtë vit e për të prezantuar denjësisht Shqipërinë, Arilena ka dhënë një performancë që ia vlen për t’u komplimentuar.
Veshur me të bardha, e shoqëruar nga balerinë në sfond dhe duke kënduar në shqip, Arilena na dha të njëjtën energji që patëm gjatë festivalit “Kënga Magjike”. Nuk jemi të vetmi që jemi impresionuar nga Arilena dhe performanca e saj, por edhe anëtarët e jurisë duket se nuk kanë pasur asgjë tjetër veçse për t’i dhënë duartrokitje në këmbë këngëtares shqiptare.

I ftuar në finalen e mbrëmshme, ishte edhe këngëtari i njohur italian, Alessandro Safina, i cili këndoi me një prej finalistëve, shkruan Blitz.al. Ne tashmë presim vetëm dhuratën e Arilenës për ne, të cilat nuk janë pak, por 5 këngë për Krishtlindje dhe festa. / KultPlus.com

Mjegulli i Dashurisë

Poezi e shkruar nga Dritëro Agolli.

Kur ikja larg drejt teje vija
kur vija afër ikja larg
për dreq më trembte largësia
dhe afërsia bëhej çark

As e kuptoja si të desha
një mjegull pus një çmenduri
si një poet që shkruan vjersha
dhe ndez një shkrepse dhe i bën hi

Dhe ndoshta kjo ish dashuria
e cakerdisur kuturu…
per dreq më trembte largësia
dhe afërsia gjithashtu.

Vepra e Donika Dabishevcit botohet edhe në Romë (FOTO)

Përmbledhja poetike ‘Kam me ardhë si deka’ e shkrimtares së njohur kosovare Donika Dabishevci do të botohet shumë shpejt në dy gjuhë, shqip dhe italisht nga Edizioni Ensemble në Romë, shkruan KultPlus.

Një lajm të tillë e ka bërë publiku nëpërmjet rrjetit social Facebook, vetë autorja Dabishevci, e cila ka treguar tutje se poezitë janë përzgjedhur dhe përkthyer nga Gëzim Hajdari, i cili poashu ka shkruar edhe parathënien e librit.

“Me një dizajn klasik, pa lajle-lule dhe konform edhe kolanës së poezisë së kësaj shtëpie botuese, kjo është kopertina e librit”, ka shkruar Dabishevci, ku edhe ka publikuar kopertinën e librit./ KultPlus.com

Këshillat e Bukowskit për një shkrimtar të ri

Charles Bukowski

Nëse nuk të vjen si një shpërthim nga brendësia
pa marrë parasysh asgjë,
mos e bëj atë punë!
Nëse nuk të vjen pa të pyetur fare
nga thellësi e zemrës, mendjes, gojës
rropullive të tua
mos e bëj !
Nëse do të të duhet të ulesh
e të qëndrosh me sytë ngulur për orë të tëra
mbi ekranin e kompjuterit
apo përkulur mbi makinën e shkrimit
duke kërkuar fjalën e duhur,
kjo nuk është punë për ty !.
Nëse do e bësh për para apo për famë,
lëre atë punë.
Nëse do e bësh
për të pasur gra në shtratin tënd,
as mos mendo të shkruash !
Nëse do të të duhet të ulesh mbi të
e ta shkruash dhe ta shkruash dhe ta rishkruash përsëri,
më mirë lëre atë punë.
Nëse të duket e vështirë
vetëm duke e menduar,
mos e bëj!
Nëse përpiqesh të shkruash si dikush tjetër,
mos u merr fare me të shkruarën.
Nëse ulesh aty
dhe pret që shkrimi të gjëmojë jashtë teje
dhe pret e pret dhe ai nuk del,
merru më mirë me diçka tjetër.
Nëse shkruan që sëpari t’ia lexosh të dashurës ,
të dashurit, gruas apo prindërve
ose një tjeter njeriu kushdoqoftë
ti nuk je akoma gati.
Mos u bëj si shumë shkrimtarë,
si mijera njerëz që e quajnë veten shkrimtarë
mos u bëj i zymtë, i mërzitshëm
dhe i shtirur,
mos u konsumo duke dashuruar vetveten
Bibliotekat e botës gogësijnë përgjumshëm
mbi tipa të këtij lloji.
Mos i shto ata më shumë.
Mos u merr fare me atë punë.
Për sa kohë që nuk të ka shpërthyer
nga thellësia e shpirtit tënd
si një raketë,
për sa kohë që
të qëndruarit indiferent karshi saj
nuk të bëjnë të çmëndesh apo të vrasësh veten
a dikë tjetër,
mos u merr me atë punë !
Për sa kohë që dielli brenda teje
nuk t’i ka djegur akoma rropullitë
mos e bëj .
Kur vërtet të jete koha
dhe nëse je ti ai i zgjedhuri,
ajo do të ndodhë vetë
Dhe do të vazhdojë e do të vazhdojë
derisa të vdesësh ose derisa
ajo të vdesë brenda teje.
Nuk ka asnjë mënyrë tjetër
dhe kurrë nuk ka pasur.

Përkthyer nga Kamomila