Klosi: Do kemi sezon veror jo të dëmtuar në maksimum, gati plani për distancimin në plazh

Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, deklaroi se “duke parë mënyrën shumë të mirëmenaxhuar të pandemisë së koronavirusit, besoj do të kemi një sezon relativisht jo të dëmtuar në maksimum, një sezon që mund të shpëtojë për realitetin shqiptar”.

Në një intervistë televizive, Klosi tha se “nëse do të vendosim rregulla të qarta të distancimit dhe higjienës, besoj do të kemi një sezon që do t’i shpëtojë katastrofës në vendin tonë. Kemi turistë nga Kosova, Mali i Zi, turistë që nuk janë të varur nga kompanitë e fluturimit”.

“Avantazhet e turizmit në Shqipëri janë fakti që biznesi hotelier është familjar dhe nuk ka nevojë për vendimmarrje në borde, ndërkohë që me anulimin e fluturimeve dhe mosditjen se kur do të rinisin, vendi ynë ka një numër të madh turistësh që vijnë nga toka. Në gjithë historinë e koronës dhe krizës në Shqipëri dhe botë, pyetja më e vështirë është se kur do të përfundojë. Vendimi se kur do të hapet situata nuk dihet. Nuk dihet nëse sezoni do të jetë i përfshirë në aktivitet”, nënvizoi Klosi.

Ministri Kosi u shpreh se “me grupet e ekspertëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, është duke u përgatitur një material të plotë për mënyrën e re të sezonit turistik ku të respektohen rregullat e higjienës dhe të distancimit social”.

Sa i përket fluturimeve, Klosi tha se “nëse situata fillon të marrë për mirë, dhe të kufizohet aq sa mundemi në raportin e higjienës besoj se do të fillojnë fluturimet, nga qershori me fluturimet e para shumë më tepër të kontrolluara për të hapur mundësi për udhëtime çarter”, tha ministri.

I pyetur nëse në qershor ka mundësi për të hapur fluturimet nëse kemi këta tregues, ministri Klosi tha se “rregullat e reja më shumë se sa pasaporta identifikuese, do të ketë ajo e historikut shëndetësor. Megjithatë, situata duket jo premtuese për rinisjen e fluturimeve nëse deri atëherë nuk do të gjendet vaksina”.

“Po diskutohet të hapen fluturime të kontrolluara ku më tepër se pasaporta me emër me mbiemër, do të ketë rëndësi pasaporta shëndetësore. Pa dalë vaksina do ta kemi të vështirë të kthehemi në normalitet”, theksoi ministri Klosi.

Lidhur me masat specifike për distancat mes çadrave në plazhe, Klosi tha se “ne kemi përgatitur një material të plotë së bashku me Ministrinë e Shëndetësinë që edhe ai është në diskutim nga grupet e ekspertëve. Italia i ka nxjerrë materialet e para, se e ka më specifike sipas rajoneve dhe ka nxjerrë masat e reja për plazhet, me distanca nëpërmjet çadrave, ka propozime në turizëm elitar ku të ketë ndarje me pleksiglas ndërmjet çadrave”.

“Ne e kemi bërë një material, do të jetë pjesë e diskutimet deri në momentin që do të mendojmë se do të fillojë hapja, një ide se si mund të jetë sezoni i plazhit po përpunohet nga grupi i ekspertëve. Sa i përket hotelerive dhe lokaleve, do të jenë të fundit që do të hapen”, tha Klosi. /atsh/ KultPlus.com

10 mijë punonjës të sektorit të turizmit mbështetje prej 400 mijë lekësh nga qeveria

Me paketën e zgjeruar financiare të prezantuar sot nga Kryeministri Edi Rama do të mbështeten edhe 10 mijë punonjës të angazhuar në sektorin e turizmit.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se në listën e individëve që do të ndihmohen me bonus të drejtpërdrejtë prej 40 mijë lekësh për 40 ditët në vazhdim, do të përfshihen edhe 10 mijë punonjës të regjistruar në sektorin e turizmit.

Fondi i vënë në dispozicion për këtë kategori, bëri të ditur Kryeministri, është 400 milionë lekë ose 4 milionë dollarë. /atsh / KultPlus.com

COVID-19 do të prekë turizmin, Denaj: Po punojmë që rënia të mos jetë aq e madhe

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaron se sektori i turizmit është një nga sektorët që do të preket, në krahasim me vitet e tjera për shkak të anulimeve të prenotimeve, si pasojë e infeksionit COVID-19 që ka prekur mbarë botën.

Në një intervistë për ATSH-në, ministrja Denaj u shpreh se po shikohet mundësia ta adresojmë ndikimin në këtë sektor me stimuj të ndryshëm, që nxisin konsumin e brendshëm në fushën e turizmit.

“Jemi akoma shpresëplotë. Situata në sektorin e turizmit mund të adresohet në një periudhë të dytë, në qershor edhe mbështetur në konsumin e brendshëm më shumë se sa te ai i jashtmi, i cili mund të ndihmojë në uljen e regresionit të qarkullimit që ishte parashikuar të kishim”, u shpreh ministrja Denaj.

Ne nuk mund të jemi në të njëjtin nivel, thotë ministrja Denaj, në krahasim me porositë që ishin para se të ndodhte përhapja e COVID-19.

“Nuk mund të presim që situata mbas daljes nga COVID-19, do të kthehet shumë shpejt në të njëjtën nivel siç ishte më përpara, por të paktën ne po punojmë që rënia të mos jetë aq e madhe”, vuri në dukje Denaj për ATSH.

Të jemi të qartë, vijon ajo, që të gjitha bizneset sikurse edhe qeveria do të jenë të prekur financiarisht nga kjo situatë dhe çështja është këtë adresojmë në radhë të parë dhe të arrijmë të zbusim sa më shumë këtë rënie./atsh / KultPlus.com

Shërohet nga koronavirusi 84 vjeçarja në Shqipëri

Një 84 vjeçare është pacientja e rradhës e cila është shëruar nga COVID-19 në Shqipëri.

Këtë e bëri të ditur  me anë të një postimi në Facebook ministrja e shëndetësisë atje, Ogerta Manastirliu.

Vetëm në 24 orët e fundit 8 pacientë kanë lënë spitalin ku do të vijojnë vetëkarantinimin për 14 ditë në shtëpi.

Në total numri i personave të kuruar nga pandemia e COVID-19 është 154./oranews.tv/

81 vite nga pushtimi italian fashist i Shqipërisë

Sot data shënon 7 prill, dhe bëhen plot 81 vite nga 7 prilli i vitit 1939, dita kur Shqipëria u pushtua nga Italia.

