Indeksi i perceptimit të Korrupsionit ka renditur 180 vende për korrupsion duke filluar nga ato me korrupsionin më të ulët deri tek ato me korrupsionin më të lartë.
Renditja u bë në bazë të perceptimit mbi korrupsionin në sektorin publik, sipas ekspertëve dhe njerëzve të biznesit. Analiza e këtij viti tregon se korrupsioni është më i përhapur në vendet ku paratë e mëdha mund të rrjedhin lirshëm në fushatat elektorale dhe ku qeveritë dëgjojnë vetëm zërat e individëve të pasur.
Në vendin e parë renditet Zelanda e Re si vendi më pak i korruptuar në botë. Pas saj renditet Danimarka dhe Finlanda.
Kosova renditet në vendin e 101, ndërsa Mali i Zi në vendin e 66.
Shqipëria renditet në vendin e 106 duke ku bashkë me Maqedoninë e Veriut kanë renditje më të dobët se vendet e tjera të rajonit.
Në fund të tabelës renditet Somalia si vendi më korrupsionin më të lartë në botë.
Vlen për t’u theksuar që Shtetet e Bashkuara të Amerikë nuk janë as në 20 e parë duke u u renditur në vendin e 23. / KultPlus.com
Dioqeza Prishtinë-Prizren ka bërë të ditur se me 18 janar do të mbajë një Akademi Solemne në nderim të kontributit të Shqipërisë për kosovarët e strehuar atje më 1999.
“Ishte momenti kur Shqipëria hapi kufijtë, angazhoi institucionet dhe vuri tërë kapacitetin shtetëror, por edhe shqiptarët në tërësi hapen zemrat, shtëpitë e tyre dhe ndihmuan në shumë forma tjera, me të cilat e shprehën dashurinë, bujarinë dhe mikpritjen për bashkëkombësit e tyre nga Kosova, të cilët dëboheshin dhunshëm nga shtëpitë e tyre”, thuhet në njoftimin e Dioqezës. / KultPlus.com
Këngët pjesëmarrëse për në Festivalin e Këngës në RTSH janë lansuar në kanalin YouTube dhe interesimi i publikut për t’i dëgjuar është i madh, shkruan KultPlus.
Elvana Gjata e Arilena Ara janë dy emrat pretendentë për të
fituar në këtë festival por pjesëmarrësit janë të shumtë.
Elvana Gjata, Tiri Gjoci, Arilena Ara, Olta Boka, Eli Fara
dhe Stresi, Gena, Kamela Islamaj, Era Rusi, Bojken Lako e Robert Berisha, janë
disa nga emrat që i janë futur kësaj gare.
Fituesi i këtij festivali shkon automatikisht në Eurovizion.
Të gjithë po i presin netët finale për të kuptuar se kush do
të fitojë në festival dhe kush do ta përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion.
KultPlus ju sjell këngët pjesëmarrëse. / KultPlus.com
Piktori i mirënjohur Agim Sulaj, i cili trajton shpesh në veprat e tij temën e emigrimit, ka ftuar artistë nëpër botë të marrin pjesë në një ekspozitë me temë, tërmetin në Shqipëri. Mbi 100 karikaturistë të njohur në botë, janë përgjigjur me pjesëmarrjen e tyre.
Piktori dhe
karikaturisti shqiptar, Agim Sulaj, i cili në veprat e tij trajton shpesh temat
shoqërore, është solidarizuar me qytetarët e prekur nga tërmeti në Shqipëri dhe
ka marrë një iniciativë duke ftuar artistë nga e gjithë bota të marrin pjesë në
një ekspozitë me temën “Earthquake in Albania”, për tërmetin në
Shqipëri.
“Këto
ditë në Shqipëri ishte një tërmet me shumë viktima dhe dëme, me mirësi ju ftoj
të ndani kohën tuaj të çmuar dhe të më dërgoni një punim me këtë temë”,
kështu i ka ftuar ai artistët.
Kjo ftesë është
e hapur për të gjithë, si karikaturistë, ilustrues, piktorë e dizajnerë. Numri
i pjesëmarrësve nuk është i limituar.
Deri më tani
mbi 100 karikaturistë të njohur në botë, i janë përgjigjur ftesës për
pjesëmarrje në këtë ngjarje.
Afati për dorëzimin e veprave nga artistët është i hapur deri më 6 dhjetor 2019. / KultPlus.com
I druheshin të iknin të dy nga kjo jetë dhe të linin pas familjet e tyre që jetojnë mes kushteve të vështira në fshatin Livoç i Epërm në Gjilan të Kosovës. Por fatkeqësisht tërmeti i tmerrshëm i 26 nëntorit, i mori të dy bashkë.
Është kjo historia e trishtë e Isës dhe Shemsedinit, dy vëllezërve nga Kosova që vdekja i mori nën rrënojat e Hotel “Tropikal” në Durrës, aty ku kishin pasur vetëm kujtime të gëzueshme. Familja Abazi kishte rreth 15 vjet që pushimet e verës i kalonte në këtë hotel në Durrës. Më 25 nëntor, një natë para tërmetit, vëllai i madh, 32-vjeçari Shemsedini, kishte marrë me vete edhe të voglin, Isain, 29 vjeç.
Isai kishte mbetur i papunë dhe për të mos e lënë vetëm, vëllezërit guxuan të bëjnë të parin udhëtim të gjatë, të dy në të njëjtën makinë. Babai na tregon se frika më e madhe e djemve të tij që nuk i ka më pranë vetes, ishte të vdisnin të dy në ndonjë aksident, e për këtë arsye asnjëherë nuk kishin udhëtuar bashkë. Por fati deshi që ata të shuhen në krahët e njëri-tjetrit duke lënë pas dhimbjen e papërshkueshme tek nëna, babai, nuset, dhe 6 të vegjlit e tyre. Familja i kishte drejtuar sytë nga dy djemtë të cilët punonin mekanikë, dhe ishte pikërisht kjo arsyeja pse ata kishin marrë rrugën në Durrës, për punë.
Dy djem mjaft të lidhur me familjen, çka e tregon edhe një telefonatë që i kanë bërë në mbrëmje babait të tyre për ta qetësuar se janë mirë: Tani po flemë! Pas këtij mesazhi ata nuk u zgjuan më kurrë! Tërmeti i së martë në 03:54 i zuri në gjumë në dhomën e hotelit, teksa pas orësh të tëra u nxorën të pajetë nga ekipet e kërkim-shpëtimit.
Nga Tiranë në Livoçin e Epërm, na çoi një mision i veçantë. Një biznesmen në Tiranë me origjinë nga Vlora, i cili dëshiron të mos e shuajë gjestin e bamirësisë duke e bërë publik emrin, me të dëgjuar në lajme historinë e trishtë të familjes Abazi dhe jetesën e tyre të vështirë, vendosi të dhurojë 6 mijë euro, nga 1 mijë euro për 6 të vegjlit që humbën baballarët në një nga fatkeqësitë më të rënda natyrore që preku Shqipërinë.
“Mirë motër mirë ardhsh”, na thotë në telefon teksa nisemi nga kryeqyteti, djali i xhaxhait të Isa dhe Shemsedinit, Sabri Abazi. Dhimbja e madhe, nuk ua kishte zhdukur respektin, e as pas pritjes dhe përcjelljes së mijëra personave që vinin për ngushëllim.
