Sara Perico: Turizmi në Shqipëri do të jetë një histori suksesi

Në prag të sezonit veror dhe me një turizëm global në pikëpyetje për shkak të pandemisë, ne parashikojmë një të ardhme të suksesshme për turizmin shqiptar, shkruan Sara Perico e vadoinalbania.it, një operator turistik që promovon Shqipërinë në Itali dhe që kryesisht është i përqendruar në turizmin kulturor, natyralist dhe mjedisor.

”Në janar ishim bërë tashmë gati për sezonin, të karikuar dhe plot entuziazëm.

Programi ynë i tureve dhe ekskursioneve ishte i mbushur me propozime, njëri më interesant se tjetri dhe, gjithashtu, kishim gati edhe një gamë të gjerë hotelesh e apartamentesh për pushime.

Një punë përzgjedhëse e shkëlqyer e strukturave dhe burimeve, e bëre me kujdes dhe përpikmëri për të ofruar më të mirën, sepse ky është misioni dhe qëllimi ynë kryesor.

Ky vit, përsërisnim gjithmonë me vete, do të jetë vit i mrekullueshëm për Shqipërinë, do të jetë viti i suksesit, viti i ngritjes së pandalshme, vit në të cilin Shqipëria do t’i bashkohet përfundimisht destinacioneve më të parapëlqyera mesdhetare.

Ne ishim aq të lumtur dhe plot energji, me panaire, katalogë, bashkëpunime, sa nuk u ndalëm për asnjë çast.

Në fund të shtatorit, ne mbyllëm turneun e fundit në grup të sezonit dhe para mesit të tetorit kishim filluar të planifikonim për vitin 2020.

Dhe shifrat na dhanë shpejt të drejtë; shumë vizita në faqen e internetit dhe në janar kërkesat për kuotat ishin kaq shumë, saqë mezi arrinim t’i ndiqnim. Edhe konfirmimet e para erdhën shumë herët dhe shumë më të shumta se vitin e kaluar.

Me pak fjalë, parashikohej një sukses i paparë.

Pastaj erdhi ai, ashtu krejt papritur, si një tornado. Ky COVID-19 na zuri të gjithëve në befasi, si në nivel njerëzor, ashtu edhe në atë professional.

Në pak javë, ai u bë protagonisti i maktheve tona më të këqija, na hodhi në një det trishtimi, frike, zemërimi, pasigurie, dëshpërimi dhe melankolie.

Edhe ne u tronditëm, do të ishte marrëzi ta mohonim atë.

Datat e para të udhëtimeve tona me nisje të garantuar u anuluan, grupet private që duhej të nisnin në prill u shtynë në një datë të pacaktuar dhe kërkesat u ndërprenë befas për javë të tëra.

Dhe kështu, i gjithë sektori i turizmit, që është ndër më të dëmtuarit në botë dhe në të gjitha nivelet, nga agjencia më e vogël lokale e udhëtimeve deri te kompanitë e mëdha të menaxhimit të ushtëtimeve ndërkombëtare, të gjithë do të vuajnë për një kohë të gjatë.

Por, ajo që nuk ka munguar kurrë është shpresa që na mban gjithmonë në një nivel të lartë entuziazmi dhe dëshire për të filluar nga e para.

Na duket vetja si në vijën e nisjes, me një këmbë te frenat dhe tjetrën te gazi, gati për t’u nisur!

Të ushqyer nga shpresa se Shqipëria e ka përballuar mirë pandeminë, pjesërisht falë faktit që ka pak zona me dendësi të lartë të popullsisë, falë gatishmërisë vendimmarrëse të qeverisë dhe pjesërisht, kjo duhet pranuar, falë edhe pjesëmarrjes bashkëpunuese të popullatës.

Por çfarë do të ndodhë pas një, dy apo tre muajsh, këtë ne nuk e dimë.

Si do të shkojë kjo verë 2020, që tashmë e kemi në prag, kjo është një e panjohur e vërtetë.

Ajo që dimë është se, sido që të shkojë, viti 2020 është dhe do të mbetet viti i suksesit të madh të turizmit në Shqipëri, viti i shumë kërkesave, viti i hyrjes në mesin e destinacioneve më të kërkuara, viti i marrjes së shpërblimit!

Fakti që ky sukses u mbyt pjesërisht nga forca madhore, nuk do të thotë se nuk është një sukses, nuk do të thotë se kemi humbur gjithçka, nuk do të thotë se dëshira për të vizituar këtë vend të bukur është zvogëluar, përkundrazi, besoj se pas rimëkëmbjes Shqipëria do të dalë fitimtare, sepse gjatë kësaj periudhe të vështirë ka treguar se është në gjendje të përballojë situatat e urgjencës në një mënyrë pragmatike dhe vendimtare dhe ka treguar vazhdimisht se ka një zemër të mrekullueshme.

Pra, sido që të shkojë, tashmë Shqipëria është një histori suksesi! /atsh/ KultPlus.com

Primo Shllaku: Po qe se qeveria shembë Teatrin, kjo do të thotë se kjo shoqëri pjell përbindësha

Çështja e Teatrit sot është më shumë se një çështje Teatri. Është çështje dëgjueshmërie e shoqërisë nga ana e një qeverie që paramendohet se zgjidhet nga po ajo shoqëri. Është problem politik e mandej kulturor ose kulturor për sa politika është kulturë.

Në fakt, kemi një rikthim të strukturave moniste të ideologjisë, sipas të cilave shteti është depozitori kryesor i vlerave morale të shoqërisë dhe se, kësisoj, ai ka të drejtë me të bërë mirë me zor. Kjo është tipike diktatoriale. Shoqëria shqiptare dhe për antonomazi shoqëria tiranase, e cila ka brenda saj më shumë se askund elemente elitare, me çështjen e Teatrit verifikon, jo vetëm qënien e saj, por edhe ekzistencën.

Po qe se qeveria guxon ta shembë Teatrin, kjo do të thotë se kjo shoqëri pjell përbindësha që s’mund t’i kontrollojë më pas. Kur shoqëritë pjellin përbindësha, atëherë diktaturat janë natyrale dhe në shtëpinë e vet. Prognoza është pesimiste. Mbas gjákosjes kombëtare të komunizmit do të duhej një katharsis i dhímbshëm. Nuk u bë. Atëherë po ballafaqohemi me një qorrsokak edhe më të dhímbshëm. Faji po zgjeron njollën e tij.

Edhe pak e shoqëria shqiptare nuk do të jetë më e pafajshme. Kush do ta ketë të drejtën të flasë për drejtësi e demokraci? Edhe pak e do të mbetemi pa pika të brendshme referimi. Po kridhemi në honin e errët të zhdùkjes edhe të identitetit njerëzor. / KultPlus.com

Faqja e njohur amerikane: Ksamili thesari i Rivierës Shqiptare

Thesarin e Rivierës Shqiptare e ka konsideruar Ksamilin faqja e specializuar amerikane për turizmin thrillist.com.

”Ndoshta ju nuk e keni vënë Shqipërinë në krye të listës për pushimet e këtij viti sepse nuk keni parë Ksamilin”, shkruan ajo.

Plazhi i Ksamilit

”A është Shqipëria në krye të listës për pushimet verore? Ndoshta jo, por kjo vjen sepse ju  nuk keni parë plazhin e Ksamilit”, shkruan thrillist.

”Ksamili është thesari i Rivierës Shqiptare, me rërë të bardhë, ujë të kaltër dhe tre ishuj. Mos harroni pajisjet për zhytje në ujë”, porosit faqja e specializuar amerikane për turizmin thrillist.com.

”Këtë muaj, shumë vende europiane filluan të lehtësojnë masat e izolimit dhe njoftuan se do të rihapen për turistët. Megjithatë, ndalimi i Europës për udhëtimet e huaja është zgjatur deri më 15 qershor dhe pjesa më e madhe e SHBA-së është pjesërisht ose plotësisht e mbyllur. Në normalitetin tonë të ri, është e vështirë të imagjinohet të bëjmë fotografi përgjatë lumit Sena ose të pimë xhin dhe tonik në Barcelonë”, shkruan thrillist.

”Për këtë arsye, po ju sjellim më të mirën e Europës. Gjithsej ekzistojnë 48 shtete në të gjithë këtë kontinent super të larmishëm, nga Islanda në veri deri në Qipro në jug dhe madje edhe deri në malet Urale në Rusi. Këtu janë vendet më të bukura. Ato duhet t’i shtoni në listën e vendeve për t’u vizituar”, shton ajo./ atsh/ KultPlus.com

Sabato dhe rikthimi në tokën e stërgjyshërve: Nuk mund të rri në shtëpinë e Enver Hoxhës

Nga Flora Nikolla

Ernesto Sabato, shkrimtari i madh argjentinas me origjinë shqiptare, mbërriti në Shqipëri në një ditë të mesit të prillit të vitit 1996. Rinasi, i vetmi aeroport ndërkombëtar në veriperëndim të kryeqytetit shqiptar, priste pasagjerët e tij. Sabato zbriti thjesht, me kapelën e tij, vendosur gjysmë mënjanë, me syze të errëta dhe një pardesy hedhur shkarazi në supet e tij prej shkrimtari.