Më 7 prill të vitit 1939 Italia fashiste e Benito Musolinit filloi pushtimin ushtarak të Shqipërisë. Në mëngjesin e 7 prillit 1939, ushtria fashiste italiane, prej 35 – 40 mijë forcave tokësore dhe 150 aeroplanë e sulmoi Shqipërinë duke zbarkuar në Durrës, në Vlorë, në Shëngjin dhe në Sarandë.

Po atë ditë ra duke luftuar kundër pushtimit fashist të Shqipërisë, Mujo Ulqinaku, që ishte njëri ndër luftëtarët e parë më të shquar, i cili më 7 prill organizoi qëndresë të armatosur kundër pushtimit fashist italian.

Mbreti Zog asokohe u detyrua të mërgonte dhe vendi u bë pjesë e Perandorisë Italiane si një protektorat në bashkim personal me Kurorën Italiane.

Shqipëria kishte kohë që kishte një rëndësi të konsiderueshme strategjike për Mbretërinë e Italisë. Ata lakmuan portin e Vlorës dhe ishullin Sazan në hyrje të Gjirit të Vlorës, pasi ata do t’i jepnin Italisë kontrollin e hyrjes në detin Adriatik. Para Luftës së Parë Botërore Italia dhe Austria-Hungaria kishin mbështetur krijimin e një shteti të pavarur shqiptar. Me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, Italia kishte kapur shansin për të pushtuar gjysmën jugore të Shqipërisë, për të shmangur pushtimin e saj nga austro-hungarezët. Ky sukses nuk zgjati shumë, pasi rezistenca shqiptare gjatë Luftës së Vlorës, bashkë me problemet e brendshme të pasluftës e detyroi Italinë të largohej në vitin 1920. Dëshira për të kompensuar këtë dështim do të ishte një nga motivet kryesore të Musolinit në pushtimin e Shqipërisë.

Kur Musolini mori pushtetin në Itali, ai përtëriu interesin për Shqipërinë. Italia filloi depërtimin e ekonomisë shqiptare në 1925, kur Shqipëria ra dakord të lejonte Italinë të shfrytëzonte burimet e saj minerale. Kjo u pasua nga Traktati i Parë i Tiranës më 1926 dhe Traktati i Dytë i Tiranës më 1927, ku Italia dhe Shqipëria hynë në një aleancë mbrojtëse. Ndër të tjera, qeveria shqiptare dhe ekonomia u subvencionuan nga kreditë italiane dhe ushtria shqiptare u trajnua nga instruktorët ushtarakë italianë.

Megjithë ndikimin e fortë italian, mbreti Zog refuzoi të nënshtrohej plotësisht ndaj presionit italian. Në vitin 1931 ai u ngrit hapur ndaj italianëve, duke refuzuar të ripërtërijë Traktatin e Tiranës së vitit 1926. Pasi Shqipëria nënshkroi marrëveshje tregtare me Jugosllavinë dhe Greqinë në vitin 1934, Musolini bëri një përpjekje të dështuar për të frikësuar shqiptarët duke dërguar një flotë të anijeve luftarake në Shqipëri.

Ndërsa Gjermania naziste aneksoi Austrinë dhe u zhvendos kundër Çekosllovakisë, Italia e pa veten duke u bërë anëtari më i vogël i Paktit të Çelikut. Lindja e menjëhershme e një fëmije mbretërore shqiptare ndërkohë kërcënoi t’i jepte Zogut një dinasti të qëndrueshme. Pasi Hitleri pushtoi Çekosllovakinë (15 mars 1939) pa njoftuar paraprakisht Musolinin, diktatori italian vendosi të vazhdonte me aneksimin e tij të Shqipërisë. Mbreti Victor Emmanuel III i Italisë kritikoi planin për ta marrë Shqipërinë si një rrezik të panevojshëm. Roma, megjithatë, i dorëzoi Tiranës një ultimatum më 25 mars 1939, duke kërkuar që të pëlqente pushtimin e Italisë nga Shqipëria. Zogu refuzoi të pranonte para në këmbim për lejimin e marrjes së plotë dhe kolonizimit italian të Shqipërisë.

Më 5 prill djali i mbretit u lind dhe lajmi u njoftua nga topat. Njerëzit u derdhën në rrugë të alarmuar, por lajmi i princit të sapolindur i qetësoi. Njerëzit dyshonin se po ndodhte diçka tjetër, gjë që çoi në demonstratën anti-italiane në Tiranë të njëjtën ditë. Më 6 prill pati disa demonstrata në qytetet kryesore të Shqipërisë. Po atë pasdite, 100 avionë italianë fluturuan për Tiranën, Durrësin dhe Vlorën, duke lëshuar fletëpalosje që i udhëzonin njerëzit të dorëzonin në pushtimin italian. Njerëzit u zemëruan nga kjo demonstrim i forcës dhe kërkuan nga qeveria për të rezistuar. Turma bërtiste: “Na jepni armë, po shiten, po na tradhëton!”. / KultPlus.com

Kur mbretëria shqiptare kërkonte të krijonte flotën e saj detare

Nga Aurenc Bebja

“Journal des débats politiques et littéraires” ka botuar, të dielën e 26 prillit 1931, në faqen n°6, një shkrim në lidhje me interesimin asokohe të mbretërisë shqiptare për të krijuar flotën e saj detare, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Shqipëria dëshiron të ketë një flotë detare

“Tiranë, 25 prill.

Aktualisht, qeveria shqiptare është duke negociuar me përfaqësuesit diplomatikë italianë blerjen e një kryqëzori prej çeliku (anije lufte shumë e shpejtë), i cili do të jetë njësia e parë e flotës detare shqiptare.

 Është planifikuar më pas blerja e disa njësive të tjera që do të formojnë zemrën e flotës së luftës së shtetit shqiptar. (Centropa).”

https://www.darsiani.com/la-gazette/journal-des-debats-politiques-et-litteraires-1931-kur-mbreteria-shqiptare-kerkonte-te-krijonte-floten-e-saj-detare/

Pandemia mban shkollat mbyllur, Shahini: Mësimi vijon online pa afat

Ministrja e Arsimit në Shqipëri Besa Shahini doli në një deklaratë për media pas vendimit të Task Forcës kundër koronavirusit për të zgjatur edhe më tej mbylljen e institucioneve arsimore deri në përfundimin e pandemisë Covid-19.

