Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli ka njoftuar se për herë të parë Shqipëria do të ketë Poetin Laureat.
Një traditë e njohur kjo në shumë vende perëndimore, do të marrë jetë gjatë muajit tetor nën kujdesin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.
“Për herë të parë QKLL do të krijojë atë që në vende të tjera quhet institucioni i Poetit Laureat, një praktikë e njohur kjo në vende si SHBA, Mbretëri e Bashkuar, Kanada, Gjermani, Holandë etj. Qëllimi i këtij çmimi të rëndësishëm është ndërgjegjësimi i publikut mbi rëndësinë e leximit të poezisë, shprehet Alda Bardhyli, drejtore e QKLL.
Ky çmim do ti akordohet një poeti të gjallë me një vepër të botuar vitet e fundit që ka sjellë një risi në poezinë shqipe. Poeti Laureat do të ketë një mandat dy vjeçar e gjatë këtyre viteve ai do të jetë në krye të një fushate mbi rëndësinë e leximit të poezive, apo aktiviteteve të ndryshme me në fokus poezinë.
“Po kujtoj poetin amerikan Billy Collis që gjatë mandatit të tij botoi antologjinë “365 poezi” si format xhepi, apo Robert Pinsku një tjetër laureat i cili hartoi një antologji për nxënësit e shkollave të mesme. Laureati shqiptar do ketë programin e tij”, shprehet Bardhyli.
Komiteti drejtues i këtij projekti të rëndësishëm për botën letrare shqiptare, kryesohet nga shkrimtari dhe poeti Besnik Mustaj dhe në përbërje të tij janë botuesja Arlinda Dudaj, Agron Gjekmarkaj, Zv. Dekan në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në UT, profesorja dhe poetja Viola Isufaj dhe kritiku Agim Baci.
Sot Komiteti zhvilloi takimin e parë pranë QKLL-së, duke përzgjedhur kandidatët për këtë çmim të madh.
Më 5 tetor do të bëhen publik emrat e kandidatëve për këtë çmim. Poeti Laureat do të shpallet më 30 tetor, duke mbyllur kështu siparin e një sërë aktiviteteve kushtuar një muaj dedikuar librit. / KultPlus.com
Pusteci është një prej potencialeve turistike ende të pazbuluara plotësisht në Shqipëri.
Pelikani kaçurrel, specia e rrallë e klasifikuar botërisht në rrezik zhdukje gjendet në këtë zonë. Në ujërat e liqenit të Prespës, që ndahen mes vendit tonë, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut shpendi i rrallë strehohet prej vitesh ndërsa mund të shihet me sy të lirë.
Janë mbi 1200 individë të këtij shpendi në gjithë liqenin ndërsa deri në 400 pelikanë kaçurrele që qëndronin në pjesën shqiptare të ujërave të Prespes brenda së njëjtës ditë janë evidentuar nga specialistët e së fundmi një shteg turistik buzë liqenit në Pustec ka marrë emrin e këtij shpendi.
Pusteci llogarit mijëra vizitorë çdo vit ndërsa krahas bukurive të tjera gjatë periudhës së ngrohtë të vitit mund të vëzhgohet edhe Pelikani kaçurrel/VizionPlus/ KultPlus.com
Makina e parë në Shqipëri besohet të ketë hyrë në vitin 1913.
Në fotografinë e rrallë që gjendet në arkivin ‘Hulton’, makina e parë që ka mbërritur në Tiranë , por edhe në Shqipëri ka qenë në vitin 1913. Makina ishte e tipit ‘Fiat’, markë italiane dhe besohet që është blerë nga një shqiptar nga Çamëria.
Fotoja tregon edhe fytyrat kureshtare të banorëve të Tiranës, të cilët për herë të parë po shihnin një veturë në rrugët e atij qyteti./ KultPlus.com
Njihen si Molly dhe Matt dhe e kalojnë kohën duke udhëtuar. Çifti nga Londra kanë 114 mijë ndjekës në YouTube dhe postojnë video nga vende të ndryshme të botës. Përzgjedhja në këtë periudhë pandemie ka qenë Shqipëria. Ata kanë qëndruar si fillim në Tiranë, e më pas kanë udhëtuar drejt Sarandës.
Kanali i tyre “Dabble and Travel” është shumë i ndjekur dhe videot e tyre janë një reklamë shumë e mirë për vendin tonë. Ata shprehen se kanë zgjedhur të pushojnë në Saranda gjatë muajit shtator, duke e konsideruar si një periudhë më të qetë për të shijuar më mirë bregdetin shqiptarë. Ata e kanë nisur videon në plazhin publik që ndodhet brenda qytetit dhe sipas tyre është shumë i pastër dhe shumë i bukur.
Më pas janë drejtuar për një pije në një plazh i cili ndodhet 10 minuta në këmbë larg nga Saranda. “Këtu ka shumë më tepër shazllone, por sigurisht jemi në shtator dhe njerëz nuk ka shumë. Mesa duket i janë rikthyer shkollës dhe punës”, shprehet vlogerja. Në fund sigurisht vjen pjesa e restorantit, ku çiftit në fjalë nga darka i pëlqeu mjaft xaxiqi me bukë. “Ushqimi është shumë i mirë. Në Shqipëri është shumë shumë mirë, plazhi është shumë i bukur, Ne sot ju treguam vetëm qytetin, por Saranda ka shumë destinacione të tjera”, shprehen ata në video. / KultPlus.com
Benjamin Rich, i njohur më shumë me emrin e kanalit të tij në YouTube “Bald and Bunkrupt”, është një vlogger dhe autor anglez i reportazheve të udhëtimeve.
Ai hapi kanalin e tij në YouTube në qershor 2018, duke dokumentuar realitete nga nënkontinentin Indian dhe vendet e ish bllokut sovjetik.
Në llogarinë e tij në Instagram me emër Reabaldandbankrupt ai numëron 164 mijë ndjekës dhe mbi 2 milion ndjekës në kanalin e tij në Youtube.
Vloggeri poston video nga vende të ndryshme ku udhëton dhe një ndër vendet e përzgjedhura këtë verë ka qenë edhe Shqipëria.
Në një video xhiruar në Vlorë ai tregon se ka mbetur mjaft i kënaqur nga njerëzit dhe ushqimi në Shqipëri.
“E mendoja Shqipërinë si një vend lufte me armë dhe kriminelë, por në fakt është krejt e kundërta. Këtu ka plazhe të bukur dhe njerëz të mirë”, shprehet Benjamin Rich në video.
Në një lokal në Vlorë vloggeri, njihet me disa gatime tradicionale si paçe, fasule, tavë kosi etj,. Mesa duke më shumë përshtypje i ka bërë gjella e njohur me emrin paçe, të cilën e ka përdorur edhe si titull për videon e publikuar në kanalin e tij në Youtube “Eating Cow Brain With Albanians” (Duke ngrënë tru lope me shqiptarë).
