E para është Fjala… Kjo ishte motoja e edicionit të pestë të festivalit “Festa e Këngës Shqiptare”, ideuar dhe organizuar nga kantautori Gjergj Leka. Një edicion i dedikuar jo vetëm muzikës së lehtë shqiptare, por edhe një nderim për penat më të shquara të poezisë shqipe.
Nga Lasgush Poradeci, te Migjeni, nga Dritëro Agolli te Teodor Keko e Timo Flloko, Skënder Rusi ishin disa prej poetëve, vargjet e të cilëve ishin përzgjedhur, përshtatur e muzikuar, për këtë festival. Leka kishte zgjedhur që ta çelte natën finale të edicionit të pestë me vargje të recituara nga poeti, bardi dhe i pagëzuari si “princi i polifonisë shqiptare”, Lefter Çipa.
Edhe këtë vit nuk mungoi prania e disa prej emrave të mëdhenj të këngës së lehtë, që kanë shoqëruar breza dhe kanë fituar çmime të para në festivalet e këngës në Radio Televizionin Shqiptar si Alida Hisku, Kozma Dushi, Elida Shehu, Rajmonda Kamberi e Arta Babaramo, por surpriza ishin të rinjtë.
Këngëtarë që e kanë nisur formimin në shkolla muzike dhe lice, disa prej tyre edhe instrumentistë të talentuar në kitarë, piano apo edhe flaut përjetësuan me vokalet e tyre disa prej poezive më të bukura shqip të shekullit XX, ndërsa disa prej tyre u nderuan edhe me çmime inkurajuese si “Çmimi i Publikut”, “Çmimi i Kritikës”, “Çmimi i Produksionit”, Çmimi i Radio Rush- Interpretimi më i mirë”, “ Çmimi i News 24 -Kënga Hit”.
Çmimet:
Dea Amoniku (çmimi i kritikës)
Rezarta Caco (çmimi i publikut)
Kejtlin Gjata (interpretimi me i mirë)
David Kerri (çmimi i produksionit)
Hersilia Koçeku (kënga hit)
Poezia e njohur e Dritëro Agollit “Mjatas Dreqër, djathtas djaj” erdhi nën zërin e këngëtares së re Delina Murati, me muzikë të kompozitorit italian Stefano Bossi, po ashtu Dea Amoniku këndoi vargjet e Lasgush Poradecit, “Mall”, muzikuar nga Amir Karalic. Belkisa Shehi, solli një version muzikor të po4ezisë së Skënder Ruasit “Nuk e mbaj mend”, ndërsa Hersilia Koçeku të famshmen poezi të Timo Fllokos “Miqtë”. I riu David Kerri, i cili gjithashtu interpretoi në flaut solli një këngë me vargjet e poetit rus Fjodor Tutçev, shqipëruar mjeshtërisht nga Petraq Kolevica. Po ashtu këngë që u duartrokitën ngrohtë nga publiku ishin ato të interpretuar nga Kejtlin Gjata e Rezarta Ceco. Kantautori dhe producenti prej pesë vitesh i festivalit “Festa e Këngës Shqiptare” dhe i emisionit “Na ishte njëherë muzika” i ka kushtuar gjithnjë vëmendje të veçantë lirikave të këngëve, ndërsa ngulmon fuqimisht të ruajë vlerat e vërteta të vargjeve dhe muzikës shqipe edhe si kundërpërgjigje e rrymave që e vulgarizojnë sot muzikën dhe teksteve banale.
Mbrëmja ishte gjithashtu një homazh për shkrimtarin e madh Ismail Kadare. VEcc këngës konkurruese në festival “Ti dhe Hëna”, kënduar nga Era Hasanaj, me vargjet e Ismail Kadaresë, kantautori solli një prej hiteve të tij, me një prej poezive më të bukura të shkrimtarit të madh, i cili u nda nga jeta pak muaj më parë.
Këngë të cilën Leka e solli në një duet surprizues me gazetaren Anila Jole, kryeredaktore prej 16 vitesh në Neës 24.
E rritur në një familje artistësh, piktorë e muzikantë, gazetarja u ngjit në skenë për herë të paë si këngëtare me këngën “Në parkun që mbuluan fletët”, shoqëruar në piano nga kantautori Leka, i cili është i njohur për muzikimin e disa prej vargjeve më romantike të poetëve të njohur shqiptarë. Një performancë që u prit me duartrokitje nga publiku.
Një tjetër surprizë ishte edhe pjesëmarrja e Sara Payman, një fenomen i Instagramit, e cila është bërë virale me këngët që shkruan dhe kompozon vetë në gjuhën shqipe. Me prejardhje nga India dhe Irani, e lindur dhe e rritur në Britaninë e Madhe, Payman prej një viti jeton në Shqipëri. Ajo solli një këngë, të cilën e kishte kompozuar vetë me vargjet e Migjenit, titulluar “Pranvera erdhi”.
Publiku u emocionua edhe me vokalin e spikatur të Anjeza Shehu Agolli, profesoresha e kantos që përgatit brezat e rinj, e cila këndoi këngën “Puthje për nënën”, me vargjet e Teodor Kekos.
E nisur me fjalën poetike, nata finale u mbyll po ashtu me poezi. Aktori Ervin Bejleri recitoi për publikun në amfiteatrin e “Flumen Park” në Ibë “Do të jemi Popull” nga Mahmoud Darëish. Edhe këtë vit, festivali pati mbështetjen e News 24, Radio “News 24”./ (Balkanweb)
Të hënën, më 19 gusht, do të fillojë Seminari XLII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, dhe këtë vit shënohet përvjetori i 50-të jubilar. Ky Seminar organizohet për studente/ë e studiues/e që merren me probleme të gjuhës, letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.
“Rreth 200 studentë dhe studiues të shkencave albanologjike nga vende të ndryshme të botës nga 19 deri 30 gusht 2024, do të qëndrojnë në Universitetin e Prishtinës dhe gjatë këtyre ditëve do të ndjekin kurset e mësimit të gjuhës shqipe, si dhe do të shpalosin hulumtimet e tyre shkencore në fushën e albanologjisë”, thuhet në njoftim.
Në këtë seminar përveç që do të zhvillohen aktivitete të rëndësishme kulturore e shkencore, do të ligjërojnë edhe disa nga shkencëtarët më të njohur të dijeve albanologjike në botë.
Në këtë edicion do të mbahen këto ligjërata shkencore: – Paul Heggarty: A New Database, Family Tree and Origins Hypothesis for the Indo-European Language Family — What Place for Albanian, E MARTË, 20 GUSHT 2024, Ora 11:00 (Fakulteti i Filologjisë) – Yll Rugova/Belgjikë: Alfabeti më i vjetër origjinal i shqipes: në dritën e një burimi të ri, E MËRKURË, 20 GUSHT 2024, ora 11:00 (Biblioteka Kombëtare) – Shaban Sinani/Shqipëri: Një vështrim krahasimtar letërsisë sociale në Ballkan në periudhën mes dy luftërave, E ENJTE, 22 GUSHT 2024, Ora 11:00 (Fakulteti i Filologjisë) – Oliver Jens Schmitt/Austri: Prishtina and Kosova in the late Ottoman period – the view of Austro-Hungarian diplomats, E HËNË, 26 GUSHT 2024, Ora 11:00 (Salla e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës) – Jose M. Floristan/Spanjë: The Albanian communities of Naples and Sicily (16th and 17th c.): between the Balkan revolt and the service to the Spanish crown, E HËNË, 26 GUSHT 2024, Ora 18:00 (Fakulteti i Filologjisë) – Ranko Matasović/Kroaci: Latin Loanwords in Albanian: Problems of Relative Chronology, E MARTË, 27 GUSHT 2024, Ora 11:00 (Fakulteti i Filologjisë) – Francesco Altimari/Itali: Realizime dhe projekte të katedrës së shqipes të Universitetit të Kalabrisë në shërbim të albanologjisë dhe komunitetit arbëresh, MËRKURË, 28 GUSHT 2024, Ora 09:00 (Fakulteti i Filologjisë) – Rexhep Ismajli/Kosovë: Studimet e shqipes në ish-Jugosllavi, E ENJTE, 29 GUSHT 2024, 09:00 (Fakulteti i Filologjisë) – Phil Hubbard/Amerikë: Memories of the 1977 seminar: How it influenced my life’s path, E PREMTE, 30 GUSHT 2024, 9:00 (Fakulteti i Filologjisë) Ndërsa më datë 26 GUSHT, ora 19:00 në ambientet e Fakultetit të Filologjisë do të organizohet një tryezë shkencore për Ismail Kadarenë.
Organizatorët e Seminarit kanë njoftuar se të gjitha aktivitetet do të jenë të hapura për publikun./ KultPlus.com
Antologjia e poezisë shqipe, e hartuar nga Dr. Luan Topçiu dhe Dr. Renata Topçiu-Melonashi, e përkthyer në rumanisht ka fituar çmimin e panairit të librit “LIBREX 2024, në qytetin e Jashit në Rumani.
Vlerësimi i kësaj vepre të rëndësishme është dhe një nder dhe vlerësim jo vetëm për hartuesit dhe përkthyesit e saj, por për kulturën shqiptare dhe poezinë shqipe në të gjitha kohërat dhe në të gjitha trevat
Panairi i Librit LIBREX 2024 u zhvillua në kryeqendrën kulturore të Rumanisë, në qytetin e Jashit, nga datat 10-14 prill 204. Këtë vit ishte edicioni i 29 i këtij panairi me pjesëmarrjen e 76 Shtëpive Botuese nga gjithë Rumania. Në ceremoninë e mbylljes së aktivitetit u krye ceremonia e ndarjes së Çmimeve nga Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, filiali Jash, zoti Cassian Marian Spiridon dhe Kryetari i Bashkisë së qytetit të Jashit, Mihai Chirica.
Juria akordoi 15 çmime të rëndësishme sipas gjinive letrare.