Shahini deklaroi se tashmë nuk ka një datë se kur mësimi do të fillojë normalisht, derisa informoi se ai do të vijojë online.

“Task Forca për koronavirusin, duke parë zhvillimin dhe përhapjen e pandemisë dhe efektin që ajo ka patur në shëndetin e qytetarëve, ka vendosur që të shtyjë pa afat vendimin për mbylljen e institucioneve arsimore. Pra, sot që flasim nuk e kemi një datë specifike se kur hapen shkollat dhe universitetet dhe kur mund të fillojë të zhvillohet mësimi normalisht në kushte shkolle”.

“Ministria e Arsimit do të vijojë me organizimin e xhirimeve të leksioneve për arsimin parauniversitar. Mësuesit do të vijojnë komunikimin me nxënësit duke u kujdesur për ta. Universitetet kanë kaluar një pjesë të lëndëve online dhe bëj ftesë që të gjitha lëndët të kalojnë online, pasi nuk e dimë se sa do të zgjasë kjo situatë”, tha ajo. / A2 / KultPlus.com

Shqipëri: Presidenca ndriçohet me ngjyrat e flamurit italian

Institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë ndriçohet me ngjyrat e flamurit kombëtar italian në shenjë solidariteti me Italinë që po kalon momente tepër të vështira për shkak të pandemisë COVID-19.

Së fundmi Italia ka publikuar bilancin e 24 orëve të fundit sa i përket të prekurve me Koronavirus. Numri i viktimave ka shkuar në 12428, që do të thotë janë 837 viktima në 24 orët e fundit.

Rastet janë shtuar me 4053 duke e çuar në 66889 numrin total të rasteve aktive. Numri i të shëruarave ka shkuar në 19259 dhe 5607 janë në gjendje kritike.

Ndërsa numri i të vdekurve në të gjithë botën ka shkuar në 40663. Ditën e djeshme numri i viktimave ishte 812 ku sot rezulton të jetë rritur me 25 humbje jete më shumë.

“Itali, ne jemi me ty! Të bashkuar do t’ja dalim! Gjithçka do të shkojë mirë” shkruan Meta./TCH / KultPlus.com

Përkujtohet protesta e parë antikomuniste në Shqipëri

Sot përkujtohet protesta e parë antikomuniste në Shqipëri
26 mars 1990, Kavajë i Murit të Berlinit dhe një sërë ndryshimesh radikale politike, që ndodhën në vitet 1989-1990 në Bllokun Lindor kanë patur ndikim edhe në jetën politike shqiptare.

Protesta e parë kundër regjimit komunist në Shqipëri u zhvillua më 26 mars 1990 në qytetin e Kavajës. Kjo protestë erdhi si pasojë e ngjarjeve të një dite më parë, më 25 mars 1990, në stadiumin “Besa” gjatë ndeshjes Besa-Partizani, ku shumë të rinj shpërthyen në thirrje kundër regjimit komunist. Gjatë kësaj proteste u arrestuan shumë të rinj.

Më 26 mars 1990 një numër i madh njerëzish iu drejtua rajonit të policisë me thirrjet “Lironi shokët tanë”, “Poshtë Diktatura”, “Liri, Demokraci”. Kjo protestë i hapi rrugën zhvillimeve të reja në vend. Atsh / KultPlus.com

Arrin në 33 numri i të prekurve me koronavirus në Shqipëri, qindra të testuar

Ka shkuar në 33 numri i të prekurve me koronavirus në Shqipëri. Zv/Ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli dhe drejtuesja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP Silva Bino në përditësimin e fundit në lidhje me situatën e përhapjes së Coronavirusit në Shqipëri bënë me djie se janë 457 të testuar dhe nga këta, 33 raste pozitive.

Në 24 orët e fundit nga ana e Institutit të Shëndetit Publik në bashkëpunim me epidemiologët e Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor, ka vazhduar pa u ndalur puna në terren, për gjurmimin e kontakteve të rasteve të konfirmuara tashmë me Covid-19, për të cilët ju kemi informuar në daljet e mëparshme.

Në 24 orët e fundit janë realizuar edhe 159 testime të reja dhe kjo e çon numrin total të testimeve të kryera në 457.

Deri në këto momente janë konfirmuar pozitivë me COVID-19, 33 raste, nga të cilat:

8 prej të cilëve janë të shtruar në spitalin Infektiv (nga Tirana, Durrësi, Fieri dhe Rrogozhina)

25 raste janë të vetëizoluar në gjendje të mirë shëndetësore në shtëpi.

Nga rastet e konfirmuara pozitivë:

Tiranë 19 raste

Durrës 5 raste (njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë)

Lushnje 1 rast

Elbasan 2 raste

Fier 4 raste

Rrogozhinë 2 raste

Siç ju kemi bërë të ditur në daljet e mëparshme, pas testimit të kampionit të parë të 50 mjekëve dhe infermierëve në spitalin e Durrësit të cilët rezultuan negativë, ISHP ka vazhduar me gjurmimin e kontakteve, marrjen dhe testimin e mostrave të reja të stafit mjekësor në Spitalin Rajonal Durrës.

Në bazë të rezultateve që tashmë kanë dalë, nga kampioni i dytë i mostrave të marra, 39 mostra të mjekëve, infermierëve dhe pacientëve, vetëm 1 mjek rezulton pozitiv, i cili nuk ka simptoma, aktualisht është i vetëizoluar dhe po hulumtohet më tej. Gjithsej janë kryer 89 testime në spitalin e Durrësit.

Nga numri total i të prekurve nga COVID-19 janë 25 persona të vetëizoluar në gjendje të mirë shëndetësore dhe 177 të vetëkarantinuar.

Dua tju bëj thirrje edhe një herë të gjithë qytetarëve, të respektojnë rregullat e reja dhe të qëndrojnë në shtëpi. Të kufizojmë rrezikun sa më shumë të jetë e mundur!

Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino tha se tashmë që OBSH ka shpallur pandeminë na koronaviriusi masat që janë marrë duhet të merren seriozisht.

“OBSH ka shpallur pandeminë nga koronavirusi i ri që do të thotë se bota ka transmetim komunitar në më shumë se 2 kontinente. Kjo është një situatë që duhet vlerësuar me seriozitet dhe masat që janë marrë për distancimin social duhet të merren me seriozitet. Ne do të vazhdojmë me gjurmimin e rasteve në terren dhe nuk është e nevojshme që çdo person të testohet”, tha Bino. /KultPlus.com

Koronavirusi “zbraz” rrugët e qyteteve kryesore të Shqipërisë

Frika nga koronavirusi ka përfshirë të gjithë vendin. Kudo në qytetet krysore të Shqipërisë sheh vetëm rrugë të boshatisura, pa makina, disa qytetarë që lëvizin më këmbë, pa ndotje, diell dhe pranverë.