Mbërriti në Shqipëri në një moshë kur vitet nuk premtojnë ndërmarrje të tilla që duan guxim dhe aventurë. Kishte mbërritur në Tiranë pasi kishte kaluar në Paris, ku ishte ambientuar me klimën e kontinentit plak për të qenë pas kësaj i pranishëm në një ceremoni që do t’i dorëzonte çmimin ndërkombëtar “Kadare’ .

”Jam shumë i emocionuar që ndodhem këtu, sepse një e katërta e gjakut tim është shqiptar”, tha Sabato për ATSh-në, në atë ditë prilli.

Me prejardhje nga Kalabria e Italisë, i cilësuar si i barasvlershëm me Borgesin, Marquezin, Cortazarin, atë ditë me re grindavece nuk harroi të tregonte se në studion e tij kishte një gravurë veneciane të heroit të madh të shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Në fakt, kishin kaluar disa muaj që ai kishte pohuar se do të vinte në Shqipëri për të marrë këtë çmim dhe që atëherë e kishte konsideruar këtë vizitë në Shqipëri si “një rikthim të lumtur tek stërgjyshërit e mi’.

“Unë e admiroj popullin shqiptar për qëndresën e tij në shekuj”, ishte shprehur njeriu i madh i letrave.

“Me cilët nga personazhet tuaj do të mund të identifikoheshit sot”, e pyetën. Bëhej fjalë për personazhe që e bënë të njohur në të gjithë botën me librat që ai shkroi, si “Alejandra” dhe “Engjëlli i errësirës”.

Vështroi pak dhe tha: “Të gjithë janë mishërime të inkoshiencës sime, e cila asnjëherë nuk gënjen. Të gjithë jemi një përzierje e mirësisë, e së keqes, e ateizmit, e besimit, e bujarisë, e egoizmit, e mirësisë, e frikës dhe e trimërisë”.

I pyetur se çfarë e shtynte të shkruante, tha instinkti e jo arsyeja

“Arsyeja nuk i shërben ekzistencës. Arsyeja i shërben teoremave dhe fabrikimit të aparateve. Shpirti i qenieve njerëzore në thellësinë e tij nuk është për gjëra të tilla”, tha ai.

Estet dhe filozof, kur ka shkruar shumë ese e kritikë mbi artin në përgjithësi dhe procesin krijues, Sabato tha se përpara personazheve të tij ndihej si përpara qenieve me mish dhe me kocka dhe se e gjitha ishte një shprehje paksa e vështirë për t’u shpjeguar.

Matilde Kusminsky Richter ishte gruaja e tij. Por, ka thënë se ka patur edhe dashuri tjera, si çdo qenia njerëzore.

“Disa më të forta se të tjerat. E çfarë? Kultura të mëdha në lashtësi kanë qenë poligame. Vetëm në këtë shoqëri hipokrite dhe borgjeze fshihet tendenca natyrale e qenies njerëzore”.

Gjatë qëndrimit të tij disaditor në Shqipëri, Sabato, larg pranisë së gazetarëve, vizitoi Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, Muzeun Arkeologjik në Durrës ku u mësua të ishte shprehur se kishte patur një rast të njihej me historinë e stërgjyshërve të tij.

“Unë doja të vizitoja edhe Muzeun Historik të Krujë”, ishte shprehur Sabato, “sepse ruaj një respekt të veçante për Skënderbeun, por ja që mosha bëka të vetën”.

Në një konferencë për shtyp ai u tha gazetarëve se “gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri kujtova shumë nënën time, e cila është me prejardhje shqiptare. E gjithë Shqipëria më do shumë dhe unë i shpreh shumë mirënjohje”.

“Kur mora vesh se po qëndroja në vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha, kërkova menjëherë të më largonin që aty. Unë nuk mund të qëndroja në atë tmerr”, tha Sabato, i cili kishte kaluar momente të vështira gjatë diktaturës ushtarake në Argjentinë. “Unë nuk kam ardhur në Shqipëri pikërisht prej kësaj diktature”, u shpreh ai.

Shumë vite më parë kishte qenë ‘politika’ e tij që e kishte distancuar nga një mik dhe njëherazi nga një emër i madh i letërsisë së Argjentinës dhe i botës, nga Borgesi.

“Unë gjithnjë kam qenë i veçantë për të bërë armiq”, kishte thënë atëherë Sabato, duke iu kundërvënë shkrimtarit të madh gjatë regjimit të Peronit.

Sabato vdiq në moshën 99-vjeçare në shtëpinë e tij në Santos Lugares, provinca e Buenos Airesit, ne qershor të vitit 2011. Dy javë më parë kishte marrë një bronkit dhe në moshën e tij kjo ishte fatale. Autori i “Tuneli” (1948), “Heronj dhe varre” (1961) etj. do mbushte 100 vjet më 24 qershor. / KultPlus.com

Këshilli Bashkiak i Tiranës miraton shembje e Teatrit Kombëtar

Këshilli Bashkiak i Tiranës vendosi për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar ashtu edhe siç ishte paralajmëruar më herët nga kreu i Bashkisë Tiranë. Mbledhja u zhvillua online për shembjen, ndërsa të hënën do të ketë një tjetër mbledhje për projektin e ri të teatrit.

Në dokumentin i cili mban firmën e Toni Gogut kreut të këtij këshilli thuhet, “Për miratimin e shembjes së godinës të ‘Teatrit Kombëtar’, pasuri në pronësi të bashkisë Tiranë, bazuar në akt-ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së teatrit Kombëtar”.

Sipas këtij instituti që ka bërë edhe relacionin teknik për shembjen thuhet se, godina është në kushte tejet të rënduara teknike, transmeton TCH. Ata shkruajnë se riparimi i objektit dhe sjellja në kushtet teknike të sotme, përbën një vështirësi.

Ajo kërkon kosto të larta disaherë më tepër se kostoja minimale fiskale dhe një ndërhyrje rrënjësore në 90% të objektit. Kërkon ndërhyrje në themele, në strukturën mbajtëse të objektit, në çatinë e objektit si dhe në soletat e ndërkateve. Ndërhyrja sado e madhe të jetë në objekt, nuk e sjell në kushtet optimale teknike të sotme sipas kodeve të projektimit.

Për këtë arsye ata vendosin shembjen e saj. Po sipas këtij dokuemtni është po kjo bashki që merr përsipër të ndërtojë aty një godinë të re me standarde bashkëkohore. Por pas këtij vendimi i cili u publikua pas orës 21 të mbrëmjes së të enjtes, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha iu drejtua opinionit përpara godinës së teatrit ku akuzoi kryeministrin Rama dhe doli në mbrojtje të godinës. Ai tha se teatri është vija e kuqe. / KultPlus.com

‘Taksa e Karantinës’ që u aplikua për 50 vjet në tokat shqiptare

Shqipëria është përballur disa herë më epidemi, kryesisht murtaje dhe kolere. E, në këtë kushte ka aplikuar edhe karantinën si masë mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së pandemisë. Madje, për rreth 50 vjet në pikat kufitare të Shqipërisë paguhej edhe Taksa e Karantinës që u merrej udhëtarëve, anijeve dhe paguhej edhe për mallrat.

Bashkë me këtë taksë paguhej edhe taksa tjetër që njihej si Taksa Veterinare që merrej për kafshët dhe produktet e tyre.

Ekzistencën e kësaj takse e përmend Haxhi Shkoza te “Financat e Shqipnis’” ku evidenton se ajo erdhi si rrjedhojë e masave që u aplikuan në të gjithë Perandorinë Osmane.

“Taksa e karantinës është marrë në bazë të ligjit të datës 31 maj 1871 nga Administrata e Karantinës duke nxjerrë dhe shpenzuar vetë pa qenë paraparë në buxhetet e shtetit. Kjo taksë quhej dikur ‘Taksë Shëndetësije Personale’ dhe merrej prej udhëtarëve, anijeve e sendeve. Një taksë tjetër e ngjashme ishte taksa veterinare e emërtuar ‘Taksë Shëndetësije Shtazore’ dhe merrej përkundrejt shërbimit veterinar mbi kafshët dhe lëndët e tyre, kur ato kalonin në vende të caktuara tokësore ose detare”, shkruan Haxhi Shkoza.

Taksa që duhej paguar ishte e kategorizuar në madhësinë e anijeve duke nisur nga tr grosh për anijet që mbanin ngarkesa deri në një ton dhe 36 grosh në maksimum për anijet më të mëdha se shtatë ton. Tarifat për t’u paguar ishin aq të detajuara sa parashikonin edhe pagesën që duhej bërë për dezinfektimin e rrobave mbi bazën e shkallës së vështirësisë që duhej për dezinfektimin e tyre.

Sipas Shkozës, legjislacioni financiar i mësipërm u pranua edhe nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe duhet të jetë mbajtur në fuqi edhe gjatë kohës së pushtimeve të huaja pas 1915 deri në 1919. Si argument për këtë, Haxhi Shkoza thotë se mund të paraqitet buxheti i Prefekturës së Vlorës bërë deri në vitin 1920 nga ish sundimi Italian në të cilin shihen këto shënime: “Taksë dhe e drejtë ankorazhi për barkat dhe velierat e akostuara në kapitenerinë e portit dhe gjirin e Vlorës. Të drejta për vizita shëndetësore të anijeve që akostohen në gjirin e Vlorës”.