Këtë vit Shtëpia Botuese e ALAR-it mori çmimin Laurențiu Ulici për antologji letrare për botimin e Antologjisë së poezisë shqipe nga zanafilla deri në ditët e sotme me koordinuar Dr. Luan Topçiu dhe Dr. Renata Topçiu – Melonashi. Antologjia e poezisë shqipe (700 faqe) dhe me 63 autorë shqiptarë që nga zanafilla dhe deri më sot është botuar nga Shtëpia Botuese e ALAR, Asdreni, me një studim hyrës nga kritiku dhe shkrimtari Marius Chelaru, kryeredaktor i revistës “Poezia”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë.
Në këtë mënyrë, juria LIBREX shpërbleu vlerën e botimit të antologjisë së poezisë shqipe në rumanisht. Vlerësimi i kësaj vepre të rëndësishme është dhe një nder dhe vlerësim jo vetëm për hartuesit dhe përkthyesit e saj, por për kulturën shqiptare dhe poezinë shqipe në të gjitha kohërat dhe në të gjitha trevat.
Anëtarë të jurisë ishin Eugen Munteanu, Prof. Dr. në Fakultetin e Letërsisë të Universitetit “Alexandru Ioan Cuza” Jash, Ioan Holban, shkrimtar, drejtor i Teatrit “Luceafărul” Jash, Petru Nicu Gavrilută, profesor PhD në Fakultetin e Filozofisë dhe Shkencave Politike të Universitetit “Alexandru Ioan Cuza” në Jash, Cassian Maria Spiridon, shkrimtar, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, filiali Jash, Florin Cîntic, historian dhe shkrimtar, Valeriu Stancu, shkrimtar dhe Dragoş Pătrașcu, artist figurativ dhe profesor universitetit në UNAGE Jash./balkanweb/KultPlus.com
Gjuhëtarët kanë shprehur shqetësimin për dëmtimin e gjuhës shqipe në dekadat e fundit.
Një prej shkaqeve është teknologjia, por përgjegjësi i Departamentit të Gjuhës Shqipe në fakultetin Histori Filologji Shezai Rrokaj ia atribuon më së shumti këtë dukuri, maturantëve me nivel të dobët që bëhen mësues. Për pasurimin e gjuhës shqipe, po hartohet një fjalor me rreth 120 mijë fjalë.
Rrokaj shprehet se trysnia e madhe e fjalëve të huaja tregon se shqipja ke nevojë për to.
Kur trysnia e fjalëve të huaja është më e madhe se nevoja që ka gjuha shqipe për to, kur ato përdoren vend e pa vend patjetër që e dëmtojnë gjuhën. Sigurisht ndikon edhe shkolla sepse një shkollim i mirë, me mësues të mirë, një zotërim i mirë i gjuhës amtare është një imunitet amnor i cili shërben si një ndalesë e depërtimit vend e pa vend të fjalëve të huaja”.
Vetë të rinjtë e pranojnë ndikimin e teknologjisë te gjuha shqipe. Shumë e kanë thuajse të pamundur t’i shmangin fjalët e huaja, zhargonet apo shkurtimet.
“Nga rrjetet sociale dhe teknologjia ka pasur një deformim apo ndryshim, më e thjeshtë të flasësh me shkurtime, megjithatë nuk është justifikim për të përdorur fjalë të huaja”.
“Teknologjia po shkatërron krejt rininë, jo vetëm gjuhën shqipe”.
“Mendoj se po deformohet në mënyrë të tmerrshme,” shprehen disa qytetarë.
Shezai Rrokaj shton se kjo dukuri shqetësuese e ka zanafillën që në pranimet në degët e mësuesisë në universitete. si zgjidhje, ai sheh vlerësimin financiar të mësuesve.
“Problemi më i madh dhe më i rëndësishëm i shkollës, jo vetëm për mësuesit e gjuhës shqipe, por për mësuesinë në përgjithësi, është se të interesuar janë maturantët më të dobët. Çfarë mësuesie presim ne kur atë e zgjedhin një brum i maturantëve më të dobët, nga nota 6 te nota 8.5. Ne duhet ta bëjmë të mirëpagueshëm profesionin e mësuesit që të na vijnë maturantët më të mirë”.
Rrokaj është pjesë e grupit të punës për krijimin e një fjalori të ri me rreth 120 mijë që pas 4 viteve punë intensive, pritet të botohet në vitin 2025.
“Është një sipërmarrje shumë e madhe, ku pretendohet të trefishohet më së paku fjalësi ekzistues në fjalorin ekzistues nga 40.000, në 100-120 mijë fjalë. Do të ketë një përbërje të rëndësishme nga gegnishtja, rreth 20-25 mijë fjalë, rreth 10 mijë fjalë nga teknologjia, nga fushat shkencore dhe ka një gjithëpërfshirje, 2500 fjalë nga arbërishtja për të cilën janë ngritur grupe të veçanta të cilat po punojnë”./shqiptarja.com/KultPlus.com
Hapja e degës së gjuhës shqipe në Preshevë do të ishte mirë jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë studentët që në jug të Serbisë dëshirojnë ta studiojnë gjuhën shqipe. Dëshira ekziston, por nuk e di nëse qeveria do të ketë vullnet për një gjë të tillë, ka deklaruar për portalin Bujanovaçke novine, shefja e Katedrës së gjuhës shqipe në Fakultetin Filologjik të Beogradit, Naile Mala Imami.
Nuk jam e sigurt se a do të hapet apo jo dega e katedrës sonë në Preshevë, por jam e sigurt se kjo do të ishte një gjë shumë e mirë, sepse për momentin e kemi nuk numrin e vogël të studentëve në katedrën tonë në Beograd – ka vlerësuar Imami.
Ajo tha se në Preshevë nuk ka qenë deri më tani, por që ka dëshirë ta vizitojë.
E di që atje ka shumë të rinj që do të donin ta mësonin gjuhën shqipe dhe mendoj se kjo do të thoshte shumë për ta, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për serbët nga jugu i Serbisë. Këtu vijnë shumë studentë nga Vranja, Bujanoci dhe vendet përreth – vlerësoi Imami.
Pse të rinjtë e Luginës të studiojnë në Tetovë, Prishtinë ose Tiranë kur mund të studiojnë në Preshevë ose Bujanoc nëse do të hapej dega e katedrës sonë, tha ajo.
– Kjo mund të realizohet, por a ekziston vullneti i organeve të pushtetit apo jo këtë nuk mund ta them, por do të doja shumë që kjo ide të realizohet, tha Imami.
Katedra e gjuhës shqipe në Fakultetin Filologjik të Beogradit ekziston tashmë 100 vjet, është katedra e pestë me radhë që e ka filluar punën në këtë faklultet në vitin 1921.
Ne jemi katedër me traditë, kemi libra, mjete mësimore, përkatësisht çdo gjë që është e nevojshme për studentët tanë. Nëse ekziston vullneti i pushtetit, hapja e degës në Preshevë, vërtet, do të ishte gjë e mirë, e përsëriti Imami.
Ju rikujtojmë se kryetari i Këshillit Kombëtar i Shqiptarëve (KKSH) Nevzad Lutviu ka kërkuar nga Fakulteti Filologjik i Beogradit që në Preshevë të hapet dega e Katedrës së gjuhës shqipe. Ai me këtë kërkesë i është drejtuar edhe Universitetit dhe Ministrisë së Arsimit, për çfarë kanë shkruar Bujanovaçke novine.
“Kam kërkuar edhe takim që ta konkretizojmë këtë kërkesë”. Kjo katedër me hapjen e degës në Preshevë do ta fitonte kuptimin e plotë, në këtë qytet me mbi 95% janë shqiptarë. Kjo do t’ua tërhiqte vëmenden edhe studentëve në qytetet përreth.”, theksoi Lutviu në letër./KultPlus.com
Përkthyesi dhe shkrimtari i njohur Edmond Tupja deklaron se gjuha shqipe është një nga 3 gjuhët më të vjetra.
I ftuar në “Mes dy botëve” të Helidon Halitit në RTSH, Edmond Tupja jep alarmin e zhdukjes së gjuhës sonë si pasojë e globalizimit.
“Shqipja është një gjuhë shumë më e vjetër. E kanë thënë gjuhëtarë të paanshëm. Edhe në revista shkencore thuhet që 3-4 ishin gjuhët më të vjetra, sepse të jep çelësin për gjuhët indovropiane. Të ndihmon që t’i të kuptosh dhe për gjuhë të kaluara që janë zhdukur. Gjuha shqipe është shumë më e vjetër, e treta në botë për gjuhët indoevropiane, por të bësh debate për këtë dhe të harrosh ku po shkon sot gjuha shqipe?! Luftoni për origjinën, po kryesorja është ku po shkojmë? Po vdesin fjalët shqipe. Nuk thotë më njeri “u tremba”, “u frikësova”, por “u intimidova”. Ka plot fjalë në shqip, flalë që vdesin. Do bëhemi si latinishtja, greqishtja e vjetër nuk do të na flasë njeri”, thotë ai.
Për profesorin e njohur, globalizimi është një nga shkaktarët e rrezikimit të gjuhëve, mes së cilës edhe asaj shqipe.
“Shqipja nuk është gjuhë e lehtë, as gjermanishtja se janë lakimet. Por ne po i zhdukim lakimet. I marrim dhe i përdorim fjalët pa lakuar. Si është e mundur është pasuri, gjuhët e vjetra e kanë lakimin. Popujt më qëndrestarë e kanë këtë. E dyta po ikin strukturat e gjuhës shqipe. Kanë filluar thonë nën ndikimin e anglishtes “This is not true”. Kjo është jo e vërtetë. Po nuk është shqip. Shqip thuhet “Kjo është e pavërtetë”, “Kjo është e rremë”. Këta i flakin në koshin e plehrave. Ccfarë do bëhet me Shqipërinë? globalizimi është zhdukja e kulturës dhe e zakoneve. Marksi e thoshte: “Internacionale do të jetë bota e re”, “Globale do të jetë bota e re”,- thotë Soros”, nënvizon përkthyesi dhe shkrimtari i njohur Edmond Tupja.