Po të mos ishte koronavirusi, Shqipëria sot do të ofronte një pamje të mrekullueshme si kurrë më parë. Shqiptarët që dhe për në kafe marrin makinën, duket se i janë dorëzuar masave të qeverisë kundër koronavirusit.

Në vijim ju sjellim një panoramë të përgjithshme për rrugët e qyteteve kryesore:

Edhe Lezha i është bindur urdhrit të qeverisë për ndalim qarkullimi. Rruga kryesore ka marrë një pamje të frikshme ku përpos policisë, nuk shihet asnjë automjet. Rruga kryesore ka marrë një pamje të frikshme ku përpos policisë, nuk shihet asnjë automjet.

Raportohet se edhe mjetet që do lëvizin do kenë një kontroll të rreptë nga ana e policisë dhe forcave të ushtrisë. Karburantet, furrat e bukës dhe farmacitë janë të hapura!

Megjithëse vendimi për paralizimin total të qarkullimit të mjeteve është marrë për Tiranën e Durrësin, edhe në rrugët ndërqytetase në Qarkun Dibër janë të boshatisura.
Raportohet se aksi nacional Peshkopi – Burrel është i boshatisur si kurrë më parë. Megjithëse në këtë aks lëvizin në ditë mijëra mjete, sot nuk kishte asnjë të tillë në drejtim të Burreli apo Klosit.

Por gjatë ditës së djeshme ka pasur një dyndje të qytetarëve të Tiranës që ju janë drejtuar rretheve. Shumë qytetar janë kthyer në vendlindjet e tyre pas vendimit të dalë për ndalimin e lëvizjeve në Tiranë e Durrës nga ora 6 e mëngjesit të kësaj të premteje deri në mesnatën e së dielës.

Qyteti i Fierit është zgjuar sot i qetë dhe me rrugë pothuajse të zbrazura. Nuk ka pasur lëvizje të automjeteve ndërsa bizneset kanë qenë të mbyllura.

Është ndoshta hera e parë që qyteti i Fierit është i izoluar. Raportohet se hapur janë vetëm disa farmaci, furra buke, por edhe markete.

Policia është ndërkohë në akset kryesore të qytetit ndërsa vijon thirrja ndaj qytetarëve për të qëndruar në shtëpi. /KultPlus.com

Bankat shqiptare: Mos i përdorni kartëmonedhat dhe mos nënshkruani dokumente

Bankat në Shqipëri këshillojnë klientët që të mos përdorin paranë cash. Në një njoftim dërguar klientëve të saj, Banka Kombëtare Tregtare i sugjeron që të shmangin prekjen e parave dhe nënshkrimin e faturës. Banka i këshillon gjithashtu klientët që të shmangin kontaktin në ambientet në degët e bankave dhe përdorin kanalet dixhitale online si dhe kartat pa kontakt.

Siç raportojnë mediat në Shqipëri, krahas njoftimeve, bankat kanë marrë edhe masa për të minimizuar rrezikun e marrjes së virusit në sportelet e bankës dhe për të siguruar punonjësit e tyre. Në sportelet e Intesa Sanpaolo klientët e mbajnë radhën jashtë dhe përpara se të futen janë të detyruar nga personeli i ruajtjes fizike që të dezinfektojnë duart. Klientët duhet të mbajnë dhe një distancë rreth gjysmë metri nga sporteli.

Kjo pasi, kartëmonedhat po konsiderohen një përcjellës shumë i mirë i koronavirusit. Nga një studim i publikuar edhe në Daily Mail cilësohet se ky virus mund të mbijetojë në sipërfaqe të forta nga 2 orë deri në 9 ditë.

Andaj, edhe Union Bank në një njoftim për klientët thotë se për shkak të situatës aktuale, ka ndërmarrë disa masa që synojnë parandalimin e përhapjes së virusit nëpërmjet disa rregullave, si hyrja e kontrolluar e klientëve në degët e Bankës, mbajtja e distancës të klientëve që presin jashtë. Banka thotë se është e këshillueshme që në bankë të mos hyjnë persona që kanë udhëtuar së fundmi në vende të konsideruara me rrezikshmëri të lartë nga OBSH, si: Kina, Italia, Koreja e Jugut dhe Irani.

Të gjitha bankat i këshillojnë klientët që të kryejnë pagesat online, për të shmangur kontaktet fizike.

Mundësia e përcjelljes së viruseve nga katëmonedhat

Mundësia e përcjelljes së virusit nga kartëmonedhat është mjat e lartë. Kjo pasi, kartëmonedhat janë një mjet i cili qarkullon me shpejtësi të jashtëzakonshme në duart e njerëzve.

Për të shmangur ose minimizuar këto rreziqe, OBSH udhëzon përdorimin e metodave më të zgjuara për nevojat tona të përditshme si Bankingu Digjital dhe Pagesat Contactless (Pa Kontakt) për të shmangur kartëmonedhat e kontaminuara. Ekspertët e shëndetit këshillojnë konsumatorët që të përdorin kartat e debitit ose të kreditit për të kryer blerjet në supermarkete, karburante, farmaci etj në mënyrë që të shmanget marrja e korona virusit nga kartëmonedhat.

ëto produkte dhe shërbime bankare janë disa masa të tjera shtesë për t’u mbrojtur nga koronavirusi të cilat janë duke u ndjekur tashmë jo vetëm në Kinë, të cilët po bllokojnë përdorimin e kartëmonedhave për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të virusit, por edhe në vende të tjera më të zhvilluara në Europë dhe Amerikën e Veriut. / Gazeta Sinjali/ KultPlus.com

Mbyllet Biblioteka Kombëtare

Vijojnë masat kundër përhapjes së Koronavirusit. Ministria e Kulturës ka njoftuar ditën e djeshme, pezullimin e të gjitha aktiviteteve kulturore me pjesëmarrje masive. Po kështu, autoritetet e Bibliotekës Kombëtare kanë lajmëruar së fundmi, mbylljen e ambienteve dhe sallave të leximit, kjo si një prej sjelljeve korrekte të nevojshme për situatën.