Kjo taksë ka funksionuar në portet shqiptare deri në dhjetorin e vitit 1920 kur me një vendim të qeverisë së kohës u ndalua mbledhja e taksave veterinare duke u theksuar se nuk do të mblidhej më as Taksa e Karantinës.

Ndërkohë, pak më vonë taksat veterinare janë ridimensionuar, por nuk u diskutua më për Taksën e Karantinës, duke lënë në fuqi vendimin për mos mbledhjen më të saj. në ligjin për shërbimin veterinar fundit të viteve ’20 theksohej detyrimi për dezinfektimin e kafshëve që vinin nga jashtë dhe për ndërtimin e vendeve të karantinës e dhomave të dezinfektimit për to.

Në ligjin për Organizimin e Shëndetësisë Publike të 16 qershorit të vitit 1927 urdhërohej se në çdo port të vendit funksionojnë zyrat e Shëndetësisë Detare, stacione e roje shëndetësie.

Gjithashtu në vende të posaçme krijohen edhe lazareta d.m.th. stacione shëndetësore për karantina. Qëllimi i tyre ishte të mbronte pasurinë blegtorale të vendit nga sëmundjet ngjitëse. /scan/ KultPlus.com

Tërmeti i 26 nëntorit – Durrës: Në mbledhjen e jashtëzakonshme miratohet prishja e tri godinave arsimore

Këshilli bashkiak i Durrësit ka zhvilluar një mbledhje të jashtëzakonshme me mjetet e komunikimit elektronik ku janë miratuar këto vendime të rëndësishme:

Miratimi i prishjes së detyruar të godinës shkolla 9- vjeçare “Adem Gjeli”, Gjuricaj, njësia administrative Ishëm, Durrës, rekomanduar nga Instituti i Ndërtimit, Tiranë, si dhe heqjen nga kontabiliteti dhe lista përfundimtare të kësaj godine.

Miratimi i prishjes së detyruar të godinës së shkollës 9-vjeçare “Vëllezërit Haradinaj”, Rrashbull, njësia administrative Rrashbull, Durrës, rekomanduar nga Instituti i Ndërtimit, Tiranë, si dhe heqjen nga kontabiliteti dhe lista paraprake të kësaj godine.

Miratimi i prishjes së detyruar të godinës së shkollës cikli ulët, Perlat, njësia administrative Sukth, Durrës, rekomanduar nga Instituti i Ndërtimit, Tiranë, si dhe heqjen nga kontabiliteti dhe lista paraprake e pronave të kësaj godine.

Miratimi i përllogaritjes së vlerës mesatare të masës së grantit të rikonstruksionit ose riparimit për nivelin e dëmit DS1, DS2, dhe DS3, për banesat e dëmtuara nga tërmeti i datës 26.11.2019 në qytetin e Durrësit./TCH

Prestigjiozja amerikane: Flamingot po dynden drejt lagunës shqiptare

Rregullat e mbylljes në shtëpi kanë mërzitur disa njerëz në Shqipëri, por, me krahët e tyre ”të prerë” për shkak të pandemisë së koronavirusit, ata kanë lejuar që flamingot dhe zogjtë e tjerë të lulëzojnë në një lagunë bregdetare pranë detit Adriatik, shkruan gazeta prestigjioze amerikane ”The Washington Post”.

Zyrtarët lokalë dhe banorët thonë se popullsia e flamingove ka arritur deri në rreth 3 000 në Lagunën e Nartës, një habitat i rëndësishëm i shpendëve ujorë, që u kthyen në vitet e fundit pas një mungese të gjatë.

Vëzhguesit e zogjve gjithashtu kanë vërejtur më shumë pelikanë, çafka dhe specie të tjera këtë pranverë në lagunën 28 ​​kilometra katrore, që ndodhet 145 kilometra në jug të Tiranës.

“A nuk është e bukur të shohësh flamingo të patrembur përreth?”, pyet Dhimitër Konomi, pjesë e një grupi lokal që administron peshkimin tregtar në Lagunën e Nartës, ndërsa zogjtë e mëdhenj me qafë të gjatë qëndrojnë në ujërat e cekëta.

”Ndalimi i funksionimit të një kriporeje dhe ulja e aktivitetit njerëzor të të gjitha llojeve gjatë pandemisë shpjegon pse zogjtë po grumbullohen në lagunë”, thotë Nexhip Hysolokaj, një ekspert rajonal i biodiversitetit.

”Flamingot janë një specie shumë delikate dhe mospasja përreth automjete ose vizitorë u përshtatet atyre”, shton ai.

“Ata kanë gjetur ushqim dhe qetësi dhe kjo ka të ngjarë t’i ndihmojë ata të shumohen”, tha Hysolokaj.

Studiuesit planifikojnë të studiojnë flamingot për të parë nëse qetësia e krijuar nga koronavirusi është e favorshme për shndërrimin e lagunës në një vend ku mund të bëjnë fole dhe të shumohen.

Konomi thotë se një lagune e mbushur me jetë është një thesar që mund të nxisë turizmin.

Por, Hysolokaj është më pak i prirur të tërheqë turistët konvencionale në lagunën që është pjesë e një peizazhi të mbrojtur me dunat rëre, ligatina, ishuj dhe plazhe që mbështesin faunën e larmishme si dhe zogjtë.

Ai e përshkruan atë si “mushkëritë” e Vlorës, qyteti më i afërt.

“Duhet të ketë një turizëm të qëndrueshëm, por alternativ. Natyrisht le të vijnë kampistë, t’i përdorim plazhet, të përdorin biçikletat apo udhëtimet edukative sepse Vlora është shumë afër”, shton ai./ atsh/ KultPlus.com

Një shpend i rrallë gjen strehim në Shqipëri

Shoqata e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri njofton se në lagunën e Nartës në Vlorë është hasur një shpend i rrallë. Siç transmeton gazeta Shqip, studiuesit kanë fotografuar si asnjë herë më parë në Shqipëri grupe shtegtare të çafkës së purpurt.

Vrojtime shumë interesante vijnë sërish nga zona e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë. Studiuesit tanë kanë hasur këtë vit, si asnjëherë më parë në dijeninë tonë, grupe shtegtare të çafkës së purpurt (Ardea purpurea) – thonë ekspertët.

Ky lloj është përgjithësisht tepër i ndrojtur dhe kërkon hapësira shumë të qeta dhe që ofrojnë mundësi të mira për t’u fshehur dhe ushqyer. Pa dyshim, edhe pse shumë të vogla, këto hapësira mund të gjenden ende në zonën e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë dhe fakti i vëzhgimit të çafkës së purpurt e vërteton këtë.

Ky lloj aktualisht nuk folezon në vendin tonë por shpresojmë që kjo të ndodhë së shpejti; Vjosë-Narta ofron habitate të përshtatshme që ky lloj të zgjedhë për të ngritur foletë e tij.

Por nëse planet për zhvillimin e infrastrukturës gri në brendësi të Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë vazhdojnë të pandryshuara nga autoritetet përkatëse, qetësia në këtë Zonë të Mbrojtur do të zhduket dhe gjasat që kjo çafkë e mrekullueshme të folezojë këtu në të ardhmen do të reduktohen në mënyrë të ndjeshme. / KultPlus.com

Shqipëria synon të jetë vendi i parë në rajon që pritet të hapë turizmin

Ministri i Turizmit, Blendi Klosi deklaroi sot në një intervistë në media se vendi ynë në krahasim me Kroacinë, Greqinë dhe Turqinë favorizohet nga strukturat e vogla hoteliere të cilat menaxhohen më lehtë.

Sipas tij, parashikohet që fluturimet e para charter me turistë të huaj të mbërrijnë në fund të këtij muaji, ndërkohë që do të synohet që kufiri tokësor të hapet përpara kësaj date për të pasur më shpejt turistë nga vendet e rajonit.

“Nuk do të kemi shifrat e vitit 2019, por do të kemi turistë të huaj këtë sezon. Bashkë me ministrin Ahmetaj që menaxhojmë situatën e krizës së pandemisë, do t’i propozojmë qeverisë hapjen e kufijve tanë tokësorë për të pasur mundësinë e lëvizjes së turistëve nga vendet fqinjë dhe do të synojmë që në fund të muajit maj të kemi çarterat e parë me turistë të huaj. Janë disa vende me të cilat ne kemi komunikim të shpeshtë si Çekia, Polonia, vendet Skandinave, Ukraina, Bjellorusia, që janë të gatshme të dërgojnë çartera nëse ne si struktura shtetërore e hoteliere i garantojmë standarde të higjienës.

“Po synojmë hapjen e parë në rajon”, deklaroi ministri i Turizmit.

Klosi tha se do të synohet së pari një turizëm rajonal për të shpëtuar sektorin nga kriza. Jemi qeveria e parë në rajon, nënvizoi ministri Klosi që kemi ofruar një paketë mbështetëse për industrinë e turizmit. Lidhur me ligjin që do të përcaktojë rregullat për funksionimin e plazheve, ai tha se pritet të jetë gati brenda kësaj jave.