Më pas ai provoi rakinë, pijen tradicionale shqiptare. Teksa e ka pirë ai është shprehur se “kjo pije mund koronavirusin, prandaj Shqipëria nuk ka probleme me këtë virus”- me idenë që pija ishte aq e fortë sa mund të gjitha bakteret./ diasporashqiptare/ KultPlus.com
Karvani i mjeteve RETRO nga koleksioni shqiptar do zhvilloj paradën e radhës sot në qytetin bregdetar të Vlorës.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama, i cili ka njoftuar të apasionuarit mbas këtyre mjeteve se sot në orën 17:00 sheshi i “Flamurit” në Vlorë do kenë mundësi të shohin këto mjete mjaft të veçanta dhe të shijojnë ritmet e Jazz dhe Swing.
“Vlora, stacioni i radhës i paradës së mjeteve historike RETRO. Pikëtakimi: ora 17:00 tek sheshi i “Flamurit” . I gjithë itinerari do të shoqërohet nga ritmet e JAZZ & SWING!”,- shprehet Rama.Në Shqipëri, ka një numër të konsiderueshëm mjetesh rrugore të hershme, por që për shkak se nuk ka pasur një akt ligjor që të mbrojë dhe promovojë këtë pasion, nuk kanë qenë asnjëherë të ekspozuara tërësisht.
Ndaj aktivitet e këtij lloji janë një manifestim i të bukurës mbi katër rrota.Tashmë DPSHTRR, ka krijuar edhe Qendrën Historike Shqiptare RETRO, një hapësirë ku mund të gjenden mjete të hershme dhe jo vetëm, por edhe pjesë mjetesh, dokumentacione, targa të ruajtura nga koleksionistë të sendeve apo relikeve të vjetra dhe që janë të mirëmbajtura. /atsh/ KultPlus.com
Muzeu Historik dhe Etnografik i Krujës priti në muajt janar-shtator të këtij viti rreth 20 mijë vizitorë vendas e të huaj, të cilët kanë shfaqur interes për kulturën dhe historinë e popullit shqiptar.
Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi, tha sot për ATSH-në se” 80% e vizitorëve janë shqiptarë nga të gjitha trojet, ndërsa 20% të huaj si polakë, bjellorusë, ukrainas, si edhe nga vende të ndryshme të Europës”.
“Muzetë mbyllën dyert për publikun në 11 mars për shkak të pandemisë, por puna në të dy muzetë nuk u ndërpre në asnjë moment. Ne u fokusuam në mirëmbajtjen e muzeve, ndërsa aktivitetet u zhvendosën në platformat online. Në 18 maj u rihapën muzetë duke respektuar masat antiCovid, u krye dezinfektim i vazhdueshëm për ambiente të sigurta për vizitorët, si dhe u rishikuan çmimet e biletave, ndërsa çdo të diel hyrja ishte falas për vizitorët”.
Sipas tij, gjatë kësaj periudhe 5 mijë bileta ishin falas, falë iniciativës së Ministrisë së Kulturës për të ndihmuar bizneset lokale.
Kruja ka një turizëm gjithëvjetor, pasi është e favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja.
Muzeu Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu u përurua më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës. Ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve. Në këtë muze ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavijone trajtohet historia e Mesjetës së hershme, principatat shqiptare, pushtimi osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtim.
Muzeu Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës. Ky muzeum është ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanëve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764. Banesa është monument kulture i kategorisë së I. Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara. Plot 90% e objekteve të këtij muzeu janë origjinale dhe 100% janë funksionale. Në të gjejmë objekte prej qeramike, druri, guri, hekuri, pambuku, mëndafshi, leshi, qëndisma të ndryshme të ekspozuara me finesë. Mosha e këtyre objekteve varion nga 60-70 deri në 500-vjeçare. Muzeu Kombëtar Etnografik i Krujës u përurua më 20 nëntor 1989. /atsh/ KultPlus.com
Pandemia ka shkaktuar digjitalizimin e shumë organizimeve. Një ndër to është edhe Panairi Kombëtar i Librit “Fieri 2020”, i cili në edicionin e tij të 7-të erdhi në formatin online, shkruan KultPlus.
Hapja e këtij Panairi u bë nën praninë e personazheve të ndryshme të letërsisë, ndërkaq drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli e cila përshëndeti të pranishmit duke vënë theksin tek rëndësia e librit si prioritet kombëtar.
Këtë vit në agjendë të këtij organizimi ka konferenca shkencore, prezantime librash, tryeza diskutimesh dhe interpretime.
Panairi i Librit i cili filloj më 10 shtator do të zgjat deri me datën 13 dhe blerjet e librave do të kryhen online. /KultPlus.com
Arkivi Qendror Shtetëror dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore Kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut do të shkëmbejë kopje të dokumentacionit arkivor të materialeve që bëjnë pjesë në fondin e Gonxhe Bojaxhiut, Nënë Terezën.
Në një njoftim për shtyp Arkivi Qendror Shtetëror thekson se “me rastin e përkujtimeve të 110-vjetorit të lindjes dhe 4-vjetorit të shenjtërimit të Nënë Terezës, Departamenti për hulumtimin e Trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut pranë ITSHKSH-së në Maqedoninë në Veriut dhe Arkivit Qendror Shtetëror, do të bëjnë shkëmbimin e ndërsjellë të kopjeve të dokumentacionit arkivor që ruhet aktualisht në këto dy arkiva respektive të materialeve që bëjnë pjesë në fondin e Gonxhe Bojaxhiut (Nënë Terezës). Kjo procedurë do të realizohet në formate të ndryshme të kopjeve”.
“Ky shkëmbim dokumentacioni do të bëhet për të pasuruar fondet e arkivave dhe për t’u mundësuar qytetarëve të të dy vendeve të kenë akses të plotë në fondin e njësuar të Nënë Terezës”, – thekson Arkivi Qendror Shtetëror.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë vijon të ketë bashkëpunim reciprok me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore Kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, në fusha të përbashkëta të ruajtjes së trashëgimisë tonë kulturore. atsh / KultPlus.com
Shoqata për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) publikoi sot disa pamje filmike të lundërzës (Lutra lutra) në liqenin e Prespës, e listuar në listën e kuqe të faunës në Shqipëri.
Liqenet e Prespës, përtej bukurisë së peizazheve natyrore, përbëjnë një ekosistem tejet me rëndësi për faunën e egër, ku një shumëllojshmëri speciesh gjejnë aty një habitat të përkryer për t’u strehuar e riprodhuar.
Një nga këto specie është edhe lundërza, e cila është filmuar prej një banori lokal gjatë shëtitjeve buzë bregut të liqenit të Prespës së Madhe.
