Kalatë më të hershme të Beratit që vizitohen nga turistët e huaj

Veç kalasë që gjendet në qendër të qytetit mbi Mangalem, në rrethin e Beratit janë dhe disa murana të vjetra rreth tij, që dikur kanë qenë kështjella të banuara.

Ndër to mund të veçojmë:

“Kalaja e Tomorrit (DODONA)” Monument Kulture
Gjendet sipër fshatit me emër Tomorr i Madh. Kalaja e banuar që në antikitet ngrihet mbi një platfomrë shkëmbore, të pjerrët rreth 50 m të lartë, në të cilën arrihet përmes një rruge të ngushtë këmbësorësh.
Në krye të këtij masivi shkëmbor dallohen muret e akropolit, të cilat nuk i përkasin vetëm një periudhe.

Akropoli ka një perimetër rreth 210 m, trashësi të mureve 1 -1,3 m dhe ka formën e një trapezi të çrregullt. Muri antik i përket fazës para bizantine.

Kjo qendër kështjellë ka qenë në një pozitë shumë të mirë strategjike për mbrojtje dhe për rrugëkalimet e rëndësishme nga bregu i detit deri në Konstandinopojë.

Kalaja mbizotëron pamje mbi të gjitha kalatë e Beratit, Mbieshovës. Peshtanit, Mbolanit, Vojakut, Gradishtës së Qeresfirfiloit dhe Kalasë së Vokopolës.

Kalaja është shënuar në kronikat e kohës gjatë rrëzimit të Perandorisë Bullgare gjatë vitit 1018, si edhe është përmendur gjatë ngjarjeve të vitit 1336, si vend takimi për një sërë betejash të rëndësishme.

Kalaja është përdorur nga turqit gjatë kohës së sundimit turk.
Në kala gjenden rrënojat e çisternës së ujit me kapacitet rreth 100000 litër ujë.

Prej kohësh janë ndërprerë studimet mbi këtë kështjellë.
Vitet e fundit ky vend është kthyer në një vend mjaft atraktiv per turistët. Disa operatorë turistikë organizojnë ture përreth kësaj zone.

“Kalaja e Krotinës” (Dimali)

Qyteti antik i Dimalit shtrihet në krahun perëndimor të malit të Shpiragut, në krah të majtë të rrugës automobilistike Berat-Fier.

Rrënojat e qytetit antik pozicionohen në vendin e quajtur Kalaja e Krotinës,(toponim i marrë nga lagja me të njëjtin emër në fshatin Allambrez).
Kushtet gjeografike (444 m mbi nivelin e detit) dhe pozita strategjike e kodrës krijonin kushte mjaft të favorshme për zhvillimin e një vendbanimi në kohët antike.
Afërsia e qytetit me vendbanime të tjera të rëndësishme si Apolonia dhe Bylis, i jepnin një rëndësi të veçantë zhvillimit të marrëdhënieve tregtare me këto qendra.

Identifikimin e rrënojave të vendbanimit mbi kodrën e Krotinës për herë të parë e paraqet arkeologu austriak K. Prashniker, në periudhën e Luftës së I-rë Botërore…

“Kalaja e Goricës”
Shtrihet mbi shtëpitë e lagjes Goricë. Teknika e ndërtimit si edhe qeramika i përkasin shek të IV-të para Krishtit. Mbetjet arkeologjike të kalasë tregojnë se ky vendbanim është më i hershëm se shek. Ill-të pkr.

Ndërprerja e jetës në kalanë e Goricës pas shek. të ll-të para lindjes së Krishtit lidhet me pushtimin Romak. Në këtë kala vihet nëpërmjet një rrugice këmbësorësh, që kalon sipër lagjes me të njëjtën emër. Pamja e qytetit që ofrohet nga kalaja e Goricës është mjaft e bukur.

Sot, këto vendbanime të lashta janë objekte të turizmit historik dhe atij kulturor. /konica/ KultPlus.com

“Syri i kaltër” parajsa natyrore në zemër të Shqipërisë, destinacioni i 7700 turistëve vendas e të huaj në qershor-korrik

“Syri i Kaltër” në Sarandë, i cilësuar si parajsa natyrore në zemër të Shqipërisë, si dhe perla e turizmit veror ka tërhequr një numë të lartë turistësh gjatë muajve qershor dhe korrik.

Burimi karstik vetëm 22 kilometra në lindje të Sarandës edhe pse është një vend ku nuk mund të bësh plazh për shkak të temperaturave të ulëta të ujit, është sidoqoftë një vend ku mund të freskohesh gjatë ditëve të gjata nën diellin e nxehtë.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Vlorë, Nexhip Hysolakoj tha për ATSH-në se “Syri i kaltër” është një mrekulli natyrore befason turistët vendas e të huaj, të cilët edhe këtë vit, pavarësisht situatës nga koronavirusi kanë qenë të shumtë. Konkretisht gjatë muajve qershor-korrik këtë burim e kanë vizituar  kanë qenë 7700 turistë, ku shumica kanë qenë vendas, por nuk kanë munguar edhe të huajt si polakë, gjermanë, çekë, francezë, etj”.

“Ndërsa vetëm gjatë kësaj fundjave pati një fluks të shtuar të turistëve ku të shtunën ishin 352 dhe të dielën 640 turistë”, – tha Hysolokaj.

Turistët ndalen në këtë pikë turistike, fotografojnë, shijojnë ujin e burimeve që rrjedhin, si dhe gatimet në dy lokalet turistike që ndodhen në park. Nuk mungojnë edhe të rinjtë guximtarë që hidhen në ujin e ftohtë të burimit për t’u larë.

Turistët vendas e të huaj nuk harrojnë të blejnë edhe ndonjë suvenir në dy dyqanet që ndodhen në zonë, të cilat tregtojnë bluza me shqiponjën dykrenare, flamura, qilima, punime balte, etj.

Valbona, një 33 vjeçare nga Tirana shprehet për ATSH-në se “e vizitoj shpesh “Syrin e Kaltër”, sa herë që shkoj në Sarandë për pushime. Është një vend shumë i bukur që të ofron qetësi dhe të mahnit me bukurinë e tij sa herë e viziton”.

Ndërsa Mirsadi, një i ri nga Kosova, i cili nuk nguroi të zhytet në ujin e ftohtë të burimit u shpreh se “është hera e parë që e vizitoj “Syrin e Kaltër”. Kisha dëgjuar shumë nga shokët e mi që e kishin vizituar dhe nuk mund të ikja nga Saranda pa e parë nga afër. Uji ishte shumë i ftohtë, por ishte bukur të zhyteshe në kaltërsinë e tij”.

“Kur të vij vitin tjetër për pushime do të kthehem sërish”, – shprehet Mirsadi.

Syri i Kaltër është burimi më i madh dhe më i bukur i Shqipërisë, që gëzon statusin e monumentit të natyrës. Thellësia e tij arrin deri në 45 metra.