Më poshtë, njoftimi i plotë:

Në zbatim të masave paraprake të ndërmarra për të parandaluar përhapjen e #COVID19 në Shqipëri, renditet edhe:

“Anulohen grumbullimet masive, aktivitetet sportive, kulturore, konferenca, dëgjesa publike deri më datë 3 prill 2020.”

Sa më lart, Biblioteka Kombëtare do të qëndrojë e mbyllur për lexuesit dhe anulon veprimtaritë e kalendarit kulturor nga data 10 mars deri më datë 3 prill 2020.

Ju falënderojmë, për mirëkuptimin! / KultPlus.com

Masat ndaj koronavirusit, Shqipëria anulon aktivitetet kulturore në salla të mbyllura

Pas identifikimit të dy rasteve të para të koronavirusit, në Shqipëri, Qeveria ka vënë në lëvizje masat e planifikuara, sipas protokollit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në kuadrin e këtyre masave, Ministrja e Kulturës, Elva Margariti njoftoi se të gjitha aktivitetet kulturore, që parashikojnë mbledhjen në salla të mbyllura të një numri të madh spektatorësh, si koncerte, shfaqje teatrale, opera apo balet, do të anulohen.
“Do të monitorohen të gjitha institucionet dhe do të merren të gjitha masat për të mos krijuar grumbullime njerëzish, si në salla muzesh, ekspozita etj”, tha ajo.

Minisrja apeloi qytetarët të mos kenë panic dhe të respektojnë dhe ndjekin të gjitha këshillat, që jep OBSH, nëpërmjet Ministrisë sonë të Shëndetësisë për të ruajtur kështu shëndetin e tyre dhe të familjes e të të afërmve.

Margariti prezantoi edhe 5 mënyra për të mbrojtur familjen nga COVID-19:

1-nëse jeni të sëmurë, qëndroni në shtëpi për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.
2- mbuloni hundën dhe gojën gjatë kollitjes dhe teshtitjes.
3 -shmangni prekjen e fytyrës dhe lani duart sa më shpesh me ujë të ngrohtë dhe sapun.
4- mbani distancë nga njerëzit që kolliten apo teshtijnë.
5- lexoni të gjithë informacionet zyrtare lidhur me COVID-19./a.gjonaj/ Atsh /KultPlus.com

Mbi 7 milionë euro kostoja e dëmeve në monumente nga tërmeti në Shqipëri

Mbi 7 milionë euro llogaritet të jetë kostoja e dëmeve që ka shkaktuar tërmeti i nëntorit në monumente. Këtë shifër e ka dhënë ministrja e Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti. Sipas saj, shifrat mund të lëvizin gjatë punës që do të bëhet ditëve në vazhdim.

“Kemi një kosto që u llogarit 7 milionë euro. Por tash janë duke u shtuar edhe kosto të tjera. Është një kosto e lartë, por dinamike. Mund të shtohet edhe më tepër. Për rastin e Krujës po vazhdon studimi gjeologjik”, ka thënë ajo. Sipas saj, dëmet që ka shkaktuar tërmeti në monumente kulturore mund të kenë edhe pasoja të tjera pos atyre financiare. Ka thënë se dëmet krijojnë ndjesi jo të mirë, panik e po ashtu mund të shkaktojnë ulje të fluksit të vizitorëve.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri ka ndarë 800 mijë dollarë për punimet që do të bëhen në Kalanë e Krujës.

Janë disa monumente të kategorisë së parë që kanë pësuar dëme të mëdha pas tërmetit të nëntorit që kishte rezultuar me mbi 50 viktima e rreth 700 veta që janë trajtuar në spitale.

Kalaja e Durrësit, ajo e Prezës afër Tiranës e ajo e Krujës sipas raportimeve dalin të jenë më të dëmtuarat.

Kalasë së Durrësit i janë shembur një pjesë e mureve. Monumenti ishte ndërtuar nga perandori bizantin, Anastasi, në shekullin VI, përbëhet nga dy pjesë: Kështjella e sipërme dhe Kështjella e poshtme. Në historinë e monumentit, si një rast tjetër ku ishte dëmtuar shumë daton tërmeti i vitit 1273 për t’u rinovuar prapë. Muret e objektit janë të larta 4.6 metra.

Raportimet e mediave shqiptare kanë nxjerrë në pah se është dëmtuar edhe Kalaja mesjetare e Prezës në Tiranë. Paraditen e së martës, Bashkia e Krujës nëpërmjet një komunikate u ka bërë apel qytetarëve të mos kalojnë afër Kalasë së qytetit për shkak të rrezikshmërisë që paraqet nga dëmtimi i shkaktuar nga tërmeti. “Shkëmbi nën kullën e sahatit rrezikon të shembet. Asnjë makinë nuk duhet të kalojë, pasi shton mundësinë që masivi shkëmbor të bjerë”, shkruhet në komunikatë. Kruja, që njihet edhe si qytet muze, ka identifikuar 320 objekte të dëmtuara për të cilat është raportuar në Bashki.

Dëme kanë pësuar edhe Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë e Muzeu Historik Kombëtar. Por, sipas të dhënave, kanë shpëtuar koleksionet e këtyre institucioneve dhe dëmet mund të riparohen shpejt. /atsh / KultPlus.com

Shkollat në Shqipëri mbyllen për dy javë, shkaku i koronavirusit

Qeveria në Shqipëri është mbledhur të hënën në një mbledhje të jashtëzakonshme, pasi që u konfirmuan dy rastet e para tek në këtë vend.

Kryeministri Edi Rama ka thënë gjatë kësaj mbledhjeje se në kuadër të masave është marrë vendimi që shkollat të mbyllen për dy javë, raporton tch.

“Masat e sotme janë pezullimi i fluturimeve drejt veriut të Italisë dhe drejt zonave të kuqe, deri më 3 prill. Mbyllja e arsimit në të gjithë vendin. Është momenti të mbyllim të gjitha institucionet arsimore dhe të kërkojmë mbylljen e të gjtha aktivieteteve, dëgjesa publike, deri më 3 prill”, ka thënë Rama.

Vendimin për shkollat e ka bërë të ditur edhe ministrja e Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini. Përmes “Facebook”-ut ajo ka thënë se institucionet arsimore mbesin të mbyllura deri më 23 mars. 

“Kjo për arsye frenimi të përhapjes së virusit COVID-19, i cili është shfaqur në dy raste në Shqipëri. Masa është parandaluese dhe frenuese – nuk ka asnjë nevojë e arsye për panik”, ka thënë ajo, duke shtuar se Shqipëria është vetëm duke treguar kujdes, që të zvogëlojë maksimalisht mundësinë e përhapjes së këtij virusi.