Babain e Isës dhe Shemsedinit e takojmë në çadrat jashtë shtëpisë aty ku me mijëra njerëz, të njohur e të panjohur të tyre kanë shkuar të shprehin ngushëllimet. Pyet nëse ne të Shqipërisë jemi mirë, nëse kemi pasur të lënduar apo jetë të humbura. Në mesin e kësaj tragjedie nuk harron mikpritjen dhe zemërgjerësinë.
Babai nuk duket i lëkundur nga fatkeqësitë që e kanë zënë këtë familje. Vite më parë i ishte shuar një tjetër djalë, por ai qëndron i fortë…mundohet të mos lëshojë lot, dhe t’i japë shpresë bashkëshortes së tij dhe nuseve të dy djemve që tashmë duhet të rrisin të vetmet 6 fëmijë.
Me zemrën e prekur nga gjesti human i një vëllai shqiptar siç babai shprehet, na çon tek nuset e djemve për t’ia dorëzuar atyre paratë për fëmijët. Ato ndodhen ulur krah njëra-tjetrës në çadrën tjetër hapur jashtë shtëpisë së familjes Abazi, ku ndodhen vetëm gra. Në krye qëndron nëna e vëllezërve Abazi, e ulur në një divan me nuset. Dhimbjen në shpirt e kanë aq të madhe saqë duket se i mungon forca për të nxjerrë lot. I shohim të veshura me shami të bardhë, ndërsa asnjë nga gratë e tjera nuk është veshur me të zeza.
Bashkëshortet e Isa dhe Shemsedin Abazi dhe nëna e tyre
Familja Abazi janë muslimanë. Vdekja për ta , sado e vështirë qoftë, është vullnet i Zotit, i cili duhet pranuar dhe përballur. I themi se vimë nga Tiranë së bashku me zemrën e madhe të një njeriu të panjohur për ta që dëshiron të lehtësojë sadopak dhimbjen e tyre duke u siguruar të paktën se fëmijët do ta kalojnë dimrin pa u munguar gjë. Nuk mund t’i mbajnë lotët teksa thonë vetëm: Allahu jua shpërbleftë! Zoti ju ndihmoftë.
Bashkë me vlerën monetare, në dorë mbanin edhe një arushë. Ishte dëshirë e një vajze të vogël, vetëm 7 vjeç, për t’ia dhuruar bashkëmoshatarëve të saj të vegjël, sapo dëgjoi se disa fëmijë nuk i kishin më pranë vetes baballarët e tyre, për shkak se ata kishin shkuar shumë larg (pa pasur zemër t’i tregojmë se tërmeti tragjik i 26 nëntorit që edhe ajo ndjeu dhe përjetoi, ka bërë që dhjetëra njerëz të humbin jetën nën gërmadha). Teksa i tregojmë për këtë vogëlushe, shohim teksa në faqet e nënës së Isës dhe Shemsedinit rrjedhin lot, duke marrë pranë vetes arushin, një njëbrirësh rozë, dhe vështrimin e mban në emrin e vajzës së vogël të shkruar në të.
Djali i vogël i familjes, Isai, më 28 nëntor do të festonte ditëlindjen. Babai ia ka blerë edhe dhuratën, teksa ky është momenti i vetëm kur e shohim të përlotur. Kthen sytë mënjanë të mos e tregojë veten, dhe fillon të rrëfejë kujtimet që ka me djemtë nga hoteli i pushimeve të verës që tashmë u kthye në tragjedi për familjen. “Për 10-15 vjet kemi bërë pushimet familjarisht tek Hotel Tropikal. Por këtë verë nuk ma bënte zemra të shkoja, mendova për situatën ekonomike, nuk doja t’i shpenzoja djemtë, dhe nuk shkova. Isa më 30 nëntor kishte ditëlindjen, ja kam blerë edhe dhuratën. Më telefonuan para se të flinin, dhe më uruan natën e mirë. I pyeta a jeni mirë? Mirë thanë, kemi gjetur edhe materialet (të punës)”, na tregon babai.
Aty takojmë edhe Sabriun, i cili humbi djemtë e xhaxhait në këtë tragjedi. Është rritur me Isain dhe Shemsedinin në këtë lagje të varfër të Livoçit.
“Jemi rrit bashkë si vëllezër. Ka qenë dhimbje e papërshkueshme për ne. Derisa kam shkuar vet tu shoh fytyrat me pastru xhenazen s’kam mundur ta besoj. Tërmeti i zuri në gjumë”, thotë ai mes lotëve.
Na tregon se vëllai i tij ishte shkëmbyer në kufi me Isën dhe Shemsedinin. Ai kthehej nga Shqipëria për në Kosovë, dhe ata shkonin për në Durrës. Edhe ai kishte qenë në hotel “Tropikal”.
Sabri Abazi, kushëriri i vëllezërve që vdiqën nga tërmeti
Me të marrë lajmin e kobshëm, vëllai i Sabriut, i cili është ushtar, ka shkuar vetë pranë gërmadhave për të kërkuar me shpresën se do të mund të nxirrte gjallë dy kushërinjtë e tij.
“Vëllai im ka qëndruar katër ditë atje. Pas 4 ditëve u nis. Në kufi janë takuar. Ku po shkon Shems e Is? Po shkojmë në Durrës në Tropikal, me punu. Pastaj e ka marrë në telefon një shokë prej Durrësit. I njihte një më një ku janë dhomat. Ka kërkuar 27 orë nën rrënoja derisa e ka gjetur edhe trupin e dytë të pajetë, Shemsedinin”, na tregon Sabriu, teksa thotë se çfarë tragjedie do të ishte nëse ky tërmet do të kishte rënë në verë, ku gjithë fisi pushonte në këtë hotel.
“Allahu i madh, me pas ndodh në korrik e gusht, nga 50 vetë të familjes ne shkojmë atje, nip e dajë, ka mund me qenë katastrofë. Allahi i ndihmoftë edhe ata vëllezër e motra që janë atje”, thotë Sabri Abazi.
Siç e di tradita, kryefamiljari Abazi na përcjell të largohemi teksa tashmë kishte rënë nata. “Nuk do jua harrojmë…Me të ardhur në Tiranë, do ju takojmë”.
Fotoja e Isa dhe Shemsedin Abazi vendosur në hyrjen e rrugicës së banesës së familjes Abazi ku vetëm ditën që ne i vizituam (29 nëntor) kishin pritur 5 mijë vetë për ngushëllim
Në mes të kësaj tragjedie, Shqipëria dhe Kosova treguan se janë një përmes solidaritetit të treguar nga vëllezërit tanë përtej kufirit. Edhe në pikën e përbashkët kufitare në Morinë e sheh këtë. Efektivët e kufirit sapo shohin targat e Shqipërisë, pyetja e parë që drejtojnë është: A keni shpëtuar të gjithë nga tërmeti? Të gjithë e dinë tragjedinë e familjes Abazi dhe sapo i tregojmë se po shkojmë të ndihmojmë 4 fëmijët e Shemsedinit dhe dy të vegjlit e Isait, njëzëri thonë: Zoti ju ndihmoftë! / Literalmedia / KultPlus.com
Pas tërmetit që preku Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit, shumë banorë të qytetit të Durrësit dhe zonave të tjera, pas shpalljes si të pabanueshme të banesave të tyre, janë strehuar nëpër komplekse hoteliere dhe qendra sociale.
Mes personave të prekur nga tërmeti ka dhe shumë fëmijë, të cilët e kanë përjetuar shumë këtë situatë të vështirë.
Për t’ia lehtësuar sado pak dhimbjen dhe për t’i kthyer buzëqeshjen këtyre fëmijëve që ndodhen në hotel, por edhe të gjithëve banorëve aty, Muzeu Historik Kombëtar prezantoi disa nga projektet edukative të tij.