Syri i Kaltër është burim me ujëra të freskëta dhe të ëmbla i rrethuar me bimësi të dendur dhe me gjelbërim të përhershëm. Burimi i lumit të Bistricës, që përshkon një pjesë të jugut të Shqipërisë, i shëmbëllen vërtet një syri të madh rrumbullak me diametër afro dhjetë metra. Bebja e syrit, një gropë e thellë pus, nga ku uji ngjitet lart si në një kazan që sapo ka filluar të vlojë ka një ngjyrë blu në të zezë. Ajo vjen e rrethohet pastaj nga pjesa e kaltërt e syrit që bëhet e tillë ngaqë thellësia e burimit aty është më e pakët.

Sipas legjendës në këtë zonë jetonte një kuçedër, një krijesë madhështore dhe e frikshme që rrëmbente vajzat, dhe ndalte ujin duke ua bërë tejet të vështirë jetën banorëve. Askush nuk po mund ta vriste këtë përbindësh derisa një ditë një plak i mençur thonë se ngarkoi gomarin e tij me ashkë të ndezur, të cilin kuçedra e gëlltiti me një frymë por ashka e dogji përbrenda dhe nuk mundi të mbijetonte. Por legjenda thotë se nga syri i këtij dragoi buroi ky ujë i kulluar që vazhdon të rrjedhë sot e kësaj dite dhe mban emrin Syri i Kaltër./atsh/ KultPlus.com

Liqeni i Dushkut, peizazhi mahnitës që tërheq turistët

Liqeni i Dushkut ose siç njihet ndryshe liqeni i Zambakëve, i ndodhur në afërsi të fshatit Lenie, Gramsh në lartësinë 1105 m mbi nivelin e detit, është kthyer në një destinacion turistik vitet e fundit.

Kryeministri Edi Rama në kuadër të rubrikës “Shqipëria e bukur” publikoi sot fotografi nga liqeni i Dushkut, duke ftuar turistët ta vizitojnë atë.

Liqeni i Dushkut përfaqëson një liqen akullnajor me gjatësi rreth 800 m dhe gjerësi 400 m. Ka botë të gjallë të pasur, në të cilën dallohen sidomos zambakët e mëdhenj të ujit që njihen ndryshe si simboli i jetës, pasionit, dashurisë dhe pastërtisë. Gjenden edhe lloje të ndryshme peshqish, të cilët japin një shfaqje të mrekullueshme teksa shfaqen dhe zhduken përsëri pas zambakëve.

Duket sikur këtë liqen e ruajnë shumë mirë dhe i japin pamje akoma dhe më të bukur pishat të cilat gjenden në një sipërfaqe rreth 12 ha duke formuar një ekosistem tepër interesant liqenor e pyjor.

Periudha e pranverës dhe e verës janë më të përshtatshme për të vizituar këtë mrekulli natyrore./atsh/ KultPlus.com

Në Amantia, mes gjurmëve antike dhe bukurive natyrore në jug të vendit

Qyteti ilir i Amantias, në Vlorë, me parkun e tij arkeologjik, dëshmi e historisë së vjetër dhe gatimet tradicionale të zonës, ku spikatin prodhimet e bylmetit, është shndërruar në një atraksion të përhershëm turistik për vizitorët vendas dhe të huaj në çdo stinë të vitit.

Kalaja e qyteti antik të Amantias është e para që duket kur arrin në fshatin Vajzë. Mes kodrave të luginës së Shushicës dallon maja ku janë rrënojat e qytetit.

Stadiumi arkeologjik në parkun Amantia është në formë patkoi dhe ndërtimi i banesave dhe fortesave i jep Amantias një pamje ndryshe nga qytetet e tjera Ilire.

Kërkimet e para për identifikimin e rrënojave të Amantias, filluan në shekullin e XIX. Tempulli i Afërditës dhe bazilika palokristiane janë elementë të veçantë që spikasin në këtë zonë.

Gjatë komunizmit në kala kanë jetuar rreth 40 familje. Përveç rrënojave të kalasë, në qytetin e Amantias gjenden edhe tre shpella dikur të banuara.

Gjurmët historike të kësaj zone ndërthuren me peizazhet e natyrës fantastike. Ndërsa gatimet tradicionale të fshatit Vajzë, ku spikatin produktet e bylmetit me shijen e veçantë janë pika më e “fortë” që tërheq vizitorët dhe turistët në çdo kohë. / KultPlus.com

Bukuritë e trevës “Ura e Halilajve”, zona shkëmbore për të mos u humbur nga vizitorët

Bashkia e Klosit fton qytetarët, turistë vendas dhe të huaj të vizitojnë një nga qendrat urbane që ofron bukuri natyrore si Ura e Halilajve.

Për këdo që viziton Klosin, nuk duhet humbur peizazhi që shfaqet te “Ura e Halilajve”.

“Ura e Halilajve” gjendet në fshatin Dars. Kjo urë është ngritur në një vend shkëmbor mbi dy brigje të lartë e formuar me hark. Harku i urës ka një gjatësi prej 15 m, gjerësia midis dy këmbëve të saj është 11 m, kurse lartësia nga pasqyra e ujit arrin 9 m. Traseja e rrugës ka një gjerësi 2. 6 m dhe është e shtruar me gurë e pllaka gurësh lumi.

“Ura e Halilajve” thuhet se është ndërtuar nga një pjesëtar i fisit Halili. Kjo urë është ndër urat më të vjetra që gjenden sot të padëmtuara në Mat e që është shpallur monument kulture.

Po ashtu në Klos gjendet dhe “Ura e Allamani” dhe “Ura e Vashës” që është një kryevepër e inxhinierisë dhe nga më të rrallat në vend dhe i përket shekullit XVIII.

“Ura e Vashës”, ndodhet mbi lumin Mat mes Klosit dhe fshatit Guri i Bardhë që shoqërohet nga një shpat malor dhe ndodhet pranë Rrugës së Arbrit, kjo urë bart vlera të mëdha historike  në një peizazh të mrekullueshëm natyror.

Por nuk janë vetëm urat që ofron Klosi. I shtrirë buzë lumit Mat, zona ka bukuri të jashtëzakonshme ku mund të bësh plazh dhe pushosh në ujërat e kthjellta të lumit Mat, apo mund të bësh alpinizëm duke ngjitur shpate malorë në të dy anët e Klosit./ atsh/ KultPlus.com

Qyteza antike e Orikut, vlerë e jashtëzakonshme me interes për turistët

“Bregdeti i Orikumit është një tjetër destinacion turistik. Qyteza antike e Orikut është vlerë e jashtëzakonshme me interes për turistët, të cilët mund të njihen edhe me gërmimet e reja të realizuara së fundi”, është shprehur sot deputeti socialist, Damian Gjiknuri, i cili ka publikuar një video nga qyteza antike e Orikut.

Arkeologia Dorina Gjergji shprehet se gërmimet e para në qytetin antik të Orikumit kanë filluar në vitet 1958-1960.