Mes humorit, Edmond Tupja nuk heziton që të nxjerrë në pah dhe një tipar të shqiptarëve. “Këtë e kam dëgjuar nga goja e Fatos Lubonjës kur fiste për mercenariatin e shqiptarëve. Mbretëria e Katerinës së Dytën ë Rusi u përball me disa fise mongole. Trupat ruse u nisën për luftë dhe kishin edhe mercenarë, ndër të cilët dhe kryesisht mercenarë shqiptarë. Mbaroi lufta të cilën e fitoi Caresha dhe i thotë truprojës: -Shko më sill prijësit e mercenarëve”.
Shkoi ai i solli. Ajo i pa, i numëroi dhe tha mungon një. Kush mungon? Shqiptari? Ik i tha ma sill këtu. Shkoi atje dhe u kthye i tronditur.
-Ku e ke prijësin? Ata po grinden se secili e quan veten prijës”, deklaroi shkrimtari Edmond Tupja./atsh/KultPlus.com
“Alfabetarja e gjuhës shqipe” u botua me nismën e Sami Frashërit, Jani Vretos e Pashko Vasës, në Stamboll më 27 shkurt 1879.
Për ta kuptuar rëndësinë e këtij botimi, duhet të kthehemi pas në kohë e në histori. Kujtojmë se shqipja, me sa dokumentohet deri tani, filloi të shkruhet që nga shekulli XV me alfabetin latin, të plotësuar me pesë shkronja të posaçme. U shkrua dhe me shkronja greke e, pas pushtimit turk, edhe me alfabetin turk-arab. Rruga tjetër që u ndoq, është ajo e krijimit të alfabeteve origjinale me përhapje të kufizuar.
Që në fillimet e lëvizjes për çlirim nga Turqia, çështja e alfabetit doli në plan të parë: pa të nuk mund të flitej për Rilindje të popullit shqiptar. Prandaj me nismën e Sami Frashërit, Jani Vretos e Pashko Vasës, më 27 shkurt 1879 u botua në Stamboll “Alfabetarja e gjuhës shqipe“. Ishte një nga veprimtaritë më të rëndësishme të patriotëve shqiptarë të Stambollit, të cilët më 12 tetor 1879 themeluan “Shoqërinë e të Shtypurit të Shkronjave Shqip”, shoqëri kulturore, që kishte për synim të nxiste zhvillimin e kulturës në gjuhën shqipe dhe ta vinte atë në shërbim të çështjes së çlirimit kombëtar nga Turqia. Me alfabetin, plotësonte një nga kërkesat bazë për përhapjen e propagandës atdhetare dhe i hapte rrugën botimeve të para serioze të Rilindjes sonë Kombëtare.
Libri “AΛFABETARE E GLÚHESE ΣQIP” është përgatitur,pra, nga Shemsudin Sami Frashëri, Jani Vreto, Pashko Vasa etj., dhe është botuar në Stamboll më 1879. Një kopje e librit, me kapakë kadife të kuqe të shkruar me shkronja ari, i është dhuruar Sulltan Abdyl Hamitit II, i cili ka ditur të flasë shqip.
“Alfabetarja e gluhësë shqip”, botuar vetëm pak muaj pas miratimit të alfabetit të Stambollit, është një vepër kolektive. Në të janë përfshirë shkrimet e Sami Frashërit: “Gjuha Shqip” dhe “Dheshkronjë”; të Jani Vretos: “Udhë e të shkruarit të gjuhësë Shqip”, “Për Gjithëçishtënë dhe për Zon’e jetësë edhe për Njerinë, botën’ e vogëlë”, “Numerëmësonjë”; të Pashko Vasës: “Shqypnija e Shqyptârt”, të Koto Hoxhit: “Porosit’ e Tovitit mbë të birë”. Siç shihet nga përmbajtja, “Alfabetares së gjuhës shqipe” nuk është thjesht një tekst abetareje. Përveç abetares në të përfshihen edhe lëndë të tjera si: gramatikë, histori, aritmetikë, edukatë shoqërore dhe morale.
Në gjirin e saj, siç u përmend, bashkëpunuan ngushtësisht myslimanë të mëdhenj si vëllezërit Frashëri, katolikë të shquar, si Pashko Vasë Shkodrani e ortodoksë të mësuar e atdhetarë si Jani Vreto: ishte pra model i bashkëpunimit ndërmjet feve në shërbim të Atdheut. Vlerat e kësaj abetareje, që me të drejtë është quajtur “një vepër themelvënëse”, janë të gjera dhe të shumanshme. Kjo vepër përbën një prej gurëve themeltarë në proçesin ripërtëritës dhe ripërcaktues të gjuhësisë shqiptare.
Në “Alfabetare…” trajtohen disa nga problemet më themelore të kohës, në plane të ndryshme: politik, idelogjik, kulturor dhe arsimor që kishte shtruar për zgjidhje Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Ky tekst, si rrallë ndonjë tjetër, shkon në unison me ato ngjarje, duke u bërë jehonë, duke zbatuar pjesë të veçanta të programit për çlirimin kombëtar dhe shoqëror.
Gjithsesi çështja e alfabetit të shqipes do të zgjidhej përfundimisht vetëm me Kongresin e Manastirit, që u mblodh më 14 nëntor 1908, ku u hartua një alfabet i ri me shkronja latine. Është alfabeti që përdorin edhe sot e kësaj dite gjithë ata, të cilët shkruajnë shqip. / KultPlus.com
Shek. XIX, shekulli i lëvizjeve kombëtare, e gjeti popullin shqiptar, pasardhësin e fiseve ilire, të dëmtuar rëndë prej zgjedhave të gjata romake, bizantine, sllave dhe së fundi prej asaj osmane. Gjatë kësaj zgjedhës së fundit, për të lehtësuar disa taksa dhe peshën e rëndë të sundimit turk, gati shtatëdhjetë përqind e shqiptarëve ishin konvertuar në myslimanë, pjesa tjetër kishin ruajtur besimin e krishter katolik në veri dhe ortodoks në jug.
Gjatë shekujve XVIII-XIX dhe deri në nëntor të vitit 1912, kur u fitua pavarësia e Shqipërisë, sunduesi turk përpiqej me çdo kusht ta mbante popullin shqiptar në errësirë, për ta përdorur si mish për top në luftërat e veta, që t’ia zgjaste jetën Perandorisë së vet. Për këtë arsye ishte ndaluar me ligj hapja e shkollave në gjuhën shqipe si dhe përdorimi i kësaj gjuhe si gjuhë liturgjike në kishë e xhami. Propagandohej me forcë prej sunduesve se shqiptarët myslimanë ishin osmanë (turq), bij të sulltanit, kurse shqiptarët e krishterë ortodoksë ishin grekë ose sllavë, dhe shqiptarët e krishterë katolikë ishin latinë, italianë. Edhe politikanët e shteteve të reja ballkanike që fituan pavarësinë gjatë shek. XIX filluan të ndiqnin të njëjtën propagandë kundër popullit shqiptar. Formula mesjetare bizantine cuius religio, eius nacio (lat. i cilit besim je, atij kombi i përket), këmbëngulej që për shqiptarët të respektohej edhe në shekullin XIX e XX, kur ishte pranuar se popujt e Europës ndaheshin në kombe sipas gjakut, gjuhës, zakoneve, psikologjisë dhe territorit.
Në një situatë të tillë tepër mbytëse për popullin shqiptar, lindi dhe u ngjiz Lëvizja e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ideologët e kësaj lëvizjeje vlerësuan tiparet e përbashkëta të kulturës shpirtërore e materiale të popullit shqiptar, luftuan ta shkruanin, ta pastronin e ta pasuronin gjuhën shqipe, faktorin më të rëndësishëm bashkues të kombit, të vinin në dukje zakonet e mira, besën, trimërinë, mikpritjen, respektin ndaj të huajit, mëshirën ndaj të pafuqishmit, etj. Ata nuk i mbivlerësuan dhe as i nënvlerësuan ndikimet e shumta që kishte pësuar prej zgjedhave të huaja të gjata mendësia e popullit shqiptar, gjuha dhe besimi i tij fetar, por vlerësuan si duhej faktin e madh, mrekullinë e mbijetesës së popullit shqiptar si një popull i veçantë midis popujve ballkanikë, i cili meritonte dhe duhej të jetonte i lirë në ato hapësira ballkanike, ku përbënte shumicën.
Rilindësit tanë qenë iluministë, njerëz me inteligjencë të lartë. Ata luftuan që populli shqiptar të zgjohej nga letargjia ku e kishte futur sundimi i gjatë dhe i egër turk. Luftuan ta nxirrnin popullin e tyre nga kjo gjendje foshnjore dhe ta aftësonin për të përdorur mendjen, logjikën e vet, për të njohur e vlerësuar tiparet e tij përbërëse.
Rilindësit tanë luftuan për përhapjen e shkrimit të gjuhës, për ringjalljen e krenarisë kombëtare, duke evokuar në letërsi të kaluarën heroike dhe duke himnizuar udhëheqësit e mëdhenj si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Pirrua i Epirit, etj. Krahas lëvrimit të letërsisë origjinale, ata i dhanë rëndësi dhe mbledhjes dhe botimit të letërsisë gojore të popullit. Këtë punë ata e bënë, sepse letërsia gojore ndër shqiptarët e kishte plotësuar dhe mbushur boshllëkun që kishte krijuar gjatë shekujve mungesa e letërsisë së shkruar. Letërsia gojore u kuptua drejt prej tyre si një thesar i vlefshëm kulturor, një identitet kombëtar që duhej rizbuluar dhe shpënë më tej. Për këtë punuan Zef Jubani, Thimi Mitko, Spiro Dine , etj
Një ndër veprimtarët dhe krijuesit më aktivë të çerekut të parë të shek. XX është dhe Mihal Gramenua, një nga bijtë më të shquar të Korçës e të mbarë Shqipërisë, që u dallua si shkrimtar, publicist dhe luftëtar për liri e demokraci. Ai është shembulli i shkrimtarit shqiptar, i ngjashëm me poetët dhe shkrimtarët luftëtarë të popujve ballkanas, që shkruan dhe luftuan me armë kundër zgjedhës osmane, si rumunët Mihal Eminesku (Mihail Eminescu 1850-1889) e Tudor Argjezi (Tudor Arghezu, 1880-1967), dhe bullgari Kristo Botevi (Hristo Botev, 1848-1876), etj. Veprimtarinë e tij atdhetare dhe krijimtarinë letrare e publicistike, Gramenua e kreu në Shqipëri, Rumani e SHBA. Ai u bë i njohur në popull, jo vetëm përmes krijimeve letrare e publicistike, himneve e këngëve dashurore, të cilat u kënduan në kohën e tij dhe këndohen edhe sot, por dhe përmes njohjes së drejtpërdrejtë si luftëtar i lirisë, kur me pushkën krahut i ra kryq e tërthor Shqipërisë së Jugut. Ai u shqua për aktivizimin e tij të vijueshëm në lëvizjen kombëtare e demokratike, sipas motos së tij: më e vlefshme është të punonjë njeriu brenda në Shqipëri, se sa në kolonitë, moto që u bë parim i jetës së tij.
