Nën kryesinë e dy kryeministrave, Edi Rama i Shqipërisë, dhe Ramush Haradinaj, i Kosovës, në Tiranë është mbajtur sot takimi i parë inaugurues i Komisionit për organizimin e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj është shprehur i kënaqur që një organizim i tillë do të bashkojë edhe më tej shqiptarët.
Viti i Skënderbeut do të nisë me mbledhjen e dy qeverive më 27 nëntor e vijon të nesërmen më 28 nëntor në 105 vjetorin e Pavarësisë. Kryeministri Rama e quajti këtë vit si motiv për të ripërtërirë lidhjet me njëri-tjetrin dhe si një yll orientues të rrugës së përbashkët, në funksion të një të ardhme të merituar për të gjithë shqiptarët.
“Nuk kishte se si sot, teksa kryeministri i Kosovës e nderon Shqipërinë me vizitën e tij zyrtare, mos të nguteshim që të çelnim siparin e përpjekjes së përbashkët për konkretizim të një viti simbolik që e duam të favorshëm dhe frymëzues për të gjithë shqiptarët, viti nën shenjën e paperëndueshme të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut” tha kryeministri Rama.
Nën kujdesin simbolik të Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit, dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, Viti i Skënderbeut do të bëjë bashkë në aktivitete të ndryshme botën akademike e universitare të dy shteteve, por edhe të vendeve të tjera ku jetojnë shqiptarët. /KultPlus.com