Shqipëria dhe Amerika me marrëveshje kundër trafikimit të objekteve të trashëgimisë kulturore

Ministrja e Kulturës Elva Margariti dhe Ndihmës Sekretari i Shtetit në detyrë Matthew Lussenhop u takuan në Uashington D.C. për të firmosur një Marrëveshje Mirëkuptimi në lidhje me vendosjen e kufizimeve në importin e kategorive të materialeve arkeologjike dhe etnologjike të Shqipërisë.

“Sot hodhëm një hap të rëndësishëm në përforcimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kësaj here në luftën e përbashkët kundër trafikimit të objekteve të trashëgimisë kulturore”, tha Margariti, teksa theksoi se “edhe një herë Shqipëria radhitet në krah të SHBA për një qëllim madhor, atë të ruajtjes së trashëgimisë kulturore”.

Ministrja vuri në dukje se, “ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi që do të pasojë nga një plan masash, që lind si nevojë e reformave të mëdha, nën frymën e reformës në drejtësi, por këtë herë në trashëgiminë kulturore”.

Sipas saj, qeveria shqiptare shpreh angazhimin e plotë për të qenë partner i denjë në këtë nismë, që nuk fillon e mbaron vetëm në Shqipëri.

“Deri në këtë moment nënshkrimi, kemi përshkuar një rrugëtim, për suksesin e të cilit do të doja të falenderoja në mënyrë të veçantë bashkëpunëtorët tanë të ngushtë në Ambasadën e SHBA në Tiranë dhe atë Shqiptare në Uashington D.C., për ndihmën e pakursyer”, tha Margariti.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë, u shpreh se “dita e sotme shënjon një tjetër moment historik në shkëmbimet kulturore ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë”.

“Kjo Marrëveshje do të forcojë dhe zgjerojë bashkëpunimin midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë në luftën kundër vjedhjes dhe trafikimit të objekteve kulturore nga Shqipëria.

Në 20 vitet e fundit, Shtetet e Bashkuara kanë treguar mbështetjen e tyre për të ruajtur trashëgiminë kulturore materiale dhe jo materiale të Shqipërisë përmes Fondit të Ambasadorëve për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore. Kjo marrëveshje dypalëshe për trashëgiminë kulturore është një angazhim i qeverisë së SHBA për të mbrojtur humbjen e pazëvendësueshme të kësaj pasurie.

Ne mirëpresim të punojmë me institucionet shqiptare për zbatimin me sukses të kësaj Marrëveshjeje” shprehet Ambasada e SHBA-së./atsh/ KultPlus.com