Rilindësit tanë ishin heronj. Ata u hodhën në një luftë të pabarabartë, por të mbushur me shpresë se populli shqiptar do ta ndiqte shembullin e tyre deri në fitoren e lirisë e të demokracisë dhe ia arritën synimit të tyre, ndonëse jo plotësisht për shkak të rrethanave dhe të politikës jo dashamirëse të Rusisë Cariste. Ata luftuan për ta çliruar letërsinë shqiptare prej ndikimeve të panevojshme të letërsive të huaja dhe arritën ta bënin atë një letërsi të pavarur me tiparet e veta origjinale kombëtare. Duke ecur, kush krah për krah e kush pas poetëve kombëtarë Naim Frashëri (1846-1900) e Atë Gjergj Fishta (1871-1940), shkrimtarët tanë të Rilindjes e afruan letërsinë me proceset e zhvillimit shpirtëror e kombëtar të shqiptarëve dhe e bënë atë shprehëse të ndërgjegjes së tyre morale dhe estetike, që ishin në përputhje me vërtetësinë historike. Ata luftuan me shumë sakrifica për dinjitetin e tyre dhe të mbarë popullit shqiptar, pra dhe për dinjitetin tonë, prandaj neve nuk na lejohet t’i harrojmë e t’i lemë pa i studiuar dhe pa i vlerësuar si duhet. Studimi dhe zbulimi i vlerave të jetës dhe veprës së tyre na ndihmon për të pajisur veten tonë me norma morale dinjitoze dhe të qëndrueshme.
* * *
Mihal Gramenua u lund në qytetin e Korçës më 13 janar 1871. Deri në moshën 15-vjeçare ai jetoi në qytetin e lindjes, ku u shkollua në shkollën fillore dhe gjysëm gjimnazin në gjuhën greke. Në moshën 15-vjeçare, si shumë të rinj shqiptarë, emigroi në Bukuresht të Rumanisë, ku ndoqi gjatë mbrëmjeve mësimet në një shkollë të mesme, që ishte hapur me ndihmën e qeverisë rumune prej Nikolla Naços. Në vitet 1907-1908 ai u kthye në atdhe, ku doli maleve me pushkë krahut për liri. Mbas korrikut 1908, kur u shpall Kushtetuta Xhonturke, ai qëndroi në qytetin e vet, në Korçë, ku punoi në ilegalitet për organizimin e lëvizjes së armatosur kundër pushtuesit turk dhe botoi gazetat e veta Lidhja Orthodokse (1909-1910) dhe pas saj Koha (1911-1912). Në faqet e këtyre gazetave ai botoi shumë artikuj, portrete, fejtone dhe skica letrare për të mbrojtur të drejtat kushtetuese të popullit, për të forcuar ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve dhe për të diskredituar propagandat antishqiptare të qarqeve shoviniste të shteteve fqinjë, sidomos qarqeve shoviniste greke.
Pas fitores së Pavarësisë më 28 nëntor 1912, ai mbërriti disa ditë me vonesë në Vlorë, kryeqyteti i parë i shtetit të pavarur shqiptar, për të ndihmuar qeverinë dhe kryeministrin Ismail Qemali (1844-1919) për një varg punësh në atë kohë të vështirë. Pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, kur Korça u pushtua prej ushtrisë greke dhe gjithë Shqipëria prej ushtërive të shteteve ndërluftuese, Mihal Gramenua u detyrua të emigronte në SHBA bashkë me tre prej vëllezërve të tij. Në SHBA ai u vendos në qytetin Jamestown N.Y., ku vijoi botimin e gazetës Koha (1915-1919). Më 1920 u rikthye në atdhe, në qytetin e lindjes, ku filloi ribotimin e gazetës së tij.
Me artikujt, kryeartikujt, fejtonet, portretet, pamfletet dhe skicat letrare që botoi në vitet 1920-1924, ai ndihmoi për forcimin e mendimit demokratik dhe për fitoren e Revolucionit Demokratik Borgjez të Qershorit 1924, kur erdhi në pushtet intelektuali i shquar Fan Noli, njeri i formuar në SHBA. Pas dështimit të këtij revolucioni dhe ardhjes në pushtet të feudalit Ahmet Zogu (1895-1961), Mihal Gramenua, duke qenë i sëmurë dhe në kushte të vështira ekonomike, u detyrua të pajtohej me situatën dhe të mënjanohej nga lufta politike. Në vitin 1926 e mbylli gazetën Koha dhe jetoi i tërhequr deri sa vdiq në shkurt të vitit 1931.
Në luftën për çlirimin kombëtar dhe për krijimin e shtetit shqiptar të pavarur, si dhe në përpjekjet e para serioze për një demokraci borgjeze, ndihmesa e mendjes, e shpirtit dhe e talentit të Mihal Gramenos, është shumë e dukshme dhe e paharrueshme. Si rilindësit më të mirë shqiptarë, ai e zgjodhi luftën për liri e demokraci, sepse kuptoi se jeta në liri e demokraci e bën të mundur bashkëjetesën njerëzore në formën dinjitoze. Përmes leximeve në greqisht e rumanisht, Gramenua kishte përvetësuar mësimin e madh të Demokritit: Unë parapëlqej jetën e varfër në një demokraci, sesa pasurinë në një tirani, …. sepse liria është më e mirë se skllavëria. Kjo bindje e ndihmoi atë që të pranonte vuajtjet si shkrimtar dhe gazetar shqiptar në shërbim të lirisë për popullin e vet, se sa të pranonte propozimet që i bënë në Korçë sundimtari turk më 1909 dhe dhespoti grek më 1910, si dhe ministri italian San Juliano në Itali më 1914, për të marrë rroga të majme, po të punonte si gazetar në shërbim të politikës së tyre.
E marrë në tërësinë e vet, prej fillimeve të saj e gjer në dhjetor të vitit 1924, krijimtaria e tij përshkohet nga fryma luftarake, nga optimizmi historik, nga patosi atdhetar dhe idetë demokratike. Pas dhjetorit 1924, me riardhjen në pushtet të Ahmet Zogut pas shtypjes së Revolucionit të Qershorit 1924, lëvizja demokratike ra në fashë dhe Gramenua përjetoi krizën e idealeve të kësaj lëvizjeje.
Gramenua bën pjesë në radhën e shkrimtarëve tanë të Rilindjes, të cilët pas vitit 1902, viti i botimit të veprës madhore Baba Tomorri të Andon Zako Çajupit (1866-1930), shënuan një periudhë të re letrare, ku bashkë me tematikën, disponimet, vizionet, format e shprehjes romantike, ata sollën edhe tema, disponime, vizione dhe forma të shprehjes realiste. Çajupit, Fishta, Gramenua, Asdreni (1872-1947) e çliruan letërsinë artistike nga fryma dhe morali fetar. Ata nuk e panë popullin shqiptar vetëm si komb, si e shihnin para tyre romantikët, por edhe si shoqëri të përbërë nga klasa të ndryshme, të cilat kishin problemet e veta. Pavarësisht se si i shtruan dhe si menduan t’i zgjidhin këto probleme, fakti që ata i panë dhe i shtruan ato, përbën një hap para për letërsinë shqiptare të asaj kohe.
Me novelat Oxhaku, E puthura dhe Varri i pagëzimit, që botoi në vitet 1904-1909, Gramenua hyri në letërsinë tonë si lëvruesi i parë i prozës së gjatë në gjuhën shqipe, ku mungonte tradita. Për t’ia dalë me sukses kësaj pune, në drejtim të ligjërimit ai iu drejtua prozës popullore, e cila i shërbeu si përvojë e gjallë artistike. Me përmbajtjen e këtyre veprave, duke shprehur pakënaqësitë ndaj normave morale të shtresave të larta e duke poetizuar vlerat shpirtërore të njerëzve të vegjëlisë, ky krijues i binte kambanës për zgjimin e ndërgjegjes shoqërore të shtresave të ulëta, ndikonte për të forcuar dinjitetin dhe respektin e këtyre shtresave ndaj vetvetes. E pikërisht me të tilla ide që shprehte ai në novelat e veta, jepte një kontribut në thellimin e frymës demokratike jo vetëm të prozës së gjatë në hapat e saj të parë, por të mbarë letërsisë sonë, çka do të bëhej në të ardhmen një nga tiparet më të qenësishme të kësaj letërsie. Me veprat e tij novelistike përmes patosit sentimental, ky autor vuri në dukje vetitë njerëzore të fshatarëve e të qytetarëve të varfër shqiptarë, shprehu simpatinë e tij për këtë pjesë të shtypur të popullit dhe u përpoq ta shpëtonte atë nga gjendja e rëndë, ndonëse në këtë çështje nuk predikoi rrugën e lëvizjeve shoqërore, por vetëm atë të mëshirës e të harmonisë utopike. Por nuk duhet harruar se të drejtoje vëmendjen tek njerëzit e varfër, tek interesat e shtresave të ulëta të shoqërisë, ishte dalje kundër propagandës zyrtare. Me novelat e veta sentimentale, ku nuk mungojnë dhe elemente të realizmit, Gramenoja u hapi rrugë të mbarë prozatorëve tanë të mëvonshëm si Foqion Postolit, Nikolla Lakos, Andon Frashërit, Veli Panaritit, Sterio Spasses, Sotir Andoni, etj.