Ky banor i zonës ka arritur të filmojë disa momente në të cilat lundërza vërehet duke notuar drejt bregut të liqenit, pamje të cilat e bëjnë tepër të dallueshme këtë specie të veçantë.
“Këtij raportimi i shtohen edhe dëshmi të banorëve të tjerë, të cilët kanë raportuar pranë oficeres tonë lokale, sa herë që janë ndeshur me këtë lloj. Prej këtyre raportimeve mendohet të jenë parë më tepër se tre individë në vendndodhje të ndryshme, çfarë është një tregues i qëndrueshmërisë së popullatës së lundërzës në Prespë. Akoma më tej, kamerat e PPNEA-s kanë arritur të fotografojnë një individ të lundërzës në një lartësi prej 1200 m mbi nivelin e detit, e pazakontë për ekologjinë e këtij lloji”, thuhet në njoftimin e PPNEA.
Lundërza është një specie me rëndësi jo vetëm për Shqipërinë, por në mbarë botën. E listuar në listën e kuqe të florës dhe faunës në Shqipëri si VU (Vulnerable), në aneksin II dhe IV të Direktivës Europiane të Habitateve, si dhe në listën e kuqe të IUCN me status NT (Near Threatened), ky lloj gëzon mbrojtje institucionale në nivel ndërkombëtar. Pavarësisht se lundërza ka një përhapje të gjerë në vendin tonë, ajo përballet me rreziqe të vazhdueshme si gjuetia e paligjshme, peshkimi apo ndotja e ujrave/ATSH/ KultPlus
Kapaciteti prodhues i rajonit, veçanërisht në fazën e rafinimit dhe përpunimit të zinxhirit të furnizimit, është zbrazur nga vitet e tërheqjes së çmimeve nga konkurentët me kosto më të ulët.
“Evropa ka arritur një pirun kritik në rrugë. Pesë vitet e ardhshme do të vendosin nëse do të kemi sukses në rikuperimin dhe rritjen e zinxhirëve tanë të qëndrueshëm të vlerave të metaleve dhe mineraleve, ose nëse zona të tjera të botës do të shtyjnë më tej në garën e burimeve globale.” sipas shoqatës evropiane të metaleve ‘Eurometaux’.
Komisioni Evropian është dakord, duke kuptuar se revolucioni i tij i madh i gjelbër industrial do të ketë nevojë për shumë metale që rajoni aktualisht nuk i ka. Kjo javë ka sjellë një listë të azhurnuar të mineraleve kritike dhe zbulimin e planit të madh të Komisionit për të bërë diçka në lidhje me një varësi të importit që është ekspozuar në sektorë të shumtë nga COVID-19.
Bashkimi Evropian (BE) tani po ndjek të njëjtën rrugë si Japonia dhe Shtetet e Bashkuara në ndërtimin e zinxhirëve metalikë të furnizimit. Është një shenjë tjetër që metalet industriale po shfaqen si një vijë kryesore faji në një rend ekonomik global që zhvendoset.
Lista e mineraleve kritike të BE-së është shumë e ngjashme me atë të Shteteve të Bashkuara, që përfshin disa nga elementët më pak të njohur të tabelës periodike si berilium, hafnium dhe skandium.
Boksiti (alumini), titani, litiumi dhe stronciumi janë shtuar në azhurnimin e fundit tre-vjeçar, ndërsa heliumi ka rënë “për shkak të një rënieje të performancës së tij ekonomike”. Nikeli nuk përfshihet por do të monitorohet “nga afër”.
Vlen të përmendet se si alumini ashtu edhe titani tashmë i janë nënshtruar hetimeve të sigurisë kombëtare “Seksioni 232” në Shtetet e Bashkuara, duke rezultuar në tarifa dhe negociata të mëtejshme përkatësisht me vendet furnizuese.
Alumini është një rast i problemeve të lëndëve të para të Evropës nëse kjo e fundit do të arrijë synimet e saj të emetimit të karbonit në Marrëveshjen e Parisit.
Metali u identifikua nga Banka Botërore si përfituesi më i madh i një drejtimi drejt energjisë së rinovueshme. Megjithatë, kapaciteti primar i prodhimit të aluminit në Evropë ka rënë me rreth një të tretën që nga viti 2008.
Strontiumi përfshihet sepse i gjithë rajoni mbështetet në një kompani të vetme evropiane për furnizimin e një metali që përdoret në magnet qeramike dhe robotikë.
Litiumi mund të duket si një shtesë e vonuar në listë, duke pasur parasysh rolin e tij qendror në bateritë për automjetet elektrike, një nga shtyllat e strategjisë së reduktimit të karbonit në “Marrëveshjen e Gjelbër” të Evropës. Por metali është tashmë një fokus thelbësor për “Aleancën Evropiane të Baterive”, një iniciativë private-publike e BE-së që po zhvillohet që nga viti 2017.
Një “Aleancë Evropiane e Lëndëve të para” tani do të krijohet përgjatë linjave të ngjashme. Prioriteti i tij fillestar do të jetë toka e rrallë dhe zinxhiri magnet, “pasi kjo është jetike për shumicën e ekosistemeve industriale të BE (përfshirë energjinë e rinovueshme, mbrojtjen dhe hapësirën)”.
SFERAT E NDIKIMIT
Strategjia e mineraleve të Evropës kryesisht zbret në të njëjtën gjë si përtej Atlantikut, përkatësisht gjetja, miniera, rafinimi dhe riciklimi. Komisioni, vlerëson se iniciativa e saj për materialet e baterisë do të “çojë në 80% të kërkesës së litiumit në Evropë të furnizohet nga burimet Evropiane deri në vitin 2025”.
Gjetja dhe nxjerrja e litiumit është pjesa (relativisht) e lehtë. Rafinimi i tij në formë kimike dhe më pas bërja e baterive të jonit litium është pjesa e vështirë. Aleancat e përpunimit të mineraleve dhe metaleve do të nevojiten me furnizues miqësorë si Kanada dhe Australia.
BE propozon gjithashtu të prekë fqinjët gjeografikë Norvegjinë dhe Ukrainën. Sipas Komisionit të BE-së është “e rëndësishme të integrosh Ballkanin Perëndimor në zinxhirët e furnizimit të BE”, duke theksuar se Serbia dhe Shqipëria është e pasur me platin.
Përveç kësaj, “partneritetet strategjike” janë “veçanërisht të rëndësishme me vendet në zhvillim të pasur me burime si Afrika”, ku Bashkimi Evropian mund të marrë mineralet që i duhen, ashtu edhe për të siguruar që ato prodhohen me përgjegjësi.
Një revolucion i gjelbër ka nevojë për metale, të cilat paraqesin probleme të veçanta të zinxhirit të furnizimit për një metal si kobalti. Mbetet të shihet se ku do të rrjedhin fondet evropiane të investimeve, por rajoni tani ka nënshkruar lojën e madhe globale të shekullit 21 të zgjerimit të sferave minerale që ndikojnë pozitivish në vende të ndryshme.