Ministri Klosi vuri në dukje se protokolli i paraqitur për rregullat e pushimeve është pranuar nga 95% e operatorëve turistikë, ndërsa shtoi se ka disa elementë që pritet të ndryshohen.

Beautiful turquoise spring Blue Eye (Syri i Kalter) near a town of Muzine, Albania. The spring is very powerful, cold and deep and is a source of a river Bistrice

“Është një proces që ministria e ndjek shpesh, pra materiali është shpërndarë për mendim. E gjithë ideja e këtij manuali, është që turizmin ta kemi jo vetëm një mjet kënaqësie, por ta kemi edhe industri. Është një industri që mban me mijëra njerëz në punë, që mban rrjete të tjera industrish me punë dhe kemi mundësitë, falë investimeve që janë kryer në këtë industri, që të dalim të parët në treg”, u shpreh Klosi.

Ai theksoi se ky draft dhe ky protokoll masash është hartuar për kushtet në të cilat jemi, por nëse situata do të ndryshojë, Klosi tha se masat do të lehtësohen. /atsh / KultPlus.com

Revista e njohur spanjolle: Nxitoni të vizitoni Tiranën, një nga kryeqytetet më ekzotike të Europës

Do t’ju tregojmë sot për një nga kryeqytetet më ekzotike dhe tërheqëse europiane, shkruan Cristina Fernandez Gonzalez e revistës së njohur spanjolle të udhëtimeve, traveler.es.

”Tirana është rishfaqur fuqishëm pas dekadave vuajtje nga diktatura paranojake e Enver Hoxhës. Ajo që e la Shqipërinë plotësisht të izoluar nga bota dhe që, në një farë mënyre, i jep asaj këtë rol misterioz, atë të thesarit për ta zbuluar, që sot na pëshpërit në vesh këngë sirenash.

Tirana ka diçka që të fut në kurth. Kjo ju befason dhe ju fton ta ”zhvishni” atë dalëngadalë deri sa të zbuloni se cili është thelbi i saj i vërtetë. Dhe ne jemi të gatshëm ta ”zhveshim”. Për 48 orë, jo më pak.

Dita e parë

Ora 09:30. Pas një mëngjesi të bollshëm, i denjë për kampionë, për ditën turistike që na pret, vendosëm itinerarin apo pikënisjen e çdo rruge nëpër qytet: Sheshin ”Skënderbej” dhe 40 000 metra katroret e tij që na presin.

Nga kjo hapësirë ​​e jashtëzakonshme, nderohet heroi kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili u vu në krye të luftës kundër osmanëve në shekullin XV. Statuja e tij ekuestriane dominon mbi gjithçka. Por, ky shesh është gjithashtu vendi i përsosur për të ndjerë pulsin e qytetit.

Por, gjithashtu, është vendi i përsosur për të matur pulsin e qytetit: i përshtatur për këmbësorë që nga viti 2017, nëse ndalojmë të shikojmë lëvizjen e jetës, do të shohim zotërinj të moshuar që shëtisin në kohën e lirë, të rinj me biçikletë rrugës për në vendet e tyre të punës dhe turistë të rastit duke masakruar me klikime aparatesh fotografike muralen e madhe që kurorëzon Muzeun Historik Kombëtar. Titulli i tij? Shqiptarët.

Ora 10:00. Sapo muzeu hap dyert e tij, ne jemi atje për të zbuluar dhe për të mësuar historinë e Shqipërisë. Vizita e plotë atje mund të zgjasë një jetë dhe prapë se prapë diçka do të na mungojë.

Ne bëjmë një udhëtim të shkurtër kohor që na çon nga Parahistoria në të kaluarën e tij ilire; nga pushtimi osman deri në Luftën e Dytë Botërore; nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë te, natyrisht, vitet e diktaturës së errët. Një orë e gjysmë ku pamë xhevahire si koka e Apolonit nga shekulli IV para Krishtit dhe deri te mozaiku i parë i zbuluar në Shqipëri: Bukuroshja e Durrësit.

Ora 11:30 Përsëri në shesh po hedhim një vështrim nga Banka Kombëtare, Hotel Tirana Internacional dhe Pallatin e Kulturës, me Operën në krye: ndërtesat e thjeshta, por monumentale në një stil racionalist vazhdojnë të flasin për kohët e shkuara dhe kontrastin me ato modernet, rrokaqiejt që ngrihen atje, në distancë, në sfond. Përpara nesh, Xhamia historike e Et’hem Beut nga shekulli XVIII, një nga ndërtesat më të vjetra në Tiranë. Të dy afresket e saj të jashtme dhe pikturat e brendshme janë një kënaqësi absolute.

Por, ne mund të gjejmë pamjen panoramike të sheshit edhe nga maja e Kullës së Sahatit, një tjetër nga reliket arkitektonike të qytetit, megjithëse kjo vështirë se përfshin ngjitjen në shkallët e pjerrëta dhe të ngushta në 35 metra lartësi.

Ora 12:00 Rrethinat e sheshit ”Skënderbej” vazhdojnë të na mbushin me histori të vjetra: ne hasim nëpër ato rrugë që ishin dhe akoma janë, Toptanasit, një nga familjet fisnike më të rëndësishme dhe më të pasura në Shqipëri, dhe ndërtesat e tyre të bukura.

Deri tani kemi kuptuar se Tirana është një qytet që më shumë ndihet sesa duket. Një qytet që na kërkon fort që ne ta ”gërvishtim” thellë nga brenda. Dhe për ta bërë këtë, asgjë nuk vlen më shumë sesa të vizitosh një nga mijëra bunkerët që Hoxha urdhëroi të ndërtonte në të gjithë vendin, e gjithë kjo nga frika e tij e jashtëzakonshme nga një sulm bërthamor nga armiqtë e tij.

Tirana ka dy që janë thelbësore. Për të vizituar Bunk´Art 1 do të jetë e nevojshme të kaloni disa orë, pasi ai ndodhet në periferi të qendrës historike: një kompleks i tërë, që përfshin zyra dhe dhoma gjumi për zyrtarët qeveritarë, apartamente për liderët politikë, madje edhe një kantinë, gjithsej 106 dhoma. Për afërsi dhe prakticitet, vendosim për Bunk´Art 2, ngjitur me sheshin ”Skënderbej”, që lidhej me korridore nëntokësore me Ministrinë e Brendshme, që do të kishin shërbyer në rast të ndonjë sulmi.

Përgjatë korridoreve të tij, në këtë bodrum të qytetit, fshihen deri në 24 ambiente të zymta, të shpërndara mes dhomave të marrjes në pyetje, qelitë për të arrestuarit, një dhomë dekontaminimi, një apartament luksoz për ministrin e Brendshëm dhe madje disa instalime artistike moderne.

Pamë panele informative dhe video me dëshmi, që jo vetëm na mësojnë shumë për historinë politike të Shqipërisë, por që edhe na ngritën qimet e kokës përpjetë.

Ora 14:00 Kur kuptojmë se stomaku po na kërkon ”karburant” dhe mendja diçka më të lehtë, çfarë të hamë? Ne zgjodhëm bulevardin me pemë ”Murat Toptani”, vetëm disa hapa larg, ku ndodhen edhe Teatri Kombëtar, Kinema “Millenium”, kopshte rastësore dhe tarraca të ndryshme.
Në këtë zonë të qytetit, jeta rrjedh me një ritëm të ngadaltë, boritë e makinave janë larg. Më të afërtat janë cicërimat e zogjve, që rrinë pezull rreth tryezave, në pritje për të marrë çdo thërrime. Një mjedis i qetë dhe i përsosur për të ngrënë një vakt të lehtë, para se të vazhdoni rrugën.

Ora 15:30 Tani është radha e artit. Dhe rezulton se jemi pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, një monument i vërtetë i trashëgimisë kulturore dhe një botë tjetër për të eksploruar përsëri historinë e Shqipërisë, këtë herë bazuar në krijimtarinë e artistëve të saj.

Në muret e saj shpaloset një festival i tërë pikturash dhe punimesh, me të cilat mund të zbulohet realizmi socialist, deri tek mostrat shumë interesante të propagandës komuniste. Paradoksalisht, ishte pikërisht këtë herë, kur censura ishte më e rëndë, që arti njohu rritjen më të shpejtë në vend.

Çdo devijim nga arti i promovuar socialist ishte rreptësisht i ndaluar. Veprat artistike duhej të idealizonin Enver Hoxhën. Ata që guxuan të anashkalonin rregullat u ndëshkuan rëndë. Për fatin tonë të mirë, pikturat dhe skulpturat për të tani janë shfaqur në muze.

Një shënim i fundit? ”Cloud” vepra artistike shumë origjinale e arkitektit japonez Sou Fujimoto që dekoron kopshtin në natyrë që prej vitit 2016, është një nga qoshet më të mrekullueshme dhe të paharrueshme në të gjithë Tiranën.

Ora 17:30 Ne zbresim rrugën drejt një prej ikonave të kryeqytetit, por jo përpara se të kalojmë pranë kalasë së vjetër të Tiranës, pronë e familjes Toptani, që vendosi ta rimodelojë atë dhe ta hapë së fundmi. Aty gjenden restorantet bashkëkohore të kuzhinës – pastat që përgatisin te ”Luga e Argjendtë” janë spektakolare, me dyqane origjinale, të përqendruara në delikatesat kombëtare, ashtu sikurse vajrat e ullirit të prodhuar në Vorë dhe sendet origjinale artizanale.