“Mbani mend që fëmijët dhe të rinjtë nuk janë grupmoshë e rrezikuar nga virusi, por mund të jenë bartës. Ndaj, do të pezullohet mësimi në institucionet arsimore”, ka thënë ajo.

Gjatë mbledhjes ndërkaq, Rama ka kërkuar të ruhet qetësia. 

“Kemi përgatitur edhe hyrjen në skenarin e parë, që ishte parapërgatitur nga ekspertët. Receta e më e gabuar ajo që buron nga paniku, ilaçi më efektiv janë arsyeja dhe qetësia. Duhet të informoheni nga burimet zyrtare dhe të zbatohen rreptësisht masat për higjienën vetiake”, ka vazhduar ai.
Rama po ashtu ka thënë se gjatë kësaj kohe ka pasur shenja shqetësuese të motivuara nga paniku, përmes burimesh të pacertifikuara për informim.

Ai ndërkaq ka thënë se “mbyllja e kufijve është masë drastike dhe nuk përdoret gjerësisht”. / atsh / KultPlus.com

Thumana, qytezë turistike si Puka dhe Belshi

Kryeministri Edi Rama në një bashkëbisedim me banorët e Thumanës për projektet e rindërtimit u shpreh se falë rindërtimit të banesave të reja Thumana do të zhvillohet si një qytezë turistike në shembullin e Pukës dhe Belshit.

“Ne duam që Thumana, tani kjo ju mund të duket si përrallë. Po përrallat e mia përgjithësisht dalin. Ka ndonjë përrallë që nuk ka dalë akoma se kërkon kohën e vet po të jeni të sigurt që dalin. Kur thosha unë që Puka do të bëhet qytet turistik, vetë pukjanët thoshin kur do iki ky palla i gjatë se boll na kanë pallu në rrena të shkurtrit, por të vijë një i gjatë që rren nuk durohet fare, se i shkurtri mund të rrejë dhe pastaj fshihet. Dy metra rrena nuk ke ku i fsheh. Shkoni në Pukë, shiheni Pukën”, tha Rama.

“Belshi ishte njësoj si Thumana nga pikëpamja e degradimit, more s’kishte asgjë. Pse kujtoj Pukën dhe Belshin, sepse dhe në Pukë dhe në Belsh ka një liqen që është ngjitur me zonën e banuar. Edhe këtu ka një liqen. Ai liqeni është komplet i shkëputur nga jeta juaj. Nuk e di a i bini ndonjëherë nga liqeni, po di që ai liqen aty është një arsye për të besuar se dhe Thumana mund të bëhet një zonë. Ku jo vetëm njerëzit të jetojnë shumë më mirë se sa jetonin, por edhe të tjerë të vijnë. Do thoni kush do të vijë për në Thumanë për ditë të shtunë dhe të dielë. Këtu do jemi”, theksoi Rama.

Por, shtoi Kryeministri, “le ta fillojmë me këtë pjesë njëherë se ne në fillim na intereson që të sistemohen, familjet që janë këtu, pastaj do shikoni se do të vijnë dhe të tjerë”.

Rama shtoi se, “zona që do të ndërtohet do ketë parametra komplet ndryshe. Po bëjmë projektin e infrastrukturës që do të thotë do të fillojmë shumë shpejt me rrugët e brendshme, me kanalizimet, ujësjellësin, ndriçimin, dhe pastaj do të fillojmë me ndërtimin”. /atsh / KultPlus.com

Klosi: Parku Kombëtar i Qafështamës, potencial për zhvillimin e guidave të sporteve në turizëm

Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi zhvilloi një takim me studentët e Masterit Profesional për Menaxhim të Sporteve në Turizëm, të Universitetit të Sporteve, Tiranë, të cilët po kryenin praktikën mësimore në ambientet Shkreli Resort, në zemër të Parkut Kombëtar Qafështamë.

“Bëhet fjalë për të rinj dhe të reja të specializuara për të bëjnë guida profesionale për tipe të ndryshme në turizmin tonë. Dhe kur këto vijnë nga Fakulteti i Sporteve padyshim që janë shumë të kërkuara dhe ky treg i ri që është hapur në Shqipëri treg i ri i shoqërimit, të tregimit të natyrës së vendit tonë edhe i sporteve të aventurës është realisht nga më të kërkuarit. Ne si ministri në bashkëpunim me operatorët turistik gjithmonë kemi shumë kërkesa për profesionin tuaj. Njerëz që dinë se çfarë është Shqipëria, dinë ta tregojnë Shqipërinë ashtu siç duhet, dinë të shoqërojnë në ambiente të ndryshme dhe në zona të caktuara si kjo e Qafështamës, turistët e huaj”, u tha ministri Klosi studentëve të këtij masteri.

Ata kërkuan një takim dhe prezantim me operatorët turistik të vendit, pasi dhe disa muaj dhe ata janë gati për të hyrë në tregun e punës. Diploma e studentëve të kësaj dege, është e njehsuar dhe njihet në Shqipëri dhe vendet e Rajonit. Në Parkun Kombëtar të Qafështamës mund të ushtrohen shumë mirë sportet e natyrës, sic janë ecje nëpër shtigjet e hapura enkas, hiking, çiklizëm, ngjitje në majat përreth, kamping dhe ski.

“Është një nga ato sfidat që ka Shqipëria dhe një nga ato politika që merret institucioni ynë që ta afrojmë turizmin me shqiptarët. Në flasim shumë për turizmin për miliona turistë që i ofrohen Shqipërisë, miliona turistë që kanë qenë vitet e fundit, rreth 7 milionë turistë pritet që të vijnë këtë vit, por ne na duhet ta promovojnë shumë më tepër për qytetarët shqiptarë. Pra, që ta njohin dhe ata shumë më tepër Shqipërinë dhe të ndihmojnë kaq shumë investime që po bëjnë në turizëm. Prandaj ajo që tha dhe profesori është që na duhet që përveçse të dine, të ketë edhe argëtim, të kenë arsye përse të qëndrojnë në një pikë kaq të bukur si Qafështama. Pra të bëjnë ecje në natyrë, ecje në bukuritë e kësaj zone, të njihen me aktivitete të ndryshme dhe pastaj të bëhet një komunikim më shumë për sa i përket kësaj hapësire”, tha ministri Klosi. Në fund të takimit ministri Klosi u dorëzoi administratorëve të “Shkreli Resort” certifikatën e kategorizimit, si resort në fushën e agroturizmit.