“Ka qenë një bashkëpunim midis Institutit të Arkeologjisë shqiptare me atë sovjetike. Në fillim në vitet 50-60 u zbulua pjesa gjysëm harkore dhe për gati 50 vjet të gjithë arkeologët kanë menduar që kishim të bënim me një teatër. Por në vitin 2008 nisin gërmimet përsëri në këtë qytet antik. Gjatë gërmimeve arkeologjike vumë re që në fakt nuk kemi të bëjmë me një teatër, sepse kjo pjesa gjysëm harkore nuk ka një shkallare. Dhe gjatë gërmimit të 2013 dhe më pas në 2018 dhe 2019 u zbulua dolën në pah 2 kanale, duke treguar që kemi të bëjmë me një cisternë”, thekson ajo.

“Për portën veriore të qytetit antik të Orikut flet edhe Cezari në ditarin e tij në luftën civile midis tij dhe Pompeut, i cili tregon që qyteti antik i Orikumit ka qenë shumë mirë i fortifikuar. Në vitin 1990 Vasil Bereti nis gërmimet në qytetin antik të Orikumit dhe zbulon dy banesa karakteristike të këtij qyteti antik dhe shkallët e këtij qyteti”, thotë ajo.

Afër Orikumit, në kufi me Dukatin, mes fushës përpara Karaburunit, gjendet Kisha e Marmiroit. “Disa historianë e emërtojnë kishën me emrin e Shën Marisë, kjo si pasojë e faktit që në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe sidomos në territorin e Shqipërisë jugperëndimore, pjesa më e madhe e manastireve njihen me emrin e Shenjtores Shën Maria. Por kjo kishë njihet me emrin kisha e Marmiroit, një emër i marrë nga gurorja e antikitetit”, shprehet ajo./ atsh/ KultPlus.com

Me sloganin ‘Muzika nuk vret’, artistët përsëri protestojnë në Shqipëri

Nën sloganin “Muzika nuk vret”, artistët janë mbledhur edhe sot në protestë para Kryeministrisë në Shqipëri, përcjellë KultPlus.

Protesta e artistëve nisi që pasditen e djeshme, pas vendimit të qeverisë për të mbyllur club-et dhe lokalet pas orës 20:00 të mbrëmjes, për shkak se cilësohen si burim i përhapjes së koronavirusit.

Gjatë protestës së sotme, ka pas dhe përplasje mes artistëve dhe policisë. Policia ka shoqëruar disa protestues. /konica/ KultPlus.com

Kalaja e Kaninës, atraksion i jashtëzakonshëm për turizmin historik e kulturor në Vlorë

Kalaja e Kaninës, 3 km larg qytetit bregdetar të Vlorës është kthyer vitet e fundit në një destinacion për turizmin kulturor dhe historik.

E cilësuar si një nga objektet më të njohura të trashëgimisë kulturore e historike në Vlorë e më gjerë, historia e ndërtimit të kalasë që nis prej shekullit IV p.e.s, përcjell periudhat e antikitetit dhe të Mesjetës (kronologjikisht bizantine, veneciane, turke), së bashku me teknikat respektive të ndërtimit.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, në një video të publikuar me pamje nga kalaja e Kaninës fton turistët vendas e të huaj ta vizitojnë atë.

Sipas Lelit, kjo kala përbën një atraksion të jashtëzakonshëm për turizmin historik e kulturor, në Vlorë.

Kastriot Hoxha, ciceroni i kalasë shprehet se “kalaja është në një fushë të rrethuar me mure dhe përballë saj është deti, që duket si në pëllëmbë të dorës. Këto kanë qenë sarajet e pashallarëve të Kaninës”.

Sipas tij, Sulejmani i madhërishëm e ka vizituar Kaninën dhe ka lënë porosi ta kenë kujdes atë.

“Kjo është pika ku dashur pa dashur të gjithë vizitorët qëndrojnë dhe shikojnë fshatin, ata mahniten nga bukuria . Në kala është edhe teqeja, më parë në vend të saj ka qenë një kishë dhe me ardhjen e Sulejman Pashait, admirali i madh e ktheu në teqe”, – tha Hoxha.

Ai tregon se Ernest Koliqi kur e pa për herë të parë Kaninën nga mali i Shashicës ka thënë: Për Kaninën Perëndia kur e pa si diell mbi det tha, “nuk është nga veprat e mia këtë mrekulli dikush tjetër e ka bërë””.

Kalaja e Kaninës është vizituar nga Sulejmani i Madhërishëm, ndërkohë që simbolika e saj, merr dimensione të tjera me emrat e Gjergj Arianitit, Donika Kastriotit, pashallarëve të famshëm protagonistë të fazave të ndryshme të Perandorisë Turke, Ismail Qemalin etj.

Struktura e ndërtimit të saj, evokon ngjashmëri me objekte të tjera si kalatë e Beratit, Durrësit etj. Kalaja ngrihet në majë të një kodre me lartësi 380 metra mbi nivelin e detit. Ajo ka një sipërfaqe prej 3,6 hektarësh. Prej këndej hapet një pamje mjaft e bukur drejt Vlorës dhe gjirit të saj.

Në këtë zonë, ngrihet një kodër në të cilën gjenden rrënojat e një qyteti të vjetër, atij të Kaninës. Këtu lugina e Lumit të Vlorës shtyhet deri në rrëzë të kodrës duke e lehtësuar tepër lidhjen e zonës bregdetare me atë të thellë.

Vizitorë të shumtë që pushojnë gjatë verës në gjirin e Vlorës, vizitojnë edhe kalanë e Kaninës. /atsh/ KultPlus.com

Vaskat e gurit në Ndërlysaj të Thethit, skulpturë e vërtetë natyrore

Thethi, i ndodhur në zemër të Alpeve 70 km larg nga Shkodra, po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e të apasionuarve pas natyrës.

Në Theth turistët mahniten me bukuritë natyrore të bjeshkëve të veriut, të cilin e zgjedhin për të kaluar disa ditë pushimi larg zhurmave të qytetit dhe përditshmërisë.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, publikoi sot pamje nga Vaskat në Ndërlysaj, Theth, të cilat nuk mungojnë në itenerarin e turistëve që vizitojnë këtë fshat malor.

Vaskat e Ndërlysaj ndodhen në fshatin me të njëjtin emër, 8 km larg Thethit.

Aktiviteti gërryes i ujit dhe gurët gëlqerorë kanë formuar një pamje të jashtëzakonshme dhe vende-vende edhe vaska uji.

Gjatë rrugës për te vaskat janë vendosur edhe punime druri vende për të pushuar, në mënyrë që vizitorët ta shijonin sa më shumë atë ujëvarë të vogël të Lumit të Zi dhe syrin si pus që ai formon.

Vaskat e gurit në Ndërlysë janë formacione shkëmbore të krijuara nga prurjet e bollshme të ujit të lumit të zi që zbret nga fshati Kaprre. Në fshatin Kaprre ky ujë krijon Syrin e Kaltër, një bukuri e natyrës që mahnit çdo vizitor.

Pamja e tyre është mjaft interesante dhe e bukur, pasi ka forma shumë të ndryshme e të veçanta. Në pjesën më të madhe janë të lëmuara dhe të rrumbullakëta dhe ngjasojnë si vaska të punuara nga një artist me shije perfekte. Gjatë periudhës së sezonit veror ato shfrytëzohen edhe për t’u freskuar nga vizitorët e shumtë të tyre.