“Muzeu lëvizës” dhe “Arkeologu i vogël” shkuan pikërisht në një prej këtyre ambienteve, ku fëmijët kaluan disa orë të këndshme, duke luajtur, vizatuar, por dhe duke u njohur me trashëgiminë kulturore të vendit tonë, përmes kostumeve popullore, veglave muzikore e objekteve të tjera.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shprehet se, “Muzeu Historik Kombëtar shkon aty ku janë fëmijët dhe në këto momente, ata që kanë më shumë nevojë për mbështetje dhe lehtësim, janë të vegjëlit e strehuar nëpër komplekse hoteliere dhe qendra sociale, për shkak të tërmetit”.
Ministrja shprehet se dy projektet edukative të Muzeut Historik Kombëtar bën që fëmijët të kalonin disa orë ndryshe duke luajtur, vizatuar dhe duke u njohur me trashëgiminë tonë kulturore.
Margariti tha se, “ndërsa po punojmë të gjithë bashkë për gjetjen e zgjidhjes sa më shpejt për strehimin e tyre po përpiqemi t’u rikthejmë dhe buzëqeshjen fëmijëve ku në dispozicion të tyre janë të gjitha institucionet kulturore”. /atsh / KultPlus.com
Petro Marko për tërmetin
e 1967-s. Prologu dhe Epilogu i një tërmeti.
Nga Gëzim Llojdia
Shkrimtari
Petro Marko kishte vite i gjendur në hije nga pushteti
i kohës, shpesh pa punë dhe me degdisje larg dhe nën frikën e
arrestimit. Duhej tërmeti i vitit 1967-s që dikush do të
ndërmendej për shkrimtarin e njohur. Në kujtimet e tij ai e shqyrton edhe këtë
rast. Ndërsa te gazeta letrare e kohës gjejmë shkrimin e tij: “Prologu dhe
Epilogu i një tërmeti”.
1.
Ja çfarë shkruan shkrimtari Petro Marko në vitin 1968 vetëm pak muaj pas tërmetit të vitit ’67. Ky tërmet, kaq vite më vonë ndodhte në bregun e qytetit të lashtë të bukuroshes së Durrësit, mirëpo ai përsëritej, shqiptarçe njësoj.
“Ra tërmeti,
shkruan P. Marko. Dëme të mëdha! Dimër. Shtëpi të rrënuara. Fëmijë dhe pleq
përjashta. Thirrja dhe vendimi i Partisë dhe i Qeverisë: “Të gjithë banesat të
ndërtohen brenda muajit. Falas dhe cilido, me dëshirë, le të dalë vullnetar për
të ndihmuar”.
…”Midis
kolonave të makinave, karvanëve të kuajve, të njerëzve që mbushnin
rrugët dhe monopatet e ngrira, ne do të shohim dhe një të ri
dymbëdhjetë vjeçar. R. S. Ballën nga Uraka e Librazhdit. Që natën e parë nga
fshati i tij u nis një karvan me kuaj e mushka. Ky karvan i ngjitej
malit . Dhe stuhia zemërake kërkonte që ta ndalonte marshimin e
këtij karvani, që shkonte në zonat e Çermenikës së zezë për të ndihmuar.
Burrat, duke mbajtur kuajt dhe mushkat nga kapistra me kujdes të madh
kapërcenin shtigje shumë të rrezikshme. Në fund të karvanit dëgjohet një këngë.
Ata që ishin në bisht të kësaj kolone dëgjuan: “Cili do jetë?”
Kënga
vazhdonte. Zëri i atij, që e këndonte këtë këngë revolucionare, herë
bëhej si zë vajze dhe herë si zë fëmije…Ndalën. Presin. Dhe shohin një të ri që
tërhiqte mushkën e tij. E këshilluan të kthehej prapa. Se rruga
ishte e gjatë dhe vështirë. Po pionieri Ramazan u tha:
-Kot e
kini! Unë do të vij me ju….Jam pionier…As tufani dhe as tërmeti nuk më tremb.
Burrat
u këshilluan midis tyre dhe pasi e panë, që ky pionier nuk kthehej kurrë
prapa,vendosën që ta merrnin. Dhe ky u tha:
-Ju
falem nderës? Tani një gjë ju lutem!
-Çfarë
kërkon më?
-Të
këndoni, bashkë me mua…
Dhe
kënga krisi. Tufani frynte më me zemërim. Po kënga përzihej me
uturimën e tij .
2.
Duke
vijuar me skicën e shkrimtarit të njohur Petro Marko në pjesën e dytë të
titulluar: “Epilogu”, shkruan:
“Kur
Ramazani kthehej fitimtar nga betejat në fshatin Mirakë, kooperativistët kishin
shtruar një drekë për vullnetarët nga Përmeti dhe Cërriku. Shtëpitë e dëmtuara
rëndë ishin ndërtuar, të rejat kishin përfunduar shtatë ditë para afatit. Dhe
tymi dilte nga oxhaqet e gjithë fshatit të vogël, i cili një vit kish që ishte
bërë kooperativë dhe bukën e kishte prodhuar, për një vit e gjysmë,
kurse më parë nuk bënte bukë as për pesë muajt e vitit…”
Shkrimtari P. Marko në këtë pjesë vijon të përshkruajë kohën kur përfundoi ndërtimi banesave të shkatërruara nga tërmeti, kjo fatkeqësi natyrore është fiks sipas një proverbi shqiptar: “E gjen nga s’e pandeh” të godet kur nuk e pret, por për vullnetarët që kishin lënë vatrat e tyre në ndihmë të vëllezërve puna dhe entuziazmi nuk reshtnin. Këngë e valle, shkruan shkrimtari. Autori përmend edhe drejtuesit politikë të kësaj zone që gjendeshin në këtë vend. Me poshtë thotë: “Vajza dhe djem, dorë më dorë me specialistët nga Përmeti dhe nga Cërriku, hidhnin vallen fitores.” Shkrimtari, duke e përshkruar këtë çast rindërtimi, thotë se një vashë e re, të cilës shtëpinë ia rrafshoi tërmeti, pasi shprehu mirënjohje për ndërtesën e re, i fali kooperativës, dy qetë që kishte si pasuri të vetme. Vasha e re që besonte në këtë ideal të kohës thoshte: “Se puna im dhe ëndrra ime i kushtohet fshatit tim. Kënga u ndez edhe më shumë. Të tjerë fshatarë nisën t’i falnin kooperativës së tyre të re malore atë që kishin. Kryetari në emër të shokëve mori angazhime të reja. Për faljen e borxheve. Për ndriçimin e fshatit me dritë elektrike… Duke përmbyllur këtë episod nga zona malore ku tërmeti i vitit 1967 dëmtoi fshatra të tërë në dimrin e atij viti, shkrimtari P. Marko thotë: “…Ky ishte epilogu, pas fitores kundër armikut, që na sulmoi në befasi nga fundi i dheut dhe që e dërmuam brenda tre javëve….”
Kanë dalë në shitje bluzat që janë dizajnuar nga Dua Lipa, fitimet nga shitjet e të cilave do të shkojnë për të ndimuar të prekurit nga tërmetet në Shqipëri.
Këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa është një prej personazheve të njohur të ekranit që është duke mbledhur fonde për t’ju ardhur në ndihmë shqiptarëve.
Këngëtarja ka treguar se ka zgjedhur të mbledhë të ardhura nëpërmjet shitjes së një bluzave që tregojnë edhe kauzën e vendit tonë.