Duke pasur parasysh dominimin e Kinës në përpunimin e metaleve të tilla si alumini, litiumi dhe elementët e rrallë të tokës, dëshira e Perëndimit për të zvogëluar cenueshmërinë e zinxhirit të furnizimit nënkupton zhvendosjen e zinxhirëve të furnizimit larg vendit.
Kjo nënkupton gjithashtu mbrojtjen e sektorëve të brendshëm industrialë nga prodhuesit kinezë që veprojnë në një univers paralel të mbështetjes së shtetit. Veçanërisht gjatë periudhave të krizës, Evropa humbi kapacitetin e përhershëm të prodhimit të metaleve ndaj Kinës në krizën financiare globale të vitit 2009 ndërsa Kina u rikuperua më shpejt. Modeli duket se do të përsëritet gjatë krizës aktuale COVID-19.
Më të goditurat, tani si atëherë, janë ndërmarrjet më të vogla tipike për sektorë të tillë si riciklimi i metaleve. Plani i veprimit i ekzekutivit evropian identifikon nevojën “për të hequr shtrembërimet në tregtinë ndërkombëtare” por nuk ofron shumë në detaje se si do ta bëjë atë. BE, sipas Eurometaux, “duhet të jetë më e guximshme dhe më pak naive në skenën globale”.
Shoqata e metaleve bën thirrje për forcimin e “kutisë së tregtisë dhe konkurrencës së BE-së për të mbrojtur prodhimin evropian nga konkurrenca e pandershme dhe efekti shtrembërues i subvencioneve dhe kapaciteteve të tepërta strukturore në tregun global të metaleve”. Evropa këtë vit tashmë ka hapur hetime anti-Covid në importet e metaleve kineze të aluminit dhe produkteve të tjera.
Nga janari në gusht, mbi 1 milion vizitorë nga Kosova kanë hyrë në Shqipëri.
Turizmi patriotik nga Kosova, trojet shqipfolëse dhe emigrantët ia kanë dalë që të sigurojnë të paktën mbijetesën për sektorin këtë verë.
Polakët pritet të vazhdojnë me chartera deri në fund të shtatorit, nëse qeveria e tyre nuk e përfshin Shqipërinë në listën e vendeve të ndaluara.
Nga kontratat me garanci, ata kanë shfrytëzuar vetëm 25 për qind, pjesa tjetër shtyhet në vitin 2021.
Shpresat për nordikët në bregdetin shqiptar tashmë janë shuar.
Vendasit kanë zgjedhur Sarandën, ku kapaciteti mesatar i plotësuar në struktura ishte 60 për qind.
Piku i sezonit këtë vit ka zgjatur vetëm 10 ditë.
Skema e kuponëve lidhur me rezervimet në agjenci po funksionon vetëm me Turqinë.
Nga Nertila Maho
Albulena!! Driton!! Ishin emra që të kumbonin në vesh teksa ishe duke pushuar në Jug. Është shumë atipike, në një kohë kur po lulëzojnë emrat modernë (dhe të çuditshëm në disa raste), të dëgjosh emra kaq “shqip”.
Familje të tëra nga Kosova apo të rinj në grupe shoqërore mund të hasje pafund këtë verë në çdo skaj, nga Velipoja në Sarandë.
Ishte ky një reflektim se turizmi këtë sezon, edhe pse nuk mund të ketë shënuar fitime, të paktën ka shpresa të mbahet në këmbë e bashkë me të, edhe dhjetëra mijë të punësuar.
Ky sektor, i cili prej vitesh po mbështeste rritjen te numri i vizitorëve nga vende të ndryshme europiane, por jo vetëm, këtë vit u gjend në një situatë dramatike, për shkak të pandemisë.
Shpëtimi u pa tek nxitja e turizmit vendas, ata nga trojet shqipfolëse dhe emigrantët.
Në fillim u duk e vështirë, por turizmi patriotik duket se ia doli.
Ashtu sikurse tregojnë shifrat zyrtare deri në korrik, ndikimi pozitiv pranohet edhe nga tur-operatorët kryesorë.
Kryetari i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa, thekson se nuk flitet për fitim, por vetëm për mbijetesë.
“Diferencën e kanë bërë turistët nga Kosova, pra turizmi tradicional që ka pasur kontribut domethënës në shtimin e të ardhurave. Kuptohet, edhe me të huajt nga vendet e Evropës ka një rritje, por kryesore ka qenë mbështetja e zonave shqipfolëse. Me atë që shohim sot, një pjesë e hoteleve do t’ia dalë të mbijetojë. Flas për ato struktura hoteliere ku është investuar seriozisht dhe kanë kapacitete të mëdha. Nuk di të them nëse strukturat e vogla, apo ato familjare e kanë pasur të lehtë, apo të vështirë, për të siguruar turistë” – pohon Kasa.
Në janar-gusht, numri i vizitorëve nga Kosova ishte mbi 1 milion, sipas burimeve nga Dogana e Kosovës.
Për 7 mujorin, shifra totale e hyrjeve nga Kosova është 52% më e ulët se një vit më parë. Por, sërish mbetet një shifër pozitive, po të kemi parasysh frikën e pandemisë, e cila në të dyja vendet po regjistron shifra në rritje të të prekurve aktivë, por edhe humbje jete.
Saranda shfrytëzoi mesatarisht 60 për qind të kapacitetit, u zgjodh nga vendasit.
Zakonisht, periudha nga 15 korriku e deri në fund të gushtit, është cilësuar si piku i sezonit turistik.
Por këtë vit, piku është regjistruar për vetëm 10 ditë, kur strukturat akomoduese kanë arritur të plotësojnë mesatarisht 90 për qind të kapacitetit. Me raste të veçanta, plotësimi shkon edhe në 100 për qind, por kjo këtë vit ka ndodhur rrallë.
Arben Çipa, kryetari i Shoqatës së Operatorëve Turistikë në Sarandë, tregon se situata ka ndryshuar nga java në javë.
“Hotelet punuan mesatarisht me kapacitet 60% në sezon. Mund të themi që kanë pasur frekuentim, por ka ndryshuar nga java në javë. Javën e parë të muajit gusht, plotësimi i kapacitetit ka qenë vetëm 50 për qind, ndërsa java e dytë të gushtit dhe gjysma e javës së tretë ishte në luhatje mes 70-80 për qind. Piku i sezonit veror, që zakonisht është 15 korriku dhe 20 gushti, këtë vit u arrit vetëm në një 10 ditësh në muajin gusht” – nënvizon Çipa.
Por cilët janë turistët që kanë zgjedhur zonën e Sarandës?