Këto masive shkëmbore me bukuri përrallore shoqërohen edhe me një pishinë natyrore me ujë të kristalte ku mund të bëni edhe plazh nën urën më të bukur që bashkon dy shkëmbinjtë e malit mbi pishinën ku aventurierët mund të hidhen për t’u larë.

Vaskat janë formacione shkëmbore të rralla. Ato rrethohen nga vargmalet e gjelbëruara dhe lagen pa pushim nga ujërat e rrëmbyer të lumit dhe përrenjve të shkrirë nga bora. Mahnitesh nga format e shumta dhe të parregullta gjeometrike.

Ato janë gdhendur në shekuj nga stërkalat e ujërave shkëmborë. Faqet e vaskave natyrale janë të lëmuara dhe shpesh gjatë muajve të nxehtë janë pishinat ideale për të freskuar trupin. Kujdes! Vaskat nuk janë të përshtatshme për fëmijët e pashoqëruar nga prindërit!

Gurët e stërmëdhenj janë kryesisht të bardhë, por dallohet në damarët e tyre edhe një tonalitet i lehtë rozë që u jep pamje edhe më të bukur. Vaskat ngrihen mbi një luginë të gjatë, thuajse të zhveshur në shtrat dhe rrethuar nga bimësi e ulët në krahët malorë. Gdhendja që u ka bërë gërryerja e ujërave të borës është e pabesueshme, i ngjan një monumenti gjigand të skalitur prej shumë skulptorëve njëherësh.

Lugina e lartë e Thethit, një nga zonat më të veçanta të këtyre alpeve, ndodhet 750 deri 950 m mbi nivelin e detit, me një sipërfaqe prej 2630 hektarësh e pyllëzuar dhe e ruajtur mirë nga dëmtimet./atsh/ KultPlus.com

Ambasadorja Vasak në Gjirokastër, diskutohet bashkëpunimi në fushën e turizmit dhe kulturës

Ambasadorja e Francës në vendin tonë, Cristina Vasak zhvilloi një vizitë në Gjirokastër në kuadër të kremtimit të 15-vjetorit të pranimit në UNESCO të qytetit të gurtë.

Në kuadër të kësaj vizite ajo zhvilloi një takim edhe me kryetarin e bashkisë, Flamur Golemi.

Golemi informoi se në takim u diskutua për bashkëpunimin në fushën e turizmit dhe kulturës.

“Sikundër ia shpreha ambasadores, do të ishte vlerë e shtuar për Gjirokastrën nëse Aleanca Franceze do të kishte një qendër edhe këtu. Kjo do t’i shërbente ndërlidhjes më të mirë me kulturën frankofone dhe zbatimit të projekteve konkrete”, u shpreh ai.

Ekspozohen foto të dixhitalizuara të Ismail Qemalit në COD

Në Qendrën për Hapje edhe Dialog janë ekspozuar katër fotografi të Ismail Qemal Vlorës.

Kjo ekspozitë hapet pas një përpunimi të thellë grafik dixhital të fotove të përzgjedhura me metodën piksel për piksel, duke përdorur teknologjinë e fundit dixhitale.

Ekspozita në COD është një përzgjedhje e katër fotove prej 30 gjurmësh që ruhet në dosjen 4547 në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave. Ato tregojnë jo vetëm portretin, bustin, statutin dhe shijen e tij por edhe jetën e tij në vite të ndryshme. Përmes fotografive që përçojnë identitetin e tij, nga e para e shkrepur në Atjinë, si djalosh 23-vjeçar në vitin 1867 e deri tek portreti zyrtar që njihet nga të gjithë, realizuar 107 vite më parë, transmeton KultPlus.

Imazhi i parë, i përket harkut kohor 1866-1870, kur Ismail Qemal Vlora, sapo kishte filluar të hidhte hapat e para në karrierën e tij të gjatë në administratën e Perandorisë Osmane. Është pikërisht periudha kur u transferua fillimisht në Ruscuk (Ruse sot, në Bullgari) qendra e Vilajetit të Danupit, guvernator i së cilës ishte Mithat Pasha. Ndërsa, me transferimin e Mithat Pashës në Stamboll si President i Këshillit të Shtetit,  dhe Ismail beu u transferua po në atë këshill. Gjatë kohës që ishte në Ruscuk u martua me Kleoniqi Surmeli, martesë që zgjati 51 vite. Nga kjo martesë e dytë lindën dhjetë fëmijë, gjashtë djem e katër vajza.

Imazhi i dytë i përket periudhës 1844-1890, periudhë gjatë së cilës Ismaili shërbeu si guvernator i provincës së Blou-së, një nga provincat më të rëndësishme aziatike në afërsi të Stambollit. Gjatë kësaj periudhe 6-vjeçare Ismail beu u dallua për aftësitë drejtuese dhe menaxhuese. Ndërtimi i mjaft veprave të rëndësishme publike si, spitale, rrugë etj.

Imazhi i tretë, është realizuar në Vjenë (1913) në ambientet e brendshme të “Grand Hotel”, Ismail Beu si kryeministër i qeverisë shqiptare edhe ministër i Punëve të Jashtme të saj, ishte vendosur në mbrojtje të të drejtave të popullit shqiptar në kryeqytetet europiane, veçanërisht në Londër, ku zhvillonte punimet Konferenca e Ambasadorëve.

Imazhi i katërt, fotografia e famshme e tij, është realizuar nga fotografi Vani Bruda gjatë vitit 1913. Fotoja është e periudhës kur Ismail Qemal Vlora ishte kryeministër i Qeverisë. Kjo është fotografia zyrtare me të cilën identifikohet shteti shqiptar. /shqiptarja/ KultPlus.com

10 vende përrallore në Shqipëri, të përshkruara nga guida amerikane Fodor’s

“10 vende përrallore për të cilat s’keni dëgjuar kurrë, në një shtet për të cilin mendoni rrallë” – kështu e ka titulluar shkrimin faqja e njohur turistike fodors.com, e cila më tej vazhdon:

“Nëse jeni duke kërkuar për foto mbresëlënëse dhe një ambient të mrekullueshëm, shikoni qytetet dhe fshatrat me pamje magjike të Shqipërisë.”

Fodors.com ka renditur disa nga vendet më të bukura të Shqipërisë që sipas saj ia vlen të vizitohen nga turistët e huaj. Sipas kësaj faqeje, këta janë disa nga qytetet dhe fshatrat më piktoreskë në Shqipëri.

Berati: Qyteti i një mbi një dritareve

Duke qëndruar në një mjedis të thyer malor, Berati ka fituar titullin “Qyteti i një mbi një dritareve” për numrin e madh të dritareve në kodrën e pjerrët përreth qytetit të vjetër. Në vitin 2008, qyteti është renditur si vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s për shtëpitë e stilit osman dhe atmosferën e përrallave. Tre lagjet e vjetra në Berat – Kalaja, Mangaleni dhe Gorica shfaqin banesa tradicionale me mure të bardha, çati me pllaka dhe rrugë me kalldrëm, që krijojnë një imazh ikonik të qytetit të njohur për pamjen e tij magjike. Berati ende ka shembuj të jashtëzakonshëm të arkitekturës së vjetër që shkojnë nga lagjet historike rrëzë malit deri në kështjellën në kodër.