Komedia Mallkimi i gjuhës shqipe është një komedi politike. Në qendër të saj autori ka vendosur luftën kundër klerit grek e veglave të tij (shqiptarët grekomanë), të cilët punonin nën rrobën e fesë për të përçarë popullin shqiptar dhe për t’i greqizuar besimtarët ortodoksë shqiptarë. Autori, si intelektual dhe atdhetar i ndershëm, kishte kuptuar se feja ortodokse ishte kthyer prej klerit grek e atij vendës grekoman, në një instrument të shovinizmit grekomadh. Prandaj, përmes humorit e satirës ai i demaskoi këto forca antishqiptare.
Në këtë komedi të Gramenos ndjehet ndikimi pozitiv i komediografit të madh francez Zhan Batist Molier (Jean Batiste Moliere, 1622-1673) në krijimin e karaktereve letrare të shërbëtorit Thanë dhe të dhespotit hipokrit grek Sofroni. Përmes dialogjeve dhe veprimeve të këtyre përfaqësuesve të dy kampeve kundërshtare dhe të personazheve të tjerë, realizohet satira e veprës. Krijimi i figurës së shërbëtorit Thanë, si përfaqësues tipik i popullit të thjeshtë shqiptar, dhe i dhespotit grek, si përfaqësues tipik i shovinizmit grekomadh, janë realizime të shënueshme të Gramenos. Në komedinë Mallkimi i gjuhës shqipe autori arriti që urrejtjen kunër forcave kundërshtare ta shprehte jo duke e deklamuar me fjalë, si në disa poezi, por duke e ngritur atë në art, përmes motivimit të mendimeve dhe veprimeve të pesonazheve. Lidhjet midis personazheve dhe ambientit që ata i rrethon, këtu janë kapur sipas një realizmi spontan, intuitiv, pa u ndriçuar nga historizmi, nga kuptimi i karaktereve letrare si produkt i rrethanave. Veçse në këtë vepër, ky lloj realizmi është më i shëndetshëm se në novelat E puthura dhe Oxhaku.
Karakteri spontan i realizmit të Gramenos ka të bëjë me faktin se personazhet kryesorë në këto vepra mendojnë, ndjejnë e veprojnë jo gjithnjë në përputhje me logjikën e brendshme të karaktereve shoqërore që ata mishërojnë. Ata mendojnë e veprojnë shpesh herë në përputhje me idenë fillestare që ka paracaktuar autori.
Komedia politike atdhetare me tre akte Mallkim i gjuhës shqipe, e shkruar më 1902 dhe e botuar më 1905, ka qenë njohur prej A. Z. Cajupit dhe mund t’i ketë shërbyer si nxitje për hartimin e komedisë së tij politike me një akt Pas vdekjes më 1908, lënë dorëshkrim dhe botuar pas vdekjes së tij më 1937.
Tragjedia Vdekja e Pirros ka në qendër temën historike, jetën e mbretit Pirro të Epirit. Në këtë tragjedi ndjehet ndikimi i poetikës së tragjedive të Klasicizmit francez dhe të tragjedive të lashta greke. Kjo tragjedi është e para e llojit, si e tillë ajo hapi rrugën për hartimin e tragjedive klasiciste prej autorëve të tjerë si Çajupi, Kristo Floqi, Et’hem Haxhiademi, etj. Me vëniet e shumta në skenë gjatë Rilindjes e pas saj prej grupeve amatore në kolonitë shqiptare të Rumanisë, SHBA-së dhe brenda vendit në Vlorë, Korçë e Tiranë, kjo vepër dramaturgjike luajti një rol të ndjeshëm edhe përsa i përket gjallërimit të lëvizjes teatrale, duke shënuar fillimet e historisë së teatrit shqiptar. Komedia politike atdhetare Mallkimi i gjuhës shqipe dhe tragjedia Vdekja e Pirros, të cilat autori i shkroi në vitet 1902-1903 e i botoi më 1905-1906, janë ndër veprat e para të llojit. Ato, bashkë me vepra të tjera të këtij lloji, shënuan fillimet e dramaturgjisë shqiptare si gjini letrare. Pavarësisht nga karakteri spontan i realizmit të komedisë Mallkimi i gjuhës shqipe dhe i novelave E puthura dhe Varr’ i pagëzimit të Gramenos, duhet pranuar se ato ishin një prurje e mirë në kahjen e realizmit. Ato ndihmuan procesin e lindjes së realizmit, proces që filloi të merrte rrugë me Baba Tomorrin (1902) e Andon Zako Çajupit, me vepra të Pader Gjergj Fishtës, Asdrenit, Faik Konicës, Dom Ndre Mjedës dhe të konsolidohet më tej në vitet 30-të të shek. XX me veprat e Migjenit, Ernest Koliqit, Mitrush Kutelit, Nonda Bulkës, etj.
Gramenua nuk është vetëm prozator e dramaturg, por edhe poet, poet i vrulleve atdhetare. Këngët Për mëmëdhenë,Lamtumirë, Uratë për liri, Ardhi dita, të cilat u bënë shumë popullore gjatë Rilindjes, ndikuan për krijimin e një mori këngësh e marshesh në vitet 1908-1912. Ato janë ndër krijimet më të mira të lirikës atdhetare që trashëgojmë nga Rilindja. Këto këngë u bënë popullore për thjeshtësinë me të cilën shprehnin idetë themelore të epokës. Teksti i tyre i pangarkuar me figura të vështira e të kërkuara dhe melodia e thjeshtë dhe e kapshme nga të gjithë, bënë që këto këngë atdhetare të përvetësoheshin shpejt e të përhapeshin si himne të luftëtarëve të lirisë. Meritë e poetit Grameno është edhe fakti se ai i muzikoi vetë këto këngë, mbi bazën e muzikës së këngëve revolucionare që ishin përhapur në atë kohë në mbarë Ballkanin. Këngët e tij atdhetare u kënduan jo vetëm gjatë viteve 1908-1912 nga luftëtarët e lirisë kundër zgjedhës turke dhe prej Bandës “Liria”, por edhe në vitet e Mbretërisë prej “Korit Lira” të Korcës, si dhe në vitet 1940-1944 prej popullit e luftëtarëve antifashistë kundër pushtimit italo-gjerman. Kënga “Për mëmëdhenë” dhe “Muaji i majit” këndohen edhe sot prej “Korit Lira” dhe këngëtarëve amatorëve të këngëve atdhetare e lirike.
Poezia Për Mëmëdhenë e Gramenos bashkë me poezitë Moj Shypni e mjera Shqypni e Pashko Vasës, Gjuha Shqipe e Naim Frashërit, Shqipëtar! e Çajupit, Gjuha shype e Atë Gjergj Fishtës, Kënga e Bylbylit e Dom Ndre Mjedës, Shko dallandyshe / Eja dallendyshe të F. Shirokës, Hymni i Flamurit i Asdrenit, Flamuri i At Fan Nolit, Vlora, Vlora e Ali Asllanit, Poradeci i Lasgush Poradecit e të tjera hyjnë në çdo tekst antologjik për shkollat 8-vjeçare e të mesme të Shqipërisë e Kosovës, si poezi të goditura që ndihmuan, ndihmojnë e do të ndihmojnë drejtpërdrejt në formimin atdhetar të nxënësve.
Gramenua u shqua edhe më tepër si publicist i talentuar. Ai botoi shkrime të shumta publicistike me nivel të lartë artistik si rrallëkush, për gati një çerek shekulli. Ai drejtoi vetë gazetat Lidhja orthodhokse (1909-1910) e Koha (1911-1926), të cilat me punën e talentin e tij kanë zënë një vend nderi në historinë e gazetarisë shqiptare të periudhës së Rilindjes e të Pavarësisë.
Publicistika është, në fakt, fusha ku shkëlqeu talenti i tij krijues. Ai iu kushtua kësaj fushe me pasion e frymëzim të veçantë dhe arriti të botojë një mori shkrimesh prej mbi 3000 faqe të daktilografuara. Shumë prej këtyre faqeve kanë vlera të mëdha njohëse për jetën shqiptare të çerekut të parë të shekullit XX, periudhë që është e mbushur me ngjarje të një rëndësie të veçantë. Në këtë fushë të krijimtarisë ky publicist është ndër të parët dhe kryesorët propagandistë të rrymës atdhetare, sipas së cilës çlirimi i vendit nuk duhej pritur nga qeveritë e shteteve të huaja, si qeveria austro-hungareze, që propagandonte Faik Konica; ajo italiane, që propagandonin disa arbëreshë dhe ndonjë klerik katolikë; ose ajo turke, që propagandonte më 1908-1910 Mit’hat Frashëri. Çlirimi i vendit nga zgjedha turke, sipas Gramenos, do të sigurohej vetëm nga lufta e armatosur e popullit shqiptar.
Në plan shoqëror ky gazetar ishte gjithnjë një mbrojtës i vendosur i interesave të shtresave të ulëta të shoqërisë dhe armik i bejlerëve çifligarë, i këtyre uzurpatorëve të pushtetit shtetëror pas fitores së pavarësisë.
Krijimtaria publicistike e Gramenos shquhet për trajtimin e problemeve të mprehtë atdhetarë dhe socialë. Vend qendror në të zuri ajo që ishte kryesore në jetën shqiptare të kohës: lufta për liri kombëtare dhe progres shoqëror. Heronjtë që zenë kryet e vendit në këtë krijimtari janë luftëtarët e çetave kombëtare, atdhetarët demokratë, bijtë e shtresave të ulëta, të cilët ia kishin kushtuar jetën luftës për liri e demokraci. Po ashtu, shpesh herë në qendër të krijimtarisë publicistike të Gramenos u vendosën dhe përfaqësuesit e aristokracisë shqiptare. Një pjesë e vogël e kësaj aristokracie u lidh sinqerisht me lëvizjen kombëtare për liri. Këta veprimtarë Gramenoja diti t’i vlerësonte me shkrime të ndryshme politike dhe letrare. Përmendim këtu shkrimet e tij plot frymëzim për Ismail bej Qemalin, Isa beg Boletinin, Orhan bej Pojanin, Alo bej Dishnicën, etj. Por pjesa më e madhe e kësaj aristokracie, duke parë interesat e veta të ngushta, mori një qëndrim jo atdhetar ndaj lëvizjes kombëtare dhe u përpoq të përfitonte poste e nëpunësi të pamerituara. Të tillë elementë u pasqyruan gjithmonë në plan sarkastik prej penës së këtij gazetari. Shkrimet që vunë në qendër personalitete historike si Esad Pashë Toptani, Turhan Pasha, Myfit bej Libohova, etj, i përshkon patosi satirik, përmes të cilit Gramenua demaskonte thelbin reaksionar të këtyre forcave shoqërore, mentalitetin e tyre antipopullor.