Ora 18:30 Dhe tani, po: pas një shëtitje të shkurtër që na çon përtej lumit Lana, shkojmë te ndërtesa e Piramidës. Piramida, një sulm autentik ndaj estetikës, e realizuar nga vetë vajza e Enver Hoxhës. Ndërtimi, që gjithashtu nuk kalon pa u vënë re, u krijua për të strehuar një mauzole në nder të babait të saj, megjithatë, gjatë luftës së Kosovës, funksionoi edhe si një qendër konferencash dhe seli e NATO-s.

Sot është krejtësisht e braktisur, pa roje. Jo pak njerëz guxojnë të ngjiten në muret e saj të pjerrëta deri në majë, me gjithë rrezikun që sjell aventura. Sigurisht, ka nga ata që thonë se soditja e perëndimit të diellit nga lart është gjëja më e mirë për të bërë në Tiranë.

Ora 19:30 Dhe më në fund arritëm në lagjen në modë, Blloku, lagje ku një pjesë e madhe e nomenklatura komuniste – përfshirë edhe vetë Hoxhën – banonin gjatë viteve të diktaturës.

Ajo ishte e mbyllur për njerëzit e zakonshëm për katër dekada. Kur mbaroi diktatura dhe tiranasit më në fund ishin në gjendje të përshkonin rrugët e saj, ata gjetën shtëpi që nuk kishin asnjë lidhje me ndërtesat e stilit komunist të pjesës tjetër të qytetit.

Sot, shumica e atyre shtëpive janë shndërruar në restorante, bare, kafene të lezetshme dhe klube. Shëtisim nëpër rrugët e saj dhe shijojmë si atmosferën e gjallë, ashtu edhe tezgat e librave.

Në kohën e darkës, ne zgjodhëm ”Salt”, në rrugën ”Pjetër Bogdani”, një restorant me një stil avangard, elegant dhe të rafinuar, dizajni i të cilit në format dupleks na bën të dashurohemi.

Specializuar në kuzhinën mesdhetare, ushqim deti dhe sushi, ajo gjithashtu ka edhe një ambient për koktej. Aty gjendet edhe ”Choko” që bashkon tradicionalen me modernen në të njëjtën pjatë.

Për një pije pas darke, ”Nunu Club” ka tavolina të larta dhe një zonë tarracë ku mund të shijoni me kënaqësi cilindo nga koktejet e shijshme në menunë tuaj.

Dita e dytë

Ora 10:00 Pas një dite të parë intensive, destinacioni i radhës ishte Pazari i Ri, megjithëse në realitet origjina e tij daton nga 1939.

Kjo hapësirë ​​ku mëngjeset janë të mbushura me atmosferë u rimodelua në fund të vitit 2018 për t’u bërë një treg më në përputhje me ato europiane. Kjo është arsyeja pse, nga mesdita, dyqanet mbyllen, por restorantet hapen aty ku ne mund të kënaqemi me të gjitha llojet e shijeve. Gjithashtu, shpesh organizohen ngjarje kulturore si festivale, koncerte dhe panaire artizan ale.

Ora 12:00 Shkojmë për shëtitje me një itinerar shumë origjinal: ai që na çon të zbulojmë të gjitha ato fasada, që ishin pjesë e një projekti karakteristik të promovuar nga ish-kryetari i bashkisë së qytetit, Edi Rama, tani kryeministër i vendit. Që nga viti 2000, ai kërkoi t’i jepte një pamje të re të gjitha ndërtesave gri të kohës së komunizmit, të shpërndara në të gjithë qytetin. Si? Duke pikturuar fasadat e tyre me ngjyra dhe figura të ndritshme.

Guidat me rrugën e shënuar janë falas dhe mund të merren në Zyrën e Turizmit pranë sheshit ”Skënderbej”. Ka edhe itinerare të arkitekturës komuniste, historisë dhe temave të tjera dhe përfshin një mori fasadash më befasuese, të shpërndara përreth qendrës historike të Tiranës.

Artistë kombëtarë dhe të huaj kanë marrë pjesë në projekt si Ann Edholm nga Stokholmi, Franz Ackermann nga Berlini ose Tala Madani, nga Irani – të cilët vazhdojnë, edhe sot, duke reflektuar krijimtarinë e tyre përmes vizatimeve origjinale dhe muraleve mbi ndërtesat.

Qëllimi? Shndërrimi i Tiranës në një galeri të vërtetë të hapur arti.

Ora 14:30 Jemi duke provuar kuzhinën tradicionale shqiptare në restorant ”Oda”, një restorant komod i vendosur në një shtëpi të vjetër, kuzhina e të cilit kombinon receta antike me propozime të tjera më moderne.

Mjedisi? Autentik. Aq shumë, sa besojmë se po drekojmë në shtëpinë e një tirani: tavolina të ulëta prej druri, dekorim disi të veçantë dhe vëmendja më e kujdesshme sigurojnë një përvojë të shkëlqyer. Në pjatë, të gjitha llojet e propozimeve me një aromë Shqipërie: Qengji i pjekur, byrek me spinaq dhe patëllxhanë të mbushur.

Ora 16:30 Është e domosdoshme të shihni Shtëpinë e Gjetheve. Ky muze, i hapur në vitin 2017, zë ndërtesën e vjetër nga epoka komuniste që shërbeu si bazë për Sigurimin, policinë sekrete shqiptare.

Në dhomat e saj tregohet gjithçka që mund të imagjinohet për procedurat dhe sistemet e spiunazhit: pajisje fotografike, sisteme regjistrimi, mikrofonë, video, intervista…

Një univers paralel që tregon, edhe një herë, që ndonjëherë realiteti tejkalon trillimet.

Ora 18:30 Vendi ideal për t’i thënë lamtumirën Tiranës, këtij qyteti që na ka treguar kaq shumë fytyra të ndryshme, është mushkëria e gjelbër e kryeqytetit: 289 hektarët e Parkut të Madh janë vendi ideal ku të shëtisësh, të merresh me sport, të peshkosh në liqenin e tij artificial ose të pushosh, i shtrirë në lëndinë, pas një ditë të ngarkuar.

Në këtë pikë, një gjë është e qartë për ne, Tirana po ndryshon me hapa të mëdha, duke u munduar të kompensojë kohën e humbur, por pa hequr dorë nga e kaluara e saj, thelbësore për të kuptuar se cila është bërë sot.

Dhe për ta zbuluar atë, bëni mirë të nxitoni, sepse kur erërat e reja të Europës ta pushtojnë, ka për të qenë vonë. / KultPlus.com

Parku Korab-Koritnik dhe Valbona gjallërohen nga pranvera, në pritje të turistëve

Edhe pse kohë pandemie zonat turistike të qarkut të Kukësit janë gjallëruar nga ngjyrat e lulet e pranverës edhe pse dëbora ende nuk ka shkrirë në majat e maleve.

Kjo pranverë e ka zbukuruar më shumë Kukësin dhe Tropojën me lule të shumëllojshme dhe kurorat e gjelbra të pemëve rreth e përqark.

Ermal Hallaçi, guidë turistike në qarkun e Kukësit tha për ATSH-në se “në këto zona turistike në këto ditë pranvere ndjehet mungesa e turistëve që në këtë kohë nuk ishte e pakët. Pikat turistike të qarkut sidomos në pranverë pushtoheshin nga turistët vendas e të huaj, që mahniteshin me bukuritë natyrore që ofrojnë Kukësi dhe Tropoja”.

“Në parkun kombëtar të Valbonës që sot do të ishte në përgatitjet e para për sezonin turistik, fundjavat do të ishin plot me turistë duke shfrytëzuar kohën e mirë të këtyre ditëve dhe ajrin e pastër”, – shprehet Hallaçi.

Sipas tij, të paktë kanë qenë banorët e Tropojës që kanë kaluar ndonjë fundjavë në ndonjë lëndinë apo ecje në natyrë.

“E njëjta situatë është edhe në Parkun Natyror Korab-Koritnik qetësi, turistë të huaj jo e jo, por as vendas. Në këto parqe mungojnë grupet e alpinistëve, si dhe të apsionuarit pas ngjitjeve në mal. Por shpresojmë që shumë shpejt kjo situatë të ndryshojë dhe këto zona turistike të kthehen në një oaz pushimi për turistët”, – tha Hallaçi.

Lugina e Valbonës, një nga bukuritë e rralla natyrore të vendit tonë, vazhdon të tërheqë çdo ditë e më shumë turistë vendas e të huaj. Fundjavat janë dhe piku më i lartë i këtij fluksi. Rruga deri në Valbonë është një mrekulli më vete me peizazhe pyjore e ujore, male e lugina mbresëlënëse.

Lundrimi me tragetin Koman-Fierzë paraqet një atraksion të vërtetë turistik për këdo që viziton Tropojën dhe Valbonën në të katër stinët. Por, janë dhe dy rrugë të tjera që të çojnë në luginën e bukur.