Qyteti i Krujës: Kryeqyteti mesjetar i Skënderbeut

Kruja, një qytet shumë i vogël jo larg Tiranës, është vendlindja e heroit kombëtar Skënderbeut, mbi 500 vite më parë. Stendat e pazarit të vjetër janë të mbushura me vepra antike dhe artizanale, tradicionale të punuara me dorë, që drejtojnë rrugën e cila të çon deri në portat e kalasë. Në pjesën e vjetër të qytetit, shtëpitë qëndrojnë rrëzë një mali ku mbizotërojnë rrënojat e një kështjelle antike me pamje nga lugina. Merlika është një nga shtëpitë e vjetra në Krujë dhe ka ruajtur stilin e mrekullueshëm osman. Këtu mund të qëndroni në apartamente luksoze, të hani darkë duke parë zjarrin që digjet në një sobë mesjetare ose të admironi një muzg të paharrueshëm në tarracën e jashtme.

Gjirokastra: Qyteti i gurtë

Gjirokastra u shpall qytet muze në vitet ’60 dhe fitoi titullin “Qyteti i Gurtë” për qindra ndërtesa të ndërtuara me gurë. Ky qytet renditet gjithashtu si një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Përveç një pazari shumë aktiv në stilin osman në qendër, ndodhen shtëpi me dy kate, me çati të bardha dhe ka një atmosferë të mrekullueshme. Dikush mund të endet në rrugët e pjerrëta të shtruara me gurë gëlqerorë me orë të tëra dhe të vizitojë disa shtëpi tradicionale.

Thethi: Udhëtimi si në përralla nëpër Alpet Shqiptare

Thethi është një fshat malor në kullotat e larta të Alpeve Shqiptare në veri të vendit. Fshati është i rrethuar nga një mjedis romantik, kreshta malesh të dhëmbëzuara, ujëvara dhe burime malore të pacënuara. Udhëtimi për të arritur këtu është mjaft aventuresk. Për të plotësuar këtë mjedis përrallor, akomodimi dhe ushqimi janë në dispozicion vetëm në shtëpi të ndërtuara me gur vendas, të drejtuara zakonisht nga familje të tilla si “Shpella Guesthouse”.

Valbona: Pushim në Alpet Shqiptare

Fshati i vogël i Valbonës është i vendosur në një peizazh të mrekullueshëm rrëzë maleve, në një kullotë të gjerë të rrethuar nga maja malesh. Është një nga vendbanimet më të largëta në vend dhe mund të mbërrini aty përmes luginës së Valbonës. Pavarësisht vendndodhjes së izoluar, ajo ruan një romancë të pakrahasueshme dhe një atmosferë unike dhe paqësore. Valbona lidhet me Thethin përmes një shtegu malor spektakolar.

Korça: Qyteti i serenatave

I njohur si “Qyteti i serenatave”, Korça ndodhet në pjesën juglindore të vendit, shumë afër liqenit të famshëm të Ohrit. Qendra e qytetit ka pësuar rinovim urban dhe tashmë është një vend i bukur për të shëtitur dhe admiruar trashëgiminë vendase, veçanërisht lagjen e vjetër me kafene tradicionale dhe restorante elegante. Gjithashtu, lagjet në qendër të qytetit kanë sheshe piktoreske, shtëpi të bardha dhe oborre komode.

Dhërmi: Fshati midis detit dhe maleve

Dhërmiu është i famshëm për plazhet dhe baret në bregdet. I mbizotëruar nga një manastir i vjetër magjik, fshati ka rrugë të ngushta gjarpërushe, të shtruara me kalldrëm dhe shtëpi të lara me të bardha, me oborre të vogla me hardhi. Dhërmiu është pa dyshim një nga fshatrat më të bukur shqiptarë, ku natyra dhe arkitektura lokale plotësojnë festivalet e plazheve dhe pushimet bregdetare.

Himarë: Fryma mesdhetare e qyteteve të vogla

Ndryshe nga riviera e qytetit, fshati kodrinor dhe kështjella nuk janë të mbushura me vizitorë. I ngritur mbi një shkëmb të pyllëzuar lart mbi bregdet, fshati i vjetër ka frymën mesdhetare të qyteteve të vogla të detit Jon, një kështjellë të rrënuar me pamje të mrekullueshme të detit dhe rrugicat tërheqëse të mbuluara nga lule rozë.

Vuno: Fshati tipik bregdetar

E vërteta është se është një fshat i lezetshëm, me rrugica të ngushta, pamje të detit dhe një vend intrigues për pikat më fotozhenike të rivierës. I ndërtuar në një shpat mali, ai ka një pamje unike me shtëpi të vogla majë kodrës.

Preza: Fshati në kala

Preza është një fshat i vogël në pjesën qendrore të Shqipërisë, shumë afër aeroportit të Tiranës. Aty ndodhet një kështjellë kodrinore me mure fortifikuese, një xhami antike dhe disa ndërtesa mesjetare. Aty ndodhet një restorant elegant me një tarracë me pamje panoramike. / Ndertiminfo/ KultPlus.com

Rrajca 3 vjet në UNESCO, mrekullia natyrore që tërheq turistë në çdo stinë

Administrata e Zonave te Mbrojtura Elbasan soli sot në vëmendje 3-vjetorin e Rrajcës në Unesco.

Rrajca është një destinacion i preferuar i turistëve vendas dhe të huaj sepse ofron bukuri të jashtëzakonshme natyrore.

Rrajca ka 2129.5 ha  zona strikte, 2509.85 zona buferike. Në 7 korrik 2017, në Sesionin  e 41-të i Komitetit të Trashëgimisë Botërore, i mbledhur në Krakovë, Poloni u miratua zgjerimi i zonës së Trashëgimisë Botërore të pyjeve të vjetër të Ahut (Fagus sylvatica, L.) edhe me dy zona nga Shqipëria, duke i përfshirë ato në Listën e Trashëgimisë Botërore të Unesco-s.

Ky zgjerim ndërkufitar i siteve të Trashëgimisë Botërore të pyjeve primar të Ahut të Karpateve dhe pyjeve të Ahut të Gjermanisë (Gjermania, Sllovakia, Ukraina) shtrihet në 12 vende.

Që nga fundi i epokës së fundit të akullnajave, Ahu evropian u përhap nga disa strehime të izoluara në Alpe, Karpate, Mesdhe dhe Pirene, për një periudhë të shkurtër prej disa mijë vitesh në një proces që është ende në vazhdim.

Ky zgjerim i suksesshëm lidhet me fleksibilitetin e llojit dhe tolerancën e kushteve të ndryshme klimatike, gjeografike dhe fizike.

Pyjet primar të Ahut të Karpateve dhe në rajonet e tjera të Evropës (Shqipëri, Austri, Belgjikë, Bullgari, Kroaci, Gjermani, Itali, Rumani, Sllovaki, Slloveni, Spanjë, Ukrainë), përfshihen në Listën e Trashëgimisë Botërore, të UNESCO-s.