Duke qenë se Gramenua iu kushtua gazetarisë në një kohë kur demokratizmi i tij vinte duke u pjekur, sidomos pas jetës në çetën e Çerçizit, kur ai e njohu më nga afër karakterin e popullit shqiptar dhe nevojat e aspiratat e tij, në publicistikën e tij interpretimi i ngjarjeve nga këndvështrimi i shtresave të ulëta erdhi duke u forcuar vazhdimisht. Kështu, në vitet 1909-1912 ai krahas thirrjes opinga është shtylla e kombit shkroi edhe portretet letraro-publicistike, ku vuri në qendër luftëtarët kombëtarë të dalë nga radhët e bujqve dhe barinjve të varfër, për të treguar se në cilat shtresa duhej të mbështetej lëvizja e armatosur për liri. Kurse në vitet që pasuan pas shpalljes së pavarësisë, Gramenua eci dhe më tej në forcimin e ideve të tij demokratike.
Në vitet 1915-1918 ai shkroi një varg pamfletesh e fejtonesh, në qendër të të cilave vuri ish-ministrat bejlerë të Qeverisë së Vlorës (1912-1913) e sidomos të asaj të Durrësit (1914), shkrime ku ai demaskoi karakterin reaksionar të bejlerëve çifligarë si klasë. Ai tregoi se kësaj klase i kishte kaluar koha, i ishin shterur energjitë e brendshme dhe se ishte kthyer në një pengesë serioze për progresin shoqëror. Edhe pse teorikisht nuk kishte njohuri mbi ecurinë dhe zhvillimin e shoqërisë njerëzore, Gramenoja, në sajë të njohjes së drejtpërdrejtë të jetës, zgjeroi e forcoi më tej botëkuptimin e vet demokratik dhe arriti në mendimin se eleminimi i mbeturinave të theksuara të feudalizmit në Shqipëri ishte një nevojë, një domosdoshmëri për të ecur përpara. Zotërimi i të tilla mendimeve bëri që, në fillim të viteve ‘20 të shek. XX, ky gazetar të orientohej drejt e të zinte vend menjëherë në radhën e veprimtarëve politikë e shoqërorë që nxitën atë lëvizje demokratike, e cila çoi në triumfin e Revolucionit Demokratik Borgjez të Qershorit 1924.
Me shkrimet më të mira gazetareske të botuara që nga viti 1915 deri më 1924, për një dekadë të tërë, mund të themi se Gramenua qëndroi në radhën e publicistëve më të shquar të gazetarisë shqiptare. Ai shkroi e botoi qindra shkrime publicistike me nivel të spikatur artistik dhe me përmbajtje të thellë ideore. Më 1919 dhe 1921 ai ngriti ndër të parët nevojën e një reforme agrare në Shqipëri. Gjatë muajve që qëndroi në pushtet Qeveria e F. Nolit, Gramenoja në faqet e gazetës Koha kërkoi me këmbëngulje zbatimin e reformave të shpallura, në mënyrë që demokracia e shpallur të mos kthehej në demagogji. Por, për arsye që tashmë njihen, kjo qeveri u përmbys në fund të dhjetorit 1924. Kriza botëkuptimore që kaluan Mihal Gramenua, Asdreni, Hil Mosi, Milo Duçi, Risto Siliqi e shkrimtarë e publicistë të tjerë pas dhjetorit 1924, shpjegohet me karakterin spontan të demokratizmit të tyre dhe situatën mbytëse që krijoi Ahmet Zogu. Pavarësisht nga disa dobësi ideore dhe artistike që vihen re në një pjesë të publicistikës së Gramenos, theksojmë se me pjesën më të mirë të krijimtarisë publicistike ai u shfaq në gazetarinë shqiptare si një publicist novator e i fuqishëm, me një larmi të madhe tematike e mbi të gjitha me një prodhimtari shumë të pasur me nivel të lakmueshem artistik. Ai ka meritën se lëvroi ndër të parët dhe me sukses portretin, skicën, fejtonin, pamfletin dhe letërsinë memuaristike. Për më se 20 vjet, deri në dhjetor 1924, ai qëndroi në rreshtat e parë të publicistëve tanë si një penë origjinale dhe veprimtar i shquar i lëvizjes sonë kombëtare e demokratike. Njeri me karakter të pastër, me kulturë mbimesatare për kohën, me vullnet të madh krijues, me formim atdhetar e demokratik, njohës i rumanishtes, greqishtes dhe italishtes, Gramenoja është rasti i shkrimtarit e gazetarit shqiptar autodidakt që u rrit përmes vullnetit dhe ambicjeve të veta, përmes përpjekjeve të veta të pandalshme. Ai shkruante për shtresat popullore, me një gjuhë gjithnjë të kuptueshme dhe u ndoq prej shumë shkrimtarësh e gazetarësh të kohës dhe më vonë. Gramenua, duke qenë një gazetar që vinte nga radhët e shkrimtarëve, i dha rëndësi në shkrimet e tij publicistike letrare përgjithësimit artistik, i cili u bë një tipar tjetër dallues i individualitetit të tij publicistik. Përgjithësimi artistik është një dukuri që ka ardhur në ngritje nga dhjetëvjetshi i parë tek i dyti në krijimtarinë publicistike të këtij gazetari. Përpjekja për të dhënë në mënyrë të përgjithësuar tipat e jetës bashkëkohore shqiptare e shpuri Gramenon në një dukuri të re. Ai, krahas shkrimeve të mirëfillta publicistike letrare si portreti, fejtoni, pamfleti, filloi të hartonte dhe shkrime ku hoqi dorë nga përdorimi i emrave konkretë të njerëzve dhe të vendeve ku ndodhnin ngjarjet, të cilët i zëvendësoi me emra përgjithësues të sajuar prej fantazisë së tij. Në këto lloj shkrimesh ai hoqi dorë edhe nga ngjarjet konkrete historike, të cilat i zëvendësoi me ngjarje të krijuara nga fantazia e vet. Kështu ai kaloi tek skica letrare. Që në vitin 1908 ai hartoi skicën Gazetari shqiptar, ku skaliti më mirë se kushdo tjetër figurën e gazetarit shqiptar të Rilindjes e të pas Rilindjes, të cilët punonin me ndërgjegje të kthjellët për zgjimin e popullit, pa marrë parasysh vuajtjet e sakrificat e tyre kudo ku jetonin e punonin, në Shqipëri, ose në kolonitë shqiptare. Në vitet 1915-1918 Gramenoja i kushtoi edhe më shumë vëmendje hartimit të skicave letrare satirike si Honxho-Bonxhot,Mëmëdheu i vjetër, Kafe oxhakët etj, përmes të cilave përgjithësoi tipin e qeveritarëve anadollakë që i morën frymën qeverisë së I. Qemalit dhe sidomos asaj të princ V. Vidit. Kurse me skicat e viteve 1921-1923 si Shëmëndëferi (Hekurudha), Duvaxhinjtë, I gjori Ibrik, Xinxifkë pasha, Xhongo-rokët etj, ai e pasuroi procesin e kritikës ndaj qevweritarëve të padenjë me krijimin e tipit të deputetëve dhe nëpunësve indiferentë e pseudopatriotë, të cilët prapa fjalëve dhe veshjeve të bukura fshihnin boshllëkun e tyre shpirtëror e mendor dhe mungesën e atdhetarizmit. Me të tilla skica humoristike e sarkastike, si dhe me fejtonet e pamfletet e shumta, duke e treguar botën shqiptare pa maskë, publicisti Grameno i hapi rrugën publicistëve dhe shkrimtarëve si Gjergj Bubani (1899-1954) dhe Nonda Bulka(1906-1972), të cilët në vitet 1921-1924 ishin në moshën e formimit të tyre dhe pak më vonë do ta shpinin në një stad të ri skicën humoristike (Gj. Bubani në vargje) dhe tregimin e shkurtër humoristik N. Bulka.
Vepra letrare e ajo publicistike e Gramenos është një nga urat e fuqishme që lidhin letërsinë dhe publicistikën shqiptare të Rilindjes me atë të periudhës së Pavarësisë. Kjo vepër është pjesë e shëndoshë e asaj prurjeje letrare që ndihmoi në procesin e kapërcimit të letërsisë shqiptare nga letërsia romantike në letërsinë realiste. Për të theksuar është dhe fakti se bota shqiptare e kohës është pasqyruar në krijimtarinë letrare e publicistike të Gramenos në shumë aspekte të saj. Secila klasë mbart me vete psikologjinë dhe tiparet e saj dalluese gjithmonë shqiptare, gjë që ka çuar në thellimin e karakterit kombëtar shqiptar të kësaj krijimtarie. Ai afirmoi ato klasa e shtresa shoqërore që ndihmonin përparimin shoqëror dhe mohoi ato klasa e shtresa të cilat e pengonin këtë përparim.