Pak më parë Dua ka zbuluar edhe dizajnin e bluzës, e cila duket të jetë bërë me kujdes. Në pjesën e pasme qëndron emri i këngëtares dhe më poshtë krijohet një rreth me fjalët : Pray for Albania (Lutuni për Shqipërinë).
Kjo bluzë shitet për 45 dollarë dhe vjen në sasi të limituar.
Me të ardhurat e grumbulluara Dua do të ndihmojë familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.
Shqipëria është goditur nga një tërmet i fuqishëm i cili ka lënë 50 persona të vdekur dhe qindra të lënduar. Ky tërmet bëri që të shpallet edhe gjendje e jashtëzakonshme teksa ekipe të ndryshme shpëtimi nga Kosova dhe vendet e rajoni qëndruan në Shqipëri, në përpjekje për ta tejkaluar sa më lehtë këtë sfidë. Në vazhdën e dëmeve të mëdha, janë regjistruar edhe dy monumentet kulturore dhe historike: Kalaja e Durrësit dhe ajo e Krujës.
Si Kalaja e Durrësit ashtu edhe ajo e Krujës janë shembur fizikisht dhe vetëm fizikisht, sepse ato përfaqësojnë histori dhe kulturë e cila nuk mund të shembet nga asgjë dhe asnjëherë në kuptime dhe mënyra të tjera. Përpos aspektit kulturor dhe historik, të njëjtat kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jenë pika shumë të frekuentuara turistike.
Kalaja
e Krujës është kalaja më e vjetër në
gjithë territorin shqiptar. Ajo po ashtu është radhitur si një prej
kalave më të mira në gjithë botën. E ndërtuar gjatë vitit 1190, në Krujë qytet
ky që ishte bërë më pas kryeqyteti i shtetit të parë autonom shqiptar në
mesjetë. Kjo kala me trajtë eliptike dhe me perimetër 804 metra, zë një
sipërfaqe prej 2.5 hektarësh tokë dhe është ngritur në një kodër shkëmbore.
Mënyra e furnizimit me ujë është një nga
veçantit më të mëdha të kësaj Kalaje, mënyrë kjo e cila e ka bërë këtë Kala të
mos vuaj asnjëherë për mungesën e ujit. Brenda territorit të kalasë, në shkëmb
rrjedh një burim nëntokësor, i cili del në rrëzë të murit lindor të saj. Ky
krua, që përdoret edhe sot në një çezmë, ka qenë rrethuar me një sistem muresh
e kullash. Kjo ka qenë njëherit arsyeja e vënies së emrit Krujë këtij qyteti
dhe më pas kalasë “Kalaja e Krujës”
Kalaja ka një strukturë arkitektonike
teksa materialet të cilat janë përdorur për ndërtimin e kalasë janë kryesisht
guri dhe betoni. Kjo edhe për shkak të qëndrueshmërisë të cilën duhet ta kishte
kalaja duke pasur parasysh se kohën kur është ndërtuar ka qenë kohë pushtimesh
nga armiqtë e Shqipërisë, konkretisht nga Perandoria Osmane.
Kalaja e Durrësit ishte ndërtuar nga
perandori i Perandorisë Bizantine, Anastasi, i cili qe origjinën nga Durrësi.
Në atë kohë, Anastasius e bëri Durrësin një nga qytetet më të fortifikuara në
Adriatik. Edhe para këtij tërmeti të
fundit, Kalaja e Durrësit ka histori tragjike me tërmete që kanë ndodhur në të
kaluarën. Kështu, kësaj Kalaje i është dashur t’i riparohen muret meqë kishte
pësuar dëmtime të mëdha prej tërmetit shkatërrimtar të vitit 1273.
Kjo Kala, ndër vite ishte përforcuar me
disa Kulla të ndryshme, kështu disa kulla roje u ndërtuan nga Republika e
Venedikut si dhe gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Kjo Kala,
njëjtë si edhe Kalaja e Krujës ka historinë e saj të lidhur me luftë. Kështu,
më 7 prill 1939, patriotët shqiptarë luftuan në muret e kalasë fashistët
italian që pushtuan Shqipërinë.
Duhet shpresuar që dëmtimi i Kalasë së Krujës dhe i Kalasë së Durrësit nuk ka qenë krejtësisht i madh si dhe në të njëjtën kohë duhet punuar shumë që të ketë një rindërtim të shpejtë të këtyre dy monumenteve kaq të rëndësishme kulturore, historike si dhe turistike për Shqipërinë dhe mbarë kombin shqiptar. / KultPlus.com
Në vitin 1912, pikërisht më 4 dhjetor, Qeveria e parë shqiptare filloi punën nën kryesinë e Ismail Qemalit.
Qeveria do të qëndronte në Vlorë deri në janar të vitit 1914, megjithëse me autoritet praktikisht vetëm brenda qytetit.
Po më 4 dhjetor, Vlora u godit me artileri nga flota greke që kishte bllokuar portin.
Trupat greke gjithashtu pushtuan ishullin e Sazanit, duke kontrolluar hyrjen në portin e Vlorës dhe këputën kabllon e komunikimit Shqipëri-Itali, e vetmja lidhje e vendit me botën e jashtme.
Grekët gjithashtu tentuan të merrni Sarandën.
Anëtarët e Kabinetit Qeveritar
Ismail Qemali – Kryeministër dhe Ministër i Jashtëm
Dom Nikoll Kaçorri – Zv.Kryeministër
Myfit bej Libohova – Ministër i Brendshëm
Gjeneral Mehmet Pashë Deralla – Ministër i Luftës
Abdi bej Toptani – Ministër i Financave
Dr. Petro Poga – Ministër i Drejtësisë dhe sistemit Gjyqësor
Dr. Luigj Gurakuqi – Ministër i Arsimit
Mit’hat Bej Frashëri – Ministër i Punëve Publike
Pandeli Cale – Ministër i Agrikulturës
Lef Nosi – Ministër i Post-Telegrafit. / KultPlus.com
Inxhinierja e ndërtimit prof. Luljeta Bozo ishte e ftuar në Dita Jonë për të folur për sa ndodhi në Durrës dhe tjetër kund mëngjesin fatal të 26 nëntorit.
Sa ishte dëmi që ndodhi për faj të tërmetit dhe sa për faj të cilësisë së ndërtimeve? Ku duhen kërkuar shkaqet dhe shkaktarët e këtij shkatërrimi dhe humbjeje të jetës dhe ç’mund të bëjmë që t’i shmangim tragjedi si kjo në të ardhmen? A rrezikojnë apartamentet tona pas këtyre lëkundjeve të mëdha?
Inxhinierja Luljeta Bozo zbulon shkeljet që bëhen sot në industrinë e ndërtimit, duke nisur nga mungesa e studimit gjeologjik e sizmik, e deri tek supervizioni dhe oponenca e dobët.
“Sigurisht që çdo tërmet që bie do të bëjë dëme, por jo dëme të asaj natyre që të bëjë kolaps objekti që t’i zërë brenda. Diçka nuk ka shkuar. Janë shumë shkelje që janë bërë gjatë gjithë procesit të ndërtimit.
Më parë ka funksionuar kështu, të marrësh lejen e ndërtimit dhe të kesh të drejtën të projektosh, duhet të kesh studimin gjeologjik të parin dhe studimin sizmik të dytin, pa këto nuk mund të fillosh.