Rrajca, një fshat në lartësitë e Librazhdit pjesë e Parkut Kombëtar Shebenik Jabllanicë, po kthehet çdo vit e më tepër një atraksion i fuqishëm turistik. Brenda parkut gjenden mbi 14 liqene akullnajore të vogla me bukuri madhështore, të cilat ndodhen në një lartësi mbi 1900 metra mbi nivelin e detit.

Janë Liqenet akullnajore të Rrajcës, pjesë e këtij Parkut, që e bëjnë Rrajcën një nga destinacionet e veçanta turistike natyrore që mund të eksplorohen në çdo stinë. /atsh/ KultPlus.com

COVID-19 nuk e ndalë SBASHK-un, 400 mësimdhënës nisen për pushime në Shqipëri

Ndonëse situata me coronavirus në vend tashmë po konsiderohet të jetë jashtë kontrollit, kjo nuk po i ndalon SBASHK-un që të dërgoj mësimdhënësit në pushime në Durrës.

400 mësimdhënës për pesë ditë do të qëndrojnë në kompleksin turistik “Bonita” në Durrës. Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

Jasharaj ka thënë se kërkesa për të shkuar në pushim ani pse në kohë pandemie ka qenë e mësimdhënësve, dhe se do të bëjnë çmos që të respektohen masat për parandalimin e përhapjes së virusit.

“Të gjitha vendimet për angazhimet e SBASHK-ut i sjell Këshilli Drejtues që është organi më i lartë i SBASHK-ut në mes të dy kongreseve. Këshilli Drejtues ka vendosur  me kohë që të vazhdohet me traditën e filluar para disa viteve për dërgimin e një numri të caktuar të anëtarëve në bregdetin shqiptar. Kësaj radhe ishte një situatë më ndryshe dhe prandaj kemi komunikuar vazhdimisht me kryetarët e nivelit komunal dhe të universiteteve dhe me vetë të përzgjedhurit nga shkollat e njësit akademike, ata janë shprehur se duan të shkojnë në pushime edhe në këto rrethana të reja dhe ne stafi qendror jemi me ta dhe do të bëjmë çmos që të respektohen masat e institucioneve përgjegjëse”, ka thënë Jasharaj.

Jasharaj ka theksuar se mësimdhënësit janë të ndarë në dy grupe dhe se grupi i parë është nisur sot.

“Mësimdhënësit janë të ndarë në dy grupe me nga 200 persona. Grupi i parë i mësimdhënësve është nisur sot, aty do të qëndrojnë për pesë ditë ku një ditë pastaj do të pauzojmë për shkak që kompleksi të dezinfektohet, dhe pastaj do të niset edhe grupi i dytë poashtu prej 200 mësimdhënësve”, tha Jasharaj.

Kryetari i SBASHK-ut bëri të ditur se kompleksi hotelier “Bonita” ku do të akomodohen mësimdhënësit ka kapacitete shumë më të mëdha të akomodimit.

Ai theksoi se masat e kujdesit janë në nivel të duhur dhe çdo gjë do të shkojë mbarë.

Ndryshe në Shqipëri deri më tani janë infektuar 2893 persona ndërkaq 76 kanë humbur jetën.

Kurse në Kosovë numri i të infektuarave nga COVID-19 ka arritur në 3508 kurse 75 persona kanë humbur jetën. /Telegrafi/ KultPlus.com

Bashkia hap konkurs për projektimin e ndërtesës së Teatrit në Tiranë

Bashkia e Tiranës ka hapur konkurs për projektin e Teatrit të ri Kombëtar.

Ky veprim është ndërmarrë pak më shumë pasi është bërë një muaj pas shembjes së ndërtesës së Teatrit.

“Studim-Projektim- Ndërtim i Teatrit Kombëtar”, mban titullin konkursi i administratës së kryeqytetit shqiptar. Pas këtij veprimi janë ngritur zëra se projekti i shumëreklamuar i danezit Bjarke Ingels nuk është opsioni i vetëm për ndërtimin e objektit të ri të Teatrit.

Sipas konkursit, Bashkia ka llogaritur që projektimi të ketë kosto financiare deri në 60 milionë lekë të rinj ose 482 mijë e 951 euro, transmeton KultPlus.

Ofertat nga studiot private pritet të dorëzohen brenda 10 ditëve, deri më datën 14 korrik. Mediat shqiptare kanë raportuar se kompanitë kanë vetëm 10 ditë kohë për të menduar, projektuar, studiuar e mandej propozuar një projekt.

Sipas raportimeve, praktikisht është e pamundur nëse nuk është përgatitur ndonjë projekt më herët. Sipas konkursit, godina e re e Teatrit Kombëtar propozohet ”për ndërtim në truallin ekzistues, sipas të gjitha standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare të projektimit të objekteve të ngjashme”. Bashkia e Tiranës, në dokumentet e tenderit, ka prezantuar detaje mbi mënyrën se si kërkohet të jetë projekti për Teatrin e ri Kombëtar.

Objekti teatror qe shembur në mëngjesin e hershëm të 17 majit. Kjo ka ndodhur pas 2 vjet përplasje midis një pjese të komunitetit artistik dhe autoriteteve lokale e qendrore. / KultPlus.com

Ujëvara e Sotirës, një kryevepër natyrore

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi sjell pamje fantastike të Ujëvarës së Sotirës dhe bukuritë natyrore që ka parku i Tomorit.

Klosi fton pushuesit dhe turistët që të vizitojnë këtë destinacion fantastik turistik.

“Nga burimet e ujit të Malit të Tomorit krijohet Ujëvara e Sotirës. Një atraksion turistik, që tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë e pushues”, shprehet Klosi.

Ujëvara e Sotirës ndodhet rreth 60 kilometra larg Gramshit dhe për të arritur në zonën e ujëvarës duhet të ecësh rreth dy orë në këmbë nga fshati Sotirë, nga ku ka marrë emrin ujëvara.

Ujërat burojnë nga mali i Tomorit dhe zbret nga një lartësi prej 100 m. Në verilindje të Tomorit, ndodhet një burim i fuqishëm që vjen nga një e çarë gjatësore në shkëmbin gëlqeror të thepisur. Peizazhi i shpatit ku uji del, në mes të pyjeve e pemëve të lisit është i mrekullueshëm. Zhurma e ujit mund të dëgjohet shumë larg.

Kjo ujëvarë tashmë është kthyer në një vend pelegrinazhi për turistët vendas dhe të huaj. Çdo fundjavë ajo pret me qindra vizitorë.

Ujëvara e Sotirës është vizituar nga qindra turistë këtë vit pas pandemisë dhe fluksi vazhdon të rrite me rritjen e temperaturave në sezonin e verës pasi natyra e bukur e Tomori ofron jo vetëm freski, por bukuri të rralla natyrore, ecje në këmbë në shtigje malore, bimësi të harlisur dhe vendpushime të mrekullueshme për kampingje malore./ atsh/ KultPlus.com

Travel Stained: Syri i Kaltër duhet parë për ta besuar që ekziston

Syri i Kaltër në Shqipëri është një nga ato peizazhe tepër të rralla natyrore, që duhet parë për ta besuar që ekziston, sepse duket kaq shumë si nga një botë tjetër, si një skenë e shkëputur nga ”Avatar”,  shkruan Shelley, blogere në faqen e njohur turistike travel-stained.com.