Mihal Gramenua është shembulli i shkrimtarit atdhetar të përkushtuar, i cili për hir të atdheut rëmbeu herë penën dhe herë pushkën, sipas nevojave të kohës, të cilat ai kishte aftësinë t’i ndjente më shpejt e më mirë se shumë të tjerë. Në vitet 1902-1907, kur atdheu kërkonte ende vepra letrare më shumë se veprimtari atdhetare, ai ushtroi talentin e vet në dramaturgji, prozë dhe poezi, duke pasuruar letërsinë tonë me aspekte të reja si komedia, tragjedia, novela, kënga atdhetare dhe ajo lirike, etj. Kurse në vitet 1907-1912 dhe më vonë, kur atdheu kërkonte më shumë veprimtari politike dhe luftarake se letërsi, ai doli komit maleve dhe u angazhua në gazetari dhe punë politike e shoqërore. Në këto vite ai e pasuroi letërsinë shqiptare me shumë fejtone, portrete, pamflete, skica, si dhe me një vepër memuaristike. Bashkë me Asdrenin ai ndoqi mësimin e urtë: një njësi talent dhe nëntë njësi punë. Duke punuar vijimisht me vullnet e përkushtim, ai dha ndihmesën e vet me sukses në lëvrimin e disa llojeve letrare dhe për këtë ndihmesë mund të quhet, ashtu si Asdreni, shkrimtar i rëndësishëm i letërsisë shqiptare të Rilindjes. Ai mund të quhet shkrimtar i rëndësishëm i Rilindjes sonë edhe pse asnjëra prej veprave të tij nuk mund të krahasohet për nga vlerat ideo-artistike me veprat madhore të Rilindjes sonë si Këngët e Milosaos të Jeronim De Radës, Histori’ e Skënderbeut e Naim Frashërit, Lahuta e Malsis e Atë Gjergj Fishtës, Baba Tomori i Andon Zako Çajupit, Kënkat e luftës e Zef Skiroit (Giuseppe Schiro), Kënka e sprasme e Balës e Gavril Darës (Gabrielle Dara), Juvenilja e Dom Ndre Mjedës, e ndonjë tjetër. Mirëpo ndryshe nga këta krijues që shkëlqyen kryesisht me vepra letrare, Gramenua ka një avantazh që nuk e kanë ata, ai krijoi një publicistikë letrare dhe një jetë luftarake, që ua kaloi të gjithë shkrimtarëve të Rilindjes e atyre të viteve që erdhën më pas deri më 1924. Dhe kjo krijimtari publicistike letrare me portrete, skica, fejtone e pamflete duke qenë pjesë përbërëse e krijimtarisë së tij letrare e ngre atë pikërisht në grupin e shkrimtarëve të rëndësishëm të letërsisë sonë të Rilindjes. Duke i parë veprat dhe bëmat e këtij shkrimtari, publicisti dhe veprimtari në mënyrë të shkoqitur, nuk mund t’i kuptojmë rëndësinë dhe vlerat e tij tërësore. Rëndësinë dhe vlerat e veprës tërësore të tij mund t’i kuptojmë po të mendojmë për një moment sikur ato t’i mungonin letërsisë dhe jetës shqiptare të çerekut të parë të shek. XX.
Po të kishin munguar veprat e shumllojshme letrare e publicistike dhe jeta plot aktivitet e Mihal Gramenos, letërsia jonë dhe historia jonë kombëtare do të ndjeheshin më të varfra.
Letërsia do të ndjehej më e varfër, sepse do t’i mungonte tragjedia e parë historike Vdekja e Pirros, që u vu në skenë disa herë, do t’i mungonte një nga komeditë e para Mallkim’ i gjuhës shqipe, novelat e para Oxhaku, Varr’ i pagëzimit dhe E puthura, himnet kryengritëse Për mëmëdhenë, Uratë për liri, Lamtumitë, kënga dashurore Muaji i majit, do t’i mungonin skicat realiste me të cilat u bë autopsia e përbërjes shoqërore të qeverive të para shqiptare.
Gazetaria shqiptare do të ndjehej më e varfër, sepse do t’i mungonte sasia e madhe e artikujve, fejtoneve, pamfleteve dhe portreteve të pashoqe, me të cilat u vlerësuan drejt ngjarjet dhe klasat në vitet 1908-1924.
Letësisë memuaristike shqiptare do t’i mungonte vepra Kryengritja shqiptare, pra pasqyrimi i bëmave të çetës së Çerçiz Topullit, ku Mihali ishte jo vetëm luftëtar, por dhe shkronjës i saj.
Historia jonë kombëtare dhe ajo demokratike do të ndjeheshin më të varfra, sepse do t’i mungonin luftëtari i maleve, propagandisti popullor, veprimtari ilegal i lëvizjes së armatosur dhe agjitatori demokrat.
Shoqërisë shqiptare do t’i mungonte shembulli i njeriut të ndershëm dhe të ekuilibruar, i cili kritikoi me fakte dhe nuk fyu e nuk shau askënd pa argumente, njeriu që i priti me gjakftohtësi kritikat dhe u përgjigj me logjikë të ftohtë.
Për një shkrimtar, gazetar, luftëtar, veprimtar politik e shoqëror të përkushtuar si ai, ka pasur dhe ka shumë nevojë shoqëria shqiptare. Njeriu i urtë, i pabujë, shpesh herë mund të lihet mënjanë dhe mund të mos vlerësohet si e meriton për një kohë të gjatë e ndoshta dhe deri në vdekje, por jo përgjithmonë.
Një vlerësim shkencor të saktë për vlerat e veprimtarit, shkrimtarit e publicistit Mihal Grameno deri sot e ka penguar mungesa e një botimi shkencor sa më të plotë të krijimterisë më të mirë të tij. Unë, pasi punova disa vjet në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë së Akademisë së Shkencave për ta njohur e vlerësuar veprën tërësore të tij dhe në plan krahasimtar me pararendësit dhe bashkëkohësit, arrita në përfundimin se ky shkrimtar duhet vendosur në një vend më të mirë në klasifikimin që u është bërë deri sot autorëve shqiptarë të Rilindjes, ose më saktë autorëve shqiptarë të çerekut të parë të shek. XX. Në këtë klasifikim studiuesit shqiptarë kanë veçuar prej kohe tre poetë si poetë të mëdhenj: Jeronim De Radën, Naim Frashërin dhe Atë Gjergj Fishtën (Qosja, Rexhep. Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne, Prishtinë 2006, f. 202, 233). Tani së fundi studiuesi Jorgo Bulo e rivlerësoi dhe Andon Z. Çajupin si një nga poetët e mëdhenj të Rilindjes sonë, për faktin se ai kreu kalimin nga patosi afirmativ romantik, tipik për kulturën e Rilindjes, në patosin satirik, se solli në kulturën shqiptare mendësinë kritike duke hapur udhën e realizmit. (Çajupi, A. Z. Vepra, Toena, Tiranë 2008, përgatitur nga Akademik Jorgo Bulo, vëll.. I, Hyrje). Idenë se Çajupi, mbas botimit të veprës Baba Tomorri, duke u bërë shkrimtar shumë popullor, u bë i dyti mbas Naimit, e ka shprehur dhe studiuesi kanadez Robert Elsi (Elsie, Robert, Histori e letërsisë shqiptare, DUKAGJINI, Tiranë-Pejë, 1997, f. 259).
Shkrimtarët e tjerë të Rilindjes dhe të dhjetëvjetshit të parë pas saj mund të përmenden pa i renditur njëri pas tjetrit si konkuruesit e një gare, por duke i grupuar sipas individualitetit dhe ndihmesës së tyre letrare artistike në dy grupe, në shkrimtarë të rëndësishëm dhe në shkrimtarë më pak të rëndësishëm. E në këtë ndarje Mihal Gramenua mund të konsiderohet shkrimtar i rëndësishëm, për faktin se me veprat dramatike i hapi rrugë komedisë e tragjedisë, me veprat novelistike i hapi rrugën prozës së gjatë, me poezitë atdhetare e dashurore i hapi rrugë këngës atdhetare dhe lirike, me skicat letrare konsolidoi realizmin si metodë letrare të qëndrueshme, kurse si publicist me shumë artikuj, portrete, fejtone dhe pamflete, ai është një gazetar i niveleve të lakmueshme, që mund të renditet menjëherë mbas Faik Konicës dhe Fan Nolit. Të tilla vlera nuk i kanë shkrimtarë si Zef Jubani, Luigj Gurakuqi, Hil Mosi, Vincens Prenushi, etj të cilët bëjnë pjesë midis shkrimtarëve më pak të tëndësishëm të Rilindjes e fill pas saj.
Në qoftë se veprat e shkrimtarëve shqiptarë të Rilindjes e fill pas saj do t’i konsiderojmë si një polifoni, Gramenoja është një zë harmonik që nuk stonon në harmoninë e përgjithshme; po t’i krahasonim me një mozik shumëngjyrësh, do të thoshim se ngjyrat e Gramenos kanë ndritur në kohën e vet dhe nuk janë zbehur as sot.
Studimet e derisotme për jetën dhe veprën e shkrimtarit, gazetarit dhe veprimtarit Mihal Grameno nuk kanë mundur të japin në mënyrë përfundimtare e shteruese dhe gjithpërfshirëse vlerat e shumanshme të tij. Një vlerësim të tillë nuk pretendoj se e kam arritur as unë me studimin Mihal Grameno jeta e vepra 1871-1931, DDS Durrës 2012, 500 f., edhe pse u përpoqa dhe besoj se arrita të argumentoj një vendosje të re të vlerave të tij letrare e publicistike midis krijuesve shqiptarë të viteve 1900-1925. Jeta dhe vepra e këtij personaliteti të letërsisë, të gazetarisë dhe historisë shqiptare është studiuar, po studiohet e do të studjohet, sepse ajo është e mbushur me vlera letrare artistike dhe mesazhe të vlefshme që i vlejnë çdo epoke historike, për dinjitetin e individëve dhe të mbarë popullit shqiptar. Vepra e tërësore e Gramenos bën pjesë në shpirtin e shqiptarizmit, në vlerat më të mira dhe më rëndësishme të letërsisë dhe të kulturës sonë kombëtare.
Për këto arësye them se qyteti i lindjes, Korça, ia ka borxh një monument të plotë e jo vetëm një bust të thjeshtë si e ka sot Heroit të Popullit Mihal Grameno, ashtu si ia ka borxh edhe Gjirokastra Andon Zako Çajupit.
(Shënim: Po e shkëput këtë përmbledhje prej studimit tim monografik Mihal Grameno jeta dhe vepra 1871-1931 që botova më 2012, dhe po e botoj më vete mbasi kam vënë re se në qytetin e Korçës është gjallëruar propaganda grekomane e cila shpif kundër këtij luftëtari të kulluar të lirisë dhe shkrimtari e publiciti të talentuar atdhetar.
