Samiti BE-Ballkani Perëndimor që do të mblidhet në 6 dhjetor në Tiranë, konsiderohet si një ngjarje historike për vendin.
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot në rrjetet sociale se “Shqipëria ka kënaqësinë e vendit mikpritës për herë të parë të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, një ngjarje historike, me respektin për ne që të ardhmen e shohim në familjen e madhe europiane”.
Samiti është i parë i këtij lloji që zhvillohet në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe është pjesë e zbatimit të Axhendës Strategjike të Këshillit Evropian 2019-2024.
Ai konsiderohet një mundësi për të rikonfirmuar rëndësinë kyçe të partneritetit strategjik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, një rajon me një perspektivë të qartë drejt BE-së.
Sipas axhendës zyrtare të publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Bashkimit Europian, ndër temat kryesore të diskutimit do të jenë: trajtimi i pasojave të agresionit rus kundër Ukrainës; intensifikimi i angazhimit politik; përforcimi i sigurisë dhe ndërtimi i qëndrueshmërisë ndaj ndërhyrjeve të huaja duke adresuar sfidat e paraqitura nga migrimi, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.
Gjithashtu në Samit do të bëhet vlerësimi i progresit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në tregun e brendshëm të BE-së.
Samiti do të jetë një mundësi për të diskutuar veprimet e koordinuara për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë bërë edhe më të rëndësishme në kontekstin e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.
Po ashtu, udhëheqësit do të shkëmbejnë pikëpamjet për trajtimin e përbashkët të menaxhimit të migracionit pasi numri i migrimeve të Ballkanit Perëndimor është rritur ndjeshëm gjatë vitit të kaluar. Kjo përfshin harmonizimin e politikës së vizave të BE-së dhe bashkëpunimin në sistemet e kthimit.
Ata do të diskutojnë gjithashtu forcimin e bashkëpunimit kundër terrorizmit dhe parandalimit të radikalizimit.
Samiti i fundit midis liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor ishte Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Brdo pri Kranju në tetor 2021. Ai u organizua nga Presidenca Sllovene e Këshillit./ KultPlus.com