Më së shumti kanë qenë vendasit, ndërkohë që ka pasur edhe shtetas nga Kosova dhe më pak pastaj polakë, bjellorusë dhe ukrainas.
Problem, sipas Çipës, këtë vit ka qenë menaxhimi i plazheve ku, së pari janë “zhdukur” plazhet publike dhe së dyti, bizneset janë detyruar të parapaguanin detyrimet për plazhin për 135 ditë pune dhe jo për 45, sikurse ka qenë një vit më parë.
Polakët, deri në fund të shtatorit, shuhen shpresat për nordikët, kontratat në vitin 2021.
Pak ditë më parë, qeveria polake mori në analizë vendet me të cilat do të mbyllte fluturimet charter. Në fillim u përfol se edhe Shqipëria mund të ishte pjesë e kësaj liste. Por duket se lobimi i fortë i operatorëve turistikë bëri që Shqipëria dhe Greqia të qëndrojnë për të paktën edhe dy javë dhe më pas të analizohet sërish situata. Gjasat janë që, nëse numrat nuk rriten dhe asnjë turist polak nuk infektohet me COVID-19 në vendin tonë, sikurse ka ndodhur deri tani, sezoni të shtyhet deri në shtator dhe charterat të vazhdojnë të vijnë.
Grupi për të cilin tashmë janë shuar të gjitha shpresat janë nordikët.
“Ne i prisnim nordikët të fillonin të paktën në mes të gushtit, por kjo ishte e pamundur duke pasur parasysh që qeveria e tyre nuk i lejon të dalin jashtë vendeve për shkak të numrave që kemi ne si vend dhe rasteve aktive me COVID-19” thotë Kasa.
Sipas tij, edhe gjermanët e “Der Turistik”, edhe pse kishin interes dhe Shqipërinë, e kishin te paketat më të shitura, e anuluan. Të gjithë kontratat me garanci, që nuk janë shfrytëzuar këtë vit, do të kalojnë automatikisht për verën e 2021-shit.
“Të paktën për polakët, që kanë pasur mundësi të vijnë në Shqipëri, këtë vit është shfrytëzuar rreth 25 për qind e kontratave me garanci, ndërsa pjesa tjetër janë shtyrë. Kjo do të thotë që, nëse situata normalizohet në vitin 2021, kontratat ekzistuese të vitit 2020 do të shfrytëzohen në vitin pasardhës” – thotë kreu i Unionit Turistik Shqiptar.
Përdorimi i kuponit, shqiptarët po e shfrytëzojnë për të shkuar në Turqi
Globalisht, në kushtet kur me miliarda rezervime në hotele, linja ajrore e paketa turistike ishin aktivë në kohën e shpërthimit të pandemisë, rimbursimi i tyre i menjëhershëm te klienti ishte i pamundur, për shkak të mungesës së likuiditetit. Në këto kushte, u gjet si zgjidhje kuponi apo voucher, që i jepet klientit në të njëjtën vlerë me rezervimin dhe mund ta shfrytëzojë brenda një viti sipas nevojës.
Sigurisht që, një pjesë e kompanive kanë bërë edhe rimbursim në para, por kjo është cilësuar se zgjat më shumë sesa marrja e një kuponi. Në qershor, edhe qeveria shqiptare miratoi një vendim që sanksiononte se operatorët turistikë dhe agjencitë duhet t’ju lëshonin kuponë në të njëjtën vlerë me rezervimin e qytetarëve ose të bëjnë rimbursimin brenda një viti.
Jeta Hoxha, agjente turizmi, në Union Travel, shprehet se kjo skemë po funksionon dhe është përdorur nga tur-operatorët, por të gjithë rezervimet janë shtyrë për vitin tjetër.
“Turqia ka funksionuar dhe kanë udhëtuar ata që kanë pasur rezervim apo kupon. Ka qenë klientelë që edhe nga gjendja ekonomike ka qenë mirë, pasi kanë zgjedhur resorte shumë të mira edhe si një garanci për sigurinë e masave ndaj COVID-19.Janë nisur me oferta last-minute (të minutës së fundit”. Një pjesë i shfrytëzoi kuponët edhe kur patëm atë hapjen me Malin e Zi, ndërsa tani lëvizin shumë pak. Pjesa e voucherit funksionoi vetëm për Turqinë, nëse e shohim në total” – shprehet Hoxha.
Situata e paqartë ka lënë agjencitë pezull lidhur me paketat që mund të ofrojnë për klientët, për aq kohë sa ka kufizim të lëvizjes.
“Ne zakonisht, në sektorin e turizmit dhe kryesisht agjencitë, fillojmë programimet tona me 8 Marsin sa u takon ofertave dhe më pas kalojmë me verën, festat e Nëntorit dhe Fundvitin.Këtë vit e kemi të vështirë të programojmë, apo të hartojmë oferta, pasi mbetemi peng të situatës. Maksimumi, ndoshta mund të kemi oferta rajonale me Malin e Zi dhe Maqedoninë apo Greqinë. Njerëzit vijnë e pyesin në agjenci për udhëtime individuale, por ne i kemi ndalur të gjitha” pohon Hoxha.
Lidhur me pjesën që kishin rezervime në agjenci për udhëtime jashtë dhe nëse këtë e kanë zëvendësuar me rezervime të ndonjë pakete në vend gjatë kësaj kohe, ajo thotë se ka pasur raste dhe klientët kanë rezervuar hotele në Durrës, Vlorë e Sarandë nëpërmjet agjencisë.
“Ne kemi kontrata me hotelet për të huajt, por duke qenë se ka pasur kufizim të lëvizjes, ato kontrata i kemi zëvendësuar me pushues nga Shqipëria, në disa raste kur na është kërkuar. Hotelet janë treguar elastikë, duke ofruar paketa të ndryshme nga vetëm me mëngjes deri tek të gjitha të përfshira” thekson Hoxha. Klan Kosova / KultPlus.com
Përdorimi i mjeteve dixhitale në funksion të promovimit turistik ka pasur një trend rritës kohët e fundit në Shqipëri, duke promovuar destinacione të rëndësishme turistike për turistët vendas dhe veçanërisht ata të huaj.
Një vëmendje të veçantë këtij përdorimi i ka kushtuar Foundacioni SIG, i cili në kuadër të projektit “Menaxhim i zgjuar i produktit të turizmit kulturor për shfrytëzimin e pasurive natyrore, qëndrueshmërinë dhe tërheqjen territoriale” ka realizuar një Aplikacion Online për parkun kombëtar Divjakë-Karavasta.
Projekti po mbështetet përmes një granti të siguruar nga Projekti për Promovimin e Turizmit i Regional Cooperation Council (RCC) dhe financohet nga Bashkimi Europian.
Aktualisht aplikacioni elektronik My Park Tour është aktiv për telefonat celularë (IOS dhe Android) në platformat Google Play Store dhe App Store.