Nuk mund të kursesh në dëm të sigurisë së objektit që mund të të zërë brenda njerëzit. Projekti duhet të kontrollohet. Duhet të ketë një instancë që kontroll projektin dhe projekti duhet të jetë i plotë, jo me copa letrash. Duhet ndjekur rregulli që në çdo hap të zbatimit duhet të kontrollohet cilësia e materialit dhe mënyra se si është zbatuar projekti. Këtë e bën supervizori. Por kush e ka supervizorin? Ata mund të ketë investitori. Atij i intereson, ai që nuk është serioz, ta kalojë shpejt e shpejt që të mbarojë objektin. Heq hekura, shkel në cilësinë e betonit. Këtu nuk janë zbatuar rregullat teknike, asnjë rregull teknik”, u shpreh inxhinierja.
Bebe Rexha ka arritur në Shqipëri për të ndihmuar nga afër të prekurit nga tërmetet.
Këngëtarja me famë botërore, Bebe Rexha, ka arritur në Shqipëri sot dhe ka folur për herë të parë pas ardhjes nga Amerika.
“Nuk jam e lumtur që kam ardhur në Shqipëri në këto rrethana por jam e lumtur që mund t’i ndihmoj njerëzit e mi. Kjo është shumë me rëndësi për mua”, ka thënë Bebe për T7 sapo ka arritur.
“Kur i kam dëgjuar lajmet, zemra më është thyer pasi që unë jam shqiptare, babai im është shqiptar dhe është shumë me rëndësi për mua që të mbështesë vendin prej nga jam”.
Bebe ka treguar edhe cilët janë planet e saj për të mbështetur të prekurit nga tërmetet.
Ajo thotë: “Plani im kryesor është që të vetëdijësoj njerëzit në gjithë botën për atë se çfarë ka ndodhur, mendoj se kjo është shumë me rëndësi. Gjithashtu kam mbledhur para me disa nga fansat e mi dhe qëllimi im është që të ndërtoj disa shtëpi dhe të ndihmoj disa njerëz. Pra, të jem pjesë e gjithë procesit, të siguroj që paratë po shkojnë në vendin e duhur derisa njerëzit kanë shtëpi në të cilat mund të jetojnë”.
Në fund këngëtarja ka thënë se ndihet shumë krenare dhe falëndreuese për Kosovën, pasi ata kanë ndihmuar shumë dhe ishte diçka shumë e bukur në gjthë këtë tragjedi, të shikojmë se si ata kanë hapur duart për shqiptarët.
Ajo gjithashtu shton se, megjithëse është lindur në New York, zerma e saj ka gjak shqiptar dhe gjithmonë do të mbështesë njerëzit e saj, pa marrë parasysh ku gjendet./ KultPlus.com
Vetëm analizimi i disa monumenteve që janë dëmtuar nga tërmeti në Shqipëri do të marrë goxha kohë. Për këtë proces, që është hapi i parë sa u përket planeve restauruese dhe konservuese, shteti shqiptar do të angazhojë edhe ekspertë ndërkombëtarë.
Janë disa monumente të kategorisë së parë që kanë pësuar dëme të mëdha pas tërmetit të javës së kaluar, ku në Shqipëri ka rezultuar me mbi 50 viktima e rreth 700 veta që janë trajtuar në spitale.
Kalaja e Durrësit, ajo e Prezës afër Tiranës e ajo e Krujës sipas raportimeve dalin të jenë më të dëmtuarat. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka inspektuar nga afër këto monumente. Ajo ka thënë se është bërë incizimi me dron i Kalasë së Prezës dhe inspektimi i disa monumenteve të tjera. Mirëpo, sipas saj, i gjithë ky proces nuk do të jetë i thjeshtë dhe kërkon kohë, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Lëkundjet sizmike të 26 nëntorit dhe të ditëve në vijim shkaktuan dëmtime edhe në monumente kulturore. Kemi inspektuar nga afër monumentet më të goditura, si Kalaja e Krujës, Kalaja e Prezës dhe muri bizantin në Durrës, për t’i evidentuar dëmet dhe për t’i marrë masat e duhura. Nuk do të jetë e thjeshtë dhe do të kërkojë kohë”, ka thënë ajo.
Margariti ka treguar se kanë mobilizuar me të gjitha forcat dhe se po bashkëpunojnë me Institutin e Gjeologjisë dhe ekspertë të huaj. Po ashtu, ajo ka kërkuar edhe mirëkuptim dhe respektim të perimetrit të sigurisë, pasi që Ministria e Kulturës dhe Drejtoria e Kulturës Kombëtare Tiranë, kanë ndaluar rreptësisht hyrjen në këto Kala.
“Është rreptësisht e ndaluar në radhë të parë për të garantuar jetën tuaj dhe për të mos i dëmtuar më shumë monumentet. Ministria e Kulturës dhe Drejtoria e Kulturës Kombëtare Tiranë, nuk janë përgjegjëse për çdo pasojë nga thyerja e këtij udhëzimi. Ruajeni jetën tuaj”, është shkruar në njoftimin e Ministrisë së Kulturës.
Kalasë së Durrësit i janë shembur një pjesë e mureve. Monumenti ishte ndërtuar nga perandori bizantin Anastasi në shekullin VI, përbëhet nga dy pjesë Kështjella e sipërme dhe Kështjella e poshtme. Në historinë e monumentit, si një rast tjetër ku ishte dëmtuar shumë daton tërmeti i vitit 1273 për t’u rinovuar prapë. Muret e objektit janë të larta 4.6 metra.
Raportimet e mediave shqiptare kanë nxjerrë në pah se është dëmtuar edhe Kalaja mesjetare e Prezës në Tiranë. Paraditen e së martës, Bashkia e Krujës nëpërmjet një komunikate u ka bërë apel qytetarëve të mos kalojnë afër Kalasë së qytetit për shkak të rrezikshmërisë që paraqet nga dëmtimi i shkaktuar nga tërmeti. “Shkëmbi nën kullën e sahatit rrezikon të shembet. Asnjë makinë nuk duhet të kalojë, pasi shton mundësinë që masivi shkëmbor të bjerë”, shkruhet në komunikatë. Kruja, që njihet edhe si qytet muze, ka identifikuar 320 objekte të dëmtuara për të cilat është raportuar në Bashki.
Dëme kanë pësuar edhe Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë e Muzeu Historik Kombëtar. Por, sipas të dhënave, kanë shpëtuar koleksionet e këtyre institucioneve dhe dëmet mund të riparohen shpejt. / KultPlus.com
Në Shqipëri të dhëna ende paraprake flasin për të paktën 900 pallate dhe mbi 5100 banesa të dëmtuara nga tërmeti. Afër 9 mijë janë qytetarët, banesat e të cilëve u prekën dhe kanë pësuar dëme.
Disa dhjetëra shkolla në Tiranë, Durrës, Lezhë e Elbasan kërkojnë ndërhyrje përpara se të rinisë mësimi. Ndërsa në terren vijon vlerësimi i dëmeve. Presidenti Ilir Meta njoftoi sot se ka vendosur të thërrasë nesër mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Ende nuk ka një bilanc përfundimtar të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti I fuqishëm i ditës së martë, i cili goditi rëndë Durrësin, Thumanën e Tiranën, por nuk la pa prekur dhe qytete të tjera të vendit. Të dhënat vijojnë në përditësim e sipër, por ato paraprake që i përkasin mëngjesit të sotëm, flasin për 640 pallate dhe 4 mijë banesa të dëmtuara, nga të cilat 371 pallate dhe afro 2500 banesa të dëmtuara rëndë. Në Durrës numri rezulton më i ulët, por vetëm për shkak se këtu procesi i verifikimit ka nisur me vonesë, ndërsa ditët e para vëmendja ishte përqendruar të njerëzit e mbetur nën rrënoja. Në këtë qytet për momentin rezultojnë 185 pallate dhe afro 730 banesa të dëmtuara, nga të cilat 38 pallate dje 620 banesa të prekura rëndë.