Ndërsa parku Korab-Koritnik ka 25 monumente natyrore (kategoria e tretë e zonave të mbrojtura në Shqipëri). Maja e malit të Korabit, më i larti në Shqipëri, ka një bukuri të rrallë. Përveç tij ka edhe kreshta të tjera vargmali, me formacione gëlqerore dhe gipsi, mbuluar me bimë barishtore dhe kullota alpine, me lloje të ndryshme lulesh plot aromë gjatë pranverës dhe verës.

Burimet e ftohta të ujit, liqenet natyrore, majat e maleve mbuluar me borë, ofrojnë mundësi të mëdha për të shijuar çdo detaj të turizmit malor, dimër dhe verë./atsh / KultPlus.com

Tripadvisor: Saranda e dyta mes 25 destinacioneve më të reja në botë për ta vizituar në 2020

Faqja e njohur e udhëtimeve turistike TripAdvisor ka shpallur listën me 25 destinacione, të cilat i sugjeron për t’u vizituar këtë vit.

Në renditjen e Tripadvisior, qyteti i Sarandës renditet në vendin e dytë, që duhet vizituar këtë vit. Vlerësimi bëhet sipas destinacioneve që panë rritjen më të madhe të vlerësimeve pozitive dhe sipas kërkesës së turistëve.

Saranda është një qytet që nga viti në vit, ka një rritje të numrit të turistëve të huaj që kalojnë pushimet në këtë vend.

Në vendin e parë të TripAdvisor, është krahina ruse e Kaliningrad, dhe pas saj vjen Saranda dhe pas saj Bejruti i Libanit.

25 destinacionet më të reja në botë sipas “TripAdvisor” janë si më poshtë:

Kaliningrad, Rusi

Sarandë, Shqipëri

Bejrut, Liban

Luxor, Egjipt

Naoussa, Greqi

Ishulli Rugen, Gjermani

Ishulli Phu Quoc, Vietnam

Monopoli, Itali

La Paz, Meksikë

Curaçao, Karaibe

Ile d’Oleron, Francë

Guayaquil, Ekuador

Tulsa, Okla., SHBA

Ipswich, BM

Franschhoek, Afrika e Jugut

Tangier, Marok

Takamatsu, Japoni

Cala d’Or, Spanjë

Petropolis, Brazil

Antwerp, Belgjikë

Mirissa, Sri Lanka

Alvor, Portugali

Winnipeg, Kanada

Darvini, Australi

Agra, Indi./ atsh/ KultPlus.com

Lumi i Vjosës, trashëgimi natyrore dhe potencial i madh turistik

Presidenti Ilir Meta, ndërsa ka vizituar Këlcyrën, tha se lumi Vjosa është një trashëgimi natyrore dhe një potencial i madh për turizmin.

Meta thekson se Vjosa mbetet lumi i fundit i egër në Europë, i cili është një trashëgimi natyrore me rëndësi të jashtëzakonshme dhe potencial të madh turistik.

“Vjosa, lumi i fundit i egër në Europë, është një trashëgimi natyrore me rëndësi të jashtëzakonshme dhe potencial të madh turistik. E duam Vjosën dhe duhet ta mbrojmë! Nga Këlcyra ju uroj të gjithëve një mbrëmje të këndshme!”, shprehet Meta. /atsh/ KultPlus.com

Ernesto Sabato kur iu nda çmimi “Kadare” në Shqipëri: Ky ishte më i madh se çmimi Nobel

“Jam kthyer nga Shqipëria ku u nderova me Çmimin Kadare. Isha i dërrmuar, por shkova atje për të respektuar atë vend të varfër e heroik, i cili e jepte për herë parë për mua atë çmim.
Në qytetin e Tiranës m’u bënë nderimet më emocionuese në jetën time. Ky popull i vuajtur nga një tirani e egër, ku ende duken gjurmët e diktaturës: fytyra të prishura nga heqkeqja, bunkerë të përzishëm, me të cilët diktatori kishte mbushur vendin, më priti si një mbrojtës, si një mbret, si birin e saj të dashur.

Në dorëzimin e këtij Çmimi pati këngë dhe valle që s’do t’i harroj kurrë. Shkrimtari shqiptar, Visar Zhiti, më dorëzoi një urnë me dhé që e kishte sjellë nga vendlindja e nënës sime. Ai më tregoi një fletore që e kishte mbajtur fshehur në burg; me ca germa të vockla kishte kopjuar një tekst nga Kamy dhe fragmentin “Djalosh i dashur dhe i largët” nga libri im «Engjëlli i skëterrës». Me lot në sy, më tha se për shumë vjet që kishte qëndruar si i burgosur politik në qelitë e errëta, çdo ditë lexonte këto faqe, fshehtas, që të mund të rezistonte. U trondita dhe u mallëngjeva njëherazi, që me fjalët e mia i paskësha shërbyer atij heroi nga të shumtët të tillë që banojnë në atë vend, sot përsëri në luftë.

Të nesërmen na përcollën me muzikë e me lule; pata aq shumë emocione sa në korridoret e aeroportit të Vjenës më ra të fiktë. Elvira vrapoi të gjente një mjek dhe vetëm pas disa orësh mundëm të niseshim për në Madrid.

Jam kthyer përsëri në shtëpi dhe mendoj për ato që pashë në atë tokë të të parëve të mi, një popull që vjen nga vuajtje e nënshtrim për dekada të tëra; dhe nuk do t’i harroj kurrë ato nëna që kanë parë bijtë e tyre të vdesin në mënyrat më barbare e, megjithatë, vazhdojnë të jenë aq shpirtmëdha. Në vetminë e dhomës sime, zemërpërvëluar nga vdekja e Horhes, po pyes veten se cili Zot fshihet pas vuajtjes.”

– ERNESTO SÁBATO (pjesë nga libri i tij “Përpara fundit”)

Më 30 prill 2011 u nda nga jeta Ernesto Sábato (24 qershor 1911 – 30 prill 2011) shkrimtarii dhe eseisti argjentinas me prejardhje arbëreshe. Për veprën e tij letrare është nderuar me shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare, midis të cilëve me çmimin Romani më i Mirë i Huaj, në Paris (1976) për romanin “Ëngjëlli i skëterrës” dhe Çmimin Migel Servantes (1984). Në vitin 1995 u ftua të vinte në Shqipëri, ku iu dha çmimi Kadare dhe u nderua me titullin Nderi i Kombit, për të cilin, i entuziazmuar, u shpreh se për të ky ishte më i madh se çmimi Nobel. / KultPlus.com

Dhërmiu, një nga destinacionet turistike me tërheqëse në Shqipëri

Dhërmiu është padyshim një nga destinacionet më tërheqëse turistike të Shqipërisë.

Ministri i Turizmit, Blendi Klosi, ka vijuar edhe këtë të mërkurë, promovimin e destinacioneve turistike të vendit tonë. Fokusi tashmë ka qenë te turizmi blu dhe Dhërmiu padyshim është një nga perlat e bukurisë shqiptare.

Fshati i Dhërmiut, prej nga merr emrin edhe bregdeti, ndodhët 52 km në Jug të Vlorës, 72 km në vëri të Sarandës dhe rreth 210 km nga kryeqyteti i Tiranës. I vendosur buzë detit Jon dhe në shpatet e maleve , midis gjelbërimit të ullinjve, fshati ka një bukuri madhështorë.

Dhërmiu shtrihet në fund të një plazhi më tepër së pesë kilometra të gjatë, plazh i cili përfundon më një kodër, mbi të cilën ngrihet manastiri i Shën Theodhorit. Fshati përbëhet nga tri lagje: Kondraqa, apo Kallami që është lagja e parë për ata që vijnë nga Llogoraja; vijuar nga Gjileku dhe Dhërmiu – lagja e tretë dhe më e madhja që i ka dhënë edhe emrin fshatit. Në total, tërë fshati ka rreth 600 shtëpi, ku rreth 300 janë në Dhërmi.

Dhërmiu është një vend ku gërshetohet tërheqja nga deti i kaltër dhe i pastër i Jonit më atë të ajrit të pastër dhe të shëndetshëm të maleve. I mbrojtur nga veriu nga gadishulli i Karaburunit, fshati është tepër tërheqës edhe në periudhën e dimrit, pa vënë në dyshim atë të verës që tërheq edhe më shumë turistët. I cilësuar si një nga perlat e Rivierës shqiptare është pa dyshim nga vendet më tërheqëse të Shqipërisë, siç njihet edhe shumë guida turistikë të vendit dhe të huaja.

Shpella e Piratëve është një shpellë e bërë e famshme nga libri i Petro Markos dhe më pas nga filmi i Kinostudios “Shqipëria Sot” me të njëjtin titull. Mund të arrihet nga deti dhe toka. Vendosur në shkëmbej thikë, në një det shumë të thellë që merr “ngjyrën e verës“ (Homer), Shpella e Piratëve, ruan vlera të rëndësishme turistike, që të sjellin në kohërat e Mesjetës. /atsh/ KultPlus.com

Turizmi këtë verë me rregulla të reja

Dy javët e parë të majit do të jenë një fazë përcaktuese për Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, e cila shpreson të çelë sezonin turistik në muajin qershor.

Rovena Moçka, drejtore e Turizmit, pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, tha në një prononcim për mediet se “kemi shpresën dhe besimin që do mund të kemi një riaktivizim të sektorit të paktën në muajin qershor. Gjithçka varet se si do të reagohet ndaj liberalizimit të masave dhe dy javët e para të majit do jenë një fazë përcaktuese”.