My Park Tour është një aplikacion në gjuhën shqipe dhe angleze, i cili shërben si udhërrëfyes turistik në celular ku do të gjeni kategori shërbimesh të ndryshme që ndihmojnë vizitorët/turistët të shohin atraksionet e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, si dhe shtigjet më të përshtatshme të aventurës.
Atraksionet e trashëgimisë natyrore dhe kulturore janë paraqitur qartësisht me përshkrime, por dhe si objekte të shoqëruara me një galeri fotografish profesionale. Aplikacioni My Park Tour ofron një set të veçantë mjetesh për të eksploruar dhe mësuar rreth parkut dhe hapësirës së tij në përgjithësi, të kombinuara me harta interaktive, tekste prezantuese dhe karakteristika interaktive.
Brenda këtij aplikacioni do të gjeni edhe Turin Virtual 3600 të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, fotografi panoramike 3600 nga ajri dhe toka, ku ju mund të përjetoni pamje si asnjëhërë më pare kudo që ju ndodheni.
Krahas aplikacionit online, më në fund Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta ka hapur faqen e tij të re elektronike, e cila prezanton më së miri të gjitha resurset natyrore dhe kulturore që gjenden brenda territorit të tij.
Kjo faqe është ndërtuar nga Fondacioni SIG në kuadër të projektit “Menaxhim i zgjuar i produktit kulturor për shfrytëzimin e vlerave natyrore, qëndrueshmërinë dhe tërheqjen territoriale” dhe u bë e mundur përmes një granti të dhënë nga Projekti për Zhvillimin dhe Promovimin e Turizmit i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), dhe të financuar nga Bashkimi Evropian.
Brenda faqes ju mund të zbuloni dhe eksploroni monumentet natyrore, kulturore dhe historike shumë vjeçarë brenda dhe përreth parkut, shtigjet e aventurës për të prekur dhe jetuar aventurat më të bukura, aktivitetet në park si shëtitje në natyrë, ecje me biçikletë, peshkim etj. të informoheni mbi baret dhe restorantet për të shijuar gatimet tradicionale të zonës me prodhime të freskëta deti, si dhe hotelet dhe shtëpitë pritëse për tu akomoduar.
Informacione praktike se si dhe kur duhet të shkojmë në park janë të aksesueshme për të gjithë vizitorët.
Gjithashtu në faqe, ju mund të gjeni Turin Virtual (VT) 3600 të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, fotografi panoramike 3600 nga ajri dhe toka, atraksionet e etiketuara të parkut në pamje 360 gradë, ku përmes komandave të zgjerimit dhe zvogëlimit me anë të kursorit mund ta orientoni pamjen që ju dëshironi të shihni nga kompjuteri ose telefoni juaj. /atsh/ KultPlus.com
Partitë e mëdha, sa herë ka zgjedhje, premtojnë se do të realizojnë votën e emigrantëve, por këtë herë shqiptarët jashtë kufijve kërkojnë vepra dhe jo fjalë.
Në Parlamentin e ri, i cili do të dalë nga zgjedhjet e vitit 2021, diaspora kërkon të ketë 10 deputetë.
“Idealja do ishte që diaspora me 1.6 milionë banorë që janë jashtë vendit të ketë diku te 10 vende të alokuara në Parlament, gjë që do të donte një ndryshim kushtetues për një qark të 13 në Parlamentin e Shqipërisë. Që të gjithë e bëjnë shumë të vështirë, por asnjë gjë nuk është e parealizueshme”, shprehet Florian Haçkaj, bashkëthemelues i Lëvizjes Diaspora për Shqipërinë e Lirë.
Me afrimin e zgjedhjeve, politika shqiptare do të duhet të bëjë llogaritë për premtimet e pambajtura jo vetëm me votuesit brendaterritorialë, por edhe emigrantët.
“Ne kemi sinjale të qarta që nuk duan ta bëjnë, sepse është një votë e pakompromentueshme dhe do sillte risi për komplet elektoratin shqiptar për Parlamentin shqiptar. Këto zgjedhje do të tregojnë qartësisht se sa e duan faktorët politikë, qoftë Partia Socialiste, qoftë Partia Demokratike, qoftë LSI-ja, se sa e duan vërtet votën e diasporës. Me ne nuk tallet më njeri!”, shton Haçkaj.
Politika ia ngarkoi KQZ-së si detyrë realizimin e votës së emigrantëve. Me afatet të cilat ngushtohen dhe besimin e pakët, diaspora vetofrohet për ndihmë për realizimin e procesit. Për kërkesat e saj u është drejtuar zyrtarisht Presidentit, Kryeministrit dhe kryetarëve të partive më të mëdha politike.
Gramoz Palushi kishte lindur dhe ishte rritur në Kukës. Për të siguruar një jetë më të mirë ai kishte emigruar në shtetin fqinj, atë Grek, shkruan KultPlus.
Në ndeshjen e 2004-ës mes Shqipërisë dhe Greqisë në stadiumin “Qemal Stafa”, Shqipëria fitoi 2 me 1, duke mundur kështu edhe të sapo shpallurën Kampione të Evropës. Gëzimi i fitores ishte i jashtëzakonshëm për të gjithë shqiptarët, e veçanërisht për diasporën.
Në ishullin Zakinthos në Greqi po festonte edhe Gramozi. Një turmë grekësh e sulmuan pas shpine duke i ngulur thikën. Kur ai shkoi në spital nuk mori trajtimin e duhur nga personeli mjekësor dhe u la për një kohë të gjatë pa ndihmën e askujt nën pretekstin se ai nuk posedonte sigurim shëndetësor.
Tifozit shqiptar ia morën jetën në rrugicat e shtetit grek vetëm e vetëm pse mbajti flamurin kombëtar në dorë. Gramozi vdiq sepse po festonte fitoren e Shqipërisë kundër Greqisë. Ai ishte vetëm 20 vjeç kur gëzimin më të madh ja kthyen në gëzimin e tij të fundit./ KultPlus.com
Rreth 5 mijë turistë shijuan gjatë muajit gusht natyrën e bukur, ajrin e freskët dhe ushqimet bio të zonës së Thethit, 70 km larg Shkodrës.
I cilësuar si një magji turistike Thethi po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj.
Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Shkodër, Agim Dardha tha për ATSH-në se gjatë muajit gusht Thethi pati një rritje të numrit të turistëve, ku gjatë ditëve ka patur rreth 200 turistë në ditë, ndërsa në fundjavë mbi 500 turistë që vijnë për të parë nga afër bukuritë natyrore të Thethit”.
Sipas tij, pjesa më e madhe e turistëve ëstë vendas, ndërsa nga turistët e huaj kanë qenë francezë, polakë, çekë, si dhe një numër i lartë nga Kosova.