Grupe ekspertësh të huaj të thirrur nga qeveria po vijojnë të vijnë për të ndihmuar në procesin e vlerësimit teknik të godinave, ndërsa godinat që janë gati duke rënë, kanë nisur të shemben nga autoritetet, siç ishte rasti i një hoteli sot në Durrës.
Deri më tani rezultojnë të jenë afër 9 mijë qytetarët e prekur nga tërmeti. Mbi 2300 janë sistemuar nëpër hotelet me të cilat qeveria ka bërë marrëveshje, ndërsa mbi 4800 të tjerë janë strehuar pranë të afërmve të tyre. Mbi 900 banorë janë ende në çadrat e ngritura nga autoritetet në disa lokalitete ndërsa mbi 800 kanë zgjedhur qendrat sociale.
Dëmet kanë prekur dhe shkollat, ku sipas asaj që referoi sot në mbledhjen e qeverisë, ministrja e Arsimit Besa Shahini janë 52 të tilla në Tiranë, Durrës, Elbasan e Lezhë, ku është e nevojshme që të ndërhyhet, përpara se aty të lejohet rifillimi i mësimit. Më vonë ministrja njoftoi se pezullimi i mësimit do vijojë edhe disa ditë në qytetet e prekura: “Në Qarkun Durrës, bashkitë, Durrës, Shijak e Krujë, mësimi mbetet i pezulluar deri më datë 9 Dhjetor. Në Qarkun Tiranë që përfshin bashkitë Tiranë, Vorë, Kamëz, Kavajë dhe Rrogozhinë, si dhe në Qarkun Lezhe që përfshin bashkitë, Lezhë, Kurbin dhe Mirditë, mësimi do jetë i pezulluar deri më datë 5 dhjetor, por ruajmë mundësinë për ta shtyrë dhe disa ditë të tjera në rast se nuk garantohemi se janë në gjendje të sigurt strukturore”
Për të diskutuar rreth situatës së krijuar presidenti Ilir Meta, njoftoi sot se ka vendosur thirrjen e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, duke saktësuar se orari do të përcaktohet në varësi të situatës
Në mbledhjen e sotme të mëngjesit kryeministri Edi Rama përsëriti ftesën për opozitën që të ulen se bashku për të dhënë një sinjal bashkimi e qetësie ndaj qytetarëve.
Një ditë më parë kryetari demokrat Lulzim Basha i pyetur rreth kësaj ftese tha se “tani nuk është koha as për politikë, as për propagandë. Gjëja e vetme me të cilën po merremi ne është të jemi afër njerëzve dhe kjo është ajo që duhet të bëjë çdokush tjetër”
Por sipas zotit Rama “unë nuk e kuptoj ç’domethënë që të ulen në tryezë e gjithë përfaqësia e njerëzve të zgjedhur të këtij vendi qenka propagande. Propagandë është të lësh njerëzit në pasiguri, kur ke mundësi të bësh më shumë dhe ndërkohë flet për gjëra që u takojnë të tjerëve, u takojnë njerëzve që janë në terren”, u shpreh ai gjatë mbledhjes së qeverisë./VOA/ KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot Komitetin Kombëtar për Rindërtim, ku u bë me dije dhe plani se si do të vijojë puna. Por kjo mbledhje ka ngjallur shumë debat, si në transparencën e fondeve ashtu dhe në njerëzit që janë thirru të jenë pjesë e saj.
Në një reagim në Facebook, drejtoresha e Open Data, Aranita Brahaj, shkruan se pjesë e komitetit duket të ishte dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Sipas saj ky komitet është i pabesueshëm pasi në krah të Ramës, nuk duhet të ishte Elvis Naçi dhe Arbër Hajdari, por Guvernatori dhe Kryeinspektori i ndërtimit.
“Ne krah te djathte te Imam (Bajalldi ?). Kryeministri i vetem qe do te rindertoje Shqiperine por harron te ftoje ne tryeze Guvernatorin e Bankes Kombetare. Nese ngre nje komitet per rindertim ne krah te duhet guvernatori i Bankes dhe Kryeinspektori i Ndertimit. As njerzit e thjeshte nuk besojne dot ne pune te mira me kete Qeveri”, shkruan Brahaj.
Edi Rama ka mbledhur sot Komitetin Kombëtar të Rindërtimit. Rama ka ftuar opozitën në tryezë, dhe u shpreh se duhet ndihmuar populli. Elvis Naçi i kërkon Ramës transparence dhe e kërcënon me largim nga Komiteti. Marin Mema përplaset me Ramën, Kryeministri quan mediat kriminale. Kreu i qeverisë kërcënon ndërtuesit dhe arkitektët me burg. / KultPlus.com
Inxhinieri Arben Meçe foli me tone të ashpra në mbledhjen e Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, që po zhvillohet këtë pasdite nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama.
Inxhinieri tha se nuk është aspak e rëndësishme të diskutohet për transparencën e fondeve, por të gjithë duhet të zbresin me urgjencë në terren dhe t’iu japin sa më shpejt zgjidhje njerëzve.
Sipas tij, dëmet e këtij tërmeti do të jenë mjaft të mëdha, mbase mbi 500 milionë, duke shtuar se Durrësi sot është në gjendje katastrofike.
“Paraqitem si një ushtar, që shteti më ka thirrur në mobilizim. Nuk përfaqësoj askënd, vetëm veten time. Jemi një shtab që ka vetëm një detyrë, komiteti i Rindërtimit. Kemi një orë e gjysmë që po harxhojmë kohë. Situata në terren është emergjente në kuptim të kërkesave të qytetarëve. Këtu po diskutohet transparenca, por qytetari kërkon siguri. Ajo që duhet të transmetojmë urgjentisht te qytetari është besueshmëria. Përgatituni për një dëm mbi 500 milionë euro z.kryeministër. Ato që do të mblidhen këtu është ‘hiq’ përpara dëmit që do përballojë Shqipëria.
Vëmendja jonë duhet të jenë të organizohemi që vëmendja të zbresë deri te qytetari. Duhet të kuptoni sa të terrorizuar janë njerëzit. Unë duhet të isha në kushte pune sot, unë dua detyrën, më jep detyrën se për këtë kam ardhur. Nuk kam ardhur për të treguar sa i ndershëm jam, ne sot duhet të fillojmë punën, nuk duhet të humbasim asnjë sekondë. Nuk dua ta diskutoj më transparencën e fondeve, por ne duhet të shkojmë te qytetari. Koha e zgjidhjes së problemit do jetë e gjatë. Durrësi është katastrofë, sa i përket dëmit që ka.
Po goditet besueshmëria ndaj shtetit, ndaj dhe unë kam ardhur këtu që të fuqizojë besueshmërinë ndaj shtetit. Jemi futur në një fazë që i përket rindërtimit, puna ka filluar, por njerëzit duhet të jenë aty ku vërtet është dëmi.