Pjesë e Vargmalit të Skënderbeut, Qafështama ofron një natyrë mbresëlënëse, në një lartësi prej 1100 dhe ngrihet lart deri në Majën e Liqenit, 1725 m mbi nivelin e detit dhe ndërthuret me vlerat kurative, ujin e familjes mbretërore dhe historisë së 90 vajzave krutane që u flijuan te “Shkëmbi i Vajës”. Zona e Mbrojtur e Parkut të Qafështamës që ka një frekuentim gjithëvjetor, ka një sipërfaqe prej rreth 20 km2, e shpallur si e tillë prej vitit 1966. Ajo gjendet rreth 25 km në verilindje të qytetit të Krujës. Ky park, prej kohësh ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve, si vend kurativ dhe turistik. / atsh / KultPlus.com

Ka ndërruar jetë edhe e veja e Hysni Kapos, numrit dy të komunizmit në Shqipëri

Pak ditë pasi ndërroi jetë Nexhmie Hoxha në moshën 99 vjeçare, ka ndërruar jetë edhe Vito Kapo e veja e Hysni Kapos, ish numri dy i PPSH-së.

Ajo ka mbajtur shumë poste të rëndësishme gjatë kohës së komunizmit ku ka qenë ish-ministre e industrisë së lehtë në vitet 1987-1990 si dhe ish-kryetare e Bashkimit të Grave para viteve ‘90.

Në fillimet e para Kapo ka qenë sekretare e Enver Hoxhës pranë Shtabit të Përgjithshëm në Helmës dhe Odriçan./T Ch/ KultPlus.com

Qeveria ndan 200 mijë euro për ta ndihmuar Shqipërinë pas tërmetit

Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e radhës nën drejtimin e kryeministrit Albin Kurti.

Në këtë mbledhje është marrë vendim që të ndahen 200 mijë euro për Shqipërinë, në ndihmë nga dëmi i tërmetit të nëntorit të kaluar.

Kryeministri Albin Kurti tha përveç ndihmave të deritanishme do të ndahen edhe mjete financiare.

“Republika e Kosovës do të ndihmojë Shqipërinë për atë fatkeqësi të tmerrshme që ndodhi dhe përveç ndihmës së deritanishme ne do ta shoqërojmë edhe me mjete financiare”.

Ministri i Financave dhe Transfereve, Bisnik Bislimi, ka kërkuar që këto mjete të miratohen.

“Sot kam sjellë para jush për ndarjen e mjeteve financiare me një shumë prej 200 mijë euro”. / KultPlus.com

Psikiatri Neli Demi: Meshkujt në Shqipëri rriten keq, vrasin se po humbasin armën e nënshtrimit

Mjeku i njohur psikiatër, Neli Demi, thotë se, një nga problemet kryesore që sjell vrasjen e grave nga burrat është fakti se, meshkujt rriten keq. Pavarësisht zhvillimit ekonomik të vendit, z. Demi gjatë një interviste për Euronews Albania, u shpreh se ndryshimi i këtij mentaliteti do të kërkojë shumë kohë.

“Te kjo sjellje ndikon mënyra se si individët e shoqërisë sonë janë edukuar dhe janë rritur. Kryesisht meshkujt në Shqipëri rriten keq. Ndryshimet e mentalitetit të një shoqërie kërkojnë shumë më tepër kohë për t’u arritur. Mentaliteti ndryshon shumë ngadalë, dhe duhen breza për të sjellë një ndryshim cilësor”, u shpreh psikoterapisti i njohur.

Fakti që sot ka më shumë dhunë ndaj grave se sa në vitet e para të demokracisë, sipas z. Demi vjen për shkak se në ditët e sotme, vajzat dhe gratë kanë më shumë mundësi për të krijuar pavarësi ekonomike dhe individuale.

Pikërisht humbja e kësaj arme të nënshtrimit, sjellë agresivitet nga ana e meshkujve që kërkojnë të ruajnë pozicionin që kanë pasur deri tani në familje dhe shoqëri, ku ata vendosin për gjithçka.

“Pavarësia ekonomike ndikon shumë në lirinë personale të individit. Nga ndonjëherë pavarësia ekonomike e grave sjell një agresivitet të shtuar nga ana e meshkujve, që përfundojnë në vrasje. Mundësitë më të mëdha që kanë gratë në ditët e sotme, mund të ketë sjellë rritje të agresivitetit si përgjigje nga meshkujt nga burrat.

Pasi një nga armët e nënshtrimit që meshkujt përdorin është pikërisht varësia ekonomike që gratë dhe fëmijët kanë ndaj tyre dhe kjo i bën në një farë mënyrë një lloj patriarku ku ata vendosin për gjithçka. Kur arrihet një pavarësi nga gratë, kjo shoqërohet dhe me rritje të kërkesave të tjera”, u shpreh z. Demi. / KultPlus.com

53 monumente kulture të dëmtuara nga tërmeti, Margariti: Vështirë kthimi i tyre në origjinalitet

Kur kanë kaluar më shumë se dy muaj nga tërmeti i 26 nëntorit, Ministria e Kulturës ka publikuar një raport mbi situatën në të cilën ndodhen monumentet Kulturore, pas asaj lëkundje tragjike.

Kur kanë kaluar më shumë se dy muaj nga tërmeti i 26 nëntorit, Ministria e Kulturës ka publikuar një raport mbi situatën në të cilën ndodhen monumentet Kulturore, pas asaj lëkundje tragjike. Në raport, evidentohet se 23 monumente kanë dalë jashtë përdorimit, 30 prej tyre janë pjesërisht të përdorshme dhe 48 prej tyre nuk kanë pasur problem. Këto monumente ndodhen në zonat e prekura nga tërmeti 6.4 ballë.

Në Komisionin e Medias, ministrja e Kulturës për dëmet e tërmetit në monumentet e kulturës, Elva Margariti raportoi se nga 216 objekte të trashëgimisë, të cilat janë inspektuar pas tërmetit, rreth 30 me risk të lartë. Për rikuperimin e tyre 707 mln lekë. Më rrezikuarat, kulla e Krujës, e cila është rrethuar dhe ka vendosur tabela parandaluese. Si një masë e marrë nga ministria, janë mbyllur muzetë edhe sitet ku Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe ai i Ndërtimit panë domosdoshmëri për riparimin e dëmeve. 

Margariti bëri me dije se është e vështirë kthimi i tyre në origjinalitet.