Ndër pikat më të vizituara nga turistët janë Shtegu Theth- Valbonë, Theth –Pejë, Ujëvara, Kanioni, Syri i Kaltër, Shpella e Arapit, Shtegu i Bjeshkëve të Namuna etj.
Thethi gjendet në mes të Alpeve në veri të Shqipërisë, 70 km nga qyteti i Shkodrës, i mbrojtur nga tre malet, Radohima, Sheniku, Papluku, me lartësi mbi 2500 m mbi nivelin e detit. Lugina e lartë e Thethit, një nga zonat më të veçanta të këtyre alpeve, ndodhet 750 deri 950 m mbi nivelin e detit, me një sipërfaqe prej 2630 hektarësh.
Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit.
Thethi është i vizitueshëm në katër stinët, ku në pranverë dhe verë për gjelbërimin e rrallë, në dimër për bardhësinë e dëborës dhe për lojërat aventureske me të, ndërsa vjeshta për ngjyrat mahnitëse dhe begatinë në frutikulturë./ atsh/ KultPlus.com
Ironia në mes të jetës luksoze të aristokratëve dhe asaj pa kushte elementare të tiranasëve ishte bërë temë e një reportazhi për Shqipërinë, botuar nga gazeta “Kosova”, shkruan KultPlus.
Ishte shkrim i shkruar nga Gjergj Bubani i cili mbante titull të realitetit të shprehur figurativisht, “Veshëm frakun, harruam brekët”, botuar më 5 janar 1932.
KultPlus ua sjell një fragment nga reportazhi, publikuar nga Beti Njuma dhe Biblioteka e Librave të Harruar në Facebook:
“Tirana ka bulevarde të gjera dhe sheshe simetrike, por nuk ka kanalizim, nuk ka ujë të mirë dhe të mjaftë dhe asnjë banjë moderne komunale për t’u larë mileti. Dhe në Tiranë tetë muaj në vit bën vapë, ashtu që nevoja e së larës paraqitet edhe më e madhe. Aristokratët lahen nëpër shtëpitë e tyre ose në të dy-tri hotelet e mëdhenj. Po populli? Në veprimin edilitar të Tiranës gjejmë pasqyrën e gjallë të një mentaliteti që është rrënjosur ndër ne; të gjitha punët i bëjmë për cipë, superficialisht. Edhe qytetërimin në këtë mënyrë e përqafuam: me bulevarde, elektrik, pallate, pa kanale, pa ujë, pa banjë. Shkurt: U veshëm me frak dhe këmishë mëndafshi, por harruam të ndërrojmë brekët!” /KultPlus.com
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë, Besa Shahini ka bërë ditur se në prag të nisjes së vitit të ri shkollor ka nisur sot shpërndarja e librave falas për nxënësit e klasave 1-7 dhe për të gjithë nxënësit e kategorive të veçanta deri në klasën e 12-të.
“Sot ka filluar shpërndarja e librave falas me përfitues direkt mbi 250 mijë nxënës në të gjithë vendin: të gjithë nxënësit deri në klasën e 7-të dhe kategoritë e veçanta deri në klasë të 12-të”, shprehet Shahini.
Skema mbështetëse e librave falas nga buxheti i shtetit prej 800 milionë lekësh u vjen në ndihmë direkt mbi 250 mijë nxënësve përfitues në të gjithë Shqipërinë, duke ulur koston financiare të familjeve shqiptare dhe përmirësuar gjithashtu qasjen e nxënësve në arsim, veçanërisht nxënësve romë dhe egjiptianë, të cilët kanë një rrezikshmëri më të lartë të braktisjes së shkollës së mesme.
Miratimi në Këshillin e Ministrave i propozimit i MASR për të mbuluar me libra falas të gjithë nxënësit që vijnë nga situata të brishta socio-ekonomike deri në klasën e 12-të u bë më 17 qershor të këtij viti./atsh / KultPlus.com
Ka nisur muaji në të cilën promovohen vlerat kulturore dhe tradicionale, muaji i Trashëgimisë Kulturore.
Këtë vit ky muaj do të ketë laramani aktivitetesh nën moton “Trashëgimi dhe edukim”.
Sipas Ministres së Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti, ky muaj është kthyer në një traditë tashmë pasi lidhet me një datë të rëndësishme, atë të Ditës Kombëtare rë Trashëgimisë, por dhe Javën e Trashëgimisë Europiane.
“Duke ju uruar një muaj të mbarë, të paqtë dhe shëndet nisim sot Muajin e Trashëgimisë Kulturore. Është kthyer në një traditë tashmë pasi lidhet me një datë të rëndësishme, atë të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë, por dhe Javën e Trashëgimisë Europiane. Tema e këtij viti është “Trashëgimi dhe edukim” dhe ne do t’i mëshojmë fort qasjes së fëmijëve, brezit të ri drejt kësaj pasurie shpirtërore e materiale, që shtrihet në të gjithë Shqipërinë”, ka shkruar Margariti.
Krejt për fund ajo e ka cilësuar këtë muaj si “zbulim” i thesareve tona të çmuara. / KultPlus.com
Agroturizmi po bëhet gjithnjë e më shumë tërheqës, veçanërisht për ata që rrënjët i kanë të lidhura me fshatin.
Në fshatin “Katund i Vjetër” të Rubikut, lulëzon në mes pemëve dhe përroit, një shembull i zhvillimit rural për të gjithë zonën, e cila njihet për burimet e ujit dhe gjelbërimin e kodrinave përreth.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, publikoi sot pamje nga agroturizëm “Dini” në Rubik, ndërsa thekson se “agroturizmi një realitet i ri, por domethënës në rivitalizimin e zonave rurale, alternativë dhe vlerë e shtuar e destinacioneve turistike, në ofrimin e kulinarisë tipike shqiptare, shijes dhe eksperiencës shqip”.
Administratori i bujtinës “Dini”, Ariel Marku, tha se “ne për vizitorët tanë përveç komoditetit dhe rehatisë që ofron pjesa e bujtinës ne ofrojmë edhe ushqime bio, të marra nga fshatrat e zonës”.
“Kam qenë gjithmonë me parimin se nuk mund të ecim dot përpara pa e ditur rrënjët tona”, – shprehet Marku.
“Bujtina Dini” model i agroturizmit, është një biznes familjar tashmë i konsoliduar, me produkte lokale dhe disa të punësuar. Mjaft e preferuar dhe nga turistët e huaj, kjo zonë ofron ajër të pastër, qetësi dhe gatim të mirë.
Bujtina është investuar me ndihmën 50% nga AZHBR, pas iniciativës së djalit të familjes Marku, për të aplikuar në masën e “Agroturizmit” dhe për të ngritur një shërbim cilësor në mes të natyrës.