Mua më keni në dispozicion pa dallim, pa asgjë. Këtë shtab unë e shoh shtab lufte, sa më i organizuar të jetë ky dhe sa më tepër skemën e çojmë në terren, deri në qelizë, atëherë jemi të besueshëm, transparenca e fondeve është e fundit gjë”, tha inxhinieri. Ballkan Web / KultPlus.com
30 sekonda tërmet na i shkokluan 30 vjet jetë dhe shpresë për shtet. Akullorja me duar të pastra që ndërtoi një Durrës të frikshëm, do të bëjë një jetë perandorësh mbi frymët e 50 vetëve nën rrënoja, dhe mbi germadhat e miliona e milionat e kursimeve të shqiptarëve të mbetur nën qiell të hapur. I njëjti njeri që ndërtoi një Tiranë po aq të frikshme, do të rindërtojë Durrësin, madje ka thirrur edhe Opozitën të bëjë pjesë në komitetin e rindërtimit, në një si “biçim” marrëveshje si e 17 majit, që do ta zgjasë edhe më agoninë e shqiptarëve. Si mund të presësh transparencë mbi rrënoja nga institucione që kurrë nuk e bënë në kushte normale? Por kjo nuk mjafton, mbi gërmadha teatri i strehimit të të mjerëve në hotelet me 5 yje, është aq sarkastik, aq i përshtirë, sa tronditesh. Të varfër që do të ishin përzënë po të shfaqeshin atypari në hollet e hoteleve me 5 yje, pasi varfëria e veshjeve të tyre bënte konflikt me luksin e këtyre hoteleve – që më së shumti kanë orgjira pushtetarësh në historikun e tyre – sot më ne fund do të kenë fatin të shijojnë pak nga luksi i të tjerëve. Shih, çdo e keqe e ka një të mirë! Po i provoni më në fund hotelet me 5 yje që deri më sot vetëm i keni ëndërruar. Këtë sarkamë njerëzit e pushtetit duhet t’ua kursejnë shqiptarëve, në emër të një sensi human në shpirtin e tyre, sot duhet të jenë më të kujdesshëm. Të pakten sot! Jo vetëm ata, por edhe klerikët shqiptarë, që nuk po lënë ekran pa dalë. Zoti është aq modest, sa nuk mund të pranojë as qurravitjen e tyre nëpër ekane, as krekosjen e tyre plot bujë. Zoti nuk ka nevojë për kamera, se sheh vetë, ndaj respektojeni mjerimin dhe fatin e shqiptarëve të pastrehë e të pabukë sot, siç do të donte dhe siç ju mëson ai, me modesti! / KultPlus.com
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se “ekipet e Turqisë do të kryejnë punimet në vendet e përshtatshme në Shqipëri dhe si vëllezër turq do të ndërtojnë 500 njësi banimi”.
Ndryshe, presidenti turk kishte thënë se kishte zhvilluar dy biseda telefonike me kryeministrin shqiptar Edi Rama më 26 nëntor, pasi dëgjoi për tërmetin, për të ofruar ngushëllimet e tij.
Si rezultat, siç thuhet tutje, përcjell Telegrafi, Turqia i ka dërguar menjëherë ndihma Shqipërisë rreth menaxhimit të fatkeqësisë dhe emergjencave.
“Si një vend, i cili vuajti nga tërmete të mëdha në të kaluarën, ne e kuptojmë dhimbjen e Shqipërisë”, citohet të ketë thënë Erdogan.
“Ne të gjithë duhet të qëndrojmë me Shqipërinë kur bëhet fjalë për trajtimin mjekësor të të dëmtuarve ose sigurimin e strehimoreve për ata që kanë humbur shtëpitë e tyre”, kishte shtuar ai.
Në orët e hershme të mëngjesit të së martës, dy tërmete të fuqishme goditën Shqipërinë.
Tërmeti i parë është regjistruar në orën 04:00 me shkallë të Rihterit 6.4 në Durrës, ndërsa i dyti ishte me magnitudë 5.4 shkallë të Rihterit dhe u regjistrua në ora 07:10.
Si pasojë e këtyre tërmeteve, përcjell Telegrafi, numri i viktimave po vazhdon të rritet dhe bëhet e ditur se janë rreth 700 persona të lënduar, si dhe dëme të mëdha materiale. /Telegrafi/ KultPlus.com
Organizata “Save the Children” thotë se rreth 9 mijë fëmijë janë në nevojë pas tërmeti të së martës në Shqipëri.
Ata janë të trembur dhe të shqetësuar dhe përveç tendave, shtretërve, batanijeve dhe mjeteve të higjienës personale, kanë nevojë edhe për mbështetje emocionale dhe mendore, thonë nga “Save the Children”.
Të paktën 4 fëmijë janë mes viktimave të deritanishme të tërmetit.
Save the Children po veprojnë në Durrës, Tiranë, Shijak dhe Fushë Krujë, ku po i përgjigjet nevojave të fëmijëve dhe familjeve të tyre./tch / KultPlus.com
Biznesmeni shqiptar, Samir Mane, ka vendosur të dhurojë 1.2 milionë euro për qytetarët e dëmtuar nga tërmeti i fuqishëm i mëngjesit të 26 nëntorit, me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter.
Gjithashtu, presidenti i Grupit Balfin, Mane, së bashku me Bordin Drejtues dhe kompanitë përkatëse, kanë vendosur që, përveç kësaj shume, t’iu vijnë në ndihmë të prekurve nga tërmeti edhe me mjetet e nevojshme e baza ushqimore.
“Bordi Drejtues i Grupit Balfin nën kujdesin e veçantë të presidentit Samir Mane, dhe kompanitë përkatëse të Grupit vendosen sot që të akordojnë shumën prej 1.2 milion eurosh për të dëmtuarit nga tërmeti në Shqipëri.
Përveç kësaj shume të akorduar, kompanitë e Grupit Balfin, si Spar, Neptun, Jumbo, etj, jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Kosovës, Maqedonisë, Bosnjës, e kështu me radhë, që në ditën e parë, i kanë qëndruar pranë banorëve të pastrehë, duke u ardhur në ndihmë me mjetet e nevojshme dhe bazën ushqimore. Grupi Balfin bën të ditur se ndihmat e Grupit do të vijojnë çdo ditë”, thuhet në njoftim. /BW / KultPlus.com
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, Albin Kurti mëngjesin kësaj të premte ka vizituar nga afër të prekurit e tërmetit në Durrës. Në një prononcim për “News24”, kreu i VV-së tha se të gjithë janë tronditur nga kjo fatkeqësi natyrore, ndërsa theksoi se të gjithë shqiptarët duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin duke shtuar se ndihma është një obligim kombëtar.
“Të gjithë shqiptarë jemi tronditur nga ky tërmet i tmerrshëm që ka goditur zonën e Durrësit. Fillimisht ishim të përfshirë nga ankthi i kërkim shpëtimit, të atyre që kishin ngelur nën gërmadhe, por tani duhet të kemi sa më shumë solidaritet për jetën e vështirë, për jetë shumë të rëndë të atyre që shpëtuan, qofshin familjarë të viktimave ose të tillë që nuk kanë pësuar. Jetesa është shumë e rrezikshme në këto ndërtesa, të cilat janë kaq të brishta pas dy valëve të fora të tërmeti, këtij të fundit por edhe atij të shtatorit”, tha Kurti.
Ai gjithashtu tha se “Kemi një sensibilizim shumë të madh të qytetarëve të Kosovës edhe për t’i marrë qytetarët e Durrësit, por edhe zonat e tjera ku ka pasur dëmtime, është kjo një rikthim të asaj çfarë shqiptarët kanë bërë, do ta shikojmë në këtë formë apo është thjesht një detyrim moral dhe kombëtar?”.