Syri i Kaltër në Shqipëri është një burim i pafund ujërash të ëmbla të bruzta, që duket pikërisht si një sy njerëzor i shndritshëm. Ngjyra është kaq verbuese dhe e ndritshme, saqë është e vështirë të besohet se është një fenomen krejt natyror.

Ai është një burim karstik vertikal, të paktën 50 metra i thellë, sepse vetëm aq është thellësia më e madhe deri ku kanë shkuar zhytësit. Nuk ka arritur kurrë njeri deri në fund.

Vendasit dhe turistët dynden te Syri i Kaltër në korrik dhe gusht për të shijuar ujin e ftohtë dhe për t’u kënaqur me gjelbërimin e shelgjeve dhe lisave që rrethojnë burimin.

Gjatë verës së nxehtë shqiptare,  ky burim mistik është jashtëzakonisht ripërtëritës, pasi temperatura në sipërfaqe qëndron në 10 gradë Celcius, edhe në temperaturat më të larta.

Gjithashtu, aty mund të gjeni edhe një platformë panoramike, që bie drejtpërdrejt mbi Syrin e Kaltër.

Ai është edhe vendi nga ku hidhen më trimat, për t’u zhytur në qendër të Syrit të Kaltër.

Syri i Kaltër ndodhet pranë fshatit Muzinë, në jug të Shqipërisë.

Këtë vend të mrekullueshëm është më e lehtë ta vizitosh gjatë një udhëtimi ditor nga qyteti veror i Sarandës ose nga qyteti i listuar në UNESCO, Gjirokastra. /atsh/ KultPlus.com

Aleanca për Teatrin bën denoncimin në SPAK

  

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka dorëzuar sot në SPAK denoncimin për prishjen e Teatrit Kombëtar, ndërkohë që për mediat përfaqësuesja e tyre është shprehur besimplotë se fajtorët do të marrin dënimin.

“Fakti që vijmë pranë SPAK-ut do të thotë që shumë shpejt gjërat do të levizin. SPAKU ka filluar një hetim për të gjithë ato që ne kemi akuzuar s’e kanë shkelur ligjet. Nuk e dimë se çfarë hetimesh po bëhen konkretisht, por e dimë që është një hetim i thelluar,”-shprehet përfaqësuesja e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

Ndërkohë aktori Mehdi Malkaj tregoi arsyet se përse Teatri Kombëtar ishte një godinë e mbrojtur, ndërsa gjithashtu kishte shumë shpresa për rindërtimin e tij:

“Shkyerja e Teatrit Kombëtar ishte e dhimbshme dhe e trishtuar. Unë di një gjë, që e ka emrin Teatër Kombëtar, si s’qenka i mbrojtur?! Kemi ne të drejtë të ndrërrojmë vargjet e himnit, se është kombëtar?! Dhe Teatri është kombëtar.

Në këtë rast jam besimplotë për rindërtimin, pavarësisht se ajo që është prishur në Shqipëri nuk është rindërtuar më. Këtu kam shumë besim që do rindërtohet se ka edhe një pjesë euroipiane që janë të ndjeshëm ndaj kësaj çështje. Ne jemi i vetëm popull që jemi kufizuar me vetën, jemi të kufizuar vetëm me shqiptarë. Kjo ka ndikuar deri më tani.” / Konica.al / KultPlus.com

Dibra, thesar natyror me kaq shumë për t’ju dhënë

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ftoi qytetarët të shtojnë Dibrën në listën e destinacioneve ku ata do të udhëtojnë këtë verë, pasi kjo zonë përbën një nga rajonet më të bukura të turizmit malor.

Në kushtet e kufizimit të lëvizjeve si masë mbrojtëse ndaj COVID-19, qytetarët mund t’u drejtohen zonave të vendit që duhen zbuluar si destinacione turistike.

Klosi u sugjeron pushuesve ta zgjerojnë listën e vendeve që duhen vizituar edhe me Dibrën, pasi ofron një vend me natyrë të jashtëzakonshme, ajër të pastër, një vend piktoresk dhe kuzhinë tradicionale.

“Diçka që duhet ta shtoni medoemos në listën e planeve tuaja: Të zgjoheni në ajër të pastër duke shijuar pamjen e vargmalit më të lartë në vendin tonë, të zbuloni peizazhet piktoreske e më tej të ktheheni të shijoni një pjatë të shijshme me Jufka, të gatuar nga banorët e zonës, teksa ju flasin për zakonet e traditat e tyre. Ku? Në Dibër, një thesar natyror që ka kaq shumë për t’ju dhënë”, shprehet Klosi.

Dibra ka malin e Korabit, luginën e Drinit dhe Lurën me liqenet e saj me bukuri të jashtëzakonshme, vargmale dhe pllaja pa fund një vend që duhet të vizitohet pasi u ofron shumë pushuesve. /atsh/ KultPlus.com

Mrekulli në Himarë, delfinët dhurojnë spektakël (VIDEO)

Pamje mahnitëse vijnë nga ujërat e detit Jon. Teksa ka qenë duke pushuar në Himarë regjisorja Vera Grabocka ka filmuar një mrekulli në det.

Një grup delfinësh, si rrallë herë janë shfaqur në ujërat shqiptare.

“Ne detin Jon per here te pare shoh kaq shume delfine. Mrekulli!! #amazingalbania “, shkruan Grabocka. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/CB7rwptAGy4/?utm_source=ig_web_copy_link

Sipas akademikut Beqir Meta, në Shqipëri s’ka më vend për minoritete të tjera

Akademiku Beqir Meta e quan korrekte njohjen e gjuhës së pakicave, por në një intervistë për “ReportTv” ai analizon një tjetër projektvendim të qeverisë, atë për ngritjen e një komisioni ad-hoc, që të njohë një pakicë kombëtare. Sipas tij, në Shqipëri s’ka më vend për aplikime të tilla, pasi çështja e pakicave është e mbyllur.

Anëtarësimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, një shekull më parë do të shënonte edhe njohjen e tre pakicave kombëtare, greke, bullgare dhe sllave-malazeze. Ndërkohë, pas një shekulli vendi ynë njeh të drejtat e 9 pakicave kombëtare. Por, ligji i miratuar në vitin 2017 për “Pakicat kombëtare” është pasuar dhe me të tjera risi. Një projektvendim i këtij viti parashikon njohjen formale të një pakice, që të bëhet nëpërmjet paraqitjes së kërkesës pranë Ministrisë së Brendshme nga grupi i shtetasve të përbërë nga jo më pak se 300 persona, por edhe të shqyrtohet nga komisioni ad-hoc, që ngrihet për këtë qëllim. Drejtori i Institutit të Historisë, Beqir Meta, e konsideron këtë iniciativë jo vetëm të pa vend, por edhe të dëmshme për Shqipërinë.

“Unë mendoj se çështja e pakicave kombëtare është e mbyllur, nuk ka vend as për aplikime dhe as për shqyrtime. Para disa vitesh, kur ministër i Brendshëm ishte Fatmir Xhafaj, ai më drejtoi një shkresë zyrtare. Unë asokohe i kam dhënë të gjitha argumentet, që ngritja e një komisioni të tillë është e pabazuar, e panevojshme dhe e dëmshme, sepse minoritete s’mund të bëhen me aplikime”.

Por, a është domosdoshmëri për të aderuar Shqipëria në Bashkimin Europian ky projektligj?

“Për të aderuar në BE ka një kategori normash të caktuara, detyrimet themelore janë ato që përcaktojnë që kjo shoqëri edhe ky shtet të aderojë në këto norma. Institucionet politike edhe jopolitike duhet që të jenë të tilla, që të kenë performancë evropiane. Shqipëria çalon në ndërtimin e institucioneve, sepse elita politike shqiptare, se ka bërë të vetën, këtë si domosdoshmëri të zhvillimit të Shqipërisë, përkundrazi për ata është kryesore pushteti edhe interesat e pushtetit, që shkojnë në përfitim me BE-n. Për ta kompensuar këtë evropianeve u shiten, si kampion tek njohja e minoriteteve. Këtu cenohen interesa të shtetit, por jo interesat e tyre pushtetmbajtëse. Kanë bërë lëshime të rënda, që janë të palogjikshme, ne si intelektualë jemi në zbatim të të drejtave të minoriteve, por jo të bëhemi qesharakë. Pasi kjo mund të sjellë një kakofoni brenda shtetit, që mund të krijohen edhe probleme politike edhe në marrëdhënie ndërkombëtare. Këtë se ka asnjë shtet shqiptar. Këto iniciativa janë për shou edhe është e dëmshme për shtetin”.

Një tjetër projektligj i qeverisë është dhe njohja e gjuhës së minoriteteve, kur ato përbëjnë 20 për qind të popullsisë në një njësi administrative.

“Kjo është korrekte, nuk ka asnjë problem. Nëse në një njësi administrative një minoritet përbën 20 për qind të popullsisë, kjo është korrekte, pasi është legjislacion që ka funksionuar, por të bësh minoritete me 300 firma është absurditet”, thotë Meta.

Akademiku edhe historiani Beqir Meta bën ftesë iniciatorëve të këtij projektligji që të organizojnë një tryezë të përbashkët me historianët edhe sociologët shqiptarë, për të dhënë argumentet e tyre mbi këtë iniciativë/Shqiptarja / KultPlus.com

“Perlat” e Shqipërisë, këtë verë një mundësi për të zbuluar më shumë destinacionet tona turistike

Shqipëria e cilësuar si perla e Ballkanit njihet për bukuritë e zonave bregdetare dhe malore, që gjithnjë e më shumë po tërheqin turistët vendas e të huaj në çdo stinë të vitit.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot një video me pamje nga vendet më të bukura të Shqipërisë, nga veriu në jug.

“Me disa imazhe perla të Shqipërisë, të cilat edhe me kushtet e pamundësisë për të lëvizur lirisht jashtë uroj të keni kohë e mundësi për t’i vizituar këtë verë”, – shprehet Rama.

Në videon promovuese me sloganin “Unë rri në shtëpi”, thuhet se “sekreti i fundit i Europës ka ende shumë për të zbuluar, edhe për ne që jetojmë këtu. Këtë verë e cila do të jetë pak më ndryshe nga të tjerat ashtu siç qëndruam në shtëpi për të mbrojtur familjet tona le të zgjedhim të qëndrojmë në vendin tonë dhe ta kthejmë këtë situatë në një mundësi për të zbuluar më shumë  natyrën shqiptare, vendet më të bukua ato të pazbuluara ende, historinë dhe traditat dhe për të mbështëtur të gjithë ata që punojnë në sektorin e turizmit. Bashkohu me nismën “Unë rri në Shqipëri” dhe fillo të bësh planet afër teje dhe ato më të largëtat., ku mund të udhëtosh , të zbulosh, të shijosh, të festosh shqip”.

Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë, Sarandë, etj, plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve, edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës.

Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj., janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor./atsh/ KultPlus.com

5 mijë bileta falas për Muzeun Arkeologjik dhe Amfiteatrin në Durrës

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako dhe Ministrja e Kulturës, Elva Margariti nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit për “Nxitjen dhe promovimin e turizmit kulturor në Muzeun Arkeologjik dhe Amfiteatrin, Durrës, nëpërmjet hyrjes pa pagesë”.

Në bazë të marrëveshjes, ministria i ofroi bashkisë Durrës 5000 (pesë mijë) bileta me vlerë zero, për periudhën 23 Qershor – 31 Gusht për të dy institucionet e trashëgimisë, Muzeun Arkeologjik dhe Amfiteatrin në Durrës.

Krybashkiakja Sako u shpreh se qyteti i Durrësit, është një ndër qytetet me trashëgiminë arkeologjike më të pasur në vend dhe në rajon.

Pas situatës së tërmetit dhe asaj të pandemisë nxitja e turizmit gjatë këtij sezoni merr një rëndësi të veçantë.

Kjo marrëveshje për mbështetjen e bizneseve turistike duke ofruar falas biletat për sitet e Trashëgimisë Kulturore për sezonin veror shërben për të nxitur turizmin kulturor, si dhe për t’i ardhur në ndihmë operatorëve turistikë, bizneseve, si dhe institucioneve dhe subjekteve private që lidhen në mënyrë direkte apo indirekte me turizmin kulturor./atsh / KultPlus.com

Restaurohet xhamia e Gjin Aleksit në Delvinë, kosniderohet monument kulture i kategorisë së parë (VIDEO)

Ka përfunduar restaurimi i xhamisë Gjin Aleksi në Rusan të Delvinës, monument kulture i kategorisë së parë, duke e shndërruar në një destinacion turistik për vizitorë vendas dhe të huaj.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamjet pas restaurimit të xhamisë duke theksuar se iu rikthye shkëlqimi i harruar dekada me radhë.

“MIRËMËNGJES , dhe me xhaminë e Gjin Aleksit në Rusan të Delvinës, monument kulture i kategorisë së parë, që i rikthyem shkëlqimin e harruar dekada me radhë ju uroj një fundjavë të mbarë!”, shprehet Rama.

Xhamia e Gjin Aleksit është një perlë e arkitekturës, por edhe e trashëgimisë sonë kulturore, për nga stili, shtresëzimet kulturore, pikturat murale dhe historia e saj, një dëshmi e vërtetë e bashkëjetesës kulturore dhe fetare të shqiptarëve.

Ajo është ndërtuar në shekullin 16 mbi rrënojat e një kishe bizantine. Në oborrin e saj gjenden si një kishë ashtu dhe një teqe. Ky monument kulture është i llojit “Arkitekturë” dhe mori statusin në vitin 1963. / KultPlus.com