Një ide origjinale për këtë fshat në zhvillim që po merr vëmendje çdo ditë e më shumë edhe nëpërmjet programit të “100 fshatrave”./atsh/ KultPlus.com
Kanionet e Osumit janë një perlë e natyrës, një destinacion turistik që duhet vizituar, ku të apasionuarit e turizmit të aventurës kanë mundësi të zhvillojnë edhe shëtitjet profesionale me rafting, ose hiking.
Zv/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Ornela Çuçi, duke publikuar foto nga ky kanion, shprehet se “Kanioni i Osumit, është më i madhi në gjithë vendin dhe është emërtuar Grand Canyon i Shqipërisë”.
“Kanioni është krijuar prej forcave gërryese dhe tretëse të lumit Osum, të ushtruara në masën shkëmbore gëlqerore të strukturës antiklinale të Çorovodës dhe është rreth 13 km i gjatë, nga 4 deri në 35 metra i gjerë, i thellë rreth 80 metra, me shpate vertikale.Koha e formimit të tij mendohet të jetë 2 deri në 3 milionë vite më parë”,- thekson Çuçi.
Kanionet e Osumit gjenden në aksin Çorovodë–Hambull, të luginës së Osumit.Në këtë kanion, çdo vit udhëtojnë me mijëra turistë vendas e të huaj, të cilët shijojnë natyrën, kulinarinë dhe sportin e bukur të rafting. /atsh/ KultPlus.com
Kanionet e Nivicës janë një tjetër pasuri natyrore dhe destinacion turistik në vendin tonë.
Zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Ornela Çuçi publikoi sot disa foto nga këto kanione, ndërsa nënvizoi se janë një mrekulli që duhet me patjetër të vizitohen nga turistët vendas e të huaj.
“Kanionet e Nivicës janë një mrekulli natyrore, dhe ndër kanionet më të bukura që kemi. Ato fillojnë në krye të fshatit Nivicë dhe kanë një gjatësi të përgjithshme rreth 7 km. Kanionet zgjerohen në drejtim të fshatit Lekdush, poshtë tij. Pjesa më e ngushtë e kanioneve shtrihet poshtë fshatit Nivicë me një gjatësi rreth 3 km. Gjerësia e kanioneve varjon nga 2-3 m në fillimet e tyre dhe vijnë duke u zgjeruar përgjatë rrjedhës me një gjerësi që shkon rreth 1000 metër. Rrjedha e ujit ka krijuar vaska uji, ujëvara e shpella interesante si psh : shpella me qiell”,- thekson Çuçi.
Kanionet ndodhen në afërsi të fshatit Nivicë të Tepelenës. Vizitohen sipas rrugës automobilistike Tepelenë, Progonat, Nivicë ose dhe nga bregdeti, duke u futur nga Lumi i Vlorës, Himara apo Borshi.
Kanionet e Nivicës janë një pasuri natyrore e turizmit malor në jug të Shqipërisë. Adhuruesit e natyrës dhe aventurës, përveç bukurive që ofron bregdeti, mund të bëjnë edhe shëtitje malore në lartësitë e Nivicës, ku gjendet kanioni. Ky vend është një distancë jo e largët dhe gjendet vetëm pak kilometra nga deti, në një natyrë të mrekullueshme.
Kohët e fundit turistët aventurierë të sporteve malore dhe ujore kanë filluar t’i vizitojnë këto kanione dhe t’i prezantojnë ato në botën turistike nëpërmjet fotove e videove që realizojnë në to. / atsh / KultPlus.com
Holta është një zonë turistike e pa eksploruar akoma plotësisht dhe përbën një ftesë e hapur për të gjithë eksploruesit e natyrës dhe bukurive natyrore.
Kryetari i bashkisë së Gramshit, Klodian Taçe ka publikuar një sërë fotosh me pamje të mrekullueshme nga kanionet e Holtës, si një nga destinacionet turistike që po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë.
Një nga perlat dhe bukuritë natyrore në zonën e Gramshit është dhe lumi Holta me kanionet e tij të mrekullueshëm, që e nis shtrirjen e tij nga fshati Bardhan, deri në fshatin Kobash, me gjatësi rreth 3 km, ndërsa shpatet e luginës ngjiten lart deri në 100 – 150 m dhe me thellësi të ujit që shkon deri në 3 m.
Në shpatet e thepisura në rrjedhën e këtij lumi, gjenden shumë shpella karstike, që janë të vizitueshme nga natyralistët dhe aventurierët e ngjitjeve sportive.
Veç lumit me kanionet befasuese të tij, në shpatet malore të kësaj zone, gjenden pyje me drurë të rrallë panje, bredhi, pisha si dhe mjaft specie të rralla kafshësh dhe shpendësh.
Holta është një zonë turistike e pa eksploruar akoma edhe për shkak të terrenit të saj të thyer, por kjo nuk i pengon aventurierët e lartësive.
Në zonën e Gramshit, ka shumë monumente të natyrës apo dhe të historisë të antikitetit, burime natyrore si, Ujëvara e Sotirës, që vizitohen rregullisht, sidomos në stinën e ngrohtë. Kanionet e lumit të Holtës vizitohen duke u nisur nga Gramshi-Bardhan-Kabash, një rrugë disi e vështirë për makinat e ulëta dhe ka një gjatësi rreth 18 km.
Kjo zonë dhe kjo rrjedhë lumore është një atraksion turistik për pasionantët e natyrës, të aventurës dhe historisë që mund të shfrytëzohet në çdo stinë. /atsh/ KultPlus.com
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka promovuar fshatin Sotirë të Gramshit, si një nga destinacionet turistike të verës 2020.
Ai shprehet se pranë këtij fshati ndodhet një prej ujëvarave më magjikë në Shqipëri dhe mjafton vetëm një orë e gjysmë hiking mes gjelbërimit për të mbërritur dhe shijuar pamjet e mrekullueshme që ofron natyra.
“Në fshatin Sotirë në Gramsh, ndodhet një prej ujëvarave më magjike në Shqipëri. Mjafton vetëm një orë e gjysmë hiking mes gjelbërimit për ta arritur atë. Terreni është i përshtatshëm për ecje dhe rruga është aq e freskët e plot burime ujore sa nuk do të ndihet lodhje. Planifikoni një piknik në lëndinën buzë ujëvarës së Sotirës mes natyrës së paprekur nga dora e njeriut dhe zhurmës karakteristike të ujit”, shprehet ministri Klosi duke ftuar që ta vizitojnë.
Kjo ujëvarë, e cilësuar edhe si “Niagara” e Shqipërisë e ka marrë emrin Sotirë nga fshati ku edhe ndodhet ujëvara. Ujëvara ka një lartësi rreth 100 metra dhe buron nga mali i Tomorrit.
Ka një bukuri mahnitëse që tërheq shumë vizitorë nga Shqipëria, por edhe turistë të huaj turistë që janë kurioz pas natyrës. z.tosku/ atsh/ KultPlus.com