Sipas saj, ministritë e Turizmit dhe të Shëndetësisë do të mbyllin brenda kësaj jave librin e rregullave për turizmin, me masa të veçanta për stacionet e plazhit, shërbimet hoteliere, baret e restorantet.

“Distanca dy metra e personit me personin, do të thotë që në zbatimet në terren në një stacion plazhi, një çadër nga një tjetër duket të ketë një hapësirë prej 4 metra. Edhe për tavolinat në restorante po mendohet që distanca e tavolinave dhe karrigeve nga njëra-tjetra të shkojë deri në 3 metra. Është duke u diskutuar me të gjitha strukturat e bareve dhe restoranteve që të kemi fasha të ndryshme të orareve të shërbimit, të mëngjesit, drekës dhe darkës, në mënyrë që pushuesit mos të jenë në të njëjtën kohë, në të njëjtin vend”, nënvizoi Moçka.

Ajo tha se “do ketë rregulla edhe për turizmin në natyrë, sitet arkeologjike, turizmin malor, të aventurës”.

Ndërsa ministri Klosi tha dje në një intervistë televizive se “për plazhet kemi një rregullore të re masash. Kemi propozuar dy variante, por një nga modelet është distanca për çadrat 3.5 metra horizontalisht”. / atsh / KultPlus.com

Parku Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, e para dhe e vetmja zonë e mbrojtur detare në Shqipëri

Parku Kombëtar Detar Karaburun-Sazan shënon 10 vjet si zonë e mbrojtur detare.

Parku Detar Karaburun Sazan është e para dhe e vetmja zonë e mbrojtur detare në Shqipëri me biodiversitetin dhe peizazhin natyror ndër më uniket për Mesdheun. Ka vende të mrekullueshme dhe oaze natyrore. Parku është nga zonat më të bukura në Adriatik dhe Jon.

Në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura AKZM, dhe Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura Vlorë, UNDP punon për ruajtjen dhe mbrojtjen e kësaj pasurie të rrallë natyrore.

“E gjithë puna 10 vjeçare për Parkun nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtare si Qeveria Italiane dhe Fondi Global i Mjedisit”, thekson UNDP, që ka publikuar edhe një video nga ky park.

“Bashkëpunimi i shkëlqyer me pushtetin lokal dhe me komunitetin e Vlorës, i kanë dhënë punës tonë një vlerë të shtuar. Parku është pasuri e përbashkët, respekto rregullat dhe mbrojeni atë bashkë me ne. Parku je edhe ti!”, thekson UNDP. / atsh/ KultPlus.com

Majko: Pas lehtësimit në maj, në Shqipëri do të vihet për të bërë turizëm

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko deklaroi në një nga mediet e vendit se në muajin maj do të hapen kufijtë e Shqipërisë, megjithatë liberalizimi i lëvizjes do të funksionojë mbi bazën e disa rregullave të caktuara, për mbrojtjen nga infektimi i koronavirusit.

“Puna e strukturave administrative po përpiqet brenda mundësive që maji të na gjejë me një situatë sa më të liberalizuar për të gjithë shtetasit që duan të rikthehen ose ata që duan të largohen nga vendi për tu krijuar atyre mundësi. Por, dua të nënvizoj faktin se nuk do të thotë se do rikthehemi në gjendje normale. Do ketë një lëvizje me rregulla të përcaktuara të cilat hap pas hapi do të tejkalohen. Rregulla të cilat ne i kemi shumë të rëndësishme se kanë të bëjnë me jetën e njeriut”, u shpreh Majko.

Majko dha edhe detaje lidhur me telefonatën që pati sot kryeministri Rama me homologun grek, për shqiptarët që duan të kthehen por edhe për ata të cilët bëjnë punë sezonale në shtetin fqinj.

“Rama ka pasur një bisedë telefonike me kryeministrin grek Mitsotakis, për këtë çështje. Sidomos sa i përket situatës së koronavirusit dhe për të stabilizuar atë marrëdhënie të veçantë e cila rivlerësohet nga shtetasit tanë në një numër të madh që punojnë aktualisht në Greqi. Jo vetëm ata që janë rezidentë, por sidomos ata që shkojnë për punësim sezonal. Ju e dini që Greqia ka shpallur interes të veçantë për këtë”, tha ai.

Ministri sqaroi se flesibiliteti në lëvizje do të shpëtojë këtë vit turizmin.

“Vera që vjen do ta gjejë Shqipërinë më fleksibël, më të liberalizuara qoftë lëvizjes dhe situatës në përgjithësi. Por duhet të kemi parasysh diçka që këtë situatë nuk e parashikojmë dot. Kërkohet një mirëkuptim se kjo që po ndodh, nuk po ndodh vetëm me Shqipërinë. Ajo që është e rëndësishme është që Shqipëria e vuri poshtë atë që mund të na vendoste ne poshtë. Pas lehtësimit në maj, këtu do vihet për të bërë turizëm”, shtoi ministri Pandeli Majko. / atsh/ KultPlus.com

Teatri i Operas, Baletit dhe Ansamblit drejt fundit, Kumbaro: Teatri do jetë një yll i vërtetë

E nisën në vitin 2015 dhe pas një pune të madhe tashmë Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në Shqipëri është pothuajse gati. Ky rikonstruksion tërësor e ka shndërruar atë në një ambient funksional dhe tejet modern ku artistët shumë shpejt do të hyjnë në ambientet e rinovuar si, salla provash, dhoma studimi, gardëroba, ambiente për ekspozita e aktivitete të tjera, shkruan KultPlus.

Duke u konsideruar si investimi më i madh i qeverisë së Shqipërisë, për ish ministren e Kulturës në Shqipëri, Mirela Kumbaron kjo është një ëndërr e bërë realitet.

Përmes një statusi në Facebook, ajo ka ndarë disa fotografi nga pamja e re që ka marrë Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit duke u shprehur se puna 5 vjeçare tashmë është drejt fundit.

Ku është postimi i plotë i Kumbaros:

“Kur nje enderr😇 behet realitet…
Mes shume puneve e projekteve, nga njera ide ne tjetren, dhe nga njera veshtiresi ne tjetren, ka nje projekt qe une e kam shume per zemer – i ngjan disi punes se Sizifit, me dallimin se ne fund projekti po del ne drite, se puna s’te le asnjehere ne balte sikur nami te behet:
👉🏻 Teatri Kombetar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor❗️
👉🏻 e nisem ne 2015, kur askush s’e besonte, kur shumekush e anatemonte, kur dikush tjeter e minonte, e megjithate Skuadra e Kultures nuk e ndali asnje dite punen.
👉🏻Jane shume njerez per te cilet do te flas nje here tjeter e me te cilet, me shume pasion edhe besim, kemi punuar, jemi zene, jemi trembur, por prape kemi vazhduar kete projekt te komplikuar por po aq edhe unikal, po s’jemi ndalur.
👉🏻Puna 5 vjeçare sot eshte drejt fundit.
👉🏻Teatri do te jete nje yll 🌟 i vertete! Une bashke me ju te gjithe, do te jemi shume te lumtur kur te ulemi ne keto poltrone per te ndjekur yjet tona te skenes, qe kane qene bashkepunetore te shkelqyer te kesaj pune dhe qe bene te mundur qe per 3 vite rresht Teatri i Operas, Baletit dhe Ansamblit, te beje teater pa pasur teater.
Them se kemi arsye te jemi krenare🙌🏻.” / KultPlus.com

Dokumentari i televizionit publik gjerman që i kushtohet bregdetit shqiptar, arrin audiencë rekord

Programi i “Mare TV” këtë herë iu kushtua bregdetit shqiptar.

“Bregdeti shqiptar, e fshehta e bukur e Europës”, një dokumentar kushtuar bregdetit shqiptar ka arritur kuota rekord të këtij programi në raport me shikueshmërinë, në kuotën e 9.2 % të totalit të ndjekësve të ekraneve gjermane.

“Mare TV” është një institucion në formimin e opinionit turistik gjerman në televizionin NDR, televizioni publik gjerman për Veriun, i ndjekur kudo në Gjermani, Austri e Zvicër.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi se në kushtet e pandemisë globale, ky program është një marketing i jashtëzakonshëm i Shqipërisë turistike, për efektet e pritshme pas lirimit të masave dhe rifillimit të udhëtimeve.

Producenti lokal, gazetari Nolian Lole dhe kolegu gjerman Steffen Schneider e treguan Shqipërinë, pikërisht bregdetin jonian, nëpërmjet njerëzve që jetojnë dhe punojnë pranë detit.

“Një numër i konsiderueshëm turistësh vizitojnë vendet ku kamera e “Mare TV” shkon dhe i zbulon. Pamje të mahnitshme të brigjeve joniane janë një ftesë e hapur për shikuesit për të ardhur në Shqipëri”, thotë Klosi.