( Kliko këtu ) për raportin e plotë

Kosova dhe Shqipëria bashkohen në Wildlife

Së shpejti një dokumentar madhor televiziv mbi jetën e egër në Kosovë e Shqipëri, do të dalë në qarkullim.

Anëtarët e shoqatës më të madhe të fotografëve shqiptarë të natyrës, Albanian Wildlife Photographers, janë thuajse në përfundim të këtij projekti të jashtëzakonshëm. Është i pari, dhe i vetmi në llojin e vet, që flet e dokumenton nëpërmjet pamjeve jashtëzakonisht cilësore e profesionale, kafshët e egra që gjallojnë në territorin e Shqipërisë dhe Kosovës, të filmuara në habitatin e tyre natyral.

Sipas dr Granit Hyseni, nga Peja, drejtues i projektit, “Ideja një dokumentari të kësaj natyre ka ngacmuar hershmërisht, atë dhe mikun e tij nga Kamenica, Kosovë, fotografin pasionant Arian Mavriqi. Sa herë që dilnim në terren për të fotografuar, hasnim në shumë momente – fenomene të cilat shpeshherë ishin të pa mundura të dokumentoheshin vetëm nëpërmjet fotografisë. Kështu që vendosëm dokumentimin e tyre edhe nëpërmjet filmimeve”

Qëllimi i realizimit të këtij dokumentari në një format krejt ndryshe, në aspektin e cilësisë, është paraqitja e sakrificave, vështirësive, rreziqeve dhe sfidave që duhet me kapërcy një Wildlife Photographer!

Sipas Hysenit: Fotografi i jetës së egër, shpesh vë në rrezik edhe jetën e vet, me qëllim të nxjerrë në dukje, për admiruesit e këtij zhanri, bukuritë e natyrës, në rastin konkret të natyrës së trojeve tona që kanë një pasuri të jashtëzakonshme në shpend, kafshë, bimësi e gjallesa nga më të larmishmet!

Një ndër objektivat bazike të këtij dokumentari, është rritje e ndjeshmërisë së opinionit publik në drejtim të mbrojtjes së faunës dhe florës ndër trojet shqiptare, sidomos të specieve në rrezik zhdukjejet!

Projekti është realizuar krejtësisht me finacimin privat të anëtarëve të shoqatës së Fotografëve Shqiptarë të Natyrës së Egër, me qendër në Kosovë. Ideator dhe drejtues kryesor i këtij projekti është doktor Granit Hyseni. Por një kontribut të rëndësishëm kanë dhënë dhe vijonë të japin fotografët Jetmir Troshani , Arian Mavriqi, Besnik Jakupi, Lulzim Demaj, Sefer Aliqkaj dhe në vecanti Meriton Dajakaj e Jeton Dajakaj. Jetoni ka rolin e regjisorit e montazherit, pa të cilin dokumentari nuk do të ishtë në nivelin e duhur artistik!

Dokumentari është i ndarë në seri, ku secila do të ketë nga 45 minuta. Pjesa e parë i kushtohet Wildlife Albanian Photographers ku paraqesin mundin, shkallët e vështirësisë dhe bukuritë që sjellin nëpërmjet fotografise dhe videove të tyre. Për punën, talentin e pasionin e jashtëzakoshëm të këtyrë fotografëve flasin ekspertë të fushës si drejtori i parkut kombëtar të Divjakë -Karavastasë Ardian Koci, prof. Taulant Bino, Guida Divjaka me në krye bashkëshortët Altin e Alketa Hila, Guida Shkodra me në krye Fatbardh Sucaj, kryetarin e shoqatës Grupi Era, Fatos Lajqi, mësuesja e talentuar shkodrane Aurora Piroviq, prof. Qenan Maxhuni etj.

Veçojmë në këto intervista Shkëlqesinë e sajë, Ambasadoren e Republikës së Kosovës në ShBA znj. Vlora Citaku, që ka përkrahur në mënyrë të veçantë çdo nismë të Shoqatës.

Seritë vijuese do të flasin për habitate të caktuara dhe shpend ose kafshë të ndryshme dhe po punohet pa ndërprerje për dokumentimin e tyre.

Duke pasë parasysh rëndësinë e një dokumentari të tillë dhe vijimësinë e kësaj nisme, do të ishtë në interes dhe e mirëpritun çdo lloj ndihme apo përkrahjeje nga ministritë e mjedisit të shteteve tona (Kosovë, Shqipëri) si dhe nga kontributet vullnetare të enteve, apo privatëve të ndryshëm. Mbështetja për projektet të tilla serioze është e një rëndësie të veçantë kur flitet për florën dhe faunën e egër, dhe mbrojtjen e sajë, si një pasuri e jashtëzakonshme kombëtare në trojet tona Shqipëri -Kosovë!/ Edmond Kaçeli. / KultPlus.com

Hapet ekspozita “Shqipëria dhe shpëtimi i hebrenjve nga persekutimi dhe Holokausti”

Në kuadër të Konferencës të nivelit të lartë “Mbi Luftën kundër Antisemitizmit në rajonin e OSBE-së”, e cila shënon aktivitetin e parë të këtij lloji të Kryesisë Shqiptare, u inagurua edhe ekspozita “Shqipëria dhe shpëtimi i hebrenjve nga persekutimi dhe Holokausti” me pjesëmarrjen e Ministrit në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, delegacioneve zyrtare nga vendet pjesëmarrëse të OSBE-së, përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile, etj.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj shprehu se kjo konferencë do të shërbejë për të konfirmuar zotimet tona për angazhimin e pakompromis kundër të gjitha trajtave të antisemitizmit, punën e pakursyer kundër gjuhës së urrejtjes e përpjekjen e pandalur për të forcuar shoqëritë demokratike nëpërmes edukimit cilësor.

Gjithashtu ai theksoi se edhe pas 75 vjet nga çlirimi i Aushvicit, antisemitizmi mbetet prezent në mënyra të ndryshme dhe forma të fshehura në të gjithë Evropën. Ndaj liderët botërorë duhet të dënojnë fuqishëm çdo akt të antisemitizmit dhe krimeve të urrejtjes.

Kryediplomati Cakaj u ndal në kontributin shqiptar pёr shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke ju referuar vlerës së patjetërsueshme të shoqërisë shqiptare, tolerancës dhe bashkëjetesës së shkëlqyer fetare. Në mbyllje, Cakaj falënderoi kontribuesit që bënë të mundur realizimin e kësaj ekspozite. / KultPlus.com