“Pavarësisht se çafër ka ndodhur në të kaluarën, shqiptarët gjithmonë e ndihmojnë njëri-tjetrin, sepse jemi një komb dhe besoj që kjo përkrahje që bëjmë, e japim dhe marrim është një detyrë kombëtare, prandaj këtu duhet të bëjmë më shumë punë se sa falënderime, sepse ta ndihmojmë njëri tjetrin e kemi obligim. Ndihma për njëri tjetrin nuk është dhuratë, por është obligim, por është e rëndësishme që të jetë sa më e organizuar. Unë dje kam pasur një takim me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovës, Qemal Minxhozin dhe me komandantin e FSK, gjeneral lejtnant Rrahman Ramën, dhe ky i fundit ishte i gatshëm dhe i interesuar që FSK ta marrë përsipër aspektin organizativ dhe logjistik, meqenëse kjo ndihmë nuk bën të shkojë dëm, por duhet të ketë efikasitet në grumbullim dhe në shpërndarje”, përfundoi ai. / KultPlus.com
SHÇBA arreston 2 punonjës policie, 1 punonjës të shërbimit zjarrfikës, si edhe procedon penalisht 2 shtetase për veprat penale të “mashtrimit” dhe “shpërdorimit të detyrës”.
Shërbimi për
Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka arrestuar mbrëmë në flagrancë shtetasit:
– A.Z., me
detyrw Shef i Seksionit të Rendit pranë Komisariatit të Policisë Rinas, për
veprën penale të “Mashtrimit në bashkëpunim”.
– E.H., me
detyrë Komandant skuadre në Seksionin e Rendit pranë Komisariatit të Policisë
Rinas për veprën penale “Shpërdorim detyre”;
– A.T., me
detyrë punonjës i shërbimit zjarrfikës pranë PMNZSH Kombinat, për veprën penale
të “Mashtrimit, e kryer në bashkëpunim”.
Gjithashtu
janë proceduar në gjendje të lirë shtetaset V.Z. dhe Sh.T. për veprën penale të
“Mashtrimit”, kryer në bashkëpunim.
Procedimi i
tyre u krye pas hetimeve të zhvilluara në lidhje me publikimin e një video në
media, ku shfaqeshin pamje të transportimit e përvetësimit të një sasie të
konsiderueshme pakosh ushqimore (të sekuestruara në cilësinë e provës materiale)
të destinuara për banorët e prekur nga situata e tërmetit.
Materialet
hetimore proceduriale do t’i dërgohen Prokurorisë Tiranë për hetime të
mëtejshme.
SHÇBA fton çdo qytetar të denoncojë në numrin jeshil 0800 90 00, për çdo rast abuzimi të punonjësve të Policisë së Shtetit, duke garantuar reagim të shpejtë e në kohë. /Shqiptarja.com / KultPlus.com
Më poshtë gjeni një letër të shkruar nga një çam, autor që është pronar i një hoteli të rrënuar në Shqipëri.
Letra:
Fjalia qe kam patur me shume tmerr te artikuloj ka qene “pushuesit
kosovare”! Me kane pyetur jo pak here se cfare jane pjesa me e madhe e
pushuesve qe na frekuentojne, gjithnje u jam pergjigjur “te huaj dhe shqiptare
te kosoves” madje edhe regjistrimin e pashaportes se tyre ne sistemin e hotelit
e kam bere “shqiptar” asnjehere “kosovar”! Kohen e luftes ne shtepi kemi
mbajtur nje familje me plot halle,kemi ndare gezimin tone me ta dhe ata
hidherimin e tyre me ne,kemi ndare buken bashke ne nje tryeze! Degjoja shpesh
“aman mos me trego mua kosovaret se jane te pabese,do i mbani me buke por do
ikin e as emrat tuaj nuk do kujtojne me”!
Sot ata erdhen ne heshtje, pa buje pa kamera,pa lajmerime,erdhen per te
ndare sot me ne dhimbjen tone…Po ne sot mbetem pa fjale perballe tyre dhe plot
turp: ata edhe pushimet i kalojne tek ne per te mos ia dhene dikujt tjeter ato
para,ne cfare bejme???? Ata edhe ne stadiumin e tyre ngrejne flamurin kuq e zi,
po ne cfare bejme???? Ata na thone “vellezer e motra” po ne cfare u themi
atyre???? Shpirtmadhesia jone vdiq pas viteve ’98-’99, njerezit u bene si
kafshe dhe nisen te shqyhen mes tyre per nje mur,per nje oborr,per dy rrenje
ullinj…Nxorrem dhembet ndaj vellait,motres,femijes,mikut,komshiut…u
transformuam ne armikun e gjakut tone,disa zgjodhen te ikin larg Shqiperise per
te mos rene ne kete kategori njerezish se me keqardhje e them:po behej mese e
natyrshme te ishe kesisoj njeriu!!!
Ne shkaterrojme vendin tone,pronen tone,perdhosim emrin tone neper
bote,madje ne te shumten e rasteve u beme Maria nga Mejreme dhe mohuam
origjinen tone per nje vend pune,per nje grusht para…Kjo eshte gjeja me e
shemtuar qe dikush i ben vetes dhe kombit te tij-te mohosh gjenezen eshte sikur
te mohosh nenen qe te lindi!!! Ja,kesisoj njerezish u beme ne- lepijme doren e
atij qe na trajton si kafshe e qe na pi gjakun ne pune dhe kafshojme doren e
atij qe na mban me buke e qe na ofron strehe! Ne po pranojme mbi kurrizin tone
lloj-lloj mashtrimesh,padrejtesish,ligesish,vjedhjesh,etj etj etj, po i
pranojme dhe nuk po ngreme krye as per te pare driten e diellit! Po na shkulet
zemra vendit tek shohim femijet tane qe mezi i rritem,te ikin neper bote ne
kerkim te nje jete me te mire…dhe heshtim,pranojme cdo lloj dhimbjeje dhe
mallkimi! Ne jemi bere si ai uji i ndenjur qe qelbet e vjen ere,e Zoti lart po
zemerohet kaq shume me ne dhe me mendjet tona!!!
Me falni o njerez,por personalisht mendoj se keto jane sinjale te Zotit per
reflektim,per vetegjykim,per veteveprim! Shikoni brenda vetes me shume me teper
dashuri dhe besim,sepse dashuria lind nga brenda vetes dhe reflektohet tek te
tjeret! Mos dashuroni makina,çanta,shtepira dhe bizhuteri- dashuroni njeriun!!!
Mos e zemeroni Perendine me shume se dite me te keqija mund te perjetojme nese
vazhdojme keshtu! Pse duhet te kemi nevoje per nje tragjedi te tille,qe te
tregojme miresine qe kemi brenda nesh???? Perse duhet te perjetojme dite tmerri
si keto per te treguar qe sic dime te duam ne askush ne bote nuk di ta beje???
Perse duhet ta shohim vdekjen me sy qe ta kuptojme vleren e vertete te
jetes? Ata qe na vjedhin cdo dite,ata qe nuk kane miresi ne shpirt,ata qe nuk
kane as din e as iman,sot bejne sikur qajne por nga xhepat e tyre nje cent s’e
dhane!!! Shqiptare kudo qe jeni neper bote,vetem nje gje te dini te beni: te
doni me shume dhe cdo dite njeri-tjetrin,me pas Zoti serish do na doje me shume
neve! Me lot ne shpirt,me gur ne zemer,ju themi qe hapim dyert e hotelit per te
ofruar strehe per familjet ne nevoje! Zoti na ndihmofte!
Autori eshte pronari i nje hoteli ne Shqiperi (Marrë nga “Gazeta Shqiptare”) / KultPlus.com