Lufta e qarqeve shoviniste greke kundër atdhetarëve shqiptarë është e vjetër, që kur ata helmuan e vranë njëri pas tjetrit Naum Veqilhaxhin, Pandeli Sotirin, Papa Kristo e Papa Vasil Negovanin, Petro Nini Luarasin, etj. Edhe lufta e këtyre qarqeve filloi dhe kundër Mihalit që kur ai ishte nxënës në vitin e fundit të gjysëmgjimnazit grek, sepse organizoi një protestë në provimin përfundimtar kundër mohimit të gjuhës shqipe në atë shkollë. Por Mihali nuk u tremb nga mallkimi dhe nuk u tërhoq nga lufta kunër propagandës shoviniste greke, ai shkroi e botoi shumë artikuj kundër kësaj propagande, shkroi e botoi dhe komedinë Mallkimi i gjuhës shqipe, ku demaskoi klerin grek dhe atë shqiptar grekoman; shkroi e botoi tragjedinë Vdekja e Piros, ku ngriti lart bëmat e mbretit iliro-shqiptar Piro të Epirit, të cilin propaganda shoviniste greke e ka quajtur dhe e quan mbret grek, dhe Epirin shtet grek. Por kush nuk e di se disa autorë të vjetër grekë kanë shkruar se Epiri ishte i banuar prej ilirëve barbarë dhe Pirua ishte mbret barbar ashtu si Lisimaku i Maqedonisë. Në vitin 1909 Mihali e ngriti në nivel të ri luftën kundër propagandës shoviniste grekomadhe duke krijuar me shokët e tij atdhetarë Shoqërinë “Lidhja Orthodhokse” dhe botoi për një vit gazetën e kësaj shoqërie me po këtë emër, ku mbrojti shqiptarësinë e ortodoksisë së popullit të Korçës
Mirëpo këtë luftë kundër Mihal Gramenos, që e humbën gjatë Rilindjes e më pas, qarqet shoviniste greke e paskan rifilluar sërisht pas vitit 1992. Populli shqiptar doli i raskapitur dhe i varfër nga diktatura komuniste dhe mori rrugët e mërgimit pas ndërrimit të regjimit. Populli grek ua hapi portat, i punësoi dhe i ndihmoi emigrantët shqiptarë që shkuan në Greqi. Po ashtu shumë pasanikë grekë, të nxitur prej Hirësisë së Tij Anastas Janullatos, dhanë ndihma financiare të shumta për ndërtimin dhe riparimin e kishave orthodokse në Shqipëri. Mirëpo qarqet shoviniste greke rifilluan të shkojnë kundër interesave të miqësisë midis dy popujve tanë. Këto qarqe kanë punuar kundër miqësisë midis dy popujve tanë që në krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. E kush nuk i kujton masakrat e andartëve grekë gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore më 1914 dhe 1916 në Shqipërinë e Jugut ku dogjën mijëra shtëpi në zonën e Korçës. Kolonjës, Përmetit, e Gjirokastrës, apo masakrat kundët popullit shqiptar të Çamërisë në vitet 1944-1945?!
Janë njerëz të këtyre qarqeve që vijojnë si dikur të shpifin kundër atdhetarëve shqiptarë dhe pikërsisht kundër më të mirëve si Mihal Gramenua, sepse ata duan të deheroizojnë këtë figurë popullore, luftëtar trim dhe shkrimtar e gazetar të talentuar që ka qenë dhe është etalon i luftëtarit kundër propagandës shoviniste grekomadhe. Këto qarqe guxojnë të shpifin kundër Mihal Gramenos se ai ishte një pianik i keq, po si mund të krijonte një pianik gjithë atë korpus veprash me vlera artistike e ideore?! Guxojnë të shpifin se Zoti e dënoi kur shtiu kundër Fotit, dhespotit grek, dhe ia paralizoi gishtin e madh të dorës së djathtë. Këtë shpifje e dëgjova nga dy korçarësh dhe para disa javësh, si e kisha dëgjuar edhe prej një ish-pedagogu të Universitetit Fan Noli më 2012 në Korçë, pasi u promovua studimi im në atë universitet. Dhe nuk deshçn ta pranonin zotërinjtë të vërtetën kur u thashë se Mihali kishte dalë komit një vit më vonë pasi e vrau dhespot Fotin Çerçiz Topulli më 1906 kur kishte dalë së pari komit me çetën e Bajo Topullit. Pikërisht Mihali shkroi më 1907 një artikull te gazeta Kombi se çeta e re nuk do të merrej me vrasje individësh, por do të propagandonte çështjen kombëtare për të përgatiur popullin për luftën çlirimtare.
Grekomanët e sotëm ndoshta paguhen me pensione se gjoja janë minoritarë grekë prandaj punojnë që ta shtrembërojnë historinë tonë kombëtare. Ata shpifin sepse duan që të harrohet e vërteta se dhespot Fotin e vrau Çerçizi si hakmarrje ndaj masakrës që kryen andartët grekë në Negova më 1905 ndaj dy priftërinjve vëllezër: Papa Kristo dhe Papa Vasil Negovanit. Kjo luftë kundër Gramenos është pjesë përbërëse e luftës që kanë bërë e bëjnë qarqet shovoniste greke për ta harruar e për ta mbuluar me harresë të vërtetën e madhe se bijtë e popullit shqiptar të Çamërisë me Marko Boçarin në krye dhe arbërorët ishin luftëtarët më të lavdishëm të luftës për lirinë e Greqisë nga zgjedha turke.
Duke shpresuar se do të ndikoj në ndaljen e kësaj propagande, që prish miqësinë e popullit shqiptar me atë grek, e ribotoj këtu këtë përmbledhje të studimit tim sepse s’kam mundësi financiare ta ribotoj gjithë studimin. Kurse Ministria e Arsimit dhe ajo e Kulturës nuk planifikojnë ta ribotojnë dhe shpërndajnë këtë studim për ta lexuar sa më shumë shqiptarë dhe sidomos nxënësit e gjimnazeve, studentët dhe pedagogët e universiteteve) / KultPlus.com
Në komunën Castenaso në provincën e Bolonjës në Itali, u inaugurua hapja e shkollës shqipe, një arritje e madhe për kombin dhe për mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore, përmes gjuhës shqipe.
Projekti lindi nga komuniteti shqiptar që banon në këtë zonë, me mbështetje të shoqatave si “Korabi” drejtuar nga Astrit Poti, sipërmarrësve dhe aktorëve të shumtë, bashkëndarës të synimeve primare të kësaj nisme.
Shkolla fillimisht do të ketë si seli ambientet e qendrës sociale “Casa Sant’Anna”, dhënë në përdorim nga Komuna e Castenasos.
Fjalimin e hapjes e mbajti Lauriana Sapienza, Këshilltare e Komunës së Castenasos për Politikat Sociale, Emigracionin dhe Inovacionin Digjital, e cila nënvizoi vlerat e çmuara kulturore dhe bukuritë natyrore të territoreve shqiptare. Ajo theksoi se kjo nismë ka vlera të mëdha dhe do kontribuojë jo vetëm në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare por edhe në përforcimin e miqësisë mes popujve.
Në inaugurimin e shkollës shqipe morën pjesë promotorët kryesorë: nga Roma, Lorik Cana, pasardhësi i Hasan Prishtinës, Mehmet Prishtina, nga Venecia, Muharem-Marco Salihu, sipërmarrës i njohur si dhe personalitete të shquara nga Shqipëria, Kosova dhe arbëreshë.
Shoqata “Korabi”, me një numër të madh vullnetarësh mërgimtarë shqiptarë të dekadave të fundit, por edhe të atyre shekullore si arbëreshët e Italisë, është dëshmi e krenarisë kombëtare dhe e shpresës së integrimit në Evropë përmes përforcimit të identitetit dhe të vlerave kulturore shqiptare./atsh/KultPlus.com
Po të njëjta burime tregojnë se personazhet e serialit janë një familje shqiptare vetëm me pjesën femërore, pra: gjyshja, nëna e madhe dy vajzat e saj, nga e cila njëra është e martuar dhe tjetra e pamartuar, nusja shtëpisë, dy mbesat dhe kushërirat që do të jenë nga: Shqipëria, Maqedonia dhe Diaspora.
Audicionet do të mbahen në muajin janar të vitit 2021.
Njashtu kuptohet që edhe transmetimi i tij do të fillojë në vitin 2021 si një serial mbarëkombëtar, i quajtur “Shqipe” – një term mbarëkombëtar. /Telegrafi/KultPlus.com
Parlamenti maqedonas, ka miratuar paraprakisht projektligjin për zgjerimin e përdorimit zyrtarë të gjuhës shqipe në të gjithë vendin.
Në leximin e parë, ligjvënësit votuan 66 me 41 në favor të projektligjit, që ka për qëllim lehtësimin e komunikimit të komunitetit shqiptarë në Maqedoni, me institucionet, komuna, spitale, gjykata, shkruan REL.
Para votimit, ligjvënësi, Ilija Dimovski, nga partia opozitare VMRO-DPMNE e ka përshkruar tekstin si jokushtetues dhe diskriminues ndaj gjuhës maqedonase dhe gjuhëve tjera.
Projektligji i propozuar duhet të kalojë më shumë lexime në legjislacion përpara se t’i dërgohet presidentit, Gjorge Ivanov, për nënshkrim.
Kryeministri, Zoran Zaev, ka premtuar për këtë ligj kur ai formoi koalicionin me partitë shqiptare.
Një veprim i tillë ka nxitur kritika nga VMRO DPMNE dhe të tjerët, që e kanë akuzuar Zaev për tradhëti të interesave kombëtare të Maqedonisë.
Ligji i tanishëm për gjuhët, e definon gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare, por ajo mban këtë status vetëm në vendet ku komuniteti shqiptar përbën mbi 20 përqind të popullsisë.
Shqiptarët përbëjnë një të katërtën e popullsisë së Maqedonisë, me 2.1 milion banorë, shumica e të cilëve jetojnë në jugperëndim, afër kufirit me Kosovën dhe Shqipërinë./ KultPlus.com