Falë audiencës rekord së këtij dokumentari, trupa e “Mare TV” thotë se po planifikon një seri të dytë të dokumentimit të bregdetit shqiptar, këtë herë nga Laguna e Karavastasë deri në kufi me Malin e Zi. /atsh/ KultPlus.com

https://www.ndr.de/fernsehen/sendungen/mare_tv/Albaniens-Kueste-Europas-schoenes-Geheimnis,maretv1338.html?fbclid=IwAR2J_iL1Y-kqQLO0-NumwBwTczsl87wq731RiCUELCSvhNFOEGZjHrhJJTY

Strategji për hapjen e sezonit turistik, Klosi: Distancim social në zonat e plazhit

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi se ka nisur diskutimi për një strategji për hapjen e sezonit turistik në Shqipëri.

Gjatë një interviste në një nga studiot televizive, Klosi u shpreh se për afatin se kur do të mund të hapen plazhet shqiptare do të vendosin mjekët, ndërsa ne, shtoi ai, po punojmë për të përcaktuar sesi do të funksionojë sezoni, në mënyrë që të mos ketë rrezik për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Kemi filluar të bëjmë një strategji. Ka nevojë që të mbështetet turizmi edhe duke bërë pushime brenda kufijve”, u shpreh ministri Klosi, duke nënvizuar se prioritet është jeta e njerëzve.

Sipas Klosit, po punojmë me Ministrinë e Shëndetësisë mbi parimet e Organizatës Botërore të Turizmit si dhe me një dakordësim me partnerët e rajonit.

“Po përgatisim rregullat për distancimin social edhe në zonat e plazhit, po përgatisim edhe opinionin që këtë vit plazhi nuk mund të jetë si në 2019, do jetë gjithçka më e reduktuar. Por ne shpresojmë që do të kemi mundësi që sezoni të ketë turizëm”, tha Klosi.

Ministri Klosi bëri të ditur se falë mënyrës së si u menaxhua në Shqipëri, situata e infeksionit nga COVID-19, ne sot do të kemi mundësinë të dalim shumë më shpejt në treg, sesa vendet e tjera, përreth si Italia, Greqia, Mali i Zi apo edhe Turqia, të cilat janë shumë të dëmtuara prej COVID-19, si dhe kanë struktura hoteliere shumë të mëdha, që ja u vështirësojnë vënien në kohë të shpejtë në punë.

Ndërsa strukturat tona hoteliere, bëri të ditur Klosi, janë të vogla, disa edhe familjare dhe janë lehtësisht të menaxhueshme për tu vënë në punë, brenda një periudhe kohore të shkurtër edhe për rreth 3 ditë.

“Këto dy faktorë do na japin shumë dorë që në të vazhdojmë të kërkojmë një treg të vendeve të pa prekura nga COVID-19, siç janë vendet Balltike, Ukraina, Bjellorusia, vendet e zonave Skandinave, Çekia, Polonia me të cilat ne po komunikojmë çdo ditë për të ndihmuar hotelierët shqiptarë, duke përpjekur të bëjmë, si të thuash edhe negociata shtetërore, në mënyrë që, nëse ne do të kemi hapje të tregut të kemi të siguruar edhe turistët”, deklaroi Klosi./atsh / KultPlus.com

Akademia e Shkencave në Shqipëri: Ta gjejmë forcën e fitores, në vlerat tona identitare dhe traditës kombëtare

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në Shqipëri paraqiten me një qëndrim të përbashkët për vëmendjen ndaj shkencës, kulturës dhe arteve në kushtet e distancimit social për shkak të pandemisë COVID-19.

Në një njoftim për shtyp, Akademia e Shkencave (ASH) bën të ditur se, “Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në Shqipëri janë duke ndjekur me vëmendje situatën e krijuar nga pandemia e COVID-19 në gjithë botën. Shoqëria e sotme, e kërcënuar nga një rrezik që kurrë nuk është njohur më parë, po e kupton më mirë se sa të rëndësishme janë për fatet e saj, sot dhe në të ardhmen, shkenca, kultura, artet dhe ndërkomunikimi”.

Sipas ASH-së, meritojnë mirënjohjen dhe mbështetjen tonë në mënyrë të veçantë të gjithë ata njerëz të dijes që gjenden në vijën e parë të rrezikut, ballë për ballë me pandeminë, duke luftuar ditë për ditë me të keqen: mjekët dhe infermierët, të cilët po bëjnë gjithçka për të shpëtuar jetë njerëzore. Shkenca dhe bota intelektuale po qëndrojnë me dinjitet përballë fatkeqësisë botërore, duke kërkuar rrugë e zgjidhje për t’u kthyer sa më parë në normalitet.“Jemi të detyruar të zgjedhim të keqen më të vogël: të pranojmë distancimin shoqëror për të zvogëluar dhe mbajtur nën kontroll përhapjen e pandemisë, me qëllimin parësor mbrojtjen e jetës, megjithëse e dimë mirë se kjo ka rrezikuar dhe do të rrezikojë përkohësisht ndërkomunikimin në shkencë, kulturë dhe art”.

“Shqipëria dhe Kosova, si gjithë të tjerët në botë, janë vënë përballë një rendi dhe forme të re komunikimi intelektual, ku të rrezikuara nuk janë vetëm jetët e njerëzve apo ekonomitë, por edhe shkenca, kultura dhe arti me gjithë përbërëset e tyre. Në një mënyrë gati të padukshme dhe larg vëmendjes së opinionit, çdo vlerë shkencore e kulturore po relativizohet, po humb peshën e vet, po humb funksionin shoqëror dhe emancipues, duke u shtyrë gjithnjë e më shumë në periferi të zhvillimeve shoqërore; po bëhet e pavërejtur dhe e panevojshme, duke u kthyer në veprimtari sekondare”, theksohet në njoftim.

“Duke e ditur dhe duke e parandier se pasojat e kësaj pandemie do të jenë afatgjata; synojmë të tërheqim vëmendjen e opinionit kulturor që të qëndrojë i përbashkuar dhe të angazhohet për të mos lejuar një erozion të pritshëm intelektual. Qëndrimi ynë është që, ashtu siç nuk duhen pritur fatkeqësitë dhe traumat e mëdha natyrore për të kuptuar rëndësinë e shkencës, kulturës dhe ndërkomunikimit, ashtu nuk duhet lejuar që në një të ardhme të afërme ato të gjenden sërish të rrezikuara nga harrimi. Shkenca, arti dhe kultura jonë kombëtare tashmë kanë krijuar një fond veprash me vlerë identitare, të cilat duhen ruajtur dhe kultivuar.

Ne gjithashtu tërheqim vëmendjen se bashkëpunimi e komunikimi ndërkulturor e ndërshkencor nuk duhet të pësojë siç kanë pësuar gjithnjë në rrethana krizash, por duhet të intensifikohen, me idenë se një njësi monolite intelektuale është më e qëndrueshme dhe më e përgatitur për sfidat e ardhshme, duke përfshirë edhe përballjen me ndryshimet globale, të cilat janë të pritshme në rrethanat e krijuara.Ne nuk do të reshtim së kërkuari emancipim kulturor të vazhdueshëm, hapësirë për vlerat e reja në të gjitha fushat e krijimtarisë shkencore dhe artistike, bashkëpunim institucional në mbarë hapësirën kulturore shqiptare, bashkëpunim dhe njohje me kulturat e tjera, vlerësim të merituar të arritjeve fondamentale kulturore dhe shkencore dhe përsosje më të madhe të përbërësve themelorë të identitetit tonë, siç është gjuha, historia dhe trashëgimia.

Ne kërkojmë që, edhe në këtë rrethanë, kur na duhet frymëzim për këtë betejë të pashembullt dhe na duhet ta gjejmë forcën e fitores, t’u kthehemi vlerave tona themelore identitare, traditës tonë më të mirë dhe idealizmit tonë kulturor dhe kombëtar”, thuhet në njoftimin për shtyp të Akademisë së Shkencave. /atsh/ KultPlus.com

Fati i njëqind refugjatëve hebrenj të pranuar nga Mbreti Zog në qytetin e Durrësit

Nga Aurenc Bebja

Gazeta frankofone hebraike, “La Tribune juive”, ka botuar me 28 prill 1939, një shkrim në lidhje me hebrenjtë e Shqipërisë (të lindur ose refugjatë), të cilët gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, janë detyruar të largohen prej vendit tonë.

Në vijim, do të gjeni tekstin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania”:

Fati i hebrenjve shqiptarë

Numri i hebrenjve në Shqipëri nuk është i konsiderueshëm.

Ka shumë pak izraelitë të lindur në vend, shumica prej tyre janë refugjatë nga Austria. Ata janë tregtarë që kanë ditur të fitojnë simpatinë e popullatës muslimane.

Deri tani, nuk ka pasur një lëvizje anti-hebreje në këtë vend të vogël. Por frikësohemi se legjislacioni racist i Italisë do të zbatohet ndaj hebrenjve të protektoratit shqiptar.

Gjendja e refugjatëve politikë është në rrezik, sepse ata mund të bien në duart e Gestapos.

Njëqind refugjatë hebrenj të pranuar nga mbreti Zog në qytetin e Durrësit po presin momentin e largimit të tyre për në Shtetet e Bashkuara.” / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/njeqind-refugjate-hebrenj-te-pranuar-nga-mbreti-zog-ne-qytetin-e-durresit-po-presin-momentin-e-largimit-per-ne-shtetet-e-bashkuara